Filatelia e Kosovës vë në qarkullim pullën postare me figurën e Edi Shukriut

Nga sot, Posta e Kosovës lëshoi në qarkullim postar emisionin e jashtëzakonshëm të pullës postare dedikuar njërës nga femrat më emblemike të Kosovës, Edi Shukriu.

Edi Shukriu ishte akademike dhe njëra nga arkeologet dhe historianet e para, por edhe emër i njohur dhe i çmuar në lëmin e letërsisë, të angazhimeve politike, institucionale dhe kulturore në Kosovë dhe në mbarë hapësirën shqiptare.

U lind në Prizren 1950. Shkollimin fillor e të mesëm i kreu në vendlindje, ndërsa studimet për arkeologji në Universitetin e Beogradit 1972, ku po ashtu i përfundoi edhe studimet master në vitin 1979. Doktoroi në Universitetin e Prishtinës 1990.

Në Muzeun e Kosovës ka punuar nga viti 1974 deri në vitin 1979, dhe vazhdoi me angazhimin në Universitetin e Prishtinës, në cilësinë e profesoreshës në Degën e Historisë për arkeologjinë dhe historinë e lashtë.

Në vitin 2012 u zgjodh anëtare korrespondente e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ndërsa në vitin 2020 anëtare e rregullt e saj. Nga viti 2014, u emërua anëtare e Akademisë Evropiane të Shkencave dhe të Arteve në Salzburg.

Më 17 janar 2023 ndërroi jetë në Prishtinë, duke lënë në trashëgimi vepra të shumta nga arkeologjia, historia dhe letërsia.

Për kontributin e jashtëzakonshëm në fushën e trashëgimisë kulturore, u dekorua me çmimin “Dea Dardanica” nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (2017), si dhe me çmime të shumta për krijimtari letrare./KultPlus.com

Filatelia e Kosovës vendos në qarkullim pulla postare në nderim të Violeta Rexhepagiqit

Posta e Kosovës, nga sot ka vënë në qarkullim postar emisionin e ri të pullave postare “Personalitete-Violeta Rexhepagiqi”, për nder të gazetares dhe kantautores avangarde të muzikës rok të viteve të 80-ta, shkruan KultPlus.

Violeta Rexhepagiq u lind në Prishtinë, në shkurt të vitit 1965. Karrierën muzikore e filloi në fëmijëri, si interpretuese e rreth 40 këngëve për fëmijë. Ndërkaq, në vitet e ’80-ta solli një stil unik dhe avangardë në rok skenën kosovare. Ajo përfaqësoi për dy herë Kosovën në përzgjedhjen e përfaqësueses së ish Jugosllavisë për “Këngën e Eurovizionit”, njëherë me grupin “Vivien” dhe njëherë si soliste.

Përpos si interpretuese, Violeta ishte autore dhe gazetare e disa emisioneve në Televizionin e Prishtinës. Me mbylljen e TVP-së, Violeta angazhohet nga Skynews si raportuese nga zonat e luftës. Pas luftës në Kosovë, e vazhdoi veprimtarinë në lëmin e gazetarisë në RTK, deri më ndarjen e hershme nga jeta në vitin 2020.

Posta e Kosovës përmes Filatelisë së saj edhe në të ardhmen do të nderojë personalitete të shquara, me të cilat do të afirmojë vendin tonë në gjithë botën./KultPlus.com

Posta e Kosovës e nderon artistin Ymer Shaqiri

Filatelia e Postës së Kosvës, sot ka vënë në qarkullim postar pullën me të cilën prezanohet puna e artistit Ymer Shaqiri, shkruan KultPlus.

Filatelia e Postës së Kosovës, përmes motiveve të pesë pullave postare, të cilat nga sot vihen në qarkullim postar, prezanton veprat e përzgjedhura të artistit, piktorit dhe grafistit të njohur të artit bashkëkohor, Ymer Shaqiri.

Ymer Shaqiri u lind më 1 tetor 1955, në Sveçlë, në jug të Podujevës. Akademinë e Arteve e kreu në Prishtinë në vitin 1981, nën drejtimin e Fatmir Krypës, ndërsa studimet pasuniversitare i kreu në Akademinë e Arteve në Beograd më 1984, ku edhe mori titullin akademik.

Origjinaliteti në shprehjen e veçantë që karakterizon grafikën e autorit për nga stili dhe teknika paraqet një kulturë të lashtë. Detajet e kompozuara me kujdes dhe mjeshtëria në objektet e preferuara të artistit si porta, dyer, dritare me gozhda të ndryshkura, janë mesazhe të fuqishme që interpretojnë lashtësinë, vuajtjet dhe realitetin e vendit tonë.

Ka jetuar dhe punuar në Gjermani dhe Kosovë. Ai u nda nga jeta më 11 gusht 2021, duke lënë pas një punë kolosale si punëtor i palodhur që ishte.

Punimet e tij mund të gjenden në shumë koleksione, galeri dhe muze të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare. Ai ishte pjesëmarrës në bienale dhe trienale në Slloveni, Japoni, SHBA, Francë dhe vende të ndryshme, dhe nga sot, përmes shërbimit postar të Postës së Kosovës, punimet e tij do të ekspozohen në mbarë botën duke na bërë jashtëzakonisht krenarë./KultPlus.com