Filharmonia e Kosovës ka njoftuar se koncertin e radhës do ta mbaj në qytetin e Rahovecit.
Në këtë performancë do të paraqiten Kori i Filharmonisë së Kosovës dhe Ansambli i Filharmonisë së Kosovës.
“Jemi të lumtur të prezantojmë koncertin e Korit të Filharmonisë së Kosovës dhe Ansamblit të Filharmonisë së Kosovës në Rahovec më 26 mars 2025 (E mërkurë), nga ora 19:30, në Hollin e Institucionit të Arsimit dhe Aftësimit Profesional “Selajdin Mullaabazi – Mici” – Rahovec”, thuhet në njoftimin e Filharmonisë./ KultPlus.com
Në kuadër të programit “Arti në shkolla”, Orkestra e Filharmonisë së Kosovës ka dhënë dy koncerte. Nën drejtimin e dirigjentes franceze Anna Göckel, orkestra ka interpretuar vepra si ‘Simple Symphony’ nga Benjamin Britten dhe ‘Toy Symphony’ nga Joseph Haydn.
Së bashku me instrumentistët e Filharmonisë së Kosovës, në pjesën e dytë u prezantuan edhe nxënësit e Shkollës së Muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë. Kjo u realizua në kuadër të memorandumit të nënshkruar ndërmjet Filharmonisë së Kosovës dhe Shkollës së Muzikës “Prenk Jakova” për zhvillimin e talenteve të rinj.
Në këto dy koncerte morën pjesë nxënësit e shkollave fillore të mesme të ulëta “Faik Konica”, “Qamil Batalli”, dhe “Ismail Qemali” nga Prishtina, si dhe nxënës nga Kids Academy.
Koncerti i ardhshëm i Filharmonisë së Kosovës do të mbahet më 12 mars 2025, nga ora 19:30, në Casino Bern, në Bernë të Zvicrës. Ky do të jetë prezantimi i parë ndërkombëtar i Filharmonisë për këtë vit.
Në kuadër të programit “Arti në shkolla,” Orkestra e Filharmonisë së Kosovës nesër, më 4 mars, do të mbajë një koncert në dy termine, nën udhëheqjen e dirigjentes dhe violinistes franceze Anna Göckel.
Në këtë koncert orkestra do të prezantojë vepra nga Benjamin Britten dhe Joseph Haydn.
Në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit mes Filharmonisë së Kosovës dhe Shkollës së Muzikës “Prenk Jakova,” në pjesën e dytë të këtij koncerti, përkrah instrumentistëve të Filharmonisë së Kosovës, do të paraqiten edhe nxënësit e kësaj shkolle.
Koncerti mbahet në dy termine, prej orës 14:00 dhe 15:00, në Atelienë e Pallatit të Rinisë./ KultPlus.com
Filharmonia e Kosovës ka njoftuar se sopranoja Besa Llugiqi dhe saksofonisti Vitaly Vatulya janë solistët e koncertit të radhës, i cili do të mbahet nën drejtimin e mjeshtrit të njohur zviceran-francez Antoine Marguier, shkruan KultPlus.
Në njoftim thuhet se Orkestra e Filharmonisë së Kosovës do të interpretojë një program të veçantë me vepra nga Rexho Mulliqi, Valton Beqiri, Kreshnik Aliçkaj, Giuseppe Verdi, Giacomo Puccini dhe Manuel de Falla.
Koncerti do të mbahet më 27 shkurt 2025, nga ora 19:30, në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë. Ky koncert do t’i paraprijë paraqitjes së Orkestrës në Sallën e Madhe të Casino Bern, në Bern të Zvicrës, më 12 mars 2025./ KultPlus.com
Filharmonia e Kosovës ka njoftuar se kanë nisur përgatitjet për një koncert të veçantë, nën drejtimin e dirigjentit brazilian Marcio da Silva, dirigjent i Hastings Philharmonic Orchestra. Ky koncert do të sjellë interpretimin e oratoriumit të njohur Messiah nga Handel.
Sipas një njoftimi për media në faqen zyrtare të Filharmonisë ky koncert do t’i dedikohet dirigjentit të parë të Kosovës, Bahri Çela, njëherësh themelues i Filharmonisë së Kosovës.
Shfaqja do të shënojë gjithashtu 20-vjetorin e interpretimit të Messiah nga Bahri Çela me Korin e Studentëve të Fakultetit të Arteve dhe Orkestrën e Profesorëve të Fakultetit të Arteve – DAM, së bashku me studentët e atij viti.
Koncerti do të zhvillohet në dy shfaqje, më 9 dhe 10 maj 2025, në Pallatin e Rinisë, nga ora 19:30./ KultPlus.com
Filharmonia e Kosovës ka njoftuar se do të prezantojë koncertin e 17 shkurtit, i cili organizohet në kuadër të agjendës zyrtare të shënimit të përvjetorit të 17-të të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Me këtë rast Kori dhe Orkestra e Filharmonisë së Kosovës do të sjellin një program me vepra të kompozitorëve nga Kosova nën dirigjimin e Baki Jasharit.
“Koncerti do të nisë me veprën “Suita ilire” nga Mark Kaçinari (në 90-vjetorin e lindjes së kompozitorit) dhe do të përfshijë tri vepra premierë: “Fantazi për piano” nga Blond Krasniqi me solist Shkëlzen Baftiarin (piano), poema simfonike “Mizer – Reçak” nga Librun Jupolli dhe kantata “I miri i motrës” nga Korab Shaqiri me soliste Flaka Goranci (mexosoprano)”, thuhet në njoftimin e Filharmonisë.
Gjithashtu, në këtë mbrëmje do të interpretohen “Dies Irae” (Messa da Requiem) nga Giuseppe Verdi dhe “Vendi im” nga Valton Beqiri, e kompozuar mbi temën e këngës “Mallëngjimi”.
Numri i ulëseve është i kufizuar, prandaj institucioni i Filharmonisë ka bërë ftesë që të rezervohen vendet.
Koncerti do të mbahet më 17 shkurt, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë. Dyert hapen në orën 19:30, ndërsa koncerti do të fillojë në orën 20:00. Pas fillimit të koncertit, dyert do të mbyllen për shkak të transmetimit direkt në Radio Televizionin e Kosovës./ KultPlus.com
Një memorandum bashkëpunimi është nënshkruar sot ndërmjet Shkollës së Mesme të Lartë Profesionale të Muzikës “Prenk Jakova” dhe institucionit më të lartë të muzikës në vend, Filharmonisë së Kosovës, shkruan KultPlus.
Ky memorandum bashkëpunimi i nënshkruar nga drejtoresha e shkollës “Prenk Jakova”, Jeta Dida – Bujari dhe nga u.d. drejtori i Filharmonisë së Kosovës Dardan Selimaj synon:
• Rregullimin e bashkëpunimit për ofrimin e mundësive të praktikës profesionale për nxënësit e shkollës në Filharmoninë e Kosovës.
• Krijimin e një platforme bashkëpunimi për zhvillimin e praktikave profesionale për nxënësit e shkollës, përmes angazhimit dhe përvojës në aktivitete dhe projekte.
• Ngritje dhe përmirësim të cilësisë profesionale të nxënësve, duke ofruar mundësi praktike dhe përvojë të vlefshme në fushën e muzikës.
Në përfundim të praktikës, nxënësit do të pajisen me certifikatë vlerësimi për përvojën e fituar brenda institucionit të Filharmonisë së Kosovës../ KultPlus.com
Orkestra e Filharmonisë së Kosovës mbrëmë nën dirigjimin e mjeshtrit Dario Salvi, ka përmbyllur vitin me Gala Koncertin e Vitit të Ri 2025, shkruan KultPlus.
Orkestra e institucionit më të lartë të muzikës në vend këtë fundvit solli një program ekskluziv, plot ekspresivitet dhe nostalgji.
“Koreografitë e pavdekshme të mjeshtrit botëror Mikhail Fokine, të shoqëruara nga muzika e Tchaikovsky-t, Saint-Saëns-it dhe Adam-it, erdhën në skenë falë balerinit dhe koreografit ikonik italian Toni Candeloro dhe Martina Arduino, prima balerinës së “Teatro alla Scala” – Milano”, thuhet në faqen e Filharmonisë.
Mbrëmja solli gjithashtu virtuozitetin e dy instrumentistëve të jashtëzakonshëm: violinistes franceze Anna Göckel, fituese e çmimit prestigjioz “Révélations Classiques de l’ADAMI,” dhe trumbetistit të parë të Filharmonisë së Sofjes, Peter Makedonski.
Epilogu i mbrëmjes ishte Marshi i Radetzky nga Strauss, nën dirigjimin e violinistes 8-vjeçare Hana Ajeti.
Filharmonia do të nisë aktivitetin me koncertin e parë më 17 janar 2025, prej orës 19:30, në Atelienë e Pallatit të Rinisë. Soliste e koncertit do të jetë violinistja Abigeila Voshtina, ndërsa dirigjent italiani Jacopo Sipari di Pescasseroli. /KultPlus.com
Nën dirigjimin e mjeshtrit Dario Salvi, Orkestra e Filharmonisë së Kosovës do të prezantojë një program ekskluziv, plot ekspresivitet dhe nostalgji në Gala Koncertin e Vitit të Ri 2025, shkruan KultPlus.
Në koncert do të prezantohen koreografitë e pavdekshme të mjeshtrit botëror Mikhail Fokine, të shoqëruara nga muzika e Tchaikovsky-it, Saint-Saëns-it, and Adam-it, përmes balerinit dhe koreografit ikonik italian Toni Candeloro dhe Martina Arduino, prima balerina e të famshmit “Teatro alla Scala” – Milano.
Mbrëmja do të sjellë gjithashtu virtuozitetin e dy instrumentistëve të jashtëzakonshëm: violinistes franceze Anna Göckel, fituese e çmimit prestigjioz “Révélations Classiques de l’ADAMI”, dhe të trumbetistit të parë të Filharmonisë së Sofjes, Peter Makedonski duke mos harruar edhe copëza nga repertori i familjes Strauss.
Gala Koncerti i Vitit të Ri 2025 do të mbahet më 21 dhjetor, ora 19:30, në Sallën AMC./ KultPlus.com
Filharmonia e Kosovës ka njoftuar se koncerti i radhës i cili përfshin vepra nga periudha barok deri te ajo romantike vjen me pjesëmarrjen e fagotistit të njohur Laurent Lefèvre, nën drejtimin e dirigjetit Frédéric Laroque – koncert-mjeshtër i Orkestrës së Operës së Parisit, shkruan KultPlus.
Në program do të interpretohen vepra nga Vivaldi, Mozart, Rossini dhe Bizet, me një orkestër të përbërë nga anëtarë të Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës dhe Operës së Kosovës.
Koncerti mbahet më 6 nëntor, në ora 19:30, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë./ KultPlus.com
Filharmonia e Kosovës ka njoftuar se koncertin e radhës do ta mbajë nën drejtimin e dirigjentit Dario Salvi me solistët mysafirë, violinistin Djafer Djaferi (Xhafer Xhaferi) dhe pianistin argjentinas José Gallardo.
Në këtë koncert, orkestra do të luajë “Valle Antike” nga Vasil Sofokli Tole, “Koncert për violinë, piano dhe harqe në d-mol” nga Felix Mendelssohn dhe “Simple Simphony” nga Benjamin Britten.
Koncerti mbahet më 4 tetor 2024, prej orës 19:30, në Atelienë e Pallatit të Rinisë në Prishtinë. / KultPlus.com
Mbrëmë, Filharmonia e Kosovës ka shënuar 24 vjetorin e themelimit, nën interpretimin e mrekullueshëm të veprave të Lorenc Antonit dhe Gustav Mahlerit, në drejtimin e dirigjentit japonez Toshio Yanagisawa.
Orkestra Simfonike në hapje të këtij koncerti madhështorë interpretoi veprat ‘Valle shqiptare Nr. 1,’ ‘Në Prizrenin e Vjetër,’ dhe ‘Malësorja’ të Lorenc Antonit, për të vazhduar me premierën kosovare të Simfonisë Nr. 1 të Gustav Mahler-it.
I pranishëm në këtë ceremoni ka qenë edhe Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, meqë rast është shprehur se për dallim nga koha e themelimit me 13 anëtarë, tani ky institucion ka një orekstër të plotë me mbi 100 pjesëtarë.
“Filharmonia e Kosovës para 24 vitesh kishte vetëm 13 anëtarë, tani ka mbi 100 dhe orkestër të plotë. Duke ruajtur standarde të larta artistike dhe prezantuar kryevepra të muzikës klasike dhe moderne, ky institucion ka ndihmuar në forcimin e identitetit kulturor të Kosovës dhe ka pasuruar jetën artistike të shoqërisë sonë.
Urime dhe faleminderit!”, thuhet në shkrimin e Ministrit Çeku në facebook./ KultPlus.com
Për nderë të 25-vjetorit të Çlirimit të Kosovës dhe 248-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Filharmonia e Kosovës prezanton koncertin “Koncert për Paqe” me të cilin përmbyllet sezona 2023/2024.
Koncerti do të sjellë te publikut vepra të fuqishme nga literatura muzikore, të interpretuara nga mbi 200 muzikantë: Orkestra dhe Kori i Filharmonisë së Kosovës, Kori i Operës së Kosovës (Dir. Hajrullah Syla) dhe Kori i Universitetit “Haxhi Zeka” – Pejë (Dir. Hysen Nimani). Koncerti do të drejtohet nga dirigjenti Baki Jashari, ndërsa në rolin e solistëve do të prezantohen Adelina Paloja (soprano), Liridon Sadriu (tenor) dhe Safet Berisha (bariton).
Ky koncert është mundësuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ambasada Amerikane, Komuna e Prishtinës dhe RTK.
Mbrëmja fillon në ora 20:30, më 6 korrik, në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. Hyrja është falas, ndërkaq rezervimi është i domosdoshëm https://bit.ly/3zruKVb. / KultPlus.com
Një koncert krejtësisisht ndryshe nga ata që zakonisht i sjell Filharmonia, u dhurua të marten mbrëma nga institucioni më i lartë i muzikës në vend, për nderë të 25-vjetorit të Çlirimit të Kosovës, përmes Orkestrës së Filharmonisë, dj. Derrick May dhe pianistit Francesco Tristano, nën drejtimin e dirigjentit Dzijan Emin, shkruan KultPlus.
Kjo mbrëmje magjike e cila kishte mbledhur një publik masiv në Sallën e Madhe të Pallatit të Rinisë, qe një projekt unik hibrid, që jashtëzakonisht bukur arriti të bashkoj muzikën elektronike me atë klasike, si diçka të paparë deri tash nga audienca vendore.
Radhitja e Orkestrës së Filharmonisë së bashku me interpretuesit tjerë të mbrëmjes në errësirë, shoqëruar me drita të shumëta të cilat vinin në pah performuesit, i dhanë sallës jo adekuate më shumë shije. Ndërsa tingujt e parë të emetuar në këtë ambient të veçantë morën zemrën e publikut deri në fund të koncertit duke i dhuruar një përvojë unike, një një përvjetor jubilar, si ky i 25-vjetorit të çlirimit.
Mënyra e drejtimit të dirigjentit Dzijan Emin, i cili vallëzonte krahas publikut, interpretimi në këmbë i pianistit të shquar, Francesco Tristano dhe muzika e jashtëzakonshme e ikonës së muzikës tekno dj. Derrick May, të cilat bashkohesheshin me tingujt e Orkestrës së Filharmonisë, të interpretuar në një mënyrë më të lirshme se sa në seriozitetin e koncerteve e zakonshme nga instrumentistët, publikut i dhuruan mbrëmje të paharrueshme.
Tingujt e dhuruar në sallë nga harkorët, të gërshetuar aq bukur me tinguj të muzikës elektronike, përthitheshin krejt natyrshëm me audiencën, një pjesë e së cilës qëndronte në këmbë duke vallëzuar, përderisa një pjesë e tyre qëndronin ulur në skajin e majtë dhe të djathtë të sallës, duke e shikuar performancën mahnitëse nga lartë. Ovacionet e tyre përgjatë dhe në fund të mbrëmjes ishin treguesit dhe vlerësuesit më të mirë të performancës.
Krejt në fund të koncertit, në një prononcim për KultPlus, dirigjenti i mbrëmjes Dzijan Emin tha se pati përshtypje shumë të mira për koncertin me Filharmoninë e Kosovës, me të cilët ka pasur përvojë interpretimi edhe në të kaluarën.
“Kam përshtypje me të vërtetetë të jashtëzakonshme për këtë interpretim. Unë kam luajtur me Filharmoninë e Kosovës edhe 15 vite ma parë. Shumicën e muzikantëve i njoh dhe kjo të jep një ndjesi sikur kur luan me shokët e tu. Prandaj realizimi i këtij koncerti ka qenë diçka shumë, shumë më e lehtë, sepse ne e kuptojmë njëri-tjetrin shumë më mirë” ka thënë dirigjenti Emin duke potencuar se ndihet i impresionuar për përparimin e Filharmonisë përgjatë këtyre 15 viteve.
“Ky projekt është pak i komplikuar, sepse teksturat ritmike dhe elementet tjera brenda janë pak të komplikuara për t’i bashkuar të gjitha së bashku pa ritmet elektronike. Ne filluam duke e njohur muzikën mirë dhe më pas vendosëm muzikën elektronike. Ne punuam për një javë çdo ditë. Ishte vërtet punë e vështirë. Por unë jam vërtet i impresionuar për përparimin e Orkestrës së Filharmonisë të bërë në 10-15 vitet e fundit. Unë kam luajtur këtë program me shumë orkestra në mbarë botën, dhe duhet të them që kjo është me të vërtetë një nga shfaqjet e mia më të preferuara deri më tani. Orkestra ishte vërtet e mrekullueshme dhe gjithashtu edhe energjia e publikut, kështuqë jam shumë falënderues për këtë mbrëmje” ka thënë dirigjenti Emin.
Ndërsa, Dj. Derrick May në një prononcim për media ka vlerësuar aspektin muzikor të vendit, i cili sipas tij flet shumë edhe për të ardhmen.
“Në aspektin kulturor të jem i ftuar në Kosovë ishte shumë e rëndësishme për komunitetin këtu dhe po ashtu edhe për mua. Është e rëndësishme pasi Kosova ka arritur muzikalisht. Është e hapur për shumë ide dhe për atë që po ndodh. Kjo tregon për të ardhmen e këtij vendi. Të shoshësh entuziazmin këtu është gjë tejet e bukur” ka thënë dj. May duke treguar diçka edhe për stilin e tij krejt të veçantë interpretues.
“Çfarë bëj unë është stil i lirë. Nuk mbaj para vetes ndonjë partiturë. Unë vendosi çfarë të luaj në skenë. Është çmenduri apo jo? Gjenerata ime e DJ-ve dallon shumë nga pasardhëset. Kemi punuar shumë për t’i bërë njerëzit për vete për të sjellë risi. Tash DJ-të punojnë vetëm për të mbajtur njerëzit përreth tyre”, ka thënë ai.
Kurse ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Filharmonisë, Dardan Selimaj, tha se sjellja e një projekti të tillë hibrid përveç muzikës së veçantë është një mundësi shumë e mirë që një publik i përmasave të tilla të bëhej më kurioz edhe koncertet e muzikës klasike.
“Filharmonia e ka audiencën e vet. Ne jemi shumë të kënaqur me audiencën tonë, pasi janë shumë mbështetës, i përcjellin të gjitha koncertet në ato mundësi dhe kushte që kemi, me ato kapacitete që janë. Por megjithatë në përvjetorin e Çlirimit të Kosovës, në këtë jubile të rëndësishëm e kishim menduar bashkë me instrumentistët që ndoshta do të ishte mirë që ta sillnim një projekt që do t’i ofroj njerëzit më shumë me orkestrën, njerëz që ndoshta hezitojnë të ndjekin aktivitetin e muzikës klasike por që një projekt si ky hibrid do t’i bënte ata më kureshtar edhe për projektet në të ardhmen, por në të njëjtën kohë për ta krijuar një ngjarje e cila është përjetim i veçantë për instrumentistët, për orkestrën dhe për të gjithë së bashku”, ka thënë drejtori Selimaj.
Drejtori Selimaj ka thënë se një koncert i tillë ishte menduar të sillej në vitin 2020.
“Para 10 vitesh unë e kam parë muzikën e Derrick May me projektet e tij që realizohen me orkestrën simfonike. Në atë kohë e kam parë duke performuar në disa vende të botës, në Detroid, Londër, Paris, etj dhe gjithmonë e kam menduar si mundësi për ta sjellë edhe në Prishtinë. Tentativa e parë ka qenë në vitin 2020, meqë ishim në kohë pandemie ky projekt nuk është sjellë në skenë nga ajo kohë deri tash. Ky është rikthim i këtij projekti dhe më vjen mirë që kjo ka ndodhur në Prishtinë” është shprehur më tej Selimaj duke e falënderuar Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për mbështetjen e këtij koncerti, i cili u dhurua pa paguesë për audiencën në këtë përvjetor jubilar.
Ndërsa për vetë violinistin Visar Kuqi mbrëmja e cila i kishte sfiduar me një interpretim të parealizuar deri tash, kishte qenë diçka e jashtëzakonshme me një super audiencë.
“Nata e sotme është një prej atyre rasteve ku muzika pa publikun nuk ka kuptim, e sidomos në këtë projekt që ishim para një audence të tillë, ku gjithçka mori tjetër kuptim për ne që bashkë e shijuam shumë këtë lojë dhe këtë muzikë sepse ishte e punuar mjeshtërisht prej Derrick May dhe Dzijan Emin që është dirigjent i cili ka shkrur extra pjesë për këtë performancë, për t’i ka aranzhuar më pas për orkestër”ka thënë violinisti Kuqi.
Ai më tej ka zbuluar diçka edhe nga provat dhe bashkëpunimi me artistët e mbrëmjes.
“Me thënë të drejtën gjatë provave nuk ka qenë edhe shumë e lehtë, sepse ka qenë krejt ndryshe prej asaj çka bëjmë ne zakonisht. Ka pasur momente që kemi qenë të stresuar se si ka për të dalë koncerti ose a ka për të dal mirë, por në fund gjithçka doli shumë mirë dhe jemi shumë shumë të kënaqur me këtë performancë”, ka përfunduar violinisti Kuqi.
Koncerti i ardhshëm i Filharmonisë së Kosovës do të mbahet më 19 qershor, në Kishën Katolike “Shën Ndou”, në orën 20:00./ KultPlus.com
Me rastin e 25 vjetorit të Çlirimit të Kosovës, institucioni më i lartë i muzikës në vend, Filharmonia e Kosovës, organizon koncert të jashtëzakonshëm të gërshetuar mes muzikës elektronike dhe asaj klasike me Orkestrën e Filharmonisë, ikonën e muzikës tekno Derrick May, pianistin Francesco Tristano nën drejtimin e dirigjentit Dzijan Emin, shkruan KultPlus.
Lajmin e ka bërë të ditur Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit përmes një shkrimi në facebook.
“Orkestra e Filharmonisë së Kosovës do të ngjitet në skenë së bashku me ikonën e muzikës tekno Derrick May dhe pianistin e jashtëzakonshëm Francesco Tristano nën drejtimin e dirigjentit Dzijan Emin. Ky projekt unik hibrid bashkon muzikën elektronike dhe atë klasike, për një festë të paharruar!” thuhet në shkrimin MKRS.
Koncerti mbahet më 11 qershor 2024, në Sallën e Madhe e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, në ora 19:00./ KultPlus.com
Në akustikën e mrekullueshme të Kishës “Shën Ndou” Kori i Filharmonisë së Kosovës, Ansambli Harkor dhe pianisti Andi Duraku, nën drejtimin e dirigjentit Hajrullah Syla dhuruan spektër emocional përmes një koncerti të pasur artistik, i cili u mbajt për të shënuar 65-vjetorin e vdekjes së kompozitorit Halit Kasapolli, shkruan KultPlus.
Ambienti i errët dhe i ftohtë i sallës ku mbahej mbrëmja artistike që ndërthurte elegancën, seriozitetin dhe misterin i jepte koncertit një karakter mjaft të veçantë, ku në fokus qe edhe vepra premierë “Like the Touch of Rain”, e cila ishte kompozim i vet dirigjentit Syla.
Interpretimi harmonik i tingujve të koristëve me pianon dhe ansamblin harkor që rrjedhte aq natyrshëm me drejtimin e dirigjentit, i cili ishte edhe kompozitori i veprës, mundësoi që fillimisht premiera të prezantohej me një kualitet të lartë, e më pas si e tillë edhe të pranohej nga audienca në sallë.
Vepra “Bash n’zaman të djelmënisë” e kompozitorit Halit Kasapolli e cila u interpretua në nderim të jetës dhe veprës së tij, u dallua nga veprat tjera përmes tingujve mjaft të veçantë. Ndërsa pika interpretuese “Spirit” e Rawn Harbor, i shtoi gjallërinë sallës me tinguj më të lartë dhe më dinamikë duke lënë një shije fantastike te publiku.
Kurse në interpretimin e veprës “Sei, lieber Tag, willkommen” të autorit Johannes Brahms, fillimisht tërhoqi vëmendje radhitja e antarëve të Korit të Filharmonisë, të cilët në dy radhë u shfaqën të përzier grupi i burrave dhe ai i grave. Pastaj ishte energjia dhe timbri i tyre ai që mori me vete audiencën deri në fund të koncertit.
Veprat tjera të cilat u interpretuan në koncertin e mbrëmshëm ishin: “Der Gang zum Liebchen” nga Johannes Brahms, “All Seems Beautiful to Me” nga Eric Whitacre, “ Becoming the Ocean” nga Jake Runestand, “Earth Song” nga Frank Ticheli, “I am the world” nga Lauren Biggs dhe “Jupiter” nga Michael Ostrzyga, të cilat publiku po ashtu i mirëpriti mjaft mirë.
Krejt në fund të koncertit Dirigjenti Hajrullah Syla tha se ndihet shumë i kënaqur që para publikut arritën të paraqesin në mënyrën më të mirë të mundshme një program me kërkesa të larta artistike.
“Gjatë gjithë kohës së interpretimit të koncertit të sotëm kam pasur një ndjenjë tepër të mirë. E pata një feedback mjaft të mirë edhe nga kori kështu që jam shumë i kënaqur me gjithë koncertin. Për një kohë kaq të shkurtër kemi arritur që ta sjellim në mënyrën më të mirë të mundshme para publikut një program të tillë, i cili ishte mjaft sfidues atraktiv” është shprehur dirigjenti Syla.
Sigurisht, gjithë entuziazmin për koncertin e interpretuar dirigjentit Syla ia shtonte edhe fakti që publiku e priti mjaft mirë edhe veprën “Like the Touch of Rain” të kompozuar nga vetë ai.
“Vepra ime është e shkruar për këtë koncert. Ishte një premierë për të cilën është menduar gjatë për t’u shkruar. Përbëhet nga një formacion instrumentistësh harkorë – piano – kor mix. Jam shumë i kënaqur me interpretimin e veprës dhe po besoj që energjia dhe gjithë ajo çka kam dashur të shprehë përmes muzikës është përcjellë sonte te publiku të cilët edhe e pritën mjaftë mirë”, ka thënë Syla duke potencuar se reagimi i publikut e drejton një artist menjëherë drejt krijimeve të tjera
“Për mua si krijues është frymëzim dhe thjesht një shtytje për të vazhduar tutje. Realisht kompozimi është pjesë e jetës sime, është profesion i imi, kështu që sigurisht që kur vepra pritet mirë nga publiku atëherë kompozitori, nuk ka çfarë pret tjetër përveçse të filloj menjëherë me vepra të tjera”, ka përfunduar ai.
Kurse për pianistin Andi Duraku puna për të sjellë këtë koncert premierë ishte kënaqësi e madhe, pasi pjesëmarrëja e muzikantëve profesional ia lehtësonte mjaft shumë punën.
“Me të vërtetë ishte një mbrëmje e jashtëzakonshme. Ishin të gjitha veprat premierë që u ekzekutuan për herë të parë për publikun tonë. Secila vepër mendoj se është realizuar në maksimumin e tyre. Unë kisha kënaqësinë të interpretoj në shumicën prej tyre me piano. Me të vërtetë është kënaqësi sa herë që bashkëpunoj me këtë kor të mrekullueshëm dhe me dirigjentin Hajrullah Syla” ka thënë pianisti Duraku.
Ndërsa, konert mjeshtri i Filharminisë së Kosovës, Festim Fanaj, i cili në koncert mori pjesë edhe si shikues edhe si interpretues tha se Kori i Filharmonisë në këtë koncert pati një paraqitje mjaft dinjitoze.
“Sonte isha në rolin e udhëheqësit të Ansamblit Harkor, që ka qenë i inkorporuar me Korin e Filhrmonisë, nën dirigjimin e Hajrullah Sylës. Ne si ansambël kemi performuar një pikë, tjerat kanë qenë të gjitha me piano dhe kor. Me të vërtetë kori ka qenë sonte shumë, shumë në nivel të bukur me tinguj të homogjenizuar, ritmikisht, gjithmonë bashkë, me harmoni në mes të tyre. Është vërejtur një dinamikë shumë bukur e thksuar me shumë oscilime, piano dhe de forte” është shprehur koncertmjeshtri Fanaj i cili pati komente shumë pozitive edhe për veprën premierë të dirigjentit Syla.
“Me të vërtetë ka bërë një vepër shumë interesante, shumë të bukur, moderne, kontemporane. Gjithashtu ka pasur edhe sentiment në atë vepër. Mua më ka pëlqyer dhe për këtë e përgëzoj dirigjentin Syla. Besoj që kjo vepër tashmë do të performohet edhe në qytete dhe shtete të tjera” ka thënë Fanaj.
Kurse antarja e Korit të Filharmonisë, Elona Sadiku, për KultPlus është shprehur se se ndihet e lumtur që pas një pune shumë të lodhshme koncerti kishte rezultuar me një performancë mjaft të suksesshme.
Për koristen Sadiku vepra “ Bash n’zeman…” i kishte lënë një ndjenjë të thellë gjatë interpretimit ngase ishte dedikim për kompozitorin Halit Kasapolli.
“Ka qenë vepra “Bash n’zeman…” nga kompozitori Halit kasapolli e cila më ka prekur jashtëzakonisht shumë për shkak se e ka përshkruar jetën e tij të shkurtër si kompozitor. Kjo vepër që është sjellë me aranzhim të kompozitorit Hajrulla Syla tregon historinë e tij se si një sëmundje për një kohë të shkurtër ja ka marrë jetën. Për mua kjo ka qenë kjo pika më e ndjeshme”, ka përfunduar Sadiku./KultPlus.com
Një koncert i rrallë i cili në qendër pati instrumentin e “Fagotit” u dhurua të shtunën mbrëma në Atelienë e Pallatit të Rinisë, nga solisti Meriton Ferizi dhe Orkestra e Filharmonisë së Kosovës, nën drejtimin e dirigjentit Chris McCraken, shkruan KultPlus.
Mbrëmja artistike filloi rreth orës 20:00, në sallën tashmë të improvizuar për mbajtjen e koncerteve të Filhamonisë, me një numë të madh të të pranishmëve, të cilët e shijuan pafund koncertin me program të instrumentit të “Fagotit” që në historinë e Filhamonisë u soll vetëm për të dytën herë.
Me Koncert për fagot Nr.2 në F-dur, P.237, nga Fanz Danzi me “Allegro”, “Andante”, “Polacca: Allegretto” u paraqit për herë të parë si solist në skenë fagotisti Meriton Ferizi, të cilin interpretim e pritën shumë mirë audienca, të cilën gjë e tregoi edhe reagimi i publikut duke e detyruar të ri-luaj përsëri edhe një pjesë të programit.
Tingujt e ndjerë, të butë, klasikë e të fuqishëm që u interpretuan në sallë nga ky instrument i cili rrallë paraqitet në program të Filhamoinsë, si dhe përshtatja që “Fagoti” pati me veshin e dëgjuesve në sallë, si duket i shtroi rrugën edhe për koncerte të tjera të tilla në të ardhmen.
Në pjesën e dytë të koncertit u luajt Simfonia Nr.8 në G-dur, Op. 88, B. 163 e Antonin Dvorak, me “Allegro con brio”, “Adagio”, “Allegretto grazioso- Molta vivace”, “Allegro ma non troppo” nga Orkestra e Filharmonisë nën drejtimin e dirigjentit Chris McCraken.
Në këtë pjesë u emetuan tinguj me frekuencë më të lartë. Interpretimi bëhej më serioz, pasi ndodhte një ulje rapide e tingujve, qetësia e të cilëve jepte kuptim në zbërthimin e përmbajtjes së veprës. Sigurisht ishte përvoja e dirigjentit dhe përputhja në plotni me anëtarët e Orkestës Filharmonike ajo që e mundësoi një program të tillë.
Pas pjesës artistike, në një prononcim për KultPlus solisti Meriton Ferizi ka thënë se përvoja e mbrëmshme ishte e jashtëzakonshme pas mirëpritjes që i bëri publiku në sallë.
“Ka qenë një koncert shumë i veçantë për mua sepse për herë të parë kam performuar me Filharmoninë si solist. Unë jam pjesë e Filharmonisë që nga viti 2003, fillimisht si korist, pastaj prej vitit 2009 edhe si instrumentist, dhe sot mu dha rasti për të cilën gjë e falënderoj menaxhmentin që më dha kohë dhe hapsirë që të performoj, në mënyrë që edhe instrumenti i fagotit të promovohet te ne dhe të shijohen veprat e bukura.
Solisti Ferizi më tej ka thënë se reagimi i publikut e kishte pajisur me motivim të madh, të cilin beson se mund të shpalos në programe të tjera në të ardhmen e Filharmonisë.
“Kur interpreton për herë të parë dhe publiku të pret shumë mirë të motivojnë për të sjellë performanca të tilla përsëri. Pritshmëritë për interpretime të tilla janë të mira, ka shumë program për instrumentin e fagotit, dhe besoj që edhe viteve në vijim do të gjendet ndonjë hapësirë tjetër dhe të ofrohet një koncert më i mirë ose i këtij rangu për publikun” ka thënë Ferizi i cili një pjesë të konsiderushme të meritës për një koncert të tillë ia dedikoi dhe dirigjentit McCraken.
“Jam gëzuar kur kuptova që do të jetë Chris McCraken dirigjenti i cili do ta udhëhiqte këtë koncert. E pata më të lehtë, në njëfarë forme u çlirova sepse ka raste kur provat nuk shkojnë mirë me dirigjentin dhe mund të jenë me karakter tjetër. McCraken është shumë bashkëpunues, i kupton dëshirat e instrumentistit kur dëshiron të ndryshoj diçka. Komplet procesi ka shkuar me një frymë pozitive që gjithçka të shkojë me rregull”, ka përfunduar fagotisti Ferizi.
Edhe vetë dirigjenti Chris McCraken e kishte shijuar koncertin me instrumentin e “Fagotit” nga ku tha se mbrëmja ishte një udhëtim nga një ndjenjë në tjetrën.
“E kemi zgjedhur Danzin që është luajtur nga Meriton Ferizi, një instrumentist i mrekullueshëm, ku sonte e pati rastin të shkëlqejë së bashku me kolegët e tij. Vepra e Danzit është zgjedhja e duhur për të shfaqur instrumentin e “Fagotit”. Ishte një simfoni me shumë kontraste. Janë tinguj shumë të këndshëm, klasikë, elegantë, të fuqishëm dhe sjellin shumë emocione. Është një udhëtim nga një ndjenjë në tjetrën”, ka thënë dirigjenti McCraken.
Ndërsa Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Filharmonisë, Dardan Selimaj ka thënë se ndihet i kënaqur nga performanca e Filharmonisë për këtë koncert, siç tha ai mjaft rrallë të dhuruar për audiencën.
“Fillimisht jam shumë i lumtur që e kemi pasur në program një vepër për program edhe orkestër sepse në të gjithë historinë e Filharmonisë së Kosovës, kjo është vetëm hera e dytë që ne e kemi programu një vepër për instrumentin e fagotit. Edhe për publikun besoj që ka qenë një mundësi e mirë sepse jo shpesh paraqiten vepra të shkruara për këtë instrument” ka thënë Selimaj.
Drejtori Selimaj duke folur për programin e koncertit shprehu keqardhje që vepra e autorit Andre Jolivet nuk u dha sonte nga flautistja Erëmira Çitaku si shkak i një lëndimi që kishte pësuar solistja, duke bërë të ditur se kjo performancë është shtyrë për një rast tjetër.
“Simfonia e 8 e Dvorak është një vepër të cilën nuk e kemi interpretuar prej vitit 2010 në atë kohë me dirigjentin Bahri Çela në shënim të 10 vjetorit të Filhamonisë së Kosovës. Kështu që kemi konsideruar që ka qenë një moment për të rikthyer një prej kompozitorëve më të rëndësishëm siç është Dvorak-u.
Drejtori Selimaj krejt në fund ka bërë të ditur se në muajin maj Filharmonia e Kosovës do të prezantohet edhe me dy koncerte të tjera, për të cilët beson se publiku do të ndahet i kënaqur poashtu. / KultPlus.com
Mbrëmë, në Atelienë e Pallatit të Rinisë është mbajtur koncerti i radhës i Filharmonisë së Kosovës me solisten Alba Shkreli, nën drejtimin e dirigjentit Dario Salvi, shkruan KultPlus.
Pianistja shqiptaro-zvicerane, Alba Shkreli, dhe repertori romantik i zgjedhur nga Filharmonia në të dy pjesët e koncertit si duket kishin qenë shkaqet që e stërmbushën gjithë sallën, e cila tashmë është shëndrruar në shtëpi të të gjitha aktiviteteteve të institucionit.
23 vjeçarja Shkreli, fituese e shumë çmimeve në Zvicër, këtë herë erdhi që përvojën e saj ta ndajë në vendin e origjinës, me vepra të cilat ajo i kishte përzgjedhur vetë. Ajo e kishte ndjerë energjinë e popullit të saj si asnjëherë më parë, nga ku edhe me entuziazëm potencoi që pas kësaj përvoje nuk ka dëshirë të kthehet në Zvicër.
Me Koncert për Piano “Nr.1 në e-mol, Op.11” të Frederic Chopin u paraqit pianistja Shkreli, e cila la një shije shumë të mirë te të gjithë pjesëmarrësit. Tinguj mbizotërues të pianos, në sfond me tinguj konstant të harkorëve u dhanë në Allegro maestoso, përderisa tinguj të qetë, serioz, të lartë e të butë u ekzekutuan me mjeshtëri nga Filhamonia dhe solistja që rrezatonte mirësi në Romanze- Larghetto dhe Rondo- Vivace.
Pjesa e dytë e koncertit u mbajt nga Filhamonia e Kosovës në dirigjimin e Dario Salvi me Simfonia Nr. 5 në D-dur/d-mol, Op.107 të kompozitorit Felix Mendelssohn me Andante- Allegro con fuoco, Allegro vivace, Andante, Andante con moto- Allegro vivace- Allegro maestoso.
Në këtë performancë, përpos që pati tinguj të larmishëm në polaritet, herë të rrallë e herë të shpeshtë, me tone të ulta dhe të larta u vu në dukje profesionaliteti i Orkestrës së Filharmonisë e cila iu përgjigj mjaft bukur laureatit për çmimin Globi i Artë, Dario Salvit. Vetë eleganca, mjeshtëria e paraqitjes duke përfshirë lëvizjen e mimikës dhe gjymtyrëve në harmoni me tingujt e Orkestrës së Filharmnisë tregonin shumë për këtë figurë që ka interpretuar në sallat më prestigjioze në botë.
Duartrokitjet e publikut në fund të pjesës së parë dhe të dytë të koncertit duke i bërë që të ktheheshin në skenë disa herë solistja Shkreli dhe dirigjenti Salvi, dhanë mesazhin që koncerti i mbrëmjes së kaluar ishte i mrekullueshëm.
Krejt në fund të ngjarjes në një prononcim për media pianistja Alba Shkreli tha se nga energjia pozitive të cilën e kishte përjetuar këto ditë me Filharmoninë në Kosovës, nuk dëshironte të kthehej përsëri në Zvicër.
“Jam shumë e lumtur. Me qenë në Kosovë është një gjë shumë e veçantë për mua duke e pasur parasysh faktin që unë nuk kam qenë që pesë vite këtu. Ftesa për të ardhur këtu e për të luajtur Chopin-in, program i cili më pëlqen shumë, vërtetë më ka bërë shumë të lumtur. Kënaqësi ishte edhe interpretimi me Salvi-n që ishte një dirigjent shumë i mirë. Gjithashtu edhe komunikimi në shqip me anëtarët e Filharmonisë, ka qenë shumë interesant për mua. Këto katër ditë që kam qenë këtu kanë shkuar shumë shpejtë, gjatë këtyre ditëve unë kam qenë veç duke qeshur dhe shumë e lumtur aq sa s’kam dëshirë të kthehem në Zvicër.
Pianistja Shkreli më tej tha se ishte ndarë mjaft e kënaqur me interpretimin e Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës.
“E kam përzgjedhur vet veprën e Chopin-it, dhe më pëlqen sepse është diçka shumë intime, ai e ka shkruar kur i ka pasur 20 vite, gati në moshën time, pak më i ri. Edhe pse Orkestra në këtë vepër nuk ka pasur shumë për të interpretuar pasi programi është si me si me qenë piano komplet solo, në pikat interpretaive në prapavijë ajo më ka ndihmuar shumë”, ka thënë Shkreli.
Më tej ushtruesi i detyrës së drejtorit të Filharmonisë, Dardan Noka ka thënë se koncerti i mbrëmshëm në dy pjesët e tij ka sjell një repertor romantik, vepra që janë luajtur prej Filharmonisë së Kosovës shumë vite më parë.
“Piano koncerti i Chopin-it ndoshta ka më shumë se 20 vite që nuk është luajtur nga Filharmonia për publikun e Prishtinës. Ne jemi të lumtur që e kemi rikthyer njërën prej pianisteve e cila në kohën kur ndoshta Filharmonia e ka interpretuar për herë të parë ka qenë vetëm një ose dy vjeçe, kurse sot është një nga pianistet më të dalluara të gjeneratës së saj. Ajo është e Kosovës, pavarësisht se gjithë edukimin e saj e ka ndjekur në Zvicërr, Gjermani dhe Francë. Ndërsa Simfonia e pestë e Mandelsonit kemi konsideruar që është e nevojshme të rikthehet në kohë pas shumë vjetësh, një prej veprave që ka lënë gjurmë në literaturën e muzikës klasike dhe e kemi bërë pjesë të këtij sezoni përmes këtij koncerti”, ka thënë drejtori Noka.
Drejtori Noka po ashtu foli edhe për repertorin e koncerteve pasuese të Filharmonisë, nga ku premtoi një program mjaft të pasur artistikisht me vepra të njohura me të cila synohet ngritja e kapaciteteve të institucionit.
“Deri në fund të këtij sezoni në muajt maj, qershor e korrik do të vazhdojmë që të sjellim vepra simfonike si në çdo koncert tjetër. Kanë mbetur në radhë Simfonia e tetë e Dvořák dhe pastaj simfonia e katërt e Schubert-it. Derisa në 25 vjetorin e Çlirimit të Kosovës do të sjellim një vepër premierë botërore sepse do të vij edhe në një verzion ndryshe siç ka qenë para 10 vjetësh. Do të jetë një prej koncerteve që po besoj do të pëlqehet nga publiku. Gjithçka do të përmbyllet me “Meshën për Paqe” të Karl Jenkins sepse kemi konsideruar që do të jetë vepra më e mirë për të shënuar dy ngjarje që do të bëjnë pjesë në kalendarin e Filharmonisë për shënimin e 25 vjetorit të çlirimit të vendit” ka potencuar Noka.
Ndërsa sopranoja e njohur Adelina Paloja e cila ishte pjesë e publikut në këtë koncert tha se ishte një mbrëmje që ka për tu mbajtur në mend, krejt kjo sipas saj nga ngritja e kapaciteteve të Filharmonisë si në nivelin repertuarit të përzgjedhur e po ashtu edhe në nivelin interpretativ.
“Një befasi e këndshme për publikun kosovar ishte prurja e një pianisteje, e cila veçse ka para vetes një karrierë internacionale shumë të suksesshme që e pret, Alba Shkrelin, dhe kjo për faktin se përveç një puneje të jashtëzakonshme si pianiste gjithashtu sonte dallova një sensitivitet të lartë në interpretimin e saj, një shije të hollë në zgjidhjen e temave muzikore, do të thosha e gjitha kjo e kurorëzuar me një koncept muzikor nga syri dhe mendja e dirigjentit Dario Salvi, i cili me një aurë pozitive dhe me një energji të jashtëzakonshme, arriti që të nxjerrë më të mirën nga kjo orkestër sonte”, ka thënë Paloja.
Sopranoja Paloja me tej e potencoi edhe mungesën e sallës koncertale, ndërtimi i së cilës është një nevojë emergjente për punën e artistëve në mënyrë që të mos pësoj puna të cilën ata e kanë ndërtuar me vite.
“Në çdo koncert që ne kemi sallat janë të mbushura, pa çka se faktikisht po e kemi shumë të vështirë që t’i akomodojmë të gjitha ato kërkesa dhe në kushte aspak të favorshme akustike që veçse dihet të sallës koncertale. Ndoshta tingëllon pak si klishe, por me të vërtetë është e nevojë emergjente nga institucionet përkatëse që ta kenë në fokus që këto interpretime të mrekullueshme dhe këta artistë të mrekullueshëm vendas por edhe mysafirë që i kemi të luajnë në kushte të përshtatshme ashtu siç e meritojnë, adekuate, ashtu si nga ana strukturore si nga ana e akustikës, në mënyrë që të mos e pësojë puna që ata e kanë ndërtuar ndër vite si pasojë e kushteve jo të favorshme” ka përfunduar sopranoja Paloja e cila së bashku me shumë artistë të tjerë e kishte shijuar pafund koncertin/KultPlus.com
Filharmonia e Kosovës ka bërë të ditur se më 27 prill do të mbahet koncerti i radhës i dirigjuar nga mjeshtri italo-britanik Dario Salvi, ku do të përfshihen dy vepra nga dy kompozitorë romantik.
Sipas njoftimit mbrëmja do të hapet me “Koncert nr. 1 për piano dhe orkestër” nga Chopin-i, me pjesëmarrjen e pianistes së talentuar shqiptaro-zvicerane Alba Shkreli, ndërsa pjesa e dytë do të sjellë Simfoninë Nr. 5 nga kompozitori gjerman Felix Mendelssohn.
Alba Shkreli është një vajzë 23-vjeçare, e cila është një nga pianistet më të dalluara të gjeneratës së saj në Evropë, dhe ka fituar konkursin “Steinway” në Zvicër.
Dirigjenti Dario Salvi do të rikthehet në Prishtinë për të drejtuar Orkestrën Simfonike, ndryshe nga koncerti i Orkestrës Frymore nëntorin e kaluar.
Ai është laureat i Çmimit Globi i Artë “Riccardo Drigo” për muzikë baleti në vitin 2023 dhe ka një diskografi me rreth 25 regjistrime në Naxos Records me mbi një milion dëgjues në vit në Spotify, si dhe gjysmë milion dëgjues në Apple Music./KultPlus.com
Institucioni më i lartë i muzikës në vend, Filharmonia e Kosovës, muajin prill e nis me koncert në qytetin e Gjakovës, nën dirigjimin e Pëllumb Vulës, përderisa soliste e mbrëmjes është Zanë Abazi- flaut.
Ky koncert mundësohet në kuadër të programit “Filharmonia në Lëvizje”.
Koncerti do të hapet me uverturën e operës “Cosi fan tutte” nga Mozarti. Në këtë program do të interpretohet edhe vepra “Odelette” nga Saint-Saëns.
Përmbyllja e koncertit shënohet me interpretimin e Simfonisë Nr. 4 nga Schumanni. Mos e humbni këtë koncert, i cili do të dirigjohet nga Pëllumb Vula.
Koncerti mbahet më 6 prill, në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi”, prej orës 20:00./KultPlus.com
Në kuadër të Javës së Frankofonisë në Kosovë, Orkestra e Filharmonisë së Kosovës organizon koncert me e violonçelisten Aurélienne Brauner nën drejtimin e dirigjentit Aurélien Azan Zielinski, shkruan KultPlus.
Mbrëmja do të hapet me interpretimin e “Prelud Simfonik” nga Giacomo Puccini, në shënim të 100-vjetorit të vdekjes së kompozitorit.
“Nën drejtimin e dirigjentit francez Aurélien Azan Zielinski dhe me pjesëmarrjen e violonçelistes franceze Aurélienne Brauner mbrëmja do të hapet me interpretimin e “Prelud Simfonik” nga Giacomo Puccini, në shënim të 100-vjetorit të vdekjes së kompozitorit.
Fuqinë e violonçelos mund ta përjetoni përmes interpretimit të ‘Fantazi për violonçel’ e kompozitorit romantik francez Jules Massenet derisa mbrëmja do të përmbyllet me interpretimin e Simfonisë Nr. 4 nga Robert Schumann”, thuhet në njoftimin e Filharmonisë.
Ky koncert mundësohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës dhe Ambasada Franceze në Prishtinë, si pjesë e festës së Frankofonisë në Kosovë!
Koncerti do të mbahet më22 mars, në ora 20:00, në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit./ KultPlus.com
Filharmonia e Kosovës koncertin e radhës do ta mbajë me ‘Rapsodi Shqiptare’ nga Fan S. Noli, duke shënuar kështu intepretimin e parë të një prej kompozimeve të Nolit nga institucioni më i lartë i muzikës në vend, shkruan KultPlus.
Në këtë koncert do të interpretohet edhe premiera e “Koncert për Piano” nga kompozitorja Dafina Zeqiri Nushi me pjesëmarrjen e pianistit të shquar kosovar Misbah Kaçamaku.
Koncerti do të dirigjohet nga Maayan Franco, i cili rikthehet për të tretën herë për të drejtuar Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës.
Mbrëmja artistike do të mbahet më 08.03.2024 në ora 20:00, në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit./KultPlus.com
Orkestra Harkore e Filharmonisë së Kosovës do të mbajë koncertin e parë të muajit mars me harpisten turke Şirin Pancaroğlu, nën drejtimin e dirigjentit Edon Ramadani.
Në koncert pjesëmarrësit do të kenë rastin të dëgjojnë një program unik duke përfshirë veprën “Sinfonietta” për orkestër harqesh nga kompozitori kosovar Drinor Zymberi, “Valle për harpë dhe orkestër” nga kompozitori impresionist francez Claude Debussy dhe “Suita e Holberg-ut Op. 40” nga Edvard Grieg.
“Në këtë mbrëmje do të interpretohet edhe një vepër e harpistes Şirin Pancaroğlu e cila përveç instrumentit të harpës është një avokuese e literaturës së shkruar për instrumentin e harpës dhe çeng-ut (harpës turke)”, thuhet në njoftimin e Filharmonisë./KultPlus.com
Filharmonia e Kosovës është duke i bërë përgatitjet për koncertin madhështor në shënim të 16-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, shkruan KultPlus.
“Koncerti qendror në këtë përvjetor të veçantë vjen me Korin dhe Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës, nën drejtimin e dirigjentit Baki Jashari me pjesëmarrjen e solistëve Krenare Gashi – soprano, Arta Jashari – soprano dhe Anton Çivlaku – lahutë”, thuhet në njoftim.
Sipas një komunikate për media, përveç veprave nga R. Strauss, W. Kilar, K. Aliçkaj, V. Beqiri dhe L.V. Beethoven do të interpretohet edhe premiera e “Exodus” nga Mendi Mengjiqi, dedikuar 25-vjetorit të ekosdit të mbi 1 milion Kosovarëve nga forcat Jugosllave dhe Serbe.
Koncerti do të mbahet më 17 shkurt, në ora 20:00 (Salla AMC)/ KultPlus.com