Komedi, drama dhe filma historikë. Nëse s’keni parë këto filma, bëni mirë të uleni dhe t’i shikoni me radhë.
Skënderbeu (1954)
– Sergei Yutkevich – Filmi flet për jetën e Skënderbeu, nga lindja deri në vdekje. Bazuar kryesisht në veprën e Marin Barletit, filmi nis me rrëmbimin e Skënderbeut nga turqit dhe trajnimin e tij për t’u bërë një nga luftëtarët më mbreësëlëns në Perandorinë Otomane. Më pas, Gjergj Kastrioti kthehet në Atdhe ku edhe organizon rezistencën heroike që zgjati më shumë se 30 vite. Prej tij, perandoria më e madhe në tokë e asaj kohe, nuk arriti të pushtojë Shqipërinë.
Lulëkuqet mbi mure (1976)
– Dhimitër Anagnosti – Filmi është i vendosur në një jetimorë të Tiranës gjatë viteve të pushtimit fashist italian në fillim të Luftës së Dytë Botërore. Është bazuar në romanin Bonjakët të Petraq Qafëzezit dhe interpretohet mrekullisht nga Timo Flloko, Kadri Roshi, Pavlina Mani, etj. Jetimët e strehës vorfnore, nën urdhërat e drejtorit dhe kujdestarit, detyrohen të pastrojnë parrullat në mure të komunistëve. Katër shokë protagonistë organizojnë plane kundër bashkëpunëtorëve të urryer të fashistëve dhe që këtu filmi zhvillohet gradualisht.
Përrallë nga e kaluara (1987)
– Dhimitër Anagnosti – Për të plotësuar dëshirat dhe nevojat e prindërve, Gjino 14-vjeçar martohet me mblesëri me Marigonë 20-vjeçare. Gjino bindet, se është fëmijë, ndërsa Marigoja që dashuron një tjetër, përpiqet me lloj lloj mënyrash për t’u larguar. Filmi eksploron rolin e gruas në shoqëri, shfrytëzimin dhe emancipimin e saj. Hajrie Rondo, Robert Ndrenika dhe Elvira Diamanti janë të shkëlqyer në rolet e tyre.
Nëntori i dytë (1982)
– Viktor Gjika – Nëntori i dytë është një film dramatik që shpalos rrugën e ndjekur nga patriotët shqiptarë drejt shpalljes së pavarësisë. Personazhe janë figurat më të famshme të kombit si Ismail Qemali, Isa Boletini dhe Luigj Gurakuqi luajtur nga më të mirët e skenës shqiptare.
Zonja nga qyteti (1976)
– Pirro Milkani – Komedia për zonjën dhe të bijën që shpërngulen nga qyteti në fshat është një perlë e kinematografisë shqiptare. E bija e Teto Ollgës, zonjës nga qyteti, bie në dashuri me një djalë nga fshati. Ndërkohë, Ollga s’lë gurë pa lëvizur që të bijën ta martojë me dikë nga qyteti. Një histori e vjetër sa kohë, një komedi që të bën për të qeshur çdo herë që e sheh.
Vdekja e kalit (1992)
– Saimir Kumbaro – Një ndër filmat e parë antikomunistë shqiptarë, Vdekja e kalit flet për Agronin (Timo Flloko), i cili shpëton një kal nga ekzekutimi dhe dënohet nga gjyqi ushtarak. Gruaja e tij, e cila luhet nga Rajmonda Bulku vendos të ndërmarrë masa ekstreme. Të lë një ndjesi të hidhur, të nevrikos dhe është fantastik.
Kapedani (1972)
– Muharrem Fejzo, Fehmi Hoshafi – Në Shqipërinë e viteve ’70, një hero i Luftës së Dytë Botërore kthehet në shtëpinë e tij në fshat dhe has probleme me revolucionin kulturor dhe të drejtat e grave dhe të burrave. Në një kontrast brilant mes të resë dhe të vjetrës, Kapedani mund të jetë fare mirë komedia më e dashur shqiptare.
Njeriu me top (1977)
– Viktor Gjika – Bazuar në romanin me të njëjtin titull nga Dritëro Agolli, Njeriu me top ndjek historinë e konfliktit mes Mato Grudës dhe plakut Mere. Në hangar, Mato mban një top të braktisur nga italianët që ëndërron ta përdorë kundër plakut Mere. Filmi është poetik dhe i paharrueshëm.
Dy herë mat (1986)
– Bujar Kapexhiu – Një tjetër komedi e mrekullueshme me regji dhe rol kryesor nga Bujar Kapexhiu. Ilo Pinci, specialist i midhjes dhe peshkut, njëherazi shahist i njohur, ftohet në një qytet bregdetar për një konkurs shahu. Në të vërtetë, Ilo është më i interesuar për kultivimin e midhjeve dhe i futet konkursit pa teklif, me idenë se do t’i mundë të gjithë pa problem. Rudina e vogël i vërteton të kundërtën.
Koncert në vitin 1936 (1978)
– Saimir Kumbaro – Një këngëtare e re Donika dhe një pianiste Eleni nisin një turne koncertesh në qytete të vegjël provincialë duke kaluar me pianon e tyre edhe nëpër fshatra. Dy artistet e reja takojnë mikpritës midis të cilëve popullin e thjeshtë dhe autoritetet lokale që kërkojnë të duken oksidentalë por që në thelb janë të konfrontuar me njëri tjetrin.
Liri a vdekje (1979)
– Kristaq Mitro, Ibrahim Muçaj – Komitët të udhëhequr nga Çerçiz Topulli, Mihal Grameno dhe Hajredin Tremishti kthehen në fshat te njerëzit e tyre para se të ekzekutojnë bimbashin turk të Gjirokastrës. Pas kësaj ushtria osmane ndërmerr një fushatë kundër Mashkullorës krahinë e cila kthehet në një lapidar të rezistencës Shqiptare për pavarësi. Nën interpretimin brilant të Timo Fllokos, Kadri Roshit, Kastriot Çaushit, Bujar Asqeriut, Reshat Arbanës, e plot të tjerëve.
Prefekti
– Besim Levonja – Artisti i Popullit Robert Ndrenika interpreton Qazim Mulletin. Një punë e Besim Levonjës, komedia “Prefekti” përqesh dhe tallet me prefektin e Tiranës gjatë kohës së pushtimit fashist, Qazim Mulletin dhe një vartës të tij që ishte drejtues i policisë së Tiranës po në atë kohë, Mon Kukaleshi. Kjo komedi bazohet në stereotipa dhe krijon vetëm të tilla. /anabel/ KultPlus.com