ReMusica me një përmbyllje të pakrahasueshme nga Petrit Çeku & Viva String Quartett

Era Berisha

Ajka e veprave të mahnitshme nga kompozitorë të huaj dhe shqiptarë mbrëmë lindën nëpërmjet talentit të pakrahasueshëm të kitaristit Petrit Çeku dhe Kuartetit harkor “Viva String Quartett”, të cilët së bashku frymuan në një frymë që vazhdimisht buronte melodi dhe tinguj që u ndezën mahnitshëm në atmosferën e ngrohtë dhe lëshuan një harmoni e cila vështirë se do të rikrijohet përsëri, duke përmbyllur kështu edicionin e 21-të të festivalit ReMusica që shtëpinë e gjeti në Sallën e Kuqe, shkruan KultPlus.

Ky vend i cili priti këtë dyshe të mrekullueshme në natën e fundit kishte ndërruar disa detaje të dallueshme nga netët tjera. Salla e Kuqe mbrëmë kishte shtuar dukshëm një numër të madh të karrigeve duke mbushur sallën në tri anë të saj. Me dymbëdhjetë reflektorët në ngjyrë të kaltër, drita precize në formë rrethore që vjen nga lart dhe dritat e ngrohta që ndriçonin vendin në hapësira të caktuara, Salla e Kuqe mori formën të përmbushjes në numër. Ndërkaq, pozicionimin e tyre e kishin ndërruar edhe shkronjat e mëdha në prapaskenë që portretizojnë emrin e festivalit ReMusica të cilat po qëndronin të gjalla në natyrën e tyre gjelbëruese.



Hapjen e kësaj nate e nisi drejtoresha artistike, Donika Rudi dhe producenti i festivalit, Viktor Berishaj, të cilët janë shprehur se janë tejet të kënaqur që më fund publiku është pjesë e këtyre koncerteve dhe po ashtu se festivali i është bashkuar nismës së solidarizimit me festivalet e tjera evropiane, ‘Festivals for Compassion’.

“Mirëmbrëma dhe mirë se keni ardhur në mbrëmjen përmbyllëse të festivalit ReMusica. Në program sonte do ta kemi premierë veprën e kompozitorit Valton Beqiri, e titulluar “XX”, jo rastësisht. Vitin e kaluar ReMusica ka festuar edicionin e njëzetë të festivalit, fatkeqësisht duke qenë larg jush por jemi shumë të lumtur që sonte po ju shohim dhe që sot do ta dëgjojmë këtë vepër premierë që do të jetë nga “Viva String Quartet” dhe Petrit Çekun në kitarë dhe Valton Beqiri në piano”, thotë Rudi.

Ndërsa, producenti i ReMusica-s, Viktor Berishaj tha se festivali, si çdo vit tjetër, ka trajtuar një temë e cila duhet të adresohet në shoqëri dhe jo vetëm.

“Me shumë mëdyshje e kemi nisur edicionin. Kjo është hera e parë me publik qysh duhet sepse pe shihni dhe vetë numrin e limituar të ulëseve por ka qenë një sfidë për t’u kthyer në normalitet që na është dashur shumë dhe sivjet kemi arritur që ta bëjmë këtë gjë. Si çdo vit tjetër, jemi munduar që një temë të caktuar që duhet të adresohet si shoqëri, pjesëtarë të komunitetit apo si gjallesa që jetojmë në këtë kohë, janë ato të ndryshimit klimatik dhe urgjencës së veprimit klimatik dhe mjeshtërisht Donika ka qenë ajo e cila ka arritur të futë nëpërmjet veprave këtë temë prej secilës natë të koncerteve nëpërmjet katër elementeve si uji, ajri, toka dhe zjarri”, thotë Berishaj.



Sipas tij, ka pasur një mori aktivitetesh përcjellëse, masterklasë, punëtori të ndryshme në Universitetin e Prishtinës si dhe një numër të madh të dashamirëve të muzikës. Ka pasur ansamble të mrekullueshme dhe talente të mrekullueshëm në Kosovë që kanë performuar në këtë edicion.

“Sonte po bëjmë një përmbyllje ashtu tamam si na përket neve. Sa i përket artistit që ka me performu sonte me kuartetin, nuk ka nevojë për ta prezantuar sepse të gjithë e dimë se kush është Petrit Çeku saqë edhe stadiumin e Prishtinës me pas hap, nuk do të na zinte të gjithëve për me përcjell. Megjithatë koncertin sonte do e nisim përsëri me një mesazh që kemi nevojë për ta adresuar. Pra, ne marrim frymë njësoj me qytetarët ukrainas të cilët janë duke e përjetuar një tmerr të cilin ne fort mirë e dimë. Për këtë arsye si viteve tjera ReMusica i është bashkuar nismave të ndryshme ndërkombëtare me një kauzë të caktuar. Nata do të fillojë me interpretimin e veprës së një kompozitori ukrainas të cilën e ka kompozuar në momentet kur ka nis lufta”, shpalos Berishaj.



Pas kësaj hapjeje, skena e cila mu në mes kishte të vendosura gjithsej pesë karrige të cilat me pozicionin e tyre i ngjasonin një gjysmë hëne dhe pianoja që qëndronte në qosh për t’u gjallëruar kur radha e saj do të vinte, po krijonin një hijeshi dhe atëherë kur me duartrokitje të zjarrta, publiku mirëpriti kuartetin harkor “Viva String Quartett”. Të veshur në të zeza nga koka e deri të këmbët, kuarteti harkor u fut direkt në interpretimin e veprës së parë të titulluar “Drop after drop” nga kompozitori ukrainas Maxim Shalygin, me ç’rast meloditë e veçanta që tërë kohës i ngjasonin një fëshfëritjeje, sollën një bukuri tingujsh të cilat me butësinë, qetësinë dhe ngadalësinë e tyre, vërtetë pikonin si pika të ujit, pikë pas pike deri në pikën e fundit që shënoi fundin e veprës.

Ndërsa, për veprën e dytë të radhës me titull “Guitar Quintet in D major, No.4, G, 448 – Fandango” nga kompozitori Luigi Boccherini, të pranishmit me brohoritje dhe duartrokitje që s’njihnin fund, mirëpritën kitaristin Petrit Çeku në skenë. Njashtu sikurse kuarteti harkor edhe kitaristi i veshur në ngjyra të zeza me një buzëqeshje në fytyrën e tij e nisi veprën e dytë për këtë mbrëmje.

Dy violina, një violë, një violonçel dhe një kitarë jetësuan interpretimin e melodive dhe tingujve të cilat po njëlloj sikurse pronarët e tyre, dilnin jashtë kontrollit për të shpalosur një vijë tejet ritmike. Në një hap me rimtin, kitaristi Petrit Çeku në çdo sekondë po dhuronte shpirtin e tij artistik nëpërmjet lëvizjeve të tij trupore saqë edhe flokët e tij po luhatnin në drejtime të ndryshme. Talenti i tij doli nga brendësia e tij qysh në momentin e parë të mbrëmjes dhe nuk u fut brenda në strofullin e vetë për asnjë çast.



Efikasiteti i shpejtësisë performuese, vështrimet melankolike, ndjeshmëria e tij ndaj instrumentit që qëndronte para tij si vetë hija e tij, bëri që kitaristi të emociononte secilin të pranishëm që po vështronte me kujdes elegancën e tij interpretuese. Ndërsa, kuarteti harkor me lëvizjet e duarve të tyre sollën një precizitet të pashoq. Harmonia e tyre ndërronte sa herë që ndërronte ritmi i veprave, me ç’rast ata ngulitën vështrimin e publikut drejt tyre, për të mos ia lëshuar atë asnjërit deri në notën e fundit.

Pas një pauze pesë minuta, drejt skenës ecte kitaristi Petrit Çeku i cili u shoqërua në piano nga Valton Beqiri për të sjell veprën premierë “XX” nga kompozitori Valton Beqiri, vepër kjo që pati ardhur dedikim ndaj 20 vjetorit të festivalit ReMusica por që u luajt mbrëmë për herë të parë në 21 vjetorin e festivalit. “XX”, hyri në secilin shpirt të pranishëm. Qysh nga minuta e parë e deri tek e fundit, vepra përçoi një emocion që s’kishte kush që do t’ia vinte pikën. Ndërlidhja e tingujve të pianos dhe melodive të kitarës krijoi një atmosferë tejet të ngrohtë me ç’rast publiku u fut në hipnozën e bukur që vepra posedonte. Ndonëse më e shkurtra nga tjerat vepra që u interpretuan mbrëmë, “XX” solli kulminacionin që në strehë të saj kishte dhuntinë e shkathtë të pabarazueshme.

Ndërsa, vepra e fundit për këtë natë, “Guitar Quintet op.143” nga kompozitori Mario Castelnuovo-Tedesco, e riktheu në skenë sërish kuartetin harkor “Viva String Quartett” ku së bashku me kitaristin Petrit Çeku, përmbyllën edicionin e 21-të të festivalit ReMusica në një mënyrë brilante. Pas pothuajse dy orëve interpretimi, ishte radha që publiku të mbizotëronte atmosferën me duartrokitje të pandalshme dhe brohoritje që preknin edhe qiellin. Me një ritëm të duartrokitjeve dhe brohoritjeve për këtë koncert si dhe tërë këtë edicion të mahnitshëm të ReMusica-s, u përmbyll programi i pasur dhe i larmishëm i veprave që do mbahen mend gjatë në kujtesën e secilit që ka ndjekur nga afër të gjitha koncertet e parapara për edicionin e 21-të të festivalit që shënoi një sukses përtej krahasimit.



Ndërkaq, për të treguar më shumë rreth përshtypjeve të saj për këtë mbrëmje dhe tërë edicionit në përgjithësi, për KultPlus foli Donika Rudi.

“Koncerti ishte jashtëzakonisht i bukur, pra një koncert të cilin e kemi pritur tash një kohë. Petriti është njëri nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të festivalit ReMusica dhe pothuajse në çdo vit, në çdo edicion, atë e kemi prezent. Këtë vit ai erdhi me Kuartetin harkor nga Maqedonia Veriore “Viva String Quartet”. Një program tepër i bukur me dy elemente të cilat e karakterizuan koncertin, vepra “Drop after drop”, e kompozitorit ukrainas dhe me këtë rast u solidarizuam me festivalet e tjera evropiane në iniciativën ‘Festivals for Compassionn’ dhe kjo vepër është shkruar në këto muajt e fundit në Ukrainë dhe kush ma shumë se ne, si popull, e përjetojmë gjendjen dhe atë se çka po ndodh në Ukrainë. Me këtë vepër deshëm që të solidarizohemi me gjithë botën dhe festivalet e rëndësishme të muzikës klasike botërore”, thotë Rudi.

Sipas saj, vepra e Valton Beqirit ishte një vepër e cila është dedikim ndaj festivalit ReMusica për edicionin e kaluar. Situata e cila ka ndodhur dy vitet e fundit konsiderohet të kishte qenë mundësia jo e mirë për të dhënë premierën prandaj ajo u dha sonte.

“Mendoj që i gjithë edicioni i 21-të ka qenë një laramani me programe të ndryshme duke filluar nga koncertet në moshë të re e deri tek ajo e vjetra. ReMusica gjithmonë tenton që të ketë një program ku secili mundet me gjet vetën në stile mjaft të ndryshme. Këto njëzet vite, festivali ka pasur në fokus krijimtarinë kosovare duke stimuluar kompozitorë të rinj për vepra të reja por këtë vit kemi tentuar dhe do të tentojmë që bashkëpunimet në mes të artistëve tanë dhe atyre ndërkombëtarë ti jetësojmë duke u bërë kështu një urë lidhëse në mes krijuesve kosovarë dhe atyre ndërkombëtarë. Ajo se çka më së shumti kemi pritur ne si ekip ka qenë kontakti me publikun. Kjo energji në mes të artistit, publikut dhe organizatorëve, është një trekëndësh shumë me rëndësi i cili ka munguar shumë. Andaj, ky rikthim në 21 vjetorin tonë është një prej momenteve më të bukura të cilën kemi mundur ta përjetojmë”, përfundon Rudi.



Ndërkaq, kujtojmë se edicioni i 21-të i festivalit ReMusica, “The Sound of Change”, trajtoi temën e ndryshimeve klimatike dhe bëri thirrje për ndërgjegjësim tek publiku për veprim klimatik. E gjithë kjo, ishte reflektuar në programin e sivjetmë, duke u kujdesur që përmbajtja e tij të orientohet në këtë temë, me fokus në katër elementet e natyrës – Toka, Uji, Ajri dhe Zjarri.

Fotografitë: Rrahman Osmani / KultPlus.com

Fotografia: Era Berisha

Abigeila Voshtina dhe Artemida Qarri-Haxhiaj, dyshja e fuqishme shqiptare e ReMusica

Era Berisha

Madhështia e gjithsej katër veprave të mrekullueshme nga kompozitorë të huaj dhe shqiptarë, u jetësuan mbrëmë nga talenti i violinistes Abigeila Voshtina dhe pianistes Artemida Qarri-Haxhiaj në natën e katërt të festivalit ReMusica. Këto vepra gjatë tërë natës frymuan tinguj e melodi të cilat vinë të gërshetuara magjishëm mes vete nga dy instrumentet vezulluese, me ç’rast ritmi i pakrahasueshëm dhe gjallëria perfeksioniste ishin dy aspektet që përkuan me këtë koncert, shkruan KultPlus.

Me dymbëdhjetë reflektorë në ngjyrë të kaltër, drita që rrethakon hapësirën për dy instrumentistet mu në mes të skenës, emri i festivalit që me shkronja të gjelbër gjallëronte fuqishëm në prapaskenë si dhe dritat e ngrohta të drejtuara nga ana e instrumenteve, tashmë është shndërruar në simbolin kyç të koncerteve që po mbahen në Sallën e Kuqe në Prishtinë. Kjo sallë e cila për tri net rresht priti artistë të shkëlqyer, tashmë është bërë gati të pushtohej edhe nga dy artistet që sonte sollën një muzikalitet dhe teknikë të jashtëzakonshme.

Fotografia: Rrahman Osmani

Me një duartrokitje nga ana e publikut, në skenë me një elegancë të tejskajshme, doli violinistja Abigeila Voshtina dhe pianistja Artemida Qarri-Haxhiaj, por para se programi të gjente fillimin e tij, violinistja Voshtina iu drejtua audiencës për të treguar për një ndryshim të vogël në interpretimin e veprave.

“Dua të ju informoj për një ndryshim të vogël në program. Ne sonte do të fillojmë me sonatën e Çesk Zadejës sepse mendoj që ka një identitet shumë të spikatshëm të muzikës shqiptare. Është e shkruar në vitin 19 2 dhe e luajtur për herë të parë në 19 4. Sonata është shumë atipike jo vetëm për kohën, jo vetëm për ideologjizmin e komunizmit, por edhe për kohën që jemi sot sepse ka vetëm dy kohë. E shikoni që koha e parë ka një hapësirë që mund ta quajmë mjegullore kurse koha e dytë është gjatë gjithë kohës me një ritëm shumë folklorik tonin, shumë të thyer dhe kjo tregon se sa e fuqishme ka qenë pena e Çeskut dhe pse ai quhet ‘babai i muzikës shqiptare’. E them këtë për arsye se e di që ky festival është për të gjithë ata që janë krijues të rinj dhe kompozitorë të rinj të Kosovës”, thotë Voshtina.

Pas kësaj hyrjeje, në sallë mbizotëroi heshtja për të dëgjuar veprën “Sonata për violinë e piano” e kompozitorit Çesk Zadeja. Dyshja shqiptare solli një fillim tejet të bukur ku në njërën anë lehtazi dalloheshin lëvizjet e mprehta të gishtërinjve në piano dhe në anën tjetër ishte teknika e fuqishme dhe përqendrimi preciz në instrumentin e violinës ato që dëshmonin për ritmin dinamik që gërshetohej në atmosferë me ç’rast shpirti i tyre artistik dilte jashtë çdo kufiri për të përfunduar kështu magjishëm veprën e parë për këtë natë.

Fotografia: Rrahman Osmani

Ndërkaq, në radhë ishte vepra e titulluar “Sonata për violinë e piano No.1 la minor Op.105” nga kompozitori Robert Schumann, vepër kjo që me precizitetin, shprehjet e fytyrës, luhatjet e tërë trupit dhe qetësinë adhuruese që shpërfaqnin dy instrumentistet, bëri që çdo melodi e krijuar të gjente rrugën për të hyrë në shpirtin e të pranishmëve. Performanca e tyre frymëzuese erdhi nën inkuadrimin e harkut të violinës në ngjyrë gjaku që vazhdimisht lëvizte pa ndalim dhe çelësave bardh e zi të instrumentit gjigand në ngjyrë të zezë të cilat përjetuan prekje sa të lehta aq edhe të çmendura për të sjell kështu tinguj që furishëm përçuan ndjenja diversive.

Pas interpretimit të veprës së dytë me radhë, një pauzë e shkurtër zuri vend dhe violinistja Voshtina përsëri iu drejtua publikut para se fillonte vepra e tretë.

“Kur vendosa programin dhe fola me pianisten Artemidën zgjodhëm kompozitorin Johannes Brahms i cili është jashtëzakonisht i rëndë dhe kjo nganjëherë nuk duket sepse njerëzit mendojnë që instrumentistët bëjnë ‘la la la’ por nuk është kaq e thjeshtë. Atëherë ideja se pse zgjodhëm këta dy autorë gjerman si R.Schumann dhe J.Brahms është jo sepse Gjermania për fatin tonë të madh ka shkruar me të vërtetë shumë, por këta të dy lidhen shumë me njëri-tjetrin. Kjo ishte arsyeja pse ne zgjodhëm këta dy autorë, por që me të vërtetë, kush ka dëgjuar dhe kush ka luajtur, e di natyrisht se sa e rëndë është muzika gjermane, e rëndë jo si muzikë sepse muzika është jashtëzakonisht e bukur, por që kërkon me të vërtetë shumë po shumë fuqi. Jam e sigurt se do t’iu pëlqej”, thotë Voshtina.

Fotografia: Rrahman Osmani

Një piano dhe një violinë sollën veprën e radhës të titulluar “Sonata për violinë e piano No.2 në la maxhor, op.100” nga kompozitori Johannes Brahms. Dy instrumentet kësaj here u futën në teknikën e fuqishme të dy pronareve të tyre, me ç’rast muzika e fuqishme që pasonte në çdo moment bëri që edhe flokët e interpretuesve të dridheshin me lëvizjet e tyre të shpejta dhe të sakta. Ndeshja e pianos dhe violinës tërë kohën po krijonte një gërshetim plotësues dhe të gjithanshëm që solli një gjallëri që herë vinte në formën e ngadaltë dhe më lirike, ndërsa në momentin tjetër ndryshonte duke sjell një rrotullim të zhurmshëm dhe energjik të paparë.

Ndërkaq para se edhe vepra e fundit të jehonte, violinistja Voshtina përsëri mori fjalën.

“Kemi një ‘Scherzo’ e cila po luhet për herë të parë. Duhej patjetër që ta futnim një kompozitor kosovar dhe me një krijim të ri, kështu që shpresoj të ju pëlqej”, thotë ajo.

Ishte kjo dyshe shqiptare që mbrëmë solli një interpretim magjepsës me tërë programin e luajtur, duke kapur kështu vëmendjen e të pranishmëve me performimin e notave që dukshëm buronin nga brendësia e tyre shpirtërore e kjo vërehej sidomos nga vepra “Schero” të kompozitorit Drinor Zymberi që shënoi fundin e kësaj nate, duke lënë pas momente dhe kujtime që do i përcjellin të pranishmit për një kohë të gjatë.

Krejt në fund, publiku me duartrokitjet e pa ndalura dhe brohoritjet e shumta falënderoi violinisten Abigeila Voshtina dhe pianisten Artemida Qarri-Haxhiaj për performancën e bukur dhe të paharrueshme, duke i rikthyer ato për të dytën herë në skenë, me ç’rast edhe violinistja Voshtina mori fjalën për të përmbyllur këtë koncert.

“Ky koncert ka pasur shumë episode sepse donim ta fillonim që në vitin 2019 por ra pandemia, pastaj pas pandemisë Artemida ka pasur një vajzë dhe tani më në fund erdhi ky moment, kështu që faleminderit shumë për ftesën dhe punën që ju e bëni. Faleminderit dhe publikut për pjesëmarrjen ngase pa ju asgjë nuk do të funksiononte”, thotë Voshtina.

Fotografia: Rrahman Osmani

Ndërkaq, kujtojmë se edicioni i 21-të i festivalit ReMusica, “The Sound of Change”, trajton temën e ndryshimeve klimatike dhe bën thirrje për ndërgjegjësim tek publiku për veprim klimatik. E gjithë kjo, është reflektuar në programin e sivjetmë, duke u kujdesur që përmbajtja e tij të orientohet në këtë temë, me fokus në katër elementet e natyrës – Toka, Uji, Ajri dhe Zjarri.

Festivali ReMusica do të zgjasë deri më 21 prill. Ndërsa, sonte në Teatrin Oda duke filluar nga ora 20:00, vjen koncerti i radhës “Electroacoustic and Acousmatic Night (Earth and Wind)” nga kompozitorja Elizabeth Anderson. Ndërkaq, nga ora 21:00 po ashtu në Teatrin Oda mbahet koncerti audio-vizual “Isolation Music” nga kompozitori Mehmet Can Ozder dhe kompozitori Ilir Bajri.

Fotografia në ballinë: Rrahman Osmani / KultPlus.com

Fotografia: Rrahman Osmani

Me gërshetimin e veprave të huaja dhe shqiptare, përmbyllet nata e tretë e festivalit ReMusica

Era Berisha

Nata e tretë e edicionit të 21-të të festivalit ReMusica, solli para të pranishmëve një interpretim nga Kuarteti harkor, “Selini String Quartet”, ku së bashku me inkuadrimin e artistëve të ftuar si: sopranoja Zana Abazi-Ramadani dhe pianisti Edon Ramadani, u sollën vepra të kompozitorëve të huaj si dhe atyre shqiptar, me ç’rast mbrëmë mahnitshëm u gërshetuan dy fryma sa të ndryshme, aq edhe të mrekullueshme, shkruan KultPlus.

Tash e tri net, është Salla e Kuqe ai vendi i cili tashmë po pushtohet nga artistë të ndryshëm të cilët gjithmonë prekin skenën e njëjtë por të cilët sjellin vepra krejtësisht unike ku secila ngërthen një veçanti në vetvete. Shkronjat gjigande që shpërfaqin emrin e festivalit në prapaskenë kësaj here kishin ndërruar pozicionimin e tyre në një kënd ndryshe që i përshtatej akoma më shumë hapësirës, ndërkaq në anën tjetër, reflektorët e vendosur mbrapa skenës ishin kthyer përsëri në ngjyrë të kaltër, për t’i shtuar hijeshinë, veprave që pas pak do të performoheshin.

Fotografia: Rrahman Osmani

Hapjen e natës së tretë të festivalit ReMusica e nisi koordinatori Shaban Behramaj, i cili i uroi mirëseardhjen të pranishmëve dhe tutje tregoi se është bërë një ndërrim i vogël në program.

“Mirë se keni ardhur në natën e tretë të festivalit ReMusica. Jemi shumë të lumtur që ju shohim sonte këtu dhe me të vërtetë na ka marrë malli që të jemi prezent në koncerte, për shkak se ishim dy vite të tmerrshme në formatin online që ishin jo aq të lehta për ne. Sonte prezantohet Kuarteti nga Austria, “Selini String Quartet”, të cilat kanë një program të mirë përzgjedhur edhe mezi po presim t’i dëgjojmë. Por, fillimisht po ju informoj për një ndërrim të vogël në program ku bëhet fjalë për vendosjen e veprës së tretë me radhë, e cila do të luhet krejt në fund të programit”, thotë Behramaj.

Po ashtu për një fjalë rasti në skenë doli dhe ambasadori austriak Christoph Weidinger, i cili thotë se është një kënaqësi që sonte do të interpretohet një program mjaft i larmishëm.

“Jam shumë i kënaqur që mund t’ju mirëpres këtu sonte në këtë koncert, i cili mbështetet nga Ambasada e Austrisë për programin “The Sound of Change”. Ky është një program i Ministrisë të Punëve të Jashtme të Austrisë i cili jep mundësinë muzicientëve të rinj që të performojnë edhe jashtë vendit, jashtë Austrisë. Andaj, jam shumë i kënaqur që sonte “Selini String Quartet” do të interpretojnë një program të larmishëm për ne. Siç shumica prej jush e dini, muzika kamertale e në veçanti kuartetet harkore kanë një traditë të gjatë në Austri dhe kjo traditë prek edhe kohën e shumë kompozitorëve si Mozart”, thotë Weidinger.

Sipas tij, është një gjë shumë e bukur që programi që do të luhet sonte, përmban një vepër nga Schubert dhe vepra të tjera nga kompozitorë bashkëkohorë nga Kosova dhe Austria.

Fotografia: Rrahman Osmani

Pas këtyre fjalimeve, me veshje në ngjyrë të zezë, në skenë doli Kuarteti harkor “Selini String Quartet”, që qysh në fillim po rrezatonte plot hijeshi dhe elegancë. Me hapa drejt skenës, ato u mirëpritën me një duartrokitje të zjarrtë. Ndërkaq, pas disa ndreqjeve të vogla të instrumenteve të tyre, fuqishëm erdhën meloditë e para të veprës “String Quartet op.20/5” nga kompozitori Joseph Haydn, vepër kjo që futi në funksion të gjithë trupin e këtyre instrumentisteve, duke lëvizur sa në një anë në tjetrën, për të goditur vazhdimisht notat e sakta që po pasonin me lehtësi.

Dy violina, një violë dhe një violonçel në ngjyrë kafe morën vëmendjen e kujdesshme të të pranishmëve, të cilët me një koncetrim të shtuar vëzhgonin lojën madhështore të kuarteti harkor. Nga vepra në vepër, lëvizjet e krahëve dhe të duarve të tyre futeshin në një cikël rrotullimi nga i cili nuk dolën për asnjë moment, me ç’rast secila nga instrumentistet tërë kohën po frymonte në një vijë me meloditë dhe tingujt pasues.

Përgjatë pothuajse dy orëve, kuarteti solli dhe veprat e njohura si: “seacoloured lightbellsounds” nga kompozitori Philipp Manuel Gutmann dhe “String Quartet no.13 ‘Rosamunde’” nga kompozitori Franz Schubert, për të lënë kështu një përshtypje se meloditë çelnin ngadalë nga instrumentet porsi lulet në pranverë, teksa ato pothuajse ishin të padëgjueshme në disa çaste por që kjo padyshim ishte dhe veçantia e tyre.

Fotografia: Rrahman Osmani

Në anën tjetër, ëmbëlsia tjetër e këtij koncerti padyshim që ishin veprat e njohura shqiptare si: “Vet’ ke mbetë” nga kompozitori Gjergj Kaçinari dhe e ripërpunuar nga Edon Ramadani dhe “Valsi i lumturisë” nga kompozitori Avni Mula, e po ashtu që erdhi e ripërpunuar nga Edon Ramadani. Këto dy vepra erdhën nën interpretimin e fuqishëm të sopranos Zana Abazi-Ramadani e cila së bashku me “Selini String Quartet” dhe pianistin Edon Ramadani, pushtuan skenën me frymën shqiptare të pakrahasueshme.

Publiku ishte ai i cili dukshëm dëgjonte me entuziazëm vokalin e pastër të sopranos teksa edhe buzëqeshjet nuk mungonin në fytyrën e tyre. Meloditë mallëngjyese dhe tejet melankolike u përjetuan nga secili i pranishëm, me ç’rast ishin ndjenjat unike ato që morën përsipër që të shfaqeshin edhe në formën fizike, atë të rrëqethjes në trupin e njeriut në një formë trajektoreje.

Kështu, krejt në fund ishte publiku ai i cili duartrokiti dhe brohoriti performancën e jashtëzakonshme të “Selini String Quaret”, sopranos Zana Abazi-Ramadani dhe pianistit Edon Ramadani, të cilët u rikthyen për të dytën herë në skenë për t’i dëgjuar nga afër ritmikën e krijuar nga të pranishmit.

Fotografia: Rrahman Osmani

“Selini String Quartett” për KultPlus tha se kjo është hera e parë që vijnë në Prishtinë dhe se veprat shqiptare janë me të vërtetë tejet të bukura.

“Është hera e parë që ndodhemi këtu në Prishtinë dhe në fakt e kemi shijuar shumë. Njerëzit janë kaq të mirë dhe moti është kaq i ngrohtë kur mbërritëm dje. Ne patëm një provë shumë të bukur dhe një masterklasë shumë të mirë këtë mëngjes me studentët, gjë për të cilën u befasuam shumë këndshëm. Sonte patëm kënaqësinë të performojmë për një publik të madh kështu që shpresojmë të kthehemi”, thotë “Selini String Quartett”.

Sipas tyre, pjesët shqiptare vërtetë ishin të mahnitshme dhe diçka e re për to, ku muzika u konsiderua më e lehtë dhe tejet e bukur.

Po ashtu, për të treguar më shumë rreth përshtypjeve për koncertin, për KultPlus foli sopranoja Zana Abazi-Ramadani.

“Fillimisht jam shumë e privilegjuar që mu dha mundësia të performoj me këtë Kuartet fantastik dhe dua të them se nuk kemi bërë asnjë provë përpos sot që kemi bërë provën që ka zgjat vetëm pesë minuta, dhe ja suksesi po shihet edhe vetë dhe shpresoj që edhe publikut i ka pëlqyer”, thotë Abazi-Ramadani.

Sipas saj, programi ishte i veçuar për shkak të shkaqeve natyrore që duhet të përkrahen në mënyrë maksimale dhe në mënyrë që vetëdijesimi të jetë akoma më i pranishëm në popull.

“Besoj që do të ketë edhe më shumë koncerte të tilla sepse siç po shihet, publiku është shumë i interesuar për të dëgjuar. Ndërsa, në anën tjetër do të duhej të ishte edhe një sallë tjetër, që është tejet e domosdoshme, njëlloj sikur shtëpia operistike për solo këngëtarët. Besoj që në të ardhmen do të realizohet një sallë e tillë, ngase kjo sallë nuk i përmbush të gjitha kushtet e nevojshme për muzicientët”, përfundon Abazi-Ramdani.

Ndërsa, pianisti Edon Ramadani për KultPlus tha se ishte një kënaqësi që ai po bashkëpunon me një Kuartet të përmasave botërore.

“Ishte një kënaqësi që të kem bashkëpunim me një Kuartet të tillë prestigjioz dhe botëror sepse “Selini Quartet” ka një agjendë të ngjeshur dhe një turne të paracaktuar nëpër botë, kështu që është me të vërtetë një kënaqësi që ReMusica së bashku me Ambasadën Austriake na mblodhi për të interpretuar së bashku ku unë dhe pata dy përpunime të dy këngëve ikonike të dy këngëtareve tona siç është Nexhmije Pagarusha dhe Vaçe Zela”, thotë Ramadani.

Sipas tij, eleganca, muzikaliteti dhe saktësia e Kuarteti, janë tri veçoritë kryesore që u panë edhe në koncert.

Ndërkaq, kujtojmë se edicioni i 21-të i festivalit ReMusica, “The Sound of Change”, trajton temën e ndryshimeve klimatike dhe bën thirrje për ndërgjegjësim tek publiku për veprim klimatik. E gjithë kjo, është reflektuar në programin e sivjetmë, duke u kujdesur që përmbajtja e tij të orientohet në këtë temë, me fokus në katër elementet e natyrës – Toka, Uji, Ajri dhe Zjarri.

Festivali ReMusica do të zgjasë deri më 21 prill. Ndërsa, sonte duke filluar nga ora 20:00, vjen koncerti i radhës “Duo Ko-Art” me violinisten Abigeila Voshtina dhe pianisten Artemida Qarri-Haxhiaj.

Fotografia në ballinë: Rrahman Osmani / KultPlus.com

Fotografia: Rrahman Osmani

Kitaristi Lorik Pylla solli magjinë e veprave moderne në natën e dytë të festivalit ReMusica

Era Berisha

Lorik Pylla, kitaristi i talentuar mbrëmë në festivalin ReMusica solli para publikut një program jo dhe aq të zakonshëm, me ç’rast ishin veprat e përzgjedhura për këtë mbrëmje ato të cilat rrallë herë dëgjohen në shoqërinë tonë. Performimi unik dhe diversiteti i teknikave, ishin dy shtyllat kryesore që përkuan me këtë natë e cila frymoi tërësisht në stilin modern, për të shpalosur kështu melodi e tinguj që rrëshqisnin mrekullisht në skenë dhe lehtazi depërtonin përballë të pranishmëve, shkruan KultPlus.

Pikërisht si në natën e parë, nata e dytë e priti kitaristin Lorik Pylla në Sallën e Kuqe, vend ky i cili po qëndronte gjithmonë i ndezur edhe pa asnjë trup mbi të. Me reflektorë në ngjyrë të kuqe, drita të ngrohta që vështronin nga lart skenën si dhe ndriçimi i posaçëm mbi kitaristin në një formë rrethore, rriste emocionet e publikut dhe parashikonte kahjen e kësaj mbrëmjeje të veçantë.

Fotografia: Rrahman Osmani

Njashtu si perdet në ngjyrë të zezë që ishin të lëshuara prapa karriges që qëndronte e vetmuar në skenë, i veshur në të zeza kokë e këmbë, doli kitaristi Pylla me një besueshmëri në vetvete dhe hapa preciz drejt skenës. Me një ndreqje të shpejtë të duarve të tij dhe kitarës, ai hyri direkt në veprën e parë të titulluar “Chiton” nga kompozitori Uros Rojko, vepër kjo që qysh në sekondat e parë vodhi shikimin dhe përqendrimin e të pranishmëve.

E vendosur përballë tij si një trup i dytë, ishte kitara ajo e cila vazhdimisht godiste fuqishëm atmosferën me nota dhe timbër të mrekullueshëm. Në anën tjetër, ishte vetë Pylla ai i cili ishte futur në hipnozën e kitarës, për t’iu bindur plotësisht asaj e për t’i qëndruar besnik deri në momentin e fundit. Ndërsa, me plot elegancë, ishin gishtërinjtë e kitaristit ato të cilat hynin vazhdimisht në labirintin e notave dhe jo vetëm. Ato herë trokitnin e herë të tjera dhe zhdjergshin nga maja e instrumentit e vazhdonin deri në fund të saj.

Shprehjet e fytyrës, lëvizjet e kokës dhe të njërës këmbë, efikasiteti dhe teknika gjallëruese e kitaristit, dëshmoi se interpretimi në kitarë sado i lehtë të duket nga jashtë, në fakt kërkon durim dhe përqendrim të jashtëzakonshëm. Andaj, në mesin e tingujve të lehtë ku njeriu herë pas here duhej dhe të sforconte veshët për të dëgjuar atë mrekulli, shfaqej një cikël i butë prej melodive të cilat me bukurinë e tyre vërshonin mbi ajër dhe pushtonin skenën nga vepra në vepër.

Fotografia: Rrahman Osmani

Përgjatë pothuajse dy orëve, kitaristi Pylla interpretoi vepra si: “12 Impressionistic Sketches” të Allan Willcocks dhe Tilman Hoppstock, “Homenaje a Debussy” dhe “Danza del Molinero” nga kompozitori  Manuel De Falla, “Due Canzoni Lidie” nga kompozitori Nuccio D’angelo, “Sonata për kitarë op.47“ nga A.Ginastera, duke kapur kështu dukshëm vëmendjen e çdo njeriu të pranishëm për të dëgjuar nga afër botën melodike të kitaristit, aty ku dhe shihej më së miri talenti i tij i cili në çdo vepër dilte jashtë për të përshëndetur secilin njeri në publik.

Po ashtu, në këtë mbrëmje si artistë të ftuar ishin dhe violinisti Rron Bakalli dhe baritoni Shaban Behramaj, të cilët së bashku me kitaristin Pylla, sollën veprën “Danza Espanola no.5” nga kompozitori Enrique Granados si dhe veprën premierë që vjen si porosi e festivalit ReMusica, e titulluar “Experior” e kompozuar nga Ersan Januzi. Ndërlidhja kitarës, violinës dhe vokalit vjen si një formacion jo i zakonshëm por që la mbresa të shumta e të veçanta në këtë mbrëmje. Tre trupa në skenë që ishin në posedim të tre talenteve, interpretuan këto dy vepra në një mënyrë tejet brilante, me ç’rast telat e kitarës dhe violinës dridheshin nën duart e pronarëve, ndërsa vokali i baritonit Behramaj dëgjohej me një kujdes të veçantë nga ana e publikut.

Ndërsa, vepra e njohur “Njëzet e pesë gërsheta” nga kompozitori Rafet Rudi, ishte veçantia e kësaj mbrëmje, ku ndonëse dallohej si më e shkurtra nga të gjitha veprat tjera, ajo la një gjurmë të ëmbël në skenë dhe jo vetëm. Në anën tjetër, ishte delikatesa e butë e kitaristit Pylla, ajo që vallëzonte si një hije e mëndafshtë mbi tërë instrumentin e kitarës, për të sjell kështu një program modern i cili do të mbahet mend për shumë gjatë si një nga programet më unike të festivalit ReMusica, ngase secila vepër qysh nga fillimi e deri në fund, fillonte si zjarri i qiririt dhe përfundonte në mënyrë precize dhe të saktë, si ndezja e një çibriti.

Fotografia: Rrahman Osmani

Pas gjithë kësaj nate ishte publiku në një numër të shumtë, ai i cili duartrokitjet dhe brohoritjet nuk i kurseu, duke e rikthyer në skenë përsëri kitaristin i cili me një buzëqeshje falënderonte për prezencën e tyre.

Fotografia: Rrahman Osmani

Për të treguar më shumë rreth programit si dhe përshtypjeve të tij për këtë mbrëmje, për KultPlus foli kitaristi Lorik Pylla.

“Ishte një atmosferë mjaft e mirë dhe e ngrohtë duke nisur qysh nga ndriçimi dhe gjithçka çfarë kanë bërë me skenën në këtë festival në një mënyrë profesionale, duke më bërë dhe mua të ndihem mjaft mirë. Ajo se çka më la më së shumti përshtypje është mikpritja e publikut të një programi mjaft eksperimental që e kam zgjedh me performu sonte, ngase është një muzikë moderne, muzikë të cilën unë e adhuroj shumë dhe më erdh mirë që edhe publiku e priti në një mënyrë mjaft të mirë”, thotë Pylla.

Sipas tij, muzika klasike moderne është njëra ndër adhurimet e tij dhe si pasojë edhe kitara është një instrument i dedikuar për të ardhmen dhe ai po beson dhe shpreson se kompozitorët të shkruajnë sa më shumë për këtë instrument për arsye të mungesës së një repertori.

“Deri më tani asnjëherë nuk kam luajtur një vepër premierë dhe sonte më erdhi rasti. Ishte një ndjenjë mjaft e mirë që iu dha rasti kompozitorit Ersan Januzi që atij t’i luhet vepra në prezencë fizike. Shpresoj se i ka pëlqyer. Ndërkaq, unë po ndihem mjaft mirë që jam pjesë e këtij edicioni, pasi që ky edicion i dedikohet mbrojtjes të natyrës dhe njëra nga veprat e luajtura sonte, kishte pikërisht këtë tematikë. Isha me fat që isha pjesë e këtij edicioni të festivalit ReMusica, e sidomos pas dy viteve pa publik, në këtë herë me publik, unë isha pjesë dhe ishte një ndjenjë tejet e veçantë”, thotë Pylla.

Fotografia: Rrahman Osmani

Po ashtu, baritoni Shaban Behramaj për KultPlus tregoi se kjo është hera e parë që ai performon si një solist në festivalin ReMusica.

“Së pari unë jam edhe pjesë e festivalit ReMusica dhe pa diskutim jam shumë i lumtur që festivali sivjet po rikthehet në formën fizike para publikut, që është diçka shumë e bukur duke pasur parasysh që dy vitet e kaluara kemi qenë online dhe normalisht ndjenja nuk është e njëjtë. Unë sonte pata mundësinë dhe kënaqësinë që po ashtu sonte të performoj në këtë festival si mysafir në koncertin recital të Lorik Pyllës, një kitarist i mrekullueshëm i ri dhe i talentuar, i cili vepron dhe jeton në Gjermani. Për mua është një ndjenjë tepër e veçantë për të performuar në skenën e ReMusicas pasi që është hera e parë që performoj si solist”, thotë Behramaj.

Sipas tij, veçantia e programit është që tematika jo vetëm e kësaj nate por e komplet edicionit, është lidhja direkte me ndryshimet klimatike, me ç’rast dhe vepra premierë e kompozitorit Ersan Januzi po ashtu lidhet me këtë tematikë. Po ashtu, një tjetër veçanti është bashkimi i kitarës, violinës dhe vokalit, një formacion jo i zakonshëm por i cilësuar si mjaft i lezetshëm.

“Më së shumti sonte më la përshtypje fakti që publiku ishte në një numër shumë të madh dhe fakti që publiku ka qëndruar deri në fund të koncertit duke marrë parasysh muzikën jo shumë të popullarizuar tek ne. Kjo për mu është shumë mbresëlënëse. Ndërkaq, performimi i një vepre premierë sonte ishte një ndjenjë e veçantë për shkak se është pothuajse si një vulë e vazhdimësisë së kësaj vepre në gjeneratat e ardhshme”, përfundon Behramaj.

Kujtojmë se edicioni i 21-të i festivalit ReMusica, “The Sound of Change”, trajton temën e ndryshimeve klimatike dhe bën thirrje për ndërgjegjësim tek publiku për veprim klimatik. E gjithë kjo, është reflektuar në programin e sivjetmë, duke u kujdesur që përmbajtja e tij të orientohet në këtë temë, me fokus në katër elementet e natyrës – Toka, Uji, Ajri dhe Zjarri.

Festivali ReMusica do të zgjasë deri më 21 prill. Ndërsa, sonte duke filluar nga ora 20:00 në Sallën e Kuqe vjen koncerti i radhës me kuartetin harkor Selini Quartet  nga Austria si dhe artisët e ftuar si: Zana Abazi Ramadani dhe Edon Ramadani.

 Fotografia në ballinë: Rrahman Osmani / KultPlus.com

“Syrene Saxophone Quartet” me komunikim të veçantë muzikor bëri hapjen e festivalit ReMusica

Era Berisha

Edicionin e tij të 21-të, festivali ReMusica e nisi mbrëmë me një interpretim nga kuarteti i saksofonëve nga Holanda, “Syrene Saxophone Quartet”, që për publikun solli vepra mjaft interesante. Këto vepra që ngërthyen në vete temën e ujit, u interpretuan me një elegancë dhe hijeshi të pakrahasueshme, me ç’rast ky kuartet me të vërtetë lëvizi si rrjedhë e ujit përgjatë gjithë këtij koncerti, për të sjell kështu vepra të cilat aq butësisht hynin në shpirtin e pranishëm, shkruan KultPlus.

Salla e Kuqe ishte vendi i cili mbrëmë mirëpriti koncertin e parë të festivalit, ku me gjithsej dymbëdhjetë reflektorë të kaltër, dritat e ngrohta që vinin nga lart, dhe skena e ndriçuar në një rreth të veçantë për interpretueset, bëri që akoma pa nis ky koncert, publiku të jetë pjesë e tij. Ndërkaq, me shkronja të mëdha dhe perde të zeza të vendosura prapa, ishte emri i festivalit që erdhi në ngjyrë të gjelbër ku pothuajse dukej se po frymonte nga posedimi gjallërues që përmbante.

Hapjen e festivalit ReMusica e nisi drejtoresha artistike, Donika Rudi, e cila është shprehur se po ndjen një kënaqësi të madhe pas mungesës fizike që zgjati për dy vite.

“Është shumë kënaqësi që po ju shoh sonte këtu. Ka dy vite që po e presim këtë natë. Këtë vit shënohet 21 vjetori i festivalit. Vitin e kaluar, me shënimin e 20 vjetorit kemi planifikuar një mori koncertesh e aktivitetesh, por në minutë të fundit, u anuluan të gjitha ngase ato erdhën vetëm në formatin online. Festivali këtë vit trajton një temë të veçantë ku i kemi katër elemente të natyrës si: toka, ajri, uji dhe zjarri. Në këtë formë, është ndërtuar dhe gjithë programi që është para jush. Pra, sonte tematikën e kemi me ujë, prandaj edhe sirenat i kemi sonte këtu”, thotë Rudi.

Sipas saj, netët e tjera do të vazhdojnë me këtë tempo e ritëm. Ndërkaq, në koncertin e fundit e paraparë është edhe një vepër e një kompozitori ukrainas, Maxim Shalygin, që vjen e shkruar qysh vonë, në mënyrë që solidarizimi të jetë i pranishëm edhe në këtë festival.

Fotografia: Rrahman Osmani

Pas kësaj hapjeje, me veshje në ngjyrë të kuqe e të pembe, në skenë doli kuarteti i saksofonëve “Syrene”, që pas pak do të pushtonte skajet e gjithë sallës me tinguj të fuqishëm por edhe të butë e komplekse. Në një ndërlidhje me qetësinë absolute të të pranishmëve, erdhi  vepra e parë e titulluar “Water music – Suite No.1 in F Major” e kompozitorit George Frideric Handel si dhe vepra e dytë “The Waves”, nga kompozitori Jacob Ter Veldhuis.

Katër saksofona që shndrisnin në ngjyrë ari arritën që të vjedhin vëmendjen e gjithsecilit. Të lëshuar nga agresiviteti, meloditë e zhveshura që po pasonin, herë vallëzonin në një butësi që rrëshqiste lehtazi në atmosferë e herë tjetër shndërroheshin në një cikël prej lozonjareve.

Pas këtyre dy veprave aq bukur të luajtura, Kuarteti i saksofonëve “Syrene” iu drejtua publikut për t’i thënë se ato me të vërtetë po ndihen krenare që po performojnë për herë të parë në Prishtinë.

“Faleminderit shumë për duartrokitjet tuaja. Jemi shumë të lumtur që luajmë këtu në Kosovë, në këtë mjedis. Ne ndihemi shumë të mirëpritur këtu dhe njerëzit janë shumë të mirë. Është hera e parë që luajmë këtu në Prishtinë, prandaj jemi shumë të nderuara që jemi këtu dhe luajmë për ju. Kemi vizituar edhe Universitetin e Prishtinës, ku i mësuam talenteve të reja, saksofonin”, thotë “Syrene”.

Sipas tyre, ato u ndjenë shumë të lumtura që kanë ndarë njohuritë e tyre për muzikën në ato mësime, pasi në të njëjtën kohë ato kanë ndarë edhe dashurinë e tyre për muzikën.

“Pjesa tjetër quhet “An American in Paris” nga kompozitori holandez George Gershwin. Vendi ynë, Holanda, është i rrethuar nga deti, dhe pjesa më e madhe e tokës është nën nivelin e detit, kështu që kur kemi të bëjmë me ndryshimet klimatike dhe niveli i ujit shkon më lart, shumica e tokës do të jetë në ujë. Për shekuj me radhë, ne po luftojmë kundër ujit ose thjesht po jetojmë me të. Në këtë pjesë po shkojmë vërtet në ‘ujë’, pak a shumë, prandaj është një pjesë e gjatë ku koha zhduket. Ideja është përjetimi i juaj ku ju jeni në ujë dhe deti është i pakohshëm”, thotë tutje “Syrene”.

Fotografia: Rrahman Osmani

Përgjatë pothuajse dy orëve, kuarteti dëshmoi se audioja e çdo dridhjeje që pason nga interpretimi në saksofon, timbri i pasur kualitativ, ndryshimi i dinamikës dhe teknikat e avancuara, janë vetëm disa nga magjitë e vogla të cilat krijojnë një madhështi hyjnore që publiku ka rastin të dëgjojë nga afër.

Energjia e tyre dhe komunikimi që ato kanë mes vete bëri që ky koncert të jehojë dyfish më shumë. Duke nisur nga lëvizjet trupore të tyre që herë afroheshin afër instrumentit dhe herë tjera sa më larg tij, lëvizjet e duarve dhe këmbëve në ritëm me meloditë, shikimet herë pas here në notat para tyre si dhe harmonia që ka zënë vend qysh në sekondën e parë, dëshmoi për talentin e tyre që nën heshtje derdhej dalëngadalë, porsi vala në breg të detit.

Në anën tjetër, përpara se vepra e fundit e kompozitorit Douwe Eisenga të fillonte, kuarteti përsëri mori fjalën.

“Kjo është pjesa e fundit që do të interpretojmë sonte për ju. Kjo vepër është kompozuar nga një kompozitor holandez. Është një material muzikor i vogël i cili ndërtohet mbi njëri-tjetrin. Ne thjesht duam të themi se jemi të lumtura që jemi këtu dhe nëse keni dëshirë që të na merrni me vete në shtëpi, atëherë në dispozicion janë edhe dy CD-të tona që po ashtu përmbajnë pjesët që u interpretuan sonte por edhe mjaft të tjera”, thotë “Syrene”.

Fotografia: Rrahman Osmani

Kështu, krejt në fund koncerti i kuartetit të saksofonëve “Syrene”, përmbylli natën e mahnitshme me një performancë të një vepre e cila me tinguj joshës depërtoi edhe në zemrën e të gjithë të pranishmëve duke i dërguar ata në shtëpi me kujtime aq bukur të krijuara nga ky kuartet.

Ndërkaq, kujtojmë se edicioni i 21-të i festivalit ReMusica, “The Sound of Change”, trajton temën e ndryshimeve klimatike dhe bën thirrje për ndërgjegjësim tek publiku për veprim klimatik. E gjithë kjo, është reflektuar në programin e sivjetmë, duke u kujdesur që përmbajtja e tij të orientohet në këtë temë, me fokus në katër elementet e natyrës – Toka, Uji, Ajri dhe Zjarri.

Festivali ReMusica do të zgjasë deri më 21 prill. Ndërsa, sonte duke filluar nga ora 20:00, vjen koncerti i radhës “ReNEW” me kitaristin Lorik Pylla dhe artistët e ftuar si: Shaban Behramaj dhe Rron Bakalli.

Fotografia në ballinë: Rrahman Osmani / KultPlus.com

Fotografia: Rrahman Osmani

“The shound of change”, publikohen datat e mbajtjes së festivalit ‘ReMusica’

Tashmë janë bërë publike datat e edicionit të 21-të të Festivalit Ndërkombëtar të Prishtinës ‘ReMusica’, shkruan KultPlus.

‘ReMusica’ këtë vit do të mbahet përgjatë datave 5 deri më 13 prill të këtij viti në Prishtinë.

Kujtojmë se edicioni i 20-të i këtij festivali ishte mbajtur në formatin online ku të gjithë pjesëmarrësit kanë performuar nga vende e skena të ndryshme./ KultPlus.com

Përfundon festivali ‘ReMusica’, Rudi: Takimi jonë fizik u pamundësua, por vullnetin për të sjellë koncerte te tilla asgjë s’mund ta ndalë

Flonja Haxhaj

Artistët e shquar nga Franca, Pierre Fouchenneret në violinë dhe Theo Fouchenneret në piano, përmbyllën natën e fundit të festivalit ‘ReMusica’ mbrëmë. Ata sollën perlat franceze duke interpretuar vepra të Schumann, Bartok dhe Faure në koncertin e titulluar ‘The French Touch’, shkruan KultPlus.

Veprat e shquara franceze e kompletuan edicionin e sivjetëm të ‘ReMusica’ që zgjati nga 13 deri më 22 shtator.

Edicioni jubilar i festivait ‘ReMusica’ u hap me dokumentarn me regji të Hana Agimit, ‘ReMusica 20 vjet’, e cila pasqyron këtë festival në 20 vite të realizmit. Ky dokumentar shfaqi fytyra të njohura që kishin kontribuar në formimin e këtij festivali përgjatë këtyre 20 viteve.

Drejtoresha e këtij festivali, Donika Rudi, në një përgjigje për KultPlus thotë se pavarësisht se ky edicion ka qenë Edicion Hibrid (i kombinuar), për shkak të situatës me koronavirus, është arritur të mbahet ajo rrjedhë që ishte planifikuar.

“Përkundër sfidave organizative që kishim me masat të cilat u vendosën në prag të këtij edicioni jubilar, edicionin e 20-të kemi arritur që për një kohë shumë të shpejtë të ri-adaptojmë programin dhe të gjejmë mundësi që për një kohë shumë të shkurtër të mbajmë rrjedhën që kishim planifikuar.”- deklaron Rudi.  

Një mori aktivitetesh përgjatë këtyre ditëve të festivalit, u mbajtën me prezencë fizike si punëtoritë dhe  ligjëratat, kurse pjesa tjetër e koncerteve u mbajtën virtualisht.

Përveç Pierre dhe Theo Fouchenneret që sollën perlat e muzikës franceze, natën e parë të festivalit, publiku pati mundësinë të shijojë koncertin recital të sopranos kosovare, Elbenita Kajtazi nën shoqërimin e pianistes Camille Lemonnier ku u interpretuan vepra të kompozitorëve të shquar vendorë e ndërkombëtarë. Pianistja shqiptare, Merita Rexha-Tërshana solli emocion të pashoq me koncertin ‘Frymë shqiptare’ duke interpretuar vepra të njohura të kompozitorëve shqiptarë. Kompozitori, Ilir Bajri solli ‘ReCreate and RePlay’, artistet kosovare, sopranoja Kaltrina Miftari dhe Tringa Sadiku në kitarë prezantuan me emocione të papërsëritshme perlat e epokës elizabetiane. Përveç këtyre, në festivalin ‘ReMusica’ u paraqitën edhe ansambli evropian, Asasello String Quartet dhe Holger Maik Mertin.

“Artistët erdhën në Kosovë ashtu siç e kishim planifikuar, megjithatë koncertet u zhvilluan pa publik përderisa pjesa tjetër e aktiviteteve u mbajt ashtu sic kishte qenë e planifikuar me numër të kufizuar. Eshtë fjala për punëtoritë të cilat filluan një javë para hapjes së ReMusica.’- shton tutje Rudi për KultPlus.

Për fund, Rudi shton se pavarësisht kufizimeve të pandemisë, vulnnetin për të sjellë koncerte të tilla nuk mund ta kufizojë asgjë.

“Takimi jonë fizik, këtë vit u pamundësua. Përqafimet e ngrohta na u limituan, por vullnetin dhe dashurinë që t’ju sjellim koncerte dhe programe tē larmishme me artistë të shquar nga vendi dhe bota, asnjëherë dhe asgjë nuk do t’mund ta ndalë e kufizojë.” – shtoi ajo./KultPlus.com

Kryeministri Kurti: ReMusica ka kuptimin e muzikës së re, por edhe të ringjalljes dhe rindërtimit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka cilësuar ‘ReMusican’ si një festival që ka kuptimin e muzikës së re, të ringjalljes dhe rindërtimit, përcjell KultPlus.

Kurti përmes një postimi në rrjete sociale ka shkruar se ky festival u bë bë një ndër shtyllat kryesore të zhvillimit të jetës kulturore artistike në Kosovë, duke promovuar krijimtarinë e kompozitorëve të Kosovës dhe duke mundësuar ballafaqimin e natyrshëm të krijuesve vendor me ata botërorë.

KultPlus ua sjell postimin e plotë të tij:

ReMusica ka kuptimin e muzikës së re, por edhe të ringjalljes dhe rindërtimit.

Në pranverën e vitit 2002, kur natyra po ringjallej, e Prishtina po rindërtonte jetën kulturore të pas luftës, Rafet Rudi me bashkëpunëtorët e tij, sollën festivalin ReMusica.

Festivali Ndërkombëtar i Muzikës së Re u bë një ndër shtyllat kryesore të zhvillimit të jetës kulturore artistike në Kosovë, duke promovuar krijimtarinë e kompozitorëve të Kosovës dhe duke mundësuar ballafaqimin e natyrshëm të krijuesve tanë me ata boterorë.

Gjatë këtyre viteve, krahas koncerteve me artistë kulminant të skenës ndërkombetare, ReMusica solli edhe programin tematik “Veprat e reja pedogogjike për instrumente”.

Në përmbyllje të edicionit të 20-të të ReMusica, falënderoj organizatorët dhe krijuesit për themelimin e ngritjen e këtij festivali që pasuron jetën kulturore e artistike të vendit dhe literaturën tonë pedagogjike./KultPlus.com

Sonte në festivalin “ReMusica” interpretojnë Visar Kuçi në violinë dhe Lirika Pula në piano

Sonte në kuadër të edicionit të 19-të special të festivalit “ReMusica” do të mbahet koncerti me artistët nga Kosova, Visar Kuçi në violinë dhe Lirika Pula Kasapolli në piano. Koncerti do të filloj në orën 21:00, shkruan KultPlus.

Visar Kuçi është koncert-mjeshtër i Orkestrës Simfonike të Filharmonisë së Kosovës, pjesëtar i rregullt i Mannheimer Philharmoniker dhe ish profesor asistent në Universitetin e Prishtinës.

Si solist aktiv, mysafir si koncert-mjeshtër dhe pjesëtar i ansambleve të muzikës kamertale, Kuçi perfromoi me dirigjent dhe instrumentist të spikatur sic janë Tondre, Rave, Zado, Kowalsky, Messana, Briones, Büchler dhe Videnoff. Veçohen pjesëmarrjet në festivalet e Klangzeit, Münsterlandfest, Off Europa Festival, ReMusica, Dam and Chopin Fest.

Përderisa Lirika Pula Kasapolli, aktualisht është pianiste korepetitore pranë Fakultetit të Muzikës në Prishtinë. Ajo është një ndër pianistet kolaborative me të spikatura në vend.

I pëlqen të bashkëpunojë me instrumentistët harkor dhe jo vetëm, për te është gjithmonë kënaqësi të njohë dhe studiojë programe të reja e posaçërisht ato të këndimit lirik. Pas viteve te studimit ajo pati një numër të madh pjesëmarrjesh në festivale në Kosovë dhe rajon./ KultPlus.com

Sonte në festivalin “ReMusica” interpretojnë Besa Llugiqi soprano dhe Misbah Kaçamaku në piano

Sonte në kuadër të edicionit të 19-të special të festivalit “ReMusica” do të mbahet koncerti me artistët nga Kosova, Besa Llugiqi soprano dhe Misbah Kaçamaku në piano. Koncerti do të filloj në orën 21:00, shkruan KultPlus.

Besa Llugiqi është soprano e shquar nga Kosova. Ajo është fituese e “Grand Prix”-it të konkursit “Elena Nikolai”, ku është vlerësuar nga juria profesionale si “zë i bukur, teknikë e mrekullueshme dhe interpretim i lartë estetik”.

Llugiqi përpos paraqitjeve të saj në vend dhe jashtë deri më tani ka performuar role të shumta, ku veçohen Donna Elvira në “Don Giovanni” (W.A. Mozart), Mimi në “La Boheme” (G. Puccini), Lucia në “Lucia di Lammermoor” (G. Donizetti), Lauretta në “Gianni Schicch” (G. Puccini) etj. Me interpretimin e Inës nga shfaqja “L’afriqaine” Llugiqi arriti të ndërtojë “një rol dhe aktrim shumë bindës, një vokal me shumë pushtet”, citon “Das Opernglas”.

Ndërsa Misbah Kaçamaku nga shkolla ruse, Akademia e muzikës “Gnjesinih”, ai vazhdoi udhëtimin e tij edukativ të specializimit në konservatorin Josef Haydn në Eisenstadt. Studimet postdiplomike i kreu në Fakultetin e Artit Muzikor në Shkup, ku edhe i përfundoi studimet e doktoratës./ KultPlus.com

Me moton “Të ngriteni” fillon edicioni i 19-të i festivalit ‘ReMusica’, trajtohet shpresa dhe nevoja për ringjallje

Suada Qorraj

Minutat e para të festivalit “ReMusica” këtë vit filluan ndryshe, nuk kishte një sallë të mbushur me njerëz, nuk mund të dëgjoje duartrokitjet, e as të shihje emocionet në fytyrat e publikut. Ishin Donika dhe Viktori ata që përmes një video bënë shpalosjen e programit të katërmbëdhjetë netëve të festivalit, nën moton “Të ngriteni”, që në vetvete përmban një qëllim të vetëm, shpresën dhe nevojën për ringjallje, shkruan KultPlus.

Të ulur përballë një publiku që nuk e shihnin dot, në skenën prestigjioze të sallës Het Concertgebouw Amsterdam, katërshja e grupit Ebonit Saxophone Quartet, Dineke Nauta, Alberto Tara Alcaniz, Paulina Culesza dhe Matuesz Pusiewicz, shënuan hapjen e edicionit të 19-të të ReMusicas.

Mbrëmjen e filluan me tingujt e kuarteti të vargjeve të operës 44 të Mendelssohnit, vepër kjo që kishte një melodi të lehtë e tepër sensuale. Katërshja e ansamblit përmes lojës me sakosofonët tyre, përcollën ndjeshmëri dhe frymëzim përgjatë interpretimit të kësaj vepre.

Duke mos ju larguar një prej elementeve që e bënë “ReMusica” të veçantë, përfaqësimit të krijimtarisë së kompozitorëve shqiptar, ansambli Ebonit Saxophone Quartet, në mes të heshtjes, dritave që mbushin skenën dhe i jepnin asaj ngrohtësinë e magjinë që i nevojitej, solli përballë ekraneve të publikut, që nuk kufizohej në një shtet të vetëm, veprën monumentale “Humorusques” të Rafet Rudit.

Në sallën ku artistët kishin nuk kishin ndërruar vendet që nga fillimi i këtij festivali, tashmë kishin filluar të dëgjoheshin tingujt e parë të sonatës së Bartokut, “Transylvanian Dances”. Kjo vepër ishte shkruar në vitin 1915 kur kompozitori kishte mbledhur meloditë popullore të Rumanisë, nga shtëpia e bastionit legjendar të vampirëve në Translivani.

Njëlloj sikur historia e sonatës, që është po aq e jashtëzakonshme sa dhe e mistershme, ishin edhe minutat përgjatë të cilave kjo vepër kishte pushtuar sallën e zbrazët, e ekranet e secilit prej nesh.

Ansambli Ebonit Saxophone Quartet ndonëse larg Prishtinës, vendit ku që nga ditët e para të organizimit të këtij festivali duhej të vinin e të shënonin hapjen e këtij festivali, shprehen të lumtur për faktin që arritën të merrnin pjesë në edicionin e tij online.

“Disa muaj më parë ne u ftuam nga drejtoresha artistike e ReMusica Festival, Donika Rudi për të ardhur në Kosovë, Prishtinë për të luajtur koncertin e hapjes. Fatkeqësisht për shkak të pandemisë COVID -19, ne nuk mund të udhëtonim dhe të takonim audiencën kosovare personalisht. Sidoqoftë ne jemi shumë mirënjohës për organizimin mahnitës të ReMusica i cili doli me një edicion sekular në internet të festivalit”, kanë deklaruar ata për KultPlus.

Por, nata e parë e “ReMusica” nuk përfundoi këtu, për publikun tashmë ishin përgatitur të luheshin vepra që i kishin qëndruar kohës, por dhe të atilla që në sallën Het Concertgebouw Amsterdam patën premierën e parë.

Katërshja e ansamblit tashmë kishte filluar të luante tingujt e parë të veprës “Po vijn’ krushqit”, duke shënuar kështu edhe premierën e saj. E shkruar posaçërisht për festivalin “ReMusica”, vepra e kompozitorit shqiptar Kushtrim Gashi, përmbante në vete elemente të këngëve të vjetra që luheshin në dasmat shqiptare.

Gashi ka treguar se këtë vepër fillimisht e kishte punuar për ansambël vokal, e më pas e kishte përpunuar edhe për kuartet të saksofonave. Sipas tij pjesa që është luajtur mbrëmë është e njohur për ne, por tashmë i është shtuar fryma aktuale.

“Në  fakt këtë vepër e pata punuar edhe për ansambël Vokal, e meqenëse ishte kohe e shkurtë, kam bërë pastaj një përpunim edhe për Kuartet Saxofonave, që në fakt i bie, ka qenë premierë për këtë Kuartet. Pjesa është në fakt e njohur për ne, por jam munduar pakëz me e sjell ne një fryme ma aktuale, por edhe që i përgjigjet instrumentit, në këtë rast, Saksofonit. Prej ritmit tradicional, ballakanas në përgjithësi, që është 7/8, kam kthyer në ritmin e rregullt 4/4, e që është pakëz më e kapshme edhe për vet Kuartetin, pavarësisht qe ata ishin tepër profesionist” ka thënë ai.

Drejtoresha e këtij festivali, Donika Rudi shprehet e lumtur që nata e parë e “ReMusica” kishte filluar me ansamblin profesional Ebonit Saxophone Quartet. Njëkohësisht ajo e konsideron një privilegj të madh, faktin që hapja e festivalit u bë nga dy vepra të mrekullueshme kosovare.

“Koncert fantastik nga ansambli Ebonit Saxophone Quartet në hapje të edicionit të 19 të ReMusica Festival! Jemi shume të lumtur që i kishim në hapjen e ReMusicas këtë vit një ansambël të tillë, aq profesional dhe aq të përgatitur. Jemi të lumtur që ndër të tjerash kishim dy vepra të mrekullueshme nga Kosova, e posaçërisht ajo e kopozitorit Kushtrim Gashi që ishte vepër e porositur dhe premierë në ReMusica”, ka thënë Rudi për KutlPlus.

Ajo nuk ka lënë pa përmendur edhe faktin që nata e parë e festivalit ndërkombëtar “ReMusica” është përcjellur nga një numër i madh i njerëzve në shtete të ndryshme të botës.

Festivali që për më shumë se një orë kishte përçuar kënaqësi e në të njëjtën kohë magjinë që mbante salla prestigjioze e Amsterdamit, shëmoi përfundimin e saj nën tingujt e kuartetit të saksofonit.

Krejt në fund Ebonit Saxophone Quartet shtoi se ishte një nderë që kishte bërë regjistrimin e koncertit në sallën e bukur të Concertgebouw në Amsterdam, mirëpo ata mezi presin që vitin tjetër të jenë prezent në Prishtinë.

‘Ka qenë një kënaqësi dhe nder i madh duke bërë regjistrimin e koncertit tonë në një sallë të bukur të Concertgebouw në Amsterdam. Ne përgatitëm një program që përfshinte muzikë kosovare të shkruar posaçërisht të rregulluar për këtë rast! I urojmë audiencës tonë një mbrëmje të mrekullueshme dhe shpresojmë që vitin e ardhshëm të jemi në gjendje të kthehemi në Prishtinë, por këtë herë personalisht”, ka përfunduar kështu ansambli.

Nesër do të vazhdoj nata e dytë e Festivalit “ReMusica”, e cila para publikut do të sjellë sopranon e njohur Besa Llugiqi dhe pianistin Misbah Kaqmaku, në Sallën e Kuqe të Prishtinës, ku do të interpretohen vepra monumentale të huaja, por edhe shqiptare. Koncerti ashtu si në natën e parë fillon nga 21:00 dhe transmetohet në Klan Kosova si dhe live në faqen e ReMusica./ KultPlus.com

Përfaqësimi i krijimtarisë së kompozitorëve shqiptarë në “ReMusica” ndër vite

Një ndër karakteristikat kryesore të Festivalit “ReMusica” ka qenë dhe mbetet përfaqësimi i krijimtarisë së kompozitorëve shqiptarë. Mu për këtë festivalin “ReMusica” shpeshherë e kanë karakterizuar si “festival kompozitorial”.

“Prezantimin e krijimtarisë tonë në një konkurrencë të denjë ndërkombëtare e kemi konsideruar si mundësi të mirë për kompozitorët që krijimtarinë e tyre ta ballafaqojnë në një konkurrencë të tillë prestigjioze. Me këtë ata vazhdimisht kanë dëshmuar potencialin e tyre dhe njëkohësisht më këtë kanë ndihmuar në hapjen e kulturës sonë si kusht i domosdoshëm për vitalitetin e saj”, thuhet nga organizatorët.

Në të gjitha edicionet e festivalit, kujdes i madh i është kushtuar veprimtarisë së kompozitorëve të rinj dhe shënimit të përvjetorëve të kompozitorëve tanë të gjeneratave më të vjetra.

Afër 400 vepra të autorëve shqiptarë të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut kanë parë dritë në këto nëntëmbëdhjetë vite të jetës së festivalit. Madje, një numër i madh i tyre janë porosi e festivalit! Të gjitha këto vepra, të regjistruara me standard profesional, sot ruhen në arkivin e festivalit si një thesar i çmueshëm.

Pamëdyshje, Festivali “ReMusica” ka arkivin më të ruajtur dhe më të kompletuar të krijimtarisë së kompozitorëve shqiptarë të tubuar në një vend, të periudhës së pasluftës. / KultPlus.com