Mes protestave të radikalëve, Festivali “Mirëdita, dobar dan” hapi programin artistik (FOTO)

Gili Hoxhaj – Beograd

Me dy orë pritje në kufirin Kosovë-Serbi e pa tri fotografi, ekipi prej organizatorëve, artistëve, gazetareve e studentëve arritën në kryeqytetin serb për të hapur mbrëmjen e parë të edicionit të pestë të festivalit që prezanton kulturën e Kosovës në Serbi, Festivali “Mirëdita, dobar dan”, shkruan KultPlus.

Pas shkuarjes atje ekipi nën përcjellje të forcave policore u nis drejt Qendrës për Dekontaminim Kulturor në Beograd. Para se të afroheshin minutat e hapjes së festivalit, numri i policëve veçse shtohej, e zërat protestues tashmë dëgjoheshin. Me këngë nacionaliste, e valëvitje flamujsh, ata këndonin për Kosovën të cilën e quanin “tokë” të Serbisë. Përkrahës të Partisë Radikale Serbe e rrethuan Vojslav Sheshelin, i cili theksonte mohimin e shtetit të Kosovës. Protestuesit me fotografi të kufomave, fotografi të Hashim Thaçit e Ramush Haradinaj kishin zënë njërën anë të rrugës e në anën tjetër gjendej turma më e madhe të cilët kishin vënë maska e veshje doktorësh ndërsa mbanin pankartat me mbishkrimet “Sa organe duhet të na merren për të pasur shoqëri me terroristët” dhe “Politikisht korrekt me trafikimin e organeve”.

Organizatori i këtij festivali, Kushtrim Koliqi u shpreh i brengosur për këtë situatë derisa tha se çdo vit kishte shpresuar që situata politike dhe raportet mes dy vendeve do të jenë më të relaksuara kurse faktet e tregojnë të kundërtën dhe situata vetëm sa po përkeqësohet. Megjithatë ai tha se nuk do të ndalen pasi që besojnë se ky festival ka vlera fisnike.

“Viti i pestë po fillon me tensione që nuk i kemi pasur më herët. Ne nuk do të ndalemi, kjo është një rrugë që na takon neve, secili e ka punën e vet dhe ne kemi punën tonë”, u shpreh Koliqi gjatë hapjes së festivalit.


Sofija Todorović nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (Serbi) u shpreh se ka qenë e vështirë të hapet ky festival tek që gjithçka ka qenë kundër kësaj ideje por u shpreh tejet e lumtur që kanë arritur kaq shumë njerëz.
Čedomir Jovanović, Anita Mitic e personalitet të tjera të njohura kanë mbushur plot Qendrën për Dekontaminim Kulturor në Beograd, aty ku u zhvillua hapja e Festivalit.

Një festival tanimë tradicional, ‘Mirëdita, dobar dan’ ka vite që prezanton artistët më të mirë nga Kosova për disa ditë të mbushura kulturë në Beogradin e Serbisë. Mbrëmë në hapësirën e brendshme të Qendrës u prezantuan karikaturat e artistëve nga Kosova e Serbia, të cilat portretizonin figurat politike të Serbisë e Kosovës në raport me dialogun që po zhvillohet. Aty u prezantuan punimet e Murat Ahmetit, Mentor Llapashtices dhe Predrag Koraksic Corax e realizuar në kuadër të projektit “Ura – Dialogu Civil Prishtinë-Beograd”.

Përfaqësuesja e projektit, Berna Caka nga Radio UrbanFm dhe INC- Rrjeti i Radiove Lokale u shpreh për KultPlus, se projekti i këtij viti flet për urat mes dy shteteve siç janë Kosova dhe Serbia.

“Në këtë mënyrë këta tre artistë kanë vendosur që ngjarjet reale t’i shprehin përmes karikaturave ato ngjarje që ndodhin në Kosovë dhe në Serbi, sidomos në politikë. Esenca ka qenë që të shprehen ngjarjet nga të dyja palët”, tregoi Caka për KultPlus.

Më pas salla e Qendrës për Dekontaminim Kulturor u mbush plot nga pjesëmarrësit e festivalit, të cilët u mblodhën për të parë filmin “Martesa”, me regji të Blerta Zeqirit, film ky që tashmë numëron disa çmime. Për më shumë se një orë të pranishmit ngulën sytë drejt ngjarjes së një dashurie në trekëndësh, e ngjarja ec para dhe gjatë martesës së Bekimit me Anitën, e cila nuk është në dijeni se Bekimi është ende në dashuri me shokun e tij më të mirë, Nolin. Ngjarja prekë kohën e luftës në Kosovë, atëherë kur dy të rinj, Bekimi dhe Noli jetojnë brenda një ndërtese, ku edhe fillojnë të ndjejnë shenjat e para të dashurisë për njëri-tjetrin. Shumë vite më pas, luftën më të madhe do ta kenë me barrierat e kësaj dashurie.
Festivali “Mirëdita, dobardan!” 2018 do të jetë prezent në lokacione të ndryshme në Beograd, dhe hyrja në të gjitha ngjarjet do të jetë, si në vitet e mëparshme, falas.

Si frymëzim për themelimin e festivalit ka shërbyer Bekim Fehmiu, aktor shqiptar, kosovar, beogradas, jugosllav dhe botëror, simbol i së kaluarës së përbashkët, së bashku me të gjitha sfidat, arritjet dhe keqkuptimet.

Festivali organizohet nga Integra (Kosovë) dhe Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (Serbi) në partneritet me Fondacionin Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS), dhe Iniciativat Qytetare (Serbi)./ KultPlus.com

“Azem Shkreli” e shndërron Pejën në pikëtakim letrarësh

Nën qiellin e hapur në parkun e qytetit “Ibrahim Rugova”, të mërkurën, ka nisur edicioni i 16-të i takimeve ndërkombëtare letrare “Azem Shkreli”, që ka bërë bashkë autorë nga vende të ndryshme të rajonit e të botës.

Ky manifestim letrar dyditor, që në këtë edicion i kushtohet heroit kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, është organizuar nga Ministria e Kulturës, Komuna e Pejës dhe nën mbikëqyrjen e kryetarit të kësaj komune, Gazmend Muhaxheri, por i cili nuk ishte i pranishëm në hapjen e këtyre takimeve. Hapjen e bëri drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Engelbert Zefaj, që uroi pjesëmarrësit nga vendet e ndryshme të botës, si nga Shqiperia, ShBA-ja, Gjermania, Ukraina, Azerbajxhani, Turqia, Hungaria, Kroacia… që kanë ardhur për herë të parë në këtë qytet.

Në ceremoninë e hapjes së këtyre takimeve, në të cilat poezitë e veta i lexuan 15 poetë vendorë e të huaj, e në mesin e tyre edhe poet të rinj, u bë edhe ndarja e çmimit “Bulëzat”, që u jepet krijuesve të rinj. Këtë çmim e fitoi pejania 11-vjeçare Leonisa Ahmeti, nxënëse e shkollës fillore “Smajl Hajdaraj” në Pejë. Në orët e pasdites janë organizuare dhe dy tribuna letrare. Njëra me tematikën “Kulti i fjalës në poezinë e Azem Shkrelit”, që u ligjërua nga Dabahajdin Cena. Kurse në tribunën tjetër me tematikën “Roli i poetëve dhe shkrimtarëve në shtetndërtim”, që e mbajti studiuesi Ndue Ukaj, me poezitë e veta janë prezantuar 15 poetë, në mesin e të cilëve Nikollë Lokaj, Fatmire Duraku, Qazim Muska, Zhaneta Barzhaj, Erina Coku, Labinot Berisha, Marigonë Kelmendi… derisa jashtë konkurrencës për çmime në këto takime u paraqitën Esat Loshaj, Rrustem Gërguri dhe Shaqir Foniqi.

Në ditën e dytë të takimeve, ku përveç manifestimit qendror në të cilin do të ndahet çmimi kryesor i këtyre takimeve, “Azem Shkreli”, do të mbahet edhe takimi poetik me poezi dedikuar Skënderbeut. Meqenëse ky edicion i takimeve letrare “Azem Shkreli” i kushtohet Skënderbeut, në Galerinë e Arteve në Pejë në ditën e dytë të takimeve do të hapet edhe ekspozita me motive nga historia e Skënderbeut, në të cilën do të lexohet edhe një kumtesë nga Mira Tuci. Përveç çmimit kryesor, në këto takime do të ndahet edhe çmimi ndërkombëtar “Lirika e Azem Shkrelit”, çmimi për poezi më të mirë. Kurse vetëm për këtë edicion do të ndahen edhe çmimet “Skënderbeu’’ dhe “Pavarësia’’.

POLIP, tri netët letrare që i dhanë ngjyra magjike Kosovës (FOTO)

Gili Hoxhaj

Festivali POLIP mbrëmë përmbylli rrugëtimin e edicionit të 8-të të tij. Në ulëset e në skenën e këtij festivali mungonte njëri nga poetet, Kujtim Paçaku. Mirëpo nuk mungonin fjalët e kujtimi për të. Në nderim të tij filloi dhe përfundoi edicioni i 8-të i Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë “POLIP”.

Sasa Ilić e kujtoi takimin me të në vitin 2010 dhe tha se ai ishte një nga poetët e parë të cilin e ka takuar. Ai e lexoi një pjesë të shkruar nga ai, e me përkthim të Shkëlzen Maliqit. Ilić tha se këtë mbrëmje ia dedikon Kujtim Paçakut.

Festivali “Polip” solli për tri ditë radhazi mjaft shumë aktivitete letrare, duke përfshirë lexime e diskutime të shumta që lidhen me letërsinë por duke i lidhur me rrethanat e historisë e të aktualitetit. Këtë vit festivali u realizua nën moton “Republika e Lirë e Letërsisë”.

Susanna Rafart (CAT), Alida Bremer (CRO/DE), Zora Del Buono (CH), Tinka Kurti (RKS), Agron Tufa (ALB), Ilire Zajmi (RKS), Peter Wawerzinek (DE), Elona Çuliq (ALB), Clemens Meyer (DE), ishin emrat që ishin ulur pranë skenës e publiku po i priste e përcillte me duartrokitje.

Mbrëmë ky festival shënoi edhe natën e fundit të tij, duke mbledhur kështu mjaft shumë artistë shqiptarë e të huaj të cilët zbërthyen krijimet në emocione përmes interpretimit. E gjithë hapësira ku po zhvillohej kjo mbrëmje u mbush me njerëz që kishin ardhë t’i shijonin vargjet e shkrimtarëve që vinin në gjuhë të ndryshme.

Fillimisht të pranishmit njoftoheshin me biografinë e autorëve që ngjiteshin në skenë. E para në skenë erdhi Susanna Rafart nga Katalonia. Ajo solli leximin e poezisë “The voice”, për të vazhduar “You are welcome to enter”, më pas Alida Bremer nga Kroacia / Gjermani e Zora Del Buono nga Zvicra lexuan krijimet e tyre në gjuhën gjermane, ku në ekranin e madh vinin të përkthyera në gjuhën angleze.

Zora Del Buono e lindur në Cyrih është një arkitekte, gazetare dhe shkrimtare zvicerane. Ajo ka rreth pesë libra të botuar. Ajo tregoi se ishte kurioze që të vinte në këtë festival dhe eksperienca që ka fituar është e mrekullueshme.

“Për mua ka qenë një përvojë shumë e mirë për shkak se kam takuar mjaft shumë njerëz dhe libri im i radhës ka të bëjë pikërisht me Jugosllavinë me Titon. Këto janë gjëra që kam dëgjuar nga familja ime ndërsa këtu kam takuar edhe njerëz që janë ekspertë të kësaj fushe dhe mund të më ndihmojnë edhe më tutje”, u shpreh Del Buono për KultPlus.

Pas tyre në skenë erdhi Tinka Kurti e cila solli interpretimin e vargjeve të poezive të thella me titujt “Unë quhem Izmir”, “Ne” dhe “Përbindëshat”.

Pas saj para publikut erdhi shkrimtari i njohur nga Shqipëria, Agron Tufa. Para se të filloi recitimin e poezive të tij “Liria e vërtetë”, “Fryma mbi ujëra” e “Elegji”, ai u shpreh se qëndrimi në rezidencën e këtij festivali i ka krijuar ndjesinë për të shkruar diçka vendimtare, madje thotë se ia ka dalë që me sukses të shkruar disa monologje të vogla të cilat do t’i vë në skenë.

Me shumë duartrokitje e ndriçim të dritave, u prit shkrimtarja Ilire Zajmi që fillimisht lexoi poezinë “Këshilla vetes”, e më pas “Helenë e panjohur”, “Akt terrorist” e “Dëshirat”.

Ilire Zajmi, e cilësoi këtë festival si të jashtëzakonshëm e që prezanton emra të njohur të letërsisë ndërkombëtare. Përmes tryezave të diskutimeve që solli ky festival, Zajmi tha se ishin një mundësi shumë e mirë për t’i dëgjuar trajtimin e këtyre temave nga autorë të ndryshëm.

“Të krijohet përshtypja që me të vërtetë jemi në një “Republikë të Letërsisë” sepse kemi pasur mundësinë të dëgjojmë poezi në gjuhë të ndryshme të cilat edhe pse nuk i kuptonim, tingëllojnë aq bukur. Pavarësisht se kishte përkthim, mundësia për t’i dëgjuar në gjuhën origjinale ka qenë e mahnitshme”, tha Zajmi për KultPlus.

Peter Wawerzinek solli një atmosferë ndryshe me një stil të veçantë interpretimi. “I’m Dylan Thomas not Bob Dylan”, shkruhej në ekranin prapa tij. Me lëvizje të shpejtë të duarve rreth vetes e zërit melodik ai duke kënduar solli poezitë e tij tek publiku e konteksti i të cilave shpesh ngjallte të qeshurat e tyre.

Pas tij erdhi autorja nga Shkodra, Elona Çuliq e cila njihet për interpretimet e saj të mrekullueshme Slam. Një të tillë e solli edhe gjatë natës së mbrëmshme derisa publiku shijoi interpretimin e saj. Pas Çuliq në skenë u ngjit Clemens Meyer nga Gjermania i cili lexoi një fragment të titulluar “Eins, zwei, drei”.

“Polip” njihet si festivali më i madh kushtuar letërsisë në Kosovë, duke i ofruar publikut diskutime e artit letrat të rreth tridhjetë shkrimtarëve të njohur të letërsisë botërore. Jeton Neziraj është njëri nga drejtorët e këtij festivali. Ai tha se këtë edicion e cilëson si të suksesshëm dhe se ky vit ka pasur një laramani të autorëve që nga ata gjerman, kroat, zviceran e katalonas.

“Për mua ky është edicioni më i mirë i festivalit deri më tash. Tri net festë letrare, lexime, diskutime që shpesh nuk janë shumë të lehta për shkak të temave që trajtohen por në tersi janë të dobishme. Mbrapa këtij eventi të vogël qëndron një numër i madh i njerëzve të cilët punojnë gjatë gjithë vitit që ta bëjnë të mundshëm. Një staf prej gjashtë vetash nga “Multimedia” dhe një numër i bashkëpunëtorëve artistik të cilët gjatë vitit sugjerojnë tema dhe autorë. Si rezultat është ky festival modest i cili besoj që është freski për jetën letrare në Kosovë”, u shpreh Neziraj për KultPlus.

E gjithë mbrëmja u përmbyll me muzikë e interpretim të veçantë nën tingujt e zërit të Nezafete Shala & band. / KultPlus.com

Robert Bisha dhe Fanfara Tirana hapin sonte festivalin e kabasë në Korçë (VIDEO)

Edicioni i dytë i Kaba 2.0 Festiv.al sjell në skenën e teatrit të Korçës kompozitorin e njohur Robert Bisha me koncertin “Ritual Moods”, një performancë piano solo, kitarë dhe perkusione, si dhe grupin më të njohur shqiptar në skenat evropiane, Fanfara Tirana.

Festivali në dy net, 28 dhe 29 dhjetor sipas organizatorëve vjen si një qasje e re përkundrejt disa prej perlave muzikore shqiptare. Robert Bisha kompozitori i njohur shqiptar, multiinstrumentisti i talentuar prezanton sot në Teatrin e Korçës kompozimet e tij të reja. Pas një rrugëtimi të gjatë me koncerte në vende të ndryshme të Europës, kësaj here ndalesa është në Korçë, si një dhuratë për spektatorin shqiptar me rastin e festave.

Koncerti i Robert Bishës, i cili do të çel dhe natën e parë të edicionit të dytë, të festivalit vjen këtë herë në formatin e piano solos në një dimension intim, poetik. Meloditë e pastra, e të ngjyrosura me kërkimet harmonike dhe ritmike, ku krijimi midis improvizimit të çastit dhe strukturave të kompozuara, është protagoniste. Estro ritmike, guxim deri në brendësi, poezi gati mistike, karakterizojnë koncertin “Ritual Moods”, të Robert Bishës.

“Ritual Moods” një performancë piano solo, kitarë dhe perkusione si dhe do të shoqërohet në disa momente edhe nga Fanfara Tirana. Por siç ka pohuar dhe vetë artisti i njohur shqiptar është hera e dytë që ai vjen me një festival të tillë me kompozimet e tij.

“Do të luaj një koncert me piano solo me kompozimet e mia. Është hera e dytë që e bëjë në një festival të tillë dhe hera e fundit ishte periudhë vjeshte”, shprehet pianisti Robert Bisha. Ai gjithmonë e ka dashur origjinën e tij dhe folklorin dhe ka treguar se më shumë është në linjën e folkut.

“Janë kompozime që shkojnë nga ngjyrat e muzikës xhaz ngjyrat e muzikës bashkëkohore, klasike evropiane. Unë jam shumë në linjën folk dhe në linjë e improvizimit të kompozimit bashkohorë evropian”, ka treguar ai.

Për organizatorët Kaba 2.0 Festival.al është një aktivitet që guxon.

“Një rrugëtim në kohë dhe hapësirë mes ndjenjash dhe tingujsh, harrese dhe nostalgjisë, erotikës dhe eposit të kreativitetit folklorik. Në një kohë kur ky kreativitet i të shkuarës është shprehja më e bukur estetiko-muzikore e këtij populli, Kaba 2.0 Festiv.al guxon dhe në një mision muzikdashës kërkon të sjellë kërkimin, eksperimentin e “muzikës së naltë” në veshët e përçudnuem nga turbo-folku dhe të përdhosun nga e pa-bukura”, bëjnë me dije organizatorët për festivalin që sonte starton në edicionin e dytë. Ky festival organizohet nga ReK – Remont Kapital Culture Center.

Aktiviteti muzikor

Për herë të parë në Tiranë, poli-instrumentisti Robert Bisha erdhi me projektin e tij në piano solo “Ritual Moods”, tinguj pianoje, eksperimentime mbi të, me hark a makinë rroje, interpretim në kitare, saze e def në muajin prill në Teatrin Metropol.

Robert Bisha ka lindur në Vaun e dejës (Shkodër) në vitin 1984. Kompozitor por mbi të gjitha Improvizues në piano dhe poli instrumentist, shkruan SotNews. Ka kompozuar pjesë për piano për muzikë dhome në një rrymë që tejkalon muzikën klasike dhe muzikën xhaz. Kritika e ka vlerëson si improvizues i veçantë, i pa arritshëm dhe virtuoz i pianos. Në Itali vazhdon karrierën e tij artistike.

Ka sjell, për herë të parë në historinë e Shqipërisë, në Teatrin e Operës dhe të Baletit në Tiranë, një koncert për piano i tëri i improvizuar. Një mendim shumë i thellë mbi muzikën dhe mbi mënyrën e komunikimit. Larg vullnetit të interpretimit dhe të imitimit. Afër kërkimit të brendshëm po ashtu në lidhje me totalitetin.

“Muzika është kombinim tingujsh brenda shumë formave. Forma duhet eliminuar për më ardhur tek tingulli në mënyre direkte. Njeriu ka nevojë për formën vetëm kur nuk është gjithnjë në kërkim të vetvetes; kjo ndoll edhe kur format janë të shumta”, përfundon Bisha./ KultPlus.com

Dy filma kosovarë me aktorin Xhevat Qorraj në rol kryesor, janë shfaqur në Festivalin e Filmit në Maltë (FOTO)

Në edicionin e 55-të të Golden Knight Malta International Film Festival, janë shfaqë dy filma të metrazhit të shkurtër e që vijnë me rrëfim, me ekip dhe sheshxhirime nga Kosova, shkruan KultPlus.

Në të dy këta filma, me rol kryesor paraqitet aktori i mirënjohur kosovar Xhevat Qorraj.

“Memory”, është filmi i metrazhit të shkurtër që për skenarist e regjisor ka Ilirjan Himaj ndërsa filmi tjetër është i regjisores së re në moshë Lorena Sopit, ku “Përjetësisht fëmijë” vjen po me skenar të Sopit.

Festivali ka nis më 28 nëntor ndërsa sonte ka natën e fundit të tij.

KultPlus, po sjellë rrëfimet e këtyre filmave bashkë me ekipin që i kanë jetësuar ata:

“Përjetësisht fëmijë” është film me skenar e regji të Lorena Sopit. Ky film trajton raportin e rrënuar familjar mes babasë autoritar dhe fëmijut të mitur. Moni, një djalë dhjetë vjeçar, jeton me të atin Xhemën në varfëri të madhe. Gjatë një dreke fatale, i ati Xhema vret aksidentalisht djalin e tij, Monin. Gjatë gjithë jetës së tij, Xhema do të ndjenë peshën e mallkimit, duke bartur mbi vete fajin për atë që ka ndodhur. Në ditët e tij të fundit, në moshë të shtyer, Xhema kthehet në shtëpinë ku ka ndodhur vrasja për të kërkuar falje nga djali i tij i vdekur,me shpresë se do të liroj shpirtin nga pesha e fajit dhe do të pushoj i qetë në jetën e përtejme.

Në kastën e aktorëve bëjnë pjesë: Në rolin kryesor paraqitet aktori i njohur Xhevat Qorraj dhe Miran Zymberaj. Në rolet e tjera vijnë Sheqerije Buqaj, Beslidhe Bytyqi, Kosovare Hoti, Joni Thimi…

“Përjetësisht fëmijë”, ka korrë disa suksese nëpër festivale të ndryshme ndërkombëtarë ndërsa për publikun shqipfolës ende nuk është shfaqur. Filmi është prodhim i AS Film Production dhe Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës

“Memory” me skenar e regji të Ilirjan Himajt, sjellë rrëfimin e plakut Sylë, i cili është i sëmurë me Alzaimer. Ai del nga shtëpia për të blerë një lodër për nipin e tij. Në përballje me sëmundjen, të ftohtit e dimrit dhe reshjet e borës, ai nuk arrin të kujtojë rrugën e kthimit për në shtëpi.

Ky film vjen nën lojën e aktorëve: Xhevat Qorraj, Igballe Qena, Selman Lokaj, Avdullah Gjikokaj, Besim Ajeti, Agron Krasniqi, Labinot Lajçi, Agron Shala. Producent i filmit është Agron Shala kurse edhe “Memory” deri më tani është shpërblyer në disa festivale shumë prestigjioze ndërkombëtare.

Të dy filmat për drejtor fotografie kanë Latif Hasollin./ KultPlus.com

Festivali “Photo Vogue” trajton çështje të rëndësishme përmes fotografisë (FOTO)

Vogue Italia është nikoqire e një seri shfaqjesh në Milano duke përfshirë tema sensacionale shoqërore dhe politike në mënyrë që të nxis debat përmes imazheve goditëse nga fotografët më të njohur, përcjellë KultPlus.

Festivali i “The Photo Vogue” në Milano do të paraqes tri ekspozita. E para quhet “Moda dhe Politika në Vogue Italia” dhe shfaq ambiciet e revistës për të qenë një katalizator për ndryshim – në mënyrë të shpejtë dhe delikate.

Çështjet që trajtohen në këtë ngjarje përfshijnë gjininë, pasurinë, mjedisin, protestën dhe ndërtimin e identitetit. /KultPlus.com

Shpallen fituesit e edicionit të parë të Festivalit “Othello”

Edicioni i parë i Festivalit të Teatrove “Othello”, në Gostivar, përfundoi mbrëmë me ndarjen e çmimeve, shkruan Kultplus.

Në këtë edicion fituese doli të jetë shfaqja nga Teatri Shqiptar në Shkup “Darka e Thërrimeve” me regji të Qëndrim Rijanit. Kjo shfaqje mori edhe çmimin e aktores më të mirë, që shkoi për aktoren Amernis Nokshiq.

Regjisori më i mirë iu nda regjisorit Fatos Berisha me shfaqjen nga Teatri i Ferizajt “Psikozë n’4:48” ndërkaq çmimi aktori më i mirë shkoi për Romir Zallën me shfaqjen “Një jetë me ty”./ KultPlus.com

Me nisjen e Festivalit “Ditët e Komedisë Shqiptare”, përurohet Teatri i Preshevës (FOTO)

Dje nisi edicioni i 14-të i Festivalit “Ditët e Komedisë Shqiptare”, në Preshevë, shkruan KultPlus.

Ky edicion i këtij festivali u hap nga Teatri i Preshevës i cili edhe zyrtarisht u përurua mbrëmë, me shfaqjen “Maratonistët” nën regjinë e regjisorit Kastriot Saqipi.

“Ditët e Komedisë Shqiptare” që nisën më 13 nëntor do të mbahen deri më 17 nëntor, ku do të shfaqen gjithsej edhe katër shfaqje të tjera, ndërsa në fund do të ndahen çmimet.

Sot më 14 nëntor, në këtë festival do të paraqitet shfaqja nga Qendra Multimedia në Prishtinë, “Peer Gynti nga Kosova” me autor Jeton Neziraj e regji të Agon Myftarit.

Më 15 nëntor do të paraqitet Teatri i Tetovës me shfaqjen “Kripë deti” me regji të Nehat Mehmetit.

Më 16 nëntor do të jetë shfaqja nga Teatri Shqiptar i Shkupit “Shfaqja që shkon mbrapsht” me regji të Agon Myftarit.

Ndërsa në natën e fundit të festivalit, më 17 nëntor do të jetë shfaqja nga Teatri “Migjeni” në Shkodër “Tartufi” me regji të Kushtrim Bekteshit.

Nga juria në përbërje të Fatmir Spahiut-aktor, Osman Ahmeti-aktor, Ben Apolloni-regjisor, do të ndahen 7 çmime për më të mirët e këtij festivali. Fotografitë: Krenar Halimi./ KultPlus.com

Jonida Brahimaj fituese e Lyra Fest 2017-të

Festivali i këngës për fëmijë Lyra Fest sivjet realizon edicionin e 11-të tij duke krijuar traditë në qytetin e Gjakovës.

Mbrëmë ky festival në skenën e tij solli magji për fëmijët dhe në fund fare u ndanë edhe çmimet. Vendin e parë e mori Jonida Brahimaj, ku muzikën e këngës e kishte bërë kompozitori i njohur kosovar Memli Kelmendi, shkruan KultPlus.

KultPlus, po i publikon fituesit e sivjetmë të Lyra Fest, nga vendi i parë e tutje:

Vendi I – Jonida Brahimaj, muzika: Memli Kelmendi.
Vendi II – Flutra Lokaj, muzika: Shkodran Tolaj; dhe Mario Zaja&Anxhela Vathi, muzika: Ylli Kalaja.
Vendi III – Krojza Krasniqi, muzika: Butrint Bicurri;
Vesa Konjufca, muzika: Armend Rexhepagiqi;
Vlera Shala, muzika: Mimoza Kurshumlia.
Çmimi “Lyra Fest 2017” – Oqeana&Perla Batalli, muzika: Mimoza Kurshumlia.
Çmimi “Paraqitja më e mirë skenike” – Krojza Krasniqi, muzika: Butrint Bicurri.
Çmimi “Dueti më i mirë” – Nota Qirezi&Riga Maxhuni, muzika: Urim Qirezi.
Çmimi “Debutanti më i mirë” – Elis Bajrami, muzika: Hysni Klinaku; Erion Ballanca, muzika: Vagner Nushi.
Çmimi i shkollës “Misbah&Friends” – Vesa Konjufca, muzika Armend Rexhepagiqi.
Sivjet në Lyra Fest numri i këngëve pjesëmarrëse ishte mbi 200, me autor të ndryshëm nga të gjitha trojet shqiptare./ KultPlus.com

Pesë shfaqje nga trojet shqiptare në edicionin e parë të ‘Othello’ (FOTO)

Na data 9 e deri më 13 nëntor në Gostivar do të mbahet edicioni i parë i festivalit të teatrove ‘Othello’, shkruan KultPlus.

Ky festival i cili organizohet nga Argjend Hasani dhe Berat Saliu, do të sjellë gjithsej pesë shfaqje nga trojet shqiptare.

Nata e parë sjellë shfaqjen nga Durrësi “Një jetë me ty” nё regji tё Erion Kames, nata e dytë sjellë shfaqjen nga Teatri i Ferizajt “Psikozё n’4:48” me regji të Fatos Berishës, në natën e tretë vjen shfaqja nga Teatri Kombëtar në Shkup “Darka e thërrimeve” nё regji tё Qёndrim Rijanit, nata e katërt paraqet nga Prishtina- Art Polis shfaqjen “Copё copё” nё regji tё Zana Hoxha Krasniqit ndërsa në natën e pestë dhe të fundit të këtij edicioni të ‘Othello’ ngjitet në skenë shfaqja nga Teatri i Kumanovës , “Mёsimi” me regji tё Ilirjan Himajt.

‘Othello’ organizohet nga Shoqata Kultore Fishta dhe ne bashkepunim me Qendren per Kulture, Komunen e Gostivarit dhe Ministrine e Kultures, njofton Flaka./ KultPlus.com

Nisë në Metropol Festivali i Dramës Shqipe

Festivali i dramës shqipe startoi mbrëmë edicionin e parë në skenën e teatrit të Metropolit. Në këtë edicion të parë të festivalit, i cili mbahet në datat 1- 4 nëntor janë përzgjedhur vepra si “Loja e Mbasdrekës” e Martin Camaj, “Armiqtë” e Shpëtim Ginës, “ I biri i Begut” e Milo Duçit.

Pjesë e festivalit është dhe shfaqja “Rrno për me tregue” e At Zef Pllumit me regji nga Milto Kutali, si dhe disa pjesë inskenim të “Njollat e murrme” e shkruar nga Minush Jero dhe regji nga Sonila Kapidani. Gjatë ditëve të festivalit do të ketë edhe dy lexime veprash, “Foleja Kombëtare” nga Lumo Skëndo si dhe “Prangat” nga Halil Laze dhe pas çdo shfaqjeje do të organizohen panele diskutimesh për çdo vepër përkatëse. Sipas drejtoreshës së teatrit Jonida Beqo, “Metrofest” do të jetë festival i përvitshëm i Teatrit Metropol, i cili do të ofrojë në çdo edicion të tij, eksplorimin e një aspekti të ndryshëm të teatrit.

“Jemi shumë të entuziazmuar që këtë edicion të parë vendosëm që të hulumtonim disa nga veprat shqiptare të arkivave, të cilat për një arsye ose një tjetër nuk e kanë prekur kurrë skenën. Fokusi ynë, është te krijimi i një marrëdhënie të shëndetshme me veprën shqiptare”, tha drejtoresha Jonida Beqo.

Veprat vihen për herë të parë në skenë nga regjisorët, platformat e të cilëve janë përzgjedhur gjatë audicionit në Teatrin Metropol. Përkatësisht “Loja e Mbasdrekës” nga Martin Camaj, e cila në skenë erdhi mbrëmë më regji nga Shkëlzen Berisha, vepra e dytë është “I biri i Begut” Milo Duçi dhe do të jetë në skenë në ditët e festivalit me regji nga Joana Omeraj si dhe vepra e ndaluar e Shpëtim Ginës me titull “Armiqtë”, që do të vihet në skenë nga Xhuljano Brisku.

Drejtoresha Jonida Beqo tha dje se regjisorët u përzgjodhën si rezultat i këndvështrimit që kishin mbi pjesët shqiptare. “Në fillim të pranverës ne shpërndamë këto tekstet për të na paraqitur më pas secili platformën e tij regjisoriale. Si pjesë integrale e punës me veprën shqiptare dhe teatrin shqiptar, pyetja e vazhdueshme është se kush do ta trashëgojë dramë shqipe, kush po vjen tani e kush do të vij më pas, kush do vazhdojë këtë punë e kush do ta çoj më tej? Tre regjisorët e veprave shqiptare u përzgjodhën si rezultat i këndvështrimit që kishin mbi këto vepra”, vijon drejtoresha e teatrit Jonida Beqo.

“Loja e Mbasdrekës”

“Loja e Mbasdrekës” me autor Martin Camaj dhe regji nga Shkëlzen Berisha u luajt në skenë nga emra aktorësh të njohur të teatrit si dhe të rinj. Rolet në vepër u interpretuan nga Mehmet Xhelili, Ema Vogli, Julinda Emiri, Ketjona Pecnikaj, Engjëll Hoxha, Shkëlzen Berisha, Besmir Bitraku, Ergys Bamçi. Kostumografia nga Ina Elezi dhe skenografi Hysni Loka. Drama “Loja e mbasdrekës” e autorit Martin Camaj ka në qendër të saj një fenomenin e gjakmarrjes. Është shkruar në vitin 1981, dhe është botuar në vitin 1995. Ngjarjet në veprën “Loja e Mbasdrekës” zhvillohen në një fshat të malësisë së Dukagjinit, duke nxitur ndjesinë e lartësisë që vjen prej klimës së alpeve. “Loja” përdoret me mjeshtri në këtë shfaqje si nocion që e vendos njeriun mes “sajimit” dhe “së vërtetës”. E konsideruar nga regjisori jo vetëm si proces krijues, por si proces kulturimi e zgjerimi të dijeve gjuhësore, historike e sociale, puna për realizimin e kësaj shfaqjeje ka qenë një rrugëtim mjaft i fuqishëm dhe nxitës që ngre pyetje që çojnë në një hapësirë të re thellimi e jo që gjen dhe jep përgjigje statike: Çfarë është drejtësia? Çfarë është padrejtësia? Cila vijë i ndan këto të dyja e si gjendet individi dhe subjektiviteti i tij mes këtyre rrjedhave kur hapësirat e ligjit të shkruar dhe ligjit zakonor thërrasin për interpretim?(Marrë nga SotNews)./ KultPlus.com

‘Martir’ me regji të Fatos Berishës, pjesëmarrëse në ‘SkupiFestival’

Të shtunën më 14 tetor në edicioni e njëmbëdhjetë të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove ‘SkupiFestival’, do të jepet shfaqja nga Teatri i Qytetit të Gjakovës ‘Hadi Shehu’ ‘Martir’, shkruan KultPlus.

Kjo shfaqje që përfaqëson Kosovën në këtë festival në Maqedoni, vjen me regji të regjisorit Fatos Berisha.

Shfaqja sjellë në kastën e aktorëve: Besfort Berberi, Yllka Pylla, Edmond Hafizademi, Bujar Ahmeti, Muradije Muriqi, Arbies Komoni, Ylber Mehmeti, Yllka Lota, Myrvete Kurtishi dhe Ahmet Bakija.

‘Martir’, shfaqet të shtunën më 14 tetor me fillim nga ora 20:00 në QKR (MKC)-Salla Frosina ndërsa festivali ndërkombëtar i teatrove ‘SkupiFestival’, nisë nesër në Shkup/ KultPlus.com

Filloi Festivali i Filmit ‘Hyjnesha nё Fron’, dashuri me kinemanë

Edicioni i dhjetё i Festivalit tё Filmit Ndёrkombёtar “Hyjnesha nё Fron” (Hn’F) nё praninё e shumё mysafirёve dhe dhjetëra krijuesve filmik, tё shtunёn nё mbrёmje, nё stacionin e trenave nё Fushё Kosovё, pёrkatёsisht nё “Hotel Hyjnesha” i hapi portat e kinemasё dhe rampat e projeksionit pёrmes njё shёnimi jubilar dhe njё ceremoni festive.

Nё ceremoninë e hapjes ku ishin prezent shumё mysafirё dhe artistё filmbёrёs nga disa vende si Izraeli, Holanda, Gjermania, Franca, Beligjika… u tha se festivali ёshtё duke kaluar nёpёr zgjedhje dhe nёpёr ndryshime.

“Disa nga ju mbase e keni vёrejtur se festivali po kalon nёpёr ndryshime”, deklaroi drejtuesja e programit te Hn’F-sё, Makfire Morea nga cilёsia e moderimit duke theksuar pёr kushtet e limituara organizative pёr shkak tё zgjedhjeve nё vend si dhe lёvizjes sё lirё.

“Jemi tejet tё kёnaqur tё jemi nё mesin e miqve qё e ndajnё dashurinё tonё ndaj kinematografisё, jetёs dhe lirisё”, tha Morea nё vazhdim.

“Hyjnesha” u themelua nё vitin 2002 nga aktori, Besim Ajeti , si festivali i parё ndërkombëtar, i themeluar pak kohё pas lufte, nё Kosovё. Megjithatё, kanё kaluar mё shumё se pesёmbёdhjetё vjet, qё atёherё, festivali regjistron vetёm edicionin e tij tё dhjetё me radhё pёr shkak tё rrethanave shoqёrore.

“Filmi, trenat dhe miqёsia ёshtё lidhja qё ne po mundohemi ta ndёrtojmё dhe ta mbajmё gjallё”, u tha Morea mysafyrёve tё mbledhur nё njёrёn nga tri tribunat, nё njё ambient me mot tё ftohtё, para se tё shfaqej premiera evropiane e filmit kanadez “Kiss and cry” (“Puthje e lot”).

Pasi u prezantuan dy juritё e festivalit, pёr film tё metrazhit tё gjatё nё krye me Mark Norfolk dhe atij tё shkurtё me nё krye Naser Shatrollin si dhe me njё pjesëmarrje nga vende tё ndryshme publiku u drejtua pёr nё sallёn e vogёl e tё ngrohtё ku mundi ta pёrcjellё me pёrkushtim projeksionin kinematografik qё ёshtё nё garё pёr njёrin nga çmimet e festivalit, pёrfshirё çmimin pёr filmin mё tё Mirё tё Hn’F-sё./ KultPlus.com

Filmi i Izer Aliut hapë festivalin TIFF-ODA

Edicioni VI i TIFF – ODA do të nis më 3 tetor në Tetovë, Maqedoni, shkruan KultPlus.

Ky festival i cili ka për qëllim qasjen e të gjithë artistëve të filmit dhe rritjes së ndërgjegjësimit të qytetarëve, shkëmbimit të ideve dhe prezantimit të veprave kulturore, do të mbahet deri më 7 tetor. Brenda kësaj javë do të shfaqen filma nda vende dhe artistë të ndryshëm.

Ceremonia e hapjes është më 3 tetor me fillim nga ora 20:00 me shfaqjen e filmit ‘Hunting Flies’, me regji të Izer Aliut./ KultPlus.com

Fatos Berisha me ‘Psikozë n’4:48’ në festivalin BATTIF

Shfaqja me tekst të Sarah Kane ‘Psikozë n’4:48’, erdhi premierë vitin e kaluar në Kosovë nga regjisori Fatos Berisha. Kësisoj kjo shfaqje e cila udhëtoi goxha shumë tashmë do të merr pjesë edhe në festivalin BATTIF në Tiranë, shkruan KultPlus.

Balkan Teater Tirana Fest nis më 29 shtator dhe sjellë gjithsej katër shfaqje nga Bosnje dhe Hercegovina, Shqipëria, Maqedonia e Kosova. Festivali përfundon më 1 tetor me shfaqjen e Fatos Berishës e cila nis me fillim nga ora 18:30.

Në ‘Psikozë n’4:48’ luajnë aktorët: Mevlan Saraçi, Edona Berisha, Ekrem Jakupi, Jajush Ramadani, Ali Krasniqi, Sherif Bega, Arben Marevci dhe Milot Salihu./ KultPlus.com

Shtyhet për një ditë festivali i Kafes dhe Çajit

Për shkak të kushteve atmosferike, të reshurave të shiut, është shtyrë për 1 ditë Festivali i Kafes dhe Çajit i paraparë të mbahet me datën 27 dhe 28 shtator 2017.

Sipas njoftimit të organizatorëve, festivali do të nis të enjten me 28 shtator dhe do të zgjatë deri më 29 shtator.

Njoftimi i plotë:

Shtyhet për 1 ditë COFFEE AND TEA FESTIVAL – Edicioni 3

Për shkak të kushteve atmosferike, të reshurave të shiut, është shtyrë për 1 ditë Festivali i Kafes dhe Çajit i paraparë të mbahet me datën 27 dhe 28 shtator 2017.

Festivali do të mbahet me 28 (e Enjte) dhe 29 shtator (e Premte) 2017 .

Hapja zyrtare do të bëhet të Enjten me dt.28.09.2017 duke filluar nga ora 10:00 deri 23:00 dhe do zgjasë për 2 ditë rresht .

Në festival do të ekspozohen loje të ndryshme të kafes dhe çajit, do të përformojnë DJ të njohur vendor, do të ketë maskota me karaktere të ndryshme të cilat do të përkujdesen për argëtimin e vizitorëve, ku nuk do të mungojnë edhe dhuratat e shumta për të cilat do të përkujdesen pjesëmarrësit e festivalit./ KultPlus.com

Filmi i Ilirjan Himajt selektohet në festivalin kualifikues për Oscars

‘Memory’ selektohet për të qenë pjesë e konkurrencës zyrtare në edicionin e 31-të të ‘Edmonton International Film Festival’ i cili do të mbahet nga 28 shtator deri më 7 tetor dhe njëherësh është njëri ndër festivalet kualifikuese për ceremoninë Oscars.

Lajmin për selektim të ‘Memory’ e ka bërë të ditur për KultPlus, vetë regjisori i filmit Ilirjan Himaj, i cili ka treguar se filmi i tij shfaqet më 4 tetor si premierë Kanadeze.

‘Memory’, premierën botërore e pati dhënë në edicionin e 65-të të ‘Columbus International Film + Video Festival’, në Ohio të USA i cili njëherësh është edhe festivali më i vjetër i filmit në Shtete e Bashkuara të Amerikës. Poashtu ky film i metrazhit të shkurtër i Himajt, ka qenë pjesë i edicionit të 50-të të ‘Humboldt International Film Festival’ në Kaliforni, ku dhe është shpërblyer me dy çmimet kryesore të festivalit, ‘Best of Narrative’ dhe ‘Best of Fest Overall’.

Ndërsa si premierë evropiane ‘Memory’ që sjellë në rolin kryesor Xhevat Qorraj, është shfaqë në ‘Festival Internacionale de Cine de Lanzarote’ festival ky i akredituar nga akademia spanjolle Goya.

Filmi i Ilirjan Himajt, flet për plakun Sylë, i cili del nga shtëpia dhe si pasojë e sëmundjes së alzaimerit nuk arrin të gjejë rrugën e kthimit për në shtëpi.

Producent i këtij filmi është Agron Shala dhe Latif Hasolli ndërsa drejtor fotografie është Latif Hasolli. Filmi është realizuar me vetëfinancim dhe kontribut nga vetë ekipi i tij./ KultPlus.com

Grupi 403 rikthejnë hitet e tyre në skenën e Hardh Fest (VIDEO)

Legjenda e muzikës shqiptare, Grupi 403, mbrëmë ka performuar live në Festivalin ‘Hardh Fest ‘, aty ku i priti një publik i madh, si asnjëherë më parë në këtë festival, shkruan KultPlus.

“403” kanë rikthyer hitet e tyre në këtë skenë të ngrohtë, duke mahnitur kështu publikun me performancën e tyre.

“403” është një grup muzikor i njohur, që këndon muzikë rock. Grupi 403 është pjesë e gjeneratës së Rockut Kosovar të viteve 80’, e cila njihet edhe si koha më e ndritur në krijimtarinë e rockut në Kosovë. Grupi 403 u formua në vitin 1981 nga Mentor Gjurgjiali (bas), Fatmir Zajmi (bateri) dhe Naim Osmani (kitarë). Bendit më vonë, pas kryerjes së shërbimit ushtarak, i bashkohet Hektor Gjurgjiali (vokal dhe kitarë), Arben Godanca (kitarë) dhe Veton Orana (sint).

Më poshtë po ju sjellim një video nga atmosfera e krijuar mbrëmë. / KultPlus.com