KultPlus shënon një dekadë, sjell ekspozitën kult me figurat ikonike të RTP-së

Gazeta e parë për art dhe kulturë, KultPlus do të shënojë përvjetorin e dhjetë të themelimit, ceremoni e cila do të shënohet me një ekspozitë kult me figurat ikonike të Radio Televizionit të Prishtinës, i cili vazhdon të mbetet pishtar i medieve në Kosovë.

Ekspozita, e titulluar “Shuni se lajmet”, është një rrëfenjë nostalgjie për kohën e lajmeve të RTP-së, një periudhë që i ka shoqëruar shumë prej nesh për vite të tëra. Me kujtimet që kthehen mbrapa në kohë, ekspozita do të sjellë përpara syve tuaj fytyrat e folësve ikonikë si: Drita Gërmizaj, Vera Hima, Faik Hima, Mustafë Muçaj, Antigona Qena, Besa Çeku dhe Fadile Kryeziu. Këto figura të shquara kanë pasur ndikim të thellë në të folurën dhe informimin e komunitetit tonë.

Kuruar me kujdes nga Ardianë Pajaziti, drejtore e KultPlus dhe KultPlus Caffe Gallery, ekspozita “Shuni se lajmet” pothuajse është si një kuti e kujtimeve që na çon mbrapa në rrugëtimin e dhjetë vjetëve të KultPlus. Ky është një rrugëtim që ka pasur sfida dhe suksese, një rrugëtim i përkushtuar për të promovuar artin dhe kulturën brenda dhe jashtë Kosovës.

“Ky 10 vjetor është tejet i veçantë për ne andaj edhe kemi organizuar një event po aq të veçantë. Përmes ekspozitës “Shuni se lajmet” jemi duke sjellë përpara syve të publikut një kapitull të rrugëtimit të mediave kosovare. Ky kapitull ka ndikuar thellësisht në mënyrën se si komuniteti ynë është informuar dhe ka ndjekur ngjarjet aktuale. Dhjetë vjet e kaluara janë një periudhë e madhe për KultPlus-in, me sfida dhe suksese të shumta në rrugëtimin për të promovuar artin dhe kulturën. Kjo ekspozitë shënon një fitore të re dhe një arritje të veçantë për mua dhe ekipin tim të përkushtuar”, shprehet Pajaziti.

Në këtë mbrëmje të veçantë, nuk do të mungojë as degustimi i rakisë së brendit të njohur “The Vidasus Distillery Nivokaz”, një emër i njohur që synon të përfaqësojë trashëgiminë dhe shijet autentike të kësaj toke. Me sloganin e thjeshtë “Piju shqip”, ne sjellim përpara jush një përshëndetje me shije të vërtetë dhe një përjetim autentik.

KultPlus vazhdon me të njëjtën pasion dhe përkushtim për të promovuar artin dhe kulturën, jo vetëm brenda Kosovës, por edhe jashtë kufijve të saj. Ndaj, ju miqtë e KultPlus dhe KultPlus Caffe Gallery, jeni të ftuar të na bashkoheni në këtë mbrëmje të veçantë, ku do të rikthejmë kujtime, festojmë arritjet dhe bashkëndajmë emocionet.

Le të jemi së bashku më darë 2 shtator, nga ora 19:00, në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, për të shënuar një dekadë të dedikuar artit, kulturës dhe gazetarisë në shërbim të komunitetit tonë. / KultPlus.com