Këngët dhe vallet e interpretuara nga grupet folklorike të qarkut të Shkodrës elektrizuan publikun gjirokastrit dhe turistët që po ndjekin Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës.
Prefektja e qarkut të Shkodrës, Majlinda Angoni ndau në rrjetet sociale momente nga interpretimi i grupeve folklorike të këtij qarku.
Motivet që u përcollën shprehnin diversitetin kulturor të zonave të ndryshme etnografike, ku grupet sollën epikën, lirikën, këngë dashurie apo koreografi dhe lashtësi, si ritet pagane të Ditës së Verës nga grupi i Pukës.
“Lahuta në dorën e Lumturie Nonajt, e cila kishte veshur xhubletën, sollën atmosferën e lashtë të epikës sonë legjendare nga “Eposi i Kreshnikëve”, pjesë e artë e folklorit shqiptar të njohura si “Këngët e Mujit dhe Halilit”, Malësia e Madhe dhe Kelmendi, pjesë e grupit folklorik të Shkodrës i sollën spektatorit dhe mbërthyen në meditime me perla nga thellësia e shekujve, me motive thellësisht epiko-luftarake dhe mbijetese”, theksoi Angoni.
Prefektja Angoni u shpreh se “ky folklor i pasur dhe unik për nga lloji me lahutën, xhubletën, vajin ose “gjëma e burrave në mort” është gatuar e ruajtur fort nga interpretuesit dhe rapsodët popullorë që e sollën autentike në skenën e festivalit”.
Festivali Folklorik Kombëtar që po zhvillohet në kalanë e Gjirokastrës ka nisur të shtunën dhe vijon deri në datën 2 korrik. Festivali është kthyer në një atraksion turistik, i cili promovon foklorin dhe traditën e vendit tonë. Në festival marrin pjesë grupe nga të 12 qarqet e vendit, por edhe nga vendet fqinje./KultPlus.com