Filharmonia e Kosovës me koncert të radhës në bashkëpunim me Institutin Francez

Filharmonia e Kosovës do të prezantojë koncertin e datës 28.03.2025, në bashkëpunim me Institutin Francez në Prishtinë.

Nën drejtimin e mjeshtrit Marco Crispo dhe me pjesëmarrjen e solistëve Liza Kerob (violinë) dhe Altin Tafilaj (violë), koncerti fillon në orën 19:30 në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.  

Në program:

Lili Boulanger – D’un matin de printemps

Wolfgang Amadeus Mozart – Simfonia koncertante në E-dur, K. 364 

Gabriel Fauré – Pelléas et Mélisande, Op. 80 

Maurice Ravel – Suita Ma Mère l’Oye, M. 60

Me këtë koncert, Filharmonia e Kosovës i bashkohet botës muzikore në shënimin e 150-vjetorit të lindjes së kompozitorit të madh francez, Maurice Ravel./ KultPlus.com

Filharmonia e Kosovës do të mbajë koncert në Zvicër në shënim të 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës

Filharmonia e Kosovës do të mbajë koncert në Zvicër nesër, me datë 12 mars, në kuadër të festimeve në shënim të 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

“Në kuadër të festimeve në shënim të 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Orkestra e Filharmonisë së Kosovës do të mbajë një koncert në Casino Bern, me një mbrëmje gala nën drejtimin e dirigjentit Antoine Marguier”. thuhet në njoftim.

Tutje, nga filharmonia kanë njoftuar se ky koncert do të jetë i veçantë, pasi do të interpretohen vepra nga disa prej kompozitorëve shqiptarë të Kosovës të shekullit XX dhe XXI deri te disa nga perlat e literaturës klasike botërore, si dhe me pjesëmarrjen e sopranos Besa Llugiqi dhe saksofonistit Vitaly Vatulya./KultPlus.com

Koncerti i radhës i Filharmonisë së Kosovës mbahet në Gjakovë

Ministria e Kulturës ka njoftuar se koncerti i radhës i Filharmonisë së Kosovës do të mbahet në Gjakovë, shkruan KultPlus.

Në kuadër të programit ‘Filharmonia në Lëvizje’, Kori dhe Orkestra, nën drejtimin e Hajrullah Sylës, me një kast ndërkombëtar solistësh, do të interpretojnë uverturën ‘William Tell’ dhe ‘Stabat Mater’ nga Rossini.

Në këtë koncert do të marrin pjesë solistët Besa Llugiqi (soprano) – Kosovë, Albane Carrere (mezosoprano) – Francë, Ismet Vejseli (tenor) – Maqedonia e Veriut, dhe Andrei Yvan (bas) – Rumani.

Koncerti mbahet më 15 nëntor 2024, prej orës 19:30, në Pallatin e Kulturës ‘Asim Vokshi’, në Gjakovë./ KultPlus.com

“Nga Baroku në Romantizëm”, Filharmonia e Kosovës dhe Opera e Kosovës mbajnë koncertin e radhës nën dirigjimin e Frederic Laroque

Salla e Kuqe e Pallatit të Rinisë mbrëmë u mbush plot dhe mori një hijeshi krejt tjetër. Artistë, politikanë e qytetarë të shumtë që ishin mbledhur për të njejtën arsye. Të shijonin koncertin me interpretime që ushqenin trurin e shpirtin.

Nën drejtimin e Frederic Laroque, koncert-mjeshtër i Orkestrës së Operës së Parisit dhe me pjesëmarrjen e fagonistit të njohur Laurent Lefevre, mbrëmë u mbajt koncerti i Operës së Kosovës bashkë me Filharmoninë e Kosovës, që zgjati përreth 2 orë.

Koncerti filloi me duartrokitje të shumta nga publiku, që mirëpritën mjeshtrin Laroque, i cili përballë ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ministrit të Kulturës Hajrulla Ceku e shumë qytetarëve të tjerë, filloi menjëherë interpretimin e tij bashkë me orkestrën.

Gjatë mbrëmjes, u interpretuan vepra “Katër stinët” nga Antonio Vivaldi , “Flauti magjik” nga Mozart, “Koncert për fagot” nga Rossini dhe “Suita Carmen” nga Bizet, nën dirigjimin e Laroque.

Secila nga veprat që u interpretua, kishte një emocion tjetër. Koncerti, ashtu siç u hap, edhe u mbyll me duartrokitje të pafundme.

Frederic Laroque, 65-vjeçar, ka filluar mësimet për violinë në moshën 6 vjeçare. Ai ishte student i Andre Proffit dhe më pas i Gerard Jarry-t. Ka fituar çmime te para në violinë dhe muzikë dhome. Ai është violinisti i parë i Orkestrës së Operës Kombëtare të Parisit dhe gjithashtu përformon në grupe muzikore, nga teio deri në dhjetë instrumentistë.

Poashtu, ai është edhe profesor në Konservatorin Kombëtar të Muzikës dhe Dansit në Paris.

Ndërsa, Laurent Lefevre ka studiuar në Konservatorin Kombëtar Superior në Paris. Ai performon shpesh si solist me orkestrat më prestigjioze si ajo e Radios së Stuttgart-it, Filharmonia e Buenos Airesit, Orkestra “Simon Bolivar” në Karakas, Tokyo Mozart Players, Orkestra e Operës së Parisit dhe nën drejtimin e dirigjentëve të njohur si Myung-Whun Chung dhe Seini Ozawa.

Në një prononcim të shkurtër për KultPlus, Laroque tregoi se kjo nuk ishte hera e tij e parë në Kosovë, dhe se përgatitjet për ketë mbrëmjë kishin shkuar shumë mirë.

 “Hera ime e parë ka qenë diku para 18 viteve. Nuk ishte e vështirë të përgatiteshim sepse patëm nje bashkëpunim shumë të mirë me orkestrën”, tha ai.

Tutje, Laroque u shpreh se nuk mund të ndajë si të preferuar ndonjërën nga veprat që interpretuan këtë natë.

“Është pyetje shumë e vështirë, sepse kisha shumë emocione si për shembull tek Rossini, mirëpo nuk mund të zgjedh njërën, pra është pyetje e vështirë” tha tutje dirigjenti dhe violinisti./KultPlus.com

Opera e Kosovës në bashkëpunim me Filharmoninë e Kosovës sjellin koncertin e radhës me 6 nëntor

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se Opera e Kosovës në bashkëpunim me Filharmoninë e Kosovës do të sjellin koncertin e radhës të mërkuren, me datë 6 nëntor.

Në njoftim thuhet se programi përfshin vepra nga periudha barok deri tek ajo më romantike.

“Nën drejtimin e Frédéric Laroque, koncert-mjeshtër i Orkestrës së Operës së Parisit dhe me pjesëmarrjen e fagotistit të njohur Laurent Lefèvre, në program do të interpretohen vepra nga Vivaldi, Mozart, Rossini dhe Bizet”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Koncerdi do të fillojë në ora 19:30 dhe do të mbahet në sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë

Rezervoni ulëset tuaja duke klikuar në këtë link: https://shorturl.at/Wpii2 /KultPlus.com

Filharmonia e Kosovës hap sezonin me premierë, interpretohet Simfonia e Mahler

Filharmonia e Kosovës do ta hapë sezonin më 27 shtator 2024, prej orës 19:30, në Sallën AMC me një koncert madhështor.

Nën drejtimin e dirigjentit japonez Toshio Yanagisawa, Orkestra Simfonike e Filharmonisë së Kosovës do të interpretojë premierën kosovare të Simfonisë Nr. 1 të Gustav Mahler-it, si dhe tri vepra simfonike nga kompozitori Lorenc Antoni.

Simfonia Nr.1 e Mahlerit, ka seksion të madh të instrumenteve frymore që përfshin deri në 8 korno në vend të 4 dhe kërkon pothuajse dyfishin e muzikantëve krahasuar me simfonitë e Brahms-it, Dvořák-ut apo Çajkovskit./express/KultPlus.com

Fillojnë përgatitjet për sezonin e ri të Filharmonisë së Kosovës

Kori i Filharmonisë së Kosovës ka njoftuar se kanë filluar përgatitjet për sezonin 2024-2025.

Kori ka nisur punën nën drejtimin e dirigjentit Hajrulla Syla për një prezantim të përbashkët me Orkestrën Shtetërore të Selanikut dhe Korin e Përzier të Selanikut, të drejtuar nga dirigjentja Mary Konstantinidou.

Ky koncert do të mbahet në Sallën e Koncerteve të Selanikut “Megaron” më 27 shtator 2024 dhe pjesa qendrore e programit është oratoriumi “Krijimi” nga Joseph Haydn. Koncerti do të drejtohet nga dirigjenti i mirënjohur grek Kornilios Michailidis me pjesëmarrjen e solistëve Siranous Tsalikian (soprano), Electra Manousi (mezosoprano), Mihail Mihaylov (tenor) dhe Tassos Apostolou (bas).

Për informacione të tjera rreth përgatitjeve të sezonit të ri, Filharmonia jep detaje ditët në vijim.

Filharmonia e Kosovës do të mbajë koncertin përmbyllës për sezonin 2023/2024

Kori i Filharmonisë së Kosovës do të mbajë koncertin përmbyllës me program “a capella” për sezonin 2023/2024.

Sipas njoftimit, koncerti organizohet në kuadër të Forumit Ekonomik Kosovë – Portugali, i cili mbahet më 19 dhe 20 qershor 2024 në Prishtinë.

Në këtë koncert, i cili mbahet në kishën katolike “Shën Ndou” në kryeqytet, do të interpretohen vepra nga baroku deri te muzika bashkëkohore, nën drejtimin e dirigjentit Hajrullah Syla.

Koncerti mbahet të mërkurën, më 19 qershor 2024, prej orës 20:00 dhe është i hapur për publikun./KultPlus.com

Koncerti i radhës i Filharmonisë së Kosovës më 11 maj

Orkestra e Filharmonisë së Kosovës do të mbajë koncertin e radhës më 11 maj, në Atelien e Pallatit të Rinisë dhe do të prezantohet me koncert nën drejtimin e dirigjentit britanik Chris McCracken.

Repertori i mbrëmjes përfshinë “Koncert për flaut Nr. 1” nga francezi André Jolivet në interpretim të flautistes Erëmira Çitaku dhe Orkestrës Harkore.

Një prej veprave më të njohura të shkruara për instrumentin e fagotit “Koncert për fagot Nr. 2” nga kompozitori gjerman Franz Danzi, vjen premierë për publikun e Prishtinës. Kjo në interpretim të orkestrës dhe fagotistit të parë të Filharmonisë së Kosovës Meriton Ferizi.

Në pjesën e dytë të koncertit, do të interpretohet “Simfonia Nr. 8” e kompozitorit Antonín Dvořák./KultPlus.com

Filharmonia e Kosovës do të kremtojë 20-vjetorin në skenën e TKOB

Teatri Kombëtar i Operës e Baletit do të mirëpresë Korin e Filharmonisë së Kosovës, në 20-vjetorin e krijimit të tij.

Nën udhëheqjen e dirigjentit dhe kompozitorit të mirënjohur Rafet Rudi, Kori i Filharmonisë së Kosovës, do japë një koncert për artdashësit e Tiranës. Me pjesëmarrjen e violinistes së njohur, Sihana Badivuku, Kori i Filarmonisë së Kosovës do të vijë me një performancë mbresëlënëse, përfshirë interpretimin e veprës “Concerto Fantasy” për violinë dhe kor nga Rafet Rudi, si dhe një repertor me vepra nga Mendi Mengjiqi, Aulon Naçi, Eric Whitacre, Ko Matsushita, Baki Jashari dhe Eriks Esenvlads.

Mos e humbisni këtë koncert, i organizuar në kuadër të shënimit të 20-vjetorit të Korit të Filharmonisë së Kosovës dhe bashkëpunimit ndërinstitucional midis Filharmonisë së Kosovës dhe Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor. / KultPlus.com

Filharmonia e Kosovës fillon vitin me një program të veçantë

Më 27 janar 2024, prej orës 20:00, Orkestra vjen me dy premiera për publikun e Prishtinës dhe rikthen pas disa vitesh në program Simfoninë Nr. 7 të Beethovenit.

Ky koncert simfonik do të dirigjohet nga mjeshtrja zvicerane, Lena-Lisa Wüstendörfer, e cila vjen në bashkëpunim të parë me Orkestrën tonë.

Në këtë koncert në rolin e solistes do të prezantohet pianistja e mirënjohur kosovare Pranvera Hoxha, e cila do të luajë “Variacione Simfonike” për piano dhe orkestër nga Cesar Franck.

Kontrabasisti i dikurshëm i Filharmonisë së Kosovës, Shkodran Osmanaj, i cili prej kohësh koncerton me disa prej orkestrave më në zë në Zvicër dhe jo vetëm, do të rikthehet në Prishtinë, kësaj radhe si solist, duke na sjellë “Koncertin për kontrabas dhe orkestër” të Serge Koussevitzky-t.

Në pjesën e dytë të koncertit, Orkestra do të interpretojë Simfoninë e 7-të të Beethovenit.

Rezervimet https://bit.ly/47II82n. / KultPlus.com

Filharmonia e Kosovës do ta fillojë vitin me një program të veçantë

Filharmonia e Kosovës njofton të gjithë dashamirësit e muzikës klasike dhe veprave të famshme të kompozitorit Ludwig van Beethoven rreth një ngjarje të veçantë për këtë vit, shkruan KultPlus.

Më 27 janar 2024, në orën 20:00, Filharmonia e Kosovës do të prezantojë një program të jashtëzakonshëm në Prishtinë. Orkestra do të sjellë për publikun dy premiera emocionuese dhe do të rikthehet me një vepër të madhe të Beethovenit, Simfoninë Nr. 7.

Kjo ngjarje e rrallë do të udhëhiqet nga mjeshtrja zvicerane, Lena-Lisa Wüstendörfer, në një bashkëpunim të parë me Orkestrën e Kosovës. Solistja e këtij koncerti do të jetë pianistja e njohur kosovare, Pranvera Hoxha, e cila do të performojë “Variacione Simfonike” për piano dhe orkestër nga Cesar Franck.

Një moment shumë emocionues do të jetë kthimi i kontrabasistit të njohur, Shkodran Osmanaj, i cili do të performojë si solist “Koncertin për kontrabas dhe orkestër” të kompozitorit Serge Koussevitzky.

Pjesa e dytë e koncertit do të jetë një interpretim i vepres së madhe të Beethovenit, Simfonia Nr. 7.

Linku për rezervime do të publikohet së shpejti, kështu që ndiqni Filharmoninë e Kosovës në rrjetet sociale për të marrë pjesë në këtë ngjarje të jashtëzakonshme të muzikës klasike. /KultPlus.com

Filharmonia e Kosovës organizon koncert në nderim të Rexho Mulliqit

Orkestra e Filharmonisë së Kosovës do të organizoj koncert për nderë të 100 vjetorit të lindjes së kompozitorit të njohur shqiptar, Rexho Mulliqi.

“Koncerti do të hapet me tingujt mahnitës të Simfonisë Kosovare të kompozitorit tonë të veçantë, Rexho Mulliqi. Përgatituni të mahniteni nga melodia magjepsëse dhe bukuria ritmike e kësaj vepre, me paraqitjen e Andi Durakun në piano, duke treguar talentin që Kosova ka për të ofruar”, njofton Filharmonia e Kosovës.

Gjithashtu përveç përkujtimit ndaj kompozitorit të këngës së famshme, “Baresha”, Filharmonia e Kosovës ka përgatitur program që do të dirigjohet nga Gregory Charette.

“Pas performancës së jashtëzakonshme të Simfonisë së 1-rë nga Sibelius, tetorin e kaluar, Orkestra Filarmonike e Kosovës është gati t’u mahnitë përsëri me Simfoninë e 2-të të Sibeliusit. Nën udhëheqjen e dirigjentit të shkëlqyer amerikan, Gregory Charette, kjo performancë do të shënoj një hap të rëndësishëm në rrugëtimin e orkestrës”, vazhdon tutje njoftimi.

Koncerti do të mbahet më 10 nëntor në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë.

Filharmonia e Kosovës vjen me tre koncerte në muajin shtator

Filharmonia e Kosovës vjen me tre koncerte në muajin shatator, shkruan KultPlus.

Më 12 shtator, Kori i Filharmonisë së Kosovës me dirigjent Memli Kelmendi, do të performojnë në Kishën Katolike “Shën Ndou”, në Prishtinë, teksa me 14 shtator do të jetë i pranishëm në Kishën Katolike, “Shën Katerina” në Pejë.

Më 24 shtator, në Sallën e Kuqe në Pirshtinë, Orkestra e Filharmonisë nën dirigjimin e Antoine Marguier, do të ofrojë përformancën tjetër dhe të fundit të muajit shtator./KultPlus.com

Përmes tingujve shqip, Filharmonia e Kosovës vazhdon programin e klasikëve në Portugali

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se Filharmonia e Kosovës është duke e vazhduar programin mbresëlënës të klasikëve në Portugali, përcjell KultPlus.

Sipas MKRS-së, publiku portugez përjetoi bukurinë dhe madhështinë e muzikës klasike në ndërtesën më të vjetër fetare në Portugali, Katedralja e qytetit verior Braga.

“Me repertorin e saj të gjerë, Filharmonia e Kosovës, për herë të dytë gjatë javës kulturore, përmes tingujve shqip arriti të krijoj një përvojë vërtet të paharrueshme për të pranishmit”, thuhet në njoftim. / KultPlus.com

Filharmonia e Kosovës në prezantmin e parë në Kamenicë

Orkestra Frymore e Filharmonisë në drejtimin e tre dirigjentëve Baki Jashari, Lirjona Sylejmani dhe Hajrullah Syla dhe me solistë sopranon Adelina Paloja, tenorin Liridon Sadriu dhe klarinetistin Shkumbin Bajraktari, ka dhënë koncert përpara publikut në shtëpinë e kulturës ‘Isa Kastrati’.

Kjo në kuadër të programit ‘Filharmonia në lëvizje’ që ka për synim afrimin e publikut jashtë kryeqendrës me Filharmoninë, inspirimin e të rinjve në qendra të ndryshme të Kosovës që të shohin si mundësi orientimin në edukim muzikor dhe nxitjen për krijimin e ansambleve nëpër qytete të ndryshme në vend./ KultPlus.com

Foto: Arben Llapashtica
Foto: Arben Llapashtica

Çeku: Filharmonia e Kosovës me koncertin përmbyllës të një viti të jashtëzakonshëm pune

Filharmonia e Kosovës ka përmbyllur vitin me një koncert të mrekullueshëm, shkruan KultPlus.

Për këtë ka shkruar edhe Ministri Hajrulla Çeku, i cili ka vlerësuar mbrëmjen si shumë të suksesshëm, njësoj sikurse gjithë vitin e Filharmonisë së Kosovës

Postimi i plotë:

“Filharmonia e Kosovës me koncertin përmbyllës të një viti të jashtëzakonshëm pune.

Interpretim i mrekullueshëm, në drejtimin e mjeshtrit bullgar Svilen Simeonov dhe me paraqitjen e violinistes virtuoze Sihana Badivuku, një repertor nga Straussi deri tek kolonat zanore të filmave ikonikë të kompozuar nga mjeshtri italian Ennio Morricone”, thuhet në postimin e tij. /KultPlus.com

Orkestra Filarmonike e Kosovës mbajti koncertin nën drejtimin e Chris McCarcken

Orkestra e Filharmonisë së Kosovës ka mbajtur koncertin e organizuar në kuadër të fushatës “16 Ditë të Aktivizmit Kundër Dhunës në Baza Gjinore”, të mërkurën mbrëma nën dirigjimin e britanikun Chris McCarcken.

Kjo në mbështetje të Ministrisë së Kutlurës, Rinisë dhe Sportit dhe Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Kosovës.

Më 9 dhjetor 2022, Kori i Filharmonisë së Kosovës, nën drejtimin e dirigjentëve Mary Konstantinidou dhe Hajrullah Syla, do prezantohet në Muzeun e Qytetit të Mitrovicës në kuadër të programit “Filharmonia në lëvizje” prej orës 19:00. Koncerti përkrahet nga Komuna e Mitrovicës. /KultPlus.com

Fotografitë: Arben Llapashtica

Orkestra e Filharmonisë së Kosovës dhuroi performancë të mrekullueshme në Izmir

Orkestra e Filharmonisë së Kosovës dhuruan performancë të mrekullueshme për publikun në Qendrën e Artit, “Ahmed Adnan Saygun” në Izmir.

Koncerti u hap me uverturën “Coriolan” nga Beethoveni dhe koncertin për piano në a-mol nga Schumanni në intepretim të shkëlqyer të pianistes së mirënjohur turke Yeşim Gökalp.

Pjesa e dytë solli një panoramë të muzikës simfonike shqiptare me vepra nga Çesk Zadeja, Lorenc Antoni, Valton Beqiri, Hajrullah Syla dhe versionin orkestral të “Bareshës” nga Rexho Mulliqi me solist Shkumbin Bajraktarin në klarinetë.

Në koncertin që u dirigjua nga Maestro Gridi Kraja, u interpretua edhe premiera botërore e veprës “Sinfonietta” e kompozitorit Kreshnik Aliçkaj.

Kjo ngjarje është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komuna Metropolitane e Izmirit.

Fotografitë: Arben Llapashtica / KultPlus.com

Premiera e “Monade” nga Robert Bisha dhe Filharmonia e Kosovës

Fondacioni Lumbardhi ka kënaqësinë ta prezantojë premierën botërore të veprës “Monade” të kompozuar nga kompozitori, pianisti dhe poli-instrumentalisti Robert Bisha, ko-komisionuar nga Fondacioni Lumbardhi dhe Filharmonia e Kosovës, të shtunën me 17 shtator, me fillim nga ora 20:00 te Kino Lumbardhi.

Pas performancës në solo piano “Home Neverland” në vitin 2020, Bisha u rikthye në Prizren këtë pranverë për një rezidencë artistike, ku filloi procesin e hulumtimit dhe kompozimit, duke u njoftuar me historinë e Kino Lumbardhit dhe rrethanat e ndryshueshme përgjatë 70 viteve të saj, përmes studimeve dhe takimeve me pjesëtarë të komunitetit artistik.

Duke u nisur nga ky kërkim, ai komponoi “Monade”, një suitë sinfonike për pianoforte, orkestër, kor, solistë instrumente të folkut të rimodernuar dhe kinema, ku kinemaja konsiderohet si nje instrument i përfshirë në orkestër. Kino Lumbardhi merret si epiqendër  për shqyrimin e tematikave kyqe që i përkasin historisë së qytetit të Prizrenit.

Kështu, nga perspektiva e kompozitorit, qyteti merret si vend shembullor për angazhimin e tij shoqëror përmes ndryshimeve që kanë nisë te Kino Lumbardhi. Regjisurën e filmimeve të qytetit Bisha i ka realizuar gjatë qëndrimit në Prizren, ndërkohë që ato ndërthurren në një çasje poetike nga një një grup i regjisorëve dhe kontribuesve, për të krijuar ndërveprim instrumental pamor si pjesë të koncertit.

Për premierën e “Monade” me 17 shtator Robert Bisha do të jetë i shoqëruar nga pjesëtarë të orkestrit dhe korit të Filarmonisë së Kosovës që e përkrahën Lumbardhin në këtë iniciativë dhe e mirëpritën suitën, me rast të hapjes së sezonit koncertal.

Ky koncert u mundësua me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Zyrës Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim si dhe Komunës së Prizrenit. /KultPlus.com

Programi i Filharmonisë së Kosovës për muajin shtator

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit përmes një njoftimi në rrjete sociale ka bërë të ditur programin e Filharmonisë së Kosovës për këtë muaj, shkruan KultPlus.

Më 10 shtator, Filharmonia e Kosovës do të mbajë një koncert në Kishën Katolike “Shën Ndou” në Prishtinë, e më pas do të hap edhe sezonin 2022/23 në Kino Lumbardhi në Prizren më 17 shtator.

Kori dhe Orkestra e Filharmonisë së Kosovës do të jenë nën dirigjimin e Robert Bishas, i cili do të jetë edhe pianist.

Pas tetë ditëve, ata do të mbajnë edhe një koncert simfonik në Turqi. /KultPlus.com

(2cm humans)

Kori dhe Orkestra e Filharmonisë së Kosovës përmbyllën “Ditët e Nënë Terezës” me koncert, në fokus programi i pasur artistik

Me një koncert nga Kori dhe Orkestra e Filharmonisë së Kosovës u përmbyllën “Ditët e Nënë Terezës”.

Koncerti që u mbajt në Qendrën “BogdaniPolis” kishte një program të pasur artistik, kushtuar Shën Nënë Terezës.

U hap me ‘Vals Hyjnor – Himn për Nënë Terezën’ të kompozuar nga Genc Tukiçi në interpretim të sopranos Adelina Paloja ndërsa u interpretuan edhe veprat ‘Nënë Tereza’ nga Kreshnik Aliçkaj nga soprano Arta Jashari e Mustafë Ramaj në lahutë dhe “Rilindjes” e kompozitorit Valton Beqiri nën dirigjimin Edon Ramadanit. Mbrëmja u përmbyll me fragmente nga ‘Rekuiemi’ i Mozartit me solistët Kaltrina Miftari (soprano), Diellza Sylejmani (mexosoprano), Granit Musliu (tenor) dhe Armando Likaj (bas), nën dirigjimin e Baki Jasharit.

Të pranishëm ishin presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ministrja e Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, Ipeshkvi i Kosovës imzot Dodë Gjergji, deputetë, artistë dhe qytetarë.

Me propozim të Ministrisë së Kulturës, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për shpalljen e 5 shtatorit si Ditën e Humanizmit në Kosovë.

“Ditët e Nënë Terezës” të organizuara nga Qeveria e Kosovës, kanë nisur më 26 gusht dhe për këto ditë ka pasur shumë aktivitete përkujtimore e kulturore. / KultPlus.com

muz

Në shënim të 25 vjetorit të vdekjes së Nënë Terezës, Filharmonia e Kosovës organizon koncert përkujtimor

Në kuadër të manifestimit “Ditët e Nënë Terezës” të hënën më 5 shtator 2022 prej orës 20:00 në Qendrën “Bogdani Polis” (Katedralja “Shën Nënë Tereza”) në Prishtinë, Filharmonia e Kosovës organizon koncert në shënim të 25 vjetorit të kalimit në amshim të Nënë Terezës, përcjell KultPlus.

Në koncert do të interpretohen fragmente nga “Rekuiem-i” i kompozitorit Wolfgang Amadeus Mozart dhe vepra tematike nga kompozitorët Genc Tukiçi, Valton Beqiri dhe Kreshnik Aliçkaj.

Hyrja në koncert është e hapur mirëpo duhet të bëni rezervimin përmes platformës ‘eventbrite’. / KultPlus.com

Vdiq Bledar Bujupi, kornist i Filharmonisë së Kosovës

Kornisti i Filharmonisë së Kosovës, Bledar Bujupi, ka vdekur në moshën 31 vjeçare, shkruan KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur Filharmonia e Kosovës, ku ka thënë se ndarja e parakohshme e kolegut Bledar Bujupi është humbje e madhe për skenën e muzikës klasike në vend.

Postimi i plotë:

“Me pikëllim të thellë ju njoftojmë se dje, më 22 gusht 2022, papritmas ka ndërruar jetë kornisti i Filharmonisë së Kosovës, Bledar Bujupi. I lindur më 1991, Bujupi ishte kornist i parë i Orkestrës. Shkollimin e mesëm e kreu në Prishtinë (Klasa: B. Gashi) ndërsa atë universitar në Fakultetin e Arteve – Dega e Artit Muzikor në Universitetin e Prishtinës (Klasa: A. Goshev dhe A. Canaj). Ka punuar edhe me instrumentistë të njohur ndërkombëtar si: Guido Curti (Itali), Gregory Jones (SHBA), Premysl Vojta (Çeki) etj. Që nga viti 2012 ishte anëtar i Filharmonisë së Kosovës. Krahas aktivitetit me orkestrën filharmonike, Bujupi ishte edhe anëtar i Orkestrës Frymore të FSK-së dhe anëtar i kuintetit të tunxhit “Prishtina Brass”. Ka realizuar koncerte recitale dhe ishte pjesëmarrës në formacione orkestrale si “Albanian Youth Orchestra” dhe “Kosovo Youth Orchestra”. Ndarja e parakohshme e kolegut Bledar Bujupi është humbje e madhe, jo vetëm për Filharmoninë e Kosovës por edhe për skenën e muzikës klasike në vend. Për detaje rreth mbledhjes komemorative në nderim të kornistit Bledar Bujupi, do të njoftoheni me kohë”, thuhet në postimin e Filharmonisë. /KultPlus.com