ReMusica po vjen me një paralajmërim: Merrni frymë thellë dhe përgatituni për një edicion plot jetë

Edicioni i 22-të i Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës ReMusica po nis me mision që të ju përkujtojë mbi rëndësinë e kujdesit për veten. “Inhale – Enxhale” është moment reflektimi dhe ndërgjegjësim për shëndetin dhe mirëqenien mendore, përcjell KultPlus.

Në jetën e shpejtë dinamike në të cilën jetojmë, shpeshherë humbasim sensin dhe ndjeshmërinë për gjërat e vogla, që në realitet janë me shumë rëndësi. Koha dhe përkushtimi ndaj vetes para së gjithash, është pjesë qenësore e ekuilibrit dhe marrëdhënies që ndërtojmë pastaj dhe me të tjerët. Së dyti mbështetja, besimi dhe mirëmbajtja e raporteve të shëndosha përmes kujdesit ndaj njëri tjetrit dhe në fund, kujdesi ndaj natyrës, planetit tokë.

Duke u nisur nga kjo perspektivë, ReMusica ju merr nën krahë për të ofruar kapacitetin e saj duke shërbyer si hapësirë ​​dhe vend takimi për të gjitha grupet, komunitetet për të rritur ndërgjegjësimin për shëndetin dhe mirëqenien mendore.

Në kuptimin përmbajtësor, Edicioni i 22-të do të ofrojë një program të gjerë, duke filluar nga koncertet – me artistët më të çmuar të skenave botërore dhe vendore; diskutime – ku fokus do të jetë pikërisht shëndeti mendor; instalacione – konceptuale, tingullore; masterklase, punëtori me gjeneratat e reja; ReMusica Junior –  programe për fëmijë; koncertet akusmatike & elektroakustike e deri tek performancat unike ku muzika takon meditimin.

Orkestra e themeluar nga Claudio Abbado, me ish-drejtoret e muzikës Vladimir Ashkenazy, Bernard Haitink dhe me kryedirigjent Vasily Petrenko – EUROPEAN UNION YOUTH ORCHESTRA, Kuinteti frymor CALEFAX nga Holanda, të njohur ndërkombëtarisht për lojën e tyre virtuoze dhe si një ndër ansamblet më të çmuara të frymës, Ansambli Vokal ReMusica dhe kori shumë aktiv i viteve të fundit – Siparantum, pianisti Julien Libeer janë vetëm disa nga emrat që do të jenë pjesë e këtij Edicioni të Festivalit ReMusica.

Merrni frymë thellë dhe përgatituni për një edicion plot jetë i cili nis më datë 3 maj dhe zgjatë deri më datë 23 maj 2023. / KultPlus.com