Fazë e re e zhvillimit të Orkestrës filharmonike

Rafet RUDI

Parmbrëmë, në Sallën e Kuqe, si gjithmonë të stërnbushur me artdashës, u mbajt koncerti përmujor i radhës, i Orkestrës Simfonike të Filharmonisë së Kosovës. Dhe, siq ndodhë, kur bagetin e dirigjentit e mban Toshio Yanagisaëa, nominalisht dirigjent i Filharmonisë së Kosovës (!), rrjedha e Koncertit ishte me një‘tension’ të ngritur artistik-interpretues.

Si vepër e parë e programit ishin “Vallet polvetsiane” nga opera “Pinci Igor”, e përfaqësuesit më të veçuar të “pesëshes ruse”, dhe kompozitorit më “europian” të pesëshës nacionaliste ruse. Për çudi, kjo vepër ishte edhe vepra më e arrirë në këtëkoncert. Të gjithë sektorët e orkestrës ishin “ngjallur”, kësaj rradhe funksionin mirëedhe frymorët, merolet e tyre jo të lehta dhe shumë eksplicite për nga trajtimi solistik i tyre.

Në veprën e dytë të programit, në KoncertinA-dur K 488 të Moxartit, protogonist markant ishte pianistja e talentuar turke Yesim Gokalp, mysafire e festivalit Kamerfest, e cila merrte pjesënë kuadër të bashkëpunimit (tashmë rutinor) në mes të këtij festivali dhe Flilharmonisë. Ndonëse në kohën e parë, orkestra ishte larg elegancës karakteristike të koncerteve moxartiane, “kthesa” u bë në kohën e dytë. Solistja “intervenoi” shkëlqyeshëm në ekspozimin solistik të materialit tematik të fillimit të kësaj kohe. Ajo formuloi jashtëzakonisht bukur atmosferën intime, në momente edhe melankolike, dhe ndoshta më romantike të Moxartit, qoftë në frazim, qoftë në tingullin delikat dhe të përmbajtur pianistik të kësaj pjese, faqet e së cilës kanë mbetur emblematike dhe model për epokën (të mëvonshme) romantike. Në këto rrethana, edhe orkestra filloi të jetë më e kujdesshme dhe shumë më e thelluar në profilimin e situatave emotive të veçanta, gjë që nuk është është sferë e ambicieve të tyre interpretuese, dhe nuk është sferëdalluese e prezantimeve të saja të mëparshme. Allegroja e fundit (Koha III), ishte, fatlumsisht, shumë më e stabilizuar se koha e parë, plot gjallëri dhe më precize nga ana e orkestrës.
Vepra qendrore e programit ishte Simfonia Nr.1 e kompozitorit emblematik rus Pjetër Iliç Çajkovski. Këtë simfoni Çajkovski e shkroi si 26 vjeçar, dhe, ndonëse,kjo vepër përmban shumë pak nga stili e Çajkovskit të mëvonshëm (të ravizuar, sidomos në tri simfonitë e fundit, 4-6), ajo pa asnjë mëdyshje mban karakteristikën kryesore të tij – gjenialitetin e kompozitorit, shprehur qoftë në freskinë e temave, qoftë në orkestracionin e saj inventiv, qoftë në konceptimin simfonik të vet veprës. Do ta mbajmë në mend edhe për ballafaqimin e orkestrës, edhe me segmente virtuoze (te harkorët), siq ishte në kohën e katërt.

Shiquar në përgjithësi, ishte njëri prej prezantimeve të suksesshme të viteve të fundit, të Orkestrës sonë të vetme simfonike. Tashmëështë plotësisht evidente që Orkestra përfundimisht ka hy në një fazë të re të zhvillimit dhe sidomos të konsolidimit kadrovik, duke lënë prapa, atë situatë frustruese për jetën tonë muzikore, kur duhej të priteshin muziktarët (huazues) nga Filharmonia e Maqedonisë, për të filluar koncerti. Kjo fazë e re shumë më cilësore, duhet ta ketë vëmendjen, shumë më të madhe të përgjegjësve të kulturës, në drejtim të rregullimit të statusit material të anëtarëve të saj, që tash për tash, për këtë ansambël tonë kulminant, nuk është fare adekuat. Një anëtarë i shtëpisë sonë reprezentative të kulturës sonë të mos mund të jetojë nga të ardhurat primare të saja, është absurd i llojit të vet. Pastaj, si rrjedhojë e kësaj do të mendohej për pasurimin dhe zgjerimin programor të Orkestrës, rritjen kvantitive të koncerteve (që ato të jenë përdyjavshme e jo të përmuajshme), hapjen dhe lëvizjen e saj në qendra të mëdha europiane etj. Në këtë moment, dhe në këtë stad që Orkestra jonë ka arritur, ajo është e aftë dhe ajo plotësisht e meriton./KultPlus.com

Filharmonia e Kosovës nisi sezonin fuqishëm, solli në skenë solistë të kalibrit botëror

Të dy solistët morën duartrokitjet e merituara nga audienca kosovare, të cilën e vlerësuan edhe Nakariakov e Meerovitch. Për KultPlus, pianistja Maria Meerovitch, u shpreh se po ndihet e lodhur por shumë e kënaqur që ka punuar me këtë orkestër.

Sarandë Selimi

Nisi me kompozitorin Joseph Haydn-koncert për piano në të cilën luajti pianistja nga Belgjika, Maria Meerovitch bashkë me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës. Pastaj ishte kompozitori Pytotr Ilyich Tchaikovsky, koncert për flugelhorn ku interpretoi trumbetisti nga Izraeli, Sergei Nakariakov poashtu bashkë me orkestër. Pas këtyre interpretimeve të secilit solist me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës, skena tashmë ishte vetëm për duo-n Nakariakov dhe Meerovitch në një interpretim të mrekullueshëm me trumbetë e piano. Kjo pjesë solli një pauzë të shkurtër në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, duke u rikthyer fuqishëm vetëm Orkestra e Filharmonisë së Kosovës me simfoninë nr.3 të Johannes Brahms. Krejt këta tinguj që pushtuan Sallën e Kuqe erdhën nën dirigjimin e dirigjentit Boian Videnoff, për të cilin ishte hera e katërt që vjen në Kosovë.

Me këto vepra e këta solistë, Filharmonia e Kosovës nisi sezonin e ri, duke mbledhë rreth vetës, si çdo herë shumë artdashës për të cilët qëndrimi në këmbë nuk përbënte problem, pasi që, ulëset në këtë sallë ishin të pakta për ta. Mungesa e një sallë koncertale po i shkakton shumë problem në disa aspekte këtij institucioni, por sa i përket prurjeve të mëdha në këtë skenë nuk po është fare problem. Ndër artistët e mëdhenj që kanë interpretuar me Filharmoninë e Kosovës, ishte edhe ai i mbrëmjes së 1 tetorit, pra trumbetisti më në zë i kohës, virtuozi Sergei Nakariakov.

“Është kënaqësi për mua të shoh sallën e mbushur dhe të shoh njerëz shumë entuziast duke dëgjuar muzikë klasike. Fatkeqësisht në disa vende në Evropë, edhe pse mundohesh shumë, e ndjenë që audienca nuk po e merr atë energji, kurse këtu ishte ndryshe, më pëlqeu, ishte ndjenjë e mirë. Ne e dhamë më të mirën, bashkëpunimi me të gjithë ishte shumë special dhe krejt kjo ishte mbrëmje e këndshme”, tha Nakarikova për KultPlus, menjëherë pas përfundimit të koncertit i cili zgjati rreth 2 orë.

Të dy solistët morën duartrokitjet e merituara nga audienca kosovare, të cilën e vlerësuan edhe Nakariakov e Meerovitch. Për KultPlus, pianistja Maria Meerovitch, u shpreh se po ndihet e lodhur por shumë e kënaqur që ka punuar me këtë orkestër.

“Më vjen mirë që jam këtu, pasi që mund të shkëmbejmë edhe përvoja të ndryshme, gjë kjo që e bënë më të mirë këtë bashkëpunim. Pjesa me orkestrën që ishte nga Haydn është një pjesë që më pëlqen mua dhe e shijova. Gjatë provave jemi kënaq shumë me orkestrën që kanë qenë shumë të mirë dhe shumë të kuptueshëm mes vete. Ndërsa me Sergein kemi vite që punojmë bashkë dhe kemi luajtur shumë vepra bashkë, mos të them pjesën dërmuese të koncerteve që janë për trumbetë e piano, kështu që kësaj radhe ishte një rast tjetër që luajtëm së bashku, por kjo ishte e re për ne dhe e re për audiencën, sepse ishte hera e parë që luajmë para audiencën kosovare”, pohoi Meerovitch, e cila vazhdoi tutje të thotë që është e lumtur që është në këtë shtet të ri, dhe është e lumtur që po sheh njerëzit duke i dhënë dorën njëri tjetrit, dhe pikërisht kjo kësaj pianiste, siç thotë vetë ajo, i jep shpresë.

Dirigjenti Boian Videnoff, vjen për herë të katërt të dirigjojë Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës, e sjellja e Sergei Nakariakov në Kosovë, ishte pikërisht ide e tij dhe përpjekje e tij.

KultPlus bisedoi edhe me drejtorin e Filharmonisë së Kosovës, Baki Jasharin, i cili tha se ka qenë një koncert mjaft interesant dhe fati e deshi që këtë hapje të sezonës ta bëjë Sergei.

“Ka qenë një koncert mjaft interesant, për faktin që edhe orkestra u ballafaqua me një solist kaq të madh. Në anën tjetër edhe Maria, tregoi shkathtësi me lojën e saj. Besoj që publiku ynë është shumë në nivel dhe di të vlerësoj performancën e orkestrës dhe solistëve që defilojnë në filarmoni, dhe këtë e dëshmuan duartrokitjet”, u shpreh Jashari.

Deri në fund të vitit 2017-të, Filharmonia e Kosovës, do të realizoj edhe 5 koncerte të tjera. Koncerti i radhës i cili vjen këtë të enjte do të sjellë në skenë Korin dhe Orkestrën. Dirigjent i këtij koncerti do të jetë Astrit Pallaska, i cili për herë të parë sfidohet me Korin e Filharmonisë së Kosovës. Data e koncerteve të tjera janë: 31 tetor, 26 nëntor, 10 dhjetor dhe 23 dhjetor./ KultPlus.com

Filharmonia e Kosovës sonte hapë sezonin

Filharmonia e Kosovës sonte hapë sezonin me koncertin i cili do të mbahet në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sportit në kryeqytet, shkruan KultPlus.

Këtë koncert do ta dirigjojë Boian Videnoff i cili kthehet në Prishtinë për herë të katërt dhe tashmë është shndërruar në një mik të Filharmonisë së Kosovës.

Po ashtu, bashkë me të do të jenë edhe dy solistë mysafir të jashtëzakonshëm, pianistja Maria Meerovitch dhe trumbetisti më në zë i kohës, virtuozi Sergei Nakariakov.

Në program do të interpretohen vepra nga Haydn, Tchaikovsky dhe Brahms.

Filharmonia e Kosovës premton një nga koncertet që do t’i mbani mend gjatë.
Koncerti do të mbahet sonte më 1 tetor në ora 20:00 në Sallën e Kuqe, Prishtinë. / KultPlus.com

“Paganini i trumbetës” vjen në Prishtinë për hapjen e sezonit të ri të Filharmonisë së Kosovës

Trumbetisti më i dalluar i kohës Sergei Nakariakov do të vijë në Prishtinë për të hapur sezonin e ri të Filharmonisë së Kosovës, përcjellë KultPlus.

Institucioni më i lartë i muzikës në vend do të hapë sezonin e ri më 1 tetor me një koncert madhështor në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë. Izraeliti Sergei Nakariakov është një nga emrat më të dalluar të muzikës klasike në botë. Ardhja e tij në Prishtinë dhe interpretimi me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës tregon përkushtimin e këtij institucioni për ta bërë kryeqendrën kosovare “stacion” të paraqitjeve të emrave të kalibrit botëror përpara publikut kosovar.

Nakaraikov është instrumentist i cili ka thyer parashikimet e mundësive interpretuese në trumbetë dhe repertori i tij përfshinë gjithë spektrin e literaturës origjinale të shkruar për këtë instrument. Ai po ashtu në vazhdimësi luan adaptime mahnitëse duke qenë gjithmonë në kërkim të shprehjeve të reja muzikore. Me orkestrën e Filharmonisë së Kosovës Nakariakov do të interpretojë “Variacione mbi temën Rokoko” nga Tchaikovsky e krejt kjo nën urdhrat e dirigjentit Boian Videnoff. Bashkë me Nakariakov-in e Videnoff-in në hapjen e sezonit të ri në rolin e solistes do të paraqitet edhe pianistja belge Maria Meerovitch./KultPlus.com

Filharmonia e Kosovës paralajmëron koncertin për hapjen e sezonit të ri

Ndër eventet që priten me padurim nga publiku, janë edhe koncertet nga Filharmonia e Kosovës dhe pa humbur kohë tashmë është paralajmëruar koncerti i parë për hapjen e sezonit të ri, shkruan KultPlus.

Filharmonia e Kosovës do të hap sezonin e ri më datë 1 tetor me një koncert i cili do të mbahet në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sportit.

Këtë koncert do ta dirigjojë Boian Videnoff i cili kthehet në Prishtinë për herë të katërt dhe tashmë është shndërruar në një mik të Filharmonisë së Kosovës.

Po ashtu, bashkë me të do të jenë edhe dy solistë mysafir të jashtëzakonshëm, pianistja Maria Meerovitch dhe trumbetisti më në zë i kohës, virtuozi Sergei.

Në program do të interpretohen vepra nga Haydn, Tchaikovsky dhe Brahms.

Filharmonia e Kosovës premton një nga koncertet që do t’i mbani mend gjatë.

Koncerti do të mbahet më datë 1 tetor në ora 20:00 në Sallën e Kuqe, Prishtinë. / KultPlus.com