Edicioni i 54 i Festivalit të Teatrove në Ferizaj, do të fillojë me 1 shtator dhe do të përfundojë me datë 6 shtator.
Nga festivali kanë njoftuar se ky edicion ka përzgjedhur produksionet teatrore ndër më të suksesshmet shqiptare të ketij viti.
Më datë 1 shtator do të hapet festivali nga ora 19:30 dhe pastaj do të jepet shfaqja “Mishi i egër” duke filluar nga ora 20:00. Në ditën e dytë të festivalit do të mbahet shfaqja “Audienca” dhe “Charles III” duke vazhduar më pas me muzikë, ku në oborrin e teatrit “Adriana”, do të performojë Edona Reshitaj.
Më datë 3 shtator do të bëhet hapja e ekspozitës “Teatri Ilegal” dhe më pas do të mbahet panel diskutimi “Teatri dhe Lufta”. Në ora 20:00 do të jepet shfaqja “Kamarja e turpit” dhe nga ora 21:00, do të ketë muzikë për të pranishmit.
Në ditën e katërt të festivalit, duke filluar nga ora 17:00, do të mbahet panel diskutimi “Modalitetet e mobilitetit të teatrove shqiptare”, kurse në ora 20:00 do të mbahet shfaqja Tartufi, ku më pas do vazhdojë mbrëmja me muzikë për të pranishmit. Më 5 shtator do të mbahet performancë në sheshin e qytetit “Lufta e IV botërore”, pastaj do të jepen shfaqjet “Çifti I hapur” dhe “Turjela”.
Në ditën e fundit të festivalit, më 6 shtator, duke filluar nga ora 18:00, do të mbahet performanca “Lufta e IV botërore” në sheshin e qytetit, në ora 20:00 do të jepet shfaqja “Togeri i Inishmorit” në teatrin Adriana, në ora 21:00 do të ketë performance nga Fiona Rushiti dhe nga ora 21:30 do të bëhet ndarja e çmimeve në Teatrin Adriana./KultPlus.com
Së fundmi përfundoi edicioni i 53-të i Festivalit të Teatrove Ferizaj, duke treguar edhe njëherë madhështinë që mund të japë vetëm teatri, përmes shfaqjeve spektakolare, shkruan KultPlus.
Në mes të shumë polemikave për zhvillimin, financimin dhe suksesin e këtij festivali, edhe një herë me vulën e fortë “Festivali i Teatrove Ferizaj”, dëshmoi forcën e tij se përkundër vështirësive, di të dalë në krye pa problem.
KultPlus iu sjellë listën e çmimeve që u dhanë gjatë natës së sotme, festivali i cili filloi më 27 Gusht:
Aurita Agushi – Aktorja më e mirë
Shkumbin Istrefi – Aktori më i mirë
Arta Selimi – Aktorja më e mirë në rol dytësor
Zhaneta Xhemajli – Ylli i ri në ngritje
Njomza Luci – Kostumografi më e mirë
Bekim Korca – Skenografi më i mirë
Ilir Bokshi – Regjisori më i mirë
Butrint Pasha – Çmimi Special
Juri profesionale e këtij festivali isihin Ilirjan Himaj, Getoarbë Mulliqi dhe Mentor Zymberaj. /KultPlus.com
Edicioni i 53-të i Festivalit të Teatrove të Ferizajt, kësaj here vjen në 150-vjetorin e themelimit të qytetit.
Shfaqjet që do të marrin pjesë në festivalin e Ferizajt janë kryesisht të teatrove mbarëshqiptare. Festivali u hap në teatrin “Adriana” Ferizaj me shfaqjen “Gënjeshtari” me autor Carlo Goldon dhe regji nga Ilir Bokshi.
Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” përfaqësohet në këtë festival me dramën shqiptare “Gadjo”, një dramë mbi racizmin e shkruar nga dramaturgu kosovar Jeton Neziraj me regji nga Blerta Neziraj dhe në role janë aktorë nga Shqipëria dhe Kosova.
Festivali që nisi më datë 27 gusht do të vijojë deri më 4 shtator./ KultPlus.com
Festivali i Teatrove në Ferizaj shfaqet në mesin e shumë atraksioneve të këtij qyteti, si një simbol i qëndrueshmërisë dhe krijimtarisë artistike, shkruan KultPlus.
Vit pas viti, ky festival bën prezantimin e produksioneve teatrore vendore e ndërkombëtare nga vende të ndryshme, përderisa synimi kryesor i tij qëndron në promovimin e teatrit si një formë arti dhe shprehjeje, gjithashtu edhe si një platformë për dialog dhe ndryshim shoqëror.
Festivali, i cili filloi në vitin 1970, është festivali më i vjetër dhe më jetëgjatë i teatrit në Kosovë. Ndërkaq, i gjithë ky lulëzim ndër vite do të ishte i pamundur pa përkushtimin dhe mbështetjen e themeluesve, regjisorëve, aktorëve, teknikëve, sponsorëve dhe padyshim, nuk do të ishte asnjëherë i njëjtë, pa audiencën e tij.
Festivali i Teatrove të Ferizajit ka më shumë sesa thjesht vetëm “kulturë” të mërzitshme, siç përshkruhen gabimisht festivalet, sidomos ato të teatrit. Përmes tij, paraqitet edhe një testament se si guximi dhe shpirti i komunitetit artistik në Ferizaj, dhe jo vetëm, ndër vite e ka bërë të mundur mbarëvajtjen e këtij festivali.
KultPlus ka realizuar një intervistë me drejtorin artistik të Teatrit “Adriana” dhe Festivalit të Teatrove në Ferizaj, Besim Ugzmajli, i cili tregon me sfidat e shumta që janë përballur, duke thënë se ky festival do të ofrojë një përvojë të paharrueshme argëtimi, edukimi dhe frymëzimi.
KultPlus: Çfarë mund të presin të pranishmit në festivalin e këtij viti? A ka ndonjë element të ri dhe emocionues që dëshironi të nënvizoni?
Besim Ugzmajli: Këtë vit Festivali Teatrove, Ferizaj 2023, edicioni i 53-të, pavarësisht problemeve financiare ka arritur të ketë një program goxha voluminoz e ajo që është edhe më e rëndësishme ky program është shumë kualitativ. Sigurisht që nata e hapjes do të ketë momente që do shënojnë këtë edicion dhe jemi në finalizimin e tyre.
KultPlus: Si e bëni përzgjedhjen e shfaqjeve që do të shfaqen në festival? Çfarë kriteresh përdorni për të siguruar një formacion të larmishëm dhe tërheqës?
Besim Ugzmajli: Programi i Festivali të Teatrove, bëhet përgjatë gjithë vitit, ndër kriteret kryesore është aktualiteti artistik e estetik i shfaqjes, sikurse ka shumë rëndësi edhe suksesi i shfaqjes që përzgjidhet. Gjithashtu rëndësi të madhe ka edhe diversiteti përmbajtësor i shfaqjeve, pra, shfaqjet duhet të sjellin një laramani zhanresh e stilesh, por edhe shprehjesh teatrore e intepretative.
KultPlus: Festivalet shpesh luajnë një rol në promovimin e shkëmbimit kulturor. Si kontribuon Festivali i Teatrove në nxitjen e mirëkuptimit dhe vlerësimit kulturor nëpërmjet teatrit?
Besim Ugzmajli: Koha e festivalit në Ferizaj është një festë e përgjithshme teatrore mbarëkombëtarë, pra është ngjarje e jashtëzakonshme teatrore dhe si e tillë ka ngjallur interesimin e vazhdueshëm të shikueseve por edhe kërshërinë e dëshirën për studim të arteve dramatike. Koha e Festivalit te Teatrove, padyshim që ndikon në promovimin e aktivitetit teatror dhe kontribuon drejtpërdrejt në shprehinë e konsumit kulturor në qytetarinë e përgjithshme.
KultPlus: Teatri ka fuqinë për të trajtuar çështje sociale dhe politike. A ka tema apo mesazhe specifike që synon të përcjellë festivali i sivjetmë?
Besim Ugzmajli: Patjetër, teatri duhet të jetë edhe politik, por mos të thënë se kjo është e domosdoshme dhe e nevojshme. Kemi shfaqje që padyshim që janë provokim i fuqishëm i temave tabu por edhe i çështjeve të ndryshme me rëndësi në aspektin social e politik.
KultPlus: Çfarë roli luan festivali në mbështetjen e rritjes dhe zhvillimit të skenës teatrore në Ferizaj dhe më gjerë?
Besim Ugzmajli: Teatri i Ferizajt dhe jeta teatrore në Ferizaj janë të lidhur pashkëputshëm me Festivalin e Teatrove, kjo ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e përgjithshme të interesimit për teatrin.
KultPlus: Çfarë mesazhi apo eksperience shpresoni që të pranishmit të marrin nga festivali i këtij viti?
Besim Ugzmajli: Do të shohin një diversitet të madh të stileve, zhanreve por edhe përmbajtjeve si ide e koncepte, prandaj eksperiencat do të jenë të fuqishme në audiencë. Shpresojmë.
KultPlus: Si i balanconi aspektet artistike dhe komerciale të drejtimit të një festivali teatror? Si e siguroni financimin dhe sponsorizimin për ngjarjet tuaja? Duke pasur këtu parasysh Ministrinë e Kulturës.
Besim Ugzmajli: Aspekti komercial ka ende punë që të elaborohet si segment i rëndësishëm, sepse fokusi ynë është në përshfaqjen artistike e estetike përmes shfaqjeve tek audienca. Këtë vit kemi pasur mungesë të madhe financiare, por sigurisht që ia kemi dalë që ta ruajmë nivelin e Festivalit, madje edhe ta avancojmë ate. Mos-financimi nga MKRS këtë vit ka qenë problem jetik për organizmin e festivalit prandaj këto vështirësi do të jenë të paharrueshme për shumë kohë.
KultPlus: Cili është qëllimi kryesor që synoni ta arrini me Festivalin këtë vit?
Besim Ugzmajli: Ofrimi për qytetarët e Ferizajt por edhe të gjithë Kosovës e hapësirave shqiptare të një programi shumë kualitativ e përmbajtësor me shfaqje. Ta ngjallim diskutimin e debatin për Teatrin e Kulturën në përgjithësi, por, sigurisht edhe të festojmë teatrin si manifest i artit më të bukur skenik.
Edicioni i 53-të i festivalit do të zhvillohet nga 27 gushti deri më 4 shtator 2023, dhe do të jepen shumë shfaqje nga zhanre dhe stile të ndryshme.
Duke filluar nga “Gënjeshtari” me regji të Ilir Bokshit, e deri te “E Vërteta” me regji të Agon Myftarit, janë gjithsej 9 shfaqje në konkurrencë zyrtare, derisa shfaqja “Unë jam vetë grua” me regji të Kushtrim Koliqit, do të jetë jashtë konkurrencës. /KultPlus.com
Festivali i Teatrove Ferizaj ka publikuar orarin e shfaqjeve për edicionin e 53-të, shkruan KultPlus.com
Duke filluar nga “Gënjeshtari” me regji të Ilir Bokshit, e deri te “E Vërteta” me regji të Agon Myftarit, janë gjithsej 9 shfaqje në konkurrencë zyrtare dhe shfaqja “Unë jam vetë grua” me regji të Kushtrim Koliqit, si jashtë konkurrencës.
Më poshtë shihni edhe orarin e plotë të shfaqjeve:
Festivali i Teatrove është festivali më i vjetër në Kosovës, i cili organizohet kryesisht në muajin Tetor dhe është ndër ngjarjet më të mëdha kulturore të vitit në Ferizaj. Është themeluar në vitin 1970. Fillimisht kishte funksionuar si festival amator, mirëpo pas vitit 2000 u bë festival profesionist, e sidomos pas vitit 2008 me pjesëmarrjen e trupave teatrove më të mira shqiptare nga Prishtina, Tirana, Korça, Elbasani, Shkodra, Prizreni, Peja, Gjakova, Gjilani, Ferizaj, Shkupi, Dibra, Tetova, etj. /KultPlus.com
Festivali do të mbahet nga 27 Gushti deri më 4 shtator.
Të martën në mbrëmje u mbyll edicioni 50/51 i Festivalit të Teatrove në Ferizaj – 2021, nën organizimin e Teatrit ‘Adriana’, e së fundmi ka reaguar edhe ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku përmes një statusi në faqen e tij zyrtare në Facebook, përcjell KultPlus.
“Për shtatë net me radhë publiku shijoi performancë teatrore të nivelit të lartë nga Teatri ‘Adriana’, Ferizaj, Teatri ‘Bekim Fehmiu’, Prizren, Teatri Dodona, Prishtinë, Teatri ‘Hadi Shehu’, Gjakovë, Teatri ‘Faruk Begolli’ – AAB, Prishtinë, Teatri ‘Avdush Hasani’, Podujevë dhe Teatri i Gjilanit”, ka shkruar Çeku.
Sipas tij, tekstet e Friedrich Dürrnemantt, Woody Allen, Jeton Neziraj, Enda Walsh, Mikke Bartlett dhe Agush Mulliqi u inskenuan mjeshtërisht nga regjisorët Sulejman Rushiti, Ilir Bokshi, Erson Zymberi, Butrint Pasha dhe Blertë Neziraj.
KultPlus ju sjell postimin e tij të plotë:
Gjysmë shekulli festival.
Të martën në mbrëmje u mbyll edicioni 50/51 i Festivalit të Teatrove në Ferizaj – 2021, nën organizimin e shkëlqyer të Teatrit ‘Adriana’, Ferizaj. Për shtatë net me radhë publiku shijoi performancë teatrore të nivelit të lartë nga Teatri ‘Adriana’, Ferizaj, Teatri ‘Bekim Fehmiu’, Prizren, Teatri Dodona, Prishtinë, Teatri ‘Hadi Shehu’, Gjakovë, Teatri ‘Faruk Begolli’ – AAB, Prishtinë, Teatri ‘Avdush Hasani’, Podujevë dhe Teatri i Gjilanit.
Juria profesionale në përbërje Shkurtë Aliu, Agim Sopi dhe Alban Beqiraj, ndau çmimet për më të mirët e festivalit: Mentor Berisha për kostumografi (Kosovo for dummies), Petrit Bakalli për skenografi (Provo edhe një herë, Sam), Vlora Dervishi për rolin episodik (Farsë në Varvolth), Donikë Ahmeti për rolin dytësor grua (Bob Vatson bie nga kati i nëntë por nuk vdes plotësisht), Tristan Halilaj për rolin dytësor burrë (Brinat), Vjosa Abazi për rolin kryesor grua (Vizita e Zonjës Plakë), Ernest Malazogu për rolin kryesor burrë (Provo edhe një herë, Sam), Blertë Neziraj për regjinë më të mirë (Kosovo for dummies), Çmimi special për ‘Takime në burg’ të Teatrit ‘Avdush Hasani’, Podujevë dhe Shfaqja më e mirë për ‘Provo edhe një herë, Sam’ të Teatrit ‘Bekim Fehmiu’, Prizren me regjisor Ilir Bokshin.
Tekstet e Friedrich Dürrnemantt, Woody Allen, Jeton Neziraj, Enda Walsh, Mikke Bartlett dhe Agush Mulliqi u inskenuan mjeshtërisht nga regjisorët Sulejman Rushiti, Ilir Bokshi, Erson Zymberi, Butrint Pasha dhe Blertë Neziraj.
Përgëzime për gjithë komunitetin teatror të Kosovës, organizatorët dhe publikun artdashës. Ju faleminderit për cilësinë dhe emocionin e ofruar.
Festivali i Teatrove në Ferizaj, përfundoi mbrëmë edicionin e tij të 47-të, me ndarjen e cmimeve, shkruan KultPlus.
Në festivalin i cili nisi më 21 tetor, parakaluan shfaqje nga rajone të ndryshme shqiptare, ndërsa ajo që mori edhe çmimin shfaqja më e mirë ishte shfaqja “G” me regji të Sulejman Rushitit e që ishte nga Teatri Shqiptar i Shkupit. Shfaqja “G”, rrëmbeu edhe çmimin e aktorit më të mirë në rol dytësor mashkull që shkoi për Fisnik Zeqirin.
Çmimi për regjinë më të mirë i takoi regjisorit Kushtrim Bekteshi për regjinë e shfaqjes “Tartufi” nga teatri ‘Migjeni’ në Shkodër. Aktori më i mire, çmimi “Ismail Rama” i takoi aktorit Shpëtim Selmani, për rolin e DR. Stokman në shfaqjen, “Armiku i Popullit”, teatri “Bekim Fehmiu” Prizren.
Aktorja më e mirë, çmimi “Adriana” ishte për Rita Gjeka, për rolin e Dorinës në shfaqjen “Tartufi”, teatri “Migjeni”, Shkodër. Roli dytësor më i mirë femër shkoi për Donikë Ahmeti, për rolin në shfaqjen “Per Gynti nga Kosova” të Qendrës Multimedia, Prishtinë. Roli episodik më i mirë iu dha Afrim Kasapollit, për rolin episodik në shfaqjen “Armiku i Popullit”, teatri “Bekim Fehmiu”, Prizren. Skenografia më e mirë ishte për Petrit Bakallin, për skenografinë e shfaqjes, “Armiku i Popullit”, teatri “Bekim Fehmiu”, Prizren.
Kostumografia më e mirë shkoi për Samka Ferrin për kostumet në shfaqjen “Tartufi”, teatri “Migjeni”, Shkodër. ndërsa Shpërblimi i medieve iu dha Shpëtim Selmanit, për rolin e DR. Stokman në shfaqjen, “Armiku i Popullit”, teatri “Bekim Fehmiu”, Prizren./ KultPlus.com