Festivali i Këngës në RTK zbulon listën e këngëve të edicionit të dytë

Festivali i Këngës në RTK ka bërë të ditur se është zbuluar lista e këngëve të edicionit të dytë.

Në njoftim thuhet se Komisioni Përzgjedhës i Festivalit të Këngës në RTK ka bërë përzgjedhjen e 18 këngëveve konkurruese.

Lista e këngëve të edicionit të dytë të Festivalit të këngës në RTK:

1. GRETA AZIZI – “VERËS”

2. INORGA-”SEKS MASHINA NGA PRISHTINA”

3. BESMIR SHISHKO – “ UNË –AJO”

4. SANTINO DE BARTOLO – “ UNË JAM ARBËRESHË”

5. AGIM POSHKA- “NDARJA ERDHI”

6. IRMA LEPURI – “TË DUA”

7. ENDRIT KRASNIQI- “FLAS ME GJETHEN”

8. ARDITA BEGU –“ FUNDOSU NË DRITË”

9. REI BEZHANI – “ZONJA TRADHËTI”

10. BLEDI KASO – “ NJË TË VETME KA NË JETË”

11. ARTEA BAJRI –“ STRONG WAVES”

12. DEA STRICA “ N’SHQIPNI”

13. JEHONA LUMI – “SHKO |”

14. ARNITË KASTRATI –“ BLLA BLLA”

15. ARDIT STAFAI –“FAJI”

16. VLONA BOSHNJAKU-“ LOTËT|”

17. BRUNA SATA –“ TI JE I PA SHPIRT”

18. LUNA ÇAUSHOLLI “ MA ULE DIELLIN TI”.

Edicioni i parë i “Fest 2023” ishte realizuar në datat 26, 27 e 28 tetor 2023, në Prishtinë dhe ishte transmetuar live në Radio Kosovë dhe në Televizionin e Kosovës./KultPlus.com

Një performues i guximshëm që sfidon vetën dhe audiencën, La Fazani: “Oj Kosovë”, kangë që e kish kallë Eurovizionin

Jeta Zymberi

Në botën e festivaleve, konsideruar si një vend më i rreptë, tradicional dhe i rezervuar, artistët janë gjithnjë të gatshëm të thyejnë tabutë dhe të shprehin artin e tyre në mënyra të reja dhe provokuese.

Këto ditë, drita ishte kthyer kah muzika dhe fokusi depërtoi në Festivalin e Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës. Tri netë magjike, që ishin më shumë se thjeshtë një festival. Ato ishin një shfaqje e fuqishme e artit dhe kulturës shqiptare, shkruan KultPlus.

Në një sallë në Pallatin e Rinisë, ku jetonin vetëm gjurmët e zjarrit, u rimodelua një skenë e madhe për të mbetur një vend historik ku zjarri i zemrave të artistëve do të vazhdojë të flakërojë përgjithmonë.

E një zemër artisti që do të mbetet në histori si fituesi i edicionit të parë të Festivalit të Këngës në Kosovë, ishte ajo e Arbër Salihut, i njohur me emrin artistik si, La Fazani.

Ai është një zanatçi i muzikës që rrethohet me misterin e saj. Një eksplorues i të panjohurës, gjithmonë në kërkim të tingujve të rinj, duke krijuar harta të reja për zemrat tona. Nëpërmjet notave dhe tingujve të tij, ai dokumenton pasionet e thella dhe ndodhitë me të cilat ne jetojmë si individë dhe si shoqëri.

La Fazani, një artist që shquhet për guximin e tij të rrallë, edhe në këtë paraqitje dëshmoi se është një performues që nuk njeh kufij, gjithmonë gati të sfidojë veten dhe audiencën me muzikën e tij të mrekullueshme. Për të, çdo shfaqje është një aventurë e re, një udhëtim në një botë të panjohur të emocioneve dhe tingujve të veçantë.

Me këngën e tij fituese “Oj Kosovë,” ai ka kapur një kontrast brutal të realitetit të shoqërisë sonë. Ai përdor ironinë në mënyrë të guximshme për të nxjerrë në pah kontradiktat në të cilat jetojmë. Por është refreni i këngës që na kujton se nën sipërfaqen e shurdhër të realitetit, ka një burim të pafund dashurie dhe pasioni që shpërthen zemrat tona.

Kjo intervistë me La Fazanin, sot kur pretendojmë që emocionet e skenës kanë pushuar paksa, na sjell në fokus gjithçka rreth këtij festivali, botës artistike të këtij artisti dhe këngës fituese që për shumë kënd ishte një nismë interesante për festivalin dhe një rrugë e hapur për artistë kaq eksplorues si ai.

Por, para se të kalojmë tek përgjigjet interesante të La Fazanit, dua të theksoj një detaj thelbësor që bëhet i qartë gjatë bisedës sonë. Ai ka dhënë përgjigjet e tij në dialektin gegë dhe ka kërkuar që të mos i ndryshojmë. Kjo kërkesë e tij na flet mbi thelbin e identitetit të tij artistik.

Le të eksplorojmë më shumë këtë artistë nëpërmjet bisedës sonë kreative.

KultPlus: Kënga “Oj Kosovë” është fituesja historike e edicionit të parë të Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës. Cila ishte ndjesia në momentin e parë që dëgjuat emrin tuaj, dhe a ishte diçka e pritshme për ju?

La Fazani: Edhe pse gjatë rrjedhës së Festivalit gjithmonë e mbajsha të hapun mundësinë që muj me u shpallë fitues, kur praktikisht fillun’ me u nda çmimet për çfarëdo arsyje nuk e kisha ndjenjën se kom me fitu. Kur na thirrën në skenë mu edhe Angus Dei, ia nisa me vërejtë se mundet me ndodhë diçka magjike. Ndjenja osht’ e papërshkrushme, po besoj osht ngjajshëm si me e dhonë gollë në finale të ndonjë kampionati botëror.

KultPlus: Teksti i këngës “Oj Kosovë” është i ngarkuar me ironi. Çfarë të provokoi që të shkruaje një tekst me një temë të tillë?

La Fazani: Gjithmonë më ka interesu me përdorë kontraste ekstreme në pjesë të ndryshme të kangëve. Në rastin e “Oj Kosovë”, e eksplorova një kontrast brutal ku në strofa tentova me paraqitë ni interpretim skeptik por plot lojë të realitetit tonë, gjithmonë në vetë të parë ku provoj me deshifru mungesën e iniciativës konkrete për me kontribu në mirëqeniën e kësaj shoqërije. Kur po vjen refreni përplot fjalë dashnije e miradije, po e bjen një kontrast që po të shtin me një krizë identiteti e s’po e din as vet se prej kahit po vjen aj burim dashurije, por gjithësesi po osht’ aty dhe përplot pasion. S’po di… krejt ka ardhë natyrshëm, prej ni tentimi me eksploru ni kontrast brutal ndjenjash, por gjithashtu prej ekzistencës së disa sentimenteve që ashiqare i ndjej për kontekstin në të cilin jetoj.

KultPlus: A është teksti i këngës “Oj Kosovë” një reflektim i opinionit të përgjithshëm për situatën në vendin tonë?

La Fazani: Nuk e di. Në përgjethësi më duket se jemi të ngurrtë me e analizu sjelljën e vetvetës edhe nuk ndihemi rahat kur e bojmë atë sen. Por po më dokët se kemi fillu me u pjekë mjaftushëm që me mujte me ia pranu vetës atë fakt. Prandaj, po edhe jo… nuk e di.

KultPlus: “Se cilindo vend sonte me fitu. E di qe n’Eurosong une s’kom me knu”, është një pjesë e tekstit të këngës, po nëse do të ishte e kundërta dhe ju do të na përfaqësonit këtë vit në Eurovision, mendon që do të ishte kënga e duhur?

La Fazani: Besoj se në aspektin stilistik, energjik dhe interpretues do të ishte një kangë që e kish kallë Eurovizionin. Por, tematika osht’ paksa e lokalizume në një shoqëri të caktume, e nuk e di sa kish mujtë publiku jashtë shtetit tonë me u ndërlidhë me tekstin e kangës. Isha dashtë ndoshta me e ndryshu pak konceptin, me bo ma universal që ndërlidhet edhe me çashtje jashtë shtetit tonë që me mujtë me e kaplu publikun Europian. Por prap, krejt ndjenjat janë universale…

KultPlus: A mendoni se krijimi i këtij festivali do të sjellë më shumë vëmendje ndërkombëtare ndaj muzikës kosovare dhe mund të ketë ndikim në shanset e Kosovës për përshpejtimin e hapave drejt pranimit në Rrjetin e Transmetuesve Evropian (EBU)?

La Fazani: PO!!!

KultPlus: Sot, kur po besoj veç janë qetësuar pak emocionet, nga perspektiva e një artisti pjesëmarrës, si e vlerëson organizimin e Festivalit të Këngës në RTK?

La Fazani: Mendoj se krejt jemi befasu për të mirë se çfarë super spektakli ka dalë me qenë ky edicion i Festivalit të Këngës. Osht’ ngritje marramendëse e standardit prej krejt manifestimeve paraprake që janë organizu në Kosovë. Mos të harrojmë, osht’ hera e parë që po bohët prej shtetit tonë. Për senet që s’kan shku mirë, kërkush ma mirë se vetë organizatorët nuk e dijnë, kështu që kom besim se krejt ato aspekte veç kanë me u përmirësu në vitet e ardhshme.

KultPlus: Konsideron që prurjet muzikor ishin në nivelin e duhur për një festival të tillë, e ndjeve konkurrencën?

La Fazani: Mendoj se shumë artistë që kanë bagazh të madh artistik nuk e kan pasë guximin me i besu pjesëmarrjës me sy mshelë këtij festivali, kryesisht për shkak se nuk e kanë pasë idenë se qysh ka me qenë standardi i saj. Në përgjethësi osht vrejtë se pjesëmarrësit kanë qenë ma të rinjë e jo me aq përvojë artistike. Tu e marrë parasyshë këtë, kanë performu në mënyrë të shkëlqyeshme e e kanë dëshmu vetën në nivelin ma të lartë. Falë suksesit të këtij edicionit, besoj se në vitet që po vijnë kemi me pa edhe emra ma të mëdhenj tu marrë pjesë.

KultPlus: Nga kjo garë ju dolët me dy çmime, jo me më pak peshë është edhe Çmimi i Kryeqytetit që ju nda nga kryetari Përparim Rama. Çfarë simbolizojnë këto çmime për ju?

La Fazani: Me thanë të drejtën, për këtë çmim jom gëzu poaq shumë sa për çmimin kryesor. Pothuajse krejt veprimtaria jem’ artistike buron prej dhe osht’ kriju në Prishtinë. Jom prishtinali krenar që e kom çu jetën tu provu me kontribu në këtë qytet, e nuk kish ndjenjë ma të mirë se me u vlerësu prej qytetin tond. E falënderoj prej zemrës Komunën e Prishtinës dhe kryetarin Përparim Rama për këtë vlerësim, do ta gëzoj përjetë.

KultPlus: Si do të përshkruanit rrugën tuaj artistike deri në këtë sukses në Festivalin e Këngës? Çfarë sfidash keni përjetuar në këtë rrugë?

La Fazani: Rrugë me gunga si rruga Muharrem Fejza në vitet 2010 – 2022. Por edhe ajo rrugë tash po dokët që osht rrafshu, edhe pse dorën në zemër osht’ pak e ngushtë për gjithë atë qarkullim të kerreve. Sfida plot e përplot, por reagimi ndaj sfidave po osht’ çka po ta definon storjën e jetës.

KultPlus: Në rrugën tuaj muzikore, cili është artisti që ju ka inspiruar e vazhdon ta bëjë?

La Fazani: Ka tepër shumë. Kështu që po përmendi shumë: the Beatles, the Doors, Bob Dylan, Bob Marley, Miles Davis, Frank Zappa, David Bowie, Björk, Radiohead, Aphex Twin, Bon Iver, Frank Ocean, Kendrick Lamar, Beyonce, Kanye West, Rihanna, Doja Cat, Muharrem Qena, Gjurmët, Genc Salihu. Dhe normalisht, ETJ.

KultPlus: Si do ta përshkruanit veten si artist? Cilat janë vlerat dhe karakteristikat që ju shprehni në muzikën tuaj?

La Fazani: Muzikant eksplorues që gjithmonë synon gjetje të reja. Dokumentues pasionant i ndjenjave dhe ndodhive individuale e shoqërore. Performues i guximshëm që gjithmonë tenton ta sfidojë vetën dhe audiencën.

KultPlus: Krejt për fund, cilat janë planet tuaja të ardhshme në karrierën muzikore dhe cili është synimi juaj në muzikë?

La Fazani: Ma në fund po i vjen rradha lansimit të albumit që e kam nisë qe gati 5 vjet. Hala nuk po e kam ide se cili ka me qenë singli/videoklipi i ardhshëm. Synimi jem’ osht që me kriju një sistem ku muj me prodhu muzikë në mënyrë konsistente, e i cili ma siguron një jetesë të rahatshme – jo najsen luksoze, por qaq sa me ma mundësu krijimin pa u tutë se a duhna me e bo edhe naj punë tjetër. / KultPlus.com

Me zërin e saj të fuqishëm, Dafina Zeqiri performoi mbrëmë në Festivalin e Këngës në RTK (VIDEO)

Mbrëmë në Pallatin e Rinisë të Kosovës, u shënuar një ngjarje historike për kulturën muzikore të vendit. Ishte hera e parë që Radio Televizioni i Kosovës organizoi Festivalin e Këngës, një manifestim i madh që ka për qëllim të bëjë një kthesë serioze për muzikën shqipe dhe duke e shtruar rrugën për në Eurosong, shkruan KultPlus.

Edicioni i parë zyrtar i këtij festivali filloi në orën 21:00 dhe nisi në mënyrë spektakolare. Pallati i Rinisë u bë ambienti ku u mblodhën artistë, muzikantë, pjesëmarrës, dhe mysafirë të ndryshëm për të festuar muzikën dhe talentet e Kosovës.

Një moment i veçantë i kësaj mbrëmje ishte edhe paraqitja e këngëtares Dafina Zeqiri, e cila solli një performancë të mrekullueshme live me këngën e saj të njohur “Veç ti”.

Me zërin e saj të fuqishëm dhe emocionin e transmetuar nëpërmjet këngës, ajo bëri të pranishmit ta duartrokisnin fort.

Dafina Zeqiri është një artiste e njohur në skenën muzikore kosovare dhe performanca e saj në këtë festival sigurisht që ishte e mirëpritur nga ana e publikut të cilët ka kohë që e kanë kërkuar Dafinën që të jetë edhe garuese në këtë festival dhe jo vetëm mysafire. / KultPlus.com

Kosova me Festival të Këngës, për organizimin e kësaj ngjarje MKRS ka dhënë 300 mijë euro

Kosova mbrëmë u bë me Festival të Këngës. Për organizimin e kësaj ngjarjeje historike e madhështore, Ministria e Kulturës ka dhënë 300.000 euro, përcjell KultPlus.

“Përmes politikave dhe investimeve të duhura si kjo, po zhvillojmë dhe promovojmë artistët dhe vlerat tona kulturore”, thuhet nga MKRS.

Sipas Ministrisë së Kulturës, ngjarja është më shumë se një festival. Është shtëpia e re e artistëve. Është kthesë serioze për muzikën shqipe, duke e afruar më pranë zemrës së publikut dhe njëkohësisht, duke e shtruar rrugën për në Eurosong.

“Përgëzime RTK-së për organizimin fantastik dhe në veçanti drejtorit të festivalit, Adi Krasta. Falënderime për Komunën e Prishtinës për kontributin e tyre për pastrimin dhe rregullimin e sallës së madhe të Pallatit të Rinisë. Suksese të gjithë artistëve pjesëmarrës” thuhet në njoftim. / KultPlus.com

Festivali i parë i Këngës në Kosovë, këto janë 18 këngët garuese (VIDEO)

Një natë e pazakontë e që barte shumë emocione. Kosova mbrëmë u zhyt në botën e muzikës dhe artit me Festivalin e parë të Këngës në Radio-Televizionin e Kosovës (RTK), shkruan KultPlus.

Në natën e parë të këtij festivali të madh dhe të shumëpritur, 18 këngëtarë dhe krijues performuan këngët e tyre në një atmosferë mbushur me pasion dhe pritje nga një publik mjaft kureshtar që ishin të pranishëm në sallën e madhe të Pallatit të Rinisë dhe Sportit në kryeqytet. Por edhe atyre që e ndoqën nga ekrani.

Drejtori i Festivalit të Këngës në RTK, Adi Krasta dhe prezantuesi Besim Dina ishin fytyrat kryesore të kësaj ngjarje të rëndësishme të cilët me një ndërthurje të mahnitshme, moderuan gjithë festivalin.

Duke pas parasysh që kjo është hera e parë që një festival i tillë organizohet në Kosovë, fjalë shumë të mira u dëgjuan nga kritikët dhe publiku për gjithë organizimin e kësaj feste muzikore.

Por duhet theksuar se ky festival nuk ishte thjesht një konkurs, por një platformë ku artistë të rinj dhe të konsoliduar mundën të ndanin pasionin e tyre për muzikën dhe krijimin me një publik të gjërë.

Një ndërthurje e mrekullueshme e zhanreve muzikore u shfaq në skenë me këngë të ndryshme nga balada, pop, rock, dhe folk.

Festivali i Këngës në RTK është një hap i rëndësishëm drejt promovimit të muzikës dhe kulturës së Kosovës në nivel ndërkombëtar. Ky ngjarje demonstron potencialin e muzikës dhe talentin e artistëve në Kosovë, dhe ndihmon në të kuptuar më mirë çdo aspekt të kulturës së tyre.

Juria që do të vlerësojë këngëtarët dhe prurjet e tyre artistike në këtë garë përbëhet nga kryetarja Alma Bektashi, anëtarja që vjen nga Suedia dhe ka përfaqësuar shtetin e saj në “Eurovision”, Ulja Sjostrom si dhe anëtarët e tjerë si kompozitori nga Tirana, Adi Hila, këngëtari Alban Nimani dhe artistja e arteve pamore, Zake Prelvukaj. 

Të rikujtojmë se dy netët e tjera në vazhdim të festivalit do të mbahen në datat 27 dhe 28 tetor dhe do të transmetohen në Radiotelevizionin e Kosovës, Radiotelevizionin e Shqipërisë dhe Radiotelevizionin e Maqedonisë së Veriut.

Për të gjitha këngët e paraqitura në këtë festival të madh, ju mund të gjeni videot më poshtë. Videot e Festivalit të Këngës janë ekskluzivitet i RTK-së dhe mund të gjenden në kanalin e RTK në YouTube dhe rrjete sociale. / KultPlus.com

Sonte nata e parë e Festivalit të Këngës në RTK

Sonte do të nis Festivali i Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës. Për tre netë me radhë, 18 këngë garuese dhe programi me mysafirë do t’i shoqërojë shikuesit e RTK-së dhe të pranishmit në sallën e madhe të Pallatit të Rinisë dhe Sportit në kryeqytet. Ndërkohë, gjithçka është gati dhe është punuar në detaje në mënyrë që edicioni i parë të jetë festë dhe të hyjë në historikun e këtij organizimi.

Programi me mysafirë është premtuar se do të jetë atraktiv, duke bërë bashkë artistë nga Kosova e Shqipëria. Në të njëjtën kohë do të ketë art në shumë dimensione, duke përfshirë edhe shfaqje, dramaturgji e shumë surpriza të tjera.

Drejtori i Festivalit të Këngës në RTK, Adi Krasta dhe prezantuesi Besim Dina do të jenë fytyrat televizive të kësaj ngjarje të rëndësishme. Pas tyre do të prezantojnë edhe Edona Kasapolli, Edona Reshitaj, Anjeza Shahini e shumë emra të tjerë të televizionit dhe botës artistike.

‘Post – Festivali’, panelet që ballafaqojnë opinionet për ngjarjen

Pas programit qendror, në dy netët e para të festivalit do të transmetohet edhe ‘post-festivali’, i cili nën udhëheqjen e Alketa Gashi Fazliut do të ballafaqojë mendimet për këngëtarët, paraqitjet skenike dhe të çdo detaji tjetër në formën e panelit. Ndërkaq, një maratonë televizive prej katër orësh do të transmetohet të dielën më 29 tetor, ku do të komentohet gjithçka një ditë pas shpalljes së fituesit/es së festivalit.

‘Kosova që shkëlqen’, për fituesin e edicionit të parë të Festivalit të Këngës

Ndërkaq fituesi/ja i/e edicionit të parë do të marrë një kupë, e cila ka simbolikën e ‘Kosovës që shkëlqen’. Gjithashtu do të shoqërohet me një medaljon, e që sipas asaj që ka bërë të ditur Krasta, është një shqiponjë e flamurit të shqiptarëve që ka 500 diamante.

Juria që do të vlerësojë këngëtarët dhe prurjet e tyre artistike në këtë garë përbëhet nga kryetarja Alma Bektashi, anëtarja që vjen nga Suedia dhe ka përfaqësuar shtetin e saj në “Eurovision”, Ulja Sjostrom si dhe anëtarët e tjerë si kompozitori nga Tirana, Adi Hila, këngëtari Alban Nimani dhe artistja e arteve pamore, Zake Prelvukaj. 

‘Euro Song’ dhe EBU të lumtur që Kosova ka Festivalin e Këngës

Edicioni i parë i Festivalit të Këngës ka marrë përkrahjen pozitive nga “Euro Song” dhe nga rrjeti evropian i transmetuesve publik (The European Broadcasting Union (EBU).

“Drejtori i ‘Euro Song’ dhe drejtori i EBU-së në një shkëmbim që kemi pasur kanë qenë jashtëzakonisht të lumtur që Kosova do të ketë festivalin e vet të këngës. Siç u shpreh njëri prej tyre, një qytet është më i bukur kur ka Festivalin e Këngës”, ka thënë Krasta në konferencën e së hënës.

Menaxhmenti dhe Bordi i RTK-së përkrahin Festivalin

Përkrahje pozitive ndaj këtij organizimi ka shprehur që nga fillimi edhe menaxhmenti dhe Bordi i RTK-së. Ambientetet ku do të mbahet festivali janë vizituar nga Bordi i RTK-së, nga drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj dhe drejtori i televizionit, Rilind Gërvalla. Dje në sallën ku po vazhdonin punimet ka qenë prezentë kryetari i Bordit, Besnik Boletini me anëtarë të tjerë, prej ku është shprehur i kënaqur me procesin.

“Në këtë sallë kur kam qenë për herë të parë me Adin, ka qenë një gjendje tepër e keqe, por kemi qenë të bindur se kjo sallë do të bëhet. Tani kjo sallë është bërë e mrekullueshme. Ka qenë qëllim primar që festivali të mbahet në qendër të qytetit. I gjithë ky projekt ka pasur sfida të shumta që nga fillimi, por të cilat janë tejkaluar bashkarisht, që nga sigurimi i mjeteve financiare, krijimi i rregullativës ligjore e deri të çështjet tjera organizative”, ka thënë Boletini.

Të rikujtojmë se netët e festivalit që do të mbahen në datat 26, 27 dhe 28 tetor, do të transmetohen në Radiotelevizionin e Kosovës, Radiotelevizionin e Shqipërisë dhe Radiotelevizionin e Maqedonisë së Veriut. / rtk / KultPlus.com

Zbulohen prezantuesit e tre netëve të Festivalit të Këngës në RTK

Është mbajtur sot një konferëncë për media nga Festivali i Këngës në RTK.

Në këtë konferencë ishte i pranishëm Drejtori i Festivalit të Këngës, Adi Krasta, Drejtori artistik i Festivalit të Këngës, Florent Boshnjaku dhe dy nga prezantuesit e këtij festivali.

Për herë të parë, në këtë konferencë u zbuluan tre emrat e prezantuesve e të cilët janë: Besim Dina, Edona Reshitaj dhe Anjeza Shahini.

Besim Dina do të jetë prezantuesi kryesor në krahë të Krastës, këngëtarja e aktorja Edona Reshitaj do të jetë është prezantuesja e natës së tretë, ndërsa Anjeza Shahini do të prezantojë në natën e dytë të festivalit.

Festivali do të zhvillohet në datat 26, 27 dhe 28 tetor dhe skena madhështore është gati.

Edicioni i parë i Festivalit të Këngës do të realizohet në Prishtinë, në Sallën e Madhe të Pallatit të Rinisë dhe do të transmetohet live në Radio Kosovë dhe në Televizionin e Kosovës. / KultPlus.com

Festivali i Këngës në RTK prezanton 18 këngët finaliste

Komisioni Përzgjedhës i Festivalit të Këngës në RTK ka bërë përzgjedhjen e 18 këngëve finaliste të edicionit të parë të Festivalit të Këngës në Radiotelevizonin e Kosovës. Pas një mbledhje katërorëshe, komisioni përzgjedhës ka nxjerrë listën e këngëve finaliste të Festivalit të Këngës në RTK.

Tetëmbëdhjetë këngëtarë/bende janë përzgjedhur që të marrin pjesë në netët finale të Festivalit të parë të Këngës, të organizuar nga Radiotelevizioni i Kosovës.

Tre netët live të Festivalit të Këngës në RTK do të zhvillohen në datat 26, 27 e 28 tetor 2023.

Edicioni i parë i “Fest 2023” realizohet në Prishtinë, në Sallën e Madhe të Pallatit të Rinisë dhe transmetohet live në Radio Kosovë dhe në Televizionin e Kosovës.

Drejtori artistik i festivalit, Florent Boshnjaku, para pak javësh, në një intervistë në RTK kishte thënë se ‘Festivali i Këngës’ në RTK këtë vit do të jetë më shumë festë sesa festival.

“Duhet me qenë festë, duhet me qenë një fillim me në një moment që kënga nga Kosova të përfaqësohet në “Eurosong”. Po shpresoj se ai moment të vjen sa më shpejt dhe RTK të jetë pjesë e EBU-së sa më parë, si dhe që të hapet rruga që kënga fituese të jetë pjesë e “Eurosong”, tha ai.

Për të gjithë krijuesit e interesuar, afati i fundit për aplikim në këtë festival ishte 9 shtatori. Nga dhjetëra aplikime, komisioni përzgjedhës i festivalit zgjodhi 18 këngët finaliste.

Më poshtë sjellim listën e artistëve, titujt e këngëve dhe kompozitorët e tekstshkruesit pjesëmarrës në edicionin e parë të Festivalit të Këngës në RTK. / KultPlus.com

Artisti/Grupi  Titulli  Kompozitor Teksti
         
Agron Hajdari Inorga  ‘Shume here me nervozojne’  Inorga Inorga
Albin Nikprelaj  ‘Ajo’  Enis Mullaj Erjona Rushiti
Arbana Zahiti  ‘Dukat’  Arbana Zahiti Arbana Zahiti
Arber Salihu  ‘Oj Kosove’  Arber Salihu Arber Salihu
Ariela krasniqi  ‘ Emri grua’  Gjergj Jorgaqi Gjergj Jorgaqi
Auron Deva  ‘Çmimi I dashnise ‘  Korab Shaqiri Korab Shaqiri
Adea Pula  Nuk me ke meritu’  Elsa Rraqi/Adea Pula Elsa Rraqi
Angus Dei  ‘Nje zemer per dy’  Erjon Zaloshnja Erjon Zaloshnja
Ermal Demiri  ‘Merri’  Gezim Hasani Gentiana Azizi
Franc Koruni  ‘Shqip’  Franc Koruni Franc Koruni
Mentor Mripa  ‘Po ju rrefehem’  Riza Dolaku Bekim Bislimi
Neki Emra  ‘ Heroi Im’  Neki Emra Neki Emra
Nita Latifi  ‘Marrezi’  Nita Latifi Nita Latifi
Saranda Alija  ‘Mendoj ku je’  Arber Krasniqi Arber Krasniqi
Teuta Statovci  ‘Sekreti I tij ‘  Dardan Gjinolli Yll Limani/Arianit Abazi
Urban Band  ‘Endrrat s’kan faj’  Klodian Rexghepaj Endrik Beba
Klea Dina  ‘ Trenat’  Memli Kelmendi Drenusha Zajmi
Hilmi Obertinca  ‘Pa ty s’me rrihet’  Hilmi Obertinca Hilmi Obertinca