Filmi “T’padashtun” (Unwanted), i cili premierën e kishte këtë vit në Festivalin e Filmit ‘PriFest’, tashmë do të vijë për publikun edhe në kinema, shkruan KultPlus.
Ky film, me skenar dhe regji të Edon Rizvanollit, dhe në rolet kryesore me Adriana Matoshin dhe Jason de Ridder si dhe ne role te tjera me Besnik Krapi, Shkumbin Istrefi, Bislim Mucaj, Xhejlane Tërbunja etj. do të shfaqet për publikun, duke filluar nga data 14 shtator në Cineplexx në Prishtinë.
“T’padashtun” do te shfaqet në Cineplexx për një javë duke ju dhënë mundësi ta shohin të gjithë ata që nuk kanë pasur mundësi deri më tani.
Përveç në Prishtinë, T’padashtun do të shfaqet edhe në Dokukino në Prizren prej datës 16 shtator duke vazhduar kështu për një javë.
Filmi “T’padashtun”, prekë dhunimet e grave të Kosovës nga ana e serbëve, sfidat e gruas së dhunuar, e përzënë edhe nga familja e saj, për jetën e saj në Holandë dhe sjelljen në jetë të djalit të saj, fryt i dhunimit nga ana e serbëve, për dashurinë e djalit të saj, pikërisht me një vajzë serbe.
Filmim “T’padashtun”, pritet të jetë pjesë e festivaleve të ndryshme ndërkombëtare. Ky film është i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Fondi i Filmit Holandez, Komuna e Gjakovës dhe Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com