Flonja Haxhaj
Sheshi ‘Adem Jashari’ në Prishtinë, u mbush mbrëmë plot me njërëz, për të shënuar një festë që bashkon ushqimin dhe muzikën. Publiku i ngazëllyer që priste me padurim fillimin e koncertit të këngëtarit të mirënjohur shqiptar, Armend Rexhepagiqi, koncert ky që përveç që shënonte rikthimin e këngëtarit para publikut pas disa viteve mungesë, shënoi edhe hapjen e festivalit ‘Prishtina Gastronomy Festival’, përcjell KultPlus.
Motoja e ‘Prishtina Gastronomy Festival’, “Bukë e kripë e zemërbardhë”, u dëshmua edhe mbrëmë teksa u kremtua me muzikë dhe me ushqime të shumta e që kryesisht kishin për qëllim të paraqesin kulturën autentike shqiptare.
Teksa minutat po kalonin, deri në daljen në skenë të këngëtarit Armend Rexhepagiqi, publiku jo I vogël në numër, në mesin e tyre edhe fëmijë, po argëtoheshin me muzikën e mirëfilltë shqiptare që po buronte në të gjitha anët e sheshit.
Për të shënuar hapjen e këtij festivali, në skenë u ngjit i pari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili falënderoi të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen.
“Është kënaqësi e veçantë ta bëj hapjen e festivalit të Gastronomisë. Sonte është një natë e mrekullueshme në hapjen e këtij festivali me pije dhe ushqim fantastik dhe po ashtu edhe me një repertor fenomenal të muzikës. Sonte e kemi ikonën e Prishtinës, Armend Rexhepagiqin”, u shpreh Rama.
E pas disa minuatave, pritjes së publikut i erdhi fundi pasi në skenë doli këngëtari Armend Rexhepagiqi, i përcjellur nga duartrokitje dhe brohoritje të pafund nga publiku dhe adhuruesit e muzikës së tij. Ai filloi koncertin e tij me një prej këngëve ikonë të tij ‘Shkel’, këngë kjo që krijoi një atmosferë të paharrueshme qysh në hapje.
‘Dashurinë ku e kam’, ‘Tavolina e mërsizë’, ‘Bileta’, ‘Edhe nje here’ dhe ‘Dudije’, ishin vetëm disa nga hitet e Rexhepagiqit që argëtuan e futën publikun nën tingujt e melankolisë dhe nostalgjisë për gati dy orë. Në çdo tingull dhe fjalë, Rexhepagiqi çoi publikun në një udhëtim emocionues.
Ky koncert dëshmoi edhe njëherë për jetëgjatësinë e këngëve të Rexhepagiqit, të cilat që nga ato më të vjetrat, i kanë rezistuar kohës dhe vazhdojnë edhe sot dëgjohen dhe u kënduan edhe mbrëmë njëzëri me këngëtarin.
Ndërkaq, ‘Prishtina Gastronomy Festival’ do të vazhdojë edhe për shtatë ditë në vijim, ku publiku do të ketë mundësi të shijojë pije, ushqim e muzikë të mirëfilltë.
E nata e dytë e festivalit do të vijë me një performancë unike të artistit të mirënjohur e të dashur për publikun, Sinan Vllasaliu i cili do të vijë me një supër orkestër, e do të këndon këngët e viteve të 90-ta nga albumi “Plagët e lirisë”.
Nata e tretë, e 22 korrikut, do të sjellë në skenën e Festivalit të Gastronomisë këngëtaren e njohur nga Shqipëria, finalisten e The Voice of Albania 1, Marsela Çibukaj, e cila do të përformojë për publikun gjithë hitet e saj.
Me një muzikë më të lehtë do të fillojë nata e katërë, ajo e 23 korrikut, me këngëtaren Nezafete Shala e cila identifikohet më shumë me muzikën popullore të Shqipërisë së mesme, popullore qytetare dhe klasike. E pjesa e dytë e natës së katër të Festivalit të Gastronomisë, do të vazhdojë nën tingujt e grupit të mirënjohur pop-rock Fisnikët.
Me muzikë klasike dhe të lehtë do të nisë edhe nata e pestë me 24 korrik në skenën muzikore të vendosur në sheshin “Adem Jashari”, aty do të perfromojë këngëtari i njohur Denik Prizreni, i cili është bariton i Filarmonisë së Kosovës, dhe ka prezantuar Kosovën në shumë koncerte botërore.
Por as kjo natë nuk përfundon me kaq, meqë pas performancës së Denik Prizrenit, skenën do ta pushtoj grupi i njohur i artistëve të rock muzikës Jericho.
E me 25 korrik, në natën e gjashtë të Prishtina Gastronomy Festival do të performojë grupi i njohur String String dhe këngëtarja Eneda Tarifa.
Muzika e argëtimi vazhdon edhe në natën e 26 korrikut, me këngëtaren e muzikës pop Nita Latifi si dhe këngëtarin e muzikës jazz Dren Abazi.
E nata përmbyllëse e edicionit të tretë të Prishtina Gastronomy Festival, do të ofrojë koncert madhështor me këngëtarin e muzikës popullore qytetare, Edi Furra, i cili do të performojë me orkestër prej rreth 20 profesionistëve.
Gjatë gjithë këtyre tetë netëve brenda hapësirës së rezervuar do të ketë shtëpiza që do të ofrojnë ushqime për shije të ndryshme, pije freskuese, si dhe pije për të vegjlit, për të cilët edhe do të ketë kënd të lojrave e argëtimit./ KultPlus.com