Mbrëmë, në nder të 13 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Salla e Kuqe në Prishtinë mirëpriti Filharmoninë e Kosovës për një koncert madhështor dedikuar historisë e rrugëtimit të popullit të Kosovës ndër vite, shkruan KultPlus.
Para një publiku modest, për herë të parë u interpretua një nga veprat më të mëdha të kompozitorit Valton Beqiri bashkë me atë të Vinçenc Gjinit, “Simfonia in K: Kosova vatra atërore’, një kompozim ky që ngërtheu brenda vetes ‘Rrugëtimin’ gjashtë shekullor të historisë së shqiptarëve.
‘Rrugëtimi’ i Valton Beqirit erdhi para publikut në gjashtë etapa: Nga Kastrioti, Rilindja, Qëndresa, Malli, Liria e deri tek Jeta. Etapa këto që në secilin instrument kishin zënë vend e shpaloseshin me brishtësi përmes tingujve duke depërtuar kështu në secilën skutë e tek secili person që ishte i pranishëm. Secila etapë pasonte me duartrokitje e brohoritje të shumta që veçse i dëshmonin emocionet e mëdha që kishin kapluar publikun.
Filharmonia e Kosovës dikur tubonte mbi 2000 artdashës në Sheshin e Prishtinës, ndërkaq mbrëmë si pasojë e gjendjes pandemike, në Sallën e Kuqe u shfrytëzua vetëm 40% e hapësirës. E gjithë trupa e Filharmonisë ishte në distancën e caktuar dhe me maska të vendosura.
Për Baki Jasharin, e gjithë kjo situatë është tejet e dhimbshme. Në një prononcim për KultPlus, ai flet me nostalgji e emocione të mëdha tek kujton koncertin e 26 qershorit, i organizuar për nder të figurës së Skënderbeut.
“Filharmonia kishte mbledhur diku rreth 2500 persona dhe ka qenë e mahnitshme qetësia absolute që ka mbretëruar gjatë atij koncerti”, ka theksuar Jashari.
Ai, ndër të tjera, ka deklaruar për KultPlus, se agjenda e Filharmonisë për këtë vit është shumë më modeste se viteve të tjera. Ndërkaq në anën tjetër ishte ndarë shumë i kënaqur me performancën e cila kishte ardhur me një presion tepër të madh pasi pandemia Covid19 kishte ndryshuar e vështirësuar pothuajse secilin proces të këtij institucioni.
“Ne kemi pasur obligim nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit sikurse edhe institucionet tjera kulturore të organizojmë koncert për përvjetorin e pavarësisë duke respektuar masat anticovid. Nuk kemi mundur t’i zhvillojmë provat e kompletuara me këtë staf pasi hapësira është shumë e vogël dhe ne duhej t’i respektonim vazhdimisht masat anticovid, kam kontaktuar gjatë gjithë kohës me IKSHPK-në për t’u koordinuar. Dhe është akoma e dhimbshme që ne nuk kemi Sallë koncertale, jemi mjerisht në këtë Sallë të Kuqe me hapësirë kaq të vogël”, ka deklaruar tutje Jashari për KultPlus.
E gjithë ky organizim kishte një domethënie të madhe për kompozitorin Valton Beqiri, për të cilin lavdatat e duartrokitjet nuk kishin të ndalur. Ai për KultPlus tha se shpreson që ky koncert të jetë prapë pjesë e repertorit dhe pse jo të shfaqet edhe në vende tjera.
“Realisht koncertet e tilla që përkojnë me një ansambël kaq të madh, është mëkat që realizohen me një numër të limituar të shikuesve, por megjithatë veprat vazhdojnë e përçojnë mesazhin e tyre”, ka potencuar Beqiri për KultPlus.
Një koncert ky që emocionoi të gjithë, përfundoi me brohoritje e duartrokitje të pafundme, për pothuajse një orë bëri që e gjithë kjo situate e tmerrshme që ka kapluar botën të harrohej e publiku të lundronte qetazi në secilën notë. / KultPlus.com
Talenti i saj në njërin nga artet më të bukura, atë të muzikës, u hetua qysh kur ishte fëmijë. Ishte vetëm 8 vjeçe kur për herë të parë filloi të merrej me piano. Bëhet fjalë për Anila Aliun, vajza nga Gjilani që edhe pse në një moshë të re, ka arritur të jetë pjesëmarrëse edhe në skena të njohura ndërkombëtare. Në një intervistë për KultPlus, Aliu ka shpalosur më detajisht për rrugëtimin e saj i cili edhe pse mjaft i suksesshëm, për të është vetëm fillimi i një karriere me potencial të madh.
Ishte gara ‘Pianisti i Ri’ ajo e cila Anila Aliut i hapi dyert për të parën herë drejt skenave ndërkombëtare. ‘Nuk ka rëndësi se ku jetojmë, arritja e suksesit bëhet vetëm me vendosshmëri, punë, vullnet, diciplinë e sakrifica të shumëta. Por janë vullneti dhe dashuria e madhe dy gjerat kryesore, të cilat arrijnë të mposhtin çdo pengesë që e hasim gjatë rrugëtimit në ndërtimin e çfarëdo karriere’, thekson Aliu për KultPlus.
Anila tregon se nevoja për ndihmë dhe përkrahje ka qenë dhe vazhdon të jetë e domosdoshme në karrierën e saj prej pianisteje, pasi siç shprehet ajo, ky është një profesion tejet i kushtueshëm.
‘Ne e dijmë se në çfarë kushte ështe shteti jonë dhe përballja me sfidat e ndryshme është gjithmonë e pranishme, duke filluar nga mungesa e një salle koncentrale, mungesa e pianove, vendeve e hapësriave. Mirëpo, krahas të gjitha këtyre vështirësive, përkrahja e familjes, shoqërisë, shkollës së Muzikës në Gjilan dhe disa institucioneve përkatëse, nuk më ka munguar’, deklaron tutje Aliu.
Anila Aliu është fituese e shumë çmimeve të para, absolute dhe e çmimeve speciale në gara, masterklase e akademi të ndryshme, si në Kosovë po ashtu edhe vende tjera si në Shqipëri, Maqedoni, Itali, Gjermani, Luksemburg, Lituani, Francë e Amerikë. Ndër çmimet më të rëndësishme që ajo ka fituar ka qenë ‘Solist-interpret me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovën’, çmimi në pjesëmarrjen në garat ndërkombëtare në Kaunas të Lituanisë, ku Kosova rangohet së bashku me Rusinë dhe Estoninë si tri shtetet finaliste. Çmimi ‘Solist me Orkestrën Ballkanike’ në Itali, ‘Pjesëmarrje në Masterklase pianistike në Luksembug’, ‘Çmimi Special’ në Chopin Piano Fest’, ‘Çmimi Special’ në San Dona di Pave’ në Venecia të Italisë si dhe ‘Çmimi i parë’ dhe ftesa për performancë në ‘Carneige Hall’ në New York.
Ndërkaq, ndër koncertet më të rëndësishme ku Anila Aliu ka marrë pjesë, kanë qenë Koncerti me Filharmoninë e Kosovës në vitin 2012, koncertet me Orkestrën Ballkanike të realizuara në Forli dhe Santa Sofia të Italisë në vitin 2017, Koncerti Solistik për një grup artistësh nga Singapori në vitin 2018, Koncerti Recital në Prishtinë poashtu në vitin 2018, Koncerti Recital në Bonn të Gjermanië në vitin 2019, performancat në shtëpinë e kompozitorëve gjerman si Beethoven dhe Robert Schumann si dhe koncertet në Aachen dhe Königswinter të Gjermanisë në vitin 2020.
‘Muzika është diçka që ka jetuar gjithmonë në mua, diçka pa të cilën nuk mund të jetoj. Performimi në skenë, komunikimi përmes muzikës duke shprehur ndjenjat që i përjetoj vetëm me anë të notave, është diçka tejet e veçantë që më bën jashtëzakonisht të lumtur. Ndjej se qysh fëmijë kam qenë e destinuar për të ndjekur rrugën e pianistes. Pas çdo performance mezi prisja atë të radhës dhe kështu e kuptova që nuk jetoja dot pa këtë art’, potencon Aliu.
Dihet se muzika klasike në vendin tonë, pati zhvillim të vonshëm krahas shteteve tjera. Mirëpo, sipas Anilës, falë festivaleve dhe artistëve të ndryshëm që përfaqësojnë Kosovën brenda dhe jashtë vendit, muzika klasike ka filluar të zë një vend të veçantë edhe tek ne. ‘Muzika klasike është një tregues i madh i zhvillimit të kulturës së një shteti dhe dëshirë e imja është që të kem një rol në ngritjen e saj kudo në botë’, vazhdon tutje Aliu.
Anila është shumë entuziaste si karakter dhe ajo çfarë spikatet më shumë në personalitetin e saj është dashuria e pafundme për të mësuar dhe për t’i bërë ballë të gjitha sfidave që vijnë me këtë profesion. Ajo tregon për KultPlus se ndjen kënaqësi të madhe jo vetëm tek rezultati dhe çmimet që fiton por edhe tek vetë procesi që e shpie deri atje. Falë pasionit dhe ambicieve të mëdha që ajo ka, puna e saj në piano nuk është ndalur asnjëherë. Edhe pas sukseseve të mëdha, Anila, taman si një artiste e vërtetë, nuk është kurrë plotësisht e kënaqur, ajo kërkon gjithmonë diçka më shumë nga vetja.
Ndër qëllimet e saj kryesore, siç tregon ajo, është që të arrij ta prezantojë Kosovën në Evropë dhe më gjerë. Ajo me një këmbëngulje të madhe aspiron në ngirjten e vetëdijësimit për rolin e muzikës klasike në vendin tonë. ‘Një ndër qëllimet e mija është edhe ngritja në skenat prestigjioze botërore e kjo dalëngadalë po realikzohet. Së fundi kam arritur që të koncertoj në një ndër sallat më të rëndëishme të muzikës klasike, në atë të ‘Carnegie Hall’ në New York’, potencon Aliu për KultPlus.
Ndër performancat më të rëndëishme për Anilën, mbeten ajo me Filharmoninë e Kosovës në vitin 2012, koncert ky i realizuar kur ajo ishte vetëm 11 vjeçe dhe Koncerti Recital në Bonn të Gjermanisë në vitin 2012, një koncert ky që rezultoi me një suksees të jashtëzakonshëm dhe kritika prej më të mirave nga gazetat e portalet e njohura gjermane. Pas këtij koncerti, Aliu u ftua edhe për shumë peformanca të tjera në shtetin gjerman, performanca këto që pritet të organizohen në një të ardhme të afërt.
‘Prindërit e mi kanë qenë ata që kanë pasur ndikimin më të madh tek unë. Ama më mësuan të përkushtohem e tëra në karrierën time si pianiste: me kohë, talent dhe mbi të gjitha me dashuri. Mirënjohëse jam edhe ndaj të gjithë profesorëve të mi, si ata kosovarë poashtu edhe ata evropianë të cilët më rritën dhe formësuan profesionalisht. Në veçanti mësuesi im Visar Osmani me të cilin punova për tetë vite radhazi dhe me profesoreshën time në klasën e të cilës po studioj aktualisht, Valbona Pula Petrovci’, përfundon Anila, e cila nuk harron kurrë njerëzit që ndikuan dhe e përkrahën atë në zhvillimin e saj si pianiste. / KultPlus.com
Katedralja ‘Nënë Terezë’ në kryeqytet sonte kishte marrë një hijeshi ndryshe. Kori i Filharmonisë së Kosovës kishte pushtuar hapësirën, për të dhuruar një shfaqje frymëmarrëse. Koncerti i fundvitit ‘Në kujtim të Nexhmije Pagarushës’, i dha jetë e plotë ngjyra hapësirës së kësaj katedraleje, shkruan KultPlus.
Kjo mbrëmje filloi nën tingujt e këngës më të bukur shqipe, ‘Bareshës’ së Nexhmije Pagarushës. E kompozuar nga kompozitori i famshëm e i mirënjohur shqiptar Rexho Mulliqi, tingujt e kësaj kënge, nën interpretimin e jashtëzakonshëm të Filharmonisë së Kosovës, përcollën emocione të forta tek publiku i kësaj nate.
Gjersa publiku ishte nën emocione të forta pas këtij interpretimi, në sallën e koncertit filluan që një nga një të këndonin edhe sopranot e mirënjohura shqiptare. ‘Një ditë e bukur maji’, mori një hijeshi krejtësisht ndryshe nën interpretimin e sopranos Dea Hamdiu.
Instrumentistët kishin vendosur maskat, por kjo nuk i pengonte që të luanin aq mjeshtërisht në instrumentet e tyre. Pandemia mbase kishte kufizuar numrin e pjesëmarrësve, por jo edhe madhështoren që përçoi secili interpretim e secila këngë.
Dirigjenti Gridi Kraja, këtë koncert e ka konsideruar mjaft të rëndësishëm ngase i kushtohej një personaliteti të jashtëzakonshëm për muzikën shqiptare. Ai ka shtuar se përgatitja për këtë koncert ka kërkuar një punë të madhe pas që shumica nga partiturat muzikore mungonin.
“Ishte një proces i rëndësishëm do të thoja, megjithëse ishte protokollar, koncerti i kushtuar Nexhmije Pagarushës një personaliteti të jashtëzakonshëm të Kosovës dhe gjithë shqiptarëve. Kryesisht u bazuam në materiale që ishin të dashur për Nexhmie Pagarushën ndaj materiali ishte disi më i lartë, sepse materialet duheshin sjellë pak a shumë si dikur. Shumica e notave dhe partiturave muzikore mungojnë, dha na u desht të i riprodhonim dhe u realizua me sukses”, deklaroi Kraja për KultPlus.
Kurse për sopranon Selvije Mareti, ky koncert vinte si një kujtim për bylbylin e këngës shqipe, Nexhmije Pagarushën e cila ka ndërruar jetë gjatë këtij viti. Sipas saj puna e tyre dhe interpretimet që i sollën sonte ishin vetëm mënyra e tyre për të nderuar Pagarushën.
“Ne të gjithë e dojmë se Nexhmije Pagarusha veç këtë vit në shkurt ka ndru jetë, por si kujtim të këngëve të saj të cilat i ka pasur të gjitha perla ne e kemi nderu sado pak në atë mënyrën tonë për me i dhanë një shkëlqim apo gjithçka që ka frymëzu shqip në koncertin e Shkupit dhe në koncertin e ditës së sotme. Por, duke pasur parasysh se shkaqet e pandemisë e kanë bërë të veten më vjen keq që ky koncert kaq i bukur që po shihet paska pasur edhe publiku etje për këtë lloj këngë artistike, po shpresojmë se solistët e filharmonisë së Kosovës do ta vazhdojnë këtë rrugëtim me perlat e Nexhmije Pagurëshs”, pohoi ajo.
Kjo mbrëmje pati edhe shumë këngë të tjera, të cilat ndër vite kanë pasuruar muzikën shqiptare. ‘Një ditë e bukur maji’, ‘Kroi i fshatit tonë’, ‘Dashnor tu bana’, ‘E kujtoj at’ takim’, ‘Margjelo’, ‘Kenke nur i bukurisë’, ‘Perendeshë e bukurisë’ dhe ‘Agimet shqiptare’, jehuan në katër muret e sallës së katedrales së kryeqytetit.
Por kjo mbrëmje nuk mbaroi këtu sepse fundi ishte po aq i magjishëm sa edhe fillimi. Sopranot Dea Hamdiu, Ardita Ukaj, Elikonë Hysaj, Shkurtë Hykaj, Ilvije Dragusha, Klatrina Miftari, Diellza Sylejmani, Selvije Mareti dhe Adelina Paloja, u rikthyen dhe një herë përball publikut për të sjellë në jetë këngën ‘Valsi i Lumturisë’, një ndër hitet e këngëtares të brezit të artë Vaçe Zelës.
Duartrokitjet nuk munguan, madje të pranishmit u ngritën dhe në këmbë pas këtij interpretimi kaq të fuqishëm, nën zërat e bukur të sopranove. Pas përfundimit të koncertit, në sallë artistët dhe mysafirët u panë duke diskutuar mes vete ku shkëmbyen vlerësimet e tyre.
Në këtë koncert të pranishëm ishin edhe kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti si dhe ministrja në detyrë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi.
Kujtojmë se me 19 dhjetor të këtij viti po i njëjti koncert është mbajtur në Sallën e Filharmonisë Maqedonase në Shkup / KultPlus.com
Koncerti i fundvitit nga Filharmonia e Kosovës do të jetë dedikuar bilbilit kosovar që e bëri tok shpirtin me muzikën, Nexhmije Pagarushën, shkruan KultPlus.
“Në kujtim të Nexhit” është emri i koncertit të së shtunës më 19 dhjetor, përgjatë së cilës përmes artit do të lartësohet Pagarusha. Mirëpo, për shkak të hapësirës së duhur të interpretimit, Filharmonia e Kosovës do të detyrohet që koncertin në Sallën e Filharmonisë Maqedonase në Shkup, duke filluar nga ora 17:00.
Përgjatë koncertit i cili do të mbahet me numër të kufizuar të pjesëmarrësve, do të interpretohen vepra nga Rexho Mulliqi, Çesk Zadeja, Avni Mula, Lorenc Antoni, Palok Kurti, Kristo Kono, Rauf Dhomi, nën orkestrimin e Valton Beqirit, Kreshnik Aliçkajt dhe Gridi Krajës.
Në anën tjetër, me zërat e tyre të pranishëm nën dirigjimin e Gridi Krajës do të jenë solistet Adelina Paloja – soprano, Ardita Ukaj – soprano, Arta Jashari – soprano, Besë Krasniqi – mexosoprano, Dea Hamdiu – alto, Diellza Sylejmani – alto, Elikonë Hysaj – mexosoprano, Ilvije Dragusha – Murtezaj – soprano, Kaltrina Miftari – soprano, Selvije Marteti – Xhemshiti – soprano, Shkurtë Hykaj – soprano.
Ky koncert organizohet nën mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com
Radioja digjitale e muzikës, Classic Fm ka renditur 10 kompozitorët më të mirë anglez, shkruan KultPlus.
Në mesin e tyre është edhe kompozitori i shekullit të 20-të, John Tavener. Mirëpo, e veçanta e përzgjedhjes së tij ndërlidhet me veprën të cilën kjo medie ia ka përmendur si ndër të mirat.
“Song for Athene” është vepra të cilën në vitin 2011 e kanë sjellur magjishëm kori i Filharmonisë së Kosovës nën dirigjimin e Rafet Rudit.
Kjo vepër është interpretuar në funeralin e princeshës së Uellsit, Diana. / KultPlus.com
Filharmonia e Kosovës koncertin e korit do të ja dedikoj thirrjes kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave, shkruan KultPlus.
Lajmi është bërë i ditur nëpërmjet një postimi në faqen zyrtare të Filharmonisë ku tregohet se numri i pjesëmarrësve në këtë koncert tashëm është plotësuar, mirëpo publiku do të ketë mundësinë që të përcjellë këtë koncert edhe online.
Gjithashtu ata kanë bërë të ditur se në bashkëpunim me Un Women gjatë këtij koncerti do të ketë edhe surpriza.
Koncerti do të mbahet me datën 6 dhjetor, në pallatin e rinisë me fillim nga ora 16:00
Më poshtë mund të lexoni statusin e plotë:
Dhuna ndaj grave dhe vajzave në kohën e pandemisë është rritur. Edhe këtë vit Filharmonia e Kosovës, koncertin e fillim dhjetorit ia dedikon thirrjes kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave me koncertin e Korit të Filharmonisë së Kosovës, i cili organizohet me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe përkrahjen e UN Women. Numri i lejuar i pjesëmarrësve për këtë koncert është i limituar dhe është plotësuar prej kohësh mirëpo së shpejti koncerti do transmetohet edhe ‘online’ si dhe në bashkëpunim me UN Women do sjellin edhe një surprizë për ju.
Orkestra e Filharmonisë së Kosovës sonte mban koncert në Teatrin e Qytetit “Hadi Shehu” në Gjakovë, shkruan KultPlus.
Koncerti që do të filloj prej orës 19:00 do të udhëhiqet nga mjeshtri Gridi Kraja nga Tirana.
Publiku do të ketë rastin të dëgjoj veprat simfonike të klasikëve shqiptar, mes tjerash poemën simfonike “Skënderbeu” nga Çesk Zadeja, ‘’Vallen Shqiptare nr.2’’ nga Thoma Gaqi, ‘’Baresha’’ nga Rexho Mulliqi dhe unverturën “Goca e Kaçanikut” nga Rauf Dhomi.
Koncerti do të mbahet në pajtueshmëri me masat anti-covid dhe pjesëmarrësit duhet të shkojnë 30 minuta përpara fillimit të koncertit./KultPlus.com
Filharmonia e Kosovës ka rifilluar provat me grupet e vogla të njësive të saj, të orkestrës dhe të korit.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Filharmonia e Kosovës ka bërë të ditur se do të filloj mbajtjen e koncerteve në muajin tetor, por me një numër të kufizuar të pjesëmarrësve.
Më poshtë gjeni njoftimin e tyre të plotë:
Të nderuar zonja dhe zotërinj,
Jemi të lumtur që nga 28 shtatori, Filharmonia e Kosovës ka rifilluar provat me grupe të vogla të dy njësive të saj, orkestrës dhe korit. Pas shkëputjes prej më shumë se gjashtë muajsh, që kur vendi u fut në izolim për shkak të pandemisë dhe ballafaqimit me përhapjen e virusit Covid-19, urojmë që të jetë një fillim i mbarë për sezonin të cilin tashmë kemi filluar ta planifikojmë. Filharmonia do t’i kthehet koncerteve me numër të kufizuar të pjesëmarrësve gjatë tetorit. Shihemi së shpejti!/ KultPlus.com
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit njofton të gjithë artdashësit që Filharmonia e Kosovës, prej sot nisë transmetimin e serisë së koncerteve në facebook.
Nga sot, më 9 prill, me fillim nga ora 20:00, Filharmonia do të transmetojë koncerte dy herë në javë (çdo të enjte dhe të diel), derisa situata të kthehet në gjendje normale dhe institucioni më i lartë i muzikës në vend t’i kthehet punës.
Sot, me rastin e Ditës së Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Filharmonia do të sjellë interpretimin e Simfonisë së 9-të të gjeniut të muzikës klasike Ludwig van Beethoven, që sjell mesazhin e paqes mes popujve dhe që vlerësohet si një nga veprat më të mira të kompozitorit gjerman. Koncerti qe mbajtur në Prishtinë më 26.06.2019 në shënim të 20 vjetorit të çlirimit të vendit dhe ky do të jetë transmetim premierë për publikun.
Në këtë interpretim, Kori dhe Orkestra e Filharmonisë së Kosovës drejtohen nga japonezi Toshio Yanagisawa ndërsa në rolin e solistëve paraqiten Arta Jashari – soprano, Vikena Kamenica – mexosoprano, Liridon Sadriu – tenor dhe Armando Likaj – bariton.
Koncerti i dytë në serinë e transmetimeve ‘online’, do të jetë të dielën më 12 prill. Filharmonia sjell interpretimin e veprave të kompozitorëve kosovarë, Valton Beqiri e Baki Jashari dhe veprën madhështore “Requiem” nga Mozarti, poashtu nën dirigjimin e Toshio Yanagisawas. Më këtë program Filharmonia qe prezantuar para publikut japonez në korrik të 2010-s në sallën “Canora” në Suva të Japonisë.
Koncertet mund t’i ndiqni në linkun e mëposhtëm. / KultPlus.com
Filharmonia e Kosovës sonte ka nisur transmetimin e koncerteve në Facebook, pas situatës së krijuar nga Coronavirusi, shkruan KultPlus.com
“Ju faleminderit gjithë ju që na ndoqët”, thuhet ndër të tjera në postimin e tyre në Facebook.
Përndryshe, është premtuar që kjo praktikë do të vazhdojë edhe më tutje perderisa gjendemi në këto rrethana, ku koncerti radhës do të transmetohet të enjten.
Filharmonia e Kosovës ka njoftuar se koncerti i radhës i Orkestrës i paraparë që të mbahej më 29 mars në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë është anuluar për shkak të koronavirusit.
Kuarteti italian “Quartetto di Cremona” i përbërë nga instrumentistë që konsiderohen në mesin e më të mirëve të gjeneratës së tyre, sikurse dirigjenti Jacopo Brusa, kanë anuluar ardhjen në Kosovë pasi që Italia është vendosur në karantinë si pasojë e virusit COVID-19. / KultPlus.com
Një çift rreth të tridhjetave kishte zënë vendin e tyre. Me vete kishin edhe një vajzë të vogël, e cila në duar po mbante një fletushkë. Ishte fletushka e koncertit të Filharmonisë së Kosovës i cili mbrëmë do të fillonte në Sallën e Kuqe në Prishtinë me Orkestrën e Kosovës dhe pesë artistë të huaj, shkruan KultPlus.com
“Mirëmbrëma”,
tha në shqip dirigjenti Dariusz Mikulski, pasi doli në pjesën qendrore të sallës.
Meqë shqip po e dinte vetëm atë përshëndetje, ai vazhdoi në anglishte të
tregonte për pjesët që do luheshin, teksa ndër të tjera tha: “Ka njerëz të fjalëve
dhe të ndjenjave, ne artistët jemi njerëz të ndjenjave”, duke paralajmëruar
provokim ndjenjash për dy orë të plota.
Para çdo
pjese të dhënë në koncert, dirigjenti që gjatë gjithë kohës dukej shumë i
disponuar, ndonjëherë prezantonte shkurt pjesët që do luheshin, ndonjëherë
jepte ndonjë batutë të shkurt. Dirigjenti Mikulski, teksa mirëpriste artistët e
tjerë në skenë, publikut po i kërkonte duartrokitje të forta, të cilat pasonin
menjëherë. Në fakt, për të gjithë artistët mysafir nuk munguan as buqetat me
lule. Kështu e gjithë mbrëmja kaloi me një atmosferë të ngrohtë dhe energjike.
Nën udhëheqjen
e dirigjentit, Dariusz Mikulski, dhe të përcjellë nga Orkestra e Kosovës,
artistët e huaj që performuan ishin: Otto Sauter në pikolo trumbetë, Armin
Bachmann në trombone, Davide Alogna në violinë si dhe sopranoja Aleksandra
Gudzio. Nga ky ansambël artistik, u interpretuan vepra të George F. Handel, Wolfgang
A. Mozart, Henryk Gorecki, Enjott Schneider, Gioachino Rossini, Laun Grondahl, Wojciech
Kilar.
Në një intervistë
për KultPlus, dirigjenti veteran Rafet Rudi, e vlerësoi këtë paraqitje, teksa
theksoi dy arsye për vlerësimin e tij:
“Ishte një prej koncerteve më të mira që kam dëgjuar këto dy vitet e fundit, një
për shkak të programit të përgatitur që ishte jashtëzakonisht i vështirë për këtë
ansambël, dhe së dyti, më në fund Orkestra doli nga ajo korniza programore e kohëve
të fundit, që ka pasur përsëritje, këtu është parë që mundet t’i rreket edhe
programeve tjera të mira”.
Rudi përmendi
specifikisht Orkestrën e Kosovës për nivelin e tyre të treguar gjatë performancës:
“Mendoj se Orkestra sonte ka qenë në nivel sidomos për shkak të këtij programi
të vështirë edhe në kuptimin e materies që është e re për Orkestrën por edhe për
shkak të niveli teknik që kanë këto vepra”.
Sopranoja
nga Polonia, Aleksandra Gudzio, në një intervistë për KultPlus, shprehu
emocionet e saj të para pas përfundimit të koncertit:
“E shijova këtë mbrëmje shumë, më pëlqeu Orkestra e cila performoi jashtëzakonisht
mirë dhe audienca po ashtu, unë mezi e prisja mbrëmjen e sotme dhe jam shumë e
lumtur që e realizova koncertin këtu.”
Gudzio, pati
vlerësim pozitiv edhe për Orkestrën e Kosovës:
“Unë jam këtu
që një javë, dhe çdo ditë kemi pasur përgatitje, ata ishin çdo ditë e më të mirë
dhe mendoj se janë shumë kualitativ.”
Meqë ishte
hera e parë në Kosovë, ajo na tregoi edhe për mendimin e saj rreth vendit dhe
njerëzve këtu:
“Është hera e parë që jam këtu. Më pëlqen shumë ky vend, më pëlqejnë shume dhe njerëzit, ju jeni shumë të shoqërueshëm dhe po ashtu keni një histori interesante. Unë vizitova NewBornin dhe Monumentin e Heroinave, që të dyja janë të mrekullueshme.”
Dirigjenti, Dariusz Mikulski, në një intervistë për KultPlus, tha se përmes këtij programi divers kanë shprehu ndjenja:
“Përshtypja ime e parë është që ky koncert ishte shumë i ndryshëm me program divers, si vet jeta njerëzore. Unë po mendoja se çfarë mund të them rreth këtij koncerti dhe thash me vete të flas rreth ndjenjave, të cilat janë natyrale për ne, të cilat i shprehim ne.”
Dirigjenti
Mikulski, pati vlerësim të madh për publikun në sallë të cilët i quajti
“fantastik”:
“Në fillim unë kisha pak frikë rreth reagimit të publikut por më duhet ta them
që ju keni një publik fantastik, dëgjoni me shumë vëmendje, dhe kjo muzicientëve u jep fuqi të
pabesueshme, të jesh më i mirë në skenë, të shfaqësh më shumë ndjenja.”
Kërkesën e kamotshme të komunitetit artsitik në vend për një sallë koncertale nuk e la pa e cekur as dirigjenti Mikulski, ai e përmendi këtë çështje, por në një formë urimi:
“Çfarë unë do të uroja për muzicientët dhe për Filarmoninë e Kosovës, si dhe më së rëndësishmi për publikun kosovarë, është një sallë e re e koncertit”.
Kur ora shënonte 22:00, publiku po e lëshonte sallën. Dikush nga ta u ndal për ta bërë ndonjë fotografi me protagonistët e mbrëmjes. Teknika po bartej nga salla. Koncerti kishte përfunduar. / KultPlus.com
Filarmonia e Kosovës ka mbajtur konferencë për medie, ku u tha se janë bërë të gjitha përgatitjet për koncertin që do të mbahet të dielën.
Drejtori i Filarmonisë së Kosovës, Baki Jashari, tha se programi do të ketë shtatë vepra nga Baroku e deri te muzika bashkëkohore. Sipas Jasharit, koncerti i nesërm do të paraqet premiere botërore.
“Jemi këtu për të promovuar koncertin e radhës që do të mbahet nesër në Sallën e Kuqe. Përmbajtja programore përfaqëson 7 vepra me një laramani nga Baroku e deri muzika bashkëkohore. Kemi nderin që interpretimi i kësaj vepre paraqet premierë botërore”, tha ai
Aleksandra Gudzio, soliste soprano, nga Polonia e cila vjen për herë të parë në Kosovë, tha se i pëlqen shumë Kosova dhe njerëzit këtu.
“Është hera e parë në Prishtinë në Kosovë e pëlqej shumë. Është kënaqësi të jem këtu dhe të kem koncert të këndoj. Mezi pres për koncertin e nesërm”, tha ajo
David Alogna, violinist, u shpreh se në Kosovë ka takuar shumë njerëz mikpritës, duke shtuar se për të është shumë e rëndësishme të performojë këtu, raporton eo.
Pjesë e koncertit do të jetë edhe Otto Sauter, lider botëror në instrumentin e trumbetës.
“Më pëlqejnë njerëzit këtu në Kosovë. Jam shumë i emocionuar për këtë koncert që do të mbahet nesër”, tha ai.
Koncerti do të udhëhiqet nga dirigjenti polak Dariusz Mikulski, i cili është për herë të dytë në Kosovë. Koha.net / KultPlus.com
Filharmonia e Kosovës do të nis vitin 2020 me koncertin e parë të ciklit të koncerteve në shënim të 20-vjetorit të Filharmonisë, shkruan KultPlus.
Në konferencën e sotme
që e organizoi Filharmonia e Kosovës u shpalosën detajet e koncertit të së
dielës. Gjatë konferencës ishin pjesëmarrës edhe muzicientët e huaj që do të
performojnë për publikun shqiptar. Menaxheri i Filharmonisë Dardan Noka, në
hapje tregoi për nisjen e ciklit të koncerteve derisa tha se ndihen të nderuar
për këtë kastë të zgjedhur muzicientësh.
Drejtori i
Filharmonisë Baki Jashari tha se Filharmonia e fillon këtë cikël koncertesh me
një program koncertal të fokusuar te veprat e gjeniut Betoven i cili shënon
250-vjetorin e lindjes.
“Veçantia e këtij
koncerti janë performuesit. Duke filluar me dirigjentin me famë botërore
Vengerov, violinistin Ulucan, violinçelin Fenyö, dhe pianisten Ulucan”. “Kemi
fatin, nderin dhe privilegjin ta kemi në mesin tonë maestron Vengerov, i cili
do ta dirigjioj orkestrën e Filharmonisë së Kosovës”, potencoi ai.
“Në pjesën e parë do të performohet koncerti për violinë, violonçel dhe piano” ndërsa në pjesën e dytë dirigjenti Vengerov do të realizoi Simfoninë e Shtatë të Betovenit”, tregoi Jashari. Ai përmendi gjithashtu mungesën e sallës adekuate për ngjarje të tilla, problem ky i vjetër me të cilën vazhdon të përballet institucioni i Filharmonisë.
I entuziazmuar ishte
dirigjenti Maxim Vengerov. Ai përgëzoi organizatorët derisa tha se ndjehet i
lumtur që do të ketë rastin të performojë para audiencës shqiptare, e cila po
rritet dita ditës. Violonçeli Lászlo Fenyö këtë koncert e sheh si shumë të
rëndësishëm. “Kjo ngjarje është shumë e rëndësishme për kulturën kosovare. Për
mua është hera e parë që jam në Kosovë dhe po ndihem shumë mirë”, tha
hungarezi.
Edhe për violinistin
Özcan Ulucan do të jetë nder performanca e së dielës. “Shoh energji të madhe
muzikore. Kjo është vërtet diçka atraktive dhe më bën të ndihem e nderuar që do
të performoj”, u shpreh ai.
Ndërkohë, pianistja
Birsen Ulucan tha është fantastike të jesh në mesin e publikut kosovar. “Ne
këtu jemi shokë të mirë, por gjithmonë është gjë e bukur kur bën shokë të ri”,
tha pianistja turke. Kocerti do të mbahet të dielën me fillim nga ora 20 në
Sallën e Kuqe në Prishtinë.
Ky koncert i rëndësishëm shënon një hap në zhvillimin e Filharmonisë së Kosovës. Ai do të drejtohet nga Vengerov i cili shquhet si violinisti më i mirë i shek. XXI, i emëruar edhe Ambasador i Vullnetit të Mirë nga UNICEF-i. /KultPlus.com
Sot në një konferencë për media drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari shpalosi detajet rreth koncertit që do të mbahet në nesër mbrëma, ku do të interpretohet vepra ‘Requiem’ e Mozartit, shkruan KultPlus.com
Ky koncert organizohet në kuadër të sezonit 2019/2020 dhe shënon 70 vjetorin e lindjes së dirigjentit Rafet Rudi, ndërsa njëherësh me këtë mbrëmje, Filharmonia e Kosovës i bashkohet fushatës 16 – ditore të aktivizimit kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave.
Filharmonia e Kosovës interpretimin e ‘Requiem’ të Mozart-it, nesër mbrëma do t’ia dedikojë grave dhe vajzave që vdiqën dhe u përballën në heshtje me vuajtjen, pasi u torturuan dhe u dhunuan në luftën e Kosovës, më 1999.
Në këtë koncert është angazhuar Kori i Filharmonisë së Kosovës dhe Orkestra Simfonike, që nesër do të dirigjohen nga kompozitori dhe dirigjenti permanent i Korit të Filharmonisë së Kosovës, Rafet Rudi. Ai ndihet i nderuar që nesër do ta mbajë peshën e kësaj mbrëmje dhe të kësaj vepre monumentale.
Rozafa Kelmendi përfaqësuese nga UN Women tha se vepra e nesërme do të jetë homazh për gratë e dhunuara.
“Është një mesazh i fuqishëm i dashurisë që do të përcjellë kjo vepër e Mozart-it, e shpresojmë të jetë një mesazh i tillë për këto gra që nuk gjetën dashuri në këtë botë, njëkohësisht është edhe thirrje për ne si shoqëri që të reflektojmë për mënyrën se si i kemi trajtuar të mbijetuarat e dhunës seksuale, që t’u ofrojmë më shumë dashuri e mbështetje në realizimin e të drejtave të tyre” tha ajo.
Në koncert përveç solistëve nga Kosova do të ketë edhe mysafirë nga
Franca e Danimarka.
Koncerti do të mbahet nesër duke filluar nga ora 20:00, tek Pallati i Rinisë. / KultPlus.com
Si pjesë e aktivitetit të saj, Filharmonia e Kosovës ka paraparë një koncert i cili i dedikohet fëmijëve nga mosha 7 deri 11 vjeç – respektivisht fëmijëve të shkollave fillore ose ciklit të ulët dhe vjen si rezultat i përpjekjeve të tyre për të ofruar edhe program edukativ dedikuar audiencës në ardhje, përcjellë KultPlus.
Koncerti është përpiluar me kujdes dhe planifikohet të
shndërrohet në aktivitet të rregullt të Filharmonisë. Programi do zgjasë 25
minuta (kohëzgjatja është paraparë të jetë e përballueshme për moshat
përkatëse) dhe në fund fëmijët do të kenë rast të flasin me instrumentistët dhe
të njihen me instrumentet nga afër.
Vepra e cila do të interpretohet është e shkruar nga
kompozitori Camille Saint-Sawns dhe titullohet “Karnevali i
Kafshëve”. Është e ndarë në 14 pjesë dhe secila nga to është e kompozuar
asisoj që përmes muzikës ilustron një kafshë (luani, breshka, mjellma, kanguri
etj).
Orkestra e Filharmonisë së Kosovës në këtë koncert do të
dirigjohet nga Edon Ramadani ndërsa në rolin e solisteve do të paraqiten
pianistet kosovare Pranvera Hoxha dhe Lirika Pula – Kasapolli.
Koncerti do të mbahet më 25 tetor nga ora 12:00 në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë. / KultPlus.com
Filharmonia e Kosovës mbajti sot një konferencë ku u shpalosën detaje për koncertin e parë të Korit të Filharmonisë për sezonin 2019/2020, shkruan KultPlus.
Ky koncert
do të jetë padyshim shumë interesant, nën dirigjimin e spanjollit Fernando Briones
i cili ishte prezent në konferencë bashkë me drejtorin e Filharmonisë, Baki
Jasharin dhe kompozitorin Hajrullah Syla.
Për
koncertin foli fillimisht Baki Jashari i cili tregoi se do të interpretohen
vepra korale botërore dhe vepra korale të vendit. Gjithçka që do të
interpretohet nesër në ambientet e Kishës katolike “Shën Ndou” në
Prishtinë do të jetë premierë. Jashari nuk e la pa e përmendur edhe një problem
të vjetër të Filharmonisë, mungesën e një salle adekuate për t’i zhvilluar
performancat artistike.
“Pas
koncertit të parë inaugurues, ne jemi në prag të koncertit të radhës me korin
profesional të Filharmonisë”, tha Jashari në hapje të konferencës.
“Koncerti
mbahet në Kishën katolike meqë nuk kemi ende sallë koncertale adekuate, aq më
tepër që për këso koncerte korale nevojitet një akustikë tejet e veçantë, një
jehonë e caktuar për të pasë sukses në realizimin e koncertit vokal. Pra, meqë
na mungon ajo sallë për të cilën flasim vazhdimisht ne kemi zgjedhur këso
hapësira të cilat shfrytëzohen edhe nëpër botë për koncerte të tilla, potencoi
ai.
Ndërkohë,
dirigjenti spanjoll Briones u shpreh mjaft i lumtur që i është dhënë mundësia
për të qenë në Prishtinë.
“Është
gjë e bukur të jem këtu me ju. Jam i ngazëllyer për këtë koncert i cili vërtet
do të jetë madhështor”, tha ai, duke vazhduar “Falënderoj Baki
Jasharin e Hajrullah Sylën si dhe të gjithë bashkëpunëtorët, dhe ju ftoj që të
vini nesër në koncert dhe ta shijoni atë” përfundoi spanjolli.
Edhe
kompozitori Syla, u shpreh i kënaqur për këtë koncert. Ai mes tjerash tha se
adhuruesit e muzikës korale nesër do të kenë mundësi që të dëgjojnë veprat e
kompozitorëve bashkëkohor.
“Jam
shumë i lumtur për bashkëpunimin me PriFest. Bashkë kemi arritur të sjellim
koncerte të mira. Programi i nesërm është i larmishëm me kompozimet e
kompozitorëve bashkëkohor”, tha Syla duke theksuar se nesër pret një
interesim të madh nga publiku.
Koncerti i cili realizohet në bashkëpunim me Festivalin Ndërkombëtar të Vokalit do të nis nesër mbrëma nga ora 20:00 në Kishën katolike “Shën Ndou” në Prishtinë dhe kështu do të shënoi mbrëmjen përmbyllëse të edicionit të dytë të këtij festivali. /KultPlus.com
Muzika, ky art madhështor, që gjen mënyrën e të shprehurit përmes tingujve. Një art që nuk njeh gjuhë e nuk ka kohë.
Mbrëmë
Salla e Kuqe në Prishtinë, ishtë mikëpritëse e një koncerti madhështor, qe nisi
e mbaroi me duartrokitje e emocione të mëdha, shkruan KultPlus.
Nën performimin e pianistes Lule Elezi dhe me dirigjent Boian
Viedenoff, ky koncert ishte edhe në rolin e koncertit inaugurues, duke qenë i
pari që hap sezonin për vitin 2019/2020 për të gjitha koncertet e tjera në
vazhdim, që do të mbahen për 10-të muajt e ardhshëm, nga Filharmonia e Kosovës.
Koncerti filloi me interpretimin e pianistes Lule Elezi, e cila si jo rrallë herë, mahniti publikun kosovarë me performancën e saj. Gishtat e saj tek shtypnin tastet e pianos, të krijonin bindje sikur ishin krijuar vetëm për piano dhe asgjë tjetër.
Emocionet ishin të paevitueshme, ndjenjat e kënaqësia që mbizotëronte në atë sallë ku ndëgjoheshin tingujt e bukur të muzikës klasike, e bënë natën e mbrëmshme një natë të veçantë shtatori.
Boian Videnoff, i njohur si dirigjenti artistik dhe gjeneral
i Filharmonisë së Manhajmit si dhe për bashkëpunimet me solistët më në zë të kohës,
u kthye para publikut të kryeqytetit tonë të bukur, për bashkëpunimin e radhës
me Lule Elezin.
Lule Elezi luajti koncertin e vetëm për piano dhe orkestër të shkruar nga norvegjezi Edvard Grieg, njëherësh një prej koncerteve më të bukura të literaturës pianistike botërore.
Pianistja Lule Elezi, e cila në këtë mbrëmje pos që shkëlqeu
me performancën e saj, në të njëjtën kohë shkëlqeu edhe me elegancën e saj
skenike, e cila këtë koncert e vlerësoi si një ndër koncertet më për zemër përgjatë
karrierës së saj.
Në një prononcim për KultPlus ajo është shprehur se ky
koncert si soliste në piano, vjen për herë të dytë në bashkëpunim me orkestrën
e Filarmonisë së Kosovës.
“Koncertin e parë e pata realizuar në vitin 2015, ku jam prezantuar me koncertin Nr 5 për piano dhe orkestër të kompozitorit të mirënjohur Beethoven (koncert mbretëror), kurse koncerti i mbrëmjes së fundit erdhi në një bashkëpunim të shkëlqyer me dirigjentin Boian Viedenoff”, ka thënë Elezi për KultPlus.
Ajo shpjegoi se në këtë mbrëmje është prezantuar me koncertin e kompozitorit Edvard Grieg, që njihet për veprat më romantike të literaturës pianistike në nivel botëror.
“Jam e nderuar që luajta koncertin për piano dhe orkestër nga Grieg, por në të njëjtën kohë që bashkëpunova me dirigjentin Viedenoff , pasi që, për këtë koncert ka ardhur enkas nga Gjermania”, ka thënë Elezi, e cila është mirënjohëse edhe për bashkëpunimin e ngushtë me drejtorin e Filarmonisë së Kosovës, Baki Jasharin, i cili bëri të mundur këtë paraqitje solistike, të përcjellë nga orkestra, sikurse që ka falënderuar edhe organizatorin e Filarmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj, për koncertin e mrekullueshëm.
Pjesa e dytë dhë e fundit e koncertit ishte e rezervuar për Simfoninë 9-të në e-mol, të kompozitorit çek Antonio Dvorak, ndryshe e njohur si Simfonia ‘’Nga bota e re’’. Edhe kjo nën udhëheqjen e dirigjentit Boian Videnoff.
Salla e Kuqe, ishte e mbushur plotë me dashamirës të këtij arti të bukur. Publiku jetonte në çdo notë e çdo tinguj të falur nga orkestra. Thënë shkurt, e mira e muzikës është ndjesia, e për të ndjerë duhet vetëm të dëgjosh. /KultPlus.com
Filharmonia e Kosovës ka mbajtur konferencë për medie në lidhje me koncertin e hapjes së sezonit 2019/2020.
Në këtë konferencë theks i veçantë iu dha mungesës së sallës koncertale, ku
u tha se për 20 vjet, koncerte të tilla mbahen në salla të improvizuara, siç
është Salla e Kuqe në Pallatin e Rinisë.
Baki Jashari, drejtor i këtij institucioni, dha detaje rreth programit
vjetor të Filarmonisë së Kosovës, teksa shtroi nevojën që të ndërmerret diçka
për ndërtimin e sallës koncertale, e cila do të lehtësonte punën e këtij
institucioni.
“Ky sezon fillon me koncertin e nesërm në sallën e kuqe. Është koncert
inaugurues për të gjitha programet që do të jenë për 10 muaj, e që zgjat deri
në qershor të vitit të ardhshëm. Viti 2020 shënon 20 vjetorin e themelimit të
Filarmonisë së Kosovës. Veçanti e këtij koncerti janë dy performues që janë,
Lule Elezi, piano dhe Bojan Videnoff dirigjent. Edhe për 20 vjet pas themelimit
ky institucion nuk ka sallë koncertale”, ka thënë Jashari.
Lule Elezi, pianiste me përvojë të madhe në këtë drejtim ka thënë se është
e përgatitur maksimalisht për këtë koncert.
“Jam e kënaqur që marr pjesë në këtë koncert si pianiste. Për mua është
hera e dytë që performoj në Filarmoninë e Kosovës. Nesër mbrëma kam kënaqësinë
që të luaj në piano me një dirigjent si Vidennoff. Jam përgatitur mjaft për
këtë koncert dhe shpresoj që publiku do ngelet i kënaqur”, ka thënë Elezi.
E dirigjenti Bojan Videnoff ka thënë se është kënaqësi për të që e dirigjon një koncert të madh në Prishtinë. / EkonomiaOnline / KultPlus.com
Në objektin e Komunës së Prishtinës, u mbajt konferenca për media në të cilën u shpalosën detaje rreth koncertit të madh që fillon sonte nga ora 20:00. I pranishëm ishte edhe dirigjenti i famshëm nga Japonia Toshio Yanagisawa, i cili tha se është i kënaqur që ndodhet në këtë ngjarje kaq të madhe. Ai foli edhe për Betovenin, të cilin e cilësoi si kompozitor të përbotshëm, e falënderojë të gjithë për punën dhe bashkëpunimin. Dirigjenti Baki Jashari foli gjerësisht rreth koncertit dhe organizimit të tij. “Do të jetë një koncert madhështor me mbi 110 performues që do të ngjiten sonte në skenë. Si përfaqësues i Filharmonisë, falënderoj Komunën e Prishtinës dhe kryetarin Shpend Ahmeti me stafin e tij për përkrahjen e vazhdueshme të kësaj ideje“, tha Jashari fillimisht duke vazhduar “ky koncert me përmasa të tilla po organizohet pikërisht në 20 vjetorin e çlirimit dhe ndërhyrjes së NATOS që është e rëndësishme për mbarë popullin shqiptar. Filharmonia e Kosovës ka kohë që ka menduar ta sjell veprën grandioze të kompozitorit të madh Betoven Simfoninë nr. 9, në një datë të veçantë dhe vendosëm për këtë datë. Më herët nuk kemi organizuar diçka të ngjashme me këtë sonte, prandaj jemi të entuziazmuar. Komuna na ka ndihmuar për ta vendosur atë skenë të madhe dhe presim një mbrëmje të paharruar“.
Në këtë ngjarje pritet të jenë të pranishëm mbi 1500 njerëz, dashamirës të muzikës klasike. Për veprën e Betovenit dhe tekstin e poetit gjerman Fridrih Shiler u fol gjatë kësaj konference, ku u potencua se teksti i Shilerit dhe kompozimi i Betovenit proklamojnë paqen kudo nëpër botë. Edhe mezosopranoja Vikena Kamenica, e cila do të jetë pjesëmarrëse në këtë koncert tha se ndihet e lumtur dhe e emocionuar të paraqitet sonte në Prishtinë. “T’i rikthehemi veprës së Betovenit është gjë e bukur, në shtetin e Kosovës, në sheshin me simbolikë të madhe. Gjithçka është menduar mirë dhe pritja është e jashtëzakonshme për një koncert ashtu siç shteti kosovar e meriton. Betoveni është mbreti, ashtu më pëlqen ta them, janë të tërë instrumentet dhe në fund fare futet dhe vokali për ta bërë akoma më madhështore paraqitje. dhe për t’i vënë atë pikën e bukur dhe efektin e madh” u shpreh ajo. Baritoni Armando Likaj, tha se ndjehet i privilegjuar që do ta shkel sonte skenën e madhe prishtinase. “Jam i privilegjuar ta ndaj skenën me Vikenën dhe gjithë të tjerët. Falënderoj maestron Toshio, i cili ka bërë punë të madhe në detaje, edhe pse nuk ka qenë e lehtë. Por me dashamirësi dhe forcë të palodhur ajo u realizua. Falemnderit edhe orkestrës e cila është e mrekullueshme” përfundoi ai. Koncerti do të fillojë nga ora 20 dhe pritet të ketë interesim të madh. / Bujar Meholli/ KultPlus.com
Filharmonia e Kosovës mbrëmë ka mbajtur një koncert të jashtëzakonshëm në Paris të Francës, shkruan KultPlus.
Ky koncert i cili është përgatitur për nderë të 20 vjetorit
të çlirimit të Kosovës u luajt nga solistët, kori, Orkestra e
Filharmonisë së Kosovës dhe me dirigjent Baki Jasharin.
Koncertin për Paqe u mbajt në Muzeun e Armatës, në Kishën Shën Lui në Paris.
Me këtë rast u interpretua vepra ‘Njeri me armë’ kompozuar
nga kompozitori britanik Karl Jenkins, ku kjo vepër është bërë nga ai në
vitin 1999 dhe i kushtohet viktimave të fundit në Kosovë.
Ambasada e Francës në Kosovë ishte iniciatore e këtij
evenimenti të madh ku u prezantuan 110 performues në skenë.
Ndërsa ambasador i Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi, i cili ndoqi nga afër koncertin, është shprehur që ky koncert ka zgjuar emocione tek të gjithë të pranishmit.
“Një performancë e jashtëzakonshme, nën dirigjimin e Baki
Jasharit, që zgjoi emocione tek të gjithë të pranishmit me rastin e shënimit të
20 vjetorit të mbarimit të luftës në Kosovë. Një ngjarje për t’i bërë homazh të
gjitha viktimave të luftës dhe për ta falënderuar Francën dhe të gjithë ata që
na përkrahën në ato momente dramatike para 20 vitesh”, ka shkruar Gashi në
Facebook.
Ai gjithashtu ka falënderuar për përkrahje të gjitha institucioneve dhe partnerët e kësaj ngjarje. / KultPlus.com
Filharmonia e Kosovës ka mbajtur konferencë për medie për të shpalosur detajet e prezantimit të parë të Korit dhe Orkestrës së Filharmonisë për koncertin që do të mbahet në Paris të Francës, më datën 22 të këtij muaji.
Drejtorit i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari tha se ky koncert është bërë për nderë të 20 vjetorit të çlirimit të Kosovës.
“E gjithë trupa përfshi korin orkestrën simfonike do të prezantohet në Paris më 22 maj më ç’rast interpretohet vokal instrumental ‘Njeri me armë’ kompozuar nga kompozitori britanik Karl Jenkins, ku kjo vepër është bërë nga ai në vitin 1999 dhe i kushtohet viktimave të fundit në Kosovë. Ambasada e Francës në Kosovë është iniciatorë i këtij evenimenti të madh. Do të prezantohet me 110 përformues në skenë.” ka përfunduar Jashari.
Adelina Paloja nga Soprano tha se kjo vepër është trajtuar më ndryshe dhe se është e veçantë, për faktin që trajton një të mbijetuar të luftës.
“Në këtë vepër do të paraqitem në rolin e solistes soprano me dallim nga paraqitjet më herët këtë vepër e kemi trajtua krejt ndryshe si diçka e posaçme me vet faktin se roli është i një të mbijetuare të luftës që gjendet në një situatë emocionale të vështirë ky është një lloj personifikimi i shumë femrave nënave që kanë pas fatin e keq që gjatë një periudhe të ndjeshme me momente më të vështira. Andaj mendoj dhe shpresoj që sot jemi në paqe këtë mesazh ta drejtoj asnjë fëmijë të mos e përjetojë atë që ne kemi përjetua”, tha ajo.
Violinisti nga orekstra Festim Fana tha se janë bërë të gjitha përgatitjet dhe se shpreson se do të kthehen faqebardhë dhe me emocione shtesë.
“Orkestra është mjaftë e lumtur që do të përformojë në një vend si Parisi, është hera e parë andaj falënderim ndaj ambasadorit dhe Ambasadës. Orkestra është e përbërë prej shumë anëtarëve dhe mënyra si jemi përgatitur është shumë e veçantë unë pres që do të jetë përformancë e mirë”, tha ai.
Kujtojmë se ky koncert për paqen që luhet nga solistët, kori, Orkestra e Filharmonisë së Kosovës dhe me dirigjent Baki Jashari do të mbahet më 22 maj në orën 19:30 në Hotel national des Invalides në Paris të Francës. Ndërsa Trupa e Filharmonisë do të niset nesër. / ekonomiaonline / KultPlus.com
Orkestra e Filarmonisë së Kosovës në bashkëpunim me dirigjentin dhe pianistin Stefan Vladar nga Austria dhe tenorin Josif Gjipali nga Shqipëria, mbajtën mbrëmë koncert në Prishtinë ku me këtë rast edhe u përmbyll edicioni i 10-të i festivalit Chopin Piano Fest, shkruan KultPlus.
Mbrëmë publiku kosovarë pati rastin të përjetojë një
koncert të shkëlqyeshëm nga Filarmonia e Kosovës në bashkëpunim me dy artistë të skenave botërore. Koncerti u
mbajte në Sallën e Kuqe, tek Pallati i Rinisë në Prishtinë. Filarmonia e Kosovës
në bashkëpunim me këta dy artistë të rangut botëror performuan para një publiku i cili ishte i madh në numër.
Edhe publiku e priti shumë mirë këtë performancë, kjo u kuptua nga duartrokitjet e tyre të cilat nuk u ndalën për disa minuta. Gjatë mbrëmjes u luajtën vepra që rrallë herë janë luajtur në skenat e Kosovës. Veprat të cilat u interpretuan ishin veprat e V. Beethoven , G. Puccini që u interpretua nga tenori shqiptar Josif Gjipali dhe veprat e P.I Tchaikovsky që u dirigjuan nga dirigjenti austriak Stefan Valdar e që vlen të theksohet që Simfonin e Tchaikovskyt e ka dirigjuar përmendësh.
E tenori shqiptar Josif Gjipali tha që është i kënaqur
me entuziazmin e publikut dhe pritjen që i është bërë. Ai po ashtu shtoi se nuk
do të kishte besuar që në Prishtinë është organizuar një Festival i tillë po
mos të kishte qenë vetë i pranishëm.
“Nëse sonte nuk do ta isha vetë në Prishtinë, nuk do
ta besoja që ka pasur një organizim të tilla, andaj dua t’i përgëzoj jashtëzakonisht shumë të dyja zonjat që janë
marr me organizimin e Chopin Piano Fest. Ishte një kënaqësi, kam ngelur jashtëzakonisht
i kënaqur nga korrektësia nga mikpritja e respekti. Niveli i orkestrës ishte
shumë i mirë. Zgjodha materiale të një vështirësie të lartë për një koncert por
ja ka vlejtur, pasi entuziazmi dhe mikpritja e publikut ishte vërtet e jashtëzakonshme”,
tha Gjipali për KultPlus.
E shumë i kënaqur, si nga bashkëpunimi poashtu dhe përkrahja nga publikut u nda edhe pianisti dhe dirigjenti austriak, Stefan Valdar, i cila po ashtu tha që ata kanë bërë një punë shumë të mirë dhe se ai sonte ka dhënë më të mirën nga vetja.
“Është hera e dytë për mua në Kosovë, unë kam qenë këtu
vitin e kaluar. Mendoj që kemi bërë një punë të mirë, publiku është ndarë shumë
i lumtur, ne kemi dhënë më të mirën nga vetja. Ishte përvojë e mirë edhe me
muzikantët dhe jam shume i lumtur me rezultatin që kemi dhënë sonte”, u shpreh
Valdar për KultPlus.
Drejtoresha e këtij festivali Lejla Hxhiu Pula tha që
përkundër vështirësive që kanë pasur dhe punës së lodhshme si gjatë procesit të
përgatitjes edhe gjatë festivalit, ajo është ndarë shumë e kënaqur me suksesin
e festivalit. Ajo po ashtu shtoi se koncerti i mbrëmshëm i ka dhënë ndjenjën si të ishte në ndonjë shtete
të Evropës dhe jo në Prishtinë.
“Siç po shini 16 mbrëmje sivjet në edicioni e 10-të, ishte vërtet një punë shumë e madhe jo vetëm procesi i negocimit, bisedimet me artistët që i kemi planifikuar për ardhje por pastaj edhe realizimi i këtij festivali. Sonte kishim kënaqësinë të dëgjojmë një koncert të jashtëzakonshëm maestral, me një energji të tingujve. Orkestra e Filarmonisë së Kosovës ka tingëlluar si Filharmoni e ndonjë shteti të Evropës, mund të them se sonte jemi ndie si me qenë në Evrope e jo në Prishtine”, tha Lejla për KultPlus.
Ajo po ashtu shtoj që është shumë e kënaqur me bashkëpunimin e Filharmonisë së Kosovës, si dhe me tenorin shqiptar Josif Gjipali dhe pianistin dhe dirigjentin austriak, Stefan Valdar, e cila shtoi se është e mrekulluar me performancën e tyre.
“Sonte jemi shumë të kënaqur që edicioni i 10-të i
festivalit ka mbaruar me sukses me një dirigjent i cili dirigjon në orkestrat më
të mëdha në botë, dhe mund t’ju themi që jam mrekulluar me muzikimin e anëtarëve
të Filharmonisë së Kosovës, ishte një mrekulli e vërtet. Jam shumë e lumtur që
tenori Josif Gjipali ka pranuar të vij dhe ka kënduar vepra madhështore me zërin
e tij të jashtëzakonshëm. Shpresojmë që do të mund ta zhvillojmë këtë festival
edhe më tutje, jam falënderuese për çdo ndihmë që na është afruar dhe jam shumë
mirënjohëse e atyre që na kanë nderuar me prezencën e tyre”, u shpreh krejt për
fund Lejla Pula.
Me këtë koncert madhështor, Chopin Piano Fest Prishtina e përmbylli suksesshëm këtë edicion me plot 16-të koncerte duke zbritur në skenë emra të njohur botërorë e vendorë të cilët kanë mrekulluar me interpretimin e tyre publikun kosovar për plot 16 net. / Gzim Mujaj / KultPlus.com
Krejt hapësira e Sallës së Kuqe ishte e mbushur me publik. Jo shumë larg tyre, vijnë instrumentistët e orkestrës së Filharmonisë së Kosovës. Duartrokitjet e mirëpresin dirigjentin amerikan Gregory Charette që tash e disa herë e dirigjon lojën e instrumentistëve nga po kjo skenë.
Ndryshe nga çdo koncert tjetër, skena ngadalë zhytet në errësirë që merr pak nuanca të së kuqes. Violina e Visar Kuçit është nikoqire e minutave të parë të koncertit, ai del nga ana e djathtë e perdeve e bën pak hapa larg saj. Brenda tre minutave harku i tij lëviz me goxha intensitet.
Pas kësaj, krejt vëmendja zhvendoset diku tjetër. Ndriçimi mbi partiturat e thyen pak pamjen e errët. Loja e harkorëve nis në zbërthim të veprës “Fratres” e kompozitorit estonian Arvo Part, vepër që është kompozuar për violinë dhe orkestër harqesh dhe perkusione. “Fratres” e kompozuar në vitin 1977 është vepër pa orkestrim fiks dhe përshkruhet si set hipnotizues i variacioneve në një temë, që kombinon aktivitetin e çuditshëm dhe heshtjen sublime. Tingujt që sjell kjo vepër deri në të sosur, mbrëmë shoqëruan një kapitull të dhimbshëm të luftës së Kosovës. Përmes muzikës, ato erdhën si ballafaqim me dhimbjen e zhgënjimin që vazhdon e rritet brenda mureve të familjarëve të të pagjeturve.
Ekrani i vendosur prapa instrumentistëve, i sjell shumë afër shprehjet e fytyrave të tyre që nuk dallonin, dukej sikur ato vetëm kalonin nga një personazh tek tjetri. Ka 20 vite që ndajnë pikëllimin e zhgënjimin e njëjtë. Fotografitë e Atdhe Mullës, përcjell me rrëfimet në formë titrash dukej sikur familjarët e të pagjeturve po e ndanin zbrazëtinë e tyre me secilin veç e veç.
Pamja e personazheve në fotografi, shoqëruar me muzikën e Part-it e bënë audiencën që ta ngrij shikimin në ekran, shumë prej tyre iu dorëzuan emocioneve që ngjallën këto video-ekspozita. Loja e Patris Berishës në përkusione, tingëllonte si trokitje e herë pas hershme në këtë kapitull të shoqërisë. Kur ekrani fiket, e dritat ndizen, dora e dirigjentit kishte mbetur si e ngrirë lart. Ndryshe nga pjesët tjera të koncertit, në pjesën e parë koka e tij qëndronte më shikimin poshtë, në formë përkulje për dhimbjen që shfaqej në ekranin përballë tij.
Video-ekspozitat janë prodhim i Intergra-s dhe forumZDF. Ato fillimisht qenë prezantuar në formatin e video-ekspozitave me fotografi të realizuara nga Atdhe Mulla dhe regji të Kushtrim Koliqit. Në shkurt të vitit 2019, këto fotografi u instaluan në një hapësirë institucionale (Kuvendi i Kosovës) ku dialogu për ta është domosdoshmëri dhe obligim për t’i dhënë fund pritjes së tyre të përhershme.
Drejtori i Integra-s, që ka bërë regjinë e video-ekspozitave, Kushtrim Koliqi tregoi se fillimisht ideja e këtij koncepti kishte ardhur nga menaxheri i Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj me të cilën kanë bashkëpunuar edhe më herët. Ai thotë se e kishin mirëpritur këtë ide pasi që qëllimi i tyre është që rrëfimet e trashëgimisë së luftës e njerëzve të pagjetur të arrijnë sa më pranë publikut dhe si të tilla duhet të tingëllojnë si kambanë për krejt shoqërinë.
“Puna jonë që ne e bëjmë për të pagjeturit, për trashëgiminë e luftës duhet që gjatë tërë kohës të tingëllojë si kambanë dhe neve kushdo që na jepë atë hapësirë, e shfrytëzojmë pozitivisht atë platformë. Në këtë rast Filharmonia e Kosovës është treguar shumë e ndjeshme dhe ka treguar një indikacion që shoqëria jonë edhe pas 20 vitesh nuk duhet më i harru disa borxhe që i kemi ndaj të kaluarës”, tha regjisori Kushtrim Koliqi për KultPlus.
Koliqi theksoi se edhe pse ka qenë vazhdimisht pjesë e realizimit të video-ekspozitave dhe e emocionojnë secilën herë, atmosfera që ngjalli kjo mbrëmë e ka bërë që t’i duket sikur ato po i sheh për të paren herë.
“Nuk e ndjejsha që unë i kam prodhuar ato, erdh një format dhe energji krejt tjetër që është e pakalkulueshme. Fuqia që erdh sonte mes Filharmonisë së Kosovës dhe videoekspozitave tona është e pamatshme dhe pakalkulueshme”, tha Koliqi për KultPlus.
“Nga errësira në dritë”
Pas veprës së parë, publiku kaloi në një dimension tjetër muzikor. Vepra “Koncert për alt saksofon dhe orkestër Op.26” e Paul Creston e solli Dardan Gjinollit si solit pranë orkestrës së Filharmonië. Vepra lëvizi në tri pjesë, tingujt e të cilave përshtateshin me identifikimin e tyre si: energjike, medituese dhe ritmike. Kjo vepër ishte goxha impenjative për solistin i cili për pothuajse gjysmë ore e solli atë me një frymë me orkestrën.
Gjinolli i
cili lëvizte varësisht nga tingujt që vinin nga instrumenti që mbante, jo dhe
rrallë mbizotëroi sallën. Ai po kthehej pas dhjetë vitesh për të bashkëpunuar
me Filharmoninë e Kosovës, ndërsa tha se duke qenë se vepra që interpretoi mbrëmë
njihet si më të vështirat për saksofon, atij i ka marrë mjaft shumë kohë e energji.
“Mund të them që kjo vepër më ka marrë rreth 6 muaj për ta sjell në këtë formë si erdhi sot por ka qenë një mbrëmje kur tërë mundi është shpërblyer. Koncerti ka qenë shumë i vështire por dua ta falënderoj edhe Filharmoninë e Kosovës që kanë bërë një punë të mrekullueshme dhe jam me fat që kjo mbrëmje e ka dirigjuar Gregory Charette”, tha Gjinolli për KultPlus.
Charette i cili dirigjoi këtë mbrëmje,
pak pas koncertit për KultPlus tha se këtë
mbrëmje do ta titullonte “Nga errësira në dritë”, pasi që përmes muzikës
tregohet se e kaluara nuk duhet të harrohet por gjithnjë duhet të ecësh kah e
ardhmja.
“Ka qenë shumë emocionuese të kalosh nga vepra
e parë në të dytën, ishte paska e vështirë
në aspektin psikologjik pasi që edhe fotograitë dhe teksti ishin shumë e
fuqishme dhe më pas u desh të kalonim në muzikën me saksofon që është më
ritmike”, tregoi Charett për KultPlus.
“Valle simfonike nga “Tregim nga perëndimi” është vepra e njohur Leonard Bernstein, që e kishte kompozuar mes vjeshtës së vitit 1955 deri në verën e vitit 1957, ndërsa premierën e parë e pati në 1957 në Ëashington. Pas një pauzë, orkestra e Filharmonisë së Kosovës u kthye përsëri në vend dhe goxha më e madhe në numër, krahasuar me veprën e parë kur nisi koncerti. Vepra erdhi me ritmike, duke sjell goxha gjallëri, ndërsa në fund të saj dirigjenti e bën edhe publikun pjesë të saj.
“Mendoj se energjia e audiencës këtu është shumë e veçantë, unë ndihem shumë i mirëseardhur këtu dhe po e them për të disaten herë se po ashtu ndihem shumë i lidhur me muzikantët. Veprat komunikuan shumë mirë me publikun sonte”, tha dirigjenti Charett për KultPlus.
Vepra e Bernestein-it kishte qenë një
shtytje që kompozitori Valton Beqiri mos ta humbiste këtë koncert. Pas përfundimit të koncertit, ai tha për KultPlus
se ky koncert është dalluar nga koncertet e tjera të Filharmonisë.
“Besoj që vepra e fundit e Bernsteinit është një vepër mjaft e vështirë sa i përket aspektit stilistik megjithatë mendoj se Filharmonia e Kosovës i ka realizuar me sukses edhe veprat e tjera, vecmas këtë të Bernsteinit. Kjo intencë e Filharmonisë të eksplorojë dhe ta sfidojë veten është e rëndësishme jo vetëm për publikun por edhe instrumentistët e Filharmonisë që në forma të ndryshme zhvillohen dhe jemi të gjithë dëshmitarë që Filharmonia e Kosovës po arrin nivelin e konsiderueshëm edhe stilistik dhe artistik”, theksoi Beqiri.
Filharmonia
e Kosovës sjell koncertin e radhës në fund të kësaj jave, më 10 mars duke
filluar nga ora 20:00 në sallën e kuqe të Filharmonisë së Kosovës./
KultPlus.com