“Stamboul” ka botuar, të martën e 28 prillit 1914, në ballinë, deklaratat e ministrit të financave Filip Noga për “La Tribuna”, gjatë vizitës në Kostandinopojë, në lidhje asokohe me zhvillimin e Shqipërisë, të cilat Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, i ka sjellë për publikun shqiptar:
Deklaratat e z. Filip Noga
Romë, 27 prill.
La Tribuna publikon disa deklarata të ministrit të ri shqiptar të financave, z. Filip Noga, gjatë vizitës së tij në Kostandinopojë.Ministri i ri është sinqerisht optimist për të ardhmen e Shqipërisë.Ai beson se si vështirësitë mes Greqisë dhe Shqipërisë, ashtu edhe ato mes Shqipërisë dhe Serbisë, mund të zgjidhen pa shumë vështirësi.Zoti Noga pohoi se popullariteti i Princ Vidit po rritet çdo ditë e më shumë në të gjithë Shqipërinë, e cila dëshiron vetëm paqe dhe punë.
Ai shtoi se një program i tërë i gjerë punimesh për rritjen e principatës së re do të kryhet së shpejti nën kujdesin e princit, i cili është i përfshirë aktivisht në gjithçka që mund të kontribuojë në përparimin dhe mirëqenien e vendit.Ai vuri në dukje se tashmë në Shqipëri kanë filluar të shfaqen shtëpi bankare dhe tregtare të drejtuara nga vetë shqiptarët, gjë që dëshmon besimin e tyre në të ardhmen e atdheut të tyre me mjetin më të mirë : Punën. – (Ag. It.)
“Le Matin” ka botuar, të mërkurën e 3 qershorit 1914, në ballinë dhe faqe n°2, intervistën ekskluzive të korrespondentit të saj me Turhan Pashën (kryeministër) dhe Filip Nogën (Ministër financash) në lidhje me kryengritjen asokohe kundër Princ Vidit, të cilën Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Shtatëqind malësorë zbarkojnë në Durrës
Durrës, 1 qershor. — Shkresë nga korrespondenti special i “Le Matin”. — Sot zbarkuan këtu 700 malësorë, të marrë nga 10.000 burrat që Prenk Bib Doda mblodhi në Lezhë.
Kontigjenti përfshin myslimanë dhe të krishterë, por këta të fundit përbëjnë shumicën dërrmuese.Fillimisht, ky kontigjent duhej të përbëhej nga 250 të krishterë dhe 250 myslimanë, por për shkak të numrit të kërkesave, ishte e nevojshme të rritej përmasa dhe të modifikohej proporcioni i elementëve të tij përbërës.
Ardhja e kësaj force të armatosur këtu bën mjaft bujë, sepse nëse nga njëra anë shton garnizonin dhe kontribuon në sigurimin e mbrojtjes së qytetit, nga ana tjetër ka frikë se do të rrisë rrëmujën midis kryengritësve.
Efekti i parë i këtij zbarkimi ishte rikthimi i besimit te partia nacionaliste, e cila prej disa ditësh ishte mjaft e demoralizuar.
Doja të mësoja nga goja e vetë kryetarit të këshillit (kryeministrit) arsyen dhe shtrirjen e kësaj thirrjeje ndaj kontingjenteve të Prenk Bib Dodës.Unë arrita të takoj Turhan Pashën në fund të Këshillit të Ministrave.Me dashamirësinë e tij të zakonshme, ai më shpjegoi pikëpamjet e tij dhe synimet e qeverisë si më poshtë.
— Princi dhe kryeqyteti i tij u gjetën prej disa ditësh në mëshirën e një lëvizjeje sulmuese të kryengritësve. Mbrojtësit u reduktuan në rreth 200 burra. Unë nuk përfshij në këtë numër marinarët që ruajnë legatat dhe pallatin, sepse ata janë të destinuar ekskluzivisht për mbrojtjen e jetës së princit.
Kjo situatë nuk mund të vazhdonte. Prandaj ne duhej të ishim në gjendje sa më shpejt të ishte e mundur për të ndërtuar një garnizon të mjaftueshëm për të garantuar sigurinë e Durrësit. Mirëpo, duke qenë se trupat nuk krijohen brenda një dite, ne u detyruam të merrnim ata që kishim në dorë dhe morëm 700 burra nga kontingjentet e ngritura në Lezhë nga Prenk Bib Doda.
—A nuk keni frikë, Shkëlqesi, se ardhja e tyre do të interpretohet nga kryengritësit si një masë agresive që vërteton dëshirën tuaj për t’i sulmuar ata?Bisedimet po vazhdojnë dhe ngazëllimi që zbarkimi i kësaj force do të shkaktojë te kryengritësit mund të dëmtojë rezultatin e këtyre negociatave.
—Ne sollëm vetëm 700 burra, por mund të thërrisnim disa mijëra. A nuk është ky vëzhgim i thjeshtë provë se ne po ndjekim një qëllim mbrojtës dhe jo sulmues ? Çdo qeveri ka jo vetëm të drejtën, por edhe detyrën të sigurojë sigurinë e saj dhe mbrojtjen e atyre që i janë besnikë. Për më tepër, nesër ose pasnesër, anëtarët e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit do të diskutojnë me krerët e kryengritësve për përgjigjen që do t’i jepet ankesave të këtyre të fundit dhe mund t’ju them se të gjitha kërkesat e tyre të arsyeshme do të plotësohen.
—Por nëse ata nuk janë të kënaqur me këtë, do të ketë një luftë civile ?
— Ju mund të jeni të sigurt dhe mund të pohoni se çdo gjë që mund të bëhet nëpërmjet rrugës së pajtimit, ne do ta bëjmë. Unë jam mysliman, ashtu si dy kolegë të mi të kabinetit, ndërsa tre të tjerë janë të krishterë.Z. Noga, Ministër i Financave, mund t’ju tregojë se sa të vendosur jemi për të shmangur çdo konflikt fetar në Shqipëri dhe për të garantuar lirinë e plotë të adhurimit (besimit) për të gjithë.
Z. Noga, i cili ishte i pranishëm në takimin tonë, më dha këtë siguri, duke shtuar :
—Unë isha ai që shkoi në Lezhë për të negociuar ardhjen e këtyre shtatëqind burrave. Unë u thashë atyre :
“Disa nga vëllezërit tuaj kanë dalë jashtë rrugës. Në një moment lajthitjeje dhe nën ndikimin e këshillave të këqija, ata sulmuan princin. Ai duhet mbrojtur, por ne dëshirojmë të shmangim një luftë vëllavrasëse dhe shpresojmë që së shpejti të gjithë të jeni të bashkuar.”
Ju siguroj se ata i kuptuan ndjenjat e mia dhe nuk ushqejnë armiqësi kundër kryengritësve.
— Por nëse përpjekjet tuaja dështojnë, nëse i gjithë pajtimi është i pamundur, çfarë do të bëni ?
—Atë që do të bënte çdo qeveri, u përgjigj Turhan Pasha.Nuk mund të lejojmë që pesë apo gjashtë mijë të pakënaqur, dhe të pakënaqur pa motiv, të pengojnë zhvillimin e të gjithë vendit.Shkodra dhe Vlora janë duke vuajtur nga situata aktuale, madje edhe disa rajone thjesht myslimane po protestojnë kundër qëndrimit të kryengritësve.
E kuptova, megjithëse ministri nuk ma tha zyrtarisht, se në pamundësi të një marrëveshjeje, rebelët do të ndaloheshin nëpërmjet forcës.
Prandaj, ne jemi ndoshta në prag të një lufte civile. Më shumë se kurrë është e dëshirueshme që fuqitë të bien dakord dhe të dërgojnë kontigjente ndërkombëtare në Durrës;Princi, Turhan pasha, kreu i qeverisë dhe anëtarët e komisionit të kontrollit kërkojnë këtë dërgesë.Edhe Italia është në favor të saj.Vetëm një masë e tillë mund t’i sigurojë princit dhe qeverisë pavarësinë e dëshiruar, sepse nëse dy ditë më parë princi ishte në mëshirën e kryengritësve, sot ai e gjen veten në fakt rob të mbrojtësve të tij.
Malësorët, duke u konsideruar si një forcë e thjeshtë policie, u vendosën nën urdhrat e kolonelit holandez Tomson, komandant i vendit.Zgjedhja e kolonelit është e shkëlqyer, por prania këtu e gjeneralit De Veer, eprorit të tij hierarkik, paraqet një shqetësim të madh,sepse gjenerali e ka të vështirë të heqë dorë për të mos ndërhyrë në aktet e kolonelit Tomson, fryma e iniciativës së të cilit pengohet, nëse jo asgjësohet.
Prania e njëkohshme e gjeneralit dhe kolonelit është bërë e pamundur, por princi nuk ka marrë ende një vendim në lidhje me këtë, dhe kjo është për të ardhur keq.
Komisioni i Kontrollit ka porositur mëngjesin e sotëm një xhandar që të shkonte dhe t’u kërkonte kryengritësve që të vendosnin për vendin e mbledhjes së radhës.Këta e kanë vendosur në Shijak për nesër ose pasnesër në mëngjes.
Komisioni, pasi protestoi kundër pranisë në xhandarmëri të një ish-oficeri gjerman, baronit Gunpenberg, ky i fundit aplikoi menjëherë për nënshtetësinë shqiptare.