Në edicionin e 63-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Selanik të Greqisë, i cili do të mbahet përgjatë datave 3-13 nëntor 2022, filmi kosovar i metrazhit të gjatë artistik “Heshtja e sirenave” me regji dhe skenar nga Gazmend Nela, do të jetë pjesë e programit “Work in Progress”.
Filmi ka për producentë Arben Shalën, Valon Bajgorën, Yll Ukën, Britta Rindelaub dhe Thomas Reichlin, kurse bashkëproducentë janë Tomi Salkovski dhe Paskal Semini. Në rolet kryesore luajnë aktorët kosovarë Sunaj Raça dhe Allmir Suhodolli.
“Heshtja e sirenave” flet për përditshmërinë e një polici në Kosovë dhe ballafaqimin e tij me pasojat e një shoqërie të korruptuar, pjesë e së cilës është edhe vet ai.
Projekti filmik është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës në konkursin për subvencionimin e projekteve filmike për vitin 2018, dhe është bashkëprodhim i katër vendeve: Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Zvicrës dhe Shqipërisë. / KultPlus.com