Filharmonia e Kosovës përmbyll sezonin me “Koncert për paqe”: një unifikim i dhimbjes, mëshirës, paqes dhe mirëkuptimit 

Era Berisha

Mbrëmë qytetarët e Prishtinës, mu në sheshin “Skënderbeu”, kanë qenë dëshmitarë të një nate të mbushur me përplot magji. Skena gjigande e vendosur në qendër, ka mikpritur interpretimin e mbi 200 muzikantëve. Orkestra dhe Kori i Filharmonisë së Kosovës, Kori i Operës së Kosovës nën dirigjimin e Hajrullah Sylës, Kori i Universitetit “Haxhi Zeka” nga Peja nën dirigjimin e Hysen Nimanit, sopranoja Adelina Paloja, tenori Liridon Sadriu dhe baritoni Safet Berisha, kanë ngulitur në kokën e të gjithëve një koncert i cili ka dalë përtej unikes. Talenti i tyre u shfaq në një tango me perfeksionin, kësisoj duke e lënë një vulë të pashlyeshme përbrenda secilit pjesëmarrës, shkruan KultPlus. 

Koncerti parashihej të fillonte në orën 20:30, mirëpo karriget ishin mbushur nga qoshi në qosh qysh nga ora 20:00, ndërsa instrumentet e vendosura në skenë po pritnin që mjeshtërit e tyre t’i merrnin ato në dorë. Audienca pati rastin ta shijojë zhdukjen e përkohshme të diellit dhe me entuziazëm priste shushurimën e instrumenteve nga muzikantët që dolën në skenën e mbuluar në të zezë, akoma pa shënuar ora 21:00. 

Reflektorët në ngjyrë të kaltër të vendosur mbi skenë dukej se e qanin në gjysmë ajrin me drejtimin e tyre, por asisoj ishin edhe muzikantët që dolën duke marshuar në skenë. Hapat e tyre të qëllimshëm, zhurmonin atmosferën këndshëm, duke shënuar fillimin e veprës “Njeriu me armë: Meshë për paqe” e kompozitorit Karl Jenkins, e krijuar në vitin 1999 dhe dedikuar viktimave të Kosovës. Është një vepër anti-luftë bazuar në meshën katolike të cilën kompozitori e gërsheton me burime të tjera, me tekst të përzgjedhur nga historiani Guy Wilson.  

Nën dirigjimin e veçantë të Baki Jasharit, koncerti portretizoi një literaturë muzikore, me vepra të fuqishme që u interpretuan për nder të të 25-vjetorit të Çlirimit të Kosovës dhe 248-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Koncerti u emërtua “Koncert për Paqe” me të cilin Filharmonia e Kosovës përmbylli sezonin 2023/2024. Bashkë me korin në skenë u ngjit edhe Jeffrey M. Hovenier, ambasador i SHBA-ve në Kosovë. 

Anash skenës, dy ekranet mundësuan një vështrim më të detajuar të Orkestrës së Filharmonisë në skenë, si dhe duarve të dirigjentit Jashari, i cili me krahët e tij bënte harqe sa në të djathtë e sa në të majtë. Shkopi i tij në dorën e djathtë, lëvizte me shpejtësi sa poshtë e lartë, njashtu edhe telat e instrumenteve që pushtoheshin pa ndalë nga dhuntia e bukur e shpirtrave të gjallë prapa tyre. Në anën tjetër, të bashkuar në një unitet që çdo herë lë mbresa, Kori i Filharmonisë së Kosovës, Kori i Operës së Kosovës dhe Kori i Universitetit “Haxhi Zeka”, dhuruan spektakle që frymonin nëpërmjet teksteve dedikuar për paqe, dashuri e dhimbje.  

Ndërkohë, publiku ishte i shoqëruar nga një fllad i lehtë i cili zgjonte kohë pas kohe disa rrëqethë, por kjo nuk ndodhte vetëm për atë arsye. Ishte energjia, paraqitja dhe ekselenca e sopranos Adelina Paloja, tenorit Liridon Sadriu dhe baritonit Safet Berisha, të cilët i dhanë jetë të dyfishtë këtij koncerti të jashtëzakonshëm. Si yje në skenë, qëndronin solistët, që kapluan atmosferën nga çasti në çast. Serioziteti i notave që buronin nga thellësia e tyre, portretizoheshin dukshëm dhe në shprehjet e fytyrave të tyre. Për të kënduar për tema te caktuara, do të thotë të bëhesh një me tekstin, mesazhin dhe esecnës e veprës, dhe këtë më së miri, arrinin ta bënin solistët, të cilët kanë shkrirë telat e zërit drejt të pranishmëve nëpërmjet një madhështie modeste. 

Veprat e interpretuara si: “The call to prayers”, “Kyrie”, “Save me from Bloody Men”, “Sanctus”, “Hymn before action”, “Charge!”, “Angry flames”, “Agnus Dei”, “Now the guns have stopped”, “Benedictus” si dhe “Better is peace”, transmetuan një performancë që doli përtej pritshmërive. Puna e palodhshme, përkushtimi, dhe dashuria për atë se çfarë përfaqëson muzika, ishte e vulosur në sytë e 200 muzikantëve, të cilët mbrëmë dëshmuan një pasion të zjarrtë i cili zor se do shuhej ndonjëherë, edhe nëse bota do të digjej ngadalë. 

Prapavija në skenë pati të vendosur një ekran që ndërronte disa imazhe, por më e fuqishmja apo konstantja, qe ajo e një zogu, që shërbente si një thirrje për paqe dhe liri. Reflektorët ndërronin ngjyrat nga të kaltër, në të bardhë, në të kuqe e herë në të portokalltë, që përkonin me stilin e njëmbëdhjetë veprave dhe intensitetin e tyre që shpesh kapte publikun në befasi, duke i shtyrë ata për të lëvizur papritmas. Po ashtu, ajo që këta muzikantë dinë të bëjnë më së miri, është përkëdhelja e lehtë e shpirtit të pranishëm, nëpërmjet prekjeve ledhatuese të instrumenteve përpara tyre, duke krijuar një harmoni bukur të qetë, porsi ninullë. 

Pas përfundimit të gjithë këtij koncerti mbresëlënës, për një fjalë rasti, në skenë doli Jeffrey M. Hovenier, ambasador i SHBA-ve në Kosovë, i cili falënderoi Filharmoninë e Kosovës, që e lejoi të jetë pjesë e tyre për këtë mbrëmje. 

“Nëpërmjet veprave, ne ecëm nga lutja për mëshirë, në përgatitjen për luftë dhe përjetimin e tmerreve të luftës, dhe më pas përfunduam me një mirëkuptim dhe marrëveshje se gjithmonë ka paqe. Unë nuk mund të mendoj për ndonjë vepër tjetër që është më e përshtatshme për një diplomat për të kënduar, sesa “Njeriu me armë: Meshë për paqe”. Vepra qe shumë e ndjeshme për ta kënduar së bashku. Këta prapa meje, janë njerëzit e mi, dhe unë dua t’i falënderoj shumë që më lejuan të jem pjesë e tyre sonte. Muzikantët e Filharmonisë, janë shumë të talentuar dhe ju të gjithë duhet të jeni krenarë për ta”, ka thënë ai. 

Ai tutje tregoi se koncerti ishte paraparë të epej më 4 korrik, por për shkak te motit dhe vdekjes së shkrimtarit Ismail Kadare, koncerti u shty për mbrëmjen e djeshme.

Pjesa përmbyllëse e koncertit solli interpretimin e dy marsheve amerikane “The Washington Post” dhe “The Stars and Stripes Forever” nga John Philip Sousa, të shoqëruar në fund me fishekzjarrë, pjesë e traditës amerikane për shënimin e Ditës së Pavarësisë që nga viti 1777. Fishekzjarrët e shumtë shumëngjyrësh shënuan fundin e një nate të paharrueshme, me kujtime që do vërshojnë përherë në rrjedhën e të bukurave, siç ishte edhe portretizimi nga “Koncert për paqe” për dy orë të plota.

Ndërsa, për të treguar rreth pjesëmarrjes si soliste në këtë koncert, për KultPlus foli sopranoja Adelina Paloja. 

“Përjetova një nga momentet më emocionale të karrierës sime solistike. Atmosfera ishte magjike që nga momenti i parë. Qielli i hapur i Prishtinës dhe yjet e ndritshëm krijuan një skenë të përsosur që po e ndjeja teksa po përgatitesha prapa skenës me emocionet dhe përgjegjësinë e madhe që më priste për të interpretuar veprën madhështore të Karl Jenkins, “The Armed Man: A Mass for Peace”, dedikuar viktimave të luftës në Kosovë. Përmes zërit tim reflektoja figurën e femrës shqiptare vetëflijuese e heroinë historikisht, e ne së bashku si një trup artistësh me mbi 200 muzikantë e mijëra pjesëmarrës në audiencë, ngaqë kemi përjetuar edhe vetë luftën, bëmë dedikimin e thirrjen për paqe edhe si një kujtesë e fuqishme e kostos së luftës që përjetuam”, thotë Paloja. 

Sipas saj, teksa këndonte pjesët e ndryshme të veprës në gjuhen latine, frënge dhe angleze, ndjente peshën e historisë dhe dhimbjen e luftërave të kaluara. Por gjithashtu, ndjente shpresën dhe dëshirën për një të ardhme më të mirë. Pra, çdo frazë muzikore ishte një lutje për paqe, një thirrje për bashkim dhe mirëkuptim. 

“Atmosfera në shesh ishte elektrizuese, me interpretim brilant të Orkestrës dhe Korit të Filharmonisë, të Operas si dhe të Fakultetit të Arteve të Universitetit Haxhi Zeka, udhëhequr shkëlqyeshëm nga dirigjenti prof.Baki Jashari, me dy dirigjentët e korit Hysen Nimani dhe Hajrullah Syla, që së bashku krijuam një përjetim artistik fisnik e krenar. Mbrëmja përfundoi me një ndjenjë të thellë mirënjohjeje dhe shprese për të ardhmen, me angazhimin e drejtorit Dardan Selimaj për vizionin e kësaj mbrëmjeje dhe çdo detaj të mirë menduar, në bashkëpunim me aleatin tonë ShBA, ku në pjesë artistike pjesëmarrës në Kor ishte edhe vetë ambasadori Jeffrey M. Hovenier. U ndava me emocionin që kurorëzuam së bashku një koncert që do të mbahet mend gjatë si një nga ngjarjet më të paharrueshme në historinë kulturore të Prishtinës”, përfundon ajo. 

Kurse, për të treguar përshtypjet e tij rreth gjithë këtij koncerti, për KultPlus foli dirigjenti i Korit të Universitetit “Haxhi Zeka” nga Peja, Hysen Nimani. 

“Fakulteti i Arteve i Universitetit ‘Haxhi Zeka’ ka pasur një periudhë të jashtëzakonshme, duke u shquar për një sërë arritjesh të rëndësishme. Kohët e fundit, Kori i Fakultetit të Arteve prezantoi krahas Filharmonisë së Kosovës para një audience gjigande në sheshin “Skenderbeu” në Prishtinë, një ngjarje që përmbush krenari të madhe për të gjithë ne. Ky bashkëpunim me Filharmoninë e Kosovës, i dyti deri tani, ishte një sukses falë përkushtimit dhe punës së përbashkët me të gjitha instancat menaxheriale, duke përfshirë Dardan Selimaj, dirigjentin Baki Jashari, Hajrullah Syla dhe solistët e talentuar: sopranon Adelina Paloja, tenorin Liridon Sadriu dhe baritonin Safet Berisha”, ka thënë ai. 

Dekani i Fakultetit të Arteve dhe dirigjent i Korit, Nimani, theksoi se kori ka marr pjesë vazhdimisht në koncerte dhe festivale të ndryshme ndërkombëtare, si në Gjermani, Kroaci, Greqi dhe shumë koncerte ne vend dhe jashtë vendit si dhe në konkurse të ndryshme. Këto arritje, sipas tij, pasqyrojnë përkushtimin dhe talentin e jashtëzakonshëm të studentëve dhe stafit, duke shërbyer si një shembull për të gjithë. 

Gjithashtu, dirigjenti i Korit të Operës së Kosovës, Hajrullah Syla, për KultPlus foli rreth përpjekjeve për të sjellë këtë koncert. 

“Vepra ‘The Armed Man a Mess for Peace’ është njëra ndër veprat më madhore që i është dedikuar viktimave të luftës së fundit në Kosovë. Çdo herë që ne e interpretojmë këtë vepër, kemi një emocion të veçantë pasi që kemi qenë edhe dëshmitarë të luftës së fundit dhe përjetimeve që kemi pasur ne si popull nga paramilitarët serbë. Interpretimi i mbrëmshëm ishte një emocion sikurse për herën e parë kur e kemi realizuar këtë vepër”, thotë ai. 

Sipas tij, sa i përket procesit të provave, ka qenë jo edhe aq i vështirë pasi që Orkestra dhe Kori i Filharmonisë, e kanë pasur të përgatitur, por sigurisht bashkimi i dy koreve siç ishin: Kori i Operës së Kosovës dhe Kori i Fakulteti të Arteve “Haxhi Zeka” nga Peja, ka qenë pak sfidues pasi që ishte një numër tejet i madh i interpretëve të kësaj vepre. 

“Gjithashtu, për ne ka qenë nder dhe kënaqësi që ta kemi edhe ambasadorin amerikan Jeffrey Hovenier, i cili është një zë shumë i mirë dhe që me shumë dëshirë iu bashkua koreve që ishin pjesë e koncertit. Ky rrugëtim për të arritur deri në koncert ka qenë mjaft i këndshëm dhe me një peshë të madhe duke e ditur që ne do të dalim në skenë para një audience të madhe në sheshin ‘Skënderbeu’. Aq sa u pa, publiku e priti mjaft mirë paraqitjen tonë”, përfundon Syla. 

Ky koncert është mundësuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ambasada Amerikane, Komuna e Prishtinës dhe RTK. 

Fotografitë: Enes Sahiti / KultPlus.com

Luzha: Salla koncertale dështoi, komuniteti artistik do të marr masa t’i ndërpresë të gjitha aktivitetet

Bujar Meholli

Në objektin e Filharmonisë së Kosovës u mbajt konferenca e organizuar nga Filharmonia e Kosovës, Fakulteti i Arteve – Dega e artit muzikor dhe komuniteti i muzikës klasike, në të cilën u shpalosën brengat që ata kanë për mos ndërtimin e sallës koncertale.

15.4 milion euro janë planifikuar për ndërtimin e kësaj salle në kryeqytet. Mirëpo siç shihet, projekti do të dështojë dhe për këtë kanë reaguar artistët, të cilët janë të indinjuar me mos realizimin e këtij projekti, për mos ndërtimin e një salle të tillë për të cilën ka shumë nevojë.

Valbona Petrovci, Besa Luzha dhe Visar Kuçi folën para audiencës duke i shprehur shqetësimet e tyre dhe masat që planifikojnë t’i marrin nëse gjërat nuk ndryshojnë. Besa Luzha, profesoreshë në Fakultetin e Arteve tha se gjithë komuniteti artistik është indinjuar për ridestinimin e atyre parave, rrjedhimisht për mos realizimin e projektit.

“Gjithë ajo përgatitje, gjithë ajo shpresë që të kemi një sallë koncertale për aktivitetet e këtyre institucioneve që janë dëshmuar siç duket po dështon për shkak të mos koordinimit të institucioneve”. “Neve si komunitet artistik”- vazhdoi Luzha, “nuk na intereson se kush nuk e ka kryer detyrën e vet dhe kush e ka fajin. Ne mendojmë se duhet që kushdo që ka përgjegjësi dhe detyrë në këtë punë të ulen dhe ta gjejnë zgjidhjen ma të mirë të mundshme që mos ta humbim këtë donacion, sepse është vështirë me ardh në këtë momentum ku kemi qenë”, potencoi ajo.

Më tej, Luzha tha se nëse nuk ka kurrfarë zgjidhje për këtë punë ata si komunitet artistik do të marrin masa duke i ndërprerë të gjitha aktivitetet.

Edhe Valbona Petrovci, profesoreshë në Fakultetin e Arteve shprehu indinjatën e saj duke e quajtur të pafalshme atë çfarë kanë bërë institucionet në lidhje me sallën koncertale.

“Shprehim indinjatën tonë të thellë për këtë problem me sallën koncertale. Tash e 45 vjet, Fakulteti i Arteve ka prodhuar kuadro elitarë që e kanë përfaqësuar denjësisht këtë shtet dhe tani të lejohet që gjithë këto kuadro të mos kenë ku të performojnë, kjo është e pa tolerueshme”, tha ajo.

“Shpresojmë që do të ketë mendje të hapura, të cilat do ta mundësojnë ndërtimin e kësaj salle”, përfundoi Petrovci, derisa Visar Kuçi që është anëtar i Filharmonisë shprehi po ashtu shqetësimin e tij dhe të gjithë komunitetit artistik.

 “Për Filharmoninë kjo sallë ka qenë e rëndësishme, sepse siç dihet Filharmonia nuk e ka shtëpinë e vet. Kjo është e keqe edhe për ata që dëshirojnë me i dëgju koncertet e Filharmonisë, s’kanë qenë të rëndësishme detajet, e as lokacioni se ku do të ndërtohej. Me rëndësi ka qenë ndërtimi i saj, por sipas lajmeve të fundit ky ndërtim do të dështojë dhe kjo tregon papërgjegjësi të madhe nga ana e politikanëve dhe atyre që e kanë pasur në dorë këtë punë. Ne jemi të shqetësuar, dhe së shpejti do të dalim me një komunikatë. Po shpresojmë që gjërat kanë me ndryshu, përndryshe kjo është një katastrofë e madhe”, përfundoi Kuçi. / KultPlus.com