FFK: Futbollistët mbrojtën dinjitetin e shtetit, do të ankohemi në UEFA

Federata e Futbollit të Kosovës ka dënuar provokimet dhe sjelljet raciste të tifozëve rumunë.

Në komunikatën e tyre, FFK-ja bën të ditur se arsyeja e tërheqjes së kombëtares ishin thirrjet e vazhdueshme raciste dhe anti-Kosovë.

“Ndeshja u ndërpre për shkak të thirrjeve të vazhdueshme raciste dhe anti-Kosovë nga tifozët rumunë, të cilët përsëritën sjellje raciste dhe provokuese që dëmtojnë rëndë frymën e fair play-it, vlerat e futbollit dhe janë në kundërshtim të plotë me rregulloret dhe parimet e UEFA-s. Thirrjet si “Kosovo is Serbia” dhe “Serbia, Serbia”, fishkëllimat gjatë intonimit të himnit kombëtar të Kosovës, hedhja e gjësendeve të forta në stadium dhe veprime të tjera ofenduese e provokuese ishin të pranishme gjatë gjithë ndeshjes, duke krijuar një atmosferë të papranueshme dhe jo të sigurtë për lojtarët tanë”, thuhet në komunikatën e FFK-së.

FFK-ja ka njoftuar se për shkeljet ka raportuar tek delegati i ndeshjes dhe e ka nisur përgatitjen e ankesës së plotë për në UEFA.

Komunikata e plotë:

Racizmi dhe thirrjet anti-Kosovë në Rumani, një sulm ndaj vlerave të futbollit dhe dinjitetit të Kombëtares së Kosovës

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) dënon ashpër provokimet dhe sjelljet raciste që ndodhën gjatë ndeshjes së mbrëmshme ndërmjet Rumanisë dhe Kosovës në Bukuresht, në kuadër të UEFA Nations League. Ndeshja u ndërpre për shkak të thirrjeve të vazhdueshme raciste dhe anti-Kosovë nga tifozët rumunë, të cilët përsëritën sjellje raciste dhe provokuese që dëmtojnë rëndë frymën e fair play-it, vlerat e futbollit dhe janë në kundërshtim të plotë me rregulloret dhe parimet e UEFA-s.

Thirrjet si “Kosovo is Serbia” dhe “Serbia, Serbia”, fishkëllimat gjatë intonimit të himnit kombëtar të Kosovës, hedhja e gjësendeve të forta në stadium dhe veprime të tjera ofenduese e provokuese ishin të pranishme gjatë gjithë ndeshjes, duke krijuar një atmosferë të papranueshme dhe jo të sigurtë për lojtarët tanë.

FFK kishte paralajmëruar më shumë se dy herë me shkrim organet përkatëse të UEFA-s për mundësinë e veprimeve të tilla, një herë disa ditë para ndeshjes dhe më pas disa minuta përpara fillimit të saj. Përkundër këtyre paralajmërimeve, tifozët rumunë vazhduan me sjellje të papërgjegjshme dhe diskriminuese, duke detyruar Kombëtaren e Kosovës të lërë fushën për shkak të mungesës së sigurisë dhe dinjitetit.

Ndeshja, që deri në momentin e ndërprerjes kishte një performancë të shkëlqyer nga Kombëtarja e Kosovës dhe një rezultat 0:0, u përshkallëzua edhe më tej për shkak të refuzimit të tifozëve për të ndalur thirrjet e tyre raciste dhe provokuese. Pavarësisht përpjekjeve të trajnerit tonë, z. Foda, për të arritur që ndeshja të luhet dhe të eliminohen veprimet e tilla nga tifozët rumunë, prapëseprapë edhe gjatë ndërprerjes sjelljet raciste vazhduan. Në një situatë të tillë lojtarët zgjodhën me të drejtë të respektojnë rregulloret kundër racizmit të UEFA-s dhe të mbrojnë dinjitetin e shtetit të Kosovës, si një anëtar i barabartë i UEFA-s dhe FIFA-s.

Për më tepër, pas ndeshjes, një zyrtar rumun ndërhyri në konferencën për shtyp të Kombëtares së Kosovës, duke larguar gazetarët dhe më pas, në një veprim të papranueshëm, kërcënoi dhe sulmoi një lojtar të Kosovës në korridoret e stadiumit. Kjo sjellje e turpshme dhe e papranueshme çoi në reagimin e menjëhershëm të përfaqësuesve të FFK-së.

Për të gjitha këto shkelje të rënda, FFK ka raportuar menjëherë incidentet tek delegati i ndeshjes dhe ka nisur përgatitjen e një ankese të plotë me fakte dhe prova që do t’i dorëzohen organeve disiplinore të UEFA-s.

Ne besojmë se UEFA do të veprojë në përputhje me vlerat e saj themelore për të dënuar ashpër gjuhën raciste dhe veprimet e tjera të papranueshme që ndodhën gjatë kësaj ndeshjeje.

FFK riafirmon angazhimin e saj për të mbrojtur dinjitetin e Kombëtares së Kosovës dhe vlerat e futbollit, por edhe parimet e UEFA-s e FIFA-s për futboll pa politikë dhe respektim të ‘fair-play’-it, si një lojë që duhet të bashkojë dhe jo të ndajë. Racizmi dhe diskriminimi nuk kanë vend në sport dhe as në shoqërinë tonë.

Të shtunën mbahet turneu për nder të Legjendës Fadil Vokrri

Në organizim të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), të shtunën, më 23 korrik, do të mbahet turneu kushtuar Legjendës, Fadil Vokrri, me rastin e ditëlindjes së tij.

Në këtë turne do të marrin pjesë veteranët e Përfaqësueses së Kosovës, veteranët e Kombëtares së Shqipërisë, veteranët e KF Llapit dhe veteranët e FC Prishtina.

Në ndeshjen e parë të turneut do të takohen Llapi-Prishtina, në orën 17:30, derisa në orën 19:00 do të zhvillohet ndeshja Kosovë-Shqipëri.

Ky turne do të transmetohet drejtpërdrejt në RTK, teksa të ftuar do të jenë familjarët e Legjendës dhe ish-bashkëlojtarët, si Ramadan Cimili, Erdogan Celina, Skënder Shëngyli, Esat Mehmeti, Rafet Prekazi etj.

Po ashtu, të ftuar janë edhe drejtues të institucioneve të nivelit lokal të Podujevës dhe Prishtinës si dhe atyre të nivelit qendror.

FFK po ashtu u bën ftesë publike të gjithë dashamirëve të futbollit që të jenë të pranishëm në këtë turne, që në mënyrë sa më madhështore të nderohet vepra dhe karriera e Legjendës. /KultPlus.com

Agim Ademi rizgjedhet në krye të FFK-së

Agim Ademi është rizgjedhur në krye të Federatës së Futbollit të Kosovës.

Ademi mori 42 vota në Kuvendin zgjedhor dhe ishte kandidati i vetëm për të parin e FFK-së.

Ky vendim erdhi pas verifikimit të aplikimeve të të kandiduarve për kryetar, verifikimit të nënshkrimeve të delegatëve ligjor që mbështesin të kandiduarit për t’u zgjedhur kryetar i FFK-së, si dhe verifikimin e procedurave të tjera statutare, në mbledhjen e mbajtur me 2 mars, ku u mor vendim që të aprovojë aplikimin e Agim Ademit, derisa të refuzojë atë të Gramoz Vokrrit./ KultPlus.com

Gramoz Vokrri dhe avokati i tij ende nuk e kanë marrë vendimin, e FFK ‘krenohet’ me refuzimin e Gjykatës

Federata e Futbollit të Kosovës ka publikuar vendimin e refuzimit të ankesës së Gramoz Vokrrit për pezullimin e Kuvendit Zgjedhor të FFK-së, përcjell KultPlus.

Gjykata Themelore e Prishtinës, sipas njoftimi thuhet se nuk është kompetente në pikëpamjet ligjore për ta gjykuar këtë lënde, dhe kësisoj edhe e kanë refuzuar.

“Gjykata pas shqyrtimit paraprak të padisë, në përputhje me nenin 17 dhe 19 të LPK-së, shqyrtoi kompetencën lëndore të Gjykatës në këtë çështje juridike dhe vlerësoi se Departamenti për Çështje Administrative i Gjykatës Themelore në Prishtinë, nuk është kompetente në pikëpamje lëndore për të gjykuar këtë lëndë”, thuhet në aktvendimin e gjykatës.

KultPlus ka kontakuar me Gramoz Vokrrin dhe ky i fundit ka deklaruar se përkundër faktit që FFK ka publikuar këtë vendim të Gjykatës, ai dhe avokati i tij nuk kanë pranuar një vendim të tillë.

“Është e çuditshme se si FFK-ja ka qasje në këto dokumente. As unë e as avokati s’kemi asnjë njoftim për këtë çështje”, thotë Vokrri për KultPlus.

Kuvendi Ligjor i FFK-së ia refuzoi kandidimin për kryetar, duke ia shpallur disa nënshkrime të pavlefshme, përfshirë klube sikurse Ulpiana e Prishtina.

FFK përmes një postimi në “Facebook”, ku edhe ka përfshirë pjesën e vendimit, e ka quajtur “fitore” këtë çështje, pasi fjalët e vendimet e tyre dolën të jenë të sakta.

FFK pritet që të mbajë zgjedhjet më 6 prill, derisa ato do të monitorohen nga UEFA, MKRS dhe organizata të tjera kompetente për këtë çështje.

Më poshtë mund ta lexoni postimin e FFK-së rreth kësaj çështjeje. /KultPlus.com

Ismaili ju ofron falas logon FFK-së: Kosova ka profesionistë që kanë kapacitete me u shtye me më të mirët e botës

Të martën që po lëmë pas Federata e Futbollit të Kosovës ka prezantuar logon e re e cila është përcjellë me kritika e debate të shumta. Ndërkaq sonte, Fisnik Ismaili ka ofruar një logo falas për Federatën, shkruan KultPlus.

Ismaili nëpërmjet një postimi në Facebook krahas shpjegimit të detajshëm rreth logos dhe mënyrës se si është krijuar ka shkruar se Kosova ka kapacitete të shtyhet edhe me më të mirët e botës.

Më poshtë mund të lexoni statusin e tij të plotë:

Pardje thashë se ndoshta një ditë flas për stemat, por, për me folë për to, mu desht me e mbarue një falas, që me mujtë me folë për procesin, simbolikën edhe përdorimin, e tyne, duke i vizatue gjanat, me shpresë se tezakët që dijnë kompjutera, udhëheqësit e institucioneve edhe klientat e kuptojnë rëndësinë, e qebesa edhe dallimin mes stemës edhe logos.

Po nisi me këto të fundit. Stemat e këtynehere kanë qenë “logot” e familjeve e principatave, hala pa ekzistue shtetet moderne. Ato janë përba prej shumë simboleve të detajueme (dhe shpesh shumë bukur të vizatueme), që i kanë karakterizue vlerat e asaj familjeje apo principate. Janë përdorë kryesisht kafshë, lule edhe objekte të ndryshme, më së shpeshi ato luftarake. Prandej thuja se krejt stemat edhe sot kanë formë mburoje.

Stemat me kohë janë shndërrue në flamuj, duke u thjeshtue shumë shumë, në vetëm vija dhe ngjyra, për me u identifikue nga larg, posaçërisht nëpër beteja. Prandej hala sot shtetet kanë flamur edhe stemë, që shpesh nuk janë të njajta, pos në ngjyra.

Tutje, me fillimin e industrializimit, kompanitë kanë fillue me i ba “stemat” e tyne, që sot janë logo. Ato me kohë, prej mesit të viteve 1800 e tutje janë thjeshtue vazhdimisht edhe sot i shohim gjithandej. Prandej, dallimi mes stemës e logos është koxha i madh:

Stema hala përdoret prej shteteve, popujve e institucioneve me e tregue madhërinë e tyne, edhe kanë shumë më shumë detaje sesa një logo.

Të dyjat janë të vështira me u krijue. Stemat, sepse lypin shumë me mendue se qysh ka me u përputhë simbolika në detaje, edhe me dijtë me i realizue bukur ato, ndërsa logoja se qysh ka me u paraqitë simbolika në sa më pak detaje, edhe sa më thjeshtë.

Prej inatit me logon/stemën “e falun”, se gjoja ajo e kaluemja nuk është përputhë me standardet e kriteret e UEFA (çfarëdoqofshin ato), mbrëmë vendosa me e ba një version se qysh e shoh unë këtë shenjë, meqë plot do edhe më sfiduen, duke iu përmbajtë do kritereve që mendoj se janë të domosdoshme.

Ky punim mi ka marrë nja 12 orë pune, por mos u mashtroni me mendue se na dizajnerat “pjellim” logo e stema qaty shpejt e shpejt, sepse ky është një proces i gjatë e i lodhshëm. Tjetër është që unë kam punue 25 vjet, për me mujtë me ba diçka shpejt e mirë për kohë të shkurtë.

Sfida kryesore kur e krijon një shenjë janë kufizimet: në ngjyrë, në veprimtari të kompanisë/institucionit, në ndoj kërkesë specifike, në “kriteret” e UEFA-s (që s’pat kurrfarë kriteri për atë shëmti).

Me krijue simbole të institucioneve shtetënore të Kosovës është sfidë më vete! Flamuri aktual ka probleme: Ka hartë, që është gabimi më i madh që ka mujtë me u ba (ka mujtë me qenë diçka e thjeshteume si tatli/diamant, se Kosova qasi forme ka). Ka ngjyrë ari, që s’aplikohet asnjëherë tamon, edhe herë del i verdhë, herë i kaftë! I ka yjet e rendituna veç eh, pa provue të paktën me i rrotullue pakëz, me iu përshtatë formës harkore në të cilën flejnë.

Në çfarëdo shenje me i futë ato simbole, çkado tjetër me provue, ka me u ba xhyveç. Poaq vështirë është edhe me shqiponjën dykrenare që e kemi.

Çka bajnë dizajnerat zakonisht, është me u kapë për ndonjë simbol të lashtë, edhe me u mundue me e futë brenda. Zakonisht janë ilire: Helmetat, hyjnesha në fron që është ba bozë, kjo rrota skandaloze, e pak do tjera. Por, problemi del kur e aplikojnë: ose veç e gjuejnë qaty, pa u mundue me e ndërlidhë me simbolet tjera ma moderne, ose pritojnë me ia jepë atij simboli një formë moderne, që jo domosdo duhet me u dukë si helmetë a hyjneshë menjiherë si te kqyrësh. Helemtat ilire më shumë i shkojnë një logoje të tifozerisë, se asaj shtetnore.

Bukuria e një steme apo logoje është pikërisht kur, sa herë që e shikon, ia gjen një kuptim të ri që nuk e ke pa më herët.

Këtë jam mundue me e ba me këtë shenjë. Por, hala pa fillue, mu ka dashtë me vendosë a po e baj stemë, apo logo. Zakonisht, kur duhesh me futë tekst brenda, si shkurtesa apo emra më të gjatë, logoja shndërrohet në stemë, prandej e nisa si stemë.

Poashtu vendosa mos me përdorë simbole të lashta, për inat të qasaj rrotës. Si ekip futbolli shtetnor edhe ashtu s’kemi shumë histori: 5 vjet në UEFA. Synimin e pata me e ba një stemë moderne, e cila i përfaqëson ngjyrat e simbolet tona shtetënore, por edhe e jep një mesazh për shpirtin e ekipit, e ekipi i Kosovës kurrgja mos pastë, ka SHUMË shpirt!

Në dispozicion i pata 6 yje, tri ngjyra (ari, kaltër dhe bardh), një sferë, qoftë top apo glob edhe 3 shkronja që boll keq shkojnë afër njana-tjetrës (shkronja K është në veçanti e vështirë në dizajn).

Gjëja e parë që të kujtohet është me e krijue një top prej qatyne yjeve. Më lehtë thuhet se që bëhet. Mandej, mos me i jepë zor për me i dhanë njifarë kuptimi, krejt kanë me të thanë “Qe, e ke vjedhë logon e Champions’ League”, që i ka 9 yje të rendituna në formë topi të futbollit, që i simbolizojnë 9 ekipet që e kanë themelue ligën.

E sfidova veten me iu dhanë kuptim 6 yjeve të flamurit, duke e ba një dizajn që e komplekson atë të Champion’s League (modestinë anash), edhe mendoj se ia arrita. Simbolika e yjeve në këtë stemë ka shumë kuptime, të cilat po i spjegoj në vazhdim:

Më së pari, deshta që secili yll me e karakterizue një lojtar të ekipit, duke i dhanë randësi dyve prej tyne, të domosdoshme në çdo betejë – mbrojtjes dhe sulmit:

1. Ylli i artë poshtë në mes është portieri, 1-shi, në pozitë sikur kur e mbron një penallti. Prej tij ndëlidhet krejt ekipi.

2. Ylli i artë naltë në mes është kapiteni, solidi, ylli i ekipit, udhëheqësi që drejton sulmin, përfundi të cilit janë lojtarët tjerë.

Yjet e bardha janë lojtarët tjerë. Secila kambë e tyne është duke ia prekë kambën lojtarit tjetër, me e tregue lojën me kambë, ndërsa janë të kapun dorë për dore me e tregue bashkimin e pathyeshëm.

Këta bashkë e krijojnë një formë sferike, që e simbolizon unitetin edhe e krijon formën e topit, me të cilin luejnë ata, por edhe të globit, meqë shumica janë të shpërndamë nëpër ekipe rreth botës.

Të gjashtë yjet e krijojnë një formacion të diamantit, që është formacion lufte në betejë, por edhe diamanti si formë i gjason hartës së Kosovës edhe natyrisht simbolizon vlerë të naltë, pathyeshmëri dhe shkëlqim. Brenda asaj forme janë edhe disa forma diamanti (të stilizueme), një fleur-de lis (lule shpatore prej Google Translate) e fshehun, që tradicionalisht simbolizon nder, fisnikëri, madhështi, besim edhe unitet, edhe gati një logo e Tesla e fshehun qaty, që dul pa hiri.

Formacioni i diamantit, i ndërthurrun me formën sferike të topit, e jep një formë të një pike të ujit, e cila simbilizon si tanësi pikat e gjakut, djersës e lotëve (blood, sëeat and tears, thënie e famshme), për me arritë deri këtu.

Rëndësi i kam dhanë poashtu simbolikës së rremave (majave) të yjeve. Nëse i numëron rremat që nuk prekin rrem tjetër brenda topit (Yjeve të bardha dhe çkado brenda tyne, përjashto tre rremat e yllit naltë), e sheh se janë 11, që simbolizojnë 11 lojtarët.

Tre rremat e yllit naltë, pastaj, që janë të shndëritun, simbilizojnë krejt gjanat e randësishme të Federatës që shkojnë në treshe:

FIFA-UEFA-FFK

Federata-Ekipi-Tifozët

Blood-Sëeat-Tears

Mbrojtja-Mesfusha-Sulmi

Fjala “Kosova” i ka 3 rrokje KO-SO-VA

Fjala “Dardanët” i ka 3 rrokje DAR-DA-NËT

Gati në fund, sfidë e madhe ishte me e stilizue tekstin asisoji, që mos me qenë veç një font qaty i gjuejtun, por me pasë kuptim. Kuptimi në këtë rast është ndërlidhja e shkronjave, në veçanti F dhe K, që i rrethojnë krejt ato vlera që i përmenda ma naltë brenda FFK-së, edhe njëherësh e krijojnë një kornizë të stemës.

Edhe krejt në fund, shiriti i bardhë i drejtuem majtas naltë (ky eshtë drejtimi i të ardhmes dhe ngritjes), që e tregon rritjen dhe zhvillimin, që është synimi i Federatës, e njëherësh në drejtim të kundërt shihet si një rreze drite që e ndriçon këtë tanësi, që e simbolizon lavdinë, famën, triumfin e shndëritjen.

Krejt pa hiri, mbi tre rremat e yllit naltë, më doli një formë si e një plisi të ngjitun shtremtë në krye, për ata që iu mbet hatri që nuk kam futë më shumë simbole kombëtare.

Hej, nime, qaj si numër 6 po duket si filikaqë e referit, se harrova.

Këtë simbolikë s’ka nevojë kurrë me ia spjegue dikujt. DIkush e sheh ndoj detaj, dikush ndoj tjetër, si pjesë e një tanësie të kandshme vizuele, që të ban krenar me e mbajtë në gjoks, e që nënvetëdije ka rëndësi edhe për lojtarin, edhe për tifozët.

S’po them se ky dizajn është më i bukuri, as ndoshta më adekuati, por ka simbolikë të fshehun shumë, është i pasun me detaje, kish nejtë mirë në fanella, duket modern, edhe definitivisht i len në gjumë krejt logot e FFK-së që i ka pasë deri tash. E qebesa edhe atë tezakun e UEFA-së që na e ka falë logon ta komplekson.

Këtë nuk e bana as për me shitë mend, as për me lypë me e ba logo zyrtare, ndonëse prej meje e keni falas, Federata e Futbollit e Kosovës – Football Federation of Kosova, vetëm për me ju tregue edhe një herë se jo gjithçka që vjen nga jashtë ka vlerë më të madhe se ato çka mundemi ne vendorët me ba.

Kosova ka profesionistë që kanë kapacitete me u shtye me më të mirët në botë në këtë fushë, por asnjëherë nuk ua dhatë rastin.

Le, se ma gjatë bana me e shkrue qet tekst… Paçi fundjavë të mbarë./ KultPlus.com

Federata e Futbollit të Kosovës e prezanton logon e re

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) e ka prezantuar logon e vet të re, në prag të fillimit të fushatës kualifikuese të Kombëtares për Kupën e Botës 2022.

Tri vjet pasi e shpalosi logon e parë që prej anëtarësimit në UEFA dhe FIFA, e cila u prit me kritika dhe mospëlqim, organi qeverisës i futbollit kosovar e prezantoi logon e re të martën, raporton Gazeta Express.

Logoja është punuar një partneri i UEFA-s, emri i të cilit nuk është bërë i ditur.

“Në pajtueshmëri me UEFA-s, i është besuar një partneri të UEFA-s për ta bërë logon. Kjo kompani i ka bërë 28 logo të Federatave. Futbolli duhet të jetë pikë unifikuese”, ka thënë Alba Morina nga Zyra për Marketing e FFK-së.

Logoja e re përbëhet nga tri ngjyra, ari, bardh dhe kaltër, me këtë të fundit që dominon. Me inicialet e federatës (FFK) të vendosura në kokë dhe gjashtë yjet e flamurit të Kosovës, që përfaqësojnë pakicat në vend, nën të, logoja përmban edhe një simbol dardan në formë rrethi, si dhe topin e futbollit.

Logoja e kaluar, dizajni i së cilës u kritikua bashkë me procesin sesi u bë ajo në vitin 2018, ishte shumë më e thjeshtë. Ajo përmbante yjet në flamurin e Kosovës dhe një top futbolli.

Me logon dhe fanellat e reja, Kosova do ta nisë fushatën e dytë kualifikuese për Kupën e Botës në historinë e Kombëtares të dielën e ardhshme më 28 mars.

Verdhekaltrit e presin Suedinë e Zlatan Ibrahimovicit në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet të dielën, para se të udhëtojnë drejt Sevillës për t’u përballur me Spanjën tri ditë më vonë. /KultPlus.com

Reagon FFK-ja: Në Spanjë luajmë me himn e flamur, përndryshe ndeshja nuk do të zhvillohet

Federata e Futbollit të Kosovës ka reaguar të martën mbrëma pas qëndrimit diskriminues të Federatës spanjolle. Federata e Futbollit të Spanjës i është referuar Kosovës si territori i Kosovës, kur ka paralajmëruar zbulimin e listës për tri ndeshjet e marsit.

Spanja e Kosova takohen më 31 mars në Seville në kuadër të eliminatoreve për Botërorin 2022. Gazeta spanjolle, Marca, ka zbuluar se qëndrime tjera diskriminuese pritet të ketë në ndeshje.

Por në Federatën e Futbollit të Kosovës janë të bindur se Kosova do të ketë trajtim si të gjitha përfaqësueset tjera në ndeshjen në Spanjë. Në FFK janë të bindur se në Spanjë do të intonohet himni i Kosovës dhe do të shfaqet flamuri.

Më poshtë e paraqesim reagimin e plotë të FFK-së:

Federata e Futbollit e Kosovës lidhur me provokimin e sotëm të Federatës së Futbollit të Spanjës, e cila në paralajmërimin e ndeshjes kualifikuese të Botërorit “Katar 2022” që zhvillohet më 31 mars në Sevilla, Kosovës iu referua si territor, reagon si më poshtë:

Qasja e shtetit spanjoll në drejtim të shtetit të Kosovës fatkeqësisht ka qenë destruktive që nga shpallja e Pavarësisë më 17 shkurt 2008, por kjo qasje dhe makijazhi që institucionet e këtij vendi mundohen t’i bëjnë shtetësisë së Kosovës, nuk mund ta ndryshojnë dot historinë dhe realitetin.

Kosova është shtet i pavarur, i pranuar nga shumica e vendeve më të zhvilluara e demokratike të globit dhe anëtare e barabartë me të gjitha shtetet tjera në UEFA e FIFA, që nga maji i vitit 2016.

Përpjekja e spanjollëve për ta minimizuar shtetësinë e Kosovës në ndeshjen e 31 marsit për kualifikimet e Botërorit “Katar 2022”, duke iu referuar Kosovës si territor, është e kot dhe e padrejtë. Ata janë të vetëdijshëm se në këtë datë do të përballen me Kombëtaren e Kosovës, e cila do të paraqitet si çdo shtet tjetër.

Kriteret e UEFA-s e FIFA-s janë të ditura e të qarta si kristali dhe Spanja e dinë këtë, prandaj çka do që thuhet e shkruhet nuk i ndërron këto rregulla dhe në asnjë mënyrë nuk do të ndërrohen. Nëse ata duan medialisht të arsyetohen para opinionit të brendshëm është çështje e tyre, por Kosova nuk do të bëjë asnjë lëshim – ne do të luajmë vetëm sipas kritereve dhe rregullave strikte të UEFA-s, me himn dhe flamur shtetëror, përndryshe ndeshja nuk do të zhvillohet.

Gjithsesi, për ne është e papranueshme kjo formë qasjeje e spanjolleve dhe menjëherë jemi vënë në kontakt me Federatën spanjolle, ku tani jemi në pritje të një reagimi të tyre të shpejtë. Nëse ata nuk do të reagojnë në këtë drejtim, atëherë ne do të jemi të detyruar të kërkojmë të drejtën tonë në UEFA, ku do të kërkojmë mbrojtje nga ky institucion, sepse jemi vend anëtar i UEFA-s me të drejta të barabarta sikurse 54 federatat tjera dhe Spanja është e obliguar të na trajtojë në atë formë.

FFK pret që Federata Spanjolle të sillet konform rregullave të UEFA-s e FIFA-s dhe të mos bëjë veprime të cilat dëmtojnë raportet ndërmjet federatave dhe dy shteteve tona./ KultPlus.com

FFK nis me projektin e ri të edukimit online

Federata e Futbollit e Kosovës në bashkëpunim me Federatën e Futbollit të Gjermanisë (DFB) ka nisur projektin e ri të trajnimit për edukatorë, trajnerë dhe gjyqtarë nëpërmjet platformës online “Edu Break – Academy”.

Sipas FFK, kjo platformë është tejet e mirëseardhur, sidomos në këtë periudhë të pandemisë, por është tejet funksionale edhe për të ardhmen, ku sigurisht do të kombinohen ligjëratat online me punën praktike, transmeton Klan Kosova.

“Ky projekt po realizohet nën përkujdesjen e drejtorit teknik Michael Nees dhe menaxheres për Grassroots, Sanije Krasniqi dhe menaxherit të gjyqtarëve, Visar Kastrati, derisa pjesë e projektit janë edhe Horst Kriete, instruktor për trajnerë dhe David Wetsel, instruktor për kurset e portierëve. Fillimisht në këtë projekt po bëhet trajnimi i edukatorëve, me ligjërues nga ‘Edu Break – Academy’, të cilët më pas do të vazhdojnë trajnimet me trajnerët dhe gjyqtarët e rinj”.