Filigrani, magjia e artizanëve shkodranë dhe origjina e këtij arti

Edhe pse nuk kanë kaluar shumë vite qëkur artizanët shkodranë arritën të pasuronin me virtuozitetin e tyre krijues galerinë etnografike shqiptare, edhe pse teknologjia e ka përsosur dhe automatizuar punën në krijimet artistike, këto magji nuk janë përsëritur.

Këto çanta, kjo tabaka, kjo kuti bizhuterish dhe kjo kupë filigrani e Shkodrës, e prezantuar në një botim të vitit 1986, natyrisht pjesë e një larmie objektesh të tjera të dala nga duarartët shkodranë, janë një tregues i vlerësimit të së bukurës dhe aftësisë së zotërimit të kësaj zeje.

Ndërmarrja Artistike Shkodër, e cila sot është një mëmuar nën rrënojat e kujtesës ka prodhuar ekzemplarë të mahnitshëm duke u bërë një dëshmitar i talentit të artizanëve të këtij qyteti, mjeshtrave që mbajtën në këmbë një traditë dhe pasuruan imazhin etnografik shqiptar. Mjeshtrit e këtij qyteti kanë mahnitur me punët e tyre në filigran, ar dhe argjend.

Stolitë dhe suveniret, gjithë ajo gamë e gjerë e promovimit të vlerës dhe konsiderimit të së bukurës erdhën dhe mbeten një shfaqje spektakolare e virtuozitetit krijues.

Siç e dini, Filigrani është punim dore me kombinim të fijeve të holla dhe kokrrave të argjendit. Çdo detal punohet me dorë me mjeshtri të të menduarit dhe të përpunimit të dizajnit. Fjala filigran rrjedhë prej gjuhës latine: filium- fije dhe granum- kokra, domethënë punim me fije dhe kokërr.

Filigrani është punim dore me kombinim të fijeve të holla dhe kokrrave të argjendit. Kjo zeje ka gjetur interesim dhe mbetet një vijues tradite, në Shkodër, si vendi i origjinës shqiptare për të patur një rol paraprijës në Prizren dhe Gjakovë, atje ku shkoi dhe mbeti dhe ku sot ka mjeshtrat e saj.

Telish (filigrani) është arti i argjendarisë me fije të holla ari ose argjendi i bërjes së sendeve tredimensionale duke krijuar motive të ndryshme. Ky është një artizanat që ka lindur dhe është zhvilluar në provincën Mardin të Anadollit. Mjeshtëri e përgatit vet me dorë çdo lloj materiali që ai do të përdorë gjatë punimit telish.

Pasi të kenë përfunduar të gjitha veprimet, mjeshtri në një vend të rëndësishëm të veprës shkruan datën dhe vendos firmën e tij. Procesi i punimeve të imta zbukuruese dhe i shkëlqimit vazhdon ende të ruhet si një traditë e mjeshtërve të paktë në numër që kanë mbetur në Mardin.

Sipas gjetjeve arkeologjike e kaluara e telishit shkon deri në 3 mijë vjet p.e.s. Kjo degë e artit tradicional ka mbërritur deri në ditët tona nga asirianët që kanë jetuar në Mesopotami. Në kohën e osmanlinjve telishi preferohej shumë dhe në ato kohëra pranohej si një degë arti që identifikohej me asirianët.

Deri në kohët e fundit vlente e njëjta gjë, por në periudhat e mëvonshme krahas asirianëve edhe myslimanët filluan që të interesohen me këtë lloj arti.

Sot, të vetmit që e konsiderojnë këtë art, këtë traditë, janë të kurajshmit e turizmit kulturor, ata, të cilët së bashku me talentin dhe magjinë e duarve të tyre, shesin botës së qytetëruar edhe copëza nga shpirti ynë, nga ajo pasuri që ishte dhe do të mbetet vitale dhe dehëse./albertvataj/KultPlus.com

“Filigrani përtej Artizanatit”

OJQ EC Ma Ndryshe ka nisur zbatimin e projektit “Filigrani përtej Artizanatit”, financuar nga projekti “Dialogu ndërmjet komuniteteve përmes ruajtjes gjithëpërfshirëse të trashëgimisë Kulturore”, që implementohet nga UNDP dhe financohet nga Instrumenti i Bashkimit Evropian që kontribuon për Stabilitet dhe Paqe (IcSP).

Në kuadër të këtij projekti në Prizren ka filluar cikli i parë i trajnimit për aftësim në artizanatin e Filigranit. 15 aplikantë të përzgjedhur nga thirrja e parë, në mesin e të cilëve ka edhe pjesëmarrës nga Komunat e Rajonit të Prizrenit, gra dhe të rinjë dhe përfaqësues të komuniteteve të ndryshme të cilët do të aftësohen nga filigranistët e Shoqatës ”Filigrani” në një periudhë 8 javore. Paralelisht EC ka hapur edhe thirrjen e radhës për ciklin e dytë të trajnimit, nga ku do të përzgjedhen përsëri 15 aplikantë të tjerë të cilët do të vijojnë trajnimin për aftësim në artizanatin e Filigranit. 5 aplikantëve më të suksesshëm nga grupi i parë dhe i dytë i trajnimit do t’iu ofrohet punë praktike me pagesë në një periudhë 6 mujore, me mundësi punësimi në të ardhmen pranë ndërmarjes Filigrani.

Projekti është dizajnuar në atë mënyrë që t’i përgjigjet nevojës për mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore jomateriale të Kosovës. ”Filigrani përtej Artizanatit” është projekt 10 mujor gjatë të cilit përpos aftësimit të 30 personave në artizanatin e Filigranit dhe ofrimit të mundësisë së punës praktike për 5 persona, përfshin edhe një sërë aktivitetesh të tjera me qëllim të dokumentimit, promovimit dhe transferimit të shkathtësive të kësaj zeje tek gratë dhe të rinjtë.

”Filigrani përtej Artizanatit” synon të ndërtojë besimin dhe bashkëpunimin ndërmjet komuniteteve përmes një platforme për shkëmbimin e informacionit dhe njohurive. Gjatë zbatimit të projektit aktivitetet kryesore do të jenë: Punëtoritë e trajnimit mbi Filigranin, Programi i Praktikës, Zhvillimi i kornizës strategjike, Ueb-platforma, Dokumentari mbi Filigranin dhe Panairi i Filigranit. Ruajtja e artizanateve të cilat janë nën kërcënim duke angazhuar të rinjtë dhe gratë përbën thelbin e aktiviteteve që do të zhvillohen në kuadër të këtij projekti.

Projekti i EC Ma Ndryshe “Filigrani përtej artizanatit” është financuar nga projekti “Dialogu ndërmjet komuniteteve përmes ruajtjes gjithëpërfshirëse të trashëgimisë Kulturore”, qe implementohet nga UNDP dhe financohet nga Instrumenti i Bashkimit Evropian që kontribuon për Stabilitet dhe Paqe (IcSP). /KultPlus.com

Filigrani i Kosovës promovohet në Londër

Ambasadori i Kosovës në Londër, Lirim Greiçevci ka mirëpritur humanisten Elizabeth Gowing, e cila i ka kushtuar një libër të tërë filigranit për ta promovuar pikërisht këtë zeje të vjetër dhe shumë të veçantë, shkruan KultPlus.

“Kënaqësi ta kemi mysafire në ambasadë, humanisten Elizabeth Gowing, për ta promovuar filigranin e Kosovës, një zeje e vjetër dhe shumë e veçantë në Kosovë. Elizabeth i ka kushtuar një libër të tërë kësaj zeje të rrallë”, ka shkruar ai.

Tutje ai ka treguar se është krenar që po mbështet plasimin e produkteve kosovare në këtë rast filigranit në Britani të Madhe.

“Jam krenar që ndihmuam në nisjen e fushatës humanitare për mbledhjen e fondeve për ta mbështetur plasimin e produkteve të bukura të filigranit të Kosovës në Britani të Madhe dhe në vende të tjera, përmes shoqatave të grave shqiptare në Janjevë si dhe atyre rome, ashkali, egjiptiane në Fushë Kosovë”, ka shkruar ai.

Ambasadori Lirim Greiçevci ka njoftuar se të gjitha të hyrat do t’iu shkojnë këtyre grave duke theksuar se ky është një projekt që ai e përkrah pa rezervë sepse përmes tij promovohet Kosova dhe produktet e saj jashtë vendit.

Të gjithë ata që duan të kontribuojnë online, këtë mund ta bëjnë në linkun më poshtë. / KultPlus.com

https://www.kickstarter.com/projects/465131942/silver-threads-in-kosovo/