‘Festivali Teatrove Ferizaj’ i reagon MKRS-së: Refuzimi si akt qëndrese e solidariteti

Festivali Teatrove Ferizaj ka reaguar ndaj konkursit publik për mbështetje financiare të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ku ky festival nuk është mbështetur, përcjell KultPlus.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, FTF shkruan se do të refuzojnë çdo përpjekje të vonuar të MKRS-së për të ndihmuar, e këtë shenjë refuzimi ata do ta kthejnë në akt solidariteti në edicionin e 53-të të këtij festivali.

Në vijim KultPlus ua sjell postimin e plotë të ‘Festivali Teatrove Ferizaj’

REFUZIMI SI AKT QËNDRESE E SOLIDARITETI

Qasja e zgjidhjeve të problemeve në kulturë, përmes improvizimeve e përmes ‘fiskulturave’ të llojit ‘Deux ex Machina’, jo vetëm që nuk është serioze, por është padyshim edhe e rrezikshme.

Në konkursin publik për mbështetje financiare, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka rezufuar ta financojë mbajtjen e edicionit të 53-të të Festivalit të Teatrove në Ferizaj (FTF), e ka refuzuar me vetëdije të plotë. Pas secilës fazë refuzimi, organizatorët e FTF-së kanë pritur të hutuar, por me durim, një përgjigje zyrtare e një shpjegim logjik e bindës për këtë lëshim si duket të qëllimshëm të MKRS-së. Por përgjigje nuk ka pasur.

Sigurisht që reagimi zyrtar nga FTF ka ndodhur pas një përpjekje që përmes ankimimit të gjejë mbështetjen më se të merituar nga MKRS. Por në vend të përgjigjeve zyrtare, nga MKRS vinin vetëm ca fjalë të thata, në formën e thashethemeve jozyrtare, për një “memorandum”, për diçka “afatgjate”… Fjalë boshe, të cilat jemi mësuar t’i dëgjojmë kaq shpesh, e më shpesh si forma të sofistikuara presioni e shantazhi. Pra, “silluni mirë, mos bëni zhurmë, se ne po mendojmë për ju, po mendojmë të gjejmë zgjidhje afatgjate, përmes një memorandum-dum-dum… e kështu ngjashëm”.

Organizatorët e Festivalit të Teatrove në Ferizaj e konsiderojnë jashtëzakonisht të dëmshme, shpërfillëse e jodemokratike qasjen e cilitdo autoritet, i cili në formë arbitrare, pa konsultimet e nevojshme, përpiqet të gjejë “zgjidhje’ për probleme e çështje të caktuara të cilat prekin komunitetin artistik, prekin të ardhmen e institucioneve të kulturës dhe prekin pavarësinë e këtyre institucioneve. Më në fund, a s’është ky mësim që Ministri i Kulturës besojmë se duhet ta ketë mësuar nga ato takimet e tij të fillimit me komunitetin artistik? 

Ja përse “fiskulturat” e MKRS-së për një lloj “memorandumi” nuk i marrim seriozisht, madje, i përbuzim, edhe atëherë kur ato paketohen e vijnë me tone ‘dashamirësie’. FTF e asnjë institucion tjetër i kulturës nuk ka nevojë për “dashamirësi”, as për “engjuj shpëtues” e “supermenë kulturorë” që premtojnë karrota për të sanuar problemet që vet i krijojnë. Ne kemi nevojë për komunikim të sinqertë, për bashkëpunim dhe për mbështetje konkrete.

Prandaj, ne e refuzojmë mbështetjen e vonuar ( të supozuar) të MKRS-së, e cila u propozua të vijë përmes këtij “memorandumi”. Idetë e ‘zorit’, që synojnë ‘të kryejnë punë’ e sa për të shuar zjarre të përkohshme, nuk janë të qëndrueshme. Prandaj, po, REFUZOJMË.

E këtë akt refuzimi ne duam ta kthejmë në akt solidariteti. Duam të dëshmojmë që ky festival – në edicionin e tij të 53-të – do të mbahet, dhe mund të mbahet, përmes solidaritetit të komunitetit artistik, përmes mbështetjes së sinqertë të artistëve tanë.

Ky edicion do të jetë triumf i solidaritetit dhe i qëndresës tonë artistike përballë secilit institucion shpërfillës, secilit autoritet arbitrar që nuk ka shfaqur as interesimin minimal të komunikimit të nevojshëm e të sinqertë./KultPlus.com

“The Handke Project” shfaqja më e mirë në FTF

Ministri Çeku mori pjesë në mbrëmjen përmbyllëse të Festivalit të Teatrove në Ferizaj.

Edicioni i 52-të u mbyll me shfaqjen “Koleksionisti i Syve” me regji nga Ben Apolloni dhe në fund u ndanë çmimet kryesore të festivalit.

Shfaqja më e mirë e këtij edicioni u zgjodh “The Handke Project”, nga Blerta Neziraj, çmim të cilin e ndau Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku. Kjo shfaqje po ashtu mori çmimin për regjinë më të mirë. Çmimi për aktoren më të mirë iu nda Ilire Vincës ndërsa aktori më i mirë u zgjodh Arben Bajraktari.

Festivali i Teatrove që mbështetet nga Ministria e Kulturës përgjatë një jave solli shfaqje dhe performanca artistike në qytetin e Ferizajit. /KultPlus.com

Programi i edicionit të 52-të të Festivalit Teatror të Ferizajt

Festivali Teatrove Ferizaj ka prezantuar programin për edicionin e 52-të, shkruan KultPlus.

Ky festival do të fillojë me shfaqjen “Memorandumi” nga Teatri Adriana, shfaqje e cila është nga Vaclav Havel me regji të Agon Myftarit.

Ndërkaq, shfaqja “Koleksionisti i Syve” nga Teatri Kombëtar i Kosovës do ta bëjë edhe mbylljen e këtij festivali.

Gjeni më poshtë edhe programin e plotë:

FTF, i cili më herët kishte ndryshuar datat, tani do të mbahet nga 1 tetori deri më 7 tetor. /KultPlus.com