Filmi artistik nga Kosova, ‘Zgjoi’ me regji nga Blerta Basholli bëri historinë duke rrëmbyer tri çmimet kryesore të Sundance Film Festival: Filmi më i mirë, Regjisorja më i mirë, dhe çmimin e vlefshëm të publikut të festivalit më të madh të filmit të pavarur në SHBA, përcjellë KultPlus.
Ky lajm ka gëzuar të gjithë dhe reagimet kanë qenë të shumta. Por mbrëmë, përmes Instagramit ka reaguar edhe ylli botëror Rita Ora.
Ajo ka ndarë në story lajmin duke shkruar: Yess!! Në këtë formë Rita ka shprehur krenarinë e saj për këtë arritje të filmit kosovar.
Kjo padyshim që e ka bërë tejet të lumtur regjisoren Basholli e cila e ka falënderuar Ritën për përkrahjen.
‘Zgjoi’ është i frymëzuar nga historia e vërtetë e Fahrijes (interpretuar nga Yllka Gashi) nga Krusha e Madhe, e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për t’a siguruar mbijetesën e familjes, në një ambient tradicionalisht patriarkal ku ambicia për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë.
Filmi pritet të ketë një rrugëtim të gjatë nëpër festivale nga ku nuk do t’i mungojnë sukseset. / KultPlus.com
Filmi artistik nga Kosova, ‘Zgjoi’ me regji nga Blerta Basholli bëri historinë sot duke rrëmbyer tri çmimet kryesore të Sundance Film Festival: Filmi më i mirë, Regjisorja më i mirë, dhe çmimin e vlefshëm të publikut të festivalit më të madh të filmit të pavarur në SHBA, përcjellë KultPlus.
Ky lajm ka bërë të lumtur të gjithë shqiptarët e në veçanti ata që qëndrojnë më afër filmit.
Aktori i njohur Shkumbin Istrefi lumturinë e tij për këtë sukses e ka shprehur me fjalë të mëdha.
Ai është shprehur se kinematografia e Kosovës është duke përparuar më hapa të mëdhenj dhe këtë e dëshmoi përfundimisht filmi “Zgjoi”.
“Kjo eshte arritur me perkushtim tejet te madh, profesionalizem dhe art, perkunder mbeshtetjes simbolike financiare qe projektet kinematografike marrin nga shteti. “Topi” eshte te shteti, i cili duhet ta shumefishoje perkrahjen financiare. Kemi cka tregojme dhe dijme ta tregojme ne menyren qe bota e pranon dhe e vlerëson”, ka shkruar Istrefi.
Ai tutje tregon që ky lajm e ka gëzuar tej mase në këtë kohë debatesh të kota duke shtuar tutje se buxheti vjetor i mbështetjes për kinematografi që i ndahet Qendrës Kinematografike të Kosovës nuk kalon 700.000 Euro, prej të cilave rreth 600.000 Euro i ndahen projekteve. Që i bie mesatarisht nga 120.000 Euro për 3 projekte të metrazhit të gjatë dhe të tjerat për kategori të tjera. Kjo sipas Istrefit është shumë shumë pak. Tepër pak!
“Shpesh producentet, regjisoret e skenaristet mbesin pa u paguar, dhe aktoret me pagesat simbolike sepse honoraret e veta i japin per te mbuluar shpenzimet e filmit. Nje film i metrazhit te gjate i merr mesatarisht 3 vjet kohe per t’u perfunduar. Eshte pune e madhe, e mundimshme dhe me shume shpenzime vetanake te prodhohet nje film. Ndersa kultures dhe shtetit i sjell me shume promovim se kushedi sa aktivitete politike e diplomatike.
Ne filmin “Zgjoi”, Krusha me tregimin e saj eshte degjuar boterisht dhe ne formen me te mire.
Faleminderit Blerta Basholli dhe ekipi i filmit dhe suksese me tutje. Shpresoj qe te shijoni me se miri kete sukses.
Ne anen tjeter 2.1 milion vidhen dhe kushedi a kthehen. Dhe nuk behet nami”, përfundon Istrefi. / KultPlus.com
Gjatë viteve ’60 – ’70 të shekullit të kaluar, shkëmbimet politike dhe kulturore midis Shqipërisë dhe Kinës ishin shumë të ngushta. Ish-kryeministri kinez Çu En Lai bëri tri vizita në Shqipëri, madje një herë ai e festoi Vitin e Ri në Shqipëri.
Pikërisht në bazë të kushteve të njëjta ideologjike, filmat shqiptare me temën e luftës antifashiste, si “Ngadhnjim mbi vdekjen”, “I teti në bronz” etj., dhe filmat kinezë “Vajza me flokë të bardhë”, “Basketbollistja me numër 5” etj., janë bërë kujtimi i përbashkët i një brezi të kinezëve dhe të shqiptarëve.
Në kulm të Revolucionit Kulturor Kinez, filmat e dubluar shqiptarë ishin të vetmet produkte të pastra ideologjike të vlerësuara si të përshtatshme për milionat e spektatorëve kinezë të kinemasë. Versioni i dubluar i filmit ”Ngadhënjim mbi vdekjen” ishte jashtëzakonisht popullor për publikun kinez, duke u renditur si filmi më i suksesshëm edhe në shitje biletash deri në fillim të viteve 1990-të, kur u tejkalua nga filmi hollivudian aksion, The Fugitive, me Harrison Ford dhe Tommy Lee Jones.
Filmi i Gëzim Erebarës dhe Piro Milkanit, një histori e rezistencës partizane, vazhdon të jetë edhe sot një moment historik në Kinë; impakti i madh e i shtrirë në kohë i këtij filmi në Kinë u ritregua në filmin e suksesshëm (blockbuster) të Jiang Xiao-s, Electric Shadows (Hije elektrike) (2004), i konsideruar si një nga versionet kineze të CINEMA PARADISO.
Në ritregimin herë të hidhur, e herë të ëmbël të jetës kineze në kinematë e kohës së Mao Zedong nga Xiao, një punonjëse fabrike, shtatzënë dhe e turpëruar, vendos të mos vrasë veten pasi sheh një skenë filmi ku aktorja shqiptare Eglantina Kume marshon trimërisht drejt vdekjes tek “Ngadhnjim mbi vdekjen”. Sipas rrëfimeve byroja komuniste kineze vendosi të mos i shkatërronte kitarat akustike të Kinës gjatë Revolucionit Kulturor, pasi personazhi kryesor shqiptar që luan Rikard Ljarja, mban një të tillë mbi shpatull e këndon këngë partizane gjatë filmit. Kinemaja shqiptare, mesa duket, paska fuqinë të parandalojë vetëvrasjet në film dhe e vetme të shpëtojë kitarën akustike në Kinë.
Si reagoi audienca shqiptare ndaj revolucionit të papritur kulturor kinez? Një gazetar i huaj që vizitoi Shqipërinë në vitet 1960 (duke u shtirur si turist) shkruan: “Filmat kinezë shfaqen në kinematë e shumta të hapura (një vizitor tha në mënyrë ironike se Shqipëria ka ‘filma drive-in për këmbësorë’) dhe në errësirë studentët shpesh bërtasin dhe fishkëllejnë kundër propagandës mbytëse.” E qeshura në errësirë si formë rebelimi.
Pekini siguroi bursa për të rinjtë vendas të cilët nuk mund të merrnin më trainime në Moskë, përveç shumë këshilltarëve kinezë. Të dy vendet filluan të shkëmbejnë delegacionet kulturore më shpesh. Por, për gjithë bisedat për vëllazërinë kino-shqiptare, të mirat kulturore kineze vështirë se mund të zëvendësonin ato sovjetike. Kina ishte e largët, gjuha e saj e panjohur. Kjo paraqiste probleme logjistike, nga pengesat e transportit te problemi i ndërlikuar i përkthimit. Zyrtarët dhe diplomatët e ngarkuar me mbledhjen e filmave kinezë në vitet 1960 shqetësoheshin për këtë distancë kulturore, duke e përshtatur me kujdes në termat e “kuptueshmërisë”. Kur përfaqësuesit shikuan filmin kinez, “Daji he ta de fuqin” ( Daji dhe Etërit e saj , 1961), për shembull, ata e konsideruan atë që të kishte “një përmbajtje të shëndetshme arsimore”. Por një tjetër film kinez mbi rezistencën kundër Japonisë dukej, siç e thanë ata, “i vështirë për t’u kuptuar”.
Pse filmat kinezë nuk tërhoqën më shumë shikues? Regjisorët kinezë favorizonin «një mënyrë që spektatori vendas nuk është mësuar ende». “Filmat Vietnamezë kanë të bëjnë me armë, filmat e Koresë së Veriut janë qesharake dhe tragjike, filmat rumunë janë romantikë dhe filmat shqiptarë janë krejtësisht konfuzë.” Por është e rëndësishme të kihet parasysh se filmat, qoftë burime konfuzioni apo objekte kurioziteti, ishin vetëm një aspekt i një trafiku shumë më të gjerë kulturor. Të përpiqesh t’i japësh kuptim këtij trafiku do të thotë të fillosh të hartosh kufijtë kulturorë të socializmit jo-Sovjetik, një proces i mbështetur nga shtetet partiake dhe agjencitë kombëtare të filmit, por jo i komanduar plotësisht prej tyre.
As mosmarrëveshjet politike nuk ishin në përputhje me trafikun kulturor: ashtu si filmat e vjetër sovjetikë vazhduan të qarkullonin në kinematë shqiptare pas vitit 1961, kështu që filmat shqiptarë vazhduan të qarkullonin në Kinë edhe kur të dy Partitë Komuniste kishin filluar të konfliktoheshin në fillim të viteve 1970 për shkak të vizitës së Richard Nixon në Pekin. Individë kinezë të një brezi të caktuar jo vetëm që kujtojnë filmat shqiptarë, por ata “gjithashtu mund të këndojnë disa nga këngët nga ato filma.”
Vitet në vijim nuk do të jenë të lehta. Shqipëria ende nuk ka një Kinotekë, e aq më pak një kinema publike. Një kinematografi kombëtare meriton studim, ruajtje dhe admirim serioz./ Gazeta Si/ KultPlus.com
Filmi i Chloe Zhao “Nomadland” ka fituar katër çmime në Shoqatën Kombëtare të Kritikëve të Filmit, shkruan KultPlus.
Ky sukses i arritur në mbledhjen e 55-të të kësaj organizate, u kurorëzua me çmimin për fotografinë më të mirë, kinematografinë më të mirë, regjisoren më të mirë dhe aktoren më të mirë.
Frances McDormand ka fituar atë të aktores më të mirë ndërsa Zhao atë për regjisorin më të mirë.
Maria Bakalova fitoi çmimin e aktorës më të mirë në rol dytësor, në filmin “Borat Subsequent Moviefilm” dhe Paul Raci për “Sound of Metal”.
Ndërsa, Delroy Lindo fitoi çmimin për aktorin më të mirë me rolin e tij në “Da 5 Bloods”.
Shoqata Kombëtare e Kritikëve të Filmit përbëhet nga 50 kritikë të filmit nga e gjithë SHBA-ja. / KultPlus.com
Kur kinematografia shqiptare vinte me interpretimet artistike të cilat jipeshin në formatin bardh e zi, një film tjetër që hyri në këtë histori ishte edhe “Tomka dhe shokët e tij”, shkruan KultPlus.
Më 28 dhjetor të vitit 1997 u shfaq premiera e këtij filmi, i cili ishte prodhim i kinostudios “Shqipëria e Re”.
Tomka është një djalë i vogël që i pëlqen të luajë me top së bashku me shokët e tij. Por fushën e futbollit e marrin nazistët që kanë hyrë në qytet. Tomka nën kujdesin e të rriturve fillon të organizojë aksione kundër kampit ushtarak që është dislokuar në fushën e tyre të dikurshme të lojës.
Nën drejtimin e regjisores së parë shqiptare, Xhafize Keko, aktorët Sotiraq Çili, Zehrudin Dokle, Pavlina Oça, Xhelal Tafaj, Enea Zhegu, Herion Mustrafaj, Genci Mosho, Artan Puto, Selma Sotirllari, Fluranc Ilia kanë sjellur interpretimet artistike, / KultPlus.com
Kinemaja më e madhe në Kosovë, Cineplexx, njofton se nga sot do të nis të shfaqet një nga filmat e shumëpritur të këtij viti, Wonder Woman 1984.
Filmi i shumëpritur Wonder Woman 1984, nis nga sot të shfaqet në Cineplexx. Filmi është vazhdim i filmit hit Wonder Woman, i cili kishte arkëtuar mbi 822 milionë në arkat filmike 3 vite më parë.
Në vitet 1980 aventura e rradhës e Wonder Woman e gjen atë përballë dy armiqve të rinj: Max Lord dhe Cheetah. Në film, rikthehet në rolin e saj aktorja e njohur Gal Gadot, ndërsa përveç saj, në film luajnë aktorët e famshëm si Kristen Wiig, Robin Wright, Pedro Pascal, ndërsa si regjisore e filmit rikthehet Patty Jenkins, të cilën po e ndjek suksesi që kur filmi i parë i Wonder Woman entuziazmoi fansat.
Filmi do të shfaqet çdo ditë në shumë orare, ndërsa Cineplexx do të punojë me orar të ri, nga ora 11:00 deri në ora 17:30 në Prishtinë, ndërsa në Prizren nga ora 11:00 deri në ora 19:45.
Nëse e keni menduar veten si pjesë e botës kinematografike, ekziston një mundësi e mirë për ta provuar.
Regjisori Tuna Kaplan është në kërkim të një vajzë shqiptare të moshës 13-15 vjeç për një rol, kundrejt shpërblimit financiar, në filmin artistik “The Fine Line”, një produksion gjerman.
Personazhi në fjalë përfaqëson një vajzë të re, të zhdërvjellët, me një ndjeshmëri të heshtur ndaj çka e rrethon dhe me një pasion të madh për muzikën.
Nëse e gjeni veten në petkun e kësaj vajze ju mund të na dërgoni materialet e mëposhtëm nëpërmjet wetransfer* në këtë adresë emaili: [email protected]
– Foto portret, përballe dhe profile. Foto në total. (vetëm një fotografi në secilin nga pozicionet e përmendura)
– Një video-prezantim me cilësi të qartë të imazhit (plan portret) që përmban:
a) emrin mbiemrin, moshën, qytetin nga vini.
b) një prezantim të shkurtër të pasioneve tuaja.
c) një situatë imagjinare që tregon se si e shihni veten tuaj nëse do të emigronit dhe jetonit në Gjermani bashkë me familjen. Nëse keni një përvojë të ngjashme reale, akoma edhe më mirë.
Video duhet të jetë maksimumi 5 min. Preferohet të realizohet në gjuhën gjermane ose angleze por nëse kjo është e pamundur, do të pranohen edhe video në gjuhën shqipe.
Çdo vajzë e re shqiptare, kudo ku ajo jeton, nëse e sheh veten tek karakteristikat e sipërpërmendura dhe kërkon të realizoj një pasion, mund të aplikojë dhe do të kontaktohet menjëherë.
Festivali i 32-të i Filmit në Trieste i cili do të zhvillohet nga 21 deri më 30 janar 2021, drejtuar nga Fabrizio Grosoli dhe Nicoletta Romeo, ka nisur të zbulojë disa nga titujt e filmave që do të jenë pjesë e festivalit, shkruan KultPlus.
Midis filmave artistikë në garë, dy kanë për regjisorë shqiptarë.
“Galaktika e Andromedës” i regjisores More Raca dhe “Exil” nga regjisori Visar Morina janë bërë pjesë e konkurrencës zyrtare të Festivalit të Filmit të Triestës në Itali.
Filmi debutues i regjisores dhe skenaristes Blerta Basholli, “Zgjoi” (Hive) është përzgjedhë në konkurrencë zyrtare kryesore në festivalin e njohur ‘Sundance Film Festival’ që do të mbahet në janar të vitit 2021 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruan KultPlus.
‘Zgjoi” është film i bazuar në ngjarje të vërtetë që portretizon Fahrijen (interpretuar nga Yllka Gashi) e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për t’a siguruar mbijetesën e familjes, në një ambient tradicionalisht patriarkal ku ambicia e saj për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë. Punët bujqësore fillojnë t’i ecin mbarë, pos bletëve që janë shumë kaotike dhe agresive ndaj sajë. Në rrugëtimin për ta gjetur paqen me bletët, ajo fillon ta gjejë edhe paqen me vetveten.
Aktorja Yllka Gashi e cila njëherit e luan rolin kryesorë në filmin “Zgjoi” është shprehur jashtëzakonisht e lumtur për këtë sukses.
“Jam jashtëzakonisht e lumtur dhe krenare që filmi ynë “Zgjoi” i punuar me shumë dashuri, përkushtim, sakrificë e finesë po fillon rrugëtimin e tij në njërin ndër festivalet më prestigjioze në botë, në Sundance Film Festival në SHBA! Edhe më shumë më gëzon fakti që filmi shtjellon një copëz jete të një gruaje heroinë e cila gjatë luftës së ‘99-tës e humb burrin e saj dhe përkundër të gjitha vështirësive e rrethanave të rënda me të cilat përballet, ajo suksesshëm e ndërton biznesin e saj për t’i ndihmuar komunitetit të grave të veja”, shkruan Gashi.
Tutje ajo këtë sukses e cilëson si shumë domethënës për industrinë e filmit në Kosovë dhe për vendin tonë.
“Kosova ka shumë tregime të pa rrëfyera që bota duhet t’i dëgjojë. Jam e lumtur që përmes këtij filmi ne do të kemi mundësinë ta tregojmë një nga to”, shkruan aktorja.
“Zgjoi“ është një bashkëprodhim filmik në mes të Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Zyra Federale për Kulturë FOC dhe Cinéforom (Zvicër), Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare për Kinematografi (Shqipëri), prodhuar nga Industria Film dhe Ikonë Studio me bashkëprodhim nga Alva Film Production, Black Cat Production, AlbaSky, Swiss National TV, ndërsa të drejtat e shitjes globale i ka LevelK./ KultPlus.com
Filmi i metrazhit të gjatë “Cirku Fluturues” i Fatos Berishës është vlerësuar si filmi më i mirë debutues në festivalin gjerman “Cottbus Film Festival”, shkruan KultPlus.
Filmi shqiptar arriti të shpërblehet me këtë çmim në 30 vjetorin e organizimit të Festivalit.
“Cirku fluturues” është një komedi e zezë e bazuar në një ngjarje të vërtetë të fundit të viteve të ’90-ta e një grupi aktorësh nga Kosova, të cilët gjatë kohës së luftës në mënyrë ilegale kalojnë kufirin e Malit të Zi dhe të Shqipërisë për të marrë pjesë në një festival të teatrit në Tiranë.
“Cirku fluturues” bazohet në një ngjarje të vërtetë, të përjetuar nga vetë regjisori. Në këtë film me rolet e tyre paraqiten aktorët: Armend Smajli, Tristan Halilaj, Afrim Muçaj, Shpëtim Selmani dhe Velibor Topic, ndërsa në rolet dytësore: Luan Jaha, Shkumbin Istrefi, Armond Morina, Vedat Bajrami, Refet Abazi, Rita Gjeka, Romir Zalla, Fisnik Ademi, Rita Gjeka, Esela Pysqyli, Doresa Rexha, Maylinda Kasumovic, Krist Lleshi etj. / KultPlus.com
Si shumë festivale të filmit, ekuivalenti evropian i “Oscars” mbahet në mënyrë digjitale. Organizatorët thonë se është një mundësi për të provuar gjëra të reja
Dashamirët e filmit dhe festivaleve, si dhe filmbërësit, e kanë vënë në dyshim prej muajsh: ceremonia e “European Film Awards” është caktuar të mbahet online. Gjatë këtij viti, me pandeminë e koronavirusit, të gjitha festivalet e mëdha, përfshirë Locarnon, Cannesin dhe Venecien, u detyruan t’i zhvendosin programet e tyre në format online, kështu që ishte fare e natyrshme që edhe “European Film Awards” të vepronte njësoj.
Duket sikur ngjarjet me tepihun e kuq janë kujtime të largëta nga e kaluara e lavdishme. Megjithatë, derisa festivale të tjera të filmit u detyruan t’i ricaktojnë oraret e tyre, organizatorët e edicionit të 33-të të “European Film Festival” kishin mjaftueshëm kohë për t’iu përshtatur rrethanave të pandemisë dhe për ta përsosur formatin e ri digjital.
Organizatori i ngjarjes, European Film Festival në Berlin (EFA), e ka quajtur atë si “një mënyrë tjetër të të shpalosurit të çmimit”.
Në vend të ngjarjes gala që ishte planifikuar të mbahej me 12 dhjetor në Reykjavik, Islandë, filmat shpërblehen në një varg ceremonish virtuale që kanë nisur prej të martës së kësaj jave. Ceremonia e fundme do të zërë vend sonte.
Kalimi në formatin digjital nuk ishte aq i thjeshtë.
“Vendimi nuk ishte i lehtë për ne”, ka thënë Mike Downey, kryesues i bordit të “European Film Academy” në Berlin. Në të njëjtën kohë ai ka premtuar se ngjarjet do të jenë të veçanta dhe më shumë sesa veç zgjedhje e përkohshme: “Nevoja është nëna e të gjitha zbulimeve”, ka thënë Downey, i cili është edhe producent filmi nga Irlanda. Formati i ri është menduar t’i frymëzojë ngjarjet e ardhshme të “European Film Academy”.
Mundësia për të vënë në pikëpyetje formatin e ceremonisë së çmimeve në industrinë e filmit ishte një prej pasojave të rralla, por pozitive, të pandemisë së koronavirusit. Mundësitë janë reflektuar edhe në programin e sivjetmë të “European Film Awards”.
Derisa ceremonitë e çmimeve në festivalet e mëdha të filmit ishin parësisht ngjarje glamuroze në të cilat kremtoheshin VIP-at e industrisë së filmit, fokusi tashmë ka ndryshuar ndjeshëm.
Një shembull është ngjarja e EFA-s, e 8 dhjetorit. Në panelin e diskutimit, të quajtur “From Survival to Revival: Building the Post-Covid Future”, filmbërës të njohur diskutojnë riorganizimin thelbësor të industrisë evropiane të filmit.
Rrallë të ketë ndodhur që hapja e festivalit të filmit të jetë fokusuar kaq shumë në njerëzit që punojnë prapa kamerave, prapa vendeve të sajuara me kujdes, ashtu sikundër edhe për punonjësit e teatrit dhe kompanitë e produksionit – të gjithë kontribuuesit e industrisë së filmit që nuk marrin pjesë në ndriçimin e tepihut të kuq. Dhe për këtë s’ka pasur kurrë më shumë nevojë në industri siç ka pasur gjatë këtij viti të pandemisë COVID-19, ku u humbën kaq shumë vende pune.
Vëmendje sivjet marrin edhe kategori të tjera më pak prestigjioze.
Megjithatë, ngjarja e madhe është ende ceremonia e fundme e çmimeve sonte më 12 dhjetor, kur do të jepen çmimet kryesore, përfshirë edhe kategorinë kryesore “Best European Film”, që është votuar prej 3800 anëtarëve të Akademisë së Filmit. Vëmendje do të marrin edhe çmimet për aktorin dhe aktoren më të mirë, sikundër edhe ato për regjisorin, skenarin dhe filmin më të mirë dokumentar.
Lista e ngushtë e 2020-s në kategoritë përkatëse është zgjeruar për herë të parë nga pesë filma në gjashtë dhe kjo ka sjellë larushi më të madhe në filma. Krahas produksionit polak “Corpus Christi”, filmi danez-suedez “Druk” dhe drama sociale italiane “Martin Eden”, kanë që të dyja nga katër nominime. Filmi çek “The Painted Birs” është duke u marrë parasysh, tok me dy filma gjermanë.
Përshtatja e shumëpërfolur e filmit nga libri “Berlin Alexanderplatz” po garon për filmin më të mirë. Edhe skenaristi i filmit, Martin Behnke, dhe regjisori Burhan Qurbani janë nominuar për skenarin më të mirë. Një tjetër film gjerman, drama e dashurisë e Christian Petzoldit “Undine”, do të garojë në kategorinë e filmit më të mirë evropian.
Ylli i këtij filmi, aktorja 25-vjeçare gjermane Paula Beer, garon për aktoren më të mirë kryesore, duke u vënë në garë të drejtpërdrejtë me bashkatdhetaren Nina Hoss, që luan rolin kryesor në filmin zviceran “My Little Sister”.
Në kategorinë për aktorin më të mirë evropian, Mads Mikkelsen nga produksioni danez-suedezo “Another Round”, që është nominuar tashmë katër herë për çmime, do të garojë kundër jo shumë të njohurit aktor nga Kroacia, Goran Bogdan, që konsiderohet favorit për rolin e tij si një baba i dëshpëruar në filmin “Otac”.
Më 2021, “European Film Academy” shpreson të fitojë çmimin e njohur të filmit gjatë një ceremonie në Gjermani. Ngjarja mbahet çdo dy vjet në Berlin, ku edhe ndodhet akademia.
Por, qyteti i Reykjavikut, në Islandë, që ishte vendi i planifikuar për ceremoninë e këtij viti, nuk do të mbetet duarzbrazur: ai do të jetë logu i 2022-s. Në një mënyrë ose tjetër, pandemia e koronavirusit ka ndryshuar industrinë e filmit me festivalet dhe ceremonitë e çmimeve gjatë viteve në vazhdim. /DW/ Koha/ KultPlus.com
Një film i pazakontë ka nisur të marrë vëmendje në botë. Edhe pse i shkurtër vetëm dy minuta, filmi i titulluar “Thursday Appointment” ka nisur të marrë çmime në Afrikë.
Filmi që flet për martesën, e që nxjerr një mesazh të fuqishëm nga një bisedë e një çifti të moshuar brenda një veture, është shpërblyer me çmim në Festivalin e Filmit në Afrikë, “Luxor”.
Në film, çifti i moshuar ia reciton njëri-tjetrit poemën e Hafezit. Ndërsa kur vetura ndalet në semafor, çifti vëren një çift më të ri që bërtet ndaj njëri-tjetrit me të bijën e tyre të mërzitur të ulur prapa. Më pas çifti i moshuar bën një gjest që thotë shumë për mënyrën se si e ka çuar martesën e vet dhe se si ata që duhen mund të pajtohen pas përplasjeve. / KultPlus.com
Filmi “Rruga” i regjisorit Besim Ugzmajlit është shpërblyer me çmimin “Bihlaf 2020’’ në Festivalin ndërkombëtar të Bosnje-Hercegovinës ‘’Looks Around’’, shkruan KultPlus.
Ky sukses i radhës vie pas çmimit “Best Human Rights” në New York True Venture Film Festival.
Flmi “Rruga” trajton temën e trafikimit me qenie njerëzore.
Në film luajnë Gresa Pallaska, Mal Noah Safqiu, Mevlan Saraçi, Milot Salihu dhe Sherif Bega. Lena dhe Genti janë personazhet kryesore të këtij filmi, këta të dy takohen në një situatë të pazakontë, por tregimi i tyre është më i ndryshëm sesa që duket në fillim, të dy këta, kanë përjetuar dhimbje të shkaktuar nga njerëzit e tjerë.
“Rruga” është prodhim i Figurina Film’s me producent, skenarist dhe regjisor Besim Ugzmajlin. / KultPlus.com
Filmi i metrazhit të gjatë ‘’Galaktika e Andromedës’’ nga regjisorja More Raça po vazhdon të ketë suksese të njëpasnjëshme. Kësaj radhe, ai do të shfaqet në Francë përkrah filmave evropian, shkruan KultPlus.
Festivali i filmit ‘’Les Arcs’’ do të shfaq filmin shqiptar në programin ‘Hauteur’.
Regjisorja More Raça për KultPlus është shprehur se ndjehet tejet e lumtur për këtë sukses të radhës të filmit të saj dhe se filmin e presin edhe të reja të tjera, të cilat do t’i bëj publike më vonë.
‘’Ky është një program shumë i veçantë i festivalit sepse shfaq dhjetë filma evropian dhe autorial që trajtojnë tema shumë të rëndësishme dhe provokojnë mendjen e audiencës’’, thekson Raça për programin në të cilin do të shfaqet filmi.
Tutje, ajo tregon se ‘’Galaktika e Andromedës’’ do të zë vend përkrah filmave të dëshmuar në kinematografitë e popujve të ndryshëm.
‘’Andromeda do të shfaqet bashkë me filma tjerë të shkëlqyer dhe që kanë pas rrugëtim të suksesshëm ne festivalet më prestigjioze’’, ka shtuar regjisorja e filmit.
‘’Galaktika e Andromedës’’ është dëshmuar nëpërmjet pjesëmarrjeve në Festivalin e Filmit në Sarajevë, Kajro dhe tanimë edhe në Francë. / KultPlus.com
Festa do të jetë e zbehtë, por do të kemi një “himn” të ri këtë vit.
Festa e Krishtlindjeve tashmë duket shumë e zymtë për shkak të pandemisë COVID-19. Megjithatë për të sjellë sado pak buzëqeshje, Netflix ka sjell një film për festat e fundvitit.
“Jingle Jangle: A Christmas Journey” është projekti më i ri kinematografik, producenti i të cilit është aktori i njohur John Legend.
Në këtë projekt luajnë aktorët, Forest Whitaker dhe Keegan-Michael Key, dhe deri tani filmi ka marrë vlerësime nga publiku dhe kritika.
Disa kritikë kanë deklaruar se “Jingle Jangle: A Christmas Journey” mund të shndërrohet në një film klasik i cili në një farë mënyre tregon shpirtin e Krishtlindjeve. Filmi rrëfen historinë e një mjeshtri lodrash. Ai krijon një lodër e cila ia ndryshon jetën përgjithmonë, atij dhe mbesës së tij.
Mbesa e tij Journey bashkëpunon me gjyshin për të krijuar më shumë lodra të tilla të cilat japin gëzim tek fëmijët. Po ashtu në këtë film familjar që të gjithë aktorët këndojnë dhe kërcejnë dhe kolona zanore përfshin disa hite nga repertori i John Legend.
John Legend në këtë premierë të filmit deklaroi se është një projekt i realizuar për të gjithë fëmijët anekënd botës për t’i dhënë atyre shpresën se e ardhmja do të jetë më e mirë. /KultPlus.com
Revista prestigjioze ndërkombëtare e artit dhe kinematografisë, mxdwn.com e vlerëson filmin “Furgoni” (The Van) të Enerik Beqirit si një rrëfim autentik dhe mbërthyes që lundron mes familjes dhe lirisë me koston e të dyjave.
Kujtojmë se “Furgoni” ka qenë përzgjedhur në Festivalin e Kanës mes filmave që u përcollën për publikun ndërkombëtar.
Ja çfarë shkruan mxdwn.com:
Sa larg do të shkonit për familjen? Skenaristi dhe regjisori shqiptar Erenik Beqiri eksploron këtë pyetje dhe më shumë se kaq në filmin e tij të shkurtër por tronditës “Furgoni”, (The Van), i cili u dha premierë në 2019 në festivalin e Filmit në Kanë. Flet për një luftë brezash midis babait dhe birit në një dramë të shkurtër familjare, ndërsa dy burra kokëfortë shqiptarë të ndarë nga brezi dhe idealet përpiqen të kërkojnë një të ardhme të mirë. Ben (Phenix Brossard) nuk do të ndalet nga asgjë për të larguar veten e tij dhe të atin nga Shqipëria ndërsa përpiqet në rrugën e tij për një biletë për në Angli.
Kjo përfshin pjesëmarrjen në ndeshje të paligjshme të boksit në një furgon në lëvizje, ku vetëm një fitues mund të mbetet gjallë. Ndërkohë babai i tij (Arben Bajraktaraj) një punëtor ndërtimi i mbetur i ve, nuk pranon të lërë ëndrrat e tij për të pasur një biznes të ndërtimit.
Beqiri përdor një dialog të mprehtë, të përmbledhur dhe pamje intime. Ai godet aq fort me pamjet sa duket se Ben nuk do të shpëtojë kurrë. Trauma psikologjike e Benit nuk kërkon dialog në përshkrimin e saj, pasi e shohim atë në fytyrën e tij. Ndjekim çdo plagë e lëndim dhe ndjejmë çdo goditje.
Në fund, “Furgoni” (The Van) është një film i shkurtër mahnitës që hulumton thellësitë komplekse të dashurisë mes një babai dhe një djali dhe sa larg janë të dy të gatshëm të shkojnë për njëri-tjetrin. Beqiri krijon një rrëfim autentik dhe mbërthyes që lundron mes familjes dhe lirisë me koston e të dyjave./ Diaspora shqiptare/ KultPlus.com
Filma të shumtë me laramani tematikash do të shfaqen në Festivalin evropian të filmit deri më 30 nëntor, shkruan KultPlus.
Festivali që ka nisur sot është organizim i Europe House Kosovo e Cineuropa dhe do të sjell kinematografinë e shteteve të huaja në Kosovë.
Nëpërmjet platformave digjitale, do të shfaqen filma të metrazhit të gjatë e të shkurtë nga vendet si Italia, Letonia, Gjermania.
‘’Comme des garçons’’, ‘’And then we danced’’, ‘’King of the Belgians’’, ‘’Jacob, Mimmi and the talking dogs’’, ‘’The line’’ janë disa nga filmat që do të zënë vend në këtë festival.
Filmi turk që përloti shumë qytetarë gjatë periudhës së karantinës, “Mrekullia në Qelinë e 7-të”, është nominuar për Oscar në kategorinë e filmit më të mirë ndërkombëtar.
Lajmin e kanë bërë me dije mediet turke, teksa njoftojnë se filmi i famshëm i “Netflix”, po garon në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”. Në mesin e 23 filmave nga Turqia që garuan në këtë kategori, komiteti përzgjedhës vendosi që “Miracle in Cell No.7”, të përfaqësojë Turqinë në këtë kategori.
Aktorët e filmit të famshëm janë Aras Bulut ynemli, Nisa Sofiya Aksongur, Celile Toyon, lker Aksum, Mesut Akusta, Deniz Baysal, Yurdaer Okur si dhe shumë të tjerë. / KultPlus.com
Kompania distribuese britanike “Vertigo Releasing”, tashmë i ka siguruar të drejtat autoriale për filmin biografik që flet për jetën dhe karrierën e muzikantit David Bowie, “Stardust”, si dhe e kanë konfirmuar lajmin se ky projekt do të lansohet në Britani të Madhe, kah fundi i këtij viti.
Për herë të parë filmi ishte shfaqur për publikun në kuadër të një gala mbrëmjeje në Londër, ku i pranishëm ishte edhe regjisori Gabriel Range, transmeton Koha.
Ndërsa së fundmi u publikua edhe trileri zyrtarë i tij, por i cili u prit me kritika të ashpra nga adhuruesit e filmit. Përmes rrjeteve sociale ata i kanë ndarë pakënaqësitë e tyre rreth faktit se në këtë film biografik nuk përfshihet muzika e ikonës David Bowie, si dhe nuk iu ka pëlqyer mënyra se si aktorit protagonist e ka portretizuar idhullin e tyre.
“Stadust” e sjell historinë e Bowiet, i personifikuar në film nga Johnny Flynn, në udhëtimin e tij të parë në Amerikë, në vitin 1971, vizitë kjo e cila thuhet se e ka inspiruar në krijimin e personalitetit të njohur si Ziggy Stardust. Në fragmentet e para të filmit Bowie shihet duke i ndarë brengat rreth albumit të tij me publicistin Ron Oberman, i cili në film portretizohet nga aktori Marc Maron.
Në filmin “Stardust” luan edhe aktorja e njohur e filmave “The Hunger Games”, Jena Malone, e cila e portretizon gruan e parë të muzikantit, Angie. Regjinë e këtij projekti biografik e ka bërë regjisori i shpërblyer me çmim “Emmy”, Gabriel Range, ndërsa skenari është punuar nga Christopher Bell.
Familja e Bowie e kishte distancuar veten tërësisht nga ky film. Djali i tij regjisor, Duncan Jones, e kishte konfirmuar se nuk e kanë autorizuar realizimin e filmit “Stardust”, dhe muzika e babait të tij nuk do të përfshihej në këtë projekt.
Filmi ishte planifikuar të lansohej në kuadër të festivalit të filmit “Tribeca”, por kjo ngjarje është shtyrë për shkak të pandemisë së koronavisurit. / KultPlus.com
Letitia Wright beson se një film i radhës “Avengers” i përbërë tërësisht nga aktore gra, do të realizohet së shpejti.
Aktorja 26-vjeçare e cila e ka portretizuar Shurin në filmin “Black Panther” dhe dy projekte me buxhet të lartë “Avengers”, beson se filmi i cili do të përfshijë vetëm superheroina do të bëhet gjithsesi pjesë e universit Marvel, kjo pasi tashmë e ka përkrahjen e producentes Victoria Alonso.
“Nuk mendoj se do të duhet të luftojmë për ta realizuar një projekt të tillë. Victoria Alonso është shumë e vendosur ta realizojë këtë film bashkë me Kevin Feige. Është vetëm çështje kohë derisa sa të merret vendimi për krijimin e këtij projekti”, citohet të ketë thënë Wright.
Edhe aktorja 31-vjeçare Brie Larson, e cila e luan rolin protagonist në filmin “Captain Marvel”, ka zbuluar vitin e kaluar se ajo së bashku me koleget e saj në këtë film, ia kanë propozuar kryetarit të studios “Marvel”, Kevin Feige, idenë për realizimin e mundshëm të një filmi të përbërë nga aktore gra të cilat i portretizojnë superheroinat e fuqishme, transmeton Koha.
Tutje, Letitia Wright e cila e kishte portretizuar motrën e superheroit Black Panther, krahas aktorit të ndjerë Chadwick Boseman, ka treguar se është shumë e lumtur dhe e nderuar që ka pasur mundësi të luaj në këtë projekt të suksesshëm në arkat filmike, që njëherësh shquhet si një prej filmave të parë me buxhet të lartë të studios “Marvel”, ku dominojnë aktorë të komunitetit afrikano-amerikan. / KultPlus.com
Studioja filmike “Universal Pictures” e ka publikuar trilerin e parë të filmit të mbushur me skena aksion, “The 355”.
Me një ekip aktoresh gra, të cilat vijnë në rolin e spiuneve profesionale, filmi i zhanrit triler pritet të lansohet nëpër kinema më 15 janar të vitit të ardhshëm.
Në rolet protagonist të këtij projekti vijnë aktore yje: Jessica Chastain, Lupita Nyong’o, Diane Kruger, Fan Bingbing dhe Penelope Cruz, transmeton Koha.
Filmi “The 355” e rrëfen historinë e një grupi spiunesh nga agjenci të ndryshme ndërkombëtare, të cilët duhet të punojnë bashkë për ta parandaluar krijimin e konflikteve mes shteteve dhe ndalimin e një incidenti që mund të sjellë valë tronditëse në botë. 5 gratë e guximshme dhe të talentuara detyrohen ta lënë anash rivalitetin dhe mosbesimin mes tyre, në mënyrë që ta krijojnë grupin e parë sekret të përbërë nga agjente gra në Revolucionin Amerikan.
Në film luajnë edhe aktorët, Sebastian Stan dhe Edgar Ramírez, derisa regjinë e tij e ka bërë Simon Kinberg.
Data aktuale e lansimit të këtij projekti kinematografik është 15 janari i vitit 2021, por ekziston mundësia që kjo datë të shtyhet për shkak të pandemisë së vazhdueshme.
Në fund të javës së kaluar u lansua traileri i parë i filmit të ardhshëm “Dune”.
Me regji të Denis Villeneuve i njohur për filma të tillë si “Blade Runner 2049” dhe “Sicario”, në këtë projekt të shumëpritur nga publiku luajnë aktorët e famshëm hollywoodian, Zendaya, Rebecca Ferguson dhe Timothee Chalamet.
“Dune” e rrëfen historinë e Paul Atreides, një djalosh i ri me aftësi të jashtëzakonshme i cili duhet të udhëtoj në një prej planetëve më të rrezikshme në univers, për ta siguruar të ardhmen e familjes së tij fisnike dhe mbarë popullit. Por, konflikti pason me forcat keqdashëse për kontrollin e një burimi të quajtur ‘Melange’, i cili kur konsumohet mund ta përmirësojë shëndetin e njerëzve dhe e rritë jetëgjatësinë. Melange po ashtu është jetik për t’i ndihmuar udhëtimet në hapësirë dhe njëkohësisht është produkti më i kërkuar në gjithë universin.
Ky është adaptimi i fundit në ekran të madh i romanit ikonik fantastiko-shkencorë i Frank Herbertit me të njëjtin emër, pas filmit të vitit 1984 i realizuar nga David Lynch.
Në këtë projekt po ashtu luajnë aktorët tjerë të famshëm, Josh Brolin, Dave Bautista, Jason Momoa, Oscar Isaac, Stellan Skarsgard dhe Javier Bardem.
Filmi “Dune” do të fillojë së shfaquri nëpër kinematë botërore në dhjetor të këtij viti. / KultPlus.com
Kodi i lashtë i nderit dhe i sjelljes, besa shqiptare, një fjalë e dhënë që duhet të mbahet përtej vdekjes, premtimi i cili nuk mund të thyhet në asnjë rrethanë edhe atëherë kur ta mbrosh atë do të thotë të japësh edhe jetën tënde. Historia e besës është po aq e gjatë sa edhe vet historia e vendit tonë, kodi i nderit që karakterizoi shqiptarët ndër vite nuk u kufizua në statuset shoqërore të njerëzve, madje ajo kaloi edhe përtej feve, shkruan KultPlus.
Filmi i metrazhit të shkurtër “Dilema e Ismailit” pasqyron Shqipërinë e vitit 1944, kohën kur nazistët e kishin bërë luftën pjesë të pandashme të jetës. Njëri nga personazhet kryesore të këtij filmi, Ismaili përballet me një nga dilemat më të mëdha të kohës. Për një periudhë të gjatë shtëpia ku ai banonte me familjen e tij, ishte bërë streha më e ngrohtë për dy hebrenjtë që ikja e fshehja ju kishte bërë sinonim i jetës.
Ishte pasiguria ajo që shoqëroi të gjithë personazhet e këtij filmi, pasiguria për jetën, pasiguria për besën e fjalën e dhënë njëri-tjetrit.
Kujtojmë që përpara Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri ishin të vendosur diku rreth 300 hebrenjë, kurse pas përfundimit të saj më shumë se 3000 prej tyre e konsideronin Shqipërinë shtëpi të tyre. Hebrenjtë që qëndruan në Shqipëri, nuk u vranë madje as nuk u dorëzuan tek nazistët. Kjo besnikëri e popullit shqiptarë e ka ngacmuar regjisorin Dhimitër Ismailaj i cili vendosi ta kthejë në film.
Në një intervistë për KultPlus, Ismailaj shpalos detajet që ndoqën rrugën deri te realizimi i filmit të metrazhit të shkurtër “Dilema e Ismailit”. Ai rrëfen mesazhin, qëllimet madje edhe pengesat që i ka hasur gjatë punës së tij.
Xhirimet e këtij filmi kishin filluar në majin e vitit që lam pas, në thellësinë e fshatrave Shëngjergj e Baladushk të Shqipërisë.
Ismailaj ka thënë se procesi i realizimit të këtij filmi nuk ka qenë i lehtë për shkak se trajton një temë që ka ndodhur para më shumë se 70 viteve dhe që nga ajo kohë shumë gjëra kanë ndryshuar, që nga vendet dhe ndërtesat e ndërtuara në atë periudhë. Ai ka shtuar se sigurimi i kostumeve dhe armëve naziste, por dhe makinave, ka qenë i vështirë sepse Kosova, Shqipëria madje edhe Maqedonia nuk posedojnë rekuizita të tilla.
“Procesi ishte i vështirë për faktin se kemi të bëjmë me një ngjarje që ka ndodhur pak a shumë 70 vite më parë dhe shumë gjëra kanë ndryshuar, duke përfshirë këtu edhe vend xhirimet, domethënë ishte e vështirë të gjenim vend xhirime që janë të paprekura nga ndërtimet e reja apo moderne. Një vështirësi tjetër e madhe ka qenë gjetja e kostumeve naziste si dhe të armëve, makinave të asaj kohe. Fatkeqësisht Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia nuk kane rekuizita të tillë, dhe është për të ardhur keq, sidomos për Shqipërinë që ka qenë e pasur me këtë lloj rekuizite gjatë viteve të funksionit të plotë të Kinostudios”, ka pohuar Ismailaj.
Regjisori tutje ka shpjeguar se kjo nuk ishte pengesa e tij e vetme që ka hasur gjatë realizimit të këtij filmi. Ai ka thënë se ndonëse kishte konkurruar në QKK në Shqipëri e Kosovë, projekti i tij nuk kishte fituar sepse sipas tij ai nuk posedonte “lidhjet” e duhura për të marrë fondet për realizimin e këtij projekti.
“Po, përveç vështirësive që përmenda pak më lart me rekuizitën, vështirësi patëm edhe me gjetjen e buxhetit. Unë konkurrova si në QKK-në e Shqipërisë ashtu edhe në atë të Kosovës, por në të dyja rastet projekti nuk fitoj, ndonëse mendoj se tema është shumë pak e trajtuar nga kineastët në Shqipëri apo edhe në Kosovë, të paktën në këtë formë. Tani dihen nga të gjithë sesi funksionojnë këto konkurse dhe se kush fiton, dhe duke qenë se unë nuk jetoj në Shqipëri apo Kosovë dhe nuk kam “lidhjet” e duhura, besoj se ndikoj në faktin që nuk fitova. Por, kur konkurrova, konkurrova me idenë dhe shpresën se subjekti dhe tema e filmit do të fitonin, jo unë”, ka thënë Dhimitër Ismailaj i cili u detyrua që 90% të filmit ta financojë vet dhe 10% nga disa donacione të hebrenjve në NY, e bërë e mundur nga këshilltari i Bashkisë së New York-ut, Mark Gjonaj.
Ndonëse i realizuar me mjaft vështirësi “Dilema e Ismajlit” mban në vete një nga mesazhet më të mëdha që mund të përcillen përmes një filmi të tillë. Tridhjetë e dy minutat e këtij filmi, e gjejnë personazhin kryesor, Ismailin të ulur në një sofër me dy hebrenjtë që strehonte dhe At Lekën, që s’kishte shumë kohë që kishte përfunduar udhëtimin e tij në Kosovë.
Edhe pse i përkisnin religjioneve të ndryshme, Musliman, Katolik dhe Judaist, të katër personazhët bashkëvepronin e bashkëjetonin mes vete, ndanin bukën, gëzimin madje edhe hallet së bashku.
Për regjisorin, përpos faktit që besa është një nga konceptet e qarta të këtij filmi, ai ka dashur që të vë në pah edhe faktin që besa ju përket shqiptarëve, pa marrë parasysh fenë e tyre, madje sipas tij ajo është më e hershme se çdo fe që ne e praktikojmë sot.
“Natyrisht përveç faktit që është i qartë në konceptin e Besës, desha të vë në dukje që besa është një fenomen, një lloj filozofie sesi një popull apo grup njerëzish e shohin dhe praktikojnë jetën e përditshme, të paktën deri 30-50 vitet me parë. Por, mesazhi kryesor mendoj se ka të bëj me faktin se besa nuk i përket ndonjë feje të veçantë, siç janë munduar rëndomtë të bëjnë disa individ brenda dhe jashtë vendit, me ose pa qëllim. Besa në fakt, mendoj se është shumë më e hershme se çdo fe që ne praktikojmë sot”, ka theksuar ai.
Dhimitër Ismailaj është shprehur i kënaqur me lojën e aktorëve, siç e shpjegon ai, kushdo që do të shikoj filmin gjëja e parë që do t’i bie në sy është edhe aktrimi që kanë bërë personazhet e filmit.
Filmi tashmë ka marrë pjesë në shumë festivale dhe ka rrëmbyer çmimin si: Filmi më i mirë i huaj i metrazhit të shkurtër në Festivalin e Filmit “Carmathen Bay”. Ndërkaq është edhe pjesë e edicionit të 19-të të “Dokufest-it”.
Regjisori Ismajlaj ka thënë se është inkurajuese kur merr pjesë në festivale që kanë reputacion për drejtësi dhe paanësi. Madje për të “Dokufest-i” ka një vend të veçantë sepse ka një mënyrë unike të realizimit. Sipas tij puna që kanë bërë organizatorët përgjatë këtyre 19 viteve dëshmon forcën kulturore të këtij festivali.
“Për mua “Dokufest” ka një vend special sepse është unik në organizim dhe larmin e projekteve, sikurse dhe për faktin që kur ja kanë nis kësaj rruge, janë hasur pak a shumë me të njëjtat probleme dhe vështirësi që jam hasur edhe unë apo shumë kineastë të tjerë, pra me vështirësi financiare, me cinizmin e të tjerëve apo duke pasur edhe dilemë për sukses. Por, fakti që mbas 19 vitesh festivali nga një dhomë e vogël është bërë një forcë e madhe dhe e rëndësishme kulturore për rajonin, dëshmon në punën kolosale dhe besimin e organizatorëve në projektin e tyre”, ka përfunduar kështu intervistën Dhimitër Ismailaj.
“Dilema e Ismajlit” tashmë ka filluar udhëtimin edhe në festivale të tjera, në Toronto dhe Berlin, por që sipas regjisorit detaje të tjera do të bëhen të njohura kur vetë festivalet do t’i shpallin nominimet. / KultPlus.com
Kanë nisur në Zelandë të Re xhirimet e vazhdimit të filmit Avatar, pas dy muajsh bllokim si pasojë e pandemisë.
Ekuipazhi prej 55 personazhesh, përfshirë regjisorin James Cameron dhe producentin Jon Landau, zbarkuan të dielën në vend pasi udhëtuan me një avion charter me një leje të posaçme nga qeveria e Zelandës. Kufijtë janë ende të mbyllur për shtetasit e huaj dhe kjo ka çuar në polemika dhe akuza për pabarazi në trajtimin e njerëzve, situatë të cilën producenti e justifikon me përfitimin eko.
Do të gjenerojë mijëra vende të reja pune dhe miliona dollarë, thotë Landau, teksa ecën në mesin e turmës në Zelandë.
Industria e filmit në Zelandën e Re vlen më shumë se 3 miliardë dollarë në vit. Një film ndërkombëtar gjashtë-mujor mund të krijojë rreth 3,000 vende pune.
Cameron ka vite që punon me vazhdimet e “Avatar” dhe publikimi i tyre është vonuar disa herë. Seria e radhës është planifikuar të dalë në ekranin e madh në Dhjetor 2021, për t’u pasuar më pas nga tre të tjerë, deri në vitin 2027. / KultPlus.com