Propozimi i Kosovës për Oscars u dha premierë në Cineplexx (FOTO)

‘T’padashtun’ nga Edon Rizvanolli, filmi i cili premierën e pati në Karlovy Vary, është filmi që do të përfaqësoj Kosovën si propozimi zyrtar për konsiderim në kategorinë ‘Filmi më i mirë i huaj’ të Akademisë Oscar, shkruan KultPlus.

Ky film, sonte pati edhe premierën në kinemanë Cineplexx në Prishtinë. Në këtë premierë të pranishëm ishin aktorët e filmit, regjisori por edhe shumë adhurues të filmit e njerëz që deshën të njihen me filmin përfaqësues në Oscars.

Ky film me skenar dhe regji nga Edon Rizvanolli është dramë e cila merret me pasojat dhe traumat e shkaktuar nga lufta e vitit 1999 në Kosovë. Filmi trajton ngjarjen e një adoleshenti i cili jeton me nënën e tij kosovare në Amsterdam dhe që rikthimi i traumave të nënës së tij ia rrotullojnë botën.
Në rolet kryesore janë Adriana Matoshi dhe Jason de Ridder.

‘T’padashtun’ është i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Fondi i Filmit Holandez.
Filmi do të shfaqet në Cineplexx për një javë rresht. /KultPlus.com



‘Tradhti me letra’ pjesë e ‘BBB Short Film Festival’ në Bruksel

Filmi i metrazhit të shkurtër ‘Tradhti me letra’ i regjisorit Valmir Tertini do të shfaqet në edicionin e 8-të në ‘BBB Short Film Festival 2017’, shkruan KultPlus.

Këtë vit Balkans Beyond Borders (BBB), së bashku me Inter Alia, sjellin filma të Ballkanit nga brezi i ri i filmave ballkanikë dhe fryma ballkanike në zemër të Evropës, në Bruksel.

Filmat e shkurtër nga Sllovenia në Greqi dhe nga Shqipëria në Turqi do të prezantohen në “Art Base” për tre net, 13 deri më 15 tetor, data këto sa do të zgjasë festivali.

“Tradhti me letra”, flet për Meritën e cila ka pranuar që Azemi, burri i saj të martohet me një grua gjermane sa për t’i bërë letrat. Merita dhe Azemi kanë një vajzë. Pas katër viteve, Ana gruaja e Azemit insiston të vijë në Kosovë për të parë se ku ka jetuar burri i saj. Azemi, Meriten e prezanton si motrën e tij kurse gocën si mbesë të tij. Atë natë, të gjithë flenë, ndërsa Merita nis të qaj te pragu i derës, përballë dhomës së Azemit dhe Annës. Merita aty ndjenë tradhtinë e hapur.

Ky film i regjisorit kosovar, ka temën e njëjtë me atë të festivalit. Në këtë film me rolet e tyre luajnë aktorët: Albulena Kryeziu, Alexandra Waluk, Fisnik Zeqiri, Granit Shala, Molikë Maxhuni dhe Nexhip Nexhipi.

Filmi që zgjat rreth 19 minuta, deri më tani ka fituar 9 çmime. / KultPlus.com

‘Një film i premtuar’ me premierë në vjeshtë

Filmi artistik “Një film i premtuar”, që sjell varfërinë e Shqipërisë në vitet ’90 ka bërë bashkë skenaristin e regjisorin Petrit Ruka dhe kompozitorin e njohur Aleksandër Lalo. Janë dy autorë të njohur, që po punojnë për këtë film, i cili pritet të jetë premierë në vjeshtë, kjo dhe sipas kontratave që kanë me Qendrën Kombëtare të Filmit.

Një projekt filmik, i cili ka mbaruar xhirimet në Bënjë të Përmeti dhe sjell këtë herë në vëmendje një tjetër histori për publikun. Regjisori tregon se filmi merr ngjyra trishtuese për një ëndërr që është shumë e vështirë të realizohet në ato vite. Ndërsa kompozitori i njohur Aleksandër Lalo e vlerëson jo pak këtë bashkëpunim këtë herë me regjisorin Petrit Ruka në filmin me titull “Një film i premtuar”.

“Muzika është mbi filmin dhe sigurisht që unë e vlerësoj shumë Perit Rukën. E kam parë filmin dhe mua personalisht më duket një film jashtëzakonisht interesant. Një film i xhiruar shumë mirë dhe thjeshtë në Bënjë të Përmetit. Një film që ka një fabul interesante”, pohon kompozitori Aleksandër Lalo.

Por emrin e tij në muzikë e mbajnë disa nga prodhimet më të suksesshme të kinemasë shqiptare. Kompozitori tregon se rikthehet si autor muzike në film, që pas dokumentarit “Kadare”.

“Unë kam shkruar muzikë filmash ndër vite. Por me këtë bashkëpunim për të cilin jemi duke biseduar me Petrit Rukën unë rikthehem, që pas dokumentarit mbi Ismail Kadarenë me regji nga Pirro Milkani, që titullohej “Kadare”. Por mua më pëlqejnë shumë dhe filmat artistikë dhe besoj që me Petrit Rukën do të bëjmë diçka të mirë”, pohon kompozitori Lalo, një nga emrat më të vlerësuar dhe të suksesshëm në muzikën e filmave shqiptarë.

Regjisori Petrit Ruka pohon se pas xhirimit të filmit tashmë ka
mbaruar pjesa më e madhe e punës, në përpjekje për të gjetur dhe financime të tjera për të përfunduar të gjithë këtë projekt.

“Në vjeshtë filmi pritet të jetë premierë, pasi kemi dhe kontratën me Qendrën Kombëtare të Filmit dhe ju e dini që ajo zbatohet. Por do të shohim se si do të vijojmë punët për të vendosur përfundimisht”, bën me dije regjisori Petrit Ruka per Sotnews.

Filmi dhe financimi

Si skenarist dhe regjisor Petrit Ruka ka realizuar ndër vite më shumë se 30 vepra kinematografike. Këtë herë filmi i tij më i fundit me financim nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë sjell Shqipërinë në vitet ’90 kur sapo ishte ndërruar sistemi. Jetesa në Shqipërinë e atyre viteve nuk ishte e lehtë dhe emigrimi ishte i madh. Ngjarjet në film janë vendosur në një fshat, ku disa fëmijë kërkojnë të shikojnë një film të vërtetë. Ata mundohen shumë, por për këtë i ndihmon një italian, roli i të cilit luhet nga aktori i njohur Karafil Shena. Regjisori Ruka tregon se ky ka qenë një projekt i menduar që para shumë vitesh, por vetëm tani pas financimit të QKK u bë i mundur realizimi i tij. Por edhe pse filmi ka mbaruar xhirimet që janë zhvilluar në Bënjë të Përmetit, problemi që shqetëson autorin e filmit është buxheti. Ai tregon se ky është një problem që i vendos jo në pak vështirësi regjisorët në filma. “Filmi është me buxhet nga Qendra Kombëtare Kinematografike, por ju e dini se si janë problemet me kinemanë, buxhetet e pakta të vënë në vështirësi për realizimin e filmit. Por dhe në QKK e dinë këtë situatë, por gjithçka varet nga buxheti”, pohon mes të tjerave regjisori Petrit Ruka, ku veprën më të fundit të tij në kinema publiku do të mund ta gjejë gjatë ditëve të vjeshtës. / KultPlus.com

19-të filmat pretendues të çmimit “Palma e Artë”

KultPlus ju sjellë listën e 19-të filmave të cilët janë pretendues për të fituar çmimin “Palme d’O” në edicionin e 70-të të Festivalit të Filmit në Kanë. Filmi “Wonderstruck” përmes aktorëve të njohur Julianne Moore dhe Michelle Williams sjellë historinë e dy fëmijëve të shurdhër që jetojnë jetën paralele në vitet 1920 dhe 1970. Pastaj filmi “Jupiter’s Moon” nga regjisori hungarezë Kornel Mundruczo sjellë krizën e imigrantëve në Evropë duke sjellë kështu historinë e një refugjati të ri i cili zbulon superfuqitë e tij pasi që qëllohet me armë. Fimi “The Beguiled” film mbi Luftën Civile në Amerikë i bazuar në novelën e Thomas Cullinan, sjellë aktorin Colin Farell si një ushtarë i cili josh gratë rreth tyre duke përfshirë aktoret Nicole Kidman dhe Kirsten Dunst.

Pastaj filmi “Redoubtable” sjellë historinë e regjisorit francez Jean-Luc Godard i cili gjatë realizmit të një filmi të tij bie në dashuri me aktoren 20 vjeçare Anne Wiazemsky me të cilën pastaj edhe martohet. Filmi “Okja” me aktoret Jake Gyllenhaal dhe Tilda Swinton sjellë historinë e një vajzë e cila rrezikon gjithçka për të mbrojtur një kafshë gjigante.

Pastaj janë filmat si “The Meyerowitz Stories”, i cili sjellë historinë e fëmijëve të rritur të cilët përballën me problemet e babin e tyre. Ben Stiller, Emma Thompson, Candice Bergen dhe Dustin Hoffman janë disa nga emrat e kastës së aktorëve në këtë film. Filmi “You Were Never Really Here” sjellë historinë e një veterani të luftës (Joaquin Phoenix) i cili tenton të shpëtojë një viktimë të trafikimit. “Loveless” e regjisorit rus Andrey Zvyagintsev i cili sjellë historinë e divorcit në mes të një çifti dhe zhdukjen e djalit të tyre i cili deri në atë moment siç duket nuk i ka interesuar asnjërit. Pastaj “Good Times” sjellë aktorin Robert Pattinson dhe historinë e tij si vjedhës i bankave. Filmi “Happy End” sjellë dramën brenda një familje franceze dhe krizën e imigrantëve. “The Square” sjellë historinë e Christinanit muratorit të respektuar në muzeun e artit kontemporan. Filmi “The Killing of a Sacred Deer” që sjellë historinë e kirurgut Steven jeta e cilit fillon të shkatërrohet për shkak se ai krijon një afërsi me një djalë të ri. Filmi “Rodin” sjellë aktorin Vincent Lindon i cili portretizon dhe sjellë jetën e një artisti, i cili vazhdon të punojë përkundër refuzimeve. “In The Fade” sjellë hakmarrjen e Katjas e cila ka humbur djalin dhe burrin e saj në një sulm me bombe.