Nis sot Festivali Ndërkombëtar i Akuarelit, Tirana mbledh piktorë nga e gjithë bota

Nis sot në Tiranë, Festivali Ndërkombëtar i Akuarelit, një ngjarje e artit pamor që sjell piktorë nga e gjithë bota dhe që është kthyer në një traditë. Me mbështetjen e Bashkisë Tiranë dhe Ministrisë së Kulturës, ky aktivitet artistik do të zgjasë nga data 2-10 Maj 2024, duke shënuar kështu vitin e 11-të të organizimit të këtij festivali të rëndësishëm për botën e akuareleve.

Qëllimi i këtij festivali është jo vetëm të prezantojë talentet më të mira botërore të akuarelit, por edhe të promovojë pasurinë kulturore, historike dhe turistike të Shqipërisë. Gjatë ditëve të festivalit, nëpër vende të bukura të Tiranës dhe përreth saj do të zhvillohen ngjarje interaktive, demonstrime live dhe itinerare artistike, duke sjellë piktorët në kontakt me peizazhet dhe traditat e vendit.

Një pjesë e rëndësishme e festivalit do të jetë ekspozita në Galerinë Fakultetit të Arteve të Bukura në Universitetin e Arteve në Tiranë, e cila do të prezantojë veprat e mjeshtërave të njohur të akuarelit. Ky moment do të mbledhë nën një çati profesorë, studentë, dashamirës të artit dhe përfaqësues të mediave, për të ndjekur shfaqjen e këtyre veprave të jashtëzakonshme.

Nëpërmjet demonstrimeve live dhe ekspozitave, festivali synon të promovojë Tiranën në arenën ndërkombëtarë, si edhe të edukojë e frymëzojë brezat e ardhshëm nëpërmjet artit dhe kulturës.

U hap Festivali Ndërkombëtar i Akuarelit dhe ekspozita me vizatime të mjeshtërve shqiptarë

Në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar është hapur Festivali Ndërkombëtar i Akuarelit dhe ekspozita me vizatime të mjeshtërve shqiptarë “Para & Pas ’90.

Ky event, i mbështetur nga Ministria e Kulturës, Bashkia Tiranë dhe në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar nën kurimin e piktorit të mirënjohur Helidon Haliti bëri bashkë emrat më në zë të artit pamor në Shqipëri.

Në fjalën e tij kuratori Helidon Haliti shprehu një vlerësim të veçantë për këtë ekspozitë duke vënë theksin në veçantinë e saj pasi përfshin një numër të konsiderushëm artistësh ku përfaqësohet thuajse e gjithë shkolla shqiptare e artit pamor duke paraqitur një tematikë frymëzuese nga shumë artistë me përfaqësimin e 53 mjeshtërve të artit figurativ shqiptar.

Në fjalën e tij Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, u shpreh se “Muzeu Historik Kombëtar e ka mbështetur prej vitesh Festivalin Ndërkombëtar të Akuarelit dhe eventi i sotshëm vjen në vazhdën e kësaj tradite tashmë në një partneritet prej 5 vitesh”. Ai shprehu një kënaqësi të veçantë pasi Muzeu ka mirëpritur veprat e autorëve më të mirë shqiptarë ku na jepet mundësia të shikojmë një itinerar në kohë dhe hapësirë një udhëtim të mjeshtërve të vizatimit, që është një prej arteve tona më të fuqishme për të cilën këta artistë na kanë bërë krenar për një kohë të gjatë.

I ftuar në këtë aktivitet ishte edhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili shprehu falënderimin dhe vlerësimin e tij për artistët e kësaj ekspozite dhe vuri theksin në fuqinë që përcjell arti në veçanti në frymëzimin njerëzor, në prodhimin e energjive krijuese njerëzore, burimi i së cilës shtyn shoqërinë drejt zhvillimit dhe progresit. Ai u shpreh optimist në vazhdimësinë e kësaj tradite dhe në të ardhmen.

Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur deri më datë 25 qershor në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar. / KultPlus.com