Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës në Paris, është pritur në takim nga presidenti i FIFA-a, Gianni Infantino, me të cilin diskutoi për prezantimin e deritashëm të garuesve të Kosovës në Lojërat Olimpike, por edhe për mundësitë për mbështetjen nga kjo organizatë për zhvillimin e infrastrukturës sportive të shtetit tonë.
Theks i veçantë në takim iu kushtua mbështetjes së futbollit të vajzave si dhe bashkëpunimit në projekte konkrete.
Në këtë kontekst Presidentja shtroi nevojën për ndërtimin e fushave të reja sportive në funksion të zhvillimit të sportit dhe zhvillimit të talentëve të rinj.
Presidenti i FIFA-s, Infantino, ndërkaq tha se kjo organizatë sportive është e gatshme që për çdo fushë sportive që ndërtohet në Kosovë, FIFA ta ofrojë ndërtimin e një fushe të re. Poashtu u diskutua për bashkëpunim në programe të sportit në shkolla si dhe fusha të tjera./ KultPlus.com
FIFA shpalli sonte më të mirët e vitit 2023, në një mbrëmje gala që po mbahet në Londër.
Çmimi kryesor “Futbollisti më i mirë” u rrëmbye sërish nga Lionel Messi.
Ylli argjentinas nuk ishte i pranishëm në ceremoni fare. Gjithsesi, ai ia doli të mposhtë konkurrencën ndaj Erling Haaland dhe Kylian Mbappe, që ishin dy të nominuarit tjerë.
Messi u vlerësua për trofetë e fituar me Paris Saint-Germainin dhe Inter Miamin.
36-vjeçari mori 48 pikë, aq sa mori edhe Haaland, por që Messi u rendit i pari falë një rregullore, që i jep përparësi numrit të nominimeve të zgjedhjes si i pari nga kapitenët e Kombëtareve.
Mbappe përfundoi i treti me 35 pikë./indexonline/KultPlus.com
Mërgim Vojvoda ishte protagonist i ndeshjes me Rumaninë mbrëmë duke e bërë shqiponjën dykrenore me duar si përgjigje ndaj tifozëve rumunë, të cilët bënë provokime skandaloze me pankarta dhe me thirrje kundër Kosovës.
E mbrojtësi kosovar e bëri një postim mbrëmë në rrjetet sociale, përmes së cilit e shfaqi krenarinë që është shqiptar ai dhe shokët e skuadrës.
Futbollisti anësor e konsideroi të turpshme mënyrën se si rumunët mendojnë për Kosovën, ndërsa kërkoi nga FIFA që ta bëjë punën e saj dhe të bëjë që në këtë lojë të dominojë respekti.
Ky postim i Vojvodës vjen pas deklaratave të fuqishme që i dha mbrëmë pas lojës.
“Kemi derdhur gjak për këtë shtet, dhe këta (rumunët) na shanë shtetin. Nuk u deshtë të kthehemi në fushë. Racizëm i pastër, na trajtuan si zezakët qe i trajtojnë racistët duke i krahasuar me majmunë. Këtyre u qoftë falë që nuk është gjallë Adem Jashari”.
Më poshtë mund ta lexoni postimin e futbollistit kosovar të Torinos. /Express/ KultPlus.com
Federata Ndërkombëtare e Futbollit ka dënuar sërish Serbinë, përcjell KultPlus.
FIFA të premten e dënoi Federatën serbe me 50 mijë franga për thirrjet fyese të tifozëve në ndeshjen ndaj Zvicrës.
Komiteti Disiplinor i FIFA-s ka sanksionuar Federatën e Futbollit të Serbisë me një gjobë prej 50,000 CHF dhe një mbyllje të pjesshme të stadiumit (25% e vendeve të mbyllura) në ndeshjen e radhës zyrtare të FIFA-s që do të luhet në nivelin “A” nga kombëtarja e saj e meshkujve për shkelje të neneve 13 (Diskriminimi) dhe 12 (Sjellja e pahijshme e lojtarëve dhe zyrtarëve) të Kodit Disiplinor të FIFA-s në dritën e thirrjeve nga mbështetësit serbë dhe sjelljen e keqe të ekipit (sanksione individuale për shtatë lojtarë) gjatë ndeshjes Serbi kundër Zvicrës.
Kujtojmë që FIFA më 8 dhjetor 2022 pati gjobitur Federatën serbe të futbollit për deklarata politike në Kampionatin Botëror “Katari 2022”. Serbët u gjobitën me 20.000 franga zvicerane për “shkelje të nenit 11 të Kodit Disiplinor të FIFA-s dhe nenit 4 të Rregullores së Kupës së Botës FIFA 2022 në lidhje me pankartën e shfaqur në dhomën e zhveshjes pas ndeshjes kundër Brazilit, në të cilën është varur një flamur me hartën e Kosovës të lyer me ngjyrat e flamurit serb, me sloganin: “S’ka dorëzim”./ KultPlus.com
Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) zbuloi të enjten kandidatët për çmimin e Futbollistit më të Mirë të FIFA-s për vitin 2022.
Në listën e të nominuarve për lojtarët më të mirë janë fituesi i Kupës së Botës dhe sulmuesi i Paris Saint-Germain dhe Argjentinës Lionel Messi dhe bashkëlojtarët e tij Kylian Mbappe dhe Neymar Jr., së bashku me fituesin aktual të çmimit, lojtarin e Barcelonës, Robert Lewandowski.
Ylli portugez, Cristiano Ronaldo, i cili është fitues i dy çmimeve dhe ndan rekordin me Lewandowsk-in, si fitues të dyfishtë të titullit si lojtari më i mirë i FIFA-s, nuk është në listë.
Nëse fiton, ylli polak Lewandowski do të bëhet lojtari i parë në histori që fiton tre çmime.
Futbollisti anglez i Borussia Dortmund-it, Jude Bellingham, për herë të parë u nominua këtë vit.
Lista e kandidatëve për lojtaret më të mira femra të FIFA-s përfshin sulmuesen norvegjeze të Olympique Lyonnais, Ada Hegerberg, fituesen e Topit të Artë 2018, lojtaren amerikane të San Diego Wave, Alex Morgan, dhe mesfushoren spanjolle të Barcelonës, Alexia Putellas.
Putellas, fituesja e çmimit të vitit të kaluar, do të jetë lojtarja me më së shumti çmime në histori, me dy tituj nëse fiton çmimin këtë vit.
FIFA nuk ka zbuluar ende detajet e ceremonisë së ndarjes së çmimeve të këtij viti.
Lista e të nominuarve është si më poshtë:
Të nominuarit për lojtarin më të mirë të FIFA-s për meshkuj:
Federata Botërore e Futbollit (FIFA) ka zgjedhur për herë të parë një palestineze për të gjykuar ndeshjet e ardhshme të Kupës së Botës për femra.
Agjencia palestineze e lajmeve, WAFA ka njoftuar se Heba Saadia do të arbitrojë Kupën e Botës për femra në Australi dhe Zelandën e Re nga 20 korriku deri më 20 gusht 2023.
Edicioni i nëntë i botërorit të femrave, i organizuar nga Australia dhe Zelanda e Re, është i pari që organizohet nga dy shtete dhe i pari me 32 ekipe kombëtare./KultPlus.com
Federata ndërkombëtare e futbollit (FIFA) ka deklaruar se nuk janë gjetur indikacione për “manipulime” ose parregullsi në ndeshjet e Botërorit të përfunduar në Katar.
Grupi punues me kujdes i ka shqyrtuar inçizimet e të gjitha 64 ndeshjeve në Botëror që eventualisht të vërehen parregullsi të ndryshme ose tentime për manipulim, sipas faqes zyrtare të FIFA-s.
FIFA njoftoi se do të vazhdojë të bashkëpunojë me grupin punues për integritet në drejtim të mbrojtjes së turnireve përfundimtare në të ardhmen, duke filluar nga Kampionati botëror në konkurrencë të femrave, i cili vitin e ardhshëm do të mbahet në Australi dhe Zelandë të Re.
Po ashtu, FIFA do të vazhdojë të zhvillojë edhe strategji të saj për intregritet, së bashku me konfederatat, asociacionet kombëtare dhe palët e tjera të interesuara në luftën kundër manipulimeve në ndeshjet e futbollit. /atsh/ KultPlus.com
FIFA ka gjobitur sot Federatën serbe të futbollit për deklarata politike në Kampionatin Botëror “Katari 2022”.
Serbët u gjobitën me 20.000 franga zvicerane për “shkelje të nenit 11 të Kodit Disiplinor të FIFA-s dhe nenit 4 të Rregullores së Kupës së Botës FIFA 2022 në lidhje me pankartën e shfaqur në dhomën e zhveshjes pas ndeshjes kundër Brazilit, në të cilën është varur një flamur me hartën e Kosovës të lyer me ngjyrat e flamurit serb, me sloganin: “S’ka dorëzim”.
Komisioni Disiplinor i Federatës Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA) gjobiti edhe Federatën Kroate të Futbollit (HNS) me 50 mijë franga zvicerane për sjelljen e disa tifozëve në ndeshjen e Kupës së Botës në Katar kundër Kanadasë.
FIFA ka gjobitur edhe Federatën e Futbollit të Arabisë Saudite dy herë me 15.000 franga zvicerane për sjellje të pahijshme nga lojtarët që kanë fituar gjashtë kartonë të verdhë gjatë ndeshjeve kundër Argjentinës dhe Meksikës./ atsh / KultPlus.com
Njëra prej gazetave më të mëdha zvicerane, “Tages Anzeiger” njofton nga burimet e saj se FIFA ka hapur procedurë hetimore kundër Serbisë pas ndeshjes kundër Zvicrës.
Hetimet janë hapur kundër Federatës Serbe të Futbollit, njofton “Tages Anzeiger”. Dhe hetimet po zhvillohen në lidhje me nenin 12 (sjellje e gabueshme e lojtarëve dhe zyrtarëve), nenin 13 (diskriminim) dhe 16 (rend dhe siguri e ndeshjes).
Gazeta shkruan se FIFA nuk ka ofruar të dhëna të tjera dhe se me gjasë bëhet fjalë për trajnerin e Serbisë Dragan Stojkoviq./Gazeta10 /KultPlus.com
Federata serbe e futbollit u akuzua nga FIFA të shtunën për varjen e një pankarte politike për Kosovën në dhomat e zhveshjes përpara se të luante me Brazilin në Kupën e Botës.
Pankarta tregonte ngjyrat e flamurit të Serbisë dhe hartën e territorit të Kosovës në mes me mbishkrimin “S’ka dorëzim”, raporton AP, transmeton Klankosova.tv.
Fotot e banderolës së vendosur mbi dollapët e Milosh Velkoviqit dhe Andrija Zhivkoviqit qarkulluan përpara humbjes 2-0 të ekipit ndaj Brazilit të enjten në Katar.
Federata e Futbollit të Kosovës u ankua zyrtarisht në FIFA dhe ministri i saj i sportit, Hajrulla Çeku, e përshkroi imazhin si tentativë për të shfrytëzuar Kupën e Botës për të promovuar “mesazhe urrejtjeje, ksenofobie dhe gjenocidale”.
FIFA citoi një pjesë të kodit të saj disiplinor që mbulon sjelljen e pahijshme, duke përfshirë “gjestet, shenjat ose gjuhën fyese” dhe “përdorimin e një ngjarjeje sportive për demonstrime të një natyre josportive”.
Organi drejtues i futbollit nuk dha një afat kohor për një vendim, megjithëse Serbia do të luajë të hënën kundër Kamerunit.
Që kur Kosova u anëtarësua në FIFA dhe UEFA në vitin 2016, trupa evropiane e futbollit është siguruar për arsye sigurie që kombëtarja e Kosovës të mos ballafaqohet me Serbinë apo Bosnje-Hercegovinën në grupet kualifikuese për Kupën e Botës dhe Kampionatin Evropian. /KultPlus.com
Tifozëve iu është ndaluar të vishen si kryqtarë në ndeshjen Angli-SHBA, e vlefshme për Kupën e Botës.
”Tifozë të veshur me zinxhirë, me shpata plastike dhe mburoja me kryqin e Shën Gjergjit ndalohen të hyjnë në stadiumin ‘Al Bayt’, në Al Khor, në veri të Dohas”, sipas ”The Times”.
Gazeta citoi FIFA-n të thoshte se ideja e kryqtarëve, në kontekstin arab, mund të jetë ofenduese kundër myslimanëve.
Grupi kundër diskriminimit ”Kick It Out” këshilloi gjithashtu fansat që të mos vishnin kostume me veshje të bukura që përfaqësonin kalorës ose kryqtarë, të cilat kujtojnë luftërat fetare që të krishterët zhvilluan kundër myslimanëve gjatë Mesjetës.
Një zëdhënëse e grupit tha se “ne do t’i këshillonim tifozët që po ndjekin ndeshjet e Kupës së Botës që veshje të caktuara, të tilla si kostumet me veshje të bukura që përfaqësojnë kalorës apo kryqtarë, nuk mund të mirëpriten në Katar dhe vende të tjera islame”.
Një video e shpërndarë në Twitter tregonte dy tifozë të veshur me kostume kryqtarësh që dukej se po largoheshin nga hyrja në një stadium të Katarit nga stafi i sigurisë.
Federata e Futbollit e Uellsit (FAW) i kërkoi FIFA-s t’i përmbahej mesazhit të tyre se “të gjithë do të jenë të mirëpritur” në Katar gjatë turneut, pasi java e parë u dëmtua nga trajtimi i simboleve LGBTQ+.
Temperaturat mund të arrijnë deri në 29 gradë Celsius kur Uellsi të luajë me Iranin, në stadiumin ”Ahmad Bin Ali” me kapacitet 40 000 persona./ atsh / KultPlus.com
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino u ka bërë thirrje Rusisë dhe Ukrainës që të vendosin një armëpushim njëmujor gjatë Kupës së Botës në futboll, në Katar.
Infantino u tha udhëheqësve në samitin e grupit G20 të ekonomive të mëdha në Indonezi se ”Kupa e Botës siguron një platformë unike për paqen dhe unitetin, sepse ngjarja do të ndiqet nga rreth pesë miliardë njerëz në televizion”.
“Kështu që apeli im për të gjithë ju është që të bëni një armëpushim të përkohshëm njëmujor, aq sa kohëzgjatja e Kupës së Botës”, theksoi ai gjatë një dreke me udhëheqësit e G20-ës në ishullin indonezian të Balit.
“Ju jeni liderë botërorë. Ju keni aftësinë të ndikoni në rrjedhën e historisë”, shtoi ai.
Kupa e Botës nis në Katar të dielën mes kritikave për respektimin e të drejtave të njeriut nga vendi, veçanërisht në lidhje me punëtorët që ndërtuan stadiumet.
Ndërkohë, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar i Thomas Bach u ka kërkuar qeverive të dërgojnë sportistë në ngjarjet ndërkombëtare bazuar në meritat e tyre sportive, jo nga përkatësitë politike.
“Sportet ndërkombëtare do të shpërbëhen nëse pjesëmarrja vendoset mbi baza politike”, tha Bach në të njëjtin tubim në Bali./ atsh / KultPlus.com
Kampionati Botëror “Katar 2022” i cili do të fillojë më 21 nëntor dhe do të mbyllet me finalen e madhe më 18 dhjetor po pritet me padurim, shkruan KultPlus.
FIFA ndërkohë po bën përgatitjet e saj e po kujdeset që mos të mungojë edhe me postime të ndryshme në rrjetet sociale.
Një fotografi e publikuar së fundmi e cila paralajmëron ardhjen e Kampionatit Botëror e poshtë së cilës shkruan “Na jepni një duartrokitje nëse do të shohim kombin tuaj në FIFA World Cup”, ka tërhequr vëmendjen e tifozëve.
Në këtë fotografi futbollisti shqiptar i Zvicrës, Granit Xhaka shfaqet përkrah kapitenit të Serbisë, Dusan Tadic.
Me qëllim apo jo, FIFA ka përqafuar lojtarin shqiptar me atë të Serbisë.
Kujtojmë që të dy lojtarët janë pjesë e grupit të njëjtë në “Katar 2022”. / KultPlus.com
Shtëpia e futbollit botëror, FIFA ka publikuar renditjen e fundit për ranglistën e ekipeve kombëtare, ku Përfaqësuesja e Kosovës ka pasur ngritje të madhe.
FIFA ka publikuar renditjen e re të ekipeve kombëtare, ku top 10 nuk është se ndryshon.
Belgjika vazhdon ta kryesoj renditjen, e pasuar nga Brazili, Anglia, Franca, Italia dhe Argjentina.
🇧🇪 Belgium’s reign continues 🔝 🏴 England leapfrog France 🥉 🇱🇾 Libya the biggest climbers 🧗♂️
Në këtë ditë pesë vjet më parë, Kosova u pranua në FIFA, organin qeverisës të futbollit botëror, përkundër kundërshtim dhe lobim të ashpër nga Serbia.
Në kongresin e 66-të të FIFA-së në Meksikë më 13 maj 2016, delegatët e këtij kongresi kishin votuar për anëtarësimin ose jo të Kosovës. Nga 205 delegatë që ishin pjesëmarrës në këtë kongres, Kosova kishte marrë 141 vota për, duke u bërë kështu anëtarja më e re e saj, raporton Gazeta Express.
Pranimit në FIFA i kishte paraprirë pranimi në UEFA, shtëpinë e futbollit evropian, vetëm 10 ditë me herët.
Pas pranimit në FIFA, Kombëtarja e Kosovës nisi të zhvillojë ndeshje zyrtare me karakter garues, siç ishin ato për kualifikim në Kupën e Botës Rusia 2018.
Rol kyç dhe kryesor për ta bindur Kongresin e UEFA-s ta pranojë Kosovën si anëtare të veten luajti ish-presidenti i FFK-së dhe legjenda e futbollit kosovar, Fadil Vokrri, i cili vdiq dy vjet më vonë, më 9 qershor 2018.
Tani, Kosova është duke e zhvilluar fushatën e dytë kualifikuese në historinë e kombëtares për Kupën e Botës.
Megjithatë, verdhekaltrit nuk e nisën mirë fushatën e dytë kualifikuese për Botërorin e Katarit 2022, pasi i humbën të dy ndeshjet e para në grup kundër Suedisë dhe Spanjës. /KultPlus.com
Kanë mbetur edhe pak minuta deri në performancën e madhe të Kampionatit Botëror, ku këngëtarja nga Kosova, Era Istrefi së bashku me Will Smith e Nicky Jam do të interpretojnë himnin e këtij kampionati në stadiumin Luzhinki në Moskë, shkruan KultPlus.
Artisti i njohur, Will Smith ka publikuar disa pamje duke treguar aktivitetin e emocionet e tyre pak para performancës.
“3 miliardë njerëz do të ndjekin performancën tonë sonte, kjo është pak para saj”, ka shkruar Smith në një video të postuar minuta më parë. / KultPlus.com
Era Istrefi e cila është pjesë e këngëtarëve të këngës zyrtare të këtij kampionati – ‘Live it up’, bashkë me Will Smith dhe Nicky Jam, ka udhëtuar drejt Rusisë ku pritet të performojë në finalen e Kampionatit Botëror, shkruan KultPlus.
Të tre së bashku sot mbajtën edhe konferencë atje, ku ndër të tjera Era u shpreh se momenti më i rëndësishëm gjatë kampionatit për të ka qenë loja e Zvicrës kundër Serbisë, ku edhe kanë shënuar dy shqiptarë.
Para pak minutash ajo ka postuar një fotografi në fushën e futbollit ku do të mbahet loja finale dhe është shprehur e lumtur që është aty. “Soooo happy to be here!!!!Cant wait to perform on the Sunday!!!:, ka shkruar Era.
Artistja kosovare pritet të performojë me datë 15 korrik në finalen e madhe. /KultPlus.com
Këngëtaret shqiptare me famë botërore, Rita Ora, Dua Lipa dhe Era Istrefi, kanë bërë publike preferencat e tyre për Kampionatin e sivjetmë Botëror.
Gjatë ditës së shtunë është zhvilluar ndeshja çerekfinale ndërmjet Suedisë dhe Anglisë, të cilën e fituan Tre Luanët dhe u kualifikuan në gjysmëfinale.
Shqiptaret e famshme, përmes profileve të tyre në rrjetet sociale, kanë treguar mbështetjen e tyre për Anglinë.
Rita, e cila ndodhej në Poreç të Kroacisë, ka publikuar një video nga plazhi duke kënduar: “Futbolli po vjen në shtëpi”.
Dua e ka publikuar një video duke e shikuar ndeshjen, ndërsa e ka shoqëruar me simbolet që shpresonte për sukses.
Takimin ndërmjet Suedisë dhe Anglisë e ka shikuar edhe Era, e cila dëgjohej duke thënë: “Përpara Angli”.
Theksojmë se Era Istrefi e ka kënduar himnin e sivjetmë të Kampionatit Botëror, “Live It Up”, së bashku me Nicky Jam dhe Will Smith. /KultPlus.com
Mediumi i madh zviceran, “Blick”, ka raportuar se FIFA nuk do të ndëshkojë Granit Xhakën e Xherdan Shaqiri me nga dy ndeshje mos-lojë siç ishte paralajmëruar.
“FIFA është e mëshirshme me ekipin kombëtar të Zvicrës. Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka dhe Stephan Lichtsteiner nuk janë dënuar për festimin e tyre me shqiponjë”, ka thënë ky medium, raporton Koha.net.
Sipas mediumit zviceran, megjithatë, tre përfaqësuesit e Zvicrës do të dënohen me para. Xhaka e Shaqiri do të gjobiten me nga 10 mijë franga, ndërkaq Lichtsteineri me 5 mijë franga zvicerane.