14 artistë në Festivalin e Muraleve në Tiranë

Në Tiranë ka nisur edicioni i 6-të i Festivalit të Muraleve dhe njërin prej artistëve e gjejmë duke hedhur ngjyrat në një sipërfaqje të konsiderueshme të një pallati 5 katësh pranë Vasil Shantos. Pasi ka shëtitur në 10 vende të ndryshme të botës, artisti francez Matthieu Koga vjen në Shqipëri për të bërë pikturën e tij murale të radhës me motive florale që mbizotërojnë në punimet e tij.

“Është hera e parë që vij në Shqipëri për të bërë pikturën time murale pasi kam ndaluar në më shumë se 10 vende. Motivet florale janë një karakteristikë e imja, po aq sa edhe loja që bëj më ngjyrat, duke i dhënë më shumë jetë fasadave të ndërtesave”, shprehet Koga.

Ka tre ditë që ka nisur punën aty, ndërsa thotë se i duhen edhe dy ditë të tjera për të finalizuar tërësisht pikturën e cila do të ketë këtë pamje.

“Më kanë mbetur edhe dy ditë. Është pak e vështirë për mua për shkak të teksturës së fasadës, por po ia dal që mos më humbin detajet e punës që kam ideuar”, thotë Koga.

Por Matheiu Koga nuk është i vetmi. Janë përzgjedhur edhe 13 artistë prej të cilëve 8 i kanë mbyllur pikturat e tyre, siç është edhe kjo murale kushtuar shkrimtarit të mirënjohur Ismail Kadaresë që ndërroi jetë 2 muaj më parë.

Vetë kuratori i festivalit Helidon Haliti duke iu përshtatur tematikës “A është e ardhmja Inteligjenca Artificiale”, ka zgjedhur të sjellë një murale të tij, ndërsa risi quan pjesëmarrjen më të madhe të artistëve gra.

Gjithsej në Tiranë tashmë numërohen mbi 80 piktura murale që nga nisja e këtij festivali./tema/KultPlus.com

Rikthehet festivali i muraleve në Berlin, rrugët marrin pamje tjetër nga punimet e artistëve

Festivali i muraleve në Berlin rifillon pas edicionit të vitit 2020, që u anulua për shkak të Covid-19.

Artistët pikturuan vepra arti gjigante në ndërtesa, ndërsa të tjerët mund të shëtisin në qytet duke vështruar pamjen e re artistike.

Fasadat e ndërtesave në Berlin janë pikturuar nga artistë si pjesë e festivalit të përvitshëm  mural në kryeqytetin gjerman.

Artistja Anne Bengard, e cila merr pjesë në festival, ka pikturuar së bashku me kolegun e saj Kkade në muret e një ndërtese rrethin Neukölln.

Piktura murale përshkruan balerinën gjermane Anita Berber nga vitet 1920.

Festivali është pjesërisht i diskutueshëm në skenën e artit në Berlin sepse mbështetet nga grupi i madh i pronave “Deutsche Wohnen”, i cili luan një rol lider në tregun gjerman.

Por, në Berlin kompania vuan nga një imazh i pakëndshëm si një spekulator që nxit rritjen e çmimeve.

E vlerësuar në më shumë se 19 miliardë euro, kompania siguron fasadat e ndërtesave dhe mbështet financiarisht festivalin.

Më 26 shtator, në të njëjtën ditë me zgjedhjet parlamentare, në Berlin qytetarët do të votojnë për një referendum që detyron kompanitë e mëdha të pronës të shesin mijëra banesa në qytet./OraNews.tv/ KultPlus.com