Ekranizohet “Vera pa kthim” e shkrimtarit Besnik Mustafaj


“Inane” titullohet filmi i bazuar në librin “Vera pa kthim” të autorit Besnik Mustafaj, i vlerësuar si një ndër librat e tij më të mirë, premiera e të cilit do të jetë në 16 tetor (e mërkurë) në kinema MIllenium në Tiranë.

Interpretojnë aktorë Anila Bisha dhe Neritan Liçaj. Anila rikthehet në shesh xhirime pas 20 vitesh mungesë. / KultPlus.com

Filmi “Zgjedhe një emër”, është shpërblyer me çmimin “Filmi më i mirë” në kategorinë kombëtare nga Dokufesti

Filmi “Zgjedhe një emër”, mbrëmë është shpërblyer me çmimin “Filmi më i mirë” në kategorinë kombëtare nga Dokufesti.

Juria për ndarjen e këtijçmimi ka qenë Ilir Hasanaj, Lala Meredith-Vula, Enrico Vannuci

“Për shkak të rrëfimit të fortë, që adreson çështje moderne të imigrantëve kosovarë jashtë vendit, aktrimit të mirë, dhe skenave që në mënyrë të vetëdijshme përdorin fuqinë e kinematografisë, ne juria e kategorisë kombëtare zgjedhim si fitues të këtij viti ‘Zgjedhe një emër’ nga Dritëro Mehmetaj”, është shkruar në deklaratën e DokuFest. / KultPlus.com

“I vetëm në shtëpi” – Disney risjell filmin e famshëm

Disney do të rikthejë “I vetëm në shtëpi” dhe sipas shefit ekzekutiv të studios, Bob Iger-it do të ketë edhe risjellje të “Night At the Museum”, “Diary of a Wimpy Kid” dhe “Cheaper By the Dozen’.

Aktualisht Disney zotëron të gjithë filmat përkatës, kjo pasi bleu studion 20th Century Fox. Shërbimi i ri Disney+, lancohet në SHBA në nëntorin e këtij viti dhe pritet të arrijë vitin e ardhshëm edhe në Britaninë e Madhe. Ju kujtojmë se klasiku i Krishtlindjeve, me pjesëmarrjen e yllit Macaulay Culkin u transmetua për herë të parë në 1990-n.

Këtë vit, Disney ka risjellë pesë filma të mëdhenj, që kanë mbledhur me miliarda dollarë të ardhura. Përveç Avatar-it, X-Men-it dhe Deadpool-it, Disney është fokusuar edhe te rikthimi i projekteve të tjera të 20th Century Fox për të pasuruar përmbajtjen e platformës së tij të pritshme.

Përvec këtyre rikthimeve, Disney+ do të ketë në dispozicion edhe Star Wars dhe seritë Marvel, teksa hyn në tregun e shumëpopulluar duke u përpjekur të bëhet gjiganti më i ri i streaming-ut, transmeton tch, përcjell Klan Kosova.

Ai do të ketë në dispozicion më shumë se 7500 episode televizive dhe 400 filma. Nuk ka ende detaje se si do të jetë rikthimi i “I vetëm në shtëpi”, por Disney thotë se shpreson që rikthimi të ketë të njëjtat standarde dhe të njëjtën disiplinë krijuese si origjinali.

“Zorro” mbush 1 shekull, heroi i parë i maskuar që u shfaq në më shumë se 50 filma

Heroi i maskuar, Zorro, lindi 100 vite më parë, kur u shfaq në një revistë amerikane për tu bërë shpejt një ikonë ndërkombëtare bashkë me homologë si Tarzani apo Supermeni. Kalorësi me maskë, i veshur me të zeza, u krijua nga shkrimtari amerikan Johnston McCulley në gusht 1919. Dhe ai më pas hapi rrugën për një shekull të tërë superheronjsh.

Zorro është heroi i parë i maskuar. Para Batmanit, para supermenit, para Wonder Women,para të gjithëve ishte Zorro.

Karakteri është alteregoja e një njeriu të fisshëm spanjoll, në shekullin e 19, Don Diego de la Vega, që kthehet në Kaliforni pas studimeve në Spanjë dhe zbulon se gjithçka është në duart e tiranëve të korruptuar dhe mizorë.

Kur ai vendos të ndërhyjë, zgjedh të maskohet nën një maskë dhe kapelë të zezë. Ai përdor shpatën e tij për të lënë si shenjë një Z, pasi mund të këqinjtë.

Më shumë se 50 filma kanë patur si hero kryesor zorron. Në dy prej tyre, maska e Zorros dhe legjenda e Zorros, petkat e heroit i veshi aktori spanjoll Antonio Banderas, që bashkë me Catherine Zeta Jones, i bënë filmat ndër më të pëlqyerit e hollivudit.

Walt Disney krijoi një seri televizive, me 78 episode nga 1957 në 1961, që ishte mjaft popullore e madje transmetohet ende në Francë. Dhe heroi tashmë 100 vjeçar, është parë po ashtu edhe në teatër, filmat e animuar, librat komikë dhe videolojëra.

“Aladdin” thyen rekord, kap shifrën prej 1 miliardë dollarësh

Filmi i 1992 i risjellë nga Guy Ritchie mblodhi më shumë se 86 milionë dollarë, në tre ditët e para të tij, në Amerikën e Veriut.

Por tashmë ka arritur majat, duke kapur shifrën prej 1 miliardë dollarë.

Versioni i ri vjen me Uill Smith, në rolin e xhindit blu, që më herët kishte zërin e të ndjerit Robin Uilliams, dhe aktorin kanadez të lindur në Egjipt, Mena Massoud, si mashtruesi që pretendon se është një princ për të marrë vëmendjen e Jasminës, që luhet nga Naomi Scott.

Duke arritur shifrën prej 1 miliardë dollarë është kthyer në filmin më të madh në karrierën e Uill Smith, i cili falenderon të gjithë njerëzit nëpër botë, për këtë arritje.

Përmes imazheve filmike, DokuFest do të prezantojë copëza nga historia e Kosovës

Rrona Jaka

“Gjithçka që kam mësuar e kam mësuar nga filmat” shprehet akrorja britanike Audrey Hepburn, dhe ndoshta është shprehja më e mirë për edicionin e 18-të të festivalit të filmit DokuFest, shkruan KultPlus.

Me moton diotomike “Truth lies here” DokuFest do të fillojë këtë të premte dhe do të vazhdojë për nëntë ditë me radhë.

Hapjes së festivalit i ka paraprirë një konferëncë për media ku drejtori artistik i festivalit, Veton Nurkollari ka treguar të gjitha detajet lidhur me këtë edicion të DokuFest.

“Këtë vit kanë aplikuar mbi dy mijë filma për të qenë pjesë e festivalit por janë pranuar vetëm 282, nga ku 160 janë pjesë e garës së festivalit.”

Ai ka treguar edhe surprizat që do të ketë në këtë edicion të DokuFest dhe si do të realizohet i gjithë festivali.

“Zakonisht DokuFest zhvillohet në prej lokacioneve më të etiketuara të Prizrenit, por këtë herë do të shtohet edhe Kinemaja Udhëtuese e cila do të shkojë në disa vende më pak të njohur atë qytetit të Prizrenit” ka deklaruar Nurkollari.

Ai ka shtuar gjithashtu që në çdo ditë të festivalit do të ketë edhe filma për fëmijë të cilët do të jenë absolutisht falas dhe do të trajtojnë tema për moshat e adoleshencës dhe të fëmijërisë së vonë.

Edhe Samir Karahoda, Programer i filmit të shkurtër, ka folur për filmat që do të shfaqen gjatë këtij edicioni

“Këtë herë Doku fest do të shfaqë dromca nga historie e Kosovës përmes imazheve filmike. Kemi një kohë të gjatë që punojmë në realizimin e festivalit dhe gjithçka është realizuar si më së miri.” Është shprehur Karahoda në konferencën për media.

Detaje të tjera rreth përgatitjes së festivalit ka shtuar edhe drejtoresha e festivalit Nita Deda, e cila është shprehur tepër e kënaqur me punën dhe bashkëpunimin lidhur me realizimin e festivalit.

“Në këtë edicion të DokuFestit presim një angazhim tepër të madh dhe një numër edhe më të madh të vizitorëve. Për nëntë ditë sa do të zgjatë festivali do të keni mundësi t’i shihni mbi 280 filma, të merrni pjesë në debate dhe të bashkoheni në punëtoritë ku do të ligjërohet rreth filmbërjes nga aktorë vendorë e të huaj.” është shprehur  zonja Deda.

Ajo ka foluar edhe për filmat që do të shfaqen duke u munduar që të mos japë shumë detaje.

“Siç e përmendi edhe drejtori artistik i festivalit do të jenë 282 filma gjithsej nga 2000 sa kanë aplikuar. Filmat janë të zhanreve të ndryshme dhe kanë të gjithë mjeshtrinë e filmografisë moderne” është shprehur Deda.

“Përveç filmave e debateve do të ketë edhe mbrëmje argëtuese me muzikë, nga ajo klasikja deri te muzika ekspreimentale tekno”, ka sqaruar ajo.

Ajo ka treguar edhe se gjatë këtij edicioni, 150 vullnetarë të rinjë janë bërë pjesë e ekipit, të cilët so të trajnohen dhe do të jenë pjesë e edicioneve të tjera të DokuFestit.

Konferenca është mbylluar me këshillën që të gjithë të inkuadrohen sa më shumë në botën e filmit sepse vetëm kështu mund të largohen për pak çaste nga realiteti./KultPlus.com

Premiera e filmit të Tarantinos, “Once Upon a Time in Hollywood”

Pas festivalit të filmit në Kanë, Kuentin Tarantino dhe kasti i tij i mbushur me super yje, prezantuan “Once Upon a Time in Hollywood” në Los Angeles, qytetin ku regjisori i famshëm është rritur, ç’ka edhe e bën veprën më të fundit të tij, më personalen dhe më prekësen e filmografisë së tij.

“Ky film është një kthim në një erë kinematografie që ne nuk do ta shohim më. Në një farë mënyrë, është një dinozaur i madh. Do të shohim një copë arti të madh, të gjithë bashkë, dhe do ta shijojmë atë”, është shprehur aktori Leonardo DicCaprio.

“Once Upon a Time in Hollywood” është filmi më personal i Tarantinos për faktin se ai është rritur atje. Por ai është sipas kritikëve edhe filmi më emocional, më prekës, dhe më i ndjerë i tij.

Filmi të çon në Hollivudin e viteve 60-70, kur gjithçka po ndryshonte. Personazhet kryesore janë një yll televiziv Rik Dalton, që luhet nga Leonardo DiCaprio dhe dublanti i tij i hershëm, Klif Booth, që luhet nga Bred Pitt, ndërsa çajnë në një industri që nuk arrijnë ta njohin më.

Ky është filmi i nëntë i Tarantinos që nderon momentet e fundit të erës së artë të Hollivudit. Pavarësisht se ishte vlerësuar shumë, nga festivali i Kanës, filmi doli me duart bosh, pa mundur të rrëmbejë asnjë çmim.

Aktori serb i “La Casa De Papel” shkruan në gjuhën shqipe

Në serialin më të famshëm e ndër më të ndjekur të momentit, “La Casa De Papel” (Shtëpia e Letrës), luan aktori serb, Darko Peric në rolin e Helsinkit.

Darko ka publikuar në llogarinë e tij në Instagram një foto bashkë me kastin e serialit dhe ka falenderuar në disa gjuhë të ndryshme.

Mirëpo në sy bie fakti që aktori serb ka shkruar edhe në gjuhën shqipe duke iu thënë fansave: “Faleminderit”.

Së fundmi aktorët e serialit u mblodhën në kuadër të premierës së sezonit të tretë që nisi një ditë më parë.

 

Avengers: Endgame tejkalon fitimet e filmit Avatar

Kryesimi 10-vjeçar i filmit Avatar në listën e filmave me fitimet më të mëdha tashmë ka marrë fund.

Ditën e diel, fitimet e filmit me superheronj, Avengers: Endgame, kanë arritur në 2.7902 miliardë dollarë, në krahasim me filmin e regjisorit, James Cameron, që ka arkëtuar, 2.7897 miliardë dollarë, e që deri më tani ka qenë i pari në listë.

Shefi i kompanisë, Marvel, Kevin Feige ka mirëpritur arritjet e këtij filmi në Shtetet e Bashkuara.

Në një ceremoni të mbajtur në San Diego, Marvel ka bërë të ditur se do të realizojë edhe 10 filma tjerë me superheronj.

Animatori i botës së pafundme të imagjinatës

Matt Taylor, i lindur në Ohio në vitin 1983, ishte rritur në Amerikën e kohës e cila për fëmijët e kësaj gjenerate njihet si epoka e filmave të animuar. Që atëherë ka qenë i dhënë pas vizatimeve dhe animacionit.

Sot vepron në Los Angeles, është në mesin e yjeve të botës së pafundme të animacionit, ka punuar në serialet me të njohura të filmit të animuar si “Rick and Morty Exquisite Corpse” e “King Star King” që ka fituar çmimin “Emmy”, shkruan sot “Koha Ditore”.

Aktualisht bashkëpunon me rrjetin e njohur “Cartoon Network”. Lista e veprave të Taylorit – mysafir special i “Anibarit” të sivjetmë bashkë me Bryan Newtonin – është e gjatë. Ashtu sikurse edhe rrëfimi i tij.

Kur si fëmijë Taylor kishte parë për herë të parë “Lion King”, ishte mahnitur nga realizimi. Pasi që kishte shikuar filmin kishte marrë një letër të bardhë dhe në të kishte vizatuar “Timon” dhe kishte shkruar se sa shumë i kishte pëlqyer filmi. Të njëjtën ia kishte dërguar kompanisë “Disney”.

Për të, në atë moshë “Disney” ishte një ëndërr. Edhe pse nuk e kishte pritur që ata do t’i përgjigjeshin, Taylor kishte pranuar po ashtu një letër nga “Disney” në të cilën ishte shkruar: “Jemi të lumtur që je i interesuar për animacionin. Këtu keni disa rregulla të animacionit”.

Ishte një mesazh ky më shumë teknik që u dërgohet njerëzve të shumtë që në atë kohë dëshironin të kishin një kontakt me këtë kompani. “Disney” ishte një ëndërr sikurse edhe pranimi i një letre prej këtij gjiganti. Mirëpo, me kohë Taylor do ta kuptonte se animacioni është shumë më shumë sesa “Disney”.

Tjetërsimi përmes animacionit

Në garën e dytë ndërkombëtare te Anibar shfaqen filma të cilat kryesisht e trajtojnë tjetërsimin, ngecjen e shoqërive në vese, traumat e jetës, stresin dhe depresionin dhe (fat)keqësitë. Pesë filmat që garojnë janë: “Orbita e vetmuar” (Lonely Orbit), Nën kafazin e krahërorit” (Under the Rib Cage), “Natë e ëmbël” (Sweet Night), “Kojota” (Coyote) dhe Jeta24” (Life24).

Nuk ka asgjë me të lezetshme se sa koha e kaluar mes shokësh. Puna me ngarkesë domosdo ka nevojë për shkarkim. Filmi “Orbita e vetmuar” (Lonely Orbit) e regjisorëve, Frederic Siegel dhe Benjamin Morard, flet për punën dhe gjendjen psikologjike te një tekniku sateliti. Ai përballet me vetminë dhe punën me përgjegjësi. Duke e vërejtur tjetërsimin, pra faktin që është më shumë rob i punës së tij se sa i projeksioneve jashta saj, mendja e tij prodhon kaos, dhe ky kaos shkakton reaksion zinxhiror në hapësirë. Në botë ka të vetmuar dhe vetmitarë. Të parët e përjetojnë keq botën sepse përkundër se janë vetëm e përjetojnë veten si të tillë. Të dytët janë në harmoni me vetminë e tyre. Në të dyja rastet, tjetërsimi është një prej shkaktarëve.

Një kërkim në “Google” për ndonjë simptomë sëmundjeje sugjeron dhjetëra sëmundje tjera. Të jetosh vazhdimisht në pasiguri të të ardhurave, në rutinën e bezdisshme plot e përplot vese, dhjetëra sëmundje tjera janë buzë pragu. Regjisori Bruno Tondeur me “Nën kafazin e krahërorit” (Under the Rib Cage) sjellë ikjet e zakonshme që bëjnë njerëzit si protestë ndaj realitetit të vrazhdë, dhe këtë e pasqyron përmes personazhit kryesor që është një djalosh që mendon se do të vdesë. Ai ka një punë, një banesë, depresionin dhe gjendjen e keqe fizike; me fjalë të tjera, shumë stres. Si shumë shoqëri moderne e post-moderne, ikja nga realiteti karakterizohet me konsumimin e drogërave, alkoolit, mbylljen në vetmi, shkëputjën nga realiteti. Për trembëdhjetë minuta ky animacion pasqyron të gjitha këto, dhe jo me pahir asocojnë me shumëkë.

Natë e ëmbël” (Sweet Night) e regjisorës Lia Bertels shpërfaq nevojën që të theksohet e mira tek e keqja. Në qendër të këtij filmi është një ari që nuk po mund të bie në gjumin dimëror. Thuhet se arsyeja përse qëndrojmë zgjuar është kujtimi dhe pritja për diçka ose dikë. Ariu i filmit është në apati totale. Arsyeja e insomnisë së tij është një ëndërr e lënë në gjysmë. Një njeri (i pa takuar më herët) i shfaqet në ëndërr dhe nis të këndoj. Në momentin kur nis kënga ai zgjohet. Kjo për të ka kuptim depresiv: “mbase nuk i meritoj gjërat e bukura”. Në mes të kësaj katrahure, atij në ndihmë i vjen një majmun i bardhë i cili e shpie tek tezja e tij që ta hajë mjaltë magjike që e vë në gjumë. Në himalaje dhe në dimër, më në fund ariu e kupton se bëri mirë që nuk kishte fjetur deri atëherë. Gjëra më të bukura ndodhin kur jemi zgjuar.

Një familje kojotësh janë duke u ushqyer me prehen e tyre. Një llavë ujqish i dallon ata dhe në sulm e sipër e vrasin pothuajse tërë familjen dhe ua hanë prehen. Mbetet vetëm kojota mashkull. Në filmin “Kojota” (Coyote) të regjisorit Lorenz Wunderle, trajtohet mostejkalimi i traumës. Me gruan dhe fëmijët e vrarë kojota nuk mund t’i jap kuptim jetës. Ata janë çdokund. Dita e tij karakterizohet me kujtimin traumatik të tyre. I zhgënjyer nga emocionet njerëzore, ai përpiqet ta kalojë këtë gjendje, por ajo sa vjen e rëndohet. Ngecja në traumë shpie në rrugë qorre. Filmi “Kojota” na rrëfen këtë.

Një sulm me armë ndodh në një rrugë. Katër personazhe dalin nga vetura, por me t’u futu brenda ajo nuk ndezet. Që të shpëtojnë duhet të arratisen dhe ta hudhin veturën në erë. Bomba e hudhur merrë trajtë të një gjallese dhe përmes melankolisë pranon fundin e vet shkatërrues. Në proces e sipër ajo zbulon dhe liron një njeri të strehuar në bagazh. Filmi “Jeta24” (Life24) e regjisorit Kristjan Holm sipërfaqëson jetën e shthurrur të beqarit Einar Jernskjegg. Si i pandreqshëm që është, 24 orët e jetës së tij janë mjaft të përçudnuara. Ai me vullnet të lirë dhe pas një nate të egër futet në bagazhin të një veture të parkuar. Kjo veturë vidhet dhe hudhet në erë, por që beqari i pandreqshëm Einar e fiton lotarinë: jeta e tij shpëtohet nga një bombë. Nganjëherë moskokçarja ka simotër fatin e mirë.

“Pranvera e paharruar në fshatin e harruar” eksploron jetën ‘perfekte’ brenda sistemit komunist

Rrona Jaka

“Njerëzit janë të vetmet krijesa mbi tokë që dinë për mortalitetin e tyre, prandaj, shpeshherë seksi dhe pija janë veç shpërqendrime të këndshme”, është një shprehje nga Gjakova, por për filmin “Pranvera e paharruar në fshatin e harruar” kjo shprehje shtyhet në kufijtë më ekstremë të saj, shkruan KultPlus.

Në kuadër të festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë “PriFest” është shfaqur premiera e këtij filmi në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Në këtë film, fshatarët zgjedhin kafenenë në vend të çajtores, miqtë në vend të familjes, natën në vend të ditës dhe prostitutën në vend të gruas, duke e shfrytëzuar seksin dhe pijen si shpërqendrime të përkohshme.

Filmi fillon me disa narrativa të ndryshme, por të gjitha historitë bashkohen kur njëri prej fshatarëve hap një kafene ku shfrenohen të gjithë banorët e fshatit.

Filmi eksploron jetën “perfekte” brenda sistemit komunist ku gjithçka kryhet me sukses dhe të gjithë janë punëtorë, të zellshëm e besnik, derisa dikush u hap një kafene dhe u jep mundësi atyre që t’i tregojnë fytyrat e vërteta.

Të gjithë, që nga fëmijët e deri te burrat bëhen kurioz të dinë se çfarë fshihet me mes këmbëve të një ukrainase, veç për të zbuluar që gjithçka është njësoj, është veç mungesa e aventurës në jetën e tyre që e bën të dytën më atraktive se të parën.

Ndërkohë, filmit s’i mungon as klisheja filmike e historisë së Romeos dhe Xhulietës. Dy familje armike që duan të bashkohen nga dashuria e dy të rinjve. Një narrativë që është bërë mirë që është lënë më anash se të tjerat.

Një gjë tepër e veçantë rreth këtij filmi është se si shihet homoseksualiteti në një shoqëri të izoluar. Fillimisht është djali i Dautit që urdhërohet nga i ati që të “bëhet burrë” e të kryejë marrëdhënie me Tatianën, e pastaj edhe Miradija e cila është një vajzë e pamartuar që gjatë gjithë kohës bën komente kundër martesës dhe kundër ideve mashkullore. Zakonisht komentet e saj janë të përcjella me “Miradi mshele”.

Sigurisht, historia ka një fund të lumtur pasi, të ashtuquajturat “tundueset e djallit” përzihen nga fshati nga gratë që kishin humbur burrat e tyre si pasojë e epshit. 

Me aktorë të jashtëzakonshëm, filmi është realizuar me profesionalitetin dhe kujdesin më të madh nën regjinë e Kushtrim Bekteshit.

Me afër 50 aktorë gjithsej, regjisori ka treguar që nuk ka rol kryesor.  “Në film ka 14 role bartëse, nuk ka rol kryesor”.

“Pra, rolet më përfaqësuese i kanë, Shkumbin Istrefi, Osman Ahmeti, Riqip Gjepa, Luan Jaha, Adriana Matoshi e shumë te tjerë”, ka treguar regjisori i këtij filmi. Ndërkohë ai ka treguar edhe se kjo ka qenë hera e parë që sfidohet me një film të metrazhit të gjatë duke ditur që gjithmonë ka punuar në teatër.”

Aktorët e përfshirë në film vijnë nga Maqedonia, Kosova, Shqipëria dhe Bullgaria, ndër të cilët: Shkumbin Istrefi, Osman Ahmeti, Ndriçim Xhepa, Luan Jaha, Salaetin Bilall, Muzbajdin Qamili, Vjollca Bekteshi Hamiti, Adriana Matoshi, Diana Spasova, Hismet Ramadani, Musa Isufi, Ervin Bejleri, Romir Zalla, Adrian Aziri, Bujar Ahmeti, Shengyl Ismaili, Donikë Ahmeti, Taulanta Jupi, Mona Mustafa, Sokol Hajrullai, Ilire Vinca, Vebi Qerimi, Adem Karaga, Muzafer Etemi, Besmir Bitraku, Gentë Ratkoceri, Lili Çavdarova Suçeva, Amernis Nokshiqi Jovanovska, Emine Kadriu, Flora Kadriu, Blerim Dardhishta, Muhamed Arifi, Mendim Murtezi, Teuta Ajdini Jegeni, Drita Kaba Karaga, Elhame Bilalli, Hajrullah Ramizi, Zijadin Murtezi, Vaske Niço, etj…

“Filmi është shfaqur fillimisht në Shkup, por atëherë ka qenë në fazën produksionale, por kjo është premiera pasi tash është i kompletuar.”

Kurse organizatorja e PriFest, Vjosa Berisha ka treguar që filmi do të ketë edhe një reprizë gjatë PriFest-it.

“Do të bëjmë të pamundurën që filmi të ketë edhe një reprizë tjetër gjatë PriFest. Nuk ka ndonjë gjë të konfirmuar por do t’iu informojmë nëse një gjë e tillë realizohet”, ka thënë Berisha për ne. /KultPlus.com

Përfundojnë xhirimet e filmit “Back Home”, trajton pasojat e luftës së fundit në Kosovë

Këto ditë kanë përfunduar xhirimet e filmit “Back Home” të regjisorit Arbër Krasniqi. Xhirime këto që kanë zgjatur disa ditë, pasi një pjesë e filmit është xhiruar në Kosovë e një pjesë në Amerikë. Këto i ka bërë të ditur vet producentja e filmit Valentina Maloku për KultPlus.

“Back Home” është film që trajton pasojat e luftës së fundit në Kosovë, nga perspektiva e një të mbijetuari të masakrës së burgut të Dubravës. Në film trajtohet se si Mali, personazhi kryesor i filmit, i mbijeton masakrës së burgut të Dubravës më 1999, falë ndihmës që i jep Kryqi i Kuq amerikan të cilët e dërgojnë Malin në ShBA për shërim meqë ai kishte pësuar amnezi. Pas trajtimit disavjeçar, i kthehet kujtesa dhe kthehet në Kosovë tek familja. Ai e gjen fshatin e djegur totalisht, nga ku e kupton që edhe familja e tij ishin ekzekutuar nga policia serbe. Krejt çka gjen Mali është këpuca e Tinës, bijës së tij tre vjeçare.

Skenari dhe regjia e filmit është bërë nga Arbër Krasniqi, drejtor artistik është Robert Essel, kamera nga Isak Duraku, dhe Kreshnik Marke – USA.

Në këtë film luajnë: Arbër Krasniqi, Astrit Rexhaj, Nathalie Jean, Kastriot Saqipi etj.

Në fillim, ky projekt është përkrahur nga Sefer Susuri, Vëllezërit e Bashkuar, Mentor Veliu, Skylfer Fazlija, Troi Film, B2B Communication, Gegnia Film , AIA Production Tv Metro USA, GEGNIA Film, NOLI Hair Sallon etje, më vonë edhe nga Komuna e Prishtinës.

Producentja ka bërë me dije se janë afër një marrëveshje me një shtëpi filmike nga Franca për postprodhim. / KultPlus.com

Epoka e realitetit virtual dhe inteligjencës artificiale: A do të mbesin aktorët pa punë!?

Në filma dhe në video-lojëra, kemi parë se çfarë mund të bëjnë “njerëzit digjitalë”. A jemi në prag të lindjes së yllit të parë virtual të botës së aktrimit?

Kur i sheh filmat hit, si “The Avengers”, është e vështirë t’i shpëtosh ndjenjës se gjërat që po i sheh janë pothuajse të tërat imazhe të krijuara nga kompjuteri – që nga efektet, skenografitë e krijesat fantastike. Ndërsa, nëse ka një gjë tek e cila mund të besosh se është 100 për qind e vërtetë, ata janë aktorët. Sot mund të kemi yje të muzikës virtuale, si Hatsune Miku, por ende jo një yll virtual të filmit.

Kjo ka të bëjë me realitetin trupor, por që nuk është më absolut. Kemi plot shembuj të asaj që është e mundur: Peter Cushing (ose imazhi i tij) që shfaqet në “Rogue One: Një Story Wars Story” më shumë se 20 vjet pas vdekjes së tij. Ose, Tupac Shakur duke interpretuar nga varri në festivalin “Coachella” më 2012.

Kemi një potencial tmerrësisht të madh të mashtrimeve – pamjet e manipuluara që mund të luajnë rol të rrezikshëm në fenomenin e lajmeve të rreme. P.sh. videoja e famshme e rreme nga Jordan Peele, që paraqet Barack Obaman, është shembull kryesor.

Por, a mundet teknologjia t’i bëjë të tepërt aktorët profesionistë?

Ashtu si shumica e shembujve të mësipërm, Tupacu virtual është njeri digjital dhe u prodhua nga kompania e efekteve speciale, “Digital Domain”. Teknologjia e tillë po bëhet gjithnjë e më e avancuar. Darren Hendler, një nga drejtorët e kompanisë, shpjegon se është si “protezë digjitale” – si një kostum që një njeri i vërtetë duhet ta vesh.

“Gjëja më e rëndësishme për krijimin e çfarëdo lloji të njeriut digjital është ta bësh atë të luajë. Dikush duhet të jetë pas tij”, shpjegon ai. “Në përgjithësi, dikush luan rolin e personit të vdekur. Dikush që do të studiojë tamam lëvizjet, grimasat dhe lëvizjet e trupit”.

Personat digjitalë dhe ata të transformuar në mënyrë digjitale, janë të zakonshëm në kinematë moderne. Shembujt e kohëve të fundit janë aktorët që rinohen, si Samuel L Jackson te “Captain Marvel” apo imazhi i Sean Young-ut në “Blade Runner 2049”. Ndërsa, të gjithë janë të vetëdijshëm për përdorimin e njerëzve digjitalë në çdo narrativë të video-lojërave moderne: aktorët që u japin karaktereve lëvizje të gjalla – faciale dhe trupore.

Hendler thekson se aftësia e interpretuesit do të ndërtojë ose shkatërrojë çdo njeri digjital, duke përdorur pak personin real e duke ia veshur atij lëkurën tjetër. Njerëzit virtualë, në anën tjetër, mund të veprojnë në mënyrë autonome, me të folurën dhe shprehjet që nxiten nga inteligjenca artificiale. Zhvillimi dhe përdorimi i tyre shpesh është i kufizuar në projektet kërkimore, prandaj nuk janë sa duhet të dukshëm për publikun. Por, ndoshta kjo së shpejti do të ndryshojë.

Fal financimit të Qeverisë së Britanisë së Madhe për Programin e Audiencës së Ardhshme, Teoria e Labirintit do të jetë zhvillimi kryesor në lojërat e realitetit virtual, bazuar në shfaqjet e BBC-së, “Peaky Blinders”. Sipas CEO-s Ian Hambleton, përdorimin i “karaktereve të inteligjencës artificiale, premton një përvojë të re”.

“Për shembull, nëse bëheni vërtetë agresiv para fytyrës së një karakteri, ata do të reagojnë dhe do të ndryshojnë jo vetëm atë që do të thonë, por edhe gjuhën e trupit të tyre e shprehjet e fytyrës”, thotë ai. “Një ‘kuti e zezë’ e inteligjencës artificiale në fund do të shtyjë para të gjitha shfaqjet”.

A mund të shohim një ditë njerëz digjitalë, estetikisht të bindshëm e të kombinuar me inteligjencën artificiale, që do të prodhojnë aktorë krejtësisht artificialë?

Kjo teorikisht mund të çojë në shfaqje pa pasë nevojë për aktorët njerëzorë. Aktori Yuri Lowenthal, puna e të cilit përfshin rolin kryesor në lojën “Spider-Man” në PS4, thotë: “Njerëzit tuaj të përditshëm nuk janë në biznesin ku vullnetarisht japin të dhënat si unë. Kur njerëzit regjistrojnë të gjitha të dhënat nga shfaqjet e mia, si dhe detajet e fytyrës e të zërit tim, si duket e ardhmja? Sa kohë do të duhet që të krijosh shfaqje nga asgjëja”?

“Kjo ende duket larg”, thotë Hendler. “Inteligjenca artificiale po rritet kaq shpejt sa është e vështirë ta parashikojmë… Do të thosha se brenda pesë apo dhjetë viteve të ardhshme, do t’i shohim gjërat që janë në gjendje të ndërtojnë versione gjysmë të besueshme të një sistemi të plotë të lëvizjes së fytyrës”.

“Zëri merret po ashtu parasysh”, thotë Arno Hartholt, drejtor i kërkimit dhe zhvillimit integrues në Institutin e Teknologjisë Kreative të Universitetit të Kalifornisë, “meqë nuk është e lehtë të krijosh në mënyrë artificiale një shfaqje të re nga pjesët e një fjalimi të aktorit të vërtetë”.

“Duhet ta bëni një si bibliotekë të shfaqjeve. Keni pra nevojë për shumë shembuj, jo vetëm për mënyrën sesi një zë tingëllon natyrshëm, por sesi tingëllon kur është i zemëruar? Ose ndoshta një kombinim i zemërimit dhe lëndimit, ose kur ka probleme me frymë, me ritmin…”, thotë ai.

Nuk është kjo punë e lehtë, siç nuk është mbledhja e një sasie të madhe të të dhënave ekzistuese të performancës sepse, siç thotë Hartholt, një varg karakteresh të luajtura nga i njëjti aktor nuk do të prodhojnë një grup të qëndrueshëm të të dhënave për të folur. Ndaj, puna e aktorit, të paktën tani është e sigurt.

Sidoqoftë, Hendler beson se avancimi i teknologjisë digjitale dhe virtuale do të bëhet më i dukshëm për publikun, madje në shtëpitë tona, brenda 10 viteve të ardhshme: “Mund ta keni një ekran të madh në mur dhe një asistent personal virtual me të cilin flisni dhe ndërveproheni: një njeri virtual që ka fytyrë dhe që lëviz rreth shtëpisë, me ju, në shtratin tënd, frigoriferin, sobën dhe lojërat që luani”.

Shumë nga këto gjëra mund të tingëllojnë çuditshëm, por elementet e saj ka kohë që po i shohim. /Telegrafi/

Filmi i animuar “Away” shfaqet në Anibar

Away” është njëri nga tre filmat e animuar të metrazhit të gjatë që vijnë për herë të parë në Kosovë, përmes ekranit të Kinemasë “Jusuf Gërvalla”, në kuadër të edicionit të dhjetë të festivalit të animacionit Anibar, që mbahet nga data 15 deri më 21 korrik në Pëjë.

“Away” do të shfaqet në ditën e katërt të festivalit  Anibar, përkatësisht me datën 18 Korrik nga ora 16:00 në Kinemanë “Jusuf Gervalla”. Ky film, së bashku me filmin “The Tower” të regjisorit Norvegjez Mats Grorud dhe “Ruben Brendt, Colector” të regjisorit nga Sllovenia Milorad Krstic, garon për filmin më të mirë të animuar të metrazhit të gjatë ndërkombëtarë.

Filmi “Away”, është një histori klasike e rikthimit në shtëpi, duke përcjell aventurat e një djali në një motor, duke tejkaluar barriera të ndryshme fizike dhe metafizike me ndihmën e mikut të tij të vogël. Me pamjet mbresëlënëse të skenave të animuara që paraqiten në rrugëtimin e djaloshit,  pyjet, shkretëtira, shpella apo peisazhet detare, sjellin ndjesi mahnitëse gjatë shikimit të filmit.

Regjisori dhe animatori Gints Zilbalodis edhe pse vetëm 25 vjeçar është shumë i suksesshëm dhe me përvojë në realizimit e filmave të animuar, magjepsja e tij me filmat filloi që në moshë të re, filma klasikë dhe ata të shkurtë kishin ndikim në formësimin e tij. Ai ka realizuar shtatë filma të animuar në media të ndryshme duke përfshirë animacion me vizatime, animacion 3D dhe live-action animacion, shpesh duke përzier me karakteristikat e tyre. Dy filmat e tij që i kanë sjellë veçanërisht shumë vëmendje nëpër festivale të ndryshme ndërkombëtare janë: “Priorites” dhe “Inaudible”.

“Away”, është një projekt të cilin regjisori ka arritur të realizojë i vetëm, duke filluar nga regjia, skenari, animacioni, madje edhe për muzikën e filmit dhe gjithçka tjetër në të, është përkujdesur vet Zilbalodis. Arsyeja kryesore që e ka shtyrë të ndërmarrë një hap të tillë, jo pak të guximshëm dhe sfidues, sipas regjisorit është “dëshira të mësonte të gjitha aftësitë e kërkuara në krijimin e filmave”, kështu që sa herë të ketë mundësi për të bërë një film me një ekip më të madh, “do të kuptonte më të mirë rolin e gjithsecilit”.

Premiera botërore e filmit u shfaq në “Animafest Zagreb 2019”, ndërsa menjëherë më pas u shfaq edhe në “Annecy Animation Festival”, të Francës ku është shpërblyer me çmimin Contrechamp (2019).

Disa aktorë në garë për rolin e Elvis Presleyt

Ansel Elgort, Miles Teller, Austin Butler, Harry Styles, janë konkurrentë në garën për të marrë rolin e njërit prej këngëtarëve më të mëdhenj të të gjitha kohëve.

Vetëm njëri prej aktorëve do të interpretojë Elvis Presleyn në filmin biografik që do të realizohet për të.

Producenti dhe skenaristi Baz Luhrmann, dëshiron që ta gjejë një aktor që të jetë i aftë ta transmetojë tek publiku, të njëjtin efekt si vetë këngëtari.

Filmi do të tregojë për marrëdhënien e këngëtarit me menaxherin e tij Tom Parker, rol të cilin do ta interpretojë me shumë mundësi aktori Tom Hanks.

Parker kontrollonte çdo gjë në lidhje me Presleyn, si në jetën personale dhe atë profesionale, madje mori gjysmën e fitimeve, edhe kur këngëtari vdiq në 1977. /KultPlus.com

Bradley Cooper dhe Lady Gaga sëbashku në një projekt të ri kinematografik

U përfol shumë për një lidhje të mundshme mes tyre, që pas xhirimeve të filmit “A Star Is Born”. Bëhet fjalë për Bradley Cooper dhe Lady Gaga.

Miqësimi i tepërt gjatë filmit, pas tij dhe marrëdhënia shumë e mirë që kishin së bashku bëri që aktori të ndahej nga modelja Irina Shayk. Sipas lajmeve të show-bizz-it, dyshen do ta shikojmë përsëri në një projekt kinematografik.

Sipas mediave të huaja Cooper dhe Gaga do të jenë pjesë e kastit të prodhimit kinematografik ‘Guardians Of The Galaxy 3’. Bradley do të ketë rolin e Rocket Racoon, ndërsa Gaga do të luajë të dashurën e tij.

‘Hope Of Escape’, filmi më i ri për shqiptarët

“Hope Of Escape” ose “Shpresa për ikje” është filmi më i ri që është duke u xhiruar në Amerikë për shqiptarët. Producent dhe skenarist i këtij filmi është shqiptari nga Kosova Tony Balaj, kurse regjia e filmit është realizuar nga Jon Russell Cring. Drejtor fotografie Tracy Nichole Cring, “Pre-Prodaction” dhe “Administrative Work Lang Ross”.

Balaj njofton se xhirimet do të fillojnë më 1 tetor të këtij viti dhe 90 për qind e aktorëve do të jenë amerikanë e 10 për qind shqiptarë. Sipas tij, është paraparë që dhjetë ditë xhirime do të realizohen në Kosovë në lokacione të ndryshme.

Balaj thotë se me ta prezantuar idenë për realizimin e një filmi të tillë ka pritur shumë diskutime nga çdokush që ia ka prezantuar e më e rëndësishmja për të thotë se është fakti që po pasqyrohet një ngjarje reale, e cila ka ndodhur në Kosovë në vitet 1999. Ai thotë se bashkëpunëtorët amerikanë po emocionohen me historinë, e sidomos kur e shohin që brenda filmit ata janë shpëtimtarët e mirëpresin edhe më shumë.

“Hope of Escape” do t’i mirëpresë edhe tre aktorët e njohur në botën e filmit, siç janë Scot Adkins, The Miz dhe Dolph Londgren, me të cilët Balaj njofton se është duke negociuar tani kohën shkaku i angazhimeve të aktorëve. Por që sipas tij këta janë aktorë të pëlqyer edhe nga shqiptarët dhe janë të përzgjedhur posaçërisht secili për rolin përkatës, që do ta kishte zotëruar më së miri.  Tony Balaj njofton se ideja e cila është prezantuar para aktorëve e para produksionit ka rezultuar si shumë interesant për faktin se ka të bëjë me një histori reale të dy popujve. “Dëshira ka qenë imja që të zbardhen faktet e një populli përmes filmit. Shumë njerëz në vendin ku jetoj unë në Nju-Jork nuk kanë njohuri se ku është Kosova. Përmes këtij filmi rrëfehet një pjesë e historisë kosovare”, thekson ai.  

 “Rol të madh ka një grup shpëtimi i amerikanëve i njësitit special ‘Navy Seal’. Gjatë luftës në Kosovë vajza Linda dhunohet para familjes së saj nga ushtria serbe. Gjatë aktit të dhunimit ushtarët serbë detyrojnë me forcë babanë dhe vëllain e vajzës të shohin aktin duke i poshtëruar njëkohësisht edhe ata. Pasi mbahet peng për disa ditë, Linda e gjen një moment të përshtatshëm kur në mesnatë ia përvëlon fytyrën komandantit (dhunuesit) dhe ikën nga dritarja. I vihen pas shumë ushtarë duke e ndjekur. Pas rrëzimit të aeroplanit amerikan ‘F16’ baza ushtarake amerikane në Maqedoni dërgon një ekip këmbësor shpëtimi të njësitit special për t’i nxjerrë pilotët e tyre, të cilët kanë edhe një ushtar të njësitit special të UÇK-së për t’ia treguar rrugën”, njofton Balaj, i cili në detaje njofton për filmin.

Sipas Balajt, ky film është një prej filmave që do të dëshmojë përsëri krimet e luftës, por në një masë më të gjerë të shikuesve. Kurse për detaje të tjera ai thotë se do të duhej parë filmin. 

Kanë përfunduar xhirimet e filmit “Në kërkim të Venerës”

Filmi i metrazhit të gjatë artisitik “Në kërkim të Venerës” i cili vjen me skenar dhe regji nga Norik Sefa si dhe producent Besnik Krapin, tashmë ka përfunduar xhirimet. Këtë e kanë bërë të ditur Qendra Kinematografike e Kosovës, shkruan KultPlus.

“Në kërkim të Venerës” është një film që përcjellë përjetimin e Venerës, një vajzë e re dhe e ndrojtur, e cila fillon një rrugëtim të ri në jetën e saj pasi takon shoqen e saj të re Dorinën. Ky përjetim e bën atë të marr guximin dhe t’i revoltohet familjes së saj tradicionale.

Në këtë film luajnë aktorët si: Kosovare Krasniqi, Erjona Kakeli , që vijnë në rolet kryesore, ndërsa në rolet tjera: Basri Lushtaku, Rozafa Çelaj, Tristan Halilaj, Shend Miftari, Ajan Zharku, Ermal Bilalli, Anisa Ismaili, Sheqerie Buqaj, dhe Bleon Monolli.

Xhirimet e filmit janë realizuar kryesisht në Komunën e Kaçanikut dhe kanë zgjatur 30 ditë.

“Në kërkim të Venerës” është subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë e Shqipërisë. Filmi poashtu është mbështetur edhe nga Komuna e Kaçanikut. / KultPlus.com

Kërkohen aktorë për filmin e parë horror shqiptar në Maqedoni nga regjisori Xhafer Saliu


Shqiptarëve të Maqedonisë Veriore ju mungojnë projektet filmike në përgjithësi por së fundmi regjisori Xhafer Saliu ka vendosur të realizojë një film horror shqiptar të metrazhit të gjatë, transmeton Billbordi.

Filmi quhet TE PAFTUARIT dhe është në fillimet e tij dhe po kërkohen aktor dhe aktore të moshave të ndryshme ku ndër to edhe për role kryesore.

Të gjithë ju që mendoni se keni talent dhe mund të jeni një aktor ose aktore e ardhshme, mund të dërgoni: Emrin, Mbiemrin, Foto, Viti i lindjes dhe Numrin kontaktues në faqen zyrtare të filmit ne facebook: Të Paftuarit. / KultPlus.com

“Nëntor i Ftohtë”, pjesë e “Kosmorama Trondheim International Film Festival”

Filmi “Nëntor i Ftohtë”, me regji nga Ismet Sijarina dhe me producent Fatmir Spahiun do të jetë pjesë e festivalit “Kosmorama Trondheim International Film Festival”, shkruan KultPlus.

“Miq që jetoni ne Norvegji, filmi “Nentor i ftohte” do te jete pjese e festivalit te madh “Kosmorama Trondheim International Film Festival. Ne linkun e meposhtem i keni informacionet e nevojshme!”, kanë shkruar në faqen zyrtare të filmit.

Filmi përcjellë Fadilin, i cili punon si arkivist në një ndërmarrje shtetërore, në Kosovën e fillim viteve ’90, dhe duhet të zgjedhë mes dy opsione të gabuara! Në këtë mënyrë ai, jashtë vullnetit dhe dëshirës së tij, “gëlltit” turpin, ballafaqohet me imazhin e keq dhe duron presionin nga të gjitha palët.

Projekti filmik “Nëntor i Ftohtë” është produksion i shtëpive filmike Thumbs Up dhe Buka në bashkëprodhim me Albasky Film, AUDIOHAUS dhe Ikone dhe është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Qendra Kombëtare Kinematografike e Shqipërisë.

Në rolet kryesor paraqiten aktorët; Kushtrim Hoxha, Adriana Matoshi, Fatmir Spahiu Bufi, Emir Hadzihafizbegovic, Gordana Boban, May-Linda Kosumovic dhe Lum Veseli, ndërsa Skenari i shkruar nga: Arian Krasniqie Ismet Sijarina. Drejtor Fotografie Sevdije Kastrati, Montazher Vladimir Pavlovski, Muzika Jericho, Producent Fatmir Spahiu, Arian Krasniqi, Regjia Ismet Sijarina./KultPlus.com

“Unë jam Mia”, film për jetën e këngëtares së njohur italiane

Dokumentari “Unë jam Mia” prezantohet në kinematë italiane. Filmi biografik me regji të Riçardo Donna ndalet tek gjurmët më të rëndësishme të jetës private edhe profesionale të këngëtares së jashtëzakonshme, Mia Martini. Një udhëtim në lëvizje, nga agimi deri tek suksesi, depresioni dhe pengesat që ka hasur artistja në rrugën e saj.

Filmi ka pasur edhe kritika të shumta, duke ngacmuar edhe motrën e saj të madhe Loredana Bertèn. Por përtej opinioneve të kundërta, filmi është një mundësi e mrekullueshme për të kujtuar Mian e bukur, e cila u nda shumë herët nga jeta (48 vjeçe).

Filmi nis me Mia Martini kur ishte e famshme. Gjatë një interviste të gjatë që i jep një gazetari, Mia gjurmon fazat thelbësore të karrierës së tij, sukseset e tij më të mëdha, dashuritë dhe surprizat që duhej të duronin. Këngëtarja pastaj rrëfen dhimbjen e madhe që ajo ndjeu kur miqtë e saj i kthyen shpinën për shkak të zërave që qarkullonin mbi të.

Natyrisht, që në këtë dokumentar nuk mungojnë as hitet më të njohur të këngëve, të cilët shoqërojnë publikun në këtë udhëtim të lëvizshëm.

Protagonistja e filmit që luan rolin e Mia Martinin është Serena Rossi. Ajo e ka interpretuar këngëtaren në shtegun e saj të dritës dhe hijes. “Unë jam Mia” vjen për publikun në ekranin e madh në datë 12 shkurt 2019 dhe prezantohet në Rai 1. /a.a/ KultPlus.com

‘Black Panther’ triumfon në ‘Screen Actors Guild Awards’

Filmi rreth super heroit “Black Panther” ka fituar çmimin kryesor në “Screen Actors Guild Awards” (SAGs).

Ai ka fituar në kategorinë e filmit më të mirë të xhiruar ndërsa i pyetur nëse filmi kishte ndryshuar industrinë kinematografike, aktori kryesor Chadwick Boseman befasoi të gjithë me përgjigjen.

“Përgjigja ime për këtë është … të jesh i ri, i talentuar dhe i zi”, tha artisti 41-vjeçar.

Fituesi i vetëm britanik ishte Emily Blunt për shfaqjen në filmin “A Quiet Place”, ku mori çmimin për aktoren më të mirë mbështetëse.

Rami Malek ka arritur suksesin e njëjtë si në Golden Globes, duke marrë çmimin e aktorit më të mirë duke luajtur rolin e Freddie Mercuryt në “Rhapsody Bohemian”.

Mahershala Ali u nderua me çmimin më të mirë mbështetës të aktorit për pjesën në “Green Book”, duke mundur Richard E Grant.

Black Panther gjithashtu fitoi performancën më të mirë të veprimit në këtë festival filmik. /Telegrafi/KultPlus.com

Filmi i 10 nominimeve Oscar bën që turistë të shumtë të vizitojnë Meksikën

Suksesi i filmit Roma të regjisorit meksikan Alfonso Cuaron, ka bërë që të ndizet një pelegrinazh i vërtetë i fansave drejt rrugëve të qytetit të Meksikos, ku skenat edhe janë filmuar.

Xhirimet e filmit janë kryer mes 2016 dhe 2017, në lagjen Roma sur apo Roma jugore, ku vetë regjisori ka kaluar fëmijërinë.

Kur ka kaluar pak kohë nga premiera e tij dhe filmi meksikan mban tani 10 nominime për ceremoninë e çmimeve Oscar.

Dhe kjo ka bërë që të jenë të shumtë turistët, por edhe gazetarët, që përshkojnë rrugët ku skena të filmit janë realizuar.

“Njerëzit filluan të vinin në dhjetor, ata bënin foto dhe shumë pyetje”, thotë Gloria Monreal.

“Filmi na pëlqeu shumë. U intriguam që në fillim dhe vendosëm të vinim dhe të vizitonim shtëpinë, sepse ishte edhe afër hotelit tonë”, tha Esteban Alvarez, turist.

Shtëpia me numrin 22 në rrugën Tepejit, është më e kërkuara. Ajo mban tashmë edhe një pllakatë ku shkruhet, këtu është filmuar Roma.

Por, kur shkojnë atje fansat edhe mësojnë se kjo nuk është shtëpia e vërtetë ku Cuaron ka jetuar.

Regjisori ka jetuar një derë më tej, në numrin 21, por ndryshimet e bëra nga pronarët e mëvonshëm, kishin qenë shumë të mëdha ndaj edhe regjisori kish zgjedhur shtëpinë e ish fqinjit. Ai kishte rikrijuar më pas fasadën origjinale të shtëpisë së tij, për të filmuar skenat. /Tema / KultPlus.com