PriFest shpalos programin kryesor garues: 7 filma premierë në Kosovë

Programin kryesor garues i PriFest, kategoria e filmave Ballkanik të metrazhit të gjatë, e quajtur në të kaluarën edhe ‘Filmat e Mjaltës dhe Gjakut’, përbëhet nga 7 filma nga 5 shtete.

Njëri nga ta do ta ketë Premierën Ndërkombëtare, 2 filma do të kenë Premierën Regjionale dhe të gjithë filmat do të jenë Premierë në Kosovë në edicionin e 13 të PriFest-it.

Në mes 7 filmave, do të jetë edhe filmi i paralajmëruar ca ditë më parë, filmi që hap festivalin – fituesi i trefishtë i Sundance IFF – ZGJOI nga Blerta Basholli.

Poashtu, filmi që para pak kohe pati premierën në Cannes – seksionin Director’s Fortnight, LUANESHAT E KODRËS, filmi debutant i Luana Bajramit.

Në listë është edhe PAS DIMRIT nga Ivan Bakrac, që do të ketë Premierën Ndërkombëtare në PriFest, pas Premierës Botërore në Karlovy Varu IFF. Filmi i regjisorit Bakrac ishte pjesmarrës në PriFORUM, platformën e industrisë filmike të PriFest, në vitin 2016.

DRURI I HESHTUR nga Faysal Soysal, film nga Turqia që poashtu ishte pjesmarrës dhe fitues në garën Best Pitch në PriFORUM 2019.

Filmi boshnjak HËNA E PLOTË, film debutues nga Nermin Hamzagic vjen pas premierës së suksesshme në Cottbus Film Festival në Gjermani.

Një tjetër film i Kosovës në listën e filmave garues, film ky që kishte një rrugëtim të sukesshëm ndërkombëtar që filloi në festivalin San Sebastian 2019, është ANDROMEDA GALAXY nga More Raca.

Dhe përfaqësuesi i Shqipërisë në garë, filmi BOLERO NË SHTËPINË E PLEQVE nga regjisori me përvojë Spartak Pecani, do të ketë Premirën Regjionale në PriFest.

“Jemi shumë të lumtur për programin garues të këtij edicioni. Është një moment unik për festivalin tonë, sepse do të kemi 3 filma kosovarë në programin kryesor garues. Natyrisht, ata janë aty jo sepse janë të Kosovës, por sepse janë kualitativ. Jam poashtu i lumtur që do të kemi shumë regjisorë e regjisore të reja në garë. Nga 7 filmat garues, 5 janë regjisorë debutantë. Dhe mbi gjitha, jemi të lumtur që janë 3 regjisore femra në garë” tha Fatos Berisha, drejtor artistik dhe personi përgjegjës për programet e festivalit.

Lista e plotë e Programit Garues të filmave Ballkanik:

1. LUANESHAT E KODRËS (THE HILL WHERE LIONESSES ROAR) nga Luana Bajrami, Kosovë/Francë, 83m. Premierë. Diku në Kosovë, në një fshat të vogël, tri vajza të reja shohin se ëndrrat dhe ambicjet e tyre ngulfaten. Asgjë s’mund t’i ndal në kërkimin e tyre për pavarësi: është koha që t’i lëmë luaneshat të ulërijnë.

2. HËNA E PLOTË (FULL MOON) nga Nermin Hamzagic, Bosnja dhe Hercegovina, 85 min. Premierë.

Nata me hënë të plotë. Hamza, inspektor i policisë, dërgon gruan e tij në spital për të lindur. Ujërat e saja shpërthyen dhe doktori urdhëron lindje të menjëhershme. Hamza është i brengosur sepse duhet ta lë – nuk kishte mundësi të merr pushim. Në stacionin e policisë duket se tregimet popullore mbi hënën e plotë bëhen të vërteta. Në korridor, Hamza takon Tarikun, një person mes lajmëtarit të kijametit dhe engjullit mbrojtës, që do ta vë në sfidë. Një nga një, hijet mbërrijnë në stacionin policor.

3. DRURI I HESHTUR (SILENCED TREE) nga Faysal Soysal, Turqi/Iran, 118 min. Premierë Regjionale. Hayati është shkrimtar, i pafat në karrierë dhe në martesë, mban peng veten nga e kaluara. Në ndërkohë, casja e tij pasive e pikturon si njeri të dobët që nuk di të veprojë sipas pritjeve të shoqërisë, lidhur me pabesinë e gruas.

4. PAS DIMRIT (AFTER THE WINTER) nga Ivan Bakrac, Mali i Zi, 101 min. Premierë Ndërkombëtare. Pesë shokë të vjetër nga Mali i Zi ende mbajnë të gjallë miqësinë, përkundër që janë të shpërndarë nëpër ish-Jugosllavinë.Gjatë vitit dhe pas një mori ngjarjesh kërcënuese, ata janë të detyruar të transformojnë rininë e tyre te lumtur në pjekuri. Kur dimri të mbarojë, cdo njëri nga ta do të duhet të fillojë një botë të re.

5. BOLERO NË SHTËPINË E PLEQVE nga Spartak Pecani, Shqipëri/Kosovë, 108 min. Premierë Regjionale. Irena, një motër medicinale, jeton në një qytezë. Marrëdhëniet e saja intime me shoqën e saj Ana e detyrojnë të largohet në panik drejt Tiranës ku punon si kujdestare tek një cift i moshuar. E vetmuar dhe pa ndihmë të askujt, Irena gjen ngrohtësinë në vilën e pleqve. Tingujt e Boleros dhe Irena janë dëshmitarë të shkëmbimit të letrave mes pleqve. Ndeshja mes dy botëve – botës së ciftit të moshuar në dashuri me njëri tjetrin deri në fund, dhe botës së fëmijëve të tyre që nuk dijnë se c’duan, e bëjnë Irenën të kuptojë vlerën e dashurisë.

6. ANDROMEDA GALAXY nga More Raca, Kosovë/Spanjë/Itali/Maqedoni e Veriut, 80 min. Premierë. Lidhja mes babait dhe vajzës eksplorohet. Ai është vejan 52 vjec, mekanik i papunë që jep me qera makinën për mbijetesë. Ajo ka qenë në jetimore. A mund të gjejnë një jetë më të mirë së bashku?

7. ZGJOI nga Blerta Basholli, Kosovë/Zvicërr/Shqipëri/Maqedoni e Veriut, 84 min. Premierë. Burri i Fahrijes është i zhdukur që nga lufta e Kosovës, dhe bashkë me dhimbjen, familja e tij ka edhe probleme financiare. Për të mundësuar mbijetesën për familjen, ajo nis një biznes të vogël bujqësor, por në traditën patriarkale fshatare ku ajo jeton, ambicja e saj dhe tentimet për të fuqizuar veten dhe gratë tjera nuk shihet si gjë pozitive. Ajo lufton jo vetëm për të mbajtur familjen, por edhe kundër komunitetit armiqësor që pret që ajo të dështon.

Edicioni i 13-të i PriFest mbahet nga 24-29 Gusht 2021 në Prishtinë. / KultPlus.com