Nesër nis edicioni i 8-të i Festivalit të Karikaturës që organizohet nga Shoqata e Karikaturistëve “Hithi” në Ferizaj, përcjellë KultPlus.
Aktiviteti kryesor i këtij festivali do të jetë hapja e ekspozitës më datë 23 shtator në ora 19:00 në Galerinë e Arteve në Ferizaj.
Festivali përkrahet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, bashkë me Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport në Ferizaj, si dhe nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës e Kosovës.
Ndryshe, ky festival do të zgjasë gjithsej tri ditë gjatë të cilave do të ketë aktivitete të ndryshme kulturore. / KultPlus.com
Bienalja Ndërkombëtare e Humorit “Niko Nikolla, buzëqeshje ballkanike në Pogradec” ka mbyll siparin. Me tre çmimet e para u vlerësuan artistët nga Meksika, Luksemburgu dhe Shqipëria. Nga Shqipëria u vlerësua me çmim arkitekti Arben Meksi.
Për dy ditë radhazi në qytetin e Pogradecit u mbajt Bienalja Ndërkombëtare e Karikaturës. Aktiviteti i organizuar nga Flora Nikolla, organizatore e “Allbania Exellence” dhe karikaturisti i njohur Agim Sulaj bëri bashkë 600 karikatura të artistëve nga 50 vende të botës.
Gjatë ditës së parë të aktivitetit u zhvillua konferenca, “Karikatura, dje dhe sot, trend në rritje”, ku diskutuan karikaturist, kritik arti dhe artistë të arteve pamore. Ekspozita e Bienales Ndërkombëtare të Humorit “Niko Nikolla, buzëqeshje ballkanike në Pogradec” u çel në sheshin e trëndafilave të qytetit me 120 karikatura të përzgjedhura nga juria.
Gjatë natës së dytë u ndanë edhe tre çmimet kryesore dhe 6 çmime speciale.
Me çmim të parë u vlerësua artisti Angel Boligan nga Meksika, me karikaturën me temë “Çekani dhe gozhda” dhe Pel Leurs nga Luksenbugu. Një nga dy çmimet e parë e mori arkitekti shqiptar Arben Meksi me karikaturën “Jeta njerëzore është riciklim”. Të gjithë karikaturistët e tjerë, fitues përshëndetën përmes videomesazheve këtë ceremoni.
Ndërsa, Bienalja Ndërkombëtare e Karikaturës dhe ditët e humorit “Niko Nikolla”, që do të mbeten tanimë, si traditë për qytetin e Pogradecit mbështet nga Bashkia e qytetit edhe Ministria e Kulturës./shqiptarja/ KultPlus.com