Nis në Pogradec Festivali Ballkanik i Filmit dhe Kulinarisë

 Nis sonte në qytetin e Pogradecit, edicioni i 13-të i Festivalit Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë. Festivali do të zhvillohet nga data 20 deri 24 qershor.

Edicioni i vitit 2023 do të sjellë pranë qytetarëve e vizitorëve të Pogradecit, kineastëve dhe artdashësve nga vendi e rajoni, rreth 80 filma. Në program është parashikuar të projektohen filma të shkurtër, filma animacion, dokumentarë e filma të gjatë nga 11 vende të Ballkanit.

Veprat filmike përfaqësojnë Turqinë, Rumaninë, Shqipërinë, Kosovën, Serbinë, Bullgarinë, Kroacinë, Maqedoninë e Veriut, Slloveninë, Greqinë dhe Malin e Zi.

Këtë vit filmat do të shfaqen përgjatë 5 ditëve, në dy lokacione: programi i paradites do të shfaqet në kinemanë e qytetit, duke filluar nga ora 11.00. Programi i mbrëmjes do të fillojë nga ora 19.00, në lokacionin e dytë, pak metra larg liqenit të Ohrit, në Odeonin e mundësuar nga Bashkia Pogradec. Çdo mbrëmje aty do të shfaqen filma të vjetër shqiptarë të cilët janë restauruar së fundmi.

Edicioni i 13-të i Festivalit mundësohet falë mbështetjes së çmuar të Bashkisë Pogradec, Qendrës Kombëtare të Kinematografisë e partnerëve të tjerë./atsh/KultPlus.com

Prezantohet programi filmik i edicionit të 14-të të Anibarit

Festivali Ndërkombëtar i Animacionit – Anibar ka prezantuar programin filmik për edicionin e 14-të të festivalit, i cili do të mbahet në muajin korrik në qytetin e Pejës, shkruan KulPlus.

Programi filmik i këtij edicioni përmban diversitet tematikash të ndarë në nëntë kategori, ku shtat prej tyre janë në kategorinë garuese nderësa dy prej tyre janë jashtë garës.

“Për këtë edicion numri total i filmave të cilët kanë aplikuar ka qenë 1509 dhe pas një procesi të kujdesshëm vlerësimi janë përzgjedhur 138 filma prej të cilëve 125 do të jenë me karakter garues ku tre prej tyre janë prodhim i animatorëve kosovar, ndërsa 13 prej tyre do te jenë në kategori jo garuese”, thuhet në komunikatë.

 Filmat përfshijnë një spektër të gjërë temash, stilesh dhe teknikash të animacionit, dhe do të jenë të shpërndara në 9 kategori të listuara si në vijim:

Shtatë kategoritë me karakter garues janë:

1. Gara Ndërkombëtare me 18 filma

2. Gara e Studentëve me 24 filma

3. Gara Ballkanike me 7 filma

4. Gara e Video-Animacionit Muzikor me 30 filma

5. Kategoria e të Drejtave të Njeriut me 11 filma

6. Programi i audiencës së re me 31 filma

Ndërkaq Gara e Filmit të Metrazhit të Gjatë do të shpallet së shpejti!

Dy kategoritë jashtë garës

7. Panorama Jashtë Garës me 4 filma

8. Programi Eksperimental me 9 filma

Festivali Ndërkombëtar i Animacionit – Anibar, këtë vit do të mbahet në qytetin e Pejës në datat 17 deri 23 korrik./KultPlus.com

Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës, falas për të gjithë

Në prag të Festivalit Folklorik Kombëtar 2023, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, kujton se ky event i rëndësishëm që do të zhvillohet në kalanë e qytetit të Gjirokastrës, në një skenë të hapur për të gjithë, do të jetë falas.

Për më shumë se një javë, Gjirokastra do të jetë qyteti më turistik dhe kulturor, i hapur për të gjithë grupmoshat për të mirëpritur çdo artdashës, vizitor në kalanë historike dhe përgjatë gjithë qytetit përmes aktiviteteve të shumta dhe muzikës së Festivalit Folklorik Kombëtar.

“Ju presim në Gjirokastrën e bukur dhe turistike ku artistë nga i gjithë vendi, diaspora e më gjerë do të performojnë përgjatë 8 netëve në këtë qytet”, shkruan Margariti, në rrjetet sociale. Më herët, gjatë një interviste televizive, ministrja e Kulturës është shprehur se risia e këtij festivali do të jetë numri i madh i të rinjve që do të interpretojnë.

“Të rinjtë do të emocionojnë me performancat e tyre në Festivalin Folklorik Kombëtar në Gjirokastër duke dëshmuar se sa brezat e rinj e duan dhe e përqafojnë muzikën folklorike”, është shprehur Margariti./atsh/KultPlus.com

Festivali “Netët e Bejkës së Bardhë” rikthen traditën e isopolifonisë në Pilur

Për dy ditë me radhë (9-10 qershor), Piluri i Himarës u kthye në kryeqendrën e muzikës popullore.

Grupe të ndryshme të polifonisë morën pjesë në edicionin e katërt të festivalit “Netët e Bejkës së Bardhë”, ku nuk munguan as vallet popullore.

Pjesëmarrës në këtë festival ishin shumë grupeve folklorike nga jugu i vendit, ndërsa përshëndeti festivalin edhe grupi i Janinës.

I cilësuar si një festë e madhe e folklorit dhe kulturës, dy netët e këtij festivali me këngë e valle mes traditave baritore tërhoqën turistë të shumtë.

Organizatorët e këtij festivali synojnë ta përcjellin traditën e ipolifonisë ndër breza, bashkë me vlerat më të mira të zonës tashmë të vëna në funksion të turizmit./atsh/KultPlus.com

Ansambli ‘MATI’ nga Shqipëria fitues i festivalit ‘I këndojmë Lirisë’ në Klinë

Ansambli i këngëve dhe valleve “MATI” nga Shqipëria është shpallur fitues i edicionit të 21-të, të Festivalit Folklorik ‘I këndojmë Lirisë’, i cili i kushtohet heroit kombëtar Mujë Krasniqi-Kapuçit, shkruan KultPlus.

Çmimin kryesor “Mujë Krasniqi” të edicionit të 21-të të këtij festivali e ka fituar ansambli i këngëve dhe valleve “Mati” nga Shqipëria.

Vendin e dytë në këtë festival e ka marrë Qendra Kulturore “Anamorava” nga Vitia.

Vendin e tretë AKV “Kastriotët” nga Ferizaj, ndërsa çmimi i publikut i ka takuar ansamblit të këngëve dhe valleve “Minatori”.

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ka falënderuar organizatorët dhe pjesëmarrësit e festivalit duke thënë se si Komunë e kanë mbushur qëllimin  e tyre në organizimin e këtij festivali pasi është shumë domethënës në karakterin dhe cilësinë e Komunës së Klinës.

“Në emër të komunës së Klinës, si organizator i festivalit, i falënderoj grupin organizator për organizimin e shkëlqyeshëm të festivalit, jurinë për punën e tyre, pjesëmarrësit që ia kanë shtuar hijeshinë festivalit.

Ne si komunë e kemi mbështetur Festivalin Folklorik Mbarëkombëtar ‘I këndojmë lirisë’ duke bërë të mundshme që festivali ta përmbush qëllimin, sepse festivali për Klinën është shumë domethënës, për karakterin dhe cilësinë duke u bërë tashmë tradicional dhe identifikues dhe do të vazhdojmë ta mbështesim çdo herë”, ka shkruar Elezaj në facebook.

Kryetari Elezaj në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të festivalit, i cili i kushtohet heroit kombëtar Mujë Krasniqi-Kapuçit ka përkutuar të gjithë të rënët për liri.

“Qoftë i përjetshëm kujtimi për heronjtë e UÇK-së!

Lavdi të gjithë të rënëve për çlirimin e Kosovës!”, ka thënë Elezaj./KultPlus.com

Në Deçan organizohet festivali folklorik “Eshkë e ndezur mbi Shkëlzen”

Komuna e Deçanit organizon Festivalin gjithëkombëtar të folklorit “Eshkë e ndezur mbi Shkëlzen”, i cili iu kushtohet Rapsodëve Dervish Shaqa dhe Demush Neziri, shkruan KultPlus.

Festivali folklorik “Eshkë e ndezur mbi Shkelzen”, këtë vit do të mbahet më 15 dhe 16 qershor.

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, përmes një postimi në facebook, u ka uruar mirëseardhje adhuruesve të këngës folklorike./KultPlus.com

Fituesit e festivalit “Pianisti i ri” do të interpretojnë me Orkestrën e Forcave të Armatosura

Është mbyllur Festivali Ndërkombëtar “Pianisti i ri 2023”, organizuar nga Liceu Artistik “Jordan Misja” dhe Shoqata Europiane e Mësuesve të Pianos (EPTA).

Festivali në formën e një konkursi dinjitoz drejtuar artistëve të rinj pati një juri me emra të rëndësishëm të artit, siç ishte edhe kryetari i saj, Michele Campanella, pianist i skenave botërore. Personalitetet e tjera të jurisë ishin: Nadia Lasserson, Monica Leone dhe Nona Kostova.

Dy prej artistëve të rinj, që u vlerësuan më shumë nga juria ishin Era Kume dhe Armando Nunka.

Në këtë edicion të Festivalit “Pianisti i Ri”, përveç çmimeve të tjera, u ofruan edhe 3 çmime “Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura” për kategoritë C, D, E, F dhe G, ku fituesve do u jepet mundësia të luajnë vitin e ardhshëm, një vepër me Orkestrën Simfonike të Forcave të Armatosura./atsh/KultPlus.com

Edicioni i 14 i Anibarit, zhvillohet me temën e dashurisë ‘LOVE | DASHNI’ në qytetin e Pejës

Edicioni i 14-të të Festivalit i Animacionit Anibar, i cili këtë vit do të mbahet në qytetin e Pejës, në fokus do të ketë  temën e dashurisë  “LOVE | DASHNI”, shkruan KultPlus.

Përmes këtij edicioni të Anibarit synohet që të rikujtohet që dashuria nuk njeh kufij dhe si e tillë nuk mund të definohet.

Përmes një komunikate oraganizatorët e festivalit kanë bërë të ditur se këtë vit përmes këtij edicioni do të tentojnë të gërmojnë dimensionet e shumta të dashurisë, duke hedhur dritë në kompleksitetin e saj dhe duke zbuluar manifestimet e saj të ndryshme.

“Por mos kini frikë, kjo nuk është një mbretëri klishesh apo ëmëlsie sakarine. Ne gërmojmë në dimensionet e shumta të dashurisë, duke hedhur dritë në kompleksitetin e saj dhe duke zbuluar manifestimet e saj të ndryshme.

Përgjatë shtatë ditëve të festivalit, programi ynë artistik do t’ju zhysë në një kaleidoskop të çudirave të animuara, dhe përmes kësaj teme ne do të eksplorojmë fuçinë transformuese të lidhjeve njerëzore.

Bashkohuni me ne, ndërsa përqafojmë natyrën e shumëanshme të dashurisë, një forcë që tejkalon gjuhën dhe flet me thelbin e njerëzimit tonë. Le të festojmë format e panumërta që dashuria ndikon në jetët tona, ndez shpirtrat tanë, dhe na frymëzon për të qenë më të mirë, si individ dhe si shoqëri”, thuhet në një kounikatë të lëshuar për media.

Edicioni 1 14-të të Festivalit I Animacionit Anibar këtë vit do të zhvillohet në datat 17 korrik  deri 23 korrik 2023, në qytetin e Pejës /KultPlus.com

Festivali Folklorik Kombëtar rikthehet në Gjirokastër më 24 qershor

Në Sallën Blu të Teatrit të Operas e Baletit, ministrja e Kulturës, Elva Margariti shpalli datat e Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës. Eventi i një rëndësie madhore për artin e kulturën shqiptare do të mbahet nga data 24 qershor deri më 1 korrik. Festivali Folklorik Kombëtar kthehet në Gjirokastër pas 8 vitesh dhe do të ketë më shumë se 1200 pjesëmarrës.

“Tashmë jemi rikthyer në aktivitetet artistike kulturore pas pandemisë, me më shumë etje, për të sjellë një nivel të ri jo vetëm performance, por edhe një mendësi të re në përqafimin sidomos të brezave të rinj me festivalin e Gjirokastrës”, deklaroi gjatë konferencës për media, ministrja e Kulturës, Margariti.

Që kur nga Ministria e Kulturës u njoftua rikthimi i Festivalit Folklorik, në qarqe të ndryshme të vendit nisi puna përgatitore e grupeve artistike pjesëmarrëse. Shumë shpejt në qytetin e gurtë do të kemi mundësinë të shohim paradën e motiveve, ritmeve, ngjyrave, këngëve, valleve, riteve të cilat do të shpalosen në skenën emblematike të Kalasë së Gjirokastrës./atsh/KultPlus.com

‘Ekrani i Artit’, festivali i filmit që do të zhvillohet në oborret shkodrane

Oborret e bukura shkodrane do të kthehen në kinema të hapura e skena muzikore përgjatë 5 ditëve. Lajmin e jep ministrja e Kulturës, Elva Margariti, përmes fotove nga posterat e “Ekranit të Artit” që ndau në rrjetet sociale.

Bëhet fjalë për nisjen e edicionit të 6-të të Festivalit të Filmit “Ekrani i Artit”, me drejtor Adrian Pacin.

Festivali do të zhillohet për 5 ditë, në 5 vendqëndrime të ndryshme, përfshirë edhe një hapësirë buzë liqenit.

“Me kënaqësi e mbështetëm edhe këtë vit këtë festival, që bën bashkë filmin, muzikën e performancat artistike, duke i dhënë edhe më shumë jetë Shkodrës, këtij poli kulturor historik”, u shpreh ministrja Margariti.

Ndërkohë drejtuesi artistik i festivalit, Edi Muka ka deklaruar se ky edicion do të përqendrohet tek kinematografia suedeze.

Programi parashikon shfaqjen e 60 filmave. Ndër mbështetësit e këtij festivali janë Ambasada Italiane dhe Instituti Italian i Kulturës./atsh/KultPlus.com

Nga Di Caprio tek De Niro emrat e tjerë që do të jenë pjesë e festivalit të Kanës

Costa Azzurra është tanimë gati për të pritur profesionistë e dashamirës të kinemasë e artit. Nga 16 deri në 27 maj në qytetin bregdetar do të mbahet Festivali i Cannes 2023. Në prezantimin e këtij edicioni të 76-të, presidenti i Festivalit Iris Knobloch dhe drejtori Thierry Fremauz, premtuan se ngjarja do të përqendrohej në kinematografinë që shikon nga e ardhmja.

“Cannes është një vitrinë për kinemanë ndërkombëtare; shumë filma që prezantohen këtu janë vlerësuar me “Oscar” në “Caesar” dhe kanë marrë një sërë çmimesh”, tha Knobloch.

Knobloch theksoi më tej se ky Cannes do të dhurojë një fotografi të asaj që ndodh me kinemanë në botë, veçmas në një kohë që sapo kemi lënë pas një situatë të vështirë pandemike.

“Do të kemi një seksinonim më të gjerë fotografik, në krah të kinematografive të rëndësishme shtohet edhe Mongolia për herë të parë”, tha më tej ai.

Programi i Cannes 2023

Do të çel siparin e Festivalit, filmi Jeanne Du Barry, ku Johnyy Depp interpreton në rolin e Mbretit Luigj të XV-të. Ky shënon dhe rikthimin e tij zyrtar në skenë pas betejës së gjatë me ish partneren Amber Heard. Titujt më të shumëpritur të filmave, janë produksione si ai i Martin Scorsese, “Asteroid City” me regji të Wes Anderson dhe “May December” nga Todd Haynes.

“Me këtë film Scorsese riviziton historinë e vendit të tij. Do të na kishte pëlqyer të ishte në garë” theksoi Fremaux në konferencën për shtyp, duke konfirmuar më tej prezencën e emrave të njohur si Leonardo DiCaprio, Robert De Niro, Jesse Plemons dhe Lily Gladstone.

E bija e John, Lily Rose Depp, do të ndjek hapat e të atit në Cannes për serinë “The idol” të Sam Levinson, ku është protagoniste. Mes filmave jashtë gare do të shfaqen edhe “Indiana Jones”, ku Harrison Ford pritet të marrë edhe çmimin e karrierës për këtë rast. Në garë bien në sy edhe autorët e mëdhenj si Ken Loach dhe Wim Wenders me filmat e tyre të fundit, ndërsa produksioni i ri, me metrazh të shkurtër “Strange Way Of Life” i Pedro Almodovar me Pedro Pascal dhe Ethan Haëke do të shfaqet gjatë festivalit./Konica.al

Përgatitjet për Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës (FOTO)

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër ka publikuar një album fotografik me momente nga përgatitjet e grupit përfaqësues të Qarkut Shkodër, që do të jetë pjesë e Festivalit Folklorik Kombëtar, Gjirokastër 2023.

Shkodra, Puka, Fushë-Arrësi, Malësia e Madhe dhe Dukagjini do t’i bashkohen paradës së motiveve, ritmeve, ngjyrave, këngëve, valleve e riteve që do të shpalosen në qytetin e gurtë të Gjirokastrës.

Festivali Folklorik Kombëtar do të zhvillohet këtë vit, në muajin qershor.

Festivali i parë Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës u mbajt në vitin 1968. Prej asaj kohe, festivali është zhvilluar çdo pesë vjet.

Vitet `70 mund të konsiderohen edhe si kulmi i pjesëmarrjes në këtë festival, ku pati më shumë se 1 mijë pjesëmarrës të përzgjedhur.

Festivali i Gjirokastrës ka qenë i konceptuar në formën e një gare folklorike, ku deri në festivalin e vitit 1988, janë dhënë çmime për grupet më të mira, ndërkohë që në edicionet e fundit të tij çmimet do të ndaheshin për bartësit dhe interpretuesit e folklorit./atsh/KultPlus.com

Mbyllet Festivali i Teatrit në Fier ‘Apollon’ 2023, interpretuan aktorë nga Shqipëria, Kosova dhe Kroacia

Është mbyllur nata finale e Festivalit mbarëkombëtar të aktrimit “ Apollon” 2023.

Teatri “ Bylis” në Fier u kthye për pesë ditë radhazi në destinacionin e artit skenik pasi edicionini 14-te i këtij festivali solli në skenën teatrore për 5 netë radhazi trupa të njohura teatrore nga Shqipëria, Kosova, e Kroacia, vepra të autorëve shqiptarë e të huaj kryesisht në gjininë e komedisë dhe monodramës, shfaqje të cilat nxjerrin në pah dhe trajtojnë probleme familjare dhe të shoqërisë që hasen më së shumti gjatë ditëve të sotme.

Juria e festivalit këtë vit kishte në përbërjen e saj aktorët e njohur Ndriçim Xhepa, Enver Petrovci dhe Luli Bitri te cilët në natën finale ndanë edhe çmimet për kategoritë e përcaktuara: Aktorët joprotaginistë më të mirë u vlerësuan Mimoza Marjanaku dhe Indrit Cobani dhe aktorët protagonistë më të mirë Olta Daku dhe Mentor Zyberaj të cilët u shprehën mjaft të emocionuar për vlerësimin e jurisë prestigjioze.

Bashkëpunime të tilla të trupave teatrore janë të një rëndësie të veçantë është shprehur kryetari i jurisë, aktori i njohur Ndriçim Xhepa, teksa ka apeluar për më shumë vëmendje nga ana e qeverisë për artin e kulturën.

Ky festival erdhi ne qytetin e Fierit pas një periudhe ndërprerjeje me një kastë të njohur aktoresh të 9 trupave teatrore nga Shqipëria, Kosova e Kroacia, të cilët sollën para publikut artdashës fierak emocione të veçanta./topchanel/KultPlus.com

Dita e dytë e festivalit të filmit polak “Visua”

Dita e dytë e Festivalit te Filmit Polak “Visua”, solli për publikun, filmin fitues të disa çmimeve dhe nominuar nga European Film Awards, “Other People”, me regji të Aleksandra Terpinski.

Vetë regjisorja, e cila ka ardhur në Tiranë në kuadër të festivalit, mbajti një diskutim me publikun pas shfaqjes.

Ndërsa e diela solli në ekran filmin “Prindërit e çiftit” një komedi-dramë që zhvillohet pas një martese në të cilën nusja dhe dhëndri nuk shkëmbyen “po-në” e shenjtë. Askush nuk e di pse Łukasz, dhëndri, e ndërpreu lidhjen. Por të ftuarit që kanë ardhur, disa nga shumë larg, duhet të ftohen të paktën për darkë. Mbrapa sallës së dasmës, prindërit e të rinjve takohen duke u takuar njëkohësisht dy botë të ndryshme, nga klasa të ndryshme sociale. Fillimisht të dy palët shokohen por mbetet për t’u parë çfarë ka ndodhur vallë mes dhëndrit e nuses?

Ditën e hënë, salla e kinemasë rezervohet për dy orare në kuadër të festivalit: në orën 17:00 do të shfaqet një bllok filmash të shkurtër studentorë nga shkolla e filmit “Krzystof Kieslowkski” dhe në orën 19:00 nis shfaqja e filmit të gjatë “Amatorët”.

Ky është edicioni i dytë i festivalit “Visua”, që kësaj here vjen me organizimin e Agjencisë së Industrisë Kreative, si partner kryesor./atsh/KultPlus.com

Në Tiranë nis Festivali i Filmit Polak “Visua”

Mbrëmja e së premtes shënoi çeljen e Festivalit të Filmit Polak “Visua”. Ky është edicioni i dytë i këtij festivali, që kësaj here vjen me organizimin e Agjencisë së Industrisë Kreative, si partner kryesor.

AIK kishte përzgjedhur filmin e Tomsz Chabowski-t, një prodhim i vitit 2021, me titullin “Këngë për Dashurinë”, për natën e parë të festivalit.

Industria polake e filmit, vitet e fundit ka njohur një lulëzim me ritme të shpejta për sa i përket produksioneve dhe kinematografisë në tërësi.

Ceremonia zyrtare e hapjes së këtij festivali, u krye në Kinema Millennium, me praninë e artdashësve dhe medias.  Festivali ka si bashkëfinancues Polish Film Institute dhe një nga partnerët e shumtë të tij, është Bashkia Tiranë.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij./atsh/KultPlus.com

Qarku i Tiranës përgatit fabulën për të konkurruar në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës

 Qarku i Tiranës po përgatit fabulën për të konkurruar në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ka ndarë në rrjetet sociale foto nga përgatitjet, teksa theksoi se, “parada më e madhe e pasurisë sonë shpirtërore po afron”.

Ndërkohë në qytetin e Gjirokastrës vijojnë përgatitjet Festivalin Folklorik Kombëtar, i cili pritet të zhvillohet në muajin qershor.

Në festival pritet të performojnë artistët e folkut nga hapësira mbarëshqiptare.

Festivali i parë Folklorik Kombëtar u zhvillua në vitin 1968, në kalanë e gurtë të Gjirokastrës. Pres asaj kohe, festivali është zhvilluar çdo pesë vjet. Vitet ’70 mund të konsiderohen edhe si kulmi i pjesëmarrjes në këtë festival, ku pati më shumë se 1 mijë pjesëmarrës të përzgjedhur./atsh/KultPlus.com

“Killers of the Flower Moon” do të shfaqet premierë në Festivalin e Filmit në Kanë

Drama kriminale e Martin Scorsese, “Killers of the Flower Moon”, do të ketë premierën e saj botërore në Festivalin e Filmit në Kanë në Francë më 20 maj.

Festivali i Kanës është i kënaqur të mirëpresë Martin Scorsese, Leonardo DiCaprio, Robert De Niro, Lily Gladstone, Jesse Plemons, Cara Jade Myers, JaNae Collins, Jillian Dion, Tantoo Cardinal, së bashku me anëtarë shtesë të ekipit të filmbërësve, thanë orgazatorët.

Scorsese dhe Eric Roth shkruan skenarin bazuar në librin e David Grann, i cili zhvillohet në Oklahoma të viteve 1920 dhe përshkruan vrasjet e anëtarëve të kombit Osage të pasur me naftë.

Filmi pritet të dalë në kinema më 6 tetor./klankosova/KultPlus.com

Festivali Folklorik Kombëtar, vijon konkurrimi i grupeve të Gjirokastrës

Në qytetin e Gjirokastrës vijojnë përgatitjet Festivalin Folklorik Kombëtar, i cili pritet të zhvillohet në muajin qershor.

Në festival pritet të performojnë artistët e folkut nga hapësira mbarëshqiptare.

Kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi ndau momente nga konkurrimi i grupeve të Gjirokastrës që do të përfaqësojnë këtë qytet në skenën magjike të Festivalit Folklorik Kombëtar.

Festivali i parë Folklorik Kombëtar u zhvillua në vitin 1968, në kalanë e gurtë të Gjirokastrës. Pres asaj kohe, festivali është zhvilluar çdo pesë vjet. Vitet ’70 mund të konsiderohen edhe si kulmi i pjesëmarrjes në këtë festival, ku pati më shumë se 1 mijë pjesëmarrës të përzgjedhur./atsh/KultPlus.com

Festivali i Animacionit Anibar shpalos programin për edicionin e 13-të

Festivali i Animacionit Anibar ka shpalosur sot programin e filmave për edicionin e 13-të.

Me gjithsej 9 kategori, 7 prej tyre garuese, festivali i Animacionit Anibar ka kuruar një program shumë të pasur. Me më shumë se 200 filma të cilët do të shfaqen përgjatë javës së festivalit, nuk do të mungojnë as panelet, prezantimet, punëtoritë dhe masterklasat.

Kategoritë garuese për këtë edicion do të jenë: Gara Ndërkombëtare, Studentore, Ballkanike, e Filmit të Metrazhit të Gjatë, e Audiencës së re, e Videos Muzikore dhe gara për të Drejtat e Njeriut. Këtë vit për herë të parë, programi më parë i njohur si “Kids and Teens” (programi për fëmijë dhe adoleshent) tani programi i “Audiencës së re”, do të jetë program në kategorinë garuese.

Programi i edukimit për këtë edicion, sipas organizatorëve, do të jetë një program fantastik. Me gjithsej 3 masterklasa dhe 4 punëtori, ky program i monitoruar nga disa prej animatorëve më të njohur në botë, do të ofroj mundësi të shumta për të gjithë ata që e duan animacionin. Nga teknikat e deri tek teoria e animacionit, të gjithë pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të mësojnë më shumë rreth këtij mediumi kompleks por në të njëjtën kohë shumë të bukur.

Anibar mbahet në qytetin e Pejës nga 13 deri më 19 korrik, me një program të pasur.

https://anibar.org/festival/programs-and-films/ – Programi i Filmave 

https://anibar.org/program-announcement-for-out-educational-activities-anibar-13/ – Programi i Edukimit. / KultPlus.com

Festivali i parë i Baballarëve në Kosovë rikthehet sot me edicionin e tretë

Festivali i parë i Baballarëve në Kosovë po rikthehet me edicionin e tretë, përcjellë KultPlus.

SUPERDADS do pushtojnë Prishtinën, të dielën, më 19 qershor nga ora 16:00 te Platoja e “Zahir Pajaziti” – te Hotel Grandi.

Me muzikë, argëtim, lojëra interaktive, gara mes baballarëve, lexim, art, kuiz dhe plotë energji, këtë vit do shënohet Dita Ndërkombëtare e Baballarëve dhe do të frymëzohen baballarët dhe kujdestarët që të jenë të vëmendshëm dhe të përfshirë aktivisht në edukimin e fëmijëve, të fillojnë diskutime mbi rëndësinë e atësisë, me një fokus të veçantë në avokimin për lejen prindërore.

“Ejani me familje dhe tregoni se çfarë babai jeni! Është kënaqësi të shohësh fëmijët e tu duke u shoqëruar me fëmijët e shokut/shoqes tuaj. Ftoni edhe baballarët e tjerë bashkë me familje”, thuhet në njoftim.

Ky festival implementohet në kuadër të projektit “E Ardhmja për Rininë” nga SIT me mbështetje nga UNFPA, zyra në Kosovë, CARE International në Ballkan, Agjensioni Austriak për Zhvillim, Fondacioni Oak, Komuna e Prishtinës, QKSGj dhe D4D. / KultPlus.com

Nis festivali i artit i të rinjve

Pikturë, skulpturë, vizatim, fotografi, videoperfomanca, instalacione, demostrime live.

Festivali i Konteporan Ndërkombëtar i Tiranës i organizuar nga VIZART, mbështetur nga Kongresi Rinor Kombëtar në kuadër të programit “Tirana Kryeqytet Europian i Rinisë 2022”, sjell tre ditë të mbushura plot me aktivitete në Tiranë, ku të gjithë dashamirësit e artit dhe pas të bukurës do të mund të njihej me punimet më të mira të artistëve vendas dhe të huaj.

Kuratori i këtij festivali, Helidon Haliti, bën të ditur se ky aktivitet do të nisë me dy performance mjaft të bukura nga artisti i njohur Henri Nimani.

“Në orën 10:00 përballë mozaikut të Muzeut Kombëtar, të gjithë artdashësit do të mund të shohin “Xhirafat e mia” skulpturë, ndërsa në orën 19:30 buzë liqenit Artifial të Tiranës do të ketë videoperformanca nga artistja “ANGELX”. Festivali do të vijojë të hënën me dy ekspozitat e para te galeria GAT në oren 11:00, ku të pranishëm do të jenë dhe mjaft personalitete të njohura të kulturës shqiptare, por jo vetëm. Ndërsa në orën 18:30 do të zhvillohet ceremonia zyrtare e festivalit me ekspozitën në Muzeun Kombëtar. Ceremonia do të vijojë dhe me ndarjen e çmimeve ku të ftuar janë personlitete nga vendi dhe bota…”, bëri të ditur Haliti.

Ky festival do të vijojë ditën e martë, e cila do t’i dedikohet studentëve. “Do të jenë këta të fundit të cilët do të realizojnë demostrime të ndryshme në qendrën COD pranë Kryeminstrisë. Studentë të universiteteve të ndryshme nga Shqipëria, Kosova, Bullgaria, Maqedonia e Veriut, Italia e më gjerë, do të demostrojnë në 4 salla të ndryshme punimet e tyre artistike.”, sqaron kuratori i fesitvalit.

Festivali i Konteporan Ndërkombëtar i Tiranës do të qëndrojë i hapur për publikun në Muzeun Historik Kombëtar dhe Galerinë e Artit të Tiranës nga data 16 – 27 Qershor. TopChannel /KultPlus.com

Filmi ‘Virgjëresha Shqiptare’ triumfon në Festivalin e Filmit në Ostend

Filmi “Virgjëresha Shqiptare” ka triumfuar në Festivalin e Filmit në Ostend, duke fituar Çmimin e Publikut, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në “Facebook”, protagonistja Rina Krasniqi ka bërë të ditur edhe për çmimin e fituar.

“Faleminderit kastit dhe ekipit tim të mrekullueshëm, ekipit dhe njerëzve punëtorë që e mbështetën këtë projekt të përzemërt që nga dita e parë. Dhe mbi të gjitha, faleminderit publikut të bukur belg, i cili mbushi shfaqjet tona dhe na bekoi me këtë çmim të mrekullueshëm! Dhe kështu udhëtimi vazhdon!”, shkroi Krasniqi në “Facebook”.

Filmi zë vend në Shqipërinë e vitit 1958, ku një djalë dhe një vajzë rriten së bashku në të njëjtin fshat. Ata janë miqtë më të mirë. Luana është vajza e një njeriu shumë të respektuar, Agimi biri i tradhtarëve të cilët u ndaluan nga qyteti nga komunistët. Pavarësisht nga këto rrethana të pafavorshme, të dy ruajnë miqësinë e tyre për 10 vjet. Si një grua e re Luana përjeton gjithnjë e më shumë se të jesh grua është një mallkim dhe ndërmerr veprime të pazakonta, i jep fund situatës së saj si viktimë dhe fiton fuqinë për të vendosur vetë. /KultPlus.com

‘Art Without Limit’ do të bëjë sot ndarjen e çmimeve dhe mbylljen e festivalit

Festivali i filmit “Art Without Limit” përmes ceremonisë përmbyllëse do të bëjë sot edhe ndarjen e çmimeve, shkruan KultPlus.

Përmes një njoftimi, “Art Without Limit” ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme do të bëjnë edhe mbylljen e festivalit, i cili ka për qëllim që përmes filmave që kanë temë personat me aftësi të veçanta.

Njoftimi i plotë:

Ne besojmë në barazi në mes njerëzve. Ne njohim, pranojmë, çmojmë, festojmë dhe mbështesim dallimet. Ne qëndruam në solidaritet me njëri-tjetrin në edicionin tonë të parë  gjatë vitit të kaluar. Ishte kohë reflektimi, mirësie dhe kujdesi më shumë se gjithçka tjetër. Këtë vit fuqia jonë krijuese është thirrur në veprim për të luftuar padrejtësitë dhe paragjykimet të cilat bëhen ndaj personave me aftësi të kufizuar .

Artistë/e dhe aktivistë/e nga komunitetet lokale dhe ndërkombëtare do të mblidhen për të promovuar, frymëzuar dhe sfiduar në çdo mënyrë të mundshme realitetet aktuale . Nga shfaqja e filmave,  hapja e ekspozitës,performanca muzikore, diskutimet dhe konferencat, deri tek ndarja e cmimeve per filmat më të mirë,. Ne synojmë të mobilizohemi për ta ndryshuar qasjen ndaj aftësisë së kufizuar , si mënyra e vetme për të arritur barazinë politike, ekonomike, kulturore, personale dhe shoqërore.

3 dhjetori shënon ditën ndërkombëtare të personave me aftësi të veçanta. /KultPlus.com

‘Prishtina International Theater Festival’ gati për edicionin e pestë

Festivali Ndërkombëtar i Teatrove “Prishtina International Theater Festival” këtë vit do të mbajë edicionin e pestë, shkruan KultPlus.

Ky edicion do të organizohet për të kujtuar figurën e regjisores Burbuqe Berisha, e cila vdiq këtë vit.

Edicioni i katërti PITF do të zgjasë nga 29 nëntori deri më 4 dhjetor, ku edhe pritet që të respektohen masat ndaj COVID-19.

Në programin garues do të jepen katër shfaqje, të trupave teatrore nga Bullgaria, Serbia, Turqia Maqedonia e Veriut, Shqipëri dhe Kosova. /KultPlus.com

May be an image of text that says 'PITF 2021 PRISHTINA ONAL THEATER FESTIVAL NOVEMBER 29, 19:00 Official Opening emorian BURBUQE BERISHA BULGARIA SISYPHUS Puppets lab Directed by: Veselka Kuncheva NOVEMBER 29 19:30 SERBIA WHEN YOU GLAZE LONG INTO ABYSS Regionalno pozoriste Novi Pazar Directed by: Zlatko Pakovic NOVEMBER 30 TURKEY WOKE UP WITH NO VOICE Bu Yapım Directed by: amer Levent 19:00 RTME DECEMBER 19:00 HELVER'S NIGHT Teatri Tempulli Directed by: Afërdita Nuhiji DECEMBER 2 19:00 ALBANIA BLACK BOX Teatri Migjeni Directed by: Fatos Berisha KOSOVO (Guest Perfor mance) DECEMBER 19:00 BRINAT ArtImg Directed by: Butrint Pasha Art DECEMBER 4, 20:30 Award Ceremony DECEMBER 19:00'
Programi i plotë i PITF