Shkodrani Filip Shiroka ishte një nga poetët klasik të Rilindjes, poezia e të cilit do të bëhej e njohur më vonë. Poezia kombëtare, satirike dhe meditative e Shirokës në gjuhën shqipe, u shkrua kryesisht nga 1896 deri më 1903. Poezia e Filip Shirokës, e frymëzuar nga poetë romantikë francezë e italianë të fillimit të shekullit të nëntëmbëdhjetë, si Alfred de Mysé (1810-1857), Alfons de Lamartin (17901853), dhe Tomaso Grosi (1790-1853), të cilët ai i lexoi në kohë të rinisë në Shkodër, nuk mbulon ndonjë gamë tematike apo leksikore të veçantë dhe nuk është e gjitha me nivel letrar, ndonëse kjo e fundit vlen pa dyshim të thuhet për shumë poetë të Rilindjes. Shiroka mbahet mend si lirik thellësisht emocional e si poet me gjuhë të pastër, i zhytur me mish e me shpirt në fatin vetiak e në atë të atdheut të largët. Bashkudhëtare në veprën e tij është tema e mallit për vendlindjen. Ndoshta më e mirënjohura e më tipikja nga vjershat e tij është Shko dallndryshë, një poezi e mbushur plot mall e trishtim:
U lind më 1859 në Shkodër, i biri i Ejll (Engjëll) Shirokës dhe i Rozes së Ndoc Heqimit. Mësimet fillore i mori tek etërit françeskanë, ndër mësuesit e tij qe edhe arbëreshi At Leonardo de Martino. Gjatë ngjarjeve të Lidhjes së Prizrenit, u dërgoi javë për javë artikuj gazetave italiane L’osservatore triestino dhe Il Piccolo, përmes të cilave u bëri të ditur opinionit italik paudhësitë në pësonin në kurriz shqiptarët nga Mbretënija e Stambollës qi ndigjonte fjalët e anmiqve t’onë (dhe anmiqve të vet). Në letrat me Sotir Kolean, Shiroka pohonte se ka qenë “përgjegjësi i fletoreve L’Osservatore Romano dhe La voce della verità dhe se kishte shkruajtur shumë edhe tek Osservatore Triestino dhe Il Cittadino që botoheshin në Trieste.
Më 1880, pas dështimit të Lidhjes së Prizrenit, emigroi në Lindjen e Afërt, ku punoi si inxhinier ndërtimi hekurudhash. Atje formoi familje me një grua të huaj dhe u trashëguan me djalë, të cilit i dha emrin e të atit, Engjëll dhe një vajzë, Alice. Megjithatë, me anë të letërkëmbimeve me të afërmit e tij interesohej për gjendjen e vendlindjes dhe risitë e emërimeve në dikasterit e shtetit të pavarur shqiptar. Nga letërkëmbimi i tij, mund të kuptohen vendqëndrimet e përkohshme sa në Liban, sa në Misir. Më 14 shtator 1892, nga një letër dërguar Faik Konicës, kuptohet se është në Beirut.[6] Më 1900 u kthye në Shkodër për pak kohë.
Më 8 gusht 1911 gjendej në Kairo, dhe po në atë periudhë në një letër dërguar Koleas në Aleksandri nga Asiuti, Shiroka përcjell se po merrej vesh me autoritetet hekurudhore që të vendosej me banim në kryeqytetin e sotëm egjiptian. Më 29 prill 1912 në një letër dërguar po Koleas, kumton se e kishin diagnostifikuar anemik Sipas letërkëmbimit të tij, Shiroka gjendej në Kairo së paku deri më 15 janar 1921. Atë vit emërohet kryetar i shoqërisë “Vllazëria e shqiptarvet në Misir”. Më 9 dhjetor 1930 në një letër dërguar Zef Sumës, kumton se gjendet në Hadet, pranë Beirutit.[4] Vend ku priti edhe letrat e tjera nga kushëriri i tij.
Vepra Poema e parë e botuar ishte All’Albania all’armi, all’armi!, një poezi me theks luftarak kombëtar kushtuar mbrojtjes së Ulqinit[8] kur fuqitë e mëdha, pasi dështuan t’i jepnin Malit te Zi, Hotin e Grudën, vendosën t’ia kompensojnë me Ulqinin e Tivarin. U shkrua në italisht dhe u publikua në Osservatore Cattolico të Milanos më 1878. Vjersha u ribotua më 15 shtator 1886 me emrin e pendës Karolip Shifip në të përkohshmen Fiamuri Arbërit botuar nga De Rada.
Shiroka kishte letërkëmbim të gjerë me bashkëatdhetarët, si të vendlindjes me djalin e dajës Zef Sumën ashtu edhe të idealit kombëtar. Ndër figurat me të cilat ka shkëmbyer letra të cilat gjenden në fondin e tij në Arkivin e Shtetit, janë Faik Konica, Nikollë Ivanaj, Nikolla Naço, Andon Zako Çajupit dhe Leonidha Naço.
Poezia kombëtare, satirike dhe meditative e Shirokës në gjuhën shqipe u shkrua kryesisht nga 1896 deri më 1903. Ajo doli në organe shtypi si Albania e Faik Konicës, në periodikë shqiptarë që botoheshin në Egjipt, dhe në të përmuajshmen fetare të Shkodrës Elçija i Zemers t’Jezu Krisctit. Shiroka, i cili përdorte edhe pseudonimet Geg Postrippa dhe Ulqinaku, është autor i të paktën gjashtëdhjetë vjershave, tre tregimeve të shkurtra, disa artikujve e përkthimeve, sidomos përkthime veprash fetare të liturgjisë katolike. Më 1921 botoi Moji i të dekunve, në prozë, në Shtypshkronjën e të Papërlyemes në Shkodër. Në këtë vëllim, me gjuhë të thjeshtë dhe të ëmbël, shtjellon se ç’duhet të dijë një i krishterë i mirë për t’i ndihur shpirtërat e Purgatorit. Ndjesitë e veta fetare Shiroka i radhit që nga zanafilla: edukata dhe mirërritja që kishte marrë në gjirin e familjes.
Përmbledhja e tij poetike, Zani i zemrës, Tiranë 1933, të cilën e hartoi në zgrip të shekullit, u botua nga Ndoc Nikaj dy vjet para vdekjes së Shirokës në Beirut.
Kjo intervistë përmbledh dy bisedat që pata me Milan Kunderën pas leximit të një dorëshkrimi të përkthyer të “Libri i të qeshurës dhe harresës”, biseda e parë ndodhi në kohën kur vizitoi për herë të parë Londrën, e dyta kur bëri vizitën e parë në Shtetet e Bashkuara. Për këto udhëtime u nis nga Franca; që nga viti 1975, Kundera dhe e shoqja kanë jetuar si emigrantë, në Reennes, ku ai dha mësim në universitet dhe tani në Paris. Gjatë bisedave, Kundera nganjëherë fliste edhe frëngjisht, por më shumë çekisht dhe bashkështorja, Vera, bënte përkthyesen mes nesh. Një tekst përfundimtar në çekisht u përkthye në anglisht nga Peter Kussi.
Intervista është shkëputur nga: “Kuvendime të çlirëta: Një shkrimtar, kolegët dhe vepra e tyre” përmbledhje intervistash të romancierit Filip Roth me shkrimtarë të rëndësishëm të shekullit të 20-të. Ndër shkrimtarët e intervistuar janë Primo Levi, Aharon Appelfeld, Ivan Klima, Isaac Bashevis Singer, Milan Kundera dhe Edna O’Brien. Intervista me Kunderën u zhvillua më 30.11.1980.
Përktheu nga anglishtja Granit Zela
Filip Roth: Mendoni se shkatërrimi i botës do të ndodh së shpejti?
Milan Kundera: Kjo varet nga çfarë nënkuptoni me fjalën “shpejt”.
Nesër, ose pasnesër.
Ndjenja që bota po rend drejt shkatërrimit është e kahershme.
Pra, nuk ka arsye pse të shqetësohemi.
Përkundrazi. Nëse një frikë ka qenë e pranishme në mendjet e njerëzve për shekuj me radhë, patjetër që këtu ka diçka.
Sidoqoftë, më duket që ky shqetësim është sfondi ku ndodhin të gjitha ngjarjet e historive të librit tuaj më të fundit, edhe i atyre që janë me natyrë të dallueshme argëtuese.
Nëse dikush do të më kishte thënë që fëmijë: “Një ditë do ta shohësh kombin tënd të zhduket nga harta e botës, do ta kisha quajtur një lajthitje, diçka që nuk mund ta imagjinoja dot. Njeriu e di që është i vdekshëm, por për të është një e vërtetë e padiskutueshme që kombi zotëron njëfarë jete të përjetshme. Por, pas pushtimit rus në vitin 1968, çdo çek u përball me mendimin që kombi i tij mund të fshihej sakaq nga Europa, ashtu si gjatë pesë dhjetëvjeçarëve të kaluar 40 milionë ukrainas janë zhdukur nga kjo botë pa u ka kushtuar askush vëmendje. Ose lituanezët. E dini që në shekullin e 17-të, Lituania ishte komb i fuqishëm europian? Sot rusët i mbajnë lituanezët në rezervat si fis gjysmë i zhdukur; i kanë veçuar nga vizitorët për të mos lejuar që njerëzit jashtë të marrin vesh për ekzistencën e tyre. Nuk e di se çfarë do të sjellë e ardhmja për kombin tim. Është e sigurt që rusët do të bëjnë të pamundurën ta shpërbëjnë në civilizimin e tyre. Askush nuk e di nëse do t’ia dalin. Por, mundësia ekziston. Dhe vetëm kur e çojmë ndër mend që një mundësi e tillë ekziston, kaq mjafton që të të ndryshojë gjithë kuptimin për jetën. Në kohën e sotme, madje, unë e shoh Europën të brishtë, të vdekshme.
E megjithatë, a nuk janë fatet e Europës Lindore dhe asaj Perëndimore çështje krejtësisht të ndryshme?
Si koncept i historisë kulturore, Europa Lindore është Rusia, me historinë e saj tepër specifike, të ngulitur në botën bizantine. Bohemia, Polonia, Hungaria, ashtu si Austria nuk kanë qenë kurrë pjesë e Europës Lindore. Që në fillim ato kanë marrë pjesë në aventurën e madhe të qytetërimit perëndimor, me Gotikën, Rilindjen, Reformacionin, e cila e ka djepin në këtë zonë. Pikërisht këtu, në Europën Qendrore, kjo kulturë moderne pati shtysat e mëdha; psikanalizën, strukturalizmin, muzikën me dymbëdhjetë tone, muzikën e Bartokut, estetikën e re të veprave të Kafkës dhe Musilit. Aneksimi pas luftës i Europës Qendrore (ose të paktën i pjesës kryesore) nga qytetërimi rus bëri që kultura perëndimore të humbiste qendrën jetike të rëndesës. Është ngjarja më domethënëse në historinë e Perëndimit gjatë shekullit tonë dhe ne nuk mund të mos marrim parasysh mundësinë që fundi i Europës Qendrore shënoi fillimin e fundit për Europën si një dhe e pandarë.
Gjatë pranverës së Pragës, romani “Shakaja” dhe tregimet “Dashuri gazmore” u botuan 150.000 kopje. Pas pushtimit rus, u përjashtuat nga mësimdhënia në Akademinë e Filmit dhe të gjithë librat tuaj u hoqën nga raftet e bibliotekave publike. Shtatë vjet më vonë, bashkë me gruan futët në bagazhin e makinës një grusht libra, disa rroba dhe u nisët drejt Francës, ku jeni bërë një nga autorët e huaj më të lexuar. Si ndiheni si emigrant?
Për një shkrimtar, përvoja e te jetuarit në disa vende është një bekim i madh. Botën mund ta kuptosh vetëm nëse e sheh nga kënde të ndryshme. Libri i fundit që shkrova në Francë, shpalos një hapësirë të veçantë gjeografike: ajo që ndodh në Pragë shihen me sytë e europianëve perëndimorë, ndërkohë që çka ndodh në Francë shihet përmes syve të Pragës. Ka një pikëtakim të dy botëve. Në njërën anë, vendi im i lindjes: në rrjedhën e një gjysmëshekulli, me përjetimin e demokracisë, fashizmin, revolucionin, terrorin stalinist, shpërbërjen e stalinizmit, pushtimi gjerman dhe rus, shpërnguljet në masë, vdekjen e Perëndimit në tokën e vet. Ndërsa po fundoset nën peshën e historisë, botën e sheh me një skepticizëm të pamatë. Në anën tjetër është Franca: për shekuj me radhë ka qenë qendra e botës dhe sot po vuan nga mungesa e ngjarjeve të mëdha historike. Kjo është arsyeja pse Franca ngazëllehet nga qëndrimet ideologjike radikale. Është pritshmëria lirike, neurotike e një bëme të madhe, e cila gjithsesi nuk po ndodh dhe as ka për të ndodhur.
A jetoni në Francë si i huaj, apo kulturalisht ndiheni si në shtëpinë tuaj?
Jam shumë i dhënë pas kulturës franceze dhe i detyrohem shumë. Veçanërisht letërsisë më të vjetër. Rabële është shkrimtari më i dashur. Dhe Didëro. Më pëlqen shumë “Zhak fatalisti” po aq a Lorens Sterni. Ata ishin eksperimentuesit më të mëdhenj të të gjitha kohërave në gjininë e romanit. Dhe eksperimentet e tyre ishin zbavitëse, plot gëzim e hare, nëse mund ta themi kështu, por nuk i gjen më në letërsinë frënge dhe pa këto cilësi në art gjithçka e humbet domethënien e vet. Sterne-i dhe Didëro-i e kuptojnë romanin si një lojë të madhe. Ata zbuluan humorin e formës romanore. Kur dëgjoj argumente skolastike që romani i ka shteruar mundësitë e tij, unë kam ndjesinë krejt të kundërt: në rrjedhën e historisë, romani nuk shfrytëzoi shumë mundësi, për shembull: shtysat për zhvillimin e romaneve të fshehura te Sterne-i dhe Didëro-i nuk janë rimarrë nga pasuesit e tyre.
Libri juaj i fundit nuk quhet roman dhe megjithatë në tekst shpreheni: Ky libër është roman në formën e variacioneve. Pra, është roman, apo jo?
Sipas gjykimit tim estetik, është roman, por nuk dëshiroj që mendimi im të ndikojë në opinionin e askujt. Në brendi të formës romanore, fshihet një liri e pamasë. Është gabim ta shikosh një strukturë standarte si thelb i pandryshueshëm i romanit.
Megjithatë, me siguri që ka diçka e cila e bën romanin të jetë roman dhe që e kufizon këtë liri.
Një roman është një shkrim i gjatë sintetik në prozë mbështetur në lojën me personazhe të krijuar. Këta janë kufijtë e vetëm. Me termin “sintetik” kam ndër mend dëshirën e romancierit për ta ngërthyer temën nga të gjitha anët dhe në tërësinë më të plotë të mundshme. Eseja ironike, narrativa romanore, fragmenti autobiografik, fakt historik, fluturimi i fantazisë: fuqia sintetike e romanit është e aftë të kombinojë gjithçka në një tërësi të njësuar, si në muzikën polifonike. Uniteti i një libri nuk ka nevojë të burojë nga subjekti, por mund të arrihet nëpërmjet temës. Në librin tim më të fundit, ka dy tema të tilla: e qeshura dhe harresa.
E qeshura ka qenë përherë afër jush. Librat tuaj shkaktojnë të qeshurën nëpërmjet humorit ose ironisë. Kur personazhet tuaj fillojnë të brengosen, kjo ndodh sepse përplasen me një botë që e ka humbur sensin e humorit.
Vlerën e humorit e mësova gjatë kohës së terrorit stalinist. Atëherë isha 20 vjeç. Arrija ta dalloja këdo që nuk ishte stalinist, të cilit nuk duhej t’i trembesha, nga mënyra si buzëqeshte. Sensi i humorit ishte shenjë e besueshme dallimi. Që prej atëherë më tmerron një botë e cila po e humbet sensin e humorit.
Në librin tuaj të fundit, përfshihet diçka tjetër. Në një parabolë të vogël ju e krahasoni të qeshurën e engjëjve me të qeshurën e djallit. Djalli qesh, sepse atij bota e Zotit i duket e pakuptimtë. Engjëjt qeshin me gëzim, sepse gjithçka në botën e Zotit ka kuptimin e vet.
Po. Njeriu përdor të njëjtat reagime fiziologjike – të qeshurën – për të shprehur dy qëndrime të ndryshme metafizike. Dikujt i bie kapela mbi arkëmortin e futur në një varr të sapohapur, funerali e humbet kuptimin dhe lind e qeshura. Dy të dashuruar rendin nëpër lëndinë të kapur për dore dhe duke qeshur. E qeshura e tyre nuk ka fare të bëjë me shakatë apo humorin. Është e qeshura serioze e engjëjve që shprehin gëzimin e të jetuarit. Të dyja llojet e të qeshurit hyjnë te kënaqësitë e jetës, por kur tregon një apokalips të dyfishtë: si në rastin e të qeshurës entuziaste të engjëj fanatikë, të cilët janë aq të bindur për domethënien e botës së tyre, sa janë gati të dënojnë me varje këdo që nuk gëzon si ata. Dhe e qeshura tjetër, që dëgjohet nga ana e kundërt, e cila shpall se gjithçka është bërë krejt e pakuptimtë, që madje vetë funeralet janë qesharake dhe seksi në grup thjesht një pantomimë komike. Jeta njerëzore është e kufizuar nga dy humnra: nga njëra anë fanatizmi dhe nga ana tjetër skepticizmi absolut.
Ajo që ju tani e quani e qeshura e engjëjve, është termi i ri për një “qëndrim lirik ndaj jetës” në romanet tuaj të mëparshëm. Në një nga librat tuaj ju e përshkruani epokën e terrorit stalinist terror, si mbretëria e xhelatit dhe poetit.
Totalitarizmi nuk është vetëm ferri, por edhe ëndrra e parajsës – drama e lashtë e një bote ku të gjithë do të jetonin në harmoni, të bashkuar nga një qëllim dhe besim i përbashkët, pa sekrete nga njëri-tjetri. Edhe André Breton-i e ëndërronte për këtë parajsë kur fliste për shtëpinë prej xhami ku gjakonte të jetonte. Nëse totalitarizmi nuk d t’i shfrytëzonte këto arketipe, të cilat janë thellë brenda të gjithëve ne dhe të rrënjosura thellë te të gjitha fetë, nuk mund të tërhiqte kurrë aq shumë njerëz, veçanërisht gjatë fazave të para të ekzistencës së tij. Megjithatë, sapo ëndrra për parajsën fillon të bëhet realitet, aty-këtu njerëzit fillojnë të ngrenë pengesa dhe kështu udhëheqësit e parajsës duhet të ndërtojnë një gulag të vogël përbri Edenit. Me kalimin e kohës ky gulag rritet gjithnjë e më i madh dhe më i përsosur, ndërkohë që parajsa përbri bëhet gjithnjë e më e vogël dhe e varfër.
Në librin tuaj, poeti i madh francez, Elyar, ngrihet mbi parajsë dhe gulag duke kënduar. A është origjinale kjo pjesë historie që përmendni në libër?
Pas luftës, Pol Eluard hoqi dorë nga surrealizmi dhe u bë përfaqësuesi më i madh të asaj që mund ta quaj “poezia e totalitarizmit.” Ai i këndoi vëllazërimit, paqes, drejtësisë, të nesërmes më të mirë; i këndoi për miqësinë dhe kundër izolimit, për gëzimin dhe kundër errësirës, për pafajësinë dhe kundër cinizmit. Kur në vitin 1950, udhëheqësit e parajsës e dënuan me varje mikun e Elyarit në Pragë, surrealistin Zalvis Kalandra, Eluarld-i i ndrydhi ndjenjat e tij të miqësisë, për hir të idealeve mbi-vetjake dhe deklaroi publikisht miratimin për dënimin e shokut të tij. Xhelati vriste, ndërkohë që poeti këndonte. Dhe jo vetëm poeti. E gjithë periudha e terrorit stalinist ishte periudha e delirit kolektiv lirik. Kjo tashmë është harruar plotësisht, por është thelbi i çështjes. Njerëzve u pëlqen të thonë: Revolucioni është gjë e bukur, vetëm terrori që buron prej tij është i keq. Por, kjo nuk është e vërtetë. E keqja tashmë është e pranishme te e bukura; ferri është në ëndrrën për parajsën dhe nëse duam të kuptojmë thelbin e ferrit, duhet të shqyrtojmë thelbin e parajsës prej nga e ka zanafillën. Është jashtëzakonisht e lehtë të dënosh gulagët, por t’i kundërvihesh poezisë së totalitarizmit që të shpie drejt gulagut, përmes udhës së parajsës është më e vështirë se kurrë. Në ditët e sotme, njerëzit në mbarë botën e kundërshtojnë pa mëdyshje indenë e gulagëve, edhe pse janë ende të gatshëm të hipnotizohen nga poezia totalitariste dhe të marshojnë drejt gulagëve të rinj nën ritmin e të njëjtit avaz lirik të luajtur nga Elyari, kur u ngrit mbi Pragë, si kryeengjëlli madhështor me lirë, ndërkohë që tymi i trupit të Kalandrës u ngrit drejt qiellit nga oxhaku i krematoriumit ku digjej.
Te proza juaj duket karakteristike përballja e vazhdueshme e privates me publiken. Por, jo në kuptimin që historitë betjake ndodhin sfond politik, as që ngjarje politike kapërcejnë kufijtë e jetëve vetjake Përkundrazi, ju vazhdimisht tregoni që ngjarjet politike drejtohen të njëjtat ligje si ato të ngjarjeve vetjake, aq sa proza juaj është një lloj psikoanalize e politikës.
Metafizika e njeriut është e njëjtë, si në sferën vetjake, ashtu edhe në atë publike. Le të marrim temën tjetër: harresën. Ky është problem i madh vetjak i njeriut: vdekja si humbje e vetvetes. Por, çfarë është vetvetja? Shuma e gjithçkaje që mbajmë mend. Pra, ajo që na tmerron te vdekja nuk është humbja e së shkuarës. Harresa është një formë vdekjeje përherë e pranishme në jetë. Ky është problem i heroinës sime, e cila përpiqet gjithë dëshpërim të ruaj kujtimet nga i shoqi i saj i dashur. Por, harresa është problem i madh edhe i politikës. Kur një fuqi më e madhe do t’ia heqë një vendi të vogël ndërgjegjen kombëtare, ajo përdor harresën e organizuar. Pikërisht kjo po ndodh tani në Bohemi. Letërsia bashkëkohore çeke, për aq vlerë sa ka, nuk është botuar për dymbëdhjetë vjet. Dyqind shkrimtarë çekë janë të ndaluar, përfshirë të ndjerin Franz Kafka. Njëqind e dyzetë e pesë historianë çekë janë larguar nga postet që mbanin, historia është rishkruar, monumentet janë shkatërruar. Një komb që humbet vetëdijen për të kaluarën dalëngadalë humbet veten. Dhe kështu situata politike ka ndriçuar mizorisht problemin e zakonshëm metafizik të harresës me të cilën përballemi gjatë gjithë kohës, çdo ditë, pa i kushtuar vëmendje. Politika heq maskën metafizikës së jetës personale ndërsa jeta personale i heq maskën metafizikës së politikës.
Në pjesën e gjashtë të librit tuaj, heroina kryesore, Tamina, arrin në një ishull ku ka vetëm fëmijë. Në fund ata e ndjekin deri në vdekje. Është kjo ëndërr, përrallë, apo alegori?
Për mua asgjë nuk është më e huaj sesa alegoria, një histori e trilluar nga autori për të ilustruar një tezë. Ngjarjet, qoftë realiste apo imagjinare, duhet të jenë domethënëse në vetvete dhe mendohet që lexuesi të joshet nga fuqia dhe poezia e tyre. Ky imazh më ka përndjekur gjithmonë dhe gjatë një periudhe të jetës më dilte vazhdimisht në ëndërr: Një njeri i cili gjendet në një botë me fëmijë, nga e cila nuk ikën dot. Dhe papritur fëmijëria, të cilën të gjithë i këndojmë me tone lirike, dhe e adhurojmë, na shfaqet hapur si tmerr i mirëfilltë. Si kurth. Kjo histori nuk është alegori. Por, libri im është një polifoni në të cilën histori të ndryshme shpjegojnë, ndriçojnë dhe plotësojnë njëra-tjetrën. Ngjarja themelore e librit është historia e totalitarizmit, i cili i privon njerëzit nga kujtesa dhe në këtë mënyrë i shndërron në një komb fëmijësh. Këtë e bëjnë të gjitha sistemet totalitare. Dhe ndoshta këtë e bën edhe epoka jonë teknike, me kultin për të ardhmen, me moskokëçarjen për të shkuarën dhe mosbesimin ndaj mendimit. Në mes të një shoqërie të trazuar rinore, një i rritur i pajisur me kujtesë dhe ironi, ndihet si Tamina në ishullin e fëmijëve.
Pothuajse të gjithë romanet tuaja, secila prej pjesëve të librit tuaj të fundit, gjejnë zgjidhje në skena të mëdha aktesh seksuale. Edhe ajo pjesë që mban emërin e pafajshëm të “Nënës” është vetëm një skenë e gjatë me tri lloje aktesh seksuale, me prolog dhe epilog. Çfarë do të thotë seksi për ju si romancier?
Në ditët tona, kur seksualiteti nuk është më tabu, thjesht përshkrimi, rrëfimi thjesht seksual është bërë tejet i mërzitshëm. Sa i vjetëruar duket Lawrence, apo edhe Henri Miller, me lirizmin e veprimeve të pahijshme! E megjithatë, disa pjesë erotike të Zhorzh Batajt (George Bataille) më kanë lënë shumë përshtypje. Ndoshta sepse nuk janë lirike, por filozofike. Keni të drejtë kur thoni që tek unë gjithçka mbaron me skena të mëdha erotike. Kam ndjesinë që një skenë e dashurisë fizike hedh një dritë tejet të fortë, e cila papritur zbulon thelbin e personazheve dhe përmbledh gjendjen e jetës së tyre. Hygo bën dashuri me Taminën, ndërkohë që ajo përpiqet dëshpërimisht të mendojë për pushimet e humbura me të shoqin e dashur, tashmë të ndjer. Skena erotike është vendi ku synojnë të gjitha temat e historisë dhe ku ndodhen sekretet e saj më të thella.
Në fakt, pjesa e fundit, e shtata, merret vetëm me seksualitetin. Pse mbyllet libri me këtë pjesë e jo me një tjetër, si për shembull me të gjashtën, më dramatiken, në të cilën heroina vdes?
Tamina vdes, nëse shprehemi metaforikisht, mes të qeshurës së engjëjve. Nga ana tjetër, nëpërmjet pjesës së fundit të librit, jehon një tjetër lloj e qeshure, ajo që dëgjojmë kur gjërat humbasin kuptimin. Ka njëfarë vije ndarëse imagjinare përtej së cilës gjërat duken të pakuptimta dhe qesharake. Njeriu pyet veten: A nuk është e pakuptimtë për mua të ngrihem në mëngjes? Të shkoj në punë? Të rropatem për gjithçka? T’i përkas një kombi vetëm sepse kam lindur në atë mënyrë? Njeriu jeton afër këtij kufiri dhe fare lehtë mund të gjendet në anën tjetër. Ky kufi ekziston kudo, në të gjitha fushat e jetës njerëzore dhe madje në atë që është më e thellë dhe më biologjike nga të gjitha: seksualiteti. Dhe pikërisht, sepse është zona më e thellë e jetës, pyetja që shtrohet për seksualitetin është më e thella. Ja pse libri im i variacioneve nuk mund të përfundojë me tjetër variacion.
Atëherë, është kjo pika më e largët ku ka arritur ndonjëherë pesimizmi juaj?
Jam i lodhur me fjalët “pesimizëm” dhe “optimizëm”. Një roman nuk pohon asgjë; por hulumton dhe ngre pyetje. S’e di nëse kombi im do të zhduket, dhe as se cili nga personazhet e mi ka të drejtë. Unë trilloj histori, i vë përball njëra me tjetrën dhe kësisoj ngre pyetje. Marrëzia e e njerëzve vjen nga pyetjet që kanë për gjithçka. Kur Don Kishoti doli nëpër botë, bota u shndërrua në mister para syve të tij. Kjo është trashëgimia e romanit të parë europian për tërë historinë e mëvonshme të romanit. Romancieri mëson lexuesin të kuptojë botën si pyetje. Ky qëndrim mbart urtësi dhe tolerancë. Në një botë të mbështetur në siguri të shenjta, romani është i vdekur. Bota totalitare, qoftë e mbështetur te Marksi, qoftë tek Islami apo çdo gjë tjetër, është më shumë një botë përgjigjesh sesa pyetjesh. Aty, romani nuk ka vend. Në çdo rast, mua më duket se në të gjithë botën njerëzit në ditët e sotme parapëlqejnë më shumë të gjykojnë, se të kuptojnë, të përgjigjen më shumë se të pyesin, aq sa zëri i romanit mezi dëgjohet mes marrëzisë së zhurmshme të sigurive njerëzore./Exlibris/KultPlus.com
Filip Shiroka, është një poet i periudhës së vonë të romantizmit. Faik Konica ka pasur mendimin se “sonetet e tingëllueshme” të Filip Shirokës ia vlejnë të përmblidhen në një vëllim më vete. Edhe pse Konica shpreh një konsideratë të tillë të lartë (dhe këtë e thotë gati njëzet vjet pasi ishte shkëputur nga gazeta e tij Albania), Shiroka prapë për gjykimin e sotëm të studiuesve mbetet një poet modest. Shumë nga poetët e shkollës poetike të Veriut si Pjetër Zarishi, Leonardo de Martino dhe më pas të tjerë, si: Ndre Mjeda, Lazër Shantoja, Mark Ndoja, Arshi Pipa etj kanë lëvruar sonetin dhe kjo për arsye të formimit të tyre të veçantë kulturor.
Mbase ato çfarë e tërheqin Filip Shirokën drejt sonetit ishin thjeshtësia, madhështia e qetë, stoicizmi, forca dhe mençuria meditative, të cilat të çojnë mbi stuhitë emocionale romantike. Ideali i sonetit, sipas klasikëve dhe klasicistëve, ishte ideali i masës dhe i qetësisë që e angazhonin poetin për të dhënë tablo të qeta me tonalitete meditative. Mbi këto parime vijnë sonetet me natyrë përshkruese dhe filozofike të Shirokës, sonetet si: “Maji”, “Dimni” dhe ndonjë tjetër. Tipi tjetër i soneteve të tij, sonetet glorifikuese, lavdëruese i kanë më të qarta ndikimet nga drejtime letrare të klasicizmit dhe neoklasicizmit. Të një madhështie disi mě klasike janë sonetet mbi Skënderbeun, “Bota katolike”, “Shqypnija”, “Te Vorri i Skander Begut”, “Burri”.
Siç dihet, soneti për klasikët dhe përgjithësisht për neoklasicizmin, kërkonte pjesëmarrjen e mitiologjisë. Mitologjia i jepte thellësinë, dekoracionin madhështor, qetësinë fisnike, njëkohësisht forcën, qëndresën, stoicizmin. Klasicizmi i matur, i drejtpeshuar në këto tema ose tipe të sonetit me natyrë filozofike dhe natyrë glorifikuese, spikat ndjeshëm te Shiroka, që në fund të fundit, prapë mbetet një poet romantik. Mund të themi se me Filip Shirokën paralajmërohet Ndre Mjeda me poemat “Lisus”, “Scodra” dhe “Liria”.
Tek Filip Shiroka shohim fillimet e neoklasicizmit shqiptar.
Në një tip tjetër sonetesh, autori shpreh ndjenjat intime më të thella, por duke i dhënë në formën e sonetit, kjo lloj ndjeshmërie intime nuk është shpërthyese, mundohet që të jetë një ndjeshmëri e theksuar, shumë e zgjeruar, por përsëri e mbajtur në tonet e rreptësisë që kërkon forma klasike e sonetit. Prap sonetet që trajtojnë tema intime mund të themi se kanë formën e jashtme klasike, por janë të ndërthurur dhe të mbrujtur me ndjeshmërinë romantike. Në mënyrë të veçantë, kjo ndjeshmëri romantike shpërthyese, vërehet sidomos tek sonetet “Nanës sime”, “N’dek të mikut tem”.
Sonetet e tij janë të formës klasiciste, por me përmbajtje romantike, sa gati-gati është karakteristike një skemë: soneti nis me dy katrena përshkruese, një tercetë të ndërmjetme dhe terceta e fundit është ajo që vendos ekuilibrin, qetësinë. Dhe kjo arrihet nëpërmjet një mendimi filozofik.
Filip Shiroka shkroi sonetin e tipit klasik-romantik, pra, të tipit të përzier. Të tillë janë sonete për Ibrahim Temon, për Leonardo de Martinon, mësuesin e tij, soneti “Një lutje”, drejtuar dom Ndoc Nikajt.
Ky lloj soneti shprehte ndjenjat personale, ndjenja miqësie, lëvrohej në mjediset intelektuale, me njerëz të barabartë për nga rangu, ku u bëhej thirrje ndjenjave miqësore, dëshirës për komunikim. Sonetin letër, (Një lutje) në formën epistolare, e kanë lëvruar para tij edhe Ndue Bytyçi e Leonardo de Martino. Tek ky sonet shohim veç toneve të kërkesës, të lutjes, dhe tone të ironisë, tone të vetëqortimit, të talljes me vetveten. Është ajo natyra e qytetarit të Shkodrës, i cili bën humor sa të bukur, aq edhe të hidhur me veten.
Ndër sonetet lavdëruese, glorifikuese, poetizuese për figura të caktuara historike, veçojmë sonetin “Burri” (Pyrrhus), për Pirron e Epirit. Nën titullin e sonetit, ashtu siç ndodh pothuajse tek të gjitha vjershat apo sonetet e tij, vjen gjithmonë një citim nga një autor i njohur, këtë radhë nga Ovidi, autor latin. Citimi i shpeshtë i autorëve latinë, francezë, italianë, dashuria për kulturën latine, flet përsëri për një përbërës klasik në kulturën e Filip Shirokës dhe të shkrimtarëve të qarkut katolik të Shkodrës, të cilët ishin edukuar me kulturën e lashtë klasike. Duhet të vëmë re se në këtë sonet Pirroja, i përmendur dhe në poezi të tjera, si tek poezia “Për mëmëdhenë” e Mihal Gramenos, mbahet si një nga figurat e lashtësisë shqiptare, sepse miti i figurave të shquara është në natyrën e romantizmit shqiptar. Miti pellazgjik, miti i Lekës së Madh, i Pirros së Epirit, i Skënderbeut janë evokime mitologjike dhe drejtimi nga mitologjia është sa shenjë e romantizmit shqiptar, po aq edhe romantizmit shqiptar. Miti pellazgjik, miti i Lekës së Madh, i Pirros së Epirit, i Skënderbeut janë evokime mitologjike dhe drejtimi nga mitologjia është sa shenjë e romantizmit shqiptar, po aq edhe e klasicizmit dhe e neoklasicizmit. Këtë gjë do ta shikojmë edhe më vonë te Ndre Mjeda, kur shkroi poemat “Liria”, “Lisus”, “Scodra”.
Tek vargjet e para Pirroja u thotë ushtarëve unë jam shqipja, por krahët jeni ju dhe shkon të luftojë me Romën, që të merret vesh se ç’burra janë shqiptarët. Ai mendon se shqiptarët janë guximtarë, luftëtarë të nderuar dhe Pirroja ka qenë një mbret luftëtar. Ky nuk është nga sonetet e tij më të shquara, por sidoqoftë këto lloj sonetesh ndihmonin shumë në krijimin e vetëdijes kombëtare të shqiptarëve.
Vihej dhe një lidhje midis epokave historike, që pushtimi si vazhdimësi i kishte ndërprerë dhe mohuar. Krijohej një sfond, një bazament historiko-mitologjik, në mënyrë që e sotmja dhe e nesërmja të kishin ku të mbështeteshin dhe të merrnin forcë. Ky është një nga sonetet e tij më “të ftohta”.
Në këtë vazhdë vijnë edhe sonetet për Gjergj Kastriotin. Janë gjithsej 4 sonete për të. Soneti “Gjergj Kastrioti” është shkruar më 1879, dhe cikli “Te vorri i Skandër Begut” që përbëhet nga tre sonete janë shkruar përkatësisht më 1896, dhe dy të tjerët më 1900. Shiroka është në hullinë e gjithë rilindasve që iu drejtuan figurës së Skënderbeut, njërit nga mitet më qendrore të romantizmit shqiptar. Edhe këtu autori si në çdo rast iu drejtohet autorëve të shquar nga letërsia botërore, duke i cituar vargjet e tyre gjithmonë në gjuhën origjinale.
Tek soneti “Gjergj Kastrioti”, Skënderbeut del si mbrojtës i Europës, kalorës i krishtërimit. Toni këtu është i lartë, lavdërues, por soneti shkon i qetë. Vihet re se Skënderbeun e ka vlerësuar dhe armiku. Ai i kishte vënë emrin e Aleksandrit të Madh të Maqedonisë. Vetë Skënderbeu në vargun e fundit thotë që është luftëtari parë Europës.
Është në përgjithësi një sonet i shkruar rrjedhshëm, bukur, me ton luftarak. Por Sonet fisnikërisë së butë, jo i shpërthimeve të pakontrolluara romantike, tone solemne, por të qeta, sonet lavdërues, por jo bërtitës, jo ulëritës. Edhe në këtë rast kemi të bëjmë me një sonet romantik për nga idetë, por klasik për nga tonaliteti, vetëpërmbajtja e ndjenjave të autorit dhe e thellësisë së figurës së dhënë. Te ndryshme janë tre sonetet e tjera mbi Skënderbeun. Ky cikël prej tri sonetesh mban titullin “Te vorri i Skanderbegut”. Megjithëse janë shkruar në kohë të ndryshme, autori përsëri ka ditur t’u japë një lidhje të brendshme. Besnik i vetvetes, autori prapë citon autorë të shquar: Ciceronin në rastin e parë, në rastin e dytë Pirron dhe në rastin e tretë Beranzheně. Ky i fundit poet francez. Referimet nga autorë të mëdhenj duan të sjellin përsëri tonalitetin e ngritur, por njëkohësisht klasik dhe duan të përforcojnë idenë që shpreh autori nëpërmjet soneteve të tij.
Sipas autorit edhe yjet edhe hëna edhe dielli do të mbeten dëshmitarë të lavdisë së këtij njeriu dhe kurrë shkëlqimi i tij nuk do të shuhet. Edhe ari i shkruar mbi varrin e tij asnjëherë nuk do të venitet. Një sonet himnizues me tone të ngritura, por gjithmonë i përmbajtur sipas modeleve që imponon vetë forma e sonetit. Ajo që vihet re është se vargu i fundit i sonetit të parë rimerret si vargu i parë i sonetit të dytë dhe vargu i fundit i sonetit të dytë rimerret si varg i parë i sonetit të tretë. Kjo teknikë përdoret në kurorën prej sonetesh, 15 sonete të lidhura bashkë, ku vargun i fundit i sonetit të mëparshëm përsëritet në krye të sonetit pasardhës. Ai nuk ka arritur që të realizojë një gjë të tillë, se do t’i duheshin edhe 12 sonete të tjera. Sidoqoftë ai ka tentuar dhe ka arritur deri në tre të tilla.
Siç dihet nëpërmjet Skënderbeut lavdërohej e kaluara në favor të së ardhmes. Soneti i fundit del nga tonet e qeta, të drejtpeshuara, klasiciste. Ndiejmë aty thirrjet, fyerjet “o barbarë”, ose “nuk hup jo shqiptari”. Toni në sonetin e tretë nga një ton klasik, këmbehet me atë romantik. “Shqypnisë”, i ka kushtuar dy sonete, ku rimerret vargu i fundit i sonetit të parë si vargu i parë i sonetit të dytë. Sonetet përsëritim temat e mitologjisë romantike për Shqipërinë, të thëna që nga Vaso Pasha: Shqipëria e lavdishme dikur, sot e mjerë, Shqipëria e bukur… Shqipëria nënë luftëtare, e dashur, por e përgjakur. Autori puth duke qarë plagët në gjoksin e saj. Është një ndjeshmëri romantike, tonet janë retorike, ndjenja theksohet deri në thirrje. Eksklamacionet nuk janë karakteristika të neoklasicizmit, por të poetëve romantikë. Ja ndonjë nga strofat:
Greku dhe Bullgari, Serbi e Mali i Zij,
qi dashtnij t’diftoin… ata t’kan varrumun,
me njerzt’vet, me shkolla edhe me priftinj!
Disa nga sonetet e Shirokës pikëzojnë ndjenja dhe ide universale, gjendje njerëzore të përsëritura në të gjitha kohërat, që mbeten edhe për sot të pëlqyeshme. Këtu shohim përparësinë që ka tema filozofike mbi atë patriotike. Idetë, qëllimet e poezisë së miteve mbi Shqipërinë e lashtë, mbi Skënderbeun, i shërbyen një momenti të caktuar historik.
“Bota katolike” përbëhet nga dy sonete. Është një poezi me karakter fetar, i kushtohet misionit të Papës dhe misionit të kryqit si shpëtimtar i njerëzimit. Drejtori i Albanias, Faik Konica, i hapi vend këtij soneti në revistën e tij të vitit 1902. Shqiptarët kërkonin ndihmën e Papës dhe Evropës së krishterë për shkëputjen nga Turqia. Nëpërmjet këtij soneti përkushtimor dhe përlëvdues për Vatikanin dhe krishtërimin, sigurisht, bëhej dhe politikë.
Shiroka modest, ky poet dhe inxhinier hekurudhash, si njeri kishte një përbërës të urtë dhe racional në tipin e tij. Kjo cilësi karakteristike del nga letrat, nga biografia e tij, nga marrëdhëniet që ka pasur me rilindasit e tjerë, nga sjelljet atdhetare, shoqërore dhe në shfaqjet e jetës së përditshme. Ai ishte një romantik i ngrohtë, i zjarrtë, por dhe njeri që arsyetoi, që vlerësoi shfaqjet universale, të përjetshme, dhe dha mendime përtej pamjeve të përditshmërisë. Kjo përmasë universaliteti, e do të thoshim herë-herë një përmasë e ftohtësisë klasike, e përshkonin në tipologjinë e sjelljes njerëzore, por dhe në mënyrën e poetizimit.
Këto dy cilësi, ndjenjat e zjarrta dhe barazpesha, janë tipare të soneteve të tij.