Filmi “Zana” pjesë e festivalit të filmit të Sarajevës

Filmi i gjatë artistik me regji të Antoneta Kastratit është pjesë e programit ‘In Focus’ në Festivalin e Sarajevës. ‘In Focus’ është program dedikuar filmave rajonal të jashtëzakonshëm të cilët tashmë kanë bërë sukses të konsiderueshëm në festivalet prestigjioze të filmit në botë, përcjellë KultPlus.

Filmi ‘Zana’ është një dramë tronditëse dhe emocionuese që përcjellë një grua të re kosovare që përpiqet të bëhet nënë përderisa ballafaqohet me tmerret nga e kaluara e saj e errët e kohës së luftës.

‘Zana’ është filmi i tretë nga Kosova që bëhet pjesë e Festivalit të Sarajevës pas njoftimit të mëhershëm për pjesëmarrja në konkurrencë kryesore të filmit ‘Galaktika e Andromedës’ dhe ‘Exil’-it.

Filmi ‘Zana’ me producent Casey Cooper Jonson kishte premierën botërore në Festivalin e madh të Torontos në shtatorin e kaluar dhe përfaqësoi Evropën në Festivalin ndërkombëtar në Sydney të Austrialisë, është bashkëprodhim në mes Kosovës, Shqipërisë dhe SHBA-ve, dhe financuar nga Qendra Kinematografike Kosovës dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë në Shqipëri. / KultPlus.com

Linku zyrtar i festivalit: https://www.sff.ba/en/news/11344/in-focus-2020

Teatri Kombëtar hyn në borxh për ta dërguar “Bordel Ballkanin” në Sarajevë

Teatri Kombëtar i Kosovës është detyruar të hyjë në borxh për të mos i dështuar prezantimi në festivalin ndërkombëtar të teatrit “MESS” në Sarajevë të Bosnjë-Hercegovinës.

Një ditë pas afatit, menaxhmenti i TKK-së, pasi i ka huazuar mjetet për të mbuluar shpenzimet e vizave e të sigurimeve shëndetësore të ekipit, e ka nënshkruar kontratën me organizatorët e festivalit, shkruan sot “Koha Ditore”.

Me shfaqjen “Bordel Ballkan”, ky institucion do të prezantohet në “MESS”, por kjo pjesëmarrje u rrezikua në mungesë të 1 mijë e 300 eurove, sa i duheshin fillimisht, e të cilat nuk janë bartur nga ana e Ministrisë së Kulturës.

Kontrata me organizatorët ka qenë dashur të nënshkruhej të hënën, por një gjë e tillë ka ndodhur tek të martën.

Milot Mustafa, ushtrues i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të TKK-së, ka konfirmuar se të martën e ka nënshkruar kontratën me festivalin, përderisa hyrja në borxh ka qenë “zgjidhja” për të mos hequr dorë nga prezantimi në festival.

“Organizatori në TKK, Beqir Beqiri, sot (e mërkurë) do të udhëtojë drejt Shkupit për viza. Menaxhmenti kishte anuluar terminin e katërt me radhë të caktuar në Ambasadën e Bosnjë-Hercegovinës në Shkup për vizat e ekipit prej mbi 30 vetash, që planifikohet të udhëtojë drejt Sarajevës muajin që vjen.

“Ai do të shkojë për viza. Dhe pastaj do të shohim mundësitë sesi t’i kthejmë paratë e marra borxh”, ka thënë Mustafa.

Shfaqja me tekst të Jeton Nezirajt e regji të András Urbán u rrezikua të mos prezantohej atje për shkak të bllokadës financiare…/ KultPlus.com