Filmat shqip që krijuan histori tani online në platformë vendore, GjirafaPrime

Kinematografia Shqiptare viteve të fundit është duke ecur në hap me botën. Shumë filma shqip janë vlerësuar lart dhe kanë triumfuar në festivalet më prestiogjioze ndërkombëtare.

Storiet e vendit tonë të veçanta dhe autentike kanë arritur të depërtojnë në çdo cep të botës e tani ka ardhur koha që të shikohen edhe nga audience shqipfolëse.

Gjirafa sapo ka lansuar shërbimin më të ri Prime ku mund të shihni filmat dhe serialet më të fundit shqip.

Nga kinematë vendore, në festivalet më të mëdha ndërkombëtare tashmë në rehatinë e shtëpisë suaj mund t’I shikoni filmat si “Zana”, “Në kërkim të Venerës”, “Bolero në vilën e pleqve”, “Shpia e Agës”, “Derë e hapur”, “Pranverë e paharruar në fshatin e harruar”, “Vozitësi”, “Salloni”, “Vëthi i munguar”, “Një muaj”, “Dita zë fill” dhe serialin “Snob”, kësaj liste do I shtohen edhe shumë filma të tjerë.

Për herë të parë këto prodhime të njohura shqiptare online për ju.
Përjeto dhe përkrah Shqip, Kliko këtu
Duke u abonuar për t’i parë ju kontriboni direkt në rritjen dhe zhvillimin e Kinematografisë Shqiptare. /KultPlus.com

Filmat e vjetër shqiptar që duhet t’i shohë secili

Komedi, drama dhe filma historikë. Nëse s’keni parë këto filma, bëni mirë të uleni dhe t’i shikoni me radhë.

Skënderbeu (1954)

– Sergei Yutkevich – Filmi flet për jetën e Skënderbeu, nga lindja deri në vdekje. Bazuar kryesisht në veprën e Marin Barletit, filmi nis me rrëmbimin e Skënderbeut nga turqit dhe trajnimin e tij për t’u bërë një nga luftëtarët më mbreësëlëns në Perandorinë Otomane. Më pas, Gjergj Kastrioti kthehet në Atdhe ku edhe organizon rezistencën heroike që zgjati më shumë se 30 vite. Prej tij, perandoria më e madhe në tokë e asaj kohe, nuk arriti të pushtojë Shqipërinë.

Lulëkuqet mbi mure (1976)

– Dhimitër Anagnosti – Filmi është i vendosur në një jetimorë të Tiranës gjatë viteve të pushtimit fashist italian në fillim të Luftës së Dytë Botërore. Është bazuar në romanin Bonjakët të Petraq Qafëzezit dhe interpretohet mrekullisht nga Timo Flloko, Kadri Roshi, Pavlina Mani, etj. Jetimët e strehës vorfnore, nën urdhërat e drejtorit dhe kujdestarit, detyrohen të pastrojnë parrullat në mure të komunistëve. Katër shokë protagonistë organizojnë plane kundër bashkëpunëtorëve të urryer të fashistëve dhe që këtu filmi zhvillohet gradualisht.

Përrallë nga e kaluara (1987)

– Dhimitër Anagnosti – Për të plotësuar dëshirat dhe nevojat e prindërve, Gjino 14-vjeçar martohet me mblesëri me Marigonë 20-vjeçare. Gjino bindet, se është fëmijë, ndërsa Marigoja që dashuron një tjetër, përpiqet me lloj lloj mënyrash për t’u larguar. Filmi eksploron rolin e gruas në shoqëri, shfrytëzimin dhe emancipimin e saj. Hajrie Rondo, Robert Ndrenika dhe Elvira Diamanti janë të shkëlqyer në rolet e tyre.

Nëntori i dytë (1982)

– Viktor Gjika – Nëntori i dytë është një film dramatik që shpalos rrugën e ndjekur nga patriotët shqiptarë drejt shpalljes së pavarësisë. Personazhe janë figurat më të famshme të kombit si Ismail Qemali, Isa Boletini dhe Luigj Gurakuqi luajtur nga më të mirët e skenës shqiptare.

Zonja nga qyteti (1976)

– Pirro Milkani – Komedia për zonjën dhe të bijën që shpërngulen nga qyteti në fshat është një perlë e kinematografisë shqiptare. E bija e Teto Ollgës, zonjës nga qyteti, bie në dashuri me një djalë nga fshati. Ndërkohë, Ollga s’lë gurë pa lëvizur që të bijën ta martojë me dikë nga qyteti. Një histori e vjetër sa kohë, një komedi që të bën për të qeshur çdo herë që e sheh.

Vdekja e kalit (1992)

– Saimir Kumbaro – Një ndër filmat e parë antikomunistë shqiptarë, Vdekja e kalit flet për Agronin (Timo Flloko), i cili shpëton një kal nga ekzekutimi dhe dënohet nga gjyqi ushtarak. Gruaja e tij, e cila luhet nga Rajmonda Bulku vendos të ndërmarrë masa ekstreme. Të lë një ndjesi të hidhur, të nevrikos dhe është fantastik.

Kapedani (1972)

– Muharrem Fejzo, Fehmi Hoshafi – Në Shqipërinë e viteve ’70, një hero i Luftës së Dytë Botërore kthehet në shtëpinë e tij në fshat dhe has probleme me revolucionin kulturor dhe të drejtat e grave dhe të burrave. Në një kontrast brilant mes të resë dhe të vjetrës, Kapedani mund të jetë fare mirë komedia më e dashur shqiptare.

Njeriu me top (1977)

– Viktor Gjika – Bazuar në romanin me të njëjtin titull nga Dritëro Agolli, Njeriu me top ndjek historinë e konfliktit mes Mato Grudës dhe plakut Mere. Në hangar, Mato mban një top të braktisur nga italianët që ëndërron ta përdorë kundër plakut Mere. Filmi është poetik dhe i paharrueshëm.

Dy herë mat (1986)

– Bujar Kapexhiu – Një tjetër komedi e mrekullueshme me regji dhe rol kryesor nga Bujar Kapexhiu. Ilo Pinci, specialist i midhjes dhe peshkut, njëherazi shahist i njohur, ftohet në një qytet bregdetar për një konkurs shahu. Në të vërtetë, Ilo është më i interesuar për kultivimin e midhjeve dhe i futet konkursit pa teklif, me idenë se do t’i mundë të gjithë pa problem. Rudina e vogël i vërteton të kundërtën.

Koncert në vitin 1936 (1978)

– Saimir Kumbaro – Një këngëtare e re Donika dhe një pianiste Eleni nisin një turne koncertesh në qytete të vegjël provincialë duke kaluar me pianon e tyre edhe nëpër fshatra. Dy artistet e reja takojnë mikpritës midis të cilëve popullin e thjeshtë dhe autoritetet lokale që kërkojnë të duken oksidentalë por që në thelb janë të konfrontuar me njëri tjetrin.

Liri a vdekje (1979)

– Kristaq Mitro, Ibrahim Muçaj – Komitët të udhëhequr nga Çerçiz Topulli, Mihal Grameno dhe Hajredin Tremishti kthehen në fshat te njerëzit e tyre para se të ekzekutojnë bimbashin turk të Gjirokastrës. Pas kësaj ushtria osmane ndërmerr një fushatë kundër Mashkullorës krahinë e cila kthehet në një lapidar të rezistencës Shqiptare për pavarësi. Nën interpretimin brilant të Timo Fllokos, Kadri Roshit, Kastriot Çaushit, Bujar Asqeriut, Reshat Arbanës, e plot të tjerëve.

Prefekti

– Besim Levonja – Artisti i Popullit Robert Ndrenika interpreton Qazim Mulletin. Një punë e Besim Levonjës, komedia “Prefekti” përqesh dhe tallet me prefektin e Tiranës gjatë kohës së pushtimit fashist, Qazim Mulletin dhe një vartës të tij që ishte drejtues i policisë së Tiranës po në atë kohë, Mon Kukaleshi. Kjo komedi bazohet në stereotipa dhe krijon vetëm të tilla. /anabel/ KultPlus.com

Inaugurohet Arkivi i Filmit, shpëtohen 44 mijë bobina filmike nga lagështira

Që prej vitit 2004 kompresori i sistemit ftohës në Arkivin e Filmit nuk funksiononte.

Drejtoresha e Arkivit Iris Elezi nën praninë e ministres së Kulturës Elva Margariti dhe ambasadorit të Kinës Zhou Ding në Tiranë inauguruan këtë arritje, ku kushtet klimaterike dhe të lagështirës do të funksionojnë sipas standardeve europiane.

“Arkivi nuk mund të jetë një magazinë filmi, por një muze, një hapësirë për fëmijët edhe një hapësirë krenarie për të gjithë ne”, shprehet ministrja e Kulturës, Elva Margariti.

“Ajo që është veçanërisht e rrallë është që dokumentarët e çmuar Kinë-Shqipëri janë gjithmonë këtu. Mendoj se arti ka vlerë të përjetshme dhe historia meriton respekt”, shprehet ambasadori i Kinës në Tiranë, Zhou Ding.

 “Brenda Arkivit Shtetëror të Filmit ruhet e gjithë trashëgimia filmike shqiptare. Ndryshe nga vendet e botës që kanë një kopje të dytë, ne e ruajmë të gjithë këtë pasuri në Arkivin e Filmit. Një nga përgjegjësitë e Arkivit ka qenë krijimi i kushteve të favorshme për jetëgjatësinë e filmit. Jemi duke fol për temperaturën edhe lagështirën. Sikundër na mbështet Ministria e Kulturës, këtë vit na mbështet edhe Ambasada e Kinës dhe më në fund lagështia në AQSH është sipas standardeve. Kompresori i dytë i sistemit ftohës, i vitit 1984 i ndërtuar nga suedezët është këtu dhe kemi kthyer 100 për qind sistemin ftohës që nuk funksiononte”, shprehet drejtoresha Iris Elezi.

Përpos kësaj vazhdon puna në Arkiv edhe për restaurimin e 7 filmave me metrash të gjatë.

“Jemi duke bashkuar fuqitë me bashkinë për të restauruar “Koncert në vitin 1936”, kjo është fatkeqësia që në mes të viteve 1979-‘80 janë larë në banjon e gabuar të kimikateve 7 filma artistikë, 20 dokumentarë edhe 20 të animuar. Është një trashëgimi e madhe që ka humb ngjyrat. Por, ende se kemi zgjidh këtë shqetësim pavarësisht përpjekjeve”, tregon drejtoresha e Arkivit.

Digjitalizimi dhe inventarizimi i materialeve filmike është një tjetër punë në procese për specialistët e arkivit.

“Arkivi ka posterin, skenarin, partiturat e muzikës, ne kemi një koleksion të pasur në letër. Në këtë koleksion s’jemi marrë deri më tanë i dhe është hera e parë, që jemi duke inventarizuar negativë për negativë. Mund të kemi nga 10 mijë negativë që mendonim, 17 mijë negativë”, thotë Elezi.

Ndonëse, pandemia Covid 19 ka ndalë çdo aktivitet kulturor,  filmi shqiptarë vazhdon të prezantohen të ndryshme të botës.

“Filmi shqiptarë sapo u prezantua vetëm një javë më parë në zemër të Romës. në janar ishim në Arkivin e Vjenës, edhe në prill do të ishim në Paris, por nga pandemia ky aktivitet do të ndodh në tetor. Ne jemi duke bërë punë shumë të mirë”, shprehet Iris Elezi.

Pas inaugurimit të kompresorit ftohës në Arkiv të Filmit u prezantua për të pranishmit dhe filmi dokumentar “Krah për krah” me regji të Endri Kekos. /shqiptarja/ KultPlus.com