Festivali i Këngës në Radio Televizionin e Kosovës përveç programit garues prej 18 këngësh e programit mysafir me këngëtarë të dëshmuar të skenës vendore, do të ofrojë edhe program televiziv me panelistë të cilët do ta komentojnë edicionin e parë.
Ekranet e shikuesve të RTK-së do të shoqërohen nga “Post – Festivali”, i cili do të jetë ballafaqim opinionesh me personalitete të ndryshme. Më 26 dhe 27 tetor menjëherë pas mbarimit të programit qendror të Festivalit, do të komentohen këngët, paraqitjet skenike, veshjet dhe çdo detaj tjetër të glamurit.
“Pas çdo mbrëmje muzikore, spektakli, dramaturgjie të bukur, në këtë skenografi gjigante do të kemi një analizë për Festivalin. Do ta bëjmë vet ne gjyqin me emra të dëshmuar të kulturës sonë në përgjithësi. Do të kemi çdo mbrëmje nga shtatë persona në panel. Kam përshtypjen që do të jetë një emision shumë interesant. E bën RAI, ‘Sanremo’, e bën edhe ‘Eurovision’ dhe çdo festival tjetër me standarde të larta evropiane”, ka thënë për RTKlive prezantuesja e “Post-Festivalit”, Alketa Gashi – Fazliu.
Ndërkaq një program maratonik prej gati pesë orësh do të transmetohet në RTK me datën 29 tetor, një ditë pas mbarimit të edicionit të parë.