Tinguj me një spektër të gjerë frekuencash u dhuruan mbrëmë nga Pianisti François Dumont dhe Orkestra e Filharmonisë së Kosovës, nën drejtimin e dirigjentit Antonie Marguier, në koncertin e shtatë me radhë të Festivalit të Muzikës Klasike “Chopin Piano Fest Prishtina” në Atelienë e Pallatit të Rinisë, shkruan KultPlus.
Adhuruesit e Filharmonisë së Kosovës dhe të Chopin-it kësaj radhe u bashkuan në një koncert të përbashkët, për të përjetuar emocione të thella nga një program i përzgjedhur me shumë shije, me tinguj brilant shumë të fortë dramatik të cilët përmbyseshin nga tinguj të qetë të pianos të cilët dërgonin në thellësi meditative.
Koncerti i cili zgjati për 90 minuta filloi me interpretimin e veprës “Piano Concerto No.5 in E-flat major, Op.73” me Allegro, Adagioun poco mosso, Rondo: Allegro ma non troppo nga L.V. Bethoven për të vazhduar në pjesën e dytë të koncertit me “ Symphony No. 4 in C minor, D 417” me Adagio molto, Allegro vivace nga F. Schubert.
Publiku u pasurua artistikisht me tinguj të frekuencave të ndryshme të cilët emeteoheshin qetësisht nga mjeshtria e pianistit Dumont dhe harkorët e Filharmonisë, për t’u bërë më intensivë kur interpretimit i shtoheshin frymorët, për të kaluar në dramacitet kur në lojë hynin të gjitha instrumentet, duke rënë përsëri vetëm në tingujt e qetë, të bukur të pianos.
Nga kjo lojë e mrekullueshme ishte reagimi i publikut që u jepte përgjigje për performancën përgjatë koncertit artistëve që udhëhiqeshin nga dirigjenti plot sharm, elegancë e profesionalitet, Antoine Marguier.
Pas pjesës artistike Pianisti Dumont u shpreh se ndihej i emocionuar nga interpretimi në “Chopin Piano Fest” dhe shumë i lumtur pasi iu dha hapësirë për herë të dytë për të interpretuar në këtë festival.
“Jam shumë i lumtur të kthehem në Prishtinë dhe të kem mundësi ta njoh qytetin dhe kulturën. E ndjej energjinë e mirë dhe dinamike. Isha i emocionuar të kthehem në Chopin dhe të luaj për herë të parë me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës. Dy vite më parë ishte një koncert recital në ‘Chopin Fest’ ndërsa sonte kemi luajtur Koncertin e 5-të të Beethoven. Ky koncert është i fundit i kompozitorit”, ka thënë pianisti Dumont.
Ndërsa organizatorja e festivalit Lejla Pula u shpreh e mrekulluar nga loja e pianistit Dumont dhe interpretimi i Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës.
“E kemi shijuar të gjithë së bashku. Vërtetë një koncert i mrekullueshëm nga François Dumont i cili në bashkëpunim me Ambasadën franceze erdhi për herë të dytë në festivalin tonë ka mbajtur një recital të Chopin-it sepse ai vetë është laureat i garave të Chopinit në Varshavë, do të thotë është një ekspert i madh i muzikës së Chopin-it, por që në këtë koncert rastisi që ai ta luaj në mënyrë të mrekullueshme, me një sensibilitet të jashtëzakonshëm koncertin e pestë të Bethovenit”, ka thënë organizatorja.
Më tej, organizatorja Lejla Pula ka thënë se ndihet e nderuar për pjesëmarrjen e një artistëve të mëdhenj që pavarësisht kushteve jo adekuate për interpretim, ndahen të kënaqur dhe kërkojnë të interpretojnë përsëri nga mikpritja dhe energjia pozitive që e përjetojnë në Festival.
“Ne si organizatorë jemi shumë të lumtur që artistë të mëdhenjë pranojnë të vijnë në Kosovë, për shkak se ende nuk posedojmë sallë të përshtatshme koncertale, pasi ata mund të kenë pak drojë se si mund të tingëlloj pianoja. Mirëpo ata jo vetëm që pranojnë kur i ftojmë përsëri, por ata edhe vet kërkojnë të vijnë përsëri, kështu që në një formë edhe mos me dashtë të vazhdojmë Piano Festin kjo kërkohet nga mysafirët tanë që ndahen aq të kënaqur me mikpritje dhe me të gjitha duke u mrekulluar nga rinia jonë, nga publiku, studentët, audienca e gjerë. Thjesht është një mrekulli”, është shprehur organizatorja.
Kurse ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Filharmonisë, Dardan Selimaj, u shpreh i kënaqur nga bashkëpunimi me Festivalin “Chopin Piano Fest”, nga ku edhe potencoi që bashkëpunimi do të vazhdoj edhe në vitet në vijim.
“Bashkëpunimi i Filharmonisë së Kosovës me Chopin Piano Fest është tradicional, ashtu si edhe me festivale të tjera që organizohen në Kosovë. Kjo ka qenë një mundësi e mirë për të bashkuar forcat siç kemi bërë edhe në të kaluarën dhe besoj që do të vazhdojmë edhe në të ardhmen, ndonëse nuk kemi pasur mundësi që këto vitet e fundit që të bashkëpunojmë me secilin festival për shkak të agjendës të Filharmonisë së Kosovës që nganjëherë nuk përputhen me agjendën e festivaleve, por aq sa kemi mundësi do ta vazhdojmë si traditë edhe në vitet që vijnë” ka përfunduar Selimaj.
Koncerti i radhës i “ Chopin Piano Fest” do të mbahet me pianisten Iliriana Gjoni dhe sopranon Milica Lalosevic, më 27 maj, në ora 20: 00, në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare/ KultPlus.com
Nganjëherë në jetë jo gjithmonë të mjafton vetëm talenti, sepse përveç tij nevojitet edhe një shtysë që me ngulm të çon përpara në zhvillimin dhe kultivimin e atij talenti. Sopranoja kosovare, Adelina Paloja pati fatin e mirë që duke lindur me një talent të vyer siç është ai i zërit dhe duke e pasur babanë një muzikant autodidakt i cili edhe e vuri në pah talentin e saj, lidhjen e saj me muzikën filloi qysh në moshë të vogël.
Si një fillestare 6-vjeçare, ndonëse e re në moshë por jo edhe e pavendosur për qëllimet e saj, Paloja nisi rrugëtimin në muzikë e i cili që nga fillet u përcoll me suksese të mëdha, shkruan KultPlus.
Puna që nga atëherë me profesionistët më të mëdhenj të muzikës në ato kohë, i vunë një themel të fortë e që i ndihmoi përgjatë gjithë karrierës së saj e deri më sot ku edhe është një prej solisteve kryesore të institutit të Filarmonisë së Kosovës. Zëri i saj që ndërlidhet ngushtë me të gjitha rolet që interpreton anembanë botës, padyshim që ka vënë vulë në operistiken kosovare, aty ku më së miri e më së afërmi, ndjehet ajo vetë.
Me një qëndrim të rrallë, ndjeshmëri në vokal e fuqi të paparë në interpretim, sopranoja Paloja shpeshherë di të magjepsë të gjithë sallën, varësisht ku ajo interpreton. Duket se fuqinë shpirtërore nga brendësia e saj e nxjerr krejt lehtazi dhe kjo vërehet nëpërmjet butësisë së saj që i vjen natyrshëm përmes këndimit. Opera për të është shtëpia e dytë, dhe këtë nuk e ka aspak frikë ta tregojë.
Ajo, gjithashtu veçohet për një identitet që është formuar qysh nga rrugëtimi i saj muzikor në instrumentin e pianos, për të vazhduar tek investimet e saj si muzikante, përfshirë këtu edhe njohuritë e thella për botën e muzikës, njohjen virtuoze të instrumenteve dhe fushave të tjera muzikore. Por, vokali për të, gjithmonë do të mbetet ajo pika kyçe që si formë e artit, i qëndron besnike më afër zemrës së saj, asisoj që shprehja e saj lirike del më e ngrohtë sesa format e tjera të të shprehurit muzikor. Dhe këtë e shohim më së miri nëpërmjet roleve të saja, që e nxjerrin në pah një intensitet të pakrahasueshëm, një mishërim me personazhet që ajo i luan si dhe një pasion të vërtetë për artin që Opera në të vërtetë e ka. Një pasion ky që me ngulm patjetër që do të ngulitet në kujtesën e gjithsecilit që e dëgjon nga afër, timbrin e saj aq të ngrohtë.
Përveç kësaj, Paloja me punë dhe përkushtimi arriti që të shkelë shumë skena jo vetëm në vend por edhe para audiencave evropiane e në shënimin e ngjarjeve të rëndësishme si në Kosovë ashtu edhe përtej kufijve kombëtarë. Së fundmi, ajo është përzgjedhur edhe për Specializim-Perfeksionim Vokal për një vit akademik në Belcanto, nën mentorimin e njërës nga mjeshtret e zërit më të rëndësishme të botës operistike, Maestra Carmen Santoro, e cila ka një përvojë të madhe me emrat më të mëdhenj botërorë si: Luciano Pavarotti, Placido Domingo, Monserrat Caballé, Diana Damrau, Marilyn Horne e Mariella Devia.
Por, për këtë rrugëtim 27-vjeçar të mbështjellë me momente nga më të ndryshmet, sfida, çmime, vështirësi si pasojë e situatave të ndryshme që është përballur Kosova e njëtrajtshëm edhe komuniteti i muzikës, momente siç është ai i paraqitjes në Paris si soliste kryesore në veprën dedikuar viktimave të luftës në Kosovë, e shumë detaje të tjera, sopranoja Adelina Paloja i ka shpalosur përmes një interviste për KultPlus.
KultPlus: Secili njeri e ka një pikë ku nis gjithçka, na përshkruaj fillimet tuaja me muzikën?
Adelina Paloja: Gjithçka nisi qysh në moshë të hershme. Fillimisht u evidentua talenti dhe muzikaliteti në familje nga babai im, si një artdashës por edhe si muzikant autodidakt aso kohe. Andaj, përveç muzikës sonë të përbashkët në ambientet e shtëpisë, ai mori mundin që të më udhëzojë në shkollim dhe edukim të mëtutjeshëm profesional në shkollë të muzikës qysh në moshën 6-vjeçare, kur konsiderohej akoma herët por që ky rrugëtim i nisur në moshë të re ka lënë gjurmë dhe themel të fortë në ndërtimin e mëtejmë e identitetin tim artistik.
KultPlus: Na trego se çfarë ju tërhoqi pas Operës?
Adelina Paloja: Duke qenë se kam filluar rrugëtimin tim muzikor me lojën në piano dhe kam investuar në kompletimin tim si muzikante përfshirë këtu përveç tjerash edhe njohuritë e thella mbi botën e muzikës, njohjen virtuoze të instrumentit dhe fushave tjera muzikore por që në momentin vendimtar për karrierën time, lidhja direkte shprehëse ishte pikërisht me vokalin, si formë e artit të cilën e ndjeja me afër dhe ishte akoma më e afërt se të gjitha format e tjera të të shprehurit muzikor. Opera është përvojë, një kombinim aq i ndjeshëm i narrativit, skenës si dhe muzikës si subjekt, e ndërthurur me emocionin intensiv të qenies njerëzore e mishërimit në personazhe dhe kjo më bënte të shihja botën nga perspektiva të ndryshme. Çdoherë interesante e afër shpirtit, e çdoherë pranë publikut me instrument unik organik.
KultPlus: Jam e interesuar të di për mësuesen/in tuaj të parë në edukimin tuaj në muzikë, për atë që ju shtyu në këtë drejtim, ju dha vetëbesim dhe ju kërkoi të zbuloni më shumë vetën?
Adelina Paloja: Mësuesit dhe profesorët që ishin së bashku në ngritjen time, përmbushën dhe mbollën tek unë vlerat si mision, detyrë e përgjegjësi fisnike. “Një nxënës, një pedagog i mirë, një libër e një laps mund të ndryshojnë botën”, vërtet se kjo thënie e tregon më së miri peshën e arsimimit. Jam me fat që gjatë edukimit dhe rrugës në profesion kam pasur afër pedagogë e udhërrëfyes të shkëlqyeshëm e që janë pjesë e përjetshme e arritjeve të mia dhe e falënderimit tim. Të tillë pa dashtë të harroj dikë janë disa qysh nga fillet e mia si 5-6 vjeçare përfshirë këtu: Drita Rudin, Rafet Rudin, Adelina Ushakun, Agron Shujakun, Ana Gjinin, Jeta Didën, Elife Podvoricën, Merita Junikun, Baki Jasharin, Maria Muratovskan, Mendi Menxhiqin, Selim Ballatën e të tjerë që në një moment tjetër do të doja t’i përmendja veç e veç edhe të tjerët, pa harruar për kontributin e tyre të vlefshëm.
KultPlus: E konsideroni një edukim të vështirë apo të këndshëm atë të muzikës?
Adelina Paloja: Absolutisht sikur në çdo profesion ka vështirësi nëse je në kërkim të ideales, por pasioni të jep përmbushje dhe kënaqësi përherë. Një solo këngëtare lirike të suksesshme përveç talentit që është i padiskutueshëm, ashtu sikurse në çdo profesion tjetër, çelësi kryesor është puna sistematike, këmbëngulja e konsistenca për të qenë çdo ditë një hap para ditës që lamë pas. Vetëkritika në këtë profesion kujtoj që është e shëndetshme dhe shërben për një ngritje e rritje të natyrshme. E kam thënë gjithmonë dhe po e ritheksoj, pavarësisht rrethanave, duhet pasion, besim në kapacitetet e tua, ambicie të shëndoshë të ngritjes drejt perfeksionimit të kualiteteve muzikore por dhe jashtë saj siç është leximi, hapja e një horizonti tjetër të kompletimit intelektual të domosdoshëm. Jam ithtare e punës dhe pa kompromis në faktin që me një angazhim minimal të kemi pritshmëri të larta. Besoj në gjërat që arrihen me meritë dhe mendoj që tek ata të mirët ndoshta suksesi vërtet vonon por është e pamundur që në një moment të mos vijë në shprehje. E tek atëherë vjen vështirësia më e madhe, mbajtja e suksesit me përfshirje edhe më të madhe të të gjithë kapacitetit emocional, profesional, e intelektual sepse zgjerimi i diapazonit të njohurive nuk përfundon me një diplomë a letër tjetër arritjeje. Rritja organike është çdo ditë të jetës sonë.
KultPlus: Të jesh soprano nuk është e lehtë, sidomos në Kosovë, na shpalos pak sfidat e këtij profesioni
Adelina Paloja: Besoj duhet të jemi të vetëdijshëm dhe emocional si shoqëri kur flasim për kushtet që ofrohen në vend. Krahas faktit që kemi këngëtarë lirikë të shkëlqyer, e vështirë po është spikatja e tyre dhe dhënia e hapësirës për të gjithë, e gjithashtu për të dëshmuar talentin e të arriturat e tyre. Institucionet në këtë plan, do duhej ndoshta edhe më shumë angazhim në politika për ndihmë dhe promovim më prezent. Pastaj, ana infrastrukturore lë shumë për të dëshiruar ngaqë asnjë nga institucionet kulturore muzikore në vend nuk kanë objekt – shtëpi të vetën dhe rrjedhimisht edhe artisti nuk ka kushtet elementare për përgatitje para performancës por edhe një skenë të denjë për art cilësor.
KultPlus: Prej vitesh je pjesë e korit të Filarmonisë së Kosovës dhe lirisht mund të themi një ndër solistet kryesore të tij, na përshkruaj pak bashkëpunimin me institucionin më të lartë të muzikës klasike
Adelina Paloja: Unë kam një lidhje të ngushtë dhe emocionale me institucionin e Filarmonisë së Kosovës meqë angazhimi im aty ka qenë aktiv qysh kur isha akoma studente e vitit të dytë në universitet. Andaj, jam rritur me institucionin dhe kam parë nga afër ngritjen time por edhe të institucionit vit pas viti. Përveç si interpretuese e soliste me vite të tëra, kontributi im ka qenë substancial edhe si pjesë e menaxhmentit në bordin drejtues. Sot, Filarmonia e Kosovës është e kompletuar në të gjitha kapacitet e saj e edhe tek resurset njerëzore profesionale që dikur ishin deficitare, prandaj jam e lumtur për këtë fakt. Po ashtu jam e lumtur edhe me prezantimet dinjitoze që pashmangshëm janë kudo që është Filarmonia e Kosovës me Korin dhe Orkestrën Simfonike profesionale të saj.
KultPlus: Ju keni performuar edhe në 40-vjetorin e çmimit Nobel për Paqe të Shën Nënës Terezë në Itali, na i përshkruani emocionet e këtij përjetimi
Adelina Paloja: Kam qenë e lumtur të interpretoj në Milano dhe Lecco në dy raste të rëndësishme që lidhen me figurën e ndritshme të popullit tonë, Shën Nënë Tereza. E para qe në Auditoriumin e Leccos dhe ‘Basilica San Nicolò’ si dhe në ‘Milano alle Terreze’, në inaugurimin e kishës në emër të Nënë Terezës, ku të pranishëm ishin kontribut-dhënës nga Konsullata e Kosovës, komuniteti shqiptar në Itali, Ipeshkvi i Milanos e personalitete të tjera të shquara nga jeta diplomatike, politike e kulturore nga Italia e më gjerë.
KultPlus: Duke qenë se keni performuar në vende të ndryshme evropiane, na trego pak cilën nga këto performanca e vlerëson më shumë
Adelina Paloja: Kënaqësi e jashtëzakonshme është sepse çdo skenë e ka peshën dhe rëndësinë e vetë. Përgjatë 27 viteve karrierë kam interpretuar në shumë vende të botës, përshirë jashtë rajonit edhe në vende evropiane si në: Austri, Gjermani, Francë, Bullgari, Itali, Suedi, Angli e të tjera dhe shpesh e mendoj se çfarë e bën të paharruar një performancë. Përgjigja e sinqertë arrihet kur marr nga energjia e audiencës që kam përballë pavarësisht se ku jam, dashuria që e marr përkthehet në mënyrë automatike me përmbushje emocionale duke i dhënë dozën finale, atë më të bukurën, ngjyrosje emocionale e frymëzuese të interpretimit tim skenik.
KultPlus: Kompozitori Hajrullah Syla, ka kompozuar një vepër të cilën e ka bërë dedikim për ju, vepra u interpretua më pas nga ju dhe Kori i Filharmonisë së Kosovës, na përshkruaj këtë ndjenjë?
Adelina Paloja: Mbetet një nga momentet më të paharruara, ai interpretim i veprës që qe dedikim për mua. Vepra u quajt “Ubi Caritas” nga kompozitori ynë, Hajrullah Syla. Me propozim e tij dhe me kënaqësinë më të madhe nga ana ime u realizua kjo vepër e cila përfshinte teknikë vokale në regjistra të ulët dhe tinguj të lartë ekstern, agjilitet, dhe mishërim emocional duke përfshirë elementet dalluese teknike të kualiteteve të mia vokale. Gjithashtu, kompozitori Syla me këtë vepër u nderua me ‘Çmim për Veprën më të Mirë Vokale’ nga Ministria e Kulturës, andaj kjo ishte edhe kënaqësi e dyfishtë për mua.
KultPlus: Jeni nderuar dy herë me çmim të parë në “ArsKosova”, si ndjeheni kur ju shpërblehet puna?
Adelina Paloja: Kanë qenë të rëndësishme si motiv në fillet e karrierës sime. E çmimet gjithmonë janë të mirëseardhura posaçërisht tek artistët e rinj, duke e ditur edhe seriozitetin e konkursit me në krye me violinisten tonë virtuoze Sihana Badivukun, natyrisht se ishte shtysë për rezultate të reja. E pas kësaj, edhe të tjera si përfundimi i studimeve post-diplomatike në Universitetin e Shkupit me nderimet më të larta për arritje ” Summa Cum Laude” e që ishte ogur i mirë për të tjera çmime e mirënjohje të shpeshta nga institucionet për kontribut dhe përfaqësim të denjë artistik.
KultPlus: Sigurisht që është përgjigja e audiencës ajo që të bën të dish sa e vlerësuar dhe e përgatitur je në profesionin tënd. Cilat janë përgjigjet më të mira që i ke marrë nga audienca?
Adelina Paloja: Publikun e kam besnik dhe me dashuri pafund. Është dashuri e shkëmbyer nga unë për ta dhe nga ata për mua, në mënyrën më të sinqertë. Ne përmes artit arrijmë që të jetësojmë iluzionet tona, të udhëtojmë në të padukshmen që të prekim hapësira e zemra njerëzish. Në paraqitjet tona takojmë audiencën me titan që lanë gjurmë të përjetshme përmes thesarit artistik dhe shpërblimet më të mira për mua, madje mbi çdo çmim a mirënjohje tjetër, janë pikërisht duartrokitjet e ngrohta, buzëqeshja apo edhe lotët domethënës të audiencës që kanë ndarë kohë për artin tim. Përfshihesh dhe jetëson fjalët e muzikën mbi tema që jo çdoherë janë të dëshiruara ashtu siç edhe jeta di të jetë, por e ndjejmë bashkërisht dramën jetësore dhe e ndajmë në një dimension tjetër.
KultPlus: A mund të identifikoni ndonjë moment në shfaqje që ju ka bërë të ndiheni e veçantë dhe ka zënë vend special në kujtesën tënde?
Adelina Paloja: Po, pashmangshëm ka momente të tilla, por një moment të veçantë që dua ta veçoj nga kujtesa ime është paraqitja si soliste kryesore në Paris në objektin ikonik “Musèe de L’Armèe – La Cathèdrale Saint Louis -Des -Invalides” me veprën e Karl Jenkins “A Mass for peace”, dedikuar viktimave të luftës në Kosovë. Si rrallëherë, unë si soliste dhe të gjithë artistët në skenë të rrëmbyer nga emocioni u tjetërsuam e u zhytëm në një tjetër dimension, në atë botë të tmerreve të luftës. Nuk ishim vetëm performues por personazhe reale që kishim përjetuar luftën e që rikthyem në Paris copëza kujtimesh që ndoshta ndërdija jonë pa dashje hezitonte t’i rikthejë si imazhe. Mbetet vepra që më rrëmbeu me fatin e gruas shqiptare të cilën e personifikoja dhe e cila mbijeton bashkë me dhimbjen në një mishërim krejt organik të muzikës e tekstit aq sa kur mungonin vargjet, lëngonin tingujt…
KultPlus: Kush janë perëndeshat tuaja vokale?
Adelina Paloja: Ka mjaft figura të tilla duke filluar nga zërat e bukur shqiptarë, të artisteve tona, por edhe solo-këngëtarët lirikë nga ‘belcanto’ dhe shkolla e vjetër e mjeshtërve italianë të artit operistik, përfshirë këtu ikonat Maria Callas, Renata Tebaldi, Mirella Freni, Leontyne Price, Montserrat Caballé e shumë të tjerë.
KultPlus: Përveç punës suaj si soprano, ju metodat e këtij profesioni tashmë i përcjellni edhe tek gjeneratat më të reja përmes ligjëratave ku ju jeni profesoreshë. Si e vlerësoni kapacitetin e më të rinjve të këtij profesioni?
Adelina Paloja: E pata dëgjuar një shprehje e cila thoshte: “Udhëzoj studentët se ku të shikojnë por jo edhe se çfarë të shohin” e këtë parim kam dhe sot, që të jem dora ndihmëse e gjithsecilit me informacionet bazike e të thella mbi artin dhe teknikën e mirëfilltë vokale të të kënduarit, por edhe në nxitjen dhe hapjen e horizonteve të reja si dhe në kultivimin e kreativitetit të tyre, si pjesë e pashmangshme e identitetit të tyre unik. Edhe sot, kur vetë jam në cilësinë e pedagoges, mundohem që me gjithë kapacitetin tim intelektual e njerëzor të përcjelli tek artistët e rinj virtytin e shembullin se vetëm me punë, devotshmëri, vetëdisiplinë e pasion për profesionin, arrihet rezultati i aspiruar.
KultPlus: Krejt për fund, na thuaj një mesazh për lexuesit e KultPlus për festat e fundvitit
Adelina Paloja: Në një introspeksion që në fund të ditës bëjmë për vitin që e lamë pas, jam e lumtur të them që në sintezë me pritshmëritë ishin edhe realizimet si në planin personal ashtu edhe profesional. Ju uroj të gjithëve përzemërsisht një vit të ri me shëndet e bekime, si dhe dua ta ndaj mesazhin që t’i gëzohemi jetës me të mirat dhe të papriturat e saj. Jam e lumtur për një familje të shëndoshë dhe faktin që karriera më mundëson të jem afër atyre që dua më shumë, studentëve, muzikës, publikut. Arti si urë-lidhës me njerëzit e tjerë, më inspiron dhe unë frymëzohem e marr motiv nga përditshmëria e gjërat e vogla që shpeshherë janë më me vlerë, asisoj që edhe më pasurojnë e bëjnë më të mirë si njeri, e që njerëzoren mund ta shpalos pastaj përmes artit tim si gjuhë e përbashkët të komunikimit shpirtëror. / KultPlus.com