Nxënësit nga Lezha sjellin një tjetër version të filmit “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” (VIDEO)

Dje u festua dita e 28 Nëntorit në mbarë shqiptarinë, në këtë ditë të shënuar nuk munguan edhe prurjet e reja artistike që lidheshin pikërisht me këtë festë. Këngë, piktura, skulptura e gjithçka tjetër që lidhej me artin u shpalosë në këtë ditë të madhe për shqiptarët, shkruan KultPlus.

Por, nxënësit e shkollës “Besëlidhja” nga Lezha kishin vendosur të sjellin një film mbi heroin tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeun.

Ky është një superproduksion i fëmijëve mbi Skënderbeun.

Filmin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, këta fëmijë e kanë sjellë në një version tjetër.

Filmi është i metrazhit të shkurtër, i titulluar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe vjen nën regjinë e Alketa Bejtja, ndërsa kamera dhe montazhi nga Olsi Tetaj.

Në këtë film interpretojnë: Erjon Lleshi, Erlis Gjeka, Jerina Prendi, Erena Zefi, Xhilberto Gega, Deni Deda, Kevin Cali, Kristjan Marku, Henriko Thercaj, Galdino Frustaj etj.

Për të parë talentin dhe seriozitetin e këtyre fëmijëve në realizimin e këtij filmi, ne po ju sjellim videon më poshtë që të mund ta vlerësoni vetë. /KultPlus.com

“Gladiatori” në rolin e Skënderbeut

Joe DioGuardi, ish-kongresmen në Amerikë, dëshiron ta realizojë një film mbi Gjergj Kastriot Skënderbeun.

Dhe nuk është çudi që ish kongresmeni shqiptaro- amerikan ka zgjedhur pikërisht aktorin australian, fitues të çmimit Oskar, për këtë rol. Me siguri DioGuardi është shtyrë në këtë zgjedhje nga roli i gjeneralit romak Maximus Decimus Meridius, arritur me mjeshtëri nga Croë në filmin Gladiatori, film që fitoi zemrat e publikut dhe çmimin e madh Oskar në vitin 2000.

DioGuardi, i cili është me origjinë shqiptare, i ka treguar medieve të huaja se si e ka gati një skenar jo shumë të zhvilluar mbi filmin rreth heroit të madh shqiptar.

“Do ti tregojmë Amerikës fytyrën e vërtetë të shqiptarëve. Kemi vetëm një koncept të shkurtër ndërsa një person po merret me analizimin e jetës së Skënderbeut në vitet 1440-1455, kur edhe Skëndërbeu ishte në pikun e karrierës” tregon DioGuardi.

DioGuardi thotë se dëshiron që filmi të krijohet nga regjisorët më të mirë të Hollivudit, ndërsa kjo ka qenë një ëndërr e tij prej vitesh.

“Nëse ke skenar të mirë dhe aplikon në Hollivud, do të financohesh. Nuk po e bëj këtë për vete por për të gjithë shqiptarët” tregon DioGuardi. Madje, është Russell Crowe personi që do të mund ta luante rolin e heroit të madh, sipas ish kongresmenit./KultPlus.com

“AJO” i More Raçës në konkurrencë zyrtare në festivalin kualifikues për Oscar

Filmi “AJO” i regjisores More Raça tashmë është futur në konkurrencë zyrtare në AFI Fest i cili mbahet në Los Angeles, festival ky garues për Oscar, shkruan KultPlus.

Regjisorja More Raça ka njoftuar për këtë selektim dhe është shprehur e lumtur për këtë lajm.

“I am so happy for this amazing news. AJO is officially selected at AFI Fest presented by Audi in Los Angeles (Oscar Qualifying). Deeply thankful to everyone who was part of the film”, ka shkruar Raca në Facebook.

Festivali do të mbahet nga data 8 deri më 15 nëntor në Los Angeles.

Filmi “Ajo” me skenar dhe regji nga More Raça dhe producent Sunaj Raça flet për dhunën në familje, guximin e një vajze të vogël për të shpëtuar veten dhe nënën e saj.

Në filmin “Ajo” luajnë Aurita Agushi, Sunaj Raça, Diella Valla, Florist Bajgora, Bekim Mulaj. Filmi është prodhim i shtëpisë filmike Arena i subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës. / KultPlus.com

“Përtej maleve tona”, filmi për një çift shqiptaro-serb në Mitrovicë shfaqet në Nju Jork

Etriti dhe Milena janë një çift shqiptaro-serb në Mitrovicë dhe personazhet e një filmi me metrazh të shkurtër, që rrëfen historinë e dashurisë së tyre në një moment vendimtar, kur Milena ka një shans të shkojë të jetojë në Oslo të Norvegjisë.

Në filmin “Beyond our Mountains”, “Përtej maleve tona”, autorja dhe regjisorja amerikane Madeline Johnson shtjellon tensionin e dy jetëve të reja që mbartin mbi vete jo vetëm ndjenjat për njëri tjetrin, por edhe sfidat e së kaluarës dhe marrjes së një vendimi që mund t’u sakrifikojë të ardhmen e dashurisë së tyre.

Madeline Johnson kishte folur për “Zërin e Amerikës” në lidhje me këtë film si dhe për idenë e filimit. Ajo ka pohuar se idea erdhi pas vizitës që ajo ja bëri shoqes së saj e cila punonte në Kosovë, si dhe ajo shtoi se vendi e kishte tërhequr aq shumë dhe historia e saj e kishte joshur për të krijuar një film, ku sot do të shfaqet sot në Festivalin e Filmit Crown Heights në Brooklyn të Nju Jorkut.

“Në përgjithësi në filmat që krijoj, unë përpiqem t’i përgjigjem një pyetjeje të caktuar, përmes shtjellimit të një historie. Në këtë rast, pyetja ishte “Si mund t’i shërosh plagët?”, veçanërisht për këta personazhe që kishin pasur një marrëdhënie të vështirë. Unë kisha një shoqe që punonte në Kosovë dhe shkova dy herë për ta takuar dhe kur isha atje, e pashë sesa vend interesant, magjepsës dhe i bukur ishte kështu që doja që ta vendosja historinë atje dhe t’i përpunoja temat më shumë atje”.

Sa i përket aktorëve që luajnë në këtë film ajo ishte shprehur se aktorin kryesor ja kishin sugjeruar qendra kinematografike dhe ishte mahnitur nga profesionalizimi i tyre.

“Vali (Krasniqi) që luan personazhin tjetër kryesor, m’u sugjerua nga kompania kinematografike me të cilën punova unë që kishte punuar më parë me të dhe foli shumë mirë për të. Ai ishte fantastik, shumë punëtor dhe solli shumë njohuri, kurse aktoren kryesore Gala (Shalipur), e rekomandoi një mik i im. Të dy ata së bashku kishin një natyrë bujare dhe të ngrohtë, prandaj ishte e lehtë për ta që të punonin së bashku, të ndihmonin njëri-tjetrin gjatë xhirimeve. Lidhja mes tyre ishte vërtet kuptimplotë”.

Sa i përket shfaqjes së filimit në Kosovë ajo është shprehur se ka dëshirë që ai film të shfaqet edhe në Kosovë.

“Po, do të më pëlqente. Tani filmi është në fazën e pjesëmarrjes në festivale, por do të ketë mundësi të tjera. Pa dyshim që do të kisha shumë dëshirë ta ndaja me komunitetet në Kosovë”.

Filmi është realizuar nga produksioni kosovar ‘Asha’ me producent Alban Zogjani.

/KultPlus.com

Artistët nga Gjermania xhirojnë film artistik në Kalanë e Rozafës

Kalaja e Rozafës, e ngritur mbi një kodër shkëmbore në perëndim të qytetit të Shkodrës ka zgjuar interesin e 40 aktorëve gjermanë për të xhiruar filmin e tyre më të ri “Vampirët”.

Aktorët e Forum Heersum, shoqatë socio-kulturore nga Saksonia e Poshtme në Gjermani kanë ardhur të xhirojnë në Shkodër skenat e filmit, shkruan agjencia gjermane e lajmeve “Deutche Welle”.

Artistët e kanë zbuluar kalanë nga aktorja e njohur shkodrane që jeton prej 27 vitesh në Gjermani.

Juli Ndoci shprehet se “të gjithë aktorët erdhën më shumë dëshirë në Shqipëri dhe asnjë prej tyre nuk është penduar, por është tmerrësisht i lumturuar për atë çfarë sheh dhe përjeton, sesi janë njerëzit sesi është ushqimi sesi është historia të cilën pak njerëz e dinë”.

Filmi me metrazh të shkurtër do të shfaqet verën e ardhshme para publikut në gjermani.
Producenti Jurgen Zinke shprehet se ishte ide shumë e mirë, pasi Shqipëria është një vend i panjohur.

“Ne kemi kënaqësi të kemi pjesë të stafit tonë Juli Ndocin, që e njeh Shqipërinë kaq mirë dhe s’mund të kishim xhirime më të mira”.

Ndërsa regjisori Ulli Jaeckle thotë se “natyrisht shesh xhirimi është shumë i rëndësishëm. Lokalizimi këtu në Shqipëri lidhet edhe me faktin se këtu ka vende fantastike dhe për ne gjermanët Shqipëria është e panjohur”.

“Këtu ka vende madhështore, ku mund të shkosh pa problem, të cilat në Gjermani do t’i kishin bllokuar për publikun”, shprehet regjisori Jaeckle.

Oliver e ka njohur Shkodrën si vendlindja e gruas së tij, Julit. “Për një “vampir” nuk ka gjë më të mirë se sa të vijë këtu, sepse është vend interesant e ka turistë”, thekson ai.

E lashta kala e Rozafës, në Shkodër vizitohet çdo ditë e më tepër nga të gjitha moshat, vend atraktiv ku historia, arkitektura, peizazhi fantastik ndërthuren në mënyrë të përkryer. Numri i vizitorëve është gjithnjë në rritje në këtë atraksion turistik, i cili përveç bukurive mban dhe misterin e historisë së Rozafës./k.s/ /a.g/KultPlus.com

Filmi “Nëntor i Ftohtë” i Ismet Sijarinës, sonte premierë botërore në San Sebastian në Spanjë

Premiera botërore për filmin artistik të regjisorit Ismet Sijarina “Nëntor i Ftohtë” do të mbahet sonte në edicionin e 66-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të San Sebastianit, shkruan KultPlus.

Ky është filmi i parë nga Kosova në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të San Sebastianit, një festival ndërkombëtar tejet i rëndësishëm dhe i kategorisë A, ku do të jetë pjesë e konkurrencës zyrtar në Seksionin e Regjisorëve të Ri.

Për këtë ka njoftuar drejtori i QKK-së Arben Zharku i cili ka shpërndarë edhe dy fotografi ku shfaqet ekipi i filmit para premierës.

“Shumë urime të gjithë ekipit të filmit Cold November / Nëntor i ftohtë i cili sonte jepet premierë në festivalin e famshëm të San Sebastianit në Spanjës”, ka shkruar Zharku në Facebook.


Filmi përcjellë Fadilin, i cili punon si arkivist në një ndërmarrje shtetërore, në Kosovën e fillim viteve ’90, dhe duhet të zgjedhë mes dy opsione të gabuara! Në këtë mënyrë ai, jashtë vullnetit dhe dëshirës së tij, “gëlltit” turpin, ballafaqohet me imazhin e keq dhe duron presionin nga të gjitha palët.

Projekti filmik “Nëntor i Ftohtë” është produksion i shtëpive filmike Thumbs Up dhe Buka në bashkëprodhim me Albasky Film, AUDIOHAUS dhe Ikone dhe është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Qendra Kombëtare Kinematografike e Shqipërisë.

Në rolet kryesor paraqiten aktorët; Kushtrim Hoxha, Adriana Matoshi, Fatmir Spahiu Bufi, Emir Hadzihafizbegovic, Gordana Boban, May-Linda Kosumovic dhe Lum Veseli, ndërsa Skenari i shkruar nga: Arian Krasniqie Ismet Sijarina. Drejtor Fotografie Sevdije Kastrati, Montazher Vladimir Pavlovski, Muzika Jericho, Producent Fatmir Spahiu, Arian Krasniqi, Regjia Ismet Sijarina./KultPlus.com

Prezantohet traileri i filmit “Tegel” nga Leart Rama (VIDEO)

Filmi “Tegel” i cili vjen nën regjinë e Leart Rames, ka publikuar trailerin sot.

Për këtë gjë ka njoftuar vetë regjisori i filmit Leart Rama i cili është shprehur i lumtur dhe falënderues për të gjithë ata që ju bashkëngjiten në këtë rrugëtim.

Në role kryesore në këtë film luajnë: Irena Cahani, Edon Shileku, Redon Kika dhe Lejs Sokoli.

Po ju sjellim statusin e plotë të regjisorit:

“Jam shume i lumtun me ju prezantu trailerin e filmit tone te ri: TEGEL.
Perjetesisht falenderues per krejt ju qe keni pas besimin n’mu edhe durimin e gjate qe ky film me u realizu. JU DUA
production: Katharsis Films in collaboration ëith Dokufest and In My Country Post Productions
Ne role kryesore: Irena Cahani Edon Shileku Redon Kika dhe Lejs Sokoli.
Audio: Laured Isufaj
Kostumografia: Alma S. Krasniqi costumes assisting: Butrint Pasha dhe Erinda Morina
Make-up: Tesa Kabashi
Production assisting: Adis Cena
Script supervisor: Eljesa Beka
music: Vali Kuqi, Acronym
official soundtrack: Vali Kuqi – PINGUL”, ka shkruar regjisori rama në Facebook. / KultPlus.com

A Worthy Man from Kristian Håskjold on Vimeo.

“Forgive me” nga Besim Ugzmajli, në Buffalo International Film Festival

Filmi i shkurtër “Forgive me” me regji nga Besim Ugzmajli është selektuar në Buffalo International Film Festival, shkruan KultPlus.

Festivali Ndërkombëtar i Filmit Buffalo u themelua në vitin 2003 dhe zhvillohet në tetor të çdo viti në Buffalo të Nju Jorkut.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë regjisori Ugzmajli në rrjetin e tij social Facebook.

“Official selected. Buffalo International Film Festival 🇺🇸 ‘Forgive me’ , ‘Më fal’”, ka shkruar regjisori.

“Forgive me” deri më tani është prezantuar në disa festivale shumë të rëndësishme në botë, siç janë: Manchester Film Festival, ku të pranishëm ishin edhe aktorë hollivudian si Shia LaBeouf dhe Jonathan Rhys Meyers, por që në konkurencë kishte filma me Sean Penn, Judie Foster e shumë artistë të tjerë.

Pastaj vlen të përmendet edhe seleksionimi në festivalin Semana de Cine Internacional de Medina del Campo, festival ky që jep çmimin nga Akademia e Filmit të Spanjës.

Filmi Forgive me (Më fal), është realizuar në këtë vit me vetëfinancimin e producentëve Besim Ugzmajli dhe Agron Shala, ndërsa aktorët në këtë film janë: Agron Shala, Semira Latifi, Igballe Qena, Kushtrim Asllani, Ekrem Sopi, Sherif Bega, Orik Berani, Adrian Obertinca.

Një djalë i ri, i quajtur Bujar, manipulohet nga një imam kosovar që t’u bashkohet grupeve terroriste që luftojnë në Siri. Ai i bashkohet luftës tinëzisht dhe pastaj i kërkon ndihmë vëllait të tij t’ia dërgojë në Siri edhe gruan. Por vëllai tmerrohet nga veprimet e Bujarit dhe i kërkon të kthehet në Kosovë. Bujari e kërcënon gruan e tij se nëse nuk i bashkohet në Siri do të martohet me një grua që ka mbetur e ve nga lufta./ KultPlus.com

Filmi i Winnie-the-Pooh ndalohet në Kinë

Një filmi i ri i frymëzuar nga librat e Winnie-the-Pooh është ndaluar që të jepet në kinematë në Kinë, pasi arushi shihet si simbol i mospajtimit politik.

Që nga viti i kaluar, referencat ndaj karakterit janë ndaluar në faqen e internetit të medias kineze Weibo, pas një numër të madh postimesh që krahasojnë ‘arushin me pak tru’ me presidentin e vendit Xi Jinping.

Asnjë arsye nuk është dhënë për bllokimin e filmit më të ri të Disney, Christopher Robin por besohet se ka të bëjë me referencat ndaj karakterit aq shumë të dashur për fëmijët.

Në një foto në vitin 2015, ku Xi shihej në një autokolone pranë një imazhi të Winnie-the-Pooh në një makinë lodër quhej “fotografia më e censuruar e Kinës”.

Figura të tjera politike janë bërë pjesë e shakasë. Kur Xi u takua me Barak Obamën, ish presidenti amerikan u krahasuan me tigrin në rrjetet sociale ndërsa presidenti kinez me Winnie-the-Pooh./KultPlus.com

Mos kalofshi një ditë të mirë! Kaloni një ditë që ka kuptim

Mirëmëngjes… Ju lutem mos kaloni një ditë të mirë. Kaloni një ditë që ka kuptim, kaloni një ditë të vërtetë.

Kaloni një ditë të sinqertë, të drejtëpërdrejtë. Një ditë të mirë?!…Do të jeni të mjeruar. Sidoqoftë ky është mendimi im që duhet ta kuptoni teksa jeni duke bërë punët e shtëpisë, detyrat e shtëpisë, punën e ngarjes së makinës, punën e lojës, punën e punës…Kaloni një ditë që ka kuptim për diçka…

(Fragment nga filmi “The last word”)

Filmi “Një tregim Prishtine”, pasqyrë e realitet të hidhur në Kosovë

Alberina Haxhijaj

Mbrëmë është dhënë premiera e filmit “Një tregim Prishtine”, në kuadër të PriFilm Fest. Festivali do të vazhdojë me shfaqjen e filmave edhe sonte për të përfunduar edicionin e 10-të me ndarjen e çmimeve nesër mbrëma, shkruan KultPlus.

Regjisori frymëzimin mund ta marrë nga çdo gjë që e rrethon, madje edhe përgjatë një ecjeje të zakonshme në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë. Në fakt ky ishte edhe fillimi i frymëzimit për filmin “Një tregim Prishtine”, realizuar nga regjisorja Burbuqe Berisha.

Regjisorja dhe skenaristja në këtë film vënë përpara publikut vështirësitë që hasin prindërit për të gjetur fonde të mjaftueshëm për të shëruar fëmiun e tyre duke ndërlidhur rreth kësaj teme edhe elemente të tjera të cilat tregojnë realitetin e hidhur në Kosovë.

“Një tregim Prishtine”, paraqet një realitet të Prishtinës shprehet skenaristja e filmit Getoarbë Mulliqi Bojaj.

“Jam intrigu jashtëzakonisht prej temës pasi që vazhdimisht shohim raste të tilla, kemi në familje e në mesin e miqve. Një skenar i tillë shkruhet me një frymë, këtë edhe e kam bërë. Pastaj pas draftit të parë së bashku me regjisoren jemi takuar kohë pas kohë duke ndryshuar gjëra që i kemi parë të nevojshme”, tregoi skenaristja.

Filmi ka në fokus jetën e Aurorës dhe Benit të cilët për të gjetur paratë për trajtim e vajzës së tyre Fionës, jashtë vendi, ballafaqohen me pjesën e errët të botës dhe përballen me beteja të ndryshme. Jeta e tyre e qetë dhe e lumtur merr kthesë drastike dhe ndërron tërësisht. Mirëpo pikërisht kjo gjendje e rëndë emocionale e tyre vë në pah edhe problemet që ka shoqëria kosovare.

Regjisorja Burbuqe Berisha tregoi se ka shfrytëzuar shumë situata pikërisht nga realitetit duke i bërë pjesë të filmit të saj. E tillë është edhe personifikimi i “Kushës”, zyrtarit që i ofron ndihmë Benit në këmbim që ai të vrasë dikë për të.

“Gjatë kohës kur është menduar për film, Ministria e Shëndetësisë është përballë me afera shumë të mëdha. Kështu që mjafton një zyrtar i thjeshtë me e degradu krejt sistemin siç e kemi edhe në film e që diçka e tillë ndodh edhe te ne. Pra kemi dashur që të tregojmë një realitet i cili është faktit por duke mos ndërhyrë te asnjë parti pasi që ky është një problem i përgjithshëm ku dikush e ka fituar një vend punë edhe atë pozitë e keqpërdorë”, u shpreh regjisorja.
Sigurisht që ajo që e ka bërë të veçantë këtë film është pikërisht Fiona, vajza e qiftit të cilin e portretizoi aktorja e re Artiola Hamdijaj, ajo i ka rrëmbyer zemrën regjisores që në bisedën e parë.

Për aktoren Teuta Krasniqi ky film do të mbetët një ndër filma e saj të preferuar pasi që sipas saj ky rol është më së afërmi me Teutën e vërtetë.

“Ndjehem e privilegjuar sepse që në momentin kur ka filluar që të shkruhet skenari, është shkruar me idenë që të luaj edhe unë. Kjo ka qenë ndjenjë shumë e mirë por edhe përgjegjësi e madhe pasi që nuk kam dashur që ta zhgënjejë regjisoren apo skenaristen”, u shpreh ajo.

Roli i babait, i cili ndodhet para dilemës se a mund të vritet një njëri për të shpëtuar vajzën, e ka vënë në shumë dilema aktorin, Donat Qosja .

“Nuk e di sesi do të reagoja po të isha në një situatë të atillë si në film dhe gjithë fajin për barrën që kam në film mund të ja lë skenaristes dhe regjisores. Pyetja që më së shumti ja kam bërë vetës në këtë film është se qysh e vret njeri një person kur nuk dëshiron me e vra, çfarë ndjenje, çfarë emocioni mundet me të zgju pikërisht kjo situatë. Këto dilema më kanë shqetësuar gjatë gjithë kohës dhe besoj që e kanë bartë një emocion të veçantë te personazhi që e kam pasqyruar”, u shpreh aktori Qosja.

Për aktoren Aurita Agushi ajo që fshihet pas gjithë këtij filmi është që njerëzit të jenë më njerëzor dhe të ndihmojnë njëri-tjetrin.

“Ajo që bartë ky film brenda vetës besoj që është humaniteti, e që jo vetëm te ne por në gjithë botën ka filluar që të zbehet. Sikur harrojmë që çdo gjë që i ndodh dikujt mund të na ndodh edhe neve. Në gëzime mund të jemi së bashku mirëpo ana më humane është që t’i gjendemi afër një personi kur ka nevojë për ne”, u shpreh ajo.

Premiera e filmit mbrëmë është vetëm hapi i parë i rëndësishëm i këtij filmi. Sipas producentitr Agron Vula ekipi tashmë janë duke shikuar për mundësit që filmi të jetë pjesë edhe e festivale të tjera ndërkombëtare. Mirëpo sipas tij buxheti ka qenë shqetësues dhe e ka vërë në dyshim realizimin e filmit.

“Kemi arritur që me një buxhet shumë të vogël ta realizojmë filmin. Ajo që ka rëndësi është që gjithë filmi është shqiptar dhe është filmi i parë që e kemi realizuar tërësisht në Kosovë. Realizimi i këtij filmi më të vërtetë ka qenë sfidë dhe njëherë edhe patëm heq dorë. Ajo që na ka shty për ta realizuar filmin ka qenë skenari dhe puna e palodhshme e ekipit të filmit”, theksoi Vula.

Filmi “Një tregim Prishtine” është në mesin e filmave të cilët janë në garë në kuadër të Programit Garues Ballkanik – ‘Honey and Blood’, në PriFilm Fest./ KultPlus.com

“Më falni”, fjala e fundit e terroristit në filmin e Besim Ugzmajlit

Alberina Haxhijaj

Mbrëmë në kuadër të PriFilm Fest në Teatrin Kombëtar të Kosovës është shfaqur filmi “Forgive Me” i regjisorit Besim Ugzamajli, shkruan KultPlus.

PriFilm Fest ka pushtuar mbrëmë skenën e madhe të Teatrit Kombëtar për të sjellë një seri filmash, të cilët erdhën një pas një. Në mesin e tyre ishte edhe premiera kosovare e filmit “Forgive Me”.

Filmi në qendër të tij ka një dramë sa familjare aq dhe shoqërore. Në fokus të tij janë dy vëllezër. Një djalë i ri, i quajtur Bujar, manipulohet nga një imam kosovar që t’u bashkohet grupeve terroriste që luftojnë në Siri. Ai i bashkohet luftës tinëzisht dhe pastaj i kërkon ndihmë vëllait të tij t’ia dërgojë në Siri edhe gruan. Por vëllai tmerrohet nga veprimet e Bujarit dhe i kërkon të kthehet në Kosovë. Në anën tjetër Bujari nuk e mendon kthimin madje e kërcënon gruan e tij se nëse nuk i bashkohet në Siri do të martohet me një grua që ka mbetur e ve nga lufta.

Mirëpo rrugëtimi për të ardhur deri të premiera nuk ka qenë i lehtë as për personazhet dhe as për ekipin, tregoi regjisori i filmit Besim Ugzmajli, i cili me të përfunduar filmi mori fjalë para publikut që ishte i pranishëm.
Regjisori Ugzmajli falënderoi të gjithë ata që ishin të pranishëm, për nderimin që i kanë bërë me pjesëmarrjen e tyre ekipit të filmit por edhe festivalit.

“Kam qenë pjesë e PriFilm Fest edhe më përpara dhe tani po rikthehem përsëri në edicionin e tij të dhjetë dhe ju uroj edhe shumë edicione të tjera këtij festivalit”, u shpreh regjisori.

Filmi Forgive me (Më fal), është realizuar me vetëfinancimin e producentëve Besim Ugzmajli dhe Agron Shala dhe më përkrahje të ekipit i cili ka besuar në film dhe në idenë e filmit.

“Kemi dashur që t’i tregojmë audiencën botërore por edhe audiencën në Kosovë një histori e cila ka kaluar vazhdimisht nëpër ne vitet e fundit”, u shpreh regjisori.
“Forgive me” deri më tani është prezantuar në disa festivale shumë të rëndësishme në botë, siç janë: Manchester Film Festival, Semana de Cine Internacional de Medina del Campo, Atlanta Film Festival e të tjerë.

“Pa dashur që ta bëjë shumë dramatike, mirëpo më duhet të them se nuk ka qenë e lehtë të merremi më këtë temë, ta dërgojmë deri në fund por as t’i qëndrojmë mbrapa pas publikimit të tij. Filmi është në mesin e rrugës së tij dhe ky është edhe festivali i 13-të që po prezantohet. Është kënaqësi që u shfaq edhe para publikut kosovar”, u shpreh ai duke theksuar se ky film i metrazhit të shkurtë e ka një rrugë të gjatë para tij.

Aktorët në këtë film janë: Agron Shala, Semira Latifi, Igballe Qena, Kushtrim Asllani, Ekrem Sopi, Sherif Bega, Orik Berani, Adrian Obertinca.

“Forgive me”, në PriFilm Fest ka ardhur në kategorinë “IN ALBANIAN” si shfaqje speciale në kuadër të festivalit dhe nuk është në garë./KultPlus.com

Së shpejti vjen ‘Aga’s house’ me regji nga Lendita Zeqiraj

Së shpejti do të publikohet filmi “Aga’s house” me regji dhe skenar të regjisores Lendita Zeqiraj, shkruan KultPlus.

Ngjarja e filmit shtjellohet nga loja e mrekullueshme e aktorëve Arti Lokaj, Basri Lushtaku, Rozafa Çelaj, Adriana Matoshi, Shengyl Ismaili, Melihate Qena, Rebeka Qena, Molikë Maxhuni e aktorë tjerë.

Filmi trajton fatin e një djali të ri që jeton në një shtëpi me gra ndërsa i duhet të përpiqet që të shpëtojë një mysafir që vjen t’ia mësojë atij serbishten, në mënyrë që të vazhdojë kërkimin për babain e tij të zhdukur.

Lendita Zeqiraj njihet për projektet e saja filmike të veçanta, duke përmendur këtu sidomos projektin “Ballkoni” me të cilin shënoi suksese në disa festivale të mëdha të filmit nëpër botë, film ky i cili për disa vite vazhdoi të shfaqej në festivale të ndryshme dhe morri vëmendjen e distributorëve e producentëve të ndryshëm nga kinematografia evropiane. / KultPlus.com

‘Viti i Majmunit’ premierë në Festivalin e Moskës dhe Shkupit

‘Viti i Majmunit’ (Year of the Monkey) që ka në kastë edhe aktorët shqiptar si Çun Lajçi e Refet Abazi do të hap festivalin e Shkupit, sot me 19 prill 2018.

Ndërsa të hënën, 23 prill, filmi do të jepet premierë ndërkombëtare në edicionin e 40-të të Moscow International Film Festival, njëherësh festival i kategorisë ‘A’.

Filmi flet për shimpanzenë Coco që arratiset nga kopshti zoologjik në Shkup, nga robëria në liri, në të njëjtën kohë roja e kopshtit zoologjik “Coben” largohet nga puna për arsye të krizës ekonomike si dhe nga reputacioni i tij si rreng-anarkist. Mirëpo ai merr një premtim nga drejtori i tij, se nëse mund të gjej të arratisurin dhe ta sjell në kopsht, atëherë ai mund t’i kthehet punës së mëparshme.

‘Viti i Majmunit’ me skenar dhe regji nga Vladimir Blazevski është bashkëprodhim mes Maqedonisë, Serbisë, Slovenisë dhe Kosovës, i mbështetur nga QKK dhe me bashkëproducent Agon Uka./ KultPlus.com

Aktori shqiptar në film me Jennifer Lopez (FOTO)

Aktori me prejardhje shqiptare Marko Caka, po ecë suksesshëm drejt Hollivudit, ku po merr pjesë nëpër shumë filma me regjisorë e aktorë të njohur botëror.

Ai së fundmi do të jetë pjesë e filmit komedi “Second Act”, film ky i cili ka mbledhë rreth vetës disa yje botërore e ndër to edhe këngëtaren e aktoren e famshme Jennifer Lopez, shkruan KultPlus.

Marko Caka, ndau disa detaje mjaft interesante për KultPlus, në lidhje me këtë rol, ku do të ndajë sheshxhirimin me JLo.

“JLo, luan rolin e Maya’s një menaxhere e një supermarketit. Unë jam në skenat e xhirimeve me pjesëtarët e familjes ku ajo shfaqet me prezantimin e produkteve të kompanisë, por që, rrëfen të vërtetën e historisë së jetës së sa”, ka thënë Marko, për KultPlus.

Kjo komedi është prodhim i STX Production dhe do të dalë në vitin 2018./ KultPlus.com

Ekspertiza e saj shkencore shërbeu edhe për Bluetooth dhe Wifi, përderisa Hollivudi gjithnjë e trajtoi si objekt seksual

Hedy Lamarr e lindur në Austri është konsideruar si gruaja më e bukur në botë nga kolegët e saj të Hollivudit në vitet 1940 dhe 50, tani është subjekt i një dokumentari i cili tregon se si puna e saj shkencore ishte bazike për komunikimin modern, shkruan The Guardian, përcjellë KultPlus.

Hedy Lamarr ka një histori të jashtëzakonshme : një zonjë magjepsëse e Hollivudit në industrinë e filmit, u trajtua gjithnjë si një objekt seksual duke bërë që të nënvlerësohet aspekti i saj intelektual. Por ekspertiza e saj shkencore ka arritur në një zbulim të madh në teknologjinë ushtarake duke hapur kështu rrugën për metodat e komunikimit bashkëkohor, si Bluetooth dhe Wifi.

Ky film i prodhuar nga Susan Sarandon do të tregojë historinë e Lamarrit kryesisht përmes kasetave të padëgjuara në një intervistë të dhënë në revistën Forbes në vitin 1990, 10 vite përpara vdekjes së saj në Florida. Gjatë intervistës ajo i shpjegon gazetarit interesin e saj për teknologjinë duke thënë se “Shpikjet janë të lehta për mua”. “Unë mendoj se kam ardhur nga një planet tjetër”, kishte thënë ajo gjatë intervistës./ KultPlus.com

Regjisori kosovar sjellë film për vendin ku ndalohet liria e fjalës (FOTO)

“‘Lugina e lumtur’ mund të them që do të jetë një film i suksesshëm. Premiera e tij në Winterthur, shënon rastin për të folur më shumë për mundësitë e pakufizuara dhe pa kufij që ofron kinemaja”, pohoi Maxhuni.

Sarandë Selimi

Fisnik Maxhuni është regjisori me prejardhje nga Kosova, i cili karrierën e tij po e ndërton jashtë kufijve shqipfolës por duke mos lënë anash prejardhjen ku prekë tema të ndjeshme nga Kosova në filmat e tij. Kësisoj ishte filmi i cili pati një rrugëtim goxha të suksesshëm nëpër festivale të ndryshme ndërkombëtare e që ishte bërë pikërisht për Kosovën, në Kosovë e me kastë aktorësh nga Kosova ‘Lost Exile’, shkruan KultPlus.

Pas Kosovës, Fisniku udhëton në Iran. Ai bashkë me producentin Benoît Goncerut, po sjellin filmin e radhës me titullin ‘La Vallée Heureuse’ apo në shqip ‘Lugina e lumtur’, me skenar të Fisnik Maxhunit i cili premierën e tij botërore do ta ketë në Winterthur Kurzfilmtage, në Zvicër më 9 nëntor.

Në lidhje me filmin e ri, Fisnik Maxhuni, shpalosi detaje në një rrëfim ekskluzivisht për KultPlus.

‘Lugina e lumtur’ tregon një përrallë universale në Iranin bashkëkohorë.

“Xhirimet e filmit kanë zgjatë rreth 20 ditë, në vende si Teheran, Siahkal dhe në qytetet kufitare të Detit Kaspik. Unë e bëra këtë film në këtë rajon që ende mbetet një mister për shumë njerëz”, tha për KultPlus regjisori Fisnik Maxhuni.

Fisnik Maxhuni bashkë me produksionin Visceral Film, morën rrugën sfiduese për të bërë këtë film në Iran, një vend që është i njohur për mjedisin e tij të vështirë kur është fjala për filmim, lirinë e fjalës dhe liritë artistike.

“ ‘Lugina e lumtur’ mund të them që do të jetë një film i suksesshëm. Premiera e tij në Winterthur, shënon rastin për të folur më shumë për mundësitë e pakufizuara dhe pa kufij që ofron kinemaja”, pohoi Maxhuni.

‘La Vallee Heureuse’, premierën do ta ketë në Winterthur Kurzfilmtage më 9 nëntor me fillim nga ora 22:00 në Kazino 1. Të pranishëm në premierë do të jenë regjisori, producenti, kompozitori…, të cilët do të jenë në dispozicion jo vetëm gjatë festivalit por gjatë gjithë kohës të flasin më shumë rreth këtij krijimi të ri kinematografik nga një shqiptar për botën./ KultPlus.com

“Kësulat”, sjellë tregimin e realitetit të luftës në Kosovë nga një këndvështrim i baraspeshuar

Filmi “Kësulat” i cili vjen nën regjinë e Alan M. Trow është shfaqur sot premierë për herë të parë për mediat në ekranin e Kinemasë ABC. Para gazetarëve ky film shpalosi jetën e dy familjeve, shqiptare dhe asaj serbe, të cilat njihen prej kohësh dhe kanë fqinjësi të denjë, në një fshat Kosove, shkruan KultPlus.

Filmi nis me pamjet e tymit dhe flakës në shtëpitë e djegura gjatë pranverës së vitit 1999, duke treguar më pas jetesën e banorëve shqiptar dhe atyre serb , para afrimit të luftës me shpejtësi. Në fokus të filmit paraqitet fqinjësia e një mjekut të fshatit, (Albanit) i cili mjekon edhe babin e sëmurë të fqinjit të tij serb (Draganit). Mirëpo ky raport i kushton atij me kërcënime të vazhdueshme, duke u trajtuar si tradhtar nga bashkëfshatarët, e veçmas nga Besniku, një anëtar aspirues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Filmin pason me ngjarjet pas pushtimit të menjëhershëm nga ushtria serbe, ku i gjithë fshati hidhet në panik dhe eksod masiv, ndërsa në mesin e tyre edhe Dr. Albani, i cili në anën tjetër përballet me rezistencën e babit të tij (Tefikut) për të qëndruar në shtëpinë e tij, për të cilën thotë se kishte dhënë besën që nuk do ta braktis. Derisa fshati zbrazet, Tefiku dhe fqinji i tij serb dëshmojnë fqinjësinë e tyre duke ndihmuar njëri-tjetrin në momente të vështira, madje pas vdekjes së babit të fqinjit serb (Draganit), të dy e varrosin atë në dy rite të ndryshme fetare.

Për të sjellë të plotësuar ngjarjen e luftës, veçantia e këtij filmi vjen përmes gërshetimit të rrëfimeve reale brenda skenave të filmit edhe përjetimet e këtyre personazheve: Brahim Asllani dhe Rifat Ali Bilalli, nga zona e Drenicës dhe Nazim Shahin Veseli dhe Ujup Maliqi nga Zona e Podujevës. Ky gërshetim sipas skenaristit të filmit, Jim Tihofsit vjen për t’i ofruar shikuesit më afër realitetit dhe për t’i vendosur të gjitha tregimet brenda kontekstit të filmit.

Blerim Kaçiu në një konferencë për media të mbajtur sot pas shfaqjes së filmi, ku të pranishmit kishin mundësi të flasin më shumë rreth filmit, ai thotë se pika më e fortë e filmit është se sjellë baraspeshimin e të dy anëve.

“Veçantia e filmit është që nuk anon nga asnjëra anë, duke e lënë shikuesin të vendos se në cilën anë po shkon, filmi nuk e ka për qëllim orientimin nga njëra anë apo tjetra. Filmi e ka qëllimin vetëm tregimin e realitetit të luftës në Kosovë nga një këndvështrim më i baraspeshuar” , ka thënë Kaciu.

Në rolet kryesore në këtë film janë: Selman Jusufi, Bislim Muqaj, May-Linda Kosumovic, Ismail Kasumi, Fatime Sefaj, Jimi Tihofsi, Meli Qena, Labinot Lajçi, Furtuna Aliu, Avni Abazi, Besfort Daka dhe Nuhi Matoshi.

Ismail Kasumi i cili në këtë film është paraqitur në rolin kryesor të mësuesit serb (Draganit) tregon për vështirësitë sa i përket përdorimit të gjuhës serbe.

“Unë e kam pasur më të lehtë për shkak se jam nga Maqedonia , mirëpo gjuha maqedonase ka shumë dallime me aksentin dhe gjuhen serbe, mirëpo fatmirësisht me ndihmën e disa kolegëve dhe disa shokëve dhe shoqeve serbe , të cilët më kanë ndihmuar në aspektin e realizimit të gjuhës dhe ndihmën e producentit Blerim Kaçiut e cili e flet mirë gjuhën serbe besoj që jam kam dalë mjaft mirë”, ka treguar Kasumi.

Duke filluar nga sonte, filmi do të shfaqet për një javë rresht në repertorin e rregullt të Kinemasë ABC, çdo ditë në ora 20:00.

Distribuimi i këtij filmi është bërë në Kosovë dhe ky film do të shfaqet edhe në disa qytete të tjera të Kosovës, nga e hëna në Prizren ndërsa me datë 24 tetor në Mitrovicë. Premiera në Angli vjen me datën 4 nëntor. / KultPlus.com

Filmi ‘Kësulat’ më 4 nëntor premierë në Londër

“Kësulat”, filmi i cili vjen nën regjinë e Alan M.Trow, pasqyrohet jeta e dy familjeve, shqiptare dhe asaj serbe, të cilat njihen prej kohësh dhe kanë fqinjësi të denjë, në një fshat Kosove. Lufta e vitit 1999 bëhet shkas i ndarjes së tyre, shkruan KultPlus.

Producenti i filmit Blerim Kaciu ka treguar se ky film është realizuar në Kosovë, në komunën e Podujevës, në fshatrat Pollog dhe Dumnicë kurse postproduksioni është bërë në Angli me bashkëpunim mes ekipit shqiptar dhe atij anglez.

Skenaristi Jimi Tihofsi ka treguar se zanafilla e projektit daton rreth 14 vite më parë, por projekti nuk ka arritur të realizohet deri tash për shkak të mungesës së fondeve, të cilat ishin refuzuar dy herë nga Qendra Kinematografike e Kosovës.

Kasta e aktorëve përbëhet nga Selman Jusufi, Bislim Muçaj, Meli Qena, May-Linda Kosumoviç, Ismail Kasumi, Fatime Sefaj, Labinot Raçi. Edhe skenaristi Tihovsi ka një rol.

Ngjarja zhvillohet në një fshat të Kosovës, afër kufirit me Serbinë

Premiera në Londër vjen më datë 4 nëntor në Princesse Ann Cinema, at BAFTA, 195 Piccadilly, London, Ora: 19:30. Ndërsa këtë të shtunë, “Kësulat” vjen premierë në Kinemanë ABC duke filluar nga ora 20:00 dhe do të vazhdojë të shfaqet për një javë rresht në repertorin e rregullt të Kinemasë ABC, çdo ditë në ora 20:00. / KultPlus.com

Filmi ‘Recollection’ vjen të premten në Kinemanë ‘Jusuf Gërvalla’

Filmi ‘Recollection’ me regji të Art Haxhijakupi vjen në Kinema “Jusuf Gervalla” në Pejë, përcjellë KultPlus.

Filmi ‘Recollection’ është film eksperimental i prodhuar në vitin 2017 i cili vë në pah jetën e kosovarëve gjatë viteve 90-të krahas regjimit të Milosheviqit dhe superioritetit të atëhershëm të komunitetit serb në Kosovë.

Autori i filmit, Art Haxhijakupi, përdorë materiale nga arkiva familjare e viteve 90-të në Pejë duke ndërtuar një tregim të ndërlikuar përmes së cilit elemente nga historia e diskursit politik, pop kultura, nacionalizmi dhe ideali kombëtar ofrojnë një qasje të re ndaj interpretimit të së kaluarës dhe kujtesës kolektive. Temat e ndërlidhura të këtij filmi u themeluan dhe shtjelluan paraprakisht në kuadër të një projekti akademik gjatë viteve 2015-16, ndërsa në fillim të vitit 2017 u adaptuan në format filmik.

Ky film është shfaqur fillimisht në festivalin e filmit Dokufest në Kosovë, kurse së fundi u prezantua në Londër në kuadër të programit për studime shqiptare “Alexander Nash” në universitetin me renome botërore University College London.

‘Recollection’ vjen më datë 13 tetor prej orës 19:00 në Kinemanë “Jusuf Gervalla” në Pejë. /KultPlus.com

Sonte në Termokiss shfaqet filmi dokumentar “me dasht’, me dasht’, me dasht'”

Sonte publiku prishtinas do ta ketë mundësinë ta shohë në Termokiss filmin dokumentar „me dasht’, me dasht’, me dasht’“ i cili këtë verë e fitoi çmimin e publikut në Dokufest, përcjellë KultPlus.

Filmi dokumentar „me dasht’, me dasht’, me dasht’“ është shfaqur në Prizren dhe Gjakovë, ndërsa sonte në orën 20:00 do të shfaqet për herë të parë në Prishtinë në qendrën shoqërore Termokiss.

“Me dasht’, me dasht’, me dasht’“ është rezultat i një pune gati 3 vjeçare të regjisorit Ilir Hasanaj dhe e ekipit të tij të filmit. Ai është inçizuar në kuadër të projektit të performancës artistike „Baushtellë: Balkan Temple“, i cili ka kulmuar në verën e vitit 2015 në Prishtinë, Beograd dhe Cyrih.

Filmi paraqet dokumentimin e një fraksioni të jetës së tre personave: një çift i ndarë rishtas (Arbri dhe Edona) të cilët përpiqen të gjejnë mënyrën për të punuar dhe jetuar bashkë brenda projektit „Baushtellë: Balkan Temple“, në mes të 30 artistëve që udhëtojnë nëpër 3 shtete dhe një adoleshent i humbur në mendimet e tij (Genci) që është i zhgënjyer nga jeta. Pas filmit, shikuesit do ta kenë mundësinë që t’i shtrojnë pyetje ekipit të filmit, përkatësisht regjisorit – Ilir Hasanaj, producentes – Rina Kika, si dhe dy protagonistëve kryesorë të filmit dokumentar: Edona Vatocit dhe Arbër Salihut. / KultPlus.com

Karriera e regjisorit Steven Spielberg vjen në një dokumentar (VIDEO)

Steven Spielberg ka qenë një prej producentëve më të njohur e më të suksesshëm të Hollywoodit që nga fillimi i viteve ’70, tani, ai do të dalë para kamerave për të folur për karrierën e tij, në një dokumentar të ri të “HBO”-së, të titulluar “Spielberg”.

“Është një eksperiencë shumë interesante të jesh subjekt i një filmi, kur ke kaluar të gjithë karrierën duke kërkuar subjekte filmash. E papritur, je ti subjekti”, tha Steven Spielberg, regjisor.

Producenti ikonë, që qëndron pas sukseseve si “E.T. Jashtëtokësori”, “Shpëtoni ushtarin Ryan”, etj., rrëfen eksperiencën e tij në prodhimin e filmave dhe tregon sesi jeta e tij personale ndikonte në zgjedhjet kinematografike.

Ai shpjegon edhe sesi funksionon puna e tij. Spielberg mori pjesë në një premierë ekskluzive për yjet në studiot e kompanisë “Paramount”, i shoqëruar nga producentja e dokumentarit, Susan Lacy. “Nuk kishim folur për të më parë. Shkëlqimi i një artisti është të kuptosh artistin tjetër. Ai asnjëherë nuk më bëri asnjë pyetje. Nuk më pyeti se çfarë filmi po bëja. E ky është një nivel besimi që të lë pa fjalë”, thotë Susan Lacy, producente e dokumentarit.

Vlerësimet për regjisorin dhe producentin e madh të “Hollywood”-it vijnë edhe nga bashkëpunëtorët e tij. “Ai më ndryshoi jetën. Ky është ‘Hollywood’-i. Ai është njeriu që më punësoi mua. I pari! Ai krijoi një rol në ‘Shpëtoni ushtarin Ryan’, për mua”, tha Vin Diesel, aktor. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?time_continue=7&v=dSdSYmXCPXU

“The Pride” nga Edi Mehana, drama që shtjellon luftën, fenë dhe komunitetin LGBT

Aktori kosovar Edi Mehana, pas roleve të shumta në seriale dhe filma amerikanë, vendosi të sfidohet edhe prej një këndi tjetër, atij të regjisorit, shkruan KultPlus.

“The Pride”, është filmi i metrazhit të shkurtër i cili xhirimet i ka përfunduar në muajin gusht, por regjisori Mehana ka shpalosur për herë të parë për KultPlus sinopsisin e filmit.

Ky film i cili për skenaristë, ka Virtyt Kelmendin e Edi Mehana, është një dramë që shtjellon tematiken e luftës, fesë dhe LGBT.

Sipas Edit në këtë film bëhet fjalë për një familje e cila në krye të saj ka Gjeneralin Truman, babai i tre fëmijëve memec, invalid lufte që qëndron në karrocë, ai asesi nuk mund të pajtohet me fatin e djalit të tij Christian i cili që 5 vite është zhdukur në luftë në Middle East. Edhe pas telegramit nga ushtria që djali i tij është i vdekur ai ende beson se Christian është gjallë, sa që fillon të shkruaj letra në emër të djalit të tij dhe i shtyn miqtë e tij t’i lexojnë letrat për t’i bindur se Christian është gjallë. Ray, djali i dytë i Gjeneralit, është një homoseksual i dashuruar në dashnorin e motrës së tij Xhesikës. Ray fillon një konflikt me Priftin, kumbarën e tij, kur ai rrëfen tek prifti temën e homoseksualizmit dhe gjithçka kalon në konflikt fizik në mes Ray dhe priftit. Ray fillon lidhjen e tij të fshehtë me Kevinin dashnorin e motrës së tij. Xhesika ende pa u shëruar mirë nga depresioni prej vdekjes së nënës dhe zhdukjes së vëllait në lufte ajo hynë në depresion të thellë kur e kupton se Kevin e ka tradhtuar me vëllain e saj Ray. Kthimi i Christian-it i gjallë në shtëpi i cili 5 vite i ka kaluar nëpër kampe si rob lufte është momenti më i lumtur i familjes Truman. Por traumat e luftës e ndjekin tërë kohen Christian. Christian kthehet si njeri tjetër, me një bindje tjetër fetare. Ai vjen me një besim të një feje tjetër dhe kohe pas kohe fillon ti pëshpërit dovat në gjuhën Arabe. Shpesh në kokën e tij i shfaqen pamjet duke u falur si rob lufte në qelin e burgut. Ai beson se dovat arabe e kanë shpëtuar nga lufta. Christian asesi nuk mund të pajtohet kur e kupton se vëllai i tij Ray është homoseksual dhe është në lidhje me dashnorin e motrës Kevin. Homoseksualizmi për të është mëkat i pa falshëm që Zoti nuk ia fal njeriut. Ai tërë kohen sillet me një snajper del në gjueti duke gjuajtur thi të egër. Traumat e luftës nuk e lënë të qetë për asnjë çast. Ai shpesh i shikon me dylbi të snajperit Ray dhe Kevinin duke ecur dorë për dore nëpër livadh duke vrapuar e duke puthur njëri tjetrin, dhe pyet veten “përse luftuam për të drejtat e LGBT, për flamur të ylberit, gjersa në anën tjetër me dylbi të snajperit shikon motrën e tij Xhesikën të shkatërruar në depresion të thellë. Traumat e luftës nuk ndalen ç’do zhurmë që dëgjohet Christianin e kthen në kohën e luftës. Ai qëndron në gjueti duke pritur thinjtë e egër. Ai gjithmonë e mban në shënjestër të dylbisë Ray-in duke ia shikuar tatuan me flamur të ylberit në qafë. Modeli i një aeroplani të vogël që e kontrollon Kevin me dirigjues Christianin e kthen në kohë të luftës. Chrsitian humbe i tëri. Atij fillojnë ti shfaqen skenat e tmerrshme të luftës, zërat e fëmijëve duke klithur, grat duke vrapuar me fëmijë, zhurma e avionëve të luftës e traumatizojnë keq sa që ai e drejton snajperin nga aeroplani i Kevinit, sytë fillojnë ti errësohen ai lëviz me snajper për një çast i shfaqet flamuri LGBT, gjuan dhe e qëllon Ray-in. Ray bie në tokë dhe e lëshon prej dorës Xhiten me flamur të LGBT e cila fluturon lart në qiell.

Në këtë film me rolet e tyre luajnë aktorët: Charles Tiedje, Dominic Capone, Doug Mcdade, Chris Maher, Gabija Guzauskaite, James Fuller, Kenny Lone Eagle, Harold Dennis, Luis Centeno e Edi Mehana. / KultPlus.com

Serbët dhe rusët bëjnë film për UÇK-ën

Në një fshat të Serbisë afër Zllatiborit, po përgatitet një film për ngjarjet e vitit 1999, gjatë bombardimeve të NATO-s dhe kur forcat serbe vrisnin dhe dëbonin shqiptarët nga Kosova.

Titulli filmit është “Kufiri Ballkanik” në regji të Andrej Volgin ndërsa aty do të luajnë aktorë serbë dhe rusë. Filmi është koproduksion serbo-rusë. Sipas mediave serbe, subjekti i filmit është okupimi i aeroportit të Sllatinës nga njësitë speciale ruse që kishin ardhur nga Bosnja.

Aktori serb Milos Bikovic që është edhe koproducent ka thënë se nëpërmjet këtij filmi “po luftojmë për trashëgiminë tonë” .

“Filmi është iniciativë e rusëve. Dihet pak për momentin e marrjes së aeroportit të Prishtinës, ai moment ka qenë shumë sfidues sepse ka mundur të prodhojë konflikt më të madh. Gjithçka ka qenë si në film” ka thënë ai.

Ky aktor ka thënë se në film e luan rolin e vullnetarit (paramilitarit) që lufton kundër UCK’së që sipas tij ka qenë organizatë terroriste.
Ai ka thënë se filmi do të shfaqet në gjithë botën dhe do të jetë në gjuhën serbe dhe ruse, përcjell Insajderi./ KultPlus.com