Djersë e mund për gjashtë muaj rresht, skenografet Shqipe Kamberi dhe Rudina Xhaferi vulosën shkëlqimin e Festivalit të Këngës në RTK

Era Berisha

Festivali i Këngës në RTK, tashmë është një ngjarje historike për vendin tonë dhe kjo është e ditur. Fokusi patjetër që është i vendosur tek artistët dhe këngët artistike, mirëpo në anën tjetër, një vezullimë shtesë të paparë, e kanë prezantuar dy artiste. Shqipe Kamberi dhe Rudina Xhaferi, janë skenografet e jashtëzakonshme që me punën e tyre tashmë kanë vulosur edhe edicionin e dytë në një perfeksion të rrallë. Duart e tyre kanë krijuar shumë dritë, shumë shkëlqim, dhe pikërisht kjo ka qenë pikënisja ideore e skenografisë, të cilën për gjashtë muaj rresht e kanë punuar deri në rezultatin final, shkruan KultPlus.

Magjia e skenografisë në edicionin e parë do të mbetet përherë përrallore, marr parasysh që kanë bërë një transformim nga mbetjet e hirit të zjarrit në një pamje që sallat në Kosovë nuk e kanë pasur më herët. Sivjet, skenografia ka ardhur krejtësisht ndryshe por aq edhe e bukur. Skena i përngjante një diamanti të pastër. Çdo sipërfaqe, përfshirë muret, tavani dhe dyshemeja, ka reflektuar një ndriçim që ka flakëruar skenën dukshëm. Madhështia e këtyre dy grave ka përthekuar secilin kënd, duke shpalosur një kaleidoskop unik ngjyrash.

Shqipe Kamberi dhe Rudina Xhaferi, këtë vit kanë vendosur që lirinë e tyre ta shprehin plotësisht, andaj dhe nuk kanë vendosur një temë specifike për këtë edicion. Ato kanë shijuar lirinë e të qenurit artiste, dhe si të tilla kanë krijuar një skenë që nuk ka nevojë të shpjegohet në hollësi, pasi që flet vetë. Qëllimi i tyre ka qenë i vendosur në mospërsëritjen e edicionit të kaluar, dhe për këtë nevojitet shumë kreativitet e transformim rrënjësor, mirëpo duket se kjo për skenografet ka qenë diçka që shumë lehtë e kanë “nxjerr” nga mëngët e tyre.

Ato kanë bërë riciklimin e materialeve të vjetra, duke i shtuar disa materiale të reja, që në përfundim ka dalë diçka që e ka përjetuar kryeqyteti për tre netë radhazi. Skena ka një karakter të fortë, që transmeton një ndjenjë madhështie nëpërmjet elementeve të thjeshta të cilat janë zgjedhur me shumë kujdes nga skenografet. Fokusi i tyre ishte që skena të dukej monumentale dhe të shërbente si hapësirë ku çdo artist do të mund ta gjente veten dhe të shprehej lirshëm. Kjo qasje e tyre i ka dhënë skenës një simbolikë të hapur, ku çdo element përfaqësonte më shumë një ndjesi sesa një mesazh të drejtpërdrejtë.

Puna e këtyre dy grave është duartrokitur dhe komentuar shumë. Ndjesitë kur i dëgjon ato natyrisht që janë të mëdha dhe kjo i ka lumturuar pafundësisht dy skenografet. Prapaskenat e punës së tyre janë shpalosur në një intervistë për KultPlus.

Shqipe Kamberi dhe Rudina Xhaferi tashmë janë ndër figurat që me punën e tyre kanë lënë gjurmë në historinë e Kosovës, duke marr për bazë edhe faktin që tashmë janë skenografet e dy edicioneve të Festivalit të Këngës në RTK, festival që synon të dërgojë fituesin edhe në festivalin Eurovizion. Ftesën për edicionin e dytë e kanë marr nga ish-drejtori i festivalit, Adi Krasta, dhe puna që ato e kanë realizuar, me të vërtetë nuk do të ketë asnjë krahasim.

“Me kënaqësi kam pranuar të jem pjesë e edicionit të dytë së bashku me skenografen Shqipe Kamberi, për të sjellë përsëri kontributin tonë në këtë projekt të rëndësishëm, për të avancuar më tej vizionin tonë në Festivalin e Këngës”, ka thënë Xhaferi.

Sipas saj, komentet e publikut i kanë pritur me shumë kënaqësi dhe mirënjohje. Ka qenë vërtetë emocionuese të dëgjonin mendimet rreth skenografisë dhe se si i vlerësonin detajet që ato i kanë krijuar me shumë kujdes. Reagimet e publikut kanë bërë që skenografet të ndihen të shpërblyera pas gjithë përkushtimit të dhënë mbi gjashtë muaj. Befasi për to ka qenë që edhe këtë vit, komentet ishin po aq në superlativ sa vitin e kaluar.

Krijimi i një skenografie të tillë natyrisht që do buxhet të konsiderueshëm, mirëpo këtë vit buxheti ka qenë më i vogël sesa vitin e kaluar dhe qysh në nisje ka pasur vështirësi të dukshme. Megjithatë, ato kanë vazhduar ti ripërdornin elementet bazë të skenografisë së edicionit të parë, dhe kjo ka qenë sfidë më vete për dy skenografet.

“Krijimi i çdo skenografie kërkon kreativitet, mund e përkushtim. Pas suksesit të vitit të kaluar, sivjet, presionin e kemi pasë jashtëzakonisht të madh, në mënyrë qe ta mbanim standardin e krijuar nga viti paraprak. Një gjë që na ka relaksu ka qenë që edhe sivjet realizimi i skenografisë u bë nga kompania shumë profesionale Archtime. Nga elementet e njëjta që i kemi përdorë vitin e kaluar është dashur të bëhet një krijim i ri me buxhet edhe më të ulët. Me Shqipen vendosëm që sivjet ta sfidonim veten me plexi pasqyrë dhe ta shfrytëzonim hapësirën cep me cep. Montimi i copëzave të plexi pasqyrave për ne ka qenë pjesa më e lodhshme në këtë edicion”, ka thënë Xhaferi.

Për Shqipen, pjesa më e bukur e skenografisë kanë qenë dy konstruksionet që ato i quajnë “kllapa”, që janë të veshura me copëza të pasqyrave.

“Në gjithë atë hapësirë me dimension 26 metër gjerësi dhe 9 metër lartësi, Rudina dhe unë, së bashku me 4 vullnetarë të Fakultetit të Arteve, i ngjitëm ato copëza të vogla të pasqyrës një nga një, duke u mundu me e kriju një vepër arti. Për mua kjo ka qenë pjesa më e vështirë por definitivisht më e bukura e procesit të punës.”

Për Rudinën, pjesa më e bukur e këtij procesi ka qenë transformimi i hapësirës nga një sallë e braktisur në një skenë që rrezaton energji dhe shkëlqim, për të krijuar një ambient tërësisht të ri për artistët dhe publikun.

“Momenti i magjisë së krijuar përmes skenografisë është me të vërtetë frymëzues. Nga ana tjetër, për mua gjithmonë pjesa më e vështirë mbetet fundi i festivalit, kur gjithçka që kemi krijuar me përkushtim për muaj të tërë, duhet të shkatërrohet. Ndjenja e largimit nga ajo hapësirë e rikrijuar është gjithmonë e vështirë, pasi që çdo element përmban një copëz të kujtimeve dhe përpjekjeve tona artistike.”

Rudina dhe Shqipja nuk e kishin menduar se edhe në këtë edicion, skenografia do të përflitej kaq shumë. Por, këto komente për to vazhdojnë të jenë një frymëzim që i shtynë ato përpara për të krijuar projekte të tjera. Ishin shumë të zëna në procesin e punës, saqë kishin harruar të shikonin përreth tyre. Puna e tyre e bukur ka marr një çlodhje kur publiku është ndarë i kënaqur me pjesëmarrjen e tyre.

“Në çdo detaj brenda skenës mundohemi që të sjellim një përvojë të plotë vizuale dhe emocionale, pa synimin që të bëjë zhurmë. Këtë qasje e kemi pasur gjithmonë, vetëm se ne këto dy projekte kemi pasë fatin të punojmë me buxhete më të mëdha se zakonisht. Prandaj, vlerësimet dhe komentet pozitive i kemi përqafuar me dashuri dhe ky reflektim për ne është një nxitje për të vazhduar të eksperimentojmë dhe të sjellim ide të reja në të ardhmen”, ka thënë Xhaferi.

Puna në dysh ndonjëherë di të jetë e komplikuar. Gërshetimi i ideve deri në një përfundim të baraspeshuar është i vështirë.

“Fillimisht të dyja i hedhim idetë në tavolinë dhe pavarësisht të kujt janë më të mira, ato i marrim për bazë duke i zhvilluar pastaj bashkërisht. Puna në ekip është shumë e rëndësishme të pranohet si e tillë, por jo gjithmonë është e lehtë. Unë që 24 vite pune në skenografi kam punuar me shumë profesionistë, por si me Rudinën me të cilën e kam një kimi bashkëpunimi, nuk më ka ndodh me askënd tjetër. Nuk jemi të njëjta dhe kjo me pëlqen, por që dimë të i ndërthurim idetë tona në një, dhe mu kjo është arsyeja e bashkëpunimit tonë të suksesshëm”, ka thënë Kamberi.

Në anën tjetër, për Rudinën, bashkëpunimi me Shqipen buron nga pasioni i tyre i përbashkët për secilin projekt. Ato e adhurojnë këtë profesion, çka edhe duket se e bën marrëdhënien e tyre të funksionojë në një harmoni ndërmjet ngjashmërive dhe dallimeve të tyre. Sfida e çdo projekti atyre i dhuron një energji të pashtershme, ndërsa perspektivat e tyre të ndryshme plotësojnë njëra tjetrën, duke dhënë mundësinë që ato të shohin çdo aspekt nga këndvështrime te reja. Kjo i ndihmon atyre që të sjellin ide të freskëta dhe të mbajnë një ekuilibër të qëndrueshëm në punën tonë.

Ndërsa, kur flasim për një artist/e tjetër që potencialisht do të i bashkëngjitej në krijimin e skenografisë së Kamberit dhe Xhaferit, është potencuar se ai person do të duhej të jepte gjithçka nga vetja, siç edhe e kanë bërë të dy artistet.

“Për Rudinën dhe mua puna fillon në momentin që e marrim një projekt në dore dhe mbaron kur të demolohet në fund skenografia. Kjo do të thotë që s’ka pushim, ka netë të tera pa gjumë, vikendet për ne nuk janë ditë pushimi. Jemi kërkuese të palodhshme, hulumtuese deri në skajshmëri si dhe mbi te gjitha, e shtyjmë njëra-tjetrën në momentet më të rënda të procesit”, thotë Kamberi.

Po ashtu, skenografja Xhaferi ka thënë se me Shqipen ka ndërtuar një bashkëpunim të shkëlqyer dhe e ndjen se ato kanë akoma shumë për të eksploruar së bashku në krijimin e skenografive.

“E konsideroj këtë marrëdhënie shumë të vlefshme, por në të ardhmen, kur të vijë momenti për një rifreskim, do ta mirëprisja më kënaqësi bashkëpunimin me një artist/e të re, që mund të sjellë një frymë të re në punën tonë.”

Ndërkohë, përderisa jemi duke iu afruar fundit të intervistës, me të dy artistet kemi biseduar rreth natyrës së angazhimeve të tyre në ditët e tanishme. Kuptuam se Shqipja në muajin shkurt të vitit të ardhshëm na vjen me një ekspozitë personale në Bruksel, teksa për momentin ajo ka dy projekte të hapura për negociata për të cilat akoma nuk mund të flas. Ajo vitin 2024 e konsideroi si një vit të përmbushur në aspektin profesional.

Gjithashtu, Rudina na tha se fokusi i saj kryesor do të mbetet puna në Fakultetin e Arteve, një punë të cilën ajo e bën me shumë pasion e përkushtim. I pëlqen puna me studentët dhe ajo i ndihmon ata që të zhvillojnë aftësitë e tyre krijuese. Plane të tjera konkrete për momentin nuk ka, mirëpo ajo është gjithmonë e gatshme për mundësi të reja që do i ofrohen në të ardhmen. Shpresat e saj për ide të freskëta, me një energji e pasion tjetër, janë të mëdha për vitin 2025./ KultPlus.com

I dha një frymë unike Festivalit të Këngës së RTK-së, këngëtari Endrit Krasniqi së shpejti me albumin e parë

Era Berisha

Endrit Krasniqi, artisti i ri i cili rrëmbeu vendin e parë në edicionin e dytë të Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës, ka një zë të veçantë, një timbër që të merr pas vete dhe nuk të lëshon dot. E atillë, ka qenë edhe kënga “Flas me gjethen”, teksti i së cilës ka një kuptim unik e që vjen e shkruar dhe kompozuar nga Bekim Këpuska, shkruan KultPlus.

Në sallën brenda Pallatit të Rinisë, fokusi përplot tri netë ka qenë tek pjesëmarrësit, të cilët kanë sjellë prurje të reja e krejt të bukura, mirëpo ajo që vodhi vëmendjen e publikut si dhe jurisë, ka qenë kreativiteti, eleganca dhe thjeshtësia e paraqitur nga Krasniqi në skenën gjigande të Festivalit të Këngës.

Është një frymë që i përkon pikërisht kryeqytetit tonë, dhe arti i shprehur nga Krasniqi është shpalosë tejet lirshëm. Tanimë, vendi i rikthyer nga hiri në një vatër të melodive, ka mirëpritur në skenë këngëtarin i cili në paraqitje ishte i veshur sipër me një setër ngjyrë vishnje, flokët në gërsheta, teksa priste hyrjen në këngë. Me një fillim direkt të një sekuence të kitarës elektronike, e cila qysh në sekondën e parë të rrëqeth trupin, nisë gjithçka. Vëmendja e këngëtarit ishte tërësisht tek këndimi. Ai po jepte gjithçka nga vetja.  Zëri i tij i thellë vallëzonte jashtëzakonisht bukur me tekstin e këngës.

Ishin tri netë të mbushura me emocione, duke dëshmuar për dashurinë e tejskajshme të këndimit shqip, për të vënë në pah të bukurën e kulturës shqiptare. Njashtu si reflektorët e vendosur në skenë, kanë qenë të gjithë artistët, megjithatë, ai që vezulloi më së shumti ishte Krasniqi. Bateritë dhe kitara, që shoqëronin këngëtarin, si dhe orkestra e dirigjuar nga Lindita Isufi, i shtonin një hijeshi që rrinte nën hije, mirëpo pa to, asgjë nuk do të dilte kaq mahnitëse.

Në një intervistë për KultPlus, këngëtari Krasniqi na flet më shumë për rrugëtimin e tij artistik, tash pas kalesës së emocione të mëdha të fitores së tij.

Është pikërisht një moment i cili të befason gjatë gjithë jetës, dhe përmendja e emrit të fituesit në natën finale, për Krasniqin ka qenë diçka magjike.

“Në momentin që më përmendet emri, unë rashë në tokë dhe më nuk kam mbajtur në mend asgjë. Ka qenë definitivisht diçka që përnjëmend nuk e kam pritë hiç. Ne kemi hyrë në këtë festival më shumë për pjesëmarrje dhe që muzika jonë të dal në pah”, thotë ai.

Sa i përket kuptimit të tekstit, ai nuk e ka kuptuar deri vonë, vetëm kur është dashur që përmbajtja të i dërgohet festivalit. Megjithatë, ajo e ka bërë që akoma më shumë ta donte këngën, dhe e gjitha kjo ka qenë krejt spontane.

“Flas me gjethen” në mënyrë metaforike paraqet temën e një historie të vërtetë dashurie. Tekst-shkruesi dhe kompozitori Bekim Këpuska këtë këngë ia ka dedikuar bashkëshortes së tij, si shenjë mirënjohjeje e admirimi të përzier me një lloj ‘faji’ e borxhi që ai e ndiente karshi saj, si shkak i një martese dhe prindërimi në një moshë të hershme (19-vjeçe). Këpuska është gjetur në faj pasi ka menduar se i ka marr rininë, andaj duke i shprehur gjithë emocionet për brishtësinë e saj në këtë moshë të re teksti titullohet “Flas me gjethen”, si simbol i një cikli jetësor të “mohuar”.

Krijimi i këtij festivali patjetër që do të sjellë më shumë vëmendje ndërkombëtare ndaj muzikës në Kosovë, dhe këngëtari Krasniqi beson se me këtë kapacitet që ka Festivali i Këngës, është koha që të tregohet se ka shumë talente të shumta që e meritojnë të jenë pjesë e festivaleve përtej kufijve. Për të, e gjitha kjo eksperiencë ka një vlerë të madhe dhe pavarësisht sfidave, suksesi ka qenë gjithmonë në mendje.

Fotografia: Haris Feri

“Ndjesia e të qenurit në Festivalin e Këngës është diçka mahnitëse, njëmend po. I falënderoj përzemërsisht Florent Boshnjakun dhe Adi Krastën për këtë festival shumë shumë të mirë. Ja vlen me përmend po ashtu edhe Orkestrën prezente që ka qenë e jashtëzakonshme, plus të gjithë anëtarët e tjerë që kanë punu prapa skenës së Festivalit. Në anën tjetër, vlen të theksohet se konkurrenca ka qenë mjaft e fuqishme këtë edicion dhe unë jam shumë i lumtur që kam qenë në mesin e tyre.”

Këngëtari Krasniqi ka tashmë dy vite që punon me bendin e tij personal. Ai është njohur me emrin e tij skenik “Dhjetori” dhe ikona e muzikës nga i cili gjen inspirimin është këngëtari i njohur Harry Styles. Rruga drejt një karriere të tillë muzikore padyshim që ka sfidat e veta.

“Rruga ka qenë tepër e vështirë me thënë të drejtën. Ne si bend (Adonisi, Rroni, Zogu) krijojmë një muzikë që e kompozojmë vetë në gjuhën angleze. Po ashtu, këngët që i krijojmë me Bekimin, janë diçka ndryshe dhe nuk janë aspak të zakonshme. Andaj, e kemi një sfidë të madhe, shkak që është shumë e vështirë të pranohemi nga kjo shoqëri që dëgjon një lloj të muzikës tjetër”, tregon ai.

Ai veten e konsideron si një artist pa komplekse, me një zë tejet unik, gjë që iu është potencuar shumë herë gjatë jetës së tij. Ai beson se ka sjellë një frymë të re e të veçantë me këngët e tij në përgjithësi.

Krejt në fund, këngëtari Krasniqi ka bërë të ditur se së shpejti do të publikojë një mini album (EP), të kompozuar nga Bekim Këpuska. Ndërsa, me bendin e tij, është duke punuar në albumin e tyre të parë, që do të publikohet vitin tjetër në këtë periudhë kohore./ KultPlus.com

Fotografia: Haris Feri

Sonte nata finale e Festivalit të Këngës në RTK, këto janë këngët që garojnë për çmimin e parë

Flonja Haxhaj

Mbrëmë në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, u zhvillua nata e dytë e Festivalit të Këngës në RTK, e cila vazhdoi edhe në këtë mbrëmje të ofronte momente të veçanta për të gjithë të pranishmit dhe shikuesit e ekranit. Në këtë mbrëmje emocionuese u zbuluan edhe emrat e artistëve që do të garojnë në natën finale për çmimin e parë, shkruan KultPlus.

Mbrëmja nisi me performancat e konkurentëve dhe këngëve të tyre garuese. Ndryshe nga nata e parë artistën dukeshin si më të liruar në performancat e tyre, e publiku tashmë kishte mësuar edhe këngët që interpretoheshin.

Pas pjesës së parë, në skenë u ftuan Shkumbin dhe Mjellma Istrefi, të cilët me energjinë që i karakterizon dhuruan për publikun emocione dhe të qeshura me performancën e tyre.

Atmosfera në sallë mori një ngjyrë tjetër me hyrjen në skenë të gazetares Sonila Meço, e cila pasi shpalosi kronologjinë e zhvillimit të muzikës shqiptare ndër vite, prezantoi tetë artistë konkurrues të cilët së bashku risollën në skenë hitet e njohura shqiptare e që lanë gjurmë të pashlyeshme në muzikën shqiptare.

Për të pasuruar akoma më shumë spektaklin, balerinët e Baletit Kombëtar të Kosovës, Murgime Morina dhe Fatmir Smani sollën një moment nostalgjik për publikun me performancën e tyre të ndjeshme në tingujt e këngës “Mesnatë” të Vaçe Zelës. Me lëvizjet dhe komunikimin e tyre gati në perfeksion, ata dhuruan për publikun një moment melankolie, nën kujtimin e perlave shqiptare.

Në vijim, tetë artistë të tjerë konkurrues ngjitën në skenë, duke interpretuar këngë të ndryshme nga epoka të ndryshme të muzikës shqiptare. Këngë të kohërave të ndryshme, por që lanë gjurmë në historinë e muzikës shqiptare, jehuan edhe njëherë përpara publikut, si një dëshmi e pavdekshmërisë së tyre.

Pas këtyrë performancave që u  pritën me duartrokitje të shumta në publik, radha u erdhi edhe pjesës tjetër të këngëve garuese. Pjesa e mbetur e artistëve të cilët edhe njëherë provuan më të mirën e tyre që në fund emri i tyre të shkojë drejt finales.

Një tjetër moment kulmor i mbrëmjes ishte paraqitja e grupit të njohur “Lindja,” që këtë vit shënon 40-vjetorin e karrierës së tyre. Hitet e tyre të pavdekshme u interpretuan edhe njëherë për publikun e Prishtinës, duke krijuar një ndjenjë nostalgjie dhe krenarie për arritjet e muzikës shqiptare.

Prezantuesi i këtij festivali, këngëtari Genc Salihu, tha oër KultPlus, u shpreh se për të ka qenë një kënaqësi që të jetë në këtë rol, megjithatë edhe një përgjegjësi e madhe.

“Të jem prezantues në Festivalin e Këngës në RTK ka qenë një eksperiencë e re, po kënaqem shumë. Po punoj në rrethana shumë profesionale, ka njerëz shumë profesionistë të cilët po kujdesen që krejt kjo të ndodhë, është Florent Boshnjaku, është Adi Krasta, kështu që unë jam shumë rehat, e shijoj shumë.  Është një përgjegjësi shumë e madhe, sidomos nëse je në qendër, pra je prezantues, duhet ta mbash të gjithë natën, bashkë me partneren, por me ndihmen e madhe të stafit, nuk po e shoh shumë barrë të madhe ashtu siç e kam menduar se mund të jetë”, theksoi Salihu.

E krejt në fund, juria e përbërë nga Minire Fetahu, Jane Sugarman, Ardianë Pajaziti, Valbona Selimllari përzgjodhën këngët finaliste.

Juria përzgjodhën për në finale: Arnita Kastrati me “Blla blla,” Besmir Shishko me “Unë Ajo,” Rei Bezhani me “Zonjë tradhti,” Endrit Krasniqi me “Flas me gjethen,” Ardit Stafaj me “Faji,” Greta Azizi me “Veres,” Dea Strica me këngën “N’Shqipni,” Agim Poshka me “Ndarja erdhi,” dhe Blendi Kaso me “Një të vetme ka në jetë.”

Ndërkaq ju kujtojmë se sonte do të mbahet nata finale e festivalit, ku do të shpallet kënga fituese e edicionit të dytë të Festivalit të Këngës në RTK./KultPlus.com

Mes performancave të jashtëzakonshme e skenës magjepsëse, nis Festivali i Këngës në RTK

Flonja Haxhaj

Mbrëmë, në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, nisi edicioni i dytë i Festivalit të Këngës në RTK, një ngjarje kjo e cila që në nisje premtonte emocion dhe spektakël. Në një sallë të transformuar në një hapësirë madhështore nga Rudina Xhaferi dhe Shqipe Kamberi, u hap maratona muzikore me pjesëmarrjen e 16 këngëtarëve të talentuar, të cilët garojnë për të fituar vendin e parë, shkruan KultPlus.

Festivali u hap me energjinë e artistes Dea Strica, e cila solli këngën “N’Shqipni”, më pas, Greta Azizi interpretoi këngën “Veres”, duke e vazhduar këtë atmosferë të ngrohtë. Agim Poshka dhe Jehona Lumi ishin gjithashtu në skenë me këngët e tyre, “Ndarja erdhi” dhe “Shko”, duke krijuar një fillim të fortë për festivalin.

Pas kësaj pjese, skenën e ndau fituesi i edicionit të parë të Festivalit të Këngës në RTK, ‘La Fazani’, i cili emocionoi të pranishmit me interpretimin e këngës fituese “Oj Kosovë”.

Mbrëmja vazhdoi me një sërë këngëtarësh, duke përfshirë Rei Bezhani me “Zonja tradhëti”, Inorga me “Seks mashina nga Prishtina”, dhe Ardita Begu me “Fundosu në dritë”. Këto performanca ishin prova e potencialit të jashtëzakonshëm të artistëve.

Pas këtyre këngëve garuese, në skenë u ngjit këngëtari i njohur shqiptar, Ylli Limani, i cili dhuroi emocione teksa interpretoi këngën e tij ‘Ty’.

Pas kësaj shkëputje në skenë u ngjit këngëtari Bledi Kaso solli këngën garuese “Një të vetme ka në jetë”, ndërsa Ardit Stafaj këndoi “Faji”. Santino De Bartola ishte gjithashtu pjesë e skenës me “Unë jam arbëresh”. Mbrëmja vazhdoi me Endrit Krasniqi dhe këngën “Flas me gjethen” si dhe Besmir Shishko “Unë – Ajo”.

Ndërkaq, të ftuar në këtë ngjarje madhështore ishin edhe grupi legjendar Elita 5, të cilët ndezën atmosferën me disa nga këngët e tyre epike si “Faleminderit”, më fal dhe “Naten e Mire”.

E mbrëmja kulmoi me performancën elektrizuese të Aurela Gaçes, e cila ndezi skenën me performancën dhe paraqitjen e saj. Lëvizjet dhe interpretimi që e karakterizojnë i dha edhe më shumë ngjyrë edicionit të dytë të këtij festivali.

Pas këtyre performancave, festivali vazhdoi me interpretimet e tjera, duke përfshirë Arnitë Kastrati me “Blla blla”, Vlona Boshnjaku me “Lotët”, Luna Çausholli me “Dielli të më shoh”, dhe u përmbyll me Bruna Sata “Ti je i pa shpirt”.

Pas përfundimit të të gjitha këngëve garuese, për KultPlus foli djetori artistik i këtij festivali, Florent Boshnjaku, i cili shprehet i lumtur për rezultatin që e kanë arritur pas gjithë asaj pune.

“Jam i lumtur që ka shkuar shumë bukur, ka pasë këngëtarë që për herë të parë janë ngjitur në skenë të tillë dhe normalisht ato emocione janë vërejtur dhe ndoshta aty-këtu ndonjë mos përshtatje me skenën është tepër e madhe, kuptohet edhe me orkestrën live me këndu nuk është e lehtë, kështu që është e kuptueshme, mirëpo besoj se ka qenë një natë shumë e bukur për publikun, publiku edhe në sallë por edhe në ekrane besoj se e ka shijuar”, tha Boshnjaku i cili theksoi më tutje se edhe ata vetë kanë mbërritur në pikën që ta shijojnë koncertin dhe jo vetëm ta bëjnë punën e tyre.

Për KultPlus foli edhe artisti Ardit Stafaj, i cili tha se çdo gjë në këtë mbrëmje shkoi mirë dhe për të ishte emocion i madh që të rikthehet në skenë pas disa vitesh pauzë.

“Për mua, ky festival është një gjë e jashtëzakonshme, mirëpo pas disa vitesh rikthimi në skenë ishte një emocion i veçantë, në një skenë gjigante siç ishte kjo sonte, aq më tepër kur këndohet live, ka qenë një emocion që më kishte munguar për kohë. Për mua, sikur për shumë këngëtar sa herë që paraqitem në skenë më duket sikur për herë të parë po dalim sepse emocioni e bën të veten”, tha Stafaj duke shtuar se çdo gjë sipas tij ka shkuar në mënyrën më të mirë të mundshme.

Ndërkaq, ju kujtojmë se sonte mbahet nata e dytëv ku juria e përbërë nga Minire Fetahu, redaktore e muzikës në RTK, Jane Sugarman, njohëse e muzikës ballkanike, Ardianë Pajaziti, drejtoreshë e gazetës online për art dhe kulturë KultPlus, Valbona Selimllari, miss i parë shqiptar dhe Blerta Zeqiri, regjisore do të të përgjedhin këngët që do të kalojnë për natën e tretë ku edhe do të shpallet kënga fituese./KultPlus.com