Filharmonia e Kosovës ka përmbyllur rrugëtimin e saj me koncerte të muzikës klasike në shtetin e Portugalisë, përcjellë KultPlus.
Në Lisbonë dhe Braga u interpretuan vepra të kompozitrëve botërorë dhe ‘Baresha’ e Rexho Mulliqit, nën dirigjimin e drejtorit të Filharmonisë, Baki Jashari.
‘Pas Lisbonës, qyteti verior Braga ishte stacioni i së mërkurës mbrëma. Publiku portugez përjetoi bukurinë e muzikës shqiptare përmes interpretimit të “Bareshës” së Rexho Mulliqit në orkestrim të Gridi Krajës dhe premierës evropiane të kantatës “Rrugëtimi” nga Valton Beqiri. Nën dirigjimin e Baki Jasharit, Kori dhe Orkestra në pjesën e dytë të koncertit interpretuan fragmente nga “Njeriu i armatosur: Meshë për paqe” e kompozitorit Karl Jenkins duke krijuar kështu një përvojë të paharrueshme për publikun portugez.’, thuhet në postimin e Filharmonisë në facebook./KultPlus.com
105 pjestarë të korit dhe Filharmonisë së Kosovës kanë performuar vepra nga kompozitorët shqiptarë dhe të huaj, në Qendrën e Kulturës Belém, në kuadër të Javës së Kulturës së Kosovës në Portugali, përcjellë KultPlus.
Disa nga veprat me të cilat u paraqit Filharmonia e Kosovës në Lisbonë janë: ‘Baresha’ e Rexho Mulliqit, kantata ‘Rrugëtimi’ nga Valton Beqiri, “Njeriu i Armatosur: Meshë për Paqe’ e Karl Jenkins dhe për nder të pritjes nga ana portugeze, performuan këngën ‘Canção do Mar’.
Performanca e radhës e Filharmonisë do të mbahet me datën 22 mars, në Katedralen e Bragës, ka njoftuar Filharmonia e Kosovës në faqen e saj në facebook.
Këto ditë Filharmonia e Kosovës ka shënuar 100 vjetorin e lindës së kompozitorit Rexho Mulliqi me një koncert mahnitës në Prishtinë.
Përndryshe Filharmonia e Kosovës vitin 2023 e ka shpallur vit të Rexho Mulliqit, dhe gjithë aktivitetin e saj vjetorë do ta fokusojë në interpretimin e veprave të kompozitorit Mulliqi.
Postimi i plotë i Filharmonisë së Kosovës në facebook:
Paraqitje e mahnitshme e Filharmonisë së Kosovës në Lisbonë
105 pjesëtarë të korit dhe orkestrës së Filharmonisë së Kosovës performuan sonte në Qendrën e Kulturës Belém. U interpretuan vepra ‘Baresha’ e Rexho Mulliqit, kantata ‘Rrugëtimi’ nga Valton Beqiri, “Njeriu i Armatosur: Meshë për Paqe’ e Karl Jenkins dhe për nder të pritjes nga ana portugeze, performuan këngën ‘Canção do Mar’.
Ky koncert shumë i veçantë që po mbahet në kuadër të Javës së Kulturës së Kosovës në Portugali u prit tejet mirë nga publiku.
Performanca e radhës e Filharmonisë do të mbahet me datën 22 mars, në Katedralen e Bragës. /KultPlus.com
Festa e Nëntorit ka bashkuar në Tiranë dy institucione qendrore të kulturës, Filharmoninë e Kosovës dhe Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit – Tiranë, në shënim të përbashkët të 110 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Me titullin “Dua më shumë Shqipërinë”, mbrëmë në sheshin “Nënë Tereza” u mbajt koncerti me vepra të përzgjedhura të literaturës muzikore shqiptare.
Kori i Filharmonisë, Kori e Orkestra e TKOB dhe Kori i fëmijëve në drejtimin e dirigjentit Dritan Lumshi dhe me pjesëmarrjen e solistëve nga Shqipëria dhe Kosova: Josif Gjipali (tenor), Kastriot Tusha (tenor), Vikena Kamenica (mexosoprano), Adelina Paloja (soprano), Besa Llugiqi (soprano), Liridon Sadriu (tenor), Xhieldo Hyseni (bas) dhe aktorit të mirënjohur Mirush Kabashi përpara qindra të pranishmëve sollën emocione me programin e përzgjedhur. /KultPlus.com
Violinisti me famë botërore, e anëtar i Filarmonisë së njohur të Vjenës, Shkëlzen Doli, do të marrë pjesë në një koncert të madh në Spanjë, konkretisht në qytetin e Barcelonës, shkruan KultPlus.
Përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”, Doli e bëri të ditur lajmin që do të marrë pjesë në një koncert në Barcelonë.
“Më datë 15 dhe 16 dhjetor në Asamblen Filharmonike të Spanjës”, shkroi ai.
Me disa fotografi të publikuara, shihet edhe fytyra e Shkelzen Dolit, që ka bërë emër në Filarmoninë e njohur të Vjenës. /KultPlus.com
“Katër stinët” e Vivaldit rishkruar me të dhënat për klimën: Sinjal që duhet dëgjuar
Orkestra e Filharmonisë së Kosovës sjell rishkrimin e veprës së njohur të muzikës klasike si thirrje ndërgjegjësimi për krizën klimatike dhe frymëzim për aktivizimin.
E titulluar “For Seasons” (Për stinët), partitura muzikore u krijua nga muzikantët e NDR Elbphilharmonie në Hamburg, inxhinierë zëri, zhvillues softuerësh dhe aranzhues muzikorë. Të dhënat klimatike që datojnë prej vitit 1725 u përdorën për të ndërtuar një algoritëm i cili më pas u shfrytëzua në “Katër stinët” e Antonio Vivaldit, duke rezultuar me pjesën e re – “të shtrembëruar”, por reflektuese e fakteve mbi ndryshimet klimatike.
Siç përshkruhet nga krijuesit e pjesës së re, “të dhënat klimatike që shpërfaqin 300 vjet të lirimit të dyoksidit të karbonit në nivel global, janë shpërndarë përgjatë kohëzgjatjes së veprës: sa më e lartë të jetë vlera e dyoksidit të karbonit, aq më e gjatë është vlera e notave muzikore. Meqenëse lirimi i dyoksidit të karbonit është vazhdimisht në rritje, koha e fundit e veprës, “Dimri”, tingëllon gjithnjë e më e dhunshme dhe intensive.
“Vepra ‘For Seasons’ ka rezultuar nga iniciativa e muzikantëve të “NDR Elbphilharmonie” dhe Jung von Matt Spree dhe bazohet në një kompozim nga Simone Candotto (NDR Elbphilharmonie Orchester), Christian Rühle (Markenfilm Space), Fernando Knof dhe Felipe Sanche. – Luna (KlingKlangKlong), Sven Rebholz dhe Inka Weigl (Jung von Matt Spree GmbH).
Koncerti mbahet në Sallën e Kuqe duke filluar nga ora 19:00. / KultPlus.com
Filharmonia e Kosovës sezonin për këtë vit do ta vazhdoj në Maqedoninë e Veriut, me Korin e Filharmonisë së Kosovës, shkruan KultPlus.
Kjo është bërë e ditur nëpërmjet një postimi në Facebook, nga faqja zyrtare e Filharmonisë së Kosovës ku shkruhet se ky koncert në kuadër të sezonit 2021/2022, do të mbahet sot në Filharmoninë e Maqedonisë – Salla e koncerteve në Shkup, duke filluar nga ora 18:00.
Numri i pjesëmarrësve që mund të marrin pjesë në koncert është i kufizuar.
Për të rezervuar vendin tuaj, shkruani në [email protected] me titullin / Rezervim 16.10.2021 – Emri / Mbiemri.
Përmes një e-maili ju mund të rezervoni maksimumi dy vende.
Për shkak të masave për të parandaluar përhapjen e Covid-19, mbajtja e maskës është e detyrueshme. / KultPlus.com
Koncerti i fundvitit nga Filharmonia e Kosovës do të jetë dedikuar bilbilit kosovar që e bëri tok shpirtin me muzikën, Nexhmije Pagarushën, shkruan KultPlus.
“Në kujtim të Nexhit” është emri i koncertit të së shtunës më 19 dhjetor, përgjatë së cilës përmes artit do të lartësohet Pagarusha. Mirëpo, për shkak të hapësirës së duhur të interpretimit, Filharmonia e Kosovës do të detyrohet që koncertin në Sallën e Filharmonisë Maqedonase në Shkup, duke filluar nga ora 17:00.
Përgjatë koncertit i cili do të mbahet me numër të kufizuar të pjesëmarrësve, do të interpretohen vepra nga Rexho Mulliqi, Çesk Zadeja, Avni Mula, Lorenc Antoni, Palok Kurti, Kristo Kono, Rauf Dhomi, nën orkestrimin e Valton Beqirit, Kreshnik Aliçkajt dhe Gridi Krajës.
Në anën tjetër, me zërat e tyre të pranishëm nën dirigjimin e Gridi Krajës do të jenë solistet Adelina Paloja – soprano, Ardita Ukaj – soprano, Arta Jashari – soprano, Besë Krasniqi – mexosoprano, Dea Hamdiu – alto, Diellza Sylejmani – alto, Elikonë Hysaj – mexosoprano, Ilvije Dragusha – Murtezaj – soprano, Kaltrina Miftari – soprano, Selvije Marteti – Xhemshiti – soprano, Shkurtë Hykaj – soprano.
Ky koncert organizohet nën mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com
Filharmonia e Kosovës ka mbajtur konferencë shtypi në lidhje me koncertin e radhës të Orkestrës së Filharmonisë, me dirigjentin eminent polak, Dariusz Mikulski, koncert ky i cili do të mbahet me datën 27 të këtij muaji, nga ora 20:00 më sallën e kuqe në Pallatin e Rinisë.
Drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari, tha se ky koncert i kushtohet kompozitorit Wolfgang Amadeus Mozart. Ai tha se është i kënaqur me punën dhe përfaqësimin që po i bëhet Filarmonisë së Kosovës.
” Me datë 27 janar Filharmonia do të mbajë koncertin e dytë. Ky koncert i kushtohet kompozitorit Moxart, do të jenë tri vepra të Moxartit dhe një vepër premier e Enjott Schneider. Jemi të kënaqur që gjatë kësaj jave kemi bashkëpunuar me këta muzikantë të mrekullueshëm të cilët kanë promovuar një mënyrë tjetër të punës që ngrit punën e Filharmonisë së Kosovës”, tha Jashari.
Dariusz Mikulski, dirigjent i këtij koncerti që pritet të mbahet, tha se kanë përfunduar provat gjenerale dhe ideja për t’ia kushtuar këtë koncert Moxartit ishte sepse atë e konsideron gjeni.
” Ne përfunduam provën gjenerale sot, unë jam për herë të parë këtu, e dua punën dhe orkestrën. Ne vendosëm për t’ia kushtuar këtë koncert Moxartit sepse ai është gjeni. Ne e bëmë simfoninë e tij të fundit. Ne vendosëm në këtë ditë speciale të kemi premierë një muzikë paqeje. Gjatë bashkëpunimit unë pash se keni studentë fantastikë, faleminderit shumë për thirrjen, faleminderit për muzikën fantastike”, u shpreh ai.
Solisti Otto Sauter tha se gjendet në Prishtinë për herë të tretë dhe është shumë i lumtur që prap do të marr pjesë në këtë koncert.
” Është hera ime e tretë në Prishtinë. Jam shumë i lumtur që mund te jap një intervistë.Është një gjë shumë e mirë që një shtet i ri si Kosova ka talentë të ri si këto vajza speciale dhe kjo është një arsye pse unë dua të prezantojë para jush. Ato kanë ushtruar nga ora 5:45 në mëngjes deri në orën 20:00 në mbrëmje”, tha ai.
Studentja Jona Dizdari tha se kanë mësuar shumë nga solisti Otto Sauter, raporton Ekonomia Online.
“Falënderojë profesorin pasi na ka bërë të kuptojmë shumë nga ky instrument i veçantë”, tha ajo.
Hyrja në koncert do të jetë me bileta. Ato shpëndahen falas tek ndërtesa e Filharminsë së Kosovës./ KultPlus.com
Katërqind veta do t’i sigurojnë ulëset në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, me biletë falas, për ta dëgjuar koncertin me të cilin Filarmonia e Kosovës e nis vitin 2019. Me këtë, ky institucion për të dytën herë do ta testojë sistemin e biletarisë. Deri në shtator paralajmërohet që biletat e koncerteve të Filarmonisë së Kosovës të bëhen me pagesë.
Për të parën herë sistemin e biletarisë ky institucion e kishte testuar në vitin 2012, për ta ndërprerë për shkak të mosfunksionimit. Asokohe çmimi i biletës kushtonte pesë euro.
Baki Jashari, drejtor i Filarmonisë së Kosovës, ka thënë se për koncertin e së dielës mbrëma – në bashkëpunim me “Tingujt e flautit” që me këtë koncert hap edicionin e nëntë – biletat janë falas. Sipas njoftimit të bërë publik edhe në rrjete sociale, biletat mund të tërhiqen në objektin e Filarmonisë së Kosovës dhe posedimi i tyre është i obligueshëm për hyrje në koncert. Një person mund të tërheqë vetëm dy bileta./ koha.net/ KultPlus.com
Qeveria e Kosovës ka miratuar Koncept Dokumentin për Filharmoninë, Operën dhe Baletin e Kosovës.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, thotë se ky dokument është mundësi e adresimit dhe trajtimit adekuat të tyre.
“Në funksion të përkrahjes dhe avancimit të sektorit kulturor ka paraparë një varg angazhimesh, duke parë rëndësinë e avancimit të fushës ligjore,” është shprehur Gashi në mbledhjen e Qeverisë, raporton Gazeta Alo. Përfaqësues të këtyre institucioneve kulturore ende nuk kanë marrë trajtimin adekuat në lidhje me funksionimin e tyre pavarësisht kërkesave të vazhdueshme./ KultPlus.com
Ndër eventet që priten me padurim nga publiku, janë edhe koncertet nga Filharmonia e Kosovës dhe pa humbur kohë tashmë është paralajmëruar koncerti i parë për hapjen e sezonit të ri, shkruan KultPlus.
Filharmonia e Kosovës do të hap sezonin e ri më datë 1 tetor me një koncert i cili do të mbahet në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sportit.
Këtë koncert do ta dirigjojë Boian Videnoff i cili kthehet në Prishtinë për herë të katërt dhe tashmë është shndërruar në një mik të Filharmonisë së Kosovës.
Po ashtu, bashkë me të do të jenë edhe dy solistë mysafir të jashtëzakonshëm, pianistja Maria Meerovitch dhe trumbetisti më në zë i kohës, virtuozi Sergei.
Në program do të interpretohen vepra nga Haydn, Tchaikovsky dhe Brahms.
Filharmonia e Kosovës premton një nga koncertet që do t’i mbani mend gjatë.
Koncerti do të mbahet më datë 1 tetor në ora 20:00 në Sallën e Kuqe, Prishtinë. / KultPlus.com