Festivali Ndërkombëtar i Filmit për të Drejtat e Njeriut prezantoi nga 16-21 shtator në Tiranë 41 filma dhe dokumentarë.
Këta filma dhe dokumentarë u shfaqën në vende të ndryshme si Akademia e Filmit dhe Multimedias “Marubi”, Akademia e Sigurisë, Kuvendi i Shqipërisë, Shkolla e Magjistraturës, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe Qendra për Hapje dhe Dialog.
Qëllimi ishte arritja e audiencave të ndryshme dhe promovimi i diskutimeve për të drejtat e njeriut, dezinformimin dhe manipulimin, barazinë gjinore, shtypjen politike dhe të identitetit, lirinë dhe ndikimet ligjore e morale të luftës, përfshirë konfliktin në vazhdim në Ukrainë, në një përpjekje për ta sfiduar shoqërinë tonë që të reflektojë, të ngrejë pikëpyetje dhe të angazhohet në çështjet kritike të kohës që jetojmë.
Me mbështetjen e Bashkimit Evropian, tema e festivalit “Vepro gjelbër për tani dhe për të ardhmen”, nënvizoi fuqinë e artit në promovimin e vlerave universale.
Në fjalën e tij në hapjen e festivalit, ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, theksoi se “anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian do të thotë mbështetje e parimeve të të drejtave të njeriut, demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Këto parime janë thelbësore për partneritetin tonë”.
“Tema e këtij viti “Vepro gjelbër për tani dhe për të ardhmen” është një kujtesë e fuqishme e përgjegjësisë sonë të përbashkët për të mbrojtur planetin. Dhe arsyeja për këtë është e thjeshtë: thjesht nuk ka “planet B”. Jam krenar që po e ndihmoj FNFDNj-në të bëhet një aktivitet gjatë gjithë vitit me debate dhe diskutime, duke arritur audiencë përtej Tiranës dhe duke frymëzuar veprime kolektive për mbrojtjen e të drejtave të njeriut”, theksoi ambasadori Gonzato.
Drejtori Ekzekutiv i FNFDNj-së, Kujtim Çashku theksoi rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit dhe zhvillimit të ndjenjës së përgjegjësisë në shoqëri për ta mbajtur të pastër zonën ku jetojmë dhe zonat ku udhëtojmë.
“Festivali ynë kërkon të veprojmë, por edhe të mendojmë. Ekonomia në zhvillim është vetëm njëra anë, tjetra është se si ndikon në planetin tonë dhe pse kemi kaq shumë katastrofa, ndërkohë që speciet në tokë po zhduken. Institucionet gjithandej janë të shqetësuara për luftërat dhe kjo është e drejtë, por kjo është gjithashtu një luftë me viktimat e veta, pasi ne po shkatërrojmë tokën për brezat e ardhshëm”, tha Çashku.
Festivali u hap me filmin “Telling Nonie” me regjisor, Paz Schwartz. Në film flitet për Tsafrir, një operativ izraelit në moshë, i cili i zbulon Darwish-it se ka qenë i përfshirë në një operacion të shënjestruar vrasjeje në vitet 1950, ku u vra babai i saj, koloneli egjiptian dhe kreu i inteligjencës ushtarake në Gaza, Mustafa Hafez. Në moshën tetëvjeçare, Nonie mbeti jetime.
Të ulur në karrige në afërsi të Kibbutz Nahal Oz-it, në kufirin izraelit që sheh nga Gaza, ku Darwish kishte jetuar në fëmijëri dhe ku u vra babai i saj, ata tokin duart. Tsafrir kërkon shpengim, Nonie kërkon paqe, dhe gjatë gjithë filmit Telling Nonie, të dy dëshmojnë se si arabët dhe hebrenjtë nuk arrijnë ta njohin dhimbjen e njëri-tjetrit dhe t’i japin fund ciklit të dhunës.
Pas shfaqjes së filmit regjisori, Paz Schwartz, bëri një thirrje të pasionuar për paqe.
“Më 5 tetor të vitit të kaluar mora çmim për këtë film në Haifa. Dy ditë më vonë, më 7 tetor, më zgjuan sirenat dhe lajmet e tmerrshme. Zona pranë Kibbutz Nahal Oz-i, ku u takuan Tsafrir-i dhe Darwish-i, dhe që sheh nga kufiri i Gazës me Izraelin, u bë skena e sulmit të Hamasit më 7 tetor. Kur e filmova këtë dokumentar, kisha shumë shpresa për paqe, ndërsa tani, vërtet që nuk e di”, tha Paz Schwartz./atsh/ KultPlus.com