Filmat hollywoodian më fitimprurës të vitit 2020

Viti 2020 nuk ishte i zakonshëm sa u përket arkave filmike botërore, që u ndikuan dukshëm nga mbyllja e kinemave si pasojë e pandemisë, dhe pezullimi i lansimeve dhe premierave të filmave të mëdhenj hollywoodian.

Megjithatë, disa filma arritën t’i shijojnë ca muaj të mirë në arkat filmike, duke arkëtuar shumë të kënaqshme të të hollave nga shitja e biletave nëpër kinematë botërore.

Vendin e parë në këtë listë e mban filmi i mbushur me skena aksion dhe humor, “Bad Boys for Life”. I lansuar më 17 janar të vitit 2020, vazhdimi i tretë i sagës “Bad Boys” që pas 17 vjetësh në rolet protagoniste i riktheu aktorët, Will Smith dhe Martin Lawrence, arriti të pozicionohet në vendin e parë të arkave filmike botërore falë 424 milionë dollarëve të arkëtuara brenda vitit. Ndërsa, filmi është realizuar me një buxhet prej 90 milionë dollarësh.

Filmi i dytë më fitimprurës i vitit 2020 është projekti i fundit i regjisorit, Christopher Nolan, “Tenet”, i cili njëkohësisht është filmi i parë me buxhet të lartë që u lansua në kohë të pandemisë. Me një buxhet të realizimit prej 205 milionë dollarëve, ky projekt nga lansimi në shtator të këtij viti, arriti t’i arkëtojë gjithsej 361.4 milionë dollarë. Megjithatë, kjo shumë konsiderohet jo e mjaftueshme për një film të përmasave të këtilla.

“Sonic the Hedgehog” është aventura komike, e cila radhitet e treta në listën e filmave më fitimprurës të vitit 2020. Filmi, i cili bazohet në videolojën e famshme me të njëjtin emër, u lansua nëpër kinema në shkurt të këtij viti, dhe deri më tani ka arritur t’i arkëtojë 310.5 milionë dollarë nga shitja e biletave.

Në vendin e katërt pozicionohet një film familjar, me protagonist yllin e filmave “Iron Man”, Robert Downey Jr. Projekti me titull “Dolittle” që e shtjellon historinë e një veterinari, i cili arrin të komunikojë me kafshët, e shënoi premierën më 17 janar të këtij viti dhe deri më tani ka arritur t’i arkëtojë gjithsej 246 milionë dollarë. Ndërsa, për realizimin e këtij filmi ishin shpenzuar gjithsej 175 milionë dollarë.

Ndërsa filmi i pestë më fitimprurës është “Birds of Prey”. Ky projekt i bazuar në librat komikë “DC Comics” dhe i cili është vazhdim i filmit “Suicide Squad”, në rolin protagonist e solli aktoren australiane, Margot Robie. Nga lansimi nëpër kinema më 7 shkurt, filmi i ka arkëtuar gjithsej 201 milionë dollarë. / KultPlus.com