Edicioni i 16-të i Festivalit “Teatri Shqiptar në Maqedoni” i etiketuar si edicioni i jashtëzakonshëm, ka ndarë mbrëmë çmimet duke e shkurtuar kështu aktivitetin e tij, shkruan KultPlus.
Mbrëmë para publikut dibran me shfaqjen “Kripë deti” të autorit Emil Bonev, me regji të Nehat Meme dhe e luajtur nga trupa e Teatrit të Qytetit të Tetovës, përfundoi ky edicion, ku po kjo shfaqje edhe doli të jetë fituese.
Drejtori i këtij festivali Ylber Nuredini, ka njoftuar për këtë gjë nëpërmjet rrjetit social Facebook.
“E njohtojme opinionin publik,bashkeqytetaret dibrane,komunitetin artistik dhe te gjithe artedashesit e Festivali “Teatri shqiptar ne Maqedoni” Diber,edicioni i 16-te,per shkak te veshtiresive dhe rrethanave te krijuara nga administrata komunale e cila bllokoi hapsirat e akomodimit te trupave dhe pjesmarresve tjere, NDERPRITET ,pas perfundimit te shfaqjes te Teatrit te Tetoves ,me 04 Nentor. Pas kesaj shfaqjeje ,do te ndahen CMIMET E FESTIVALIT!…
Mirenjohje te thelle dhe faleminderim te vecante per Teatrin e Presheves dhe Teatrin “Avdush Hasani” Podujeve per mirekuptimin.
Ju faleminderit per mirekuptim!
Drejtori i Festivalit,Ylber Nuredini”, ka shkruar Nuredini.
Festivali i teatrit duhej të mbaronte më gjashtë nëntor ndërsa kanë mbetur edhe dy trupa teatrale pa u prezantuar në të.
Juria në përbërje të Merita Çoçoli –aktore, Mimoza Majanaku-aktore dhe Iliriana Arifi –regjisore ndanë çmimet si në vijim:
Shfaqja më e mirë “Kripë deti” Teatri i Tetovës.
Regjia më e mirë,Ilir Bokshi
Aktorja më e mirë, Emine Toska
Aktori më i mirë, Bruno Shllaku
Aktorja më e mirë joprotagoniste, Anisa Ismajli
Aktori më i mirë joprotagonist, Musa Isufi
Çmimi i Karrierës, Muharrem Hoxha
Çmimi i Karrierës, Agron Dizdari
Festivali i teatrit duhej të mbaronte më gjashtë nëntor, por për arsye të mungesës së mjeteve financiare ai përfundoi mbrëmë./ KultPlus.com