‘Shkolla të bën të lirë, një njeri i shkolluar mirë është një njeri i lirë’

Nga Ledi Shmaku

E Diela jote e fundit e pushimeve të verës. Këtë javë do t’i kthehesh shkollës. Lum ti! Ta them sinqerisht, edhe unë do doja të isha sërish në shkollë! Shumë hapa do t’i hidhja ndryshe, ndaj dua të flas me ty që je ende në kohë.

Së pari të them që shkolla nuk të bën të ditur; shumë po shumë dije do t’i marrësh vetë, me sprova e lexime e punë, pasi ta kesh mbaruar shkollën. Shkolla është një lloj shigjete e Kupidit, një rreng i bukur, më i bukuri i rrengjeve që ti të mbetesh përherë i varur nga dija, që ti të duash të dish derisa të rrosh. Këtë rreng e kanë në dorë mësuesit po e ke edhe ti vetë. Mos lejo askënd të shuajë pikëpyetjet e tua! Mos u lodh e mos u mërzit nga tekste që mund mos të të joshin, as nga provime të hartuara mërzitshëm! Gërmo te ato që të pëlqejnë, gërmo shumë! Lexo ç’të mundesh për ato që të pëlqejnë. Lexo pa paragjykim, s’ka rëndësi në janë lexime shkollore, në janë libra apo informacione interneti, s’ka fare rëndësi – vetëm lexo, gërmo, pyet, mendo dhe fol! Pyet dhe mendo!

Sonte në darkë, para se të gdhijë fillimviti i ri shkollor, pyete veten se cili a cila don të jesh në jetë. Jo çfarë don të bëhesh, këtë nuk e ke ende të qartë, po cili don të jesh, çfarë njeriu don të jesh! Pyete veten sonte në darkë dhe pyete çdo darkë! Njoh plot njerëz moshatarë me mua (pra shumë më të mëdhenj se ty) që këtë pyetje nuk ja kanë bërë ende vetes, ma beso!

Dhe tash ata kanë hyrë në t’atillë ritëm jete që s’kanë më as kohë e as dëshirë për një pyetje-përgjigje të këtij lloji. Pyete veten – përgjigjen e ke te shkolla! Shkolla të bën të lirë, ta dish! Një njeri i shkolluar mirë nuk është një njeri dosido; një njeri i shkolluar mirë është një njeri i lirë. I LIRË dhe me shtyllë të plotë kurrizore për t’i qëndruar mandej kurtheve të jetës nga të cilat po të përmend veç dy më të zorshmet: servilizmin e mendjes dhe korrupsionin e shpirtit. Pyete veten çdo natë a don të mbrohesh nga këto dy kurthe. E nëse vetja të thotë po, atëherë shkollohu mirë, studio fort dhe do gjesh mbrojtjen!

Mbaji fort shokët e klasës, sidoqofshin mbaji fort! Mos u tut t’i ndihmosh kur kanë nevojë, edhe në iu dashtë ndonjë kopjim a tregim i vockël në provimet e kapitullit! Në fazën e formimit të karakterit ku ti je ka më shumë vlerë solidariteti sesa dija, ma beso!

Pyet për atë që s’di dhe thuaje atë që di, ashtu si ta dish, pa patur hall në ta aprovon apo jo zysha. Thuaje siç e mendon; ca vite më vonë për ty do ketë më shumë rëndësi si të gjykon vetja sesa si të ka gjykuar zysha. Dëgjo dhe pyet, mos u kurse, mos ki frikë si dukesh! Druaj si je jo si dukesh!

Tash po të lë të qetë të shijosh të djelën tënde të mbrame të pushimeve se më duket të shkrova gjatë. Por kam merak për ty dhe madje të kam zili! Të qoftë vit i mbarë e i vlertë. Koha shkollore nuk kthehet pas. Jetoje me mend e me dinjitet.

Me gishta kryqëzuar për ty shkollar, cilido qofsh ti!
Ledi. / KultPlus.com

MASh publikon udhëzuesin mbi masat Anticovid për fillimin e vitit shkollor 2020/2012 (VIDEO)

Edhe pak ditë na ndajnë nga fillimi i vitit të ri shkollor 2020/2021, një fillim ky i ri për të gjithë nxënësit, pasiqë vie në një situatë aspak të lehtë për ta, shkruan KultPlus.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës, ka publikuar një udhëzues mbi masat anticovid, duke udhëzuar kështu nxënësit në mbrojtjen nga Covid19 gjatë qëndrimit të tyre në klasë dhe jashtë saj.

https://www.facebook.com/mashti.ks/videos/376235790040021/

Gjithashtu, në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës në Facebook, është bërë e ditur se për fillimin e vitit të ri shkollor, ora e parë e mësimit, në të gjitha shkollat e Republikës së Kosovës, do t’i kushtohet informimit dhe vetëdijësimit të nxënësve lidhur me pandeminë Covid19

”Në vendim, po ashtu thuhet se, në javët në vijim, së paku një orë në javë do t’i kushtohet informimit të nxënësve për zhvillimet më të reja për pandeminë dhe për përgjegjësitë e nxënësve në luftimin e saj”, thuhet tutje në njoftimin e MASh. / KultPlus.com

Sqaron Ministria e Arsimit dhe Shkencës: Nuk kemi vendosur që maskat të sigurohen nga nxënësit

Ministria e Arsimit dhe Shkencës përmes një lajmërimit në faqen e tyre zyrtare në Facebook, kanë sqaruar se nuk kanë vendosur që maskat të sigurohen nga nxënësit, përcjellë KultPlus.

Sipas udhëzuesit të përgjithshëm nga MASh-i, çdo nxënës duhet të ketë maskën personale, e cila përdoret gjatë gjithë kohës së qëndrimit në ambientet e shkollës.

”Përpos maskave të siguruara nga DKA-të, partnerët, donatorët dhe vetë shkollat, MASh dhe Qeveria e Kosovës ka ndarë dhe ka planifikuar një pjesë të buxhetit për maska, mjete tjera mbrojtëse dhe dezinfektuese. Kështu që, shkollat do të kenë fond rezervë të maskave”, thuhet tutje në njoftimin e MASh. / KultPlus.com

Sot dihet përfundimisht vendimi i MASHT-it për fillimin e vitit shkollor

Më së largu sot, Ministria e Arsimit do të marrë vendim përfundimtar për fillimin e vitit të ri shkollor. Vendimi pritet të merret në bazë të propozimeve që janë dhënë nga MASH-i dhe drejtoritë komunale të Arsimit.

Sipas propozimeve, më 14 shtator është paraparë të fillojnë klasat 0 deri në 6 dhe 10. Për klasat 4 dhe 5 u është lënë drejtorive komunale të vendosin se në çfarë forme do ta zhvillojnë mësimin, në shkolla apo nga distanca

Ndërkaq, në fazën e dytë më 21 shtator, mësimin do ta fillojnë klasat 7 deri në 12 në formë të kombinuar, dy ditë në shkollë dhe tri ditë nga distanca.

Ministri Ramë Likaj ka deklaruar se në bazë të informacioneve nga terreni, shumica e shkollave i kanë bërë përgatitjet e duhura për fillimin e mësimit.

Por, disa shkolla të Prishtinës, që kanë numër të madh të nxënësve, e kanë caktuar vetë se me cilat klasë do të nisin fazën e parë të mësimit. Në shkollën “Faik Konica”, që ka afro 1.500 nxënës të hënën fillojnë në shkolla vetëm parafillorët, klasa e parë, e dytë, e tretë dhe e gjashtë.

E në shkollën “Ismail Qemali”, që ka afro 3 mijë nxënës, të hënën mësimin në shkolla e fillojnë vetëm nxënësit e klasës së parë, të dytë dhe të gjashtë, kurse të tjerët online.

Viti i ri shkollor është dashur të niste më 1 shtator, por u shty për shkak se institucionet shkollore nuk i kishin bërë përgatitjet e duhura./  KultPlus.com

Ministri i Arsimit raporton para deputetëve për fillimin e vitit të ri shkollor

Dy komisione parlamentare do të mblidhen sot.

Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë, mblidhet në ora 10:00, ku pritet të bëjë përzgjedhjen e listës së ekspertëve.

Ndërsa në ora 11:00 ministri i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, do të raportojë në komisionin për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport lidhur me përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor 2020-2022. / KultPlus.com