Edicioni i tretë i Travel Fest Albania u përmbyll me ceremoninw e ndarjes së çmimeve, ku morën pjesë dashamirës të filmit dhe artit nga e gjithë bota. Për tri ditë me radhë, u shfaqën 30 filma dhe u ekspozuan 20 fotografi, që sollën rrëfime frymëzuese mbi traditën, trashëgiminë dhe natyrën e egër.
Ceremonia kulmoi me shpalljen e 12 filmave më të mirë në kategori të ndryshme. Çmimi për filmin më të mirë në kategorinë “Mjedisi & Ekologjia” shkoi për regjisoren italiane Raffaella Lorusso me filmin “Neverland”.
Ndërkohë, në kategorinë “Shqip”, triumfoi regjisori Adrian Guri me filmin e tij “Shpëtimi i Lumit Vjosa – Përtej Historisë”.
Cmimin kryesor të festivalit, Filmi më i Mirë i Edicionit, e rrëmbeu produksioni britanik “Kur Peshqit Fillojnë të Zvarriten” me regjisor dhe kompozitor Jim Sutherland (Xhim Satherlend) dhe skenariste fituesen e disa çmimeve Bafta, Morag McKinnon (Morag MekKinon) nga Mbretëria e Bashkuar.
Ky triptik impresionues 65-minutësh, me një kolonë zanore simfonike të interpretuar nga Orkestra Kombëtare e Skocisë, rrëfen një histori universale për lidhjen e thellë të njerëzimit me natyrën dhe kohën.
Travel Fest Albania synon të nxisë krijimtarinë dhe ndërgjegjësimin për çështje mjedisore, duke ofruar një platformë të fuqishme për artistët nga e gjithë bota.
Festivali jo vetëm që vlerësoi talentin e regjisorëve dhe fotografëve, por dha edhe një mesazh të rëndësishëm për ruajtjen e trashëgimisë natyrore dhe kulturore./balkanweb/ KultPlus.com
Filmi ‘Bota jonë’ i regjisores dhe skenaristes Luana Bajrami ka përmbyllur edicionin e 16-të të Prishtina International Film Festival- Prifest.
Ky film i cili është bashkëprodhim mes Kosovës dhe Francës trajton tematikën e rinisë në kuptimin eksplorimit të jetës dhe gjendjes së tyre në shoqëri. Ngjarja zhvillohet në vitin 2007, protagoniste janë dy shoqe- kushërira Zoen (Elsa Mala) dhe Volta (Albina Krasniqi) me përpjekjet dhe sfidat e tyre në një mjedis të kufizuar për të kërkuar lirinë personale.
Shkolla, përdoret si subjekti kryesor i filmit, duke e zbërthyer në elementet e tjera për rritje personale të dy vajzave të rebeluara nga fshati. Ikja e tyre pa lejen e familjes për të shkuar për studime në Prishtinë shënon pjesën e parë të filmit, dhe në fakt aktin më të guximshëm në porporcion me realitetin e kohës, ku ekzistenca e Kosovës si vend ishte ende e diskutueshme në tavolinat më të rëndësishme evropiane, dhe botërore.
Derisa ato shkelin në kampusin e Universitetit të Prishtinës, paraqitet realiteti i jetës në nivel të përgjithshëm me mungesa të profesorëve në ligjërata, studentë të mllefosur të cilët e shprehnin pezmin në mënyra të ndryshme, aktivistë të kohës që me bojëra kundërshtonin vendimet e UNMIK-ut dhe të ndërkombëtarëve.
Entuziazmi i tyre për realizimin e ëndrrave të tyre si dhe gjithë studentëve të tjerë sfidohej edhe nga gjendja e rënduar ekonomike dhe duke i detyruar që të zgjidhnin rrugë të ndryshme, nganjëherë edhe jo të shëndetshme për t’ia dalë në një situatë të tillë kaotike. Jeta në konvikte me shoqëri të rajoneve të ndryshme, si dhe krijimi i miqësive të reja në universitet, dhe dashurive po ashtu ishin pjesa më e bukur i atij realiteti të vështirë.
Zhvillimi i raportit të protagoisteve Volta dhe Zoen, është një aspekt tjetër i ngjarjeve i cili trajtohet në film. Raporti i tyre si kushërira vazhdon e thellohet më tej me jetesën në konvikt, duke iu bërë krah njëra- tjetrës, në një qytet të panjohur. Por, vendimi i Zoen për t’u bërë vallëtare në një klub nate, për të siguruar të ardhurat, e sfidon raportin e tyre, duke bërë që të distancohen me njëra- tjetrën, përkundër dashurisë që ato e ndienin thellë brenda vetes, për vetë faktin që ato ishin familjare.
Aktorët kryesorë të cilët morën pjesë në film janë: Albina Krasniqi, Elsa Mala, Don Shala, Aurora Ferati dhe Gani Rrahmani.
Krejt në fund të filmit në një prononcim për KultPlus, regjisorja Luana Bajrami, ka treguar idenë për realizimin e një projekti të tillë.
“Kam dashur ta vazhdojë trajtimin e tematikës së rinisë, jo si një vazhdimësi të Luaneshave, por si një vazhdimësi të eksplorimit të gjendjes së rinisë. Kam dashur që storja të zhvillohet në qytet, e jo në fshat si të Luaneshat. Ideja ka qenë ta vendosë storjen pak më konkretisht në kohë edhe në subjekt. Shkolla- është ideja kryesore në filmin “Bota Jonë”, ka thënë regjisorja.
Regjisorja Luana Bajrami, pas premierës së filmit, në ceremoninë e ndarjes së çmimeve është shpërblyer me çmimin “Kineasti i Vitit”, për të cilin tha se do t’i shërbejë si shtytje e madhe në realizimin e projekteve të tjera.
“Për mua është nderë. Realisht ndihem shumë krenare. Jam shumë falënderuese sidomos prej Fatosit që e kam mik dhe kolegë shumë të mirë. Është krenari sepse është shpërblim për punën në përgjithësi. Besoj që jam vetëm në fillim kështu që ky çmim është mbështetje që më shtyen për të shkuar larg e më lartë”, është shprehur regjisorja Bajrami.
Ndërsa drejtori i festivalit PriFest, Fatos Berisha, në mbyllje të festivalit ka thënë se është i kënaqur me mbarëvajtjen dhe se gjithçka kishte shkuar sipas planit, përveç motit me shi i cili e kishte shoqëruar festivalin për një javë.
“Përveç kohës me shi, të tjerat kanë shkuar ashtu siç e kemi planifikuar, pra të gjitha shfaqjet e filmave janë mbajtur, premierat, mysafirët të cilët i kemi ftuar kanë qenë me ne, anëtarët e jurisë, pjesa e forumit që është pjesa e industrisë filmike, workshopet si dhe pjesa muzikore e afterpartty. Ka qenë një javë shumë e ngjeshur me shumë aktivitete, po që të gjitha shkuan mirë përkundër kohës me shi që ka mbajtur që nga dita e parë e deri më sot. Por, kjo në fakt na dha njëfarë adrenaline gjithë stafit, i cili e dha maximumin që të arrijmë që ta kryejmë këtë punë që thotë populli me faqe të bardhë”, ka thënë drejtori i Prifest.
Regjisori Berisha, në këtë përmbyllje të edicionit të 16-të të PriFest, i ishte gëzuar pjesëmarrjes së aktorit të mirënjohur shqiptar Enver Petrovci, për të cilin është ndarë një çmim i veçantë “Çmimi për Kontribut Jetësor”.
“Ky çmim i nderon artistët eminentë vendorë. Profesor Petorvci patjetër se është një figurë eminente dhe natyrisht se e meriton këtë. Por, për ne të gjithë ish studentët e tij, gjithë komunitetin dhe të gjithë Kosovën është më me rëndësi ta shohim që është shëndosh e mirë, që erdhi deri këtu, e mori mundin që përkundër sëmundjes që të vijë jo vetëm për ta marrë çmimin por më shumë për të na takuar ne të gjithëve. Jemi të lumtur që e kemi sot dhe siç tha edhe ai vet nuk dorëzohem derisa të marr ndonjë çmim në Berlin apo në Kanë, kështu që edhe unë i besoj atij dhe i dëshiroj jetë shumë të gjatë”, ka përfunduar regjisori Berisha.
Edicioni i 16-të i Prishtina International Film Festival- Prifest është mbajtur nga 10 deri më 15 shtator, në Kino Armata./ KultPlus.com
Të shtunën mbrëma, një natë para mbrëmjes përmbyllëse të Prishtina International Film Festival- Prifest është shfaqur Filmi “M”, me regji nga Vordan Tozija, i cili është bashkëprodhim i Maqedonisë, Kroacisë, Kosovës, Francës dhe Luksemburgut.
Ngjarja zë fill në një pyll, në të cilin jetojnë djalosh i vogël nën kontrollin e plotë të babait të tij. Të “izoluar” në atë pyll, gjithçka që ai e di ishte vetëm ekzistenca e tyre e mbrojtur me një pushkë krahu. Qetësia e këtij ambienti e shtyen djaloshin të të përthithë informacione të thella nga natyra, të cilat bubëziteshin me një fjalor të cekët, që më pas shpreheshin përmes figurave në një libër me vizatime. Libri vazhdonte të plotësohej ditë pas dite me mendimet dhe ndjenjat e djaloshit, përderisa pyetjet për ekzistencën dhe botën shtoheshin gjithnjë e më shumë.
Inicialin “M” ai e kishte të gdhendur në kyqin e dorës. Emri i tij ishte Marko. Ai identifikonte edhe elemente të tjera më këtë shkronjë si mjegulla, myku si për të gjetur ngrohtësi në gjithë këtë vetmi, e cila më pas zbutet pasi takon Miko-n. Shoku i tij ishte një djalë zemër mirë dhe i pafajshëm, nëna e të cilit vritet nga babai i Markos (paranojak), nën motivacionin e vetëmbrojtjes, pasi mendonte që ajo mund t’u bënte dëm.
Si dëshmitar i ngjarjes, Marko fillon dhe e pyet për nënën e tij. Shpjegimi nga babai i tij i jepet në një formë fabule, duke e cilësuar si “zanë”, të cilën Marko do ta gjente vetëm pasi të rritej, në një vend të quajtur “Lugina e Bardhë”. Kureshtjen për siluetën e nënës së tij ai e shuan përmes një videoje në të cilën nga nëna e tij i thuhet që nuk ka dashur ta lë. Pas kësaj, ai së bashku me mikun e tij Miko-n niset drejt eksplorimit të botës.
Pas jetës në pyll, ku herë pas here i shfaqeshin njerëz të “ligj”, bota e tij bëhej gjithnjë e më e rrezikshme. Megjithatë, babai para se të vetëvritej i kishte bërë me dije se ai ishte njeri me një spektër special, i cili do t’i shpëtoj ligësive. Pas një rrugëtimi, Marko dhe Miko gjenden në një qytet të shkatërruar nga një lloj epidemije, e cila i kishte shndërruar njerëzit në Zombi.
Me fotografinë e nënës së tij në duar ai gjendej para një spitali, që nënkuptonte “Luginën e Bardhë”, mirëpo tashmë të shëndrruar në një gërmadhë me qindra zombi. Një jetë mes njerëzve normalë dhe anormalë shfaqej para syve të djaloshit i cili më vonë mbeti edhe pa shokun e tij të ngushtë Miko-n, pasi u vra. Ngadalë, “djali gjethe” siç e quante veten në pyllin magjik, kishte filluar të thahej, në kuptimin e demotivimit dhe dëshprimit, pasi shpresat për të gjetur nënën e tij kishin filluar t’i veniteshin.
Nga një botë plotë vegjetacion, ujë, ai tanimë gjendej në një qytet të shkretë. Përmes mjeteve informuese jepej konkulzioni se si natyra me urtësinë e saj kujdeset që të shpopullojë banorët e saj, përmes një epidemie, e cila i detyron ata që të asgjësonin njëri tjetrin, ku në këtë rast linte të nënkuptohej që po ndodhte një luftë mes njeriut dhe natyrës, ku kjo e fundit si e revoltuar me mënyrën e jetesës së faktorit njeri e kishte sjellë këtë të fundit në një gjendje kaotike.
Një njësi speciale e armatosur e të izoluar, për t’iu shmangur infektimit nga ai lloj virusi gjejnë djaloshin, brenda një objekti. Në fakt ai kish qenë takimi të cilin ai kish kohë që po e kërkonte, pasi një pjesëtare e kësaj njësie i dhuroi një përqafim të ngrohtë si nënë dhe djal. Në sfond ilustrohej një figurë ku djali mbushej me gjethe pas përqafimit me nënën e tij, që shërbente si analogji me marrëdhënien e njeriut me natyrën, i cili do ta gjente vetën dhe do të jetonte i plotësuar vetëm pasi të jetonte në harmoni me “Nënën Natyrë”.
Pas përfundimit të filmit regjisori maqedon Vordan Tozija, foli për idenë e zhvillimit të këtij filmi duke thënë se ishte krijuar së bashku me disa adhurues të filmave distopikë, që ne thelb përfshin historinë e universale të një fëmjie që kërkon të gjej nënën e tij.
“Jemi një grup i vogël regjisorësh nga ky regjion dhe e kemi këtë frustrim se gjithmonë eksporti që pritet nga ne është trajtimi ekzotik i Ballkanit, këto dramat e zeza që paraqesin vuajtje të rënda. Në rregull, e dimë në çfarë vendesh jetojmë, por nganjëherë duhet ta largojmë mendjen nga realiteti, dhe kështu doli edhe ky film. Njëfarë eksperimenti që përzien dramë, artistiken dhe “zombiet” në të njëjtin vend. E kemi bërë dhe jemi të lumtur që arritëm ta realizojmë atë”, ka thënë regjisori Tozija.
Më tej ai ka përmendur edhe regjisoren Vjosa Berisha duke e cilësuar atë si një njeri me zemër të madhe dhe mendje të hapur, dhe një punëtore të jashtëzkonshme.
“PriFest është një festival në zhvillim e sipër. Nuk e di sa ka mbështetje. Mendoj që nuk ka shumë pasi asnjë nga qeveritë në vendet tona nuk jep shumë mbështetje për kulturën, ata janë të interesuar për shumë gjëra të tjera, por ju mund të shihni këtu ju mund të shihni sa bukur që është, se si njerëzit janë të lirshëm, mund të komunikojnë lehtësisht për punët e tyre, e jo gjëra të parëndësishme në të cilat jetojmë. Kështuqë po më pëlqen shumë” ka thënë regjisori Tozija./ KultPlus.com
Ekrani gjigand i Kino Armatës në natën e dytë të Prishtina International Film Festival- PriFest para publikut solli premierën e filmit “Okarina”, të regjisorit Alban Zogjani, me skenar të Albana Mujës.
“Okarina” paraqet një histori tipike të familjeve shqiptare të cilët ndër viteve, për arsye sociale dhe politike janë detyruar të emigrojnë në shtete të ndryshme të botës, për të cilat në rast të refuzimit të leje qëndrimit në ato vende, martesa e burrave me gra të nacionaliteteve të tjera ka qenë zgjidhja e vetme dhe e domosdoshme për të siguruar stabilitetin dhe standardin e familjes së tyre të vërtetë.
Një histori e tillë u trajtua në disa dimensione me filmin “Okarina”, ku protagonistë ishin kryefamiljarët Shaqa (Jehon Gorani) dhe Selvia (Shëngyl Ismajli), të cilët në kohën e luftës kishin emigruar në Londër, të Mbretërisë së Bashkuar. Në mesin e peripecive për të ndërtuar një jetë të dinjitetshme dhe integrimit të kësaj familjeje, me theks të veçantë dy vajzave Sarandës (Rina Krasniqit) dhe Vjosës(Flaka Latfit) në këtë metropol botëror, një dokument i dërguar nga administrata shtetërore britanike për t’u kthyer në vendlindjen e tyre e ndryshoi komplet rrjedhën e tërë familjes.
“Martesa për letra” ishte opsioni i vetëm që fati e sillte në duart e tyre, përmes së cilit Shaqa dhe Selvia do të mund të qëndronin në këtë shtet pranë vajzave të tyre. Shaqa, si një burrë shqiptar me profesion zdrukthtar refuzon të “shkojë nuse”, kështu që kjo çështje në mënyrë të pavullnetshme pasohet në duart e Selvisë, e cila detyrohet të krijojë një kontratë martese me punëdhënësin e saj Giovanin (Kastriot Shehi). Mirëpo, për shkak të inspektimeve rigoroze të mbikëqyrësve shtetërorë, të cilët bënin kontrollime edhe në pikë të natës, për të vërtetuar nëse martesa e tyre ishte e vërtetë, Selvisë iu desh që për njëfarë kohe të shkojë të jetojë në shtëpinë e punëdhënësit të saj.
Për hir të së vërtetës, ashtu ishte. Selvija vazhdonte punën e saj të pastrimit në atë shtëpi si zakonisht, dhe flinte poshtë në kuzhinë. Mirëpo, dashamirësia, kujdesi dhe mirëkuptimi i treguar nga Giovani, krejt papritur e bën Selvinë të ndihej e vlerësuar, dhe një dashuri e vërtetë mes tyre lind. Ky fakt, si një tërmet i fortë, shkund dhe shpërbën këtë familje shqiptare, në themelet e së cilës gjendeshin pasojat e sistemit të çrregullt të jetesës të injektuar si rezultat i regjimeve të ndryshme, ku në pamundësi të shkollimit dhe arsimimit adekuat, si me thikë u ndahen detyrat e burrave dhe grave, njërit për siguruar mbijetesë dhe tjetrës për riprodhim dhe vazhdimësinë e llojit.
Në film, drama vazhdon edhe më tej kur njëra prej vajzave (Vjosa) kupton që ishte shtatëzënë me ish të dashurin e saj. Në mesin e shumë pikëpyetjeve për qëndrimin e prindërve të saj, të familjes së gjerë në Kosovë, për të ardhmen e saj dhe të bebushit që bartte, Vjosa vendos që të abortojë. Një moment sa shqetësues aq edhe reflektues në shtratin e spitalit ku ajo do të kryente abortin, ndaloi këtë proces bizar, që brenda pak minutash pritej të ndodhte.
“Okarina” përmes trajtimit të kësaj historie thyen tabu në disa kuptime mbi standardin e dashurisë dhe familjes në shoqërinë shqiptare. Me gjithë kundërshtimet e tij, Shaqa në fund i dorëzohet realitetit dhe lejon gruan e tij pas njëzet vitesh martesë të jetojë me burrin e saj të ri (pa ofendime apo kërcënime për vrasje) siç ndodh rëndom kur dikush tenton të prekë “megjën” (gruan). Për herë të parë “martesën për letra” po e bënte një grua, pasi martesa e burrave shqiptarë me gra të huaja ka qenë një fenomen i njohur. Po ashtu edhe lindja e njërës nga vajzat e qiftit, ka thyer tabu pasi nuk ka qenë normale për atë kohë që një vajzë të lindë dhe të mbajë fëmijën e ish-të dashurit të saj.
Fëmija vajzë pagëzohet me emrin e “Okarina” për shkak të lidhshmërisë së këtij instrumenti me punën e gjyshit si zdrukthtar, por edhe njëkohësisht si element dallues i etnisë shqiptare që në film ndërlidhet bukur edhe me këtë fenomen të shoqërisë shqiptare në ne vitet ’80-të, 90-të, e 2000. Fundi i filmit shpie te zgjidhjet e secilit karakter në të mirë të vetes së vet.
Krejt në fund të filmit, në një prononcim për media, regjisori Alban Zogjani ka thënë se filmi trajton temën e moralit të krijuar në një shoqëri dhe pasojat e zgjedhjeve jetësore.
““Okarina” vë në pah gjendjen emocionale të një familje, si pasojë e elementeve të tjera të cilat kanë rrjedhur ndër vite, me mënyrën se si janë rritur, si i kanë përballuar sfidat e ndryshme, ku sfidat e përgjithshme kanë prekur deri te morali. Këtu merren vendime të ndryshme nën idenë që po e shpëtojmë familjen, por realisht ne veprojmë në diçka të kundërt”, ka shpjeguar regjisori Zogjani.
Regjisori Zogjani po ashtuka thënë se ideja e tij ka qenë që përmes personazheve të Kosovës, gjuhës dhe ngjyrës së këtij filmi të shpërfaqet kjo temë e përgjithshme botërore.
“Qëllimi im kryesor ka qenë me dhënë rëndësinë e karakterit përmes mënyrës se si kam lëvizur në kamerë, përmes mënyrës se si kam interpretuar personazhin në mënyrën minimaliste, në manyrë që njerëzit të kenë një lidhje me personazhet. Pra, jam munduar t’i jap publikut qasje për të trajtuar diçka që mund t’i ndodh secilit person në mënyra të ndryshme, por përsëri e shpërfaqur brenda në familje. Pavarësisht nëse ngjarja zhvillohet jashtë shtëpisë, ai problem nuk mund të zgjidhet jashtë kornizës së shtëpisë”, ka thënë regjisori po ashtu.
Ndërsa skenaristja e filmit, Albana Muja, në koferencën për media ka treguar se si ka shkuar ecuria e punës deri te realizimi i produktit final.
“Ka raste kur një skenar mund ta shkruash për një kohë shumë të shkurtër dhe kur të merr kohë shumë gjatë, sidomos kur do të prekësh një temë sociale. Prandaj në këtë rast procesi i shkrimit ka zgjatur rreth dy vite. Fillimisht ka qenë dramë për teatër, pastaj komedi e zezë. Pastaj te filmi kam dashur të paraqes një puro dramë. Tërë procesi ka zgjatur rreth dy vite, dhe jam shumë e lumtur për këtë bashkëpunim me Alban Zogjanin, i cili nuk e ka pasur aspak të lehtë realizimin e filmit. Është bërë një punë shumë e mirë pavarësisht mundësive të vogla financiare”, ka thënë skenaristja Muja.
Kurse, aktorja Shëngyl Ismajli në një prononcim për KultPlus ka thënë së ndihet mirënjohëse për punën e realizuar me regjisorin dhe gjithë kastën e aktorëve.
“Kjo ka qenë hera e parë që kam punuar me Alban Zogjanin në film. Mund të them që ka qenë një eksperiencë që shpresoj që ka me u përsërit prapë. Albani është fantastik si regjisor, por pikë së pari edhe si njeri. Bashkëpunimi me aktorët si, Kastrioti, Jehoni, Flaka Rina e të tjerët ka qenë fantastik. Kemi pasur një kimi shumë të përbashkët që unë mendoj që ajo ka rezultuar në produktin final që ju sapo e patë.
Për aktoren Ismajli trajtimi i kësaj teme të dhimbshme i “martesës për letra”, një e vërtetë e shqitarëve të viteve 90-ta ka qenë temë bosht që ka ngërthyer atë si aktore në rolin e Selvijes.
“Në këtë rast ky film tregon që edhe gratë kenë ndjenja, që edhe gratë e dijnë se çka është e bukura, kur dikush sillet bukur, të sjellë lule, dhe jo gjithmonë jo ti je ajo që e përgatit kafen për burrin. Ky film tregon që ekziston edhe e kundërta. Sigurisht, Selvija përfundon me Giovanin jo për pasurinë e tij por për mirësjelljen dhe ngrohtësinë që e ofron”, ka pëfunduar Ismajli.
PriFest do të vazhdojë të mbahet deri më 15 shtator, në Kino Armata, në Prishtinë./ KultPlus.com
Një mot me shi që s’kishte të ndalur, nuk ishte aspak pengesë për organizatorët e Prishtina International Film Festival- “PriFest”, për të mbledhur në konak edhe kësaj radhe artistët e teatrit dhe kinematografisë, për të çelë siparin e edicionit të 16-të me radhë, i cili këtë herë po mbahet në ambientet e Kino Armatës, shkruan KultPlus.
Premiera botërore e filmit “Lejlek” ishte ngjarja e parë që e shënoi hapjen e këtij festivali, i cili do të zgjasë për gjashtë ditë. Me regji të Isa Qosjes, kjo premierë botërore kishte zgjuar interesimin e mysafirëve të shumtë cilët u gjendën pranë kinemasë në dy orare, në atë të orës 19:30 dhe 21:30.
“Lejlek” është një film i cili paraqet jetën, mendësinë, kulturën dhe traditat e një fshati të thellë të Malit të Zi, banorët e së cilit fshat kanë emigruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Filmi në përgjithësi paraqet jetën sfiduese për tre gra të cilat jetojnë në këtë zonë.
“Suta”, të cilin rol në mënyrë brilante e solli aktorja e njohur Arta Dobroshi, është një grua së cilës i vdes burri, ku përveç mërzisë për bashkëshortin asaj i duhet t’i rezistoj edhe presionit të vjehrrës së saj për tu martuar me binjakun autik të burrit tashmë të ndjerë. Si një grua e bukur në ato anë, asaj i duhej të shtypte energjinë e saj feminine, dhe nga fundet e fustanet të kalonte komplet në një energji mashkullore për t’iu shpëtuar ngacmimeve që mund t’i vinin në burrat e tjerë të fshatit, si dhe kunati i saj autik.
Shtrirja e saj mbi çati të shtëpisë, shënonte një moment të prehjes së shpirtit të saj, pasi vetëm atëherë ishte më pranë qiellit, e lirë, në botën e saj dhe larg mendësisë së rrethit ngulfatës në të cilin jetonte, duke i ikur edhe barrës kryesore që ajo tashmë e kishte mbi supe, praninë e kunatit të saj autik, të cilin rol në mënyrë mjeshtërore e kishte sjellë Donat Qosja. Roli i këtij personazhi “me nevoja të veçanta”, brenda vetes plot kreativitet, shpërfaqte mospërputhjen realitetit të tij me rregullat e shoqërisë dhe mjedisit në të cilin që jetonte.
Kurse Vezirja dhe Dranja janë gratë e një burri, i cili me gruan e dytë katolike ishte martuar duke e blerë nga babai i saj, pasi me gruan e parë nuk pati mundësi të kishte fëmijë. Jasemi (Shkumbin Istrefi) ishte një burrë i cili e kishte primatin e njeriut kryesor në familje. Kurse elementet si vetmija dhe ndrojtja e gruas së parë, pastaj xhelozia, inatet dhe lojërat ndaj njëra tjetrës për të “poseduar” burrin secila për vete, si dhe detyrimi për të bashkëjetuar, pasi burri i tyre vendosi të largohej, u sollën po ashtu jashtëzakonisht bukur nga aktoret Flonja Kodheli dhe Doresa Rexha.
Bjeshka, si sinonim i jetës së thellë, tërhiqte një paralele mes bashkëjetesës së fesë islame dhe katolike, tragjedisë dhe komedisa, një jete të prapambetur dhe të evoluar, ku teknologjia dhe lejleku ishin sinonim në kontrast i bartjes së informacioneve në dy realitete të ndryshme të botës. Paraqitja e një lejleku në atë zonë paralajmëronte ngjarje të papritura, kryesisht negative. Përderisa shtrirja e internetit prej shteteve perëndimore të zhvilluara, paraqiste një formë të sofistikuar të bartjes së informacionit nga një kontitnent tjetër, si ai në rastin e dy prindërve të moshuar të cilët pas shumë vitesh mund të komunikonin me djalin e tyre në Amerikë, përmes “Skype”.
Kumrije Hoxha dhe aktori tashmë i ndjerë Mirush Kabashi, vetëm përmes “Skype”-it mund ta shihnin imazhin e djalit të tyre, i cili për shumë vite jetonte në Amerikë. Brenga kryesore e tyre ishte kthmi i djalit të tyre (që i përkiste komunitetit LGBTI), për ta martuar me një vajzë të fshatit. Përmes ekranit ata kishin parë ndryshimin e djalit të tyre mirëpo, në mungesë informacioni për ndryshimet globale, prindërit nuk ishin të vetëdijshëm saktësisht për zgjedhjen që djali i tyre kishte bërë në jetë.
Publiku e shijoi filmin dhe performancën e mrekullueshme të të gjithë aktorëve për 97 minuta. Aktorët që morën pjesë në filim ishin: Arta Dobroshi, Donat Qosja, Shkumbin Istrefi, Arben Bajraktaraj, Flonja Kodheli, Doresa Rexha, Mirush Kabashi, Kumrije Hoxha, Zyliha Miloti, Luan Jaha, Selman Jusufi, Safete Rogova, Gentian Anastasi dhe Besa Tusha.
Filmi “Lejlek” është bashkëprodhim i Malit të Zi dhe Kosovës, i cili është përkrahur nga Qendra Kinematografike e Kosovës.
Në këtë ceremoni nuk kishte se si të mungonte edhe përkujtimi për regjisoren e ndjerë Vjosa Berisha, e cila për vite me radhe kishte qenë organizatore e festivalit dhe në përgjithësi një promotore e zhvillimit të filmit në vend.
Për të nderuar veprën e saj para se të fillonte premiera, u interpretua një këngë për të dhe Xhevdet Bajrën nga Shpëtim Sinani dhe Alban Nimani. Organizatorët e Festivalit u shprehën krenarë në nisje të “Prifest”, pasi sipas tyre Prishtina për një javë do të shëndrrohet në qytet të filmit, ku pjesëmarrës do të jenë edhe kineastë rajonal dhe evropian.
Drejtori i Festivalit “PriFest”, Fatos Berisha, në fjalimin e shkurtër të ceremonisë hapëse iu uroi mirëseardhje të gjithë të pranishmëve, duke i ftuar të shijojnë filmin premierë botërore i cili do të gjendej vetëm pas pak në ekranin gjigand të kinemasë.
Kurse Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalimin e tij e përkujtoi regjisoren Vjosa Berisha, duke thënë që falë angazhimit të saj “Prifest” është një ndër organizimet filmike më të rëndësishme të Kosovës.
“Është një nder i madh të jem sonte këtu me ju, për të festuar këtë ngjarje të jashtëzakonshme, kulturore. “PriFest” është bërë një ndër zhvillimet më të rëndësishme Kosovën e pasluftës. Ky sukses është fryt i përkushtimit dhe vizionit të atyre që organizojnë dhe të gjithë neve që marrim pjesë. Padyshim që kontributi në angazhimin dhe përkushtimin e artistes Vjosa Berisha duhet ta kujtomë e përkujtojmë sa herë që mblidhemi për Prifest. Mungesa e sj vazhdon dhe rritet porsi “Prifest”-i.
Kryeministri Kurti me tej potencoi se Filmi është shpallur interes shtetëror dhe si i tillë do të ketë investime dhe rregullime të infrastrukturës së këtij sektori të rëndësishëm të artit.
“Sivjet nga Qendra Kinematografike e Kosovës janë përkrahur plotë 35 projekte filmike me shumë prej 1. 4 milionë euro. Është duke u punuar për përmirësimin infrastrukturor të kinemave publike, në fillim në kinemanë “Jusuf Gërvalla” në Pejë, “Lumbardhi” në Prizren si dhe “Kino Armata” në Prishtinë. Gjithashtu janë mbështetur shtatë filmbërës të rinjë për të vazhduar studimet e tyre në shtetin e Pragës”, ka thënë Kryeministri.
Ndërsa, drejtoresha e Qendrës Kinematografike të Kosovës, Blerta Zeqiri, u shpreh e lumtur që edhe këtë vit vazhdojnë të jenë partnerë të “Prifest”, duke i ofruar festivalit mbështetje siç tha ajo me aq kapacitet sa ka QKK.
“Faleminderit shumë Fatos! Ne jemi vërtetë shumë, shumë të kënaqur që këtë vit do të kemi gjashtë filma që do të shfaqen në Prishtina International Film Festival- “PriFest”. Janë gjashtë filma që janë mbështetur nga Qendra Kinemtografike e Kosovës. Ne jemi të lumtur dhe krenarë që industria filmike është duke u rritur”, ka thënë drejtoresha Zeqiri duke potencuar se këtë vit do të organizohet edhe një platformë me Workshop-e për aktorët si bashkëpunim me Filmmakers Europe, “PriFest” dhe Universitetin të Prishtinës.
PriFest do të vazhdojë të mbahet deri më 15 shtator, në Kino Armata, në Prishtinë./ KultPlus.com
Natën e parafundit të festivalit, mbrëmjen e së shtunës, me filmin “M” përmbyllet gara e kategorisë së filmave të metrazhit të gjatë nga Ballkani.
Filmi trajton temën e rritjes dhe kërkimit të së vërtetës në një botë të mbuluar nga misteret dhe rreziqet. Në një pyll të vetmuar, Marko i ri jeton nën vëzhgimin e kujdesshëm të babait të tij mbrojtës dhe misterioz. Ekzistenca e tyre e mbrojtur është gjithçka që ai njeh. Marko gjen ngushëllim në librin e tij të dashur me figura, duke gjetur qetësi dhe përgjigje brenda faqeve të tij. Një ditë, një takim me një djalë të pafajshëm dhe zemërmirë të quajtur Miko sjell një dritë ngrohtësie dhe lidhjeje në botën e izoluar të Markos. Ndërsa kurioziteti i tij rritet, Marko dëshiron të zbulojë sekretet që ndodhen përtej kufijve të pyllit. Një kthesë mizore e ngjarjeve i jep atij dëshirën më shpejt se sa e priste. Një udhëtim i errët e pret, i mbushur me rreziqe të panjohura dhe një vështrim në një botë të ndryshuar përgjithmonë.
Skenari është shkruar nga Vardan TOZIJA dhe Darijan PEJOVSKI nën regjinë e Vardan TOZIJA.
Producentë të filmit janë: Darko POPOV, Vardan TOZIJA, Patrice NEZAN, Laurent VERSINI, Anita JUKA, Valon BAJGORA, Gazmend NELA, Adolf EL ASSAL.
Filmi “M” është bashkëprodhim i Maqedonisë, Kroacisë, Kosovës, Francës dhe Luksemburgut.
Aktorët janë: Matej SIVAKOV, Saško KOCEV, Aleksandar NIČOVSKI, Kamka TOCINOVSKI, Bojana GREGORIĆ VEJZOVIĆ dhe Verica NEDESKA.
Filmi do të shfaqet më 14 shtator nga ora 19:30 në Kino Armata./ KultPlus.com
Në garën kryesore të filmave të metrazhit të gjatë ballkanik, filmi ‘Excursion’ nga Bosnja e Hercegovina vjen në ditën e parafundit si premierë kosovare në PriFest.
Filmi trajton presionin social, dëshirën për pranim dhe pasojat e gënjeshtrave në një mjedis adoleshentësh. Në Sarajevë, një adoleshente që kërkon vëmendje pretendon se ka kryer marrëdhënie për herë të parë gjatë një loje “e vërtetë apo guxim” mes nxënësve të shkollës së mesme. E ngatërruar në gënjeshtrën e saj, shpik një shtatzëni dhe bëhet qendra e një skandali që del jashtë kontrollit.
Una Gunjak është regjisore dhe skenariste e filmit, ndërsa producentë janë: Amra Bakšić Čamo dhe Adis Đapo.
Asja Zara Lagumdžija, Nađa Spaho, Maja Izetbegović, Mediha Musliović dhe Izudin Bajrović janë aktorët kryesorë.
Filmi shfaqet të shtunën me 14 shtator nga ora 15:00 në Kino Armata.
Biletat mund të blihen online ne Rave Travel dhe te Kino Armata nga data 10 shtator. Çmimi 3 euro.
Edicioni 16-të mbahet prej 10-15 shtator 2024./ KultPlus.com
Festivali jubilar XXX i Filmit në Sarajevë (SFF), i cili do të zgjasë deri më 23 gusht, u hap në Teatrin Kombëtar me premierën botërore të filmit artistik “Pas verës”, të regjisorit boshnjak fitues të çmimit Oscar, Danis Tanoviç.
Filmi i ri i regjisorit Tanoviç u shfaq njëkohësisht në Sarajevë në Teatrin Kombëtar, Kinemanë Verore Coca-Cola, Kinemanë Verore “Stari Grad” dhe Kinemanë Verore të Qendrës “Safet Zajko”, ndërsa shfaqje u mbajtën gjithashtu në Mostar dhe Tuzla.
Figura të shumta të njohura të jetës publike, politike dhe kulturore të Bosnje-Hercegovinës kanë kaluar në tapetin e kuq të SFF-së para Teatrit Kombëtar, mes të cilëve edhe ekipi i filmit “Pas verës”.
“Pas verës” është një dramë komedi për një grua të re që vjen në një ishull të largët për të zgjidhur çështjen e trashëgimisë familjare. Në një vorbull emocionesh të reja, përmes një sërë situatash të paparashikuara, Maja më në fund do të përballet me pyetje nga e kaluara e saj. Kërkimi i trashëgimisë bëhet kërkim i identitetit të vet, por edhe i faljes.
Rolet në film u luajtën nga Anja Matkoviç, Uliks Fehmiu, Goran Navojec, Mario Knezoviç, Marija Shkariçiç, Mirela Brekalo, Snjezhana Sinovçiç, Luka Juriçiç, Boris Ler, Ivana Roshçiç, Jadranka Matkoviç e tjerë.
Nikoqire e ceremonisë së hapjes në Teatrin Kombëtar të Sarajevës ishte aktorja boshnjake Maja Izetbegoviç.
Në kuadër të ceremonisë, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në artin kinematografik, regjisorit palestinez Elia Suleiman iu dha çmimi “Zemra e Nderit” e Sarajevës, të cilën ia dhuroi drejtori i SFF-së, Jovan Marjanoviç.
Përveç Suleimanit, disa nga fituesit e këtij viti të “Zemrës së Nderit” të Sarajevës janë aktorja Meg Ryan, aktori dhe regjisori John Turturro dhe regjisori, skenaristi dhe producenti Alexander Payne.
Një ditë para hapjes zyrtare të Festivalit XXX të Filmit në Sarajevë, në Kinema Verore Coca-Cola u shfaq filmi “Kuduz” në nder të të ndjerit Abdulah Sidran (1944-2024), në bashkëpunim me Qendrën e Filmit të Sarajevës dhe Shoqatën e Punëtorëve të Filmit të BH-së.
Më shumë se 250 filma nga e gjithë bota do të shfaqen në festivalin e këtij viti./atsh/ KultPlus.com
Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit njoftoi së së shpejti do të mund të shohim në cilësi maksimale të videos e audios, filmin “Kapedani” i cili është duke u restauruar.
“Teknologjia digjitale na siguron tani cilësi maksimale të figurës e na tregon detaje të trukut të aktorëve që ne si spektatorë nuk duhej t’i shihnim”, shkroi AQSHF në rrjetet sociale.
Filmi “Kapedani” është realizuar në vitin 1972 me regji të Muharrem Fejzos dhe Fehmi Hoshafit, me skenarin e shkruar nga Skënder Plasari dhe muzikën e Tahsim Hoshafit.
Në ato vite, ndodhte që kinostudioja caktonte dy regjisorë, kryesisht kur bëhej fjalë për realizimin e filmave të parë. Tek “Kapedani” interpretojnë aktorë të njohur si Albert Vërria me rolin e xha Sulos, Nikolin Xhoja me rolin e xha Beqos, Flora Mërtiri (kryetarja), Robert Ndrenika (djali i xha Sulos), Lazer Filipi (shoku Ropi) etj.
Një pjesë e madhe e filmave të prodhuar nga Kinostudio “Shqipëria e re”, janë dixhitalzuar e restauruar. Disa prej tyre, së fundmi janë shfaqur në ekranin e Kinemasë Verore të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave (DPA) në kuadrin e Vitit Mbarëkombëtar të 80-vjetorit të Çlirimit. Me rastin e këtij përvjetori jubilar, inkurajohen të rinjtë të njohin të kaluarën historike të Shqipërisë./atsh/ KultPlus.com
Kinema “Millennium” shfaqi mbrëmjen e djeshme premierë e filmit të restauruar “Gunat përmbi tela”.
Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit në bashkëpunim me Fondazione Gramsci di Puglia kanë restauruar filmin “Gunat përmbi tela” të regjisorit Muharrim Fejzo, prodhim i vitit 1977.
Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale një video nga filmi “Gunat përmbi tela”, i cili i është nënshtruar restaurimit digjital.
“Me një tjetër film të kinematografisë shqiptare që i është nënshtruar restaurimit digjital, “Gunat përmbi tela” i regjisorit Muharrem Fejzo, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama, ndërsa publikon dhe linkun e filmit në Youtube.
Restaurimi digjital i këtij filmi dhe aktiviteti i premierës u financuan nga Fondazione Gramsci di Puglia dhe Regione Puglia në kuadër të projektit “Pulja në njëqindvjetorin e ardhjes së fashizmit”.
Filmi “Gunat përmbi tela” u restaurua nga elementet origjinalë negativë 35 mm të AQSHF-së, në laboratorin Dabimus srl të Universitetit të Barit “Aldo Moro”, Itali. Filmi mban emrat e një sërë artistësh nga më të njohurit e kinematografisë shqiptare si: Ilia Terpini në kamera, muzika nga Kujtim Laro, skenari nga Duro Mustafaj, piktor Azis Karalliu, kostumografia nga Alush Shima etj.
Drejtoria e Kulturës në Komunën e Prishtinës ka përkujtuar profesorin e letërsisë shqipe dhe poetin “Basri Çapriqi” përmes shfaqjes së filmit dokumentar “Në teh të erës”, në Ditën Botërore të Librit.
Nga Komuna e Prishtinës janë shprehur se jo rastësisht është përzgjedhur poeti Basri Ҁapriqi për ta shënuar 23 prillin – Ditën Ndërkombëtare të Librit, pasi sipas tyre Çapriqi na la një trashëgimi të pasur letrare.
“E kujtuam profesorin e letërsisë shqipe, studiuesin, publicistin dhe njeriun shembullor që na la trashëgimi të pasur letrare.
Çapriqi i këndoi lirisë së Kosovës, ai ishte rreshtuar në rezistencën rugoviane kundër së keqes. I këndoi njeriut tradicional që po hynte në modernitet pikërisht përmes vetënjohjes në jodhunë dhe luftës për liri”, thuhet në njoftim.
Shfaqjen e këtij filmi dokumentar e ka mundësuar Ambasada e Malit të Zi, Drejtoria e Kulturës së Komunës së Prishtinës dhe Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”. /KultPlus.com
Regjisorja e cila ka punuar në projekte të tilla si “Hearts of Darkness” në vitin 1991, “Paris Can Ëait” e vitit 2016 dhe “Love is Love” e vitit 2022, ishte 87-vjeçare.
Ajo vdiq të premten, transmeton Klankosova.tv.
Familja Coppola e konfirmoi lajmin në një deklaratë për Associated Press.
Sipas gazetës, Eleanor ndërroi jetë ndërsa ishte e rrethuar nga familja në shtëpinë e saj në Rutherford, Kaliforni. Shkaku i vdekjes nuk është bërë publik.
Festivali i Filmit në Kanë ka zbuluar listën e tij të shumëpritur të vitit 2024, pas suksesit të jashtëzakonshëm të edicionit të vitit 2023, i cili shfaqi vepra të vlerësuara nga Jonathan Glazer, Martin Scorsese, Justine Triet, Todd Haynes, Aki Kaurismaki dhe Wim Wenders.
Edicioni i këtij viti duket po aq emocionues, raporton euronews.
Pikat kryesore midis përzgjedhjeve përfshijnë ofertën më të fundit të regjisorit “American Honey” dhe “Fish Tank”, Andrea Arnold, “Bird”, “The Apprentice” të Ali Abbasit, “Anora” të Sean Baker dhe “Kinds of Kindness” të Emma Stone të Yorgos Lanthimos.
Zgjedhja zyrtare e Filmit të Kanës 2024:
Nata e hapjes
“The Second Act” (regjia Quentin Dupieux; Jashtë konkurrencës)
Jashtë konkurrencës
“Furiosa” (regjisor George Miller)
“Horizont: An America Saga” (regji. Kevin Costner)
“She’s Got No Name” (regji. Peter Ho-sun Chan)
“Rumours” (regji. Guy Maddin, Evan Johnson, Galen Johnson)
Në konkurrencë
“Megalopolis” (regji. Francis Ford Coppola)
“The Apprentice” (regji. Ali Abbasi)
“Motel Destino” (regji. Karim Aïnouz)
“Zog” (regji. Andrea Arnold)
“Emilia Perez” (regji. Jacques Audiard)
“Anora” (regji. Sean Baker)
“The Shrouds” (regji. David Cronenberg)
“The Substance” (regjia Coralie Fargeat)
“Grand Tour” (regji. Miguel Gomes)
“Marcello Mio” (regji. Christophe Honoré)
“Caught by the Tides” (regji. Jia Zhangke)
“All We Imagine as Light” (regji. Payal Kapadia)
“Kinds of Kindness” (regji. Yorgos Lanthimos)
“Beating Hearts” (regjisor Gilles Lellouche)
“Wild Diamond” (regji. Agathe Riedinger)
“Oh, Canada” (regjisor Paul Schrader)
“Limonov” (regji. Kirill Serebrennikov)
“Parthenope” (regji. Paolo Sorrentino)
“The Girl with the Needle” (regji. Magnus von Horn)
Pa dyshim që marrin pjesë
“The Shameless” (regji. Konstantin Bojanov)
“Norah” (regji. Tawfik Alzaidi)
“Le Royaume” (regji. Julien Colonna)
“Vingt Dieux” (regji. Louise Courvoisier)
“Le Proces du Chien” (regji. Laetitia Dosch)
“The Village Next to Paradise” (regji. Mo Harawe)
“Black Dog” (regji. Guan Hu)
“September Says” (regji. Ariane Labed)
“The Damned” (regji. Roberto Minervini)
“L’Histoire de Souleymane” (regji. Boris Lojkine)
“On Becoming a Guinea Fowl” (regji. Rungano Nyoni)
“My Sunshine” (regji. Hiroshi Okuyama)
“Viet and Nam” (regji. Minh Quý Trương)
“Santosh” (regji. Sandhya Suri)
Shfaqje të veçanta
“La Belle de Gaza” (regji. Yolande Zauberman)
“Apprendre” (regji. Claire Simon)
“The Invasion” (regji. Sergei Loznitsa)
“Ernest Cole, Lost and Found” (regji. Raoul Peck)
“Le Fil” (regji. Daniel Auteuil)
Premiera e Kanës
“Miséricorde” (regji. Alain Guiraudie)
“C’est Pas Moi” (regji. Leos Carax)
“Everybody Loves Touda” (regji. Nabil Ayouch)
“The Marching Band” (regji. Emmanuel Courcol)
“Rendez-Vous Avec Pol Pot” (regji. Rithy Panh)
“Le Roman de Jim” (regji. Arnaud Larrieu, Jean-Marie Larrieu)
Është hapur audicion për filmin e metrazhit të gjatë artistik nga regjisorja e filmit “Zgjoi”, Blerta Basholli dhe produksioni Ikonë Studio.
Vendosur në periudhën e luftës së Kosovës filmi rrëfen për Duan, një adoleshente, e cila nis një udhëtim për të zbuluar miqësinë, dashurinë dhe në fund të fundit veten e saj. Si një vajzë 14 vjeçare dhe duke qenë një nga vajzat e përjashtuara nga shoqëria. Dua është mjaft e turpshme dhe mundohet të përkufizohet në shoqëri, duke filluar nga stili e deri te gjërat dhe djemt që i pëlqejnë.
Kushtet për aplikim:
Vajza dhe djem nga mosha 13 deri në 20 vjeç
Talent për aktrim
3 foto aktuale (pa grim, me dritë natyrale)
Video prezantuese rreth vetes (pa grim, me dritë natyrale)
Filmi “THIRRJA” (THE CALL) i regjisorit Mirak Zymberaj dhe skenar të Mentor Zymberaj është selektuar në njërin nga festivalet më të rëndësishme botërore, në IN THE PALACE International Short Film Festival, festival ky që është i kualifikuar për Nominimet për OSCAR.
Lajmi është bërë i ditur nga producenti i filmit Mentor Zymberaj.
“Filmi ynë i ri, THIRRJA (THE CALL), selektohet në ndër Festivalet më të rëndësishme Botërore, në Festivalin – IN THE PALACE International Short Film Festival, i cili Festival është i kualifikuar për Nominimet për OSCAR – OSCARS ACADEMY AWARD QUALIFYING!
Falënderojmë : Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit & Drejtorinë e Kulturës së Komunës së Prishtinës.
Urime ekipit realizues të Filmit!”, thuhet në shkrimin e Zymberajt./KultPlus.com
Të dashur prindër dhe fëmijë, neser më 10 Mars nga ora 14:00 organizojmë eventin Family Day, me super-filmin ” Kung Fu Panda 4 ” , ku do të ketë shumë aktivitete sikurse:
-Maskota për fëmijë të këndojm dhe vallëzojm së bashku -Facepainting 🎨 -Instalacion panda 2.5m 🐼
Gjithashtu do të ketë edhe shumë shpërblime si:
🎁 5x hyrje falas për familje nga BEAR SANCTUARY Prishtina 🎁 5x voucher në vlerë 20€ nga The Entertainer Kosovo 🎁 3x pako me dhurata nga GiFi Kosovo 🎁 7x hyrje falas nga Kids Galaxy
Gjithashtu,
Mos harroni të anëtarësoheni në: Klubin Familjar të Filmit dhe të përfitoni : Anëtarësim FALAS Kartën e klubit FALAS Çmimi i biletës për 3-4 anëtarë të familjes duke filluar nga 2.80 Eur*
”Tana” është filmi i parë artistik shqiptar, i cili u prodhua nga Shqipëria Film në vitin 1958, nën regjinë e Fatmir Gjafës dhe skenarin e Kristaq Dhamos, shkruan KultPlus.
Në film kryesisht trajtohet një nga problemet më të mëdha të shoqërisë shqiptare të asaj kohe, siç ishin ndryshimet e mëdha që hasnin shoqëria shqiptare në fshat. Filmi brenda vetes trajton të gjitha temat thelbësore të jetës, si dashurinë, urrejtjen, zemërimin, ligësinë etj. Në qendër të filmit është Tana, një vajzë e zgjuar dhe me intelekt më të zhvilluar se sa vajzat e asaj kohe. Tana është e dashuruar në Stefanin, i cili banon në një fshat të varfër, si barrierë e dashurisë së Tanës do të bëhet mentaliteti i ulët i gjyshit të saj si dhe xhelozia e Lefterit.
Në këtë film, poashtu është realizuar puthja e parë në filmat shqiptarë.
Në film luajnë aktorët: Tinka Kurti, Naim Frashëri, Pjetër Gjoka, Kadri Roshi, Andon Pano, Thimi Filipi, Marie Logoreci, Ilia Shyti, Violeta Manushi, Nikolla Panajoti, Melpomeni Çobani, Mihal Stefa, Lazër Filipi, Vani Trako, Pandi Raidhi, Lazër Vlashi, Vangjel Grabocka, Esma Agolli, Dhimitër Trajçe.
Ky film i realizuar në vitin 1958, muzikën e të cilit e ka bërë Çesk Zadeja, mbetet një prej filmave që ka lënë gjurmë të mëdha në historinë e kinematografisë shqiptare./ KultPlus.com
Ardianë Pajaziti Fotografia në ballinë: Fahredin Spahija
86 vjet jetë po shpaloseshin fletë fletë në një nga hotelet e Prishtinës, rrëfim që po e shoqëronim me çaj gjingjer dhe shumë cigare. Takimin me të e kisha rezervuar shumë më herët dhe orët e vona të darkës tashmë i kishte ndarë për mua dhe po shprushnim të dyja në jetën e saj, unë me pyetje e ajo me përgjigje.Mbamendjen e ka shumë të freskët, sikurse edhe dukjen edhe përkundër moshës së madhe. Me kërkim falje se nuk e mësoi asnjëherë gjuhën shqipe, aktorja serbe Branka Petric, gruaja që kishte ndarë pjesën më të madhe të jetës me Bekim Fehmiun, burrin më të famshëm të Ballkanit dhe më gjerë, prekte herë pas here aksesorët e saj, gati gati si të ishin susta të kujtesës për të sjell jetën e saj nëpër etapa të ndryshme.
Gruaja flokëverdhë po mblidhte copëzat e jetës së saj prej vendit të saj të lindjes në Kroaci e deri në momentet kur po flisnim, jetë që ngërthente kushte jo të mira, sakrificë, kurajë, dashuri, sukses, humbje, dhimbje, shumë dhimbje e deri te kujtimet, kujtime që vazhdojnë ta shoqërojnë në çdo moment të jetës së saj.
Fëmijërinë e saj e kujton me karnavalin që mbahej atë kohë në Novi Vinodolski të Kroacisë, karneval që mbahej çdo vit në muajin shkurt. Maskat e atij karnevali, veshjet, lulet e shumta sikurse e kishin magjepsur imagjinatën e Brankës, të cilës i kishte pëlqyer aq shumë ajo paraqitje e karnavaleve, ndryshe prej motrës së saj, që sipas Brankës, asaj nuk i linin fare përshtypje.
“Mua më pëlqente të maskohesha, të vishja gjëra të ndryshme, të vendosja aksesorë” nis rrëfimin Branka për ngjizjen e botës së artit në shpirtin e një katër vjeçe të asaj kohe, po nga karnevalet e vendit të lindjes së saj që ishte buzë një lumi.
Se arti e tërhiqte pa masë, ajo kujton se si fëmijë, ajo shumë shpesh i kishte vesh rrobet e nënës së saj, taket e larta dhe shumë improvizime të tjera që pavetëdijshëm e dërgonin drejt skenës, pasion që do ta përcillte gjithë jetën e saj, deri në ditët e sotme, ku edhe sot, herë pas herë paraqitet në shfaqje të ndryshme teatrale në Beograd.
Dhe përfundimin e Luftës së Dytë Botërore ajo e kujton edhe me kontaktin e parë me teatrin, natyrisht jo në skenë, po në audiencë. Një trupë e Teatrit të Zagrebit kishte shkuar në Rjekë për të vënë në skenë shfaqjen e baletit “Sheharazade” sikurse edhe shfaqjen operistike “Madama Batterfly”, shfaqje këto që e kishin bërë të qaj pa reshtur.
Kur ishte në klasë të katërt e mësoi poezinë “Dvije Daske” (Dy dërrasa), me të njëjtën u pranua në Akademinë e Arteve në Beograd
Branka Petric e cila përgjatë karrierës së saj ka luajtur më dhjetëra role ne film, teatër e televizion, për herë të parë nisi rrugëtimin në këtë fushë kur ishte vetëm në klasë të katërt të shkollës fillore. Në shkollat e atëhershme në Serbi, sipas Brankës funksiononin seksionet e dramës, dhe në shkollën ku ishte ajo, ishte caktuar drejtuese e seksionit të dramës, aktorja e njohur serbe Marija Crnobori.
“Ajo ishte e re në moshë atëherë, dhe mbaj në mend që na pat dhënë që ta mësonim përmendësh poezinë “Dvije Daske” (Dy dërrasa), e cila ishte poezi e një poeti të njohur nga Istria. Unë e mësova përmendësh dhe më pati pëlqyer së tepërmi kjo poezi”, tregon Branka për njohjen e saj me botën e artit, edhe përkundër faktit se ishte vetëm në klasën e katërt, dhe pa e ditë saktë se cili do të ishte profesioni i së ardhmes.
Dhe kur ishte vetëm 11 vjet, familja e Branka Petric zhvendoset në afërsi të Beogradit, në një fshat pa ujë e pa banjo, dhe që për të vajtur në shkollë i duhej të ecte këmbë nga pesë kilometra veç në një drejtim. Vonesat e shpeshta në shkollë, për shkak të kilometrave të shumtë, Brankës ia kishin vën në pah edhe sajesat e ndryshme për mësuesit, duke sajuar lloj-lloj histori për të arsyetuar vonesat e saj. “Mbaj në mend që mësuesi i rusishtes më pat thënë se do të bëhem aktore”, tregon Branka duke qeshur, duke kujtuar copëzat e vogla që në tërësi ndërtuan dëshirën për të qenë pjesë e botës artistike.
Por askush nuk e kishte menduar se Branka Petric po me poezinë “Dvije Daske” (Dy dërrasat) që e kishte mësuar qysh e vogël, do të synonte edhe Akademinë e Arteve, poezi me të cilën hyri në provim pranues për të sfiduar 420 aplikantë që pritnin dritën jeshile për tu futur në akademi.
“Përpos që hyra në provim pranues, në të njëjtën kohë për herë të parë hyra në Teatrin e Beogradit, sepse deri më atëherë nuk më kishte rastisë të hyja në atë objekt. “Dvije daske” që e kisha mësuar nga Marija Crnobori me dialekt të Istrias, erdhi ndoshta bukur për faktin se profesori që na dëgjonte, vinte poashtu nga Kroacia. Sikur mos të ishte ai profesor atë ditë, ndoshta edhe nuk e kisha kaluar provimin. Por ai e kuptoi thellë interpretimin tim” tregon Branka, e cila doli triumfuese në këtë sfidë bashkë me shtatëmbëdhjetë studentë tjerë.
“Shumë më vonë, në një intervistë, një gazetar më pat thënë se dy dërrasat poetike (Dvije daske) paskan qenë dërrasat jetike për ty, sepse, koincidon edhe me dërrasat skenike” kujton Branka e cila në vitin 1955 edhe e fillon vitin e parë të studimeve në Akademi.
“Bekim Fehmiu ishte i rëndë, unë e ngacmoja atë, e gjuaja shpesh me letra, deri sa u bëmë miq”
Dhe vitin e parë të studimeve e filloi bashkë edhe me tetë vajza të tjera, e që sipas Brankës, në kohën e atëhershme kishte shumë më shumë liri sesa në ditët e sotme, dhe asnjë paragjykim i vetëm që si vajzë po studionte aktrimin.
“Sot ndoshta gratë janë më shumë zonja të vetes, por thellësisht brezi im ishim shumë më të lirë. Prandaj të gjithë patën reaguar shumë mirë në lidhje me studimet e mia në Akademinë e Arteve, edhe fqinjet mia, që më thoshin sa mirë që do të bëhesha aktore, edhe pse nuk e dinin saktë se çfarë ishte një aktore”, kujton atë periudhë, që sipas saj ishte një mbështetje e madhe sa i përket ndërtimit të ëndrrave.
Karnevalet që e ngacmuan qysh katër vjeçe në Kroaci për Branka Petric ishin një paralajmërim se ajo ka një shpirt artisti, po nuk e kishte besuar se po ato ëndrra do ti sjellin edhe një fat tjetër. Takimin me burrin më të adhuruar të ish Jugosllavisë, aktorin që preki edhe shkëlqimin e Hollywood e të shumë festivaleve prestigjioze.
Branka tashmë kishte përfunduar vitin e parë të studimeve dhe po vinin të rinjtë që ishin pranuar tashmë në Akademi. Branka kujton edhe pëshpërimën e studentëve të cilët po tregonin se kishte ardhë një djalë i pashëm nga Prishtina.
“Si tip ishte i rëndë, ai nuk u vardisej vajzave, dhe as më hidhte asnjë shikim”, tregon Branka e cila tregon që Bekim Fehmiu me moshë ishte një vit më i madh se Branka, por në studime kishte ardhë me pak vonesë.
“Unë e ngacmoja atë, e gjuaja shpesh me letra, deri sa u bëmë miq”, tregon Branka, e cila mënyrën se si ishte ofruar edhe më shumë me Bekim Fehmiun ishte gjuha serbe, pasi që, sipas saj, që të studioje atëherë në aktrim, duhej të dije gjuhën serbe mirë, dhe në këtë drejtim ajo e kishte ndihmuar shumë.
86 vjeçja edhe sot kur flet për shkëndinë e parë me Bekim Fehmiun, duket sikurse është një moment që e rinon. “Ishte një vështrim, vështrim shumë tërheqës”, kujton Branka atë shikim, që sipas saj ishte tërheqja që i dha tjetër dimension jetës së Brankës dhe Bekimit.
“Isha pranë diplomimit, kur Bojan Stupica na angazhoi mua dhe Bekimin në një shfaqje. Unë luaja rolin e bashkëshortes së tij. Shkëndija e dashurisë me Bekimin ishte një vështrim tërheqës, ishte viti 1959. Kishim një skenë ku ai ishte duke u rruar, kurse unë krihesha, dhe përderisa rruhej, më drejtohet duke më thirrë në emër të personazhit “Rozë, moj Rozë”, kujton Branka, e cila kujton se mundësi për tu ofruar me njëri tjetrin më shumë i dhanë provat në orët e vona, dhe kthimin për në shtëpi e bënin gjithmonë me regjisorin Stupica në një makinë.
“Këtu ndoshta patëm filluar të lidheshim, gjersa diku para Vitit të Ri më pati pyetur se nëse pranoja që të bëhesha e dashura e tij”, kujton Branka, e cila lidhjen e saj me Bekimin e kishte shtyrë edhe për dy vite më tutje, për të vazhduar me turne të madh me teatër, duke përfshirë shumë vende të ish Jugosllavisë, e mes tyre edhe Prishtinën. Distanca pastaj e krijuar mes tyre, me kryerjen e shërbimit ushtarak të Bekim Fehmiut në Shibenik, për Brankën ishte distancë që e zëvendësuan me letra, edhe pse, sipas saj ende vazhdonin të kishin vetëm miqësi mes tyre.
Bekimi më tradhtoi me aktoren ruse, për mua ishte tepër e dhimbshme
“Më tej mora një ftesë për të luajtur në një film, ndërkohë që regjisori më thotë që do të luaja rolin e një vajze të re që shkon me pushime diku, teksa do të më vardiseshin katër djem. Kisha nevojë t’i gjeja katër aktorët për këto personazhe, sepse regjisori do t’i pranonte. Filmi do të xhirohej në Opatija dhe ishte film i metrazhit të shkurtë. U mendova kë do të gjeja, dhe e dija ndërkohë se Bekimi së shpejti e mbaronte shërbimin ushtarak, dhe e pyeta nëse dëshironte të luante në një film me mua. Të gjithë do të takoheshim në shtëpinë time në Novi Vinodolski, vendlindjen time. Bekimi nuk e besonte dot se diçka e tillë do t’i ndodhte menjëherë pas ushtrisë. Bekimi erdhi i pari në shtëpinë time, përpara tre aktorëve të tjerë, dhe u njoh me prindërit e mi. Ai erdhi sikur t’i dinte paraprakisht të tëra, sikur ta dinte të ardhmen tashmë. Dhe dashuria jonë pati filluar në shtëpinë time familjare në vitin 1963, kur ai erdhi nga ushtria, kur dolëm bashkë në verandë”, tregon Branka.
Lidhja mes tyre, diplomimi i Bekim Fehmiut, përfshirja e tij në Teatrin Jugosllav të Dramës, pjesë e të cilës më veç ishte edhe Branka, shfaqje e turne të ndryshme tashmë ishin pjesë e përditshmërisë së tyre. Por diçka që nuk ishte përditshmëri, por një goditje bukur e rëndë, ishte dashuria e Bekim Fehmiut me Ljudmillën, lidhje që ndodhi gjatë qëndrimit të trupës së Beogradit në Rusi.
“Ljudmilla ishte një grua tepër e bukur, kurse ai pati treguar haptas tërheqjen që ndiente për këtë grua, ata patën rënë në dashuri” tregon Branka për atë periudhë të largët, e cila kujton edhe për mbështetjen e aktoreve dhe aktorëve të Beogradit që kishin treguar ndaj Brankës, pasi që, sipas saj, ata të gjithë e kishin lënë vetëm Bekim Fehmiun, për gjithë udhëtimin me tren përderisa ktheheshin nga Moska për në Beograd.
“Gjithsesi nuk mendoja të ndahesha nga ai vetëm për faktin se kishte shkuar me një grua tjetër. Edhe pse, për mua ishte tepër e dhimbshme, por në vitet e ardhshme lidhja jonë u bë shumë më e fortë”, kujton Branka atë moment, duke treguar më pas se viti 1968, ishte vit që edhe kurorëzoi dashurinë e tyre në Romë të Italisë.
Bekim Fehmiu po xhironte Odiseun, e thirra në telefon dhe e pyeta nëse do të martoheshim
Se po ndodhte një martesë mes një vajze serbe dhe një djali shqiptar, për prindërit e Brankës nuk paraqiste asnjë problem. Ajo me një siguri të madhe më tregon se askush, ama askush nuk i bëri asnjë pyetje të tillë, as prej teatrit, as familjes dhe as farefisit të gjerë.
Dhe nuk ishte vetëm martesa bekim për Brankën dhe Bekimin. Kjo periudhë e jetës po shënohej me shumë të mira në të gjitha anët. Branka ishte shtatzënë në muajin e katërt me djalin e saj të parë Uliksin, përderisa Bekim Fehmiu po xhironte Odiseun. “I telefonova Bekimit nga posta, meqë nuk kishim telefon në shtëpi. E pyeta se nëse do të martoheshim, dhe ai pranoi” shpjegon Branka, e cila kujton se për këtë kurorëzim dy herë iu desh të shkonte në Romë, sepse, herën e parë iu dështoi për shkak se nuk i kishin certifikatat e lindjes.
“Shkuam në Ambasadën e Jugosllavisë në Itali që të realizojmë martesën tonë, por aty e kuptova se për tu kurorëzuar na duheshin edhe certifikatat e lindjes, dhe në fakt ne nuk i kishim. Zyrtari i ambasadës na tha se pa dokumente nuk mund të na martonte. Dhe në fakt nuk u bë, por qëndrova shtatë ditë me Bekimin në Romë. Kur u ktheva sërish në Beograd që të marr dokumentet, shokët e mi më tallnin se tashmë mund të ndërrojë mendje Bekimi dhe nuk do të bëhej ceremonia”, kujton Branka.
Ajo për të dytën herë u nis për Romë, kësaj here me qëndrim vetëm për dy ditë, vetëm që të realizonin kurorëzimin, dhe ajo kujton se dëshmitare të martesës së saj kishte Zorica Budisavljeviqin, motrën e Jovanka Broz Titos, kurse Bekim Fehmiu ambasadorin e Jugosllavisë në Itali. Ajo kujton se si dëshmitarët e martesës talleshin me ceremoninë e martesës së tyre, duke e quajtur një ceremoni të shëmtuar. “Prandaj i thashë Bekimit që shpresoja që martesa jonë mos të ishte e shëmtuar si ceremonia e martesës”, kujton Branka ku pjesë të dasmës kishin edhe ekipin e filmit Odiseu.
Dhe duke u njohur me njëri tjetrin qysh nga fillimi i studimeve, Branka dhe Bekimi u rritën bashkë edhe profesionalisht. Sukseset me filmin “Odiseu”, suksesin e madh me “Mbledhësit e puplave”, shkëlqimin në Kanë dhe festivale të tjera, Branka thotë se i kishte përjetuar sikurse ato suksese të ishin të saj.
“Kur bëjmë art, ka gjithmonë njëfarë mëdyshje lidhur me aftësitë tonë, e ai gjithmonë më pati mbështetur mua” kujton Branka Petric për punën e tyre në botën e artit, ku Bekim Fehmiu jetoi shumë më furishëm e me më shumë suksese, por që edhe bëri një tërheqje më të shpejtë prej teatrit e filmit, kurse Branka edhe sot vazhdon të luaj herë pas here projekte të ndryshme.
Ndërkohë, “Madam Kolontajn” ishte shfaqja që luante Bekim Fehmiu, shfaqje në të cilën luante dy role, atë të Leninit dhe Stalinit. Në shenjë proteste, Bekim Fehmiu la shfaqjen në gjysmë, por jo vetëm atë shfaqje po gjithë paraqitjen e tij skenike. Këtë protestë e bëri në mes të Beogradit, në vitin 1987 si mospajtim me politikat serbe të cilat i ushtronin ndaj shqiptarëve të Kosovës. Branka e kujton guximin e Bekim Fehmiut, veprim që nëpërmjet të cilit edhe bëri shkëputjen skenike. “Por gjithnjë më ka përcjellë mua në shfaqjet e mia. Sa herë kam pas shfaqje, ai më ka pritë në njërën nga lokalet në afërsi të teatrit”, ka treguar Branka.
Branka Petric për familjen e Bekim Fehmiut: E pabesueshme si një nënë mundet të rrisë tetë fëmijë, me disiplinë të hekurt, porsi një ndërmarrje e organizuar në mënyrë të përkryer
“Për të mos thënë… unë mendoj se nuk ka asnjë martesë që nuk ka ulje-ngritjet e saj, po ashtu edhe tërmetet e veta, kur toka të dridhet nën këmbë, e të duket se gjithçka do të shkërmoqet, të gjitha janë gjëra që patjetër patën ndodhur edhe në martesën tonë, por gjithsesi përherë ne jemi sjellë në mënyrë të njerëzishme njëri me tjetrin, për shkak të dashurisë sonë që pati vijuar e njëjtë deri në çastet e fundit të bashkëjetesës sonë. Unë kam mësuar aq shumë prej tij, kurse po të ishte ndoshta gjallë ende, kushedi edhe ai do të thoshte se diçka ka mësuar edhe nga unë, sepse kemi qenë tejet të ndryshëm. Unë jam shumë më e lehtë si tip njeriu, dhe gjithmonë isha me vonesë, megjithëse dalëngadalë fillova të bëhesha edhe unë më e saktë. Akoma më pyetin nëse vonohem si dikur, kurse unë u them se tash e pesëmbëdhjetë vjet nuk vonohem më” tregon Branka.
Branka mes tjerash kujton edhe dashurinë e madhe të familjes së Bekim Fehmiut për njëri tjetrin, dashuri që nuk e kishte parë në familjet që kishte njohur në Beograd.
“Është diçka shumë e rëndësishme kur dikush rritet në gjirin e një familje të madhe si e Bekimit, detyrat atëherë janë të qarta për këdo, e pabesueshme si një nënë mundet të rrisë tetë fëmijë, me disiplinë të hekurt, porsi një ndërmarrje e organizuar në mënyrë të përkryer. Për mua kjo ishte diçka magjepsëse, sepse në rrethin tim nuk kish pasur diçka të ngjashme, që një anëtar i familjes të kujdeset edhe për motrat e veta, edhe për vëllezërit e motrat njëherësh”, kujton Branka e cila një kujdes të veçantë të Bekimit e tregon edhe me rastin e udhëtimeve të tij në vende të ndryshme, dhe ceremoninë e blerjes së dhuratave për anëtarët e tij të familjes.
‘Më kujtohet në Tunizi, kur Bekimi pati xhiruar filmin për Shën Jozefin, ai pati blerë katër palë veshje shumë të bukura për motrat e tij, pastaj edhe për një nuse të familjes së tij, domethënë pesë palë veshje. Domethënë hyri në Pazar dhe porositi pesë palë veshje femërore”, kujton Branka, e cila tregon edhe për kujdesin e tij për të shkolluar nioat dhe mbesat e tij. , ku sipas Brankës, të gjithë i kishte ndihmuar financiarisht për të përfunduar ata studimet.
Dhe Branka, nëna e Uliksit dhe Hedonit, e cila edhe më e mban revolen e Bekim Fehmiut, revole me të cilën aktori i madh i dha fund jetës së tij, në ndarjen e kujtimeve të saj për jetën e saj me Bekim Fehmiu thotë se aq gjatë kenë qenë bashkë, kaq shumë kanë përjetuar bashkërisht, saqë absolutisht, në një moment i është duk befasisht sikur të kishte gjetur shpirtin e saj binjak. “Ai ishte binjak edhe si shenjë horoskopi, prandaj kur ai ndërroi jetë, ishte sikur të ishte shuar edhe një pjesë e imja” kujton Branka” e cila mendon se pas vdekjes së tij, flitet mjaftueshëm për Bekimin.
Dhe krejt në fund, për krejt këtë jetë mes aktrimit dhe me aktrimin, Branka Petric, gruaja e aktorit të madh shqiptar Bekim Fehmiu vlerëson një përkushtim të madh të Bekim Fehmiut, që në një formë e la si dëshminë më të bukur. Librat që shkroi Bekim Fehmiu, Branka i vlerëson si punën më të mirë që la pas vete Bekim Fehmiu, kopje që vazhdojnë të kërkohen nga adhuruesit e tij.
“Unë pata menduar se do të mjaftonte një botim me disa tirazhë nga këta dy libra, por kërkesat akoma vazhdojnë. Njerëzit e duan dhe vazhdojnë ta lexojnë. Pastaj, çdo tre katër ditë unë marr ndonjë fjalë të mirë për bashkëshortin tim. E pamundur është që të më mos më thotë dikush se si Bekimi ishte një aktor i madh, se ai me të vërtetë ishte një legjendë.
Branka Petric që posedon edhe një numër të madh të dorëshkrimeve të Bekim Fehmiut dhe një numër të madh të librave të bibliotekës së Bekim Fehmiut, vazhdon të jetojë në apartamentin e njëjtë ku edhe ka jetuar më herët bashkë me Bekimin dhe fëmijët, ndërkohë, shpreh interesim se nëse mund të gjejë dikë që ta ndihmojë, që ato dorëshkrime të Bekimit ti sistemojë dhe ti botojë. / KultPlus.com
Qendra Kinematografike e Kosovës ka hapur konkursin për subvencionimin e projekteve filmike, shkruan KultPlus.
Këtë vit, përbrenda thirrjes janë prezantuar edhe dy kategori të reja: të zhvillimit të skenarit për film të metrazhit të gjatë artistik dhe të animuar si dhe kategorinë për film të shkurtër studentor.
Poashtu, risi e kësaj thirrjeje është edhe zgjerimi i mbështetjes në bashkëprodhimin minor ku këtë vit përfshihet edhe filmi dokumentar. E njëjta vlen edhe për kategorinë post-produksion për film të metrazhit të gjatë, të cilit i shtohet edhe filmi dokumentar. Ndërkaq, tash e tutje, skenaristët kanë mundësinë të aplikojnë për mbështetje si skenaristë të pavarur në kategorinë Zhvillim i Skenarit.
Përmes subvencionimit, projektet filmike do të mbështetën në këto kategori:
Tirana do të jetë kryeqyteti i filmit në Ballkan. Në kryeqytet nga data 13-17 dhjetor do të vijnë producentët dhe regjisorët më të rëndësishëm në fushën e filmit nga e gjithë Europa, për të marrë pjesë në “Balkan Film Market”.
Jonid Jorgji, kreu i Agjencisë së Industrisë Kreative në bashkinë e Tiranës, në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, bëri të ditur se industria kreative dhe filmi në tërësi ka një ndikim të drejtpërdrejtë në turizëm.
“Eventi gjigand në industrinë e kinemasë do të sjellë në Tiranë qindra producentë dhe kineastë, përfaqësues të platformave televizive nga më të njohurat në Europë. Do të vijnë në Tiranë për katër-pesë ditë. Do ketë panele diskutimesh, workshop-e, por edhe konkurse për idenë më të mirë “Pitching”, që do të sjellin bashkëprodhime të ndryshme ballkanike, shqiptare por edhe në Europë”, tha Jorgji.
Kreu i Agjencisë së Industrisë Kreative në Bashkinë e Tiranës solli dhe shembuj se si industria e kinemasë ka ndikuar drejtpërdrejt në turizëm.
“Industria e filmit dhe e gjithë industria audiovizuale jep një feedback të rëndësishëm në turizëm. Është një ambasador i mirë për turistët e ardhshëm që do të vijnë në vendin tonë. Kroacia është një shembull konkretë që edhe falë “Game of Throne” u kthye në një atraksion turistik nga më të rëndësishmit në rajon dhe Evropë. Këtë strategji po ndjekim dhe në Tiranë, duke krijuar këtë zyrë të filmit, duke sjellë sa më shumë produksione filmash”, tha ai.
“Falë incentivave të marra kanë ardhur shumë produksione filmash, ndërsa po punohet dhe ligji për sektorin audiovizual, ku ndihmon dhe incentivon të huajt dhe vendasit që duan të xhirojnë në vendin tonë filmat apo produktet e tyre audiovizuale. Para një viti në vendin tonë u xhirua dhe episodi i fundit i një Reality Show holandeze, dhe Tirana pas transmetimit të atij episodi pati bum turistësh nga Holanda”, theksoi Jorgji.
“Balkan Film Market” do të zhvillohet në ambientet e Piramidës, ku aspirantët për të nisur punën për filmin e tyre të parë, të përzgjedhur paraprakisht në bazë të aplikimeve të realizuara përgjatë dy muajve të fundit, do të punojnë individualisht me mentorë të huaj për të zhvilluar skenarin me të cilin përfaqësohen. Paralelisht, kineastë nga rajoni do të prezantojnë projektet e tyre para producentëve dhe distributorëve të ftuar në BFM, duke pasur mundësinë të sigurojnë mbështetjen që u nevojitet në fazën e para ose pas prodhimit.
Në rrethin e mbi 300 të ftuarve, të cilët kthejnë sytë nga projektet ballkanike, regjisorët e rajonit do të kenë mundësinë përgjatë pesë ditëve të promovohen, të zgjerojnë rrethin e njohjeve me emra të cilët kanë një historik të gjatë dhe të suksesshëm në industrinë filmike botërore, ku disa prej tyre të nominuar me çmime OSCAR.
Përpos mundësisë për ekspertët e fushës, nëpërmjet marketit Tirana do të shndërrohet në një pikë strategjike takimi për prodhuesit e filmit, që do ta njohin më nga afër kryeqytetin, duke e parë edhe nga këndvështrimi i një lokacioni të mundshëm për xhirime.
Balkan Film Market realizohet në partneritet me bashkinë Tiranë, Ambasadën Franceze, Ambasadën Austriake, Institutin Italian të Kulturës, Filmmakers Europe, Qendrën e Artit AGIMI, nën organizimin e Agjencisë së Industrisë Kreative./atsh/KultPlus.com
Gjatë dekadës së fundit, regjisori veteran gjerman, Wim Wenders (Wings of Desire, Buena Vista Social Club) ka pasur një rezultat disi të çrregullt, me filmin e tij të fundit të mrekullueshëm që ishte dokumentari i vitit 2011 “Pina”. Tani, ai ka dhënë një nga karakteristikat e tij më të mira narrative në vite, një perlë magjepsëse në heshtje për të çmuar momentet kalimtare dhe për të përqafuar lidhje të rastësishme.
“Perfect Days” ndjek Hirayama (Kōji Yakusho), një pastrues i moshuar dhe i zellshëm tualeti në Tokio. Ai është një njeri i qetë, i vetmuar, që gjen gëzim në kënaqësitë e thjeshta të jetës: zgjimi para lindjes së diellit, ujitja e bimëve, leximi para gjumit. Kur ai nuk po e zbaton veten me ndërgjegje në profesionin e tij dhe nuk po i duron veprimet e kolegut të tij shumë më të ri Takashi (Tokio Emoto), ai është i armatosur me kamerën e tij të vjetër Olympia dhe merr pamje nga natyra ose shton një kasetë tjetër në koleksionin e tij muzikor, shkruan Euronews, transmeton Klankosova.tv.
Ritmi i rutinës së tij të përditshme ndërpritet kur mbesa e tij adoleshente Niko (Arisa Nakano) shfaqet në banesën e tij të vogël për një vizitë të paparalajmëruar. Ajo ka ikur nga nëna e saj, motra e larguar dhe e pasur e Hirayama.
“Perfect Days” filloi jetën si një projekt i porositur nga autoritetet urbane japoneze, për të festuar sistemin më të avancuar të tualetit publik të Tokios. Wenders i ofron shikuesit perëndimor mundësinë për t’u habitur nga shumëllojshmëria dhe dizajnet e objekteve japoneze, por është larguar nga përmbledhja. Duke bërë këtë, ai ka krijuar një studim vëzhgues të personazheve që është xhiruar me syrin e një dokumentari nga Franz Lusting./ KultPlus.com
Filmi i metrazhit të gjatë “Okarina” me regji të Alban Zogjanit, është dhënë si premierë botërore në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Indi, shkruan KultPlus.
Filmi “Okarina” me skenar të Albana Mujës, e vendos shikuesin ne brendësi të privatësisë dhe përditshmerisë së një familjeje emigrantësh kosovarë në të 2000 – tat e hershme, përmes së cilës shpërfaqë historitë e patreguara të shumë shqiptarëve të humbur në kohë e ekzistencë.
Ky film gërsheton në vete problemet e të qenit emigrant, ndryshimet dhe tranzicionet e sjella nga jetesa në perëndim dhe mënyrat e përballjes me to.
Aktorët që luajnë në film janë: Jehon Gorani, Shengyl Ismajli, Rina Krasniqi, Flaka Latifi, Arta Selimi dhe Kastriot Shehi. Producente e filmit ishte: Rita Krasniqi dhe drejtor i fotografisë: Alex Bloom.
Skenaristja Albana Muja përmes një postimi në “Facebook” ka thënë se nominimi në një kategori të tillë është dëshmi e cilësisë që posedon përmbajtja filmike në tërësi.
“Kategoria e “Debutimit më të mirë” në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Indi përfshin realizime ndërkombëtare e indiane, të cilat shquhen si e ardhmja e kinemasë, ndërsa nominimi në kategori të tillë është dëshmi e cilësisë, rëndësisë dhe hapësirës që një krijim zë në këtë industri”, ka shkruar Muja. /KultPlus.com
Qendra Kinematografike e Kosovës ka njoftuar se kanë filluar xhirimet e filmit artistik të metrazhit të gjatë “Me Fjalë Tjera”, me skenar dhe regji të Valbona Jasharit, ndërsa producente është Mjellma Istrefi.
Filmi është subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës, dhe prodhohet nga shtepia filmike “Wavemaker Films”.
Xhirimi do jetë i ndarë në tri faza dhe pritet të zgjasë 4 javë./KultPlus.com
Filmi i metrazhit të shkurtë “Hana e Re” i Subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës, do të ketë premierën ndërkombëtare në edicionin e 27-të të Winterthur Film Festival, Zvicër.
Filmi është në garë për filmin më të mirë të shkurtë në kategorinë Best International.
“Hana e Re” trajton rrëfimin e katër shoqeve, të cilat në një udhëtim të menduar për qejf, zbulojnë të vërteta për njëra-tjetrën.
Ky film është prodhim i shtëpisë filmike Kanape, me skenar dhe regji të Jehona Berisha dhe producent Jetmir Zenelaj.
Në rolet kryesore janë: Rozafa Çelaj, Era Balaj, Blerta Ismaili, Qëndresa Jashari.
Edicioni i 27-të i Winterthur Film Festival do të mbahet mes datave 7 deri 12 Nëntor 2023.
Filmi do të shfaqet më datë 10 nëntor, e premte, nga ora 17:30. / KultPlus.com