Shfaqet premiera e filmit ‘Afër’, një përplasje mes artit filmik dhe melodive muzikore

Performancat e mahnitshme të Agona Shportës dhe Visar Kuçit mbrëmë kishin zënë vend në ekranin e madh të Kino Armatës. Ishte filmi “Afër” i regjisorit Leart Rama që po shpaloste një “koncert” po në një formë ndryshe, kësaj radhe para një dëgjuesi të vetëm përballë syve të tyre. Melodia e instrumenteve la gjurmë melankolike në shpirtin e secilit njeri, kurse fragmentet e xhiruara në dy qytete u gërshetuan mes vete në imazhe unike, shkruan KultPlus.

Filmi “Afër”, dokumentoi performancat e violinistit, Visar Kuçi dhe këngëtares, Agona Shporta. Interpretimi i tyre ishte i hapur dhe u zhvillua në mesin e një boshllëku para një publiku njëanëtarësh, ku gjithsej ishin 15 dëgjues nga moshat më të ndryshme, të cilët u xhiruan në këndvështrime të ndryshme por që secilit iu vu në pah adhurimi, dashuria dhe pasioni për performuesin dhe talentin e tij.

Nën melodinë e pianos dhe zërit pushtues të Agona Shportës, ku me punën e dalluar të regjisorit, solli një ndjenjë aq të ngrohtë të cilën kohëve të fundit shumica nga ne nuk po e përjetonim. Magjia e saj bëri që mendjen dhe zemrën e të pranishmëve, ta ringjallë përsëri me shpresë apo qoftë edhe me dëshirë për të dëgjuar muzikën klasike më tepër se zakonisht.

Ndërthurja mes muzikës, instrumenteve dhe artit filmik ishte një eksperiencë e veçantë në vetvete, e cila solli një qasje unike, me ç’rast u personifikua si një dokumentim artistik i kohës dhe përjetimeve tona në një periudhë sensitive për secilin nga ne. Pikërisht këto performanca ngjasonin me ato që kemi përjetuar në koncerte por në këtë rast, protagonistëve iu desh që të mbanin 15 koncerte për 15 dëgjues, kurse sot gjatë shfaqjes së filmit ky koncert u shndërrua në një koncert për audiencën e pranishme. 

Filmimi i fragmenteve ndërhyrëse ndaj performancave të dy protagonistëve, solli një frymë terapeutike në të cilën shumica zbuloi vetën në të, e disa nga këto fragmente përfshinin hënën e plotë me ç’rast gjysma e saj ishte e mbuluar nga retë, ndërtesat mbi të cilat lulëzonin pemët të cilat arritën që shpresën ta rikthejnë përsëri me idenë se diçka e re do të lulëzojë së shpejti, e po ashtu edhe zogjtë që fluturuan dhe njëkohësisht transmetuan lirinë e botëve të brendshme të secilit njeri dhe llojllojshmërinë e tyre.

Sekuencat e secilit objekt, e secilit qiell shumëngjyrësh, e secilës fije të flokut, dhe syve mallëngjyes të dëgjuesve, të xhiruara nga kënde të ndryshme por në të njëjtën hapësirë boshe, sollën një mbizotërim pothuajse hyjnor në aspektin e përcjelljes së emocionit përmes ekranit digjital.  

Përpos sekuencave të këtij lloji, ishin edhe ato pjesët e shkurtra në film të cilat ngjasonin me pyetjet se ‘A mundem me t ‘përqafu?’, një pyetje e drejtuar nga një dëgjuese drejt Agonës, ku u pasua me një përgjigje: ‘Pas mbylljes së kamerave”, nëpërmjet së cilës publikun e futi në një moment argëtues, një ndërhyrje kjo po e njëjtë si ajo e regjisorit në mes të performancave dhe peizazheve. Po ashtu në film u bë pjesë edhe kënga e njohur ‘Qengji i vogël’, që iu dedikua një vogëlusheje për të cilën buzëqeshja ishte e pranishme gjatë tërë kohës. Kurse fundi i filmit përfundoi me një përqafim të zjarrtë dhe të ngrohtë mes dy protagonistëve, të cilët arritën të interpretojnë talentin unik të tyre, secili në formën e tij më të mirë.

I xhiruar në kuadër të edicionit të 15-të të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës ‘DAM’, në bashkëpunim me Fondacionin Lumbardhi, regjisori Rama fitoi besimin e organizatorëve së pari me dokumentimin e periudhës së vetizolimit përmes “Corona Diary”, pastaj për të dokumentuar një periudhë me të cilën tashmë jemi akomoduar. Vizioni i tij i cili shpalosi përplasjen mes imazheve të cilat u përcollën nën tingujt e kitarës, pianos, violinës dhe jo vetëm, shpalosi një magji artistike.

Filmi nëpërmjet rrjedhës muzikore dhe peizazheve të paraqitura, formoi një ide se ishte pothuajse një përmbledhje e një viti pandemie. Prandaj në pamundësi të zhvillimit të edicionit të 16 të festivalit “DAM”, Dardan Noka për publikun tregoi që vështirësitë nuk munguan por as edhe falënderimet.

“I falënderohem Agonës dhe Visarit që kanë pranuar që të sfidojnë veten dhe të interpretojnë 15 paraqitje brenda një dite për 15 persona dhe Leartin që është dashur të dëgjojë 15 performancat rreshtazi”, u shpreh Noka.

Ndërsa, në mesin e diskutimit, pas filmit u shpreh edhe dëshira për perfomanca të tilla, ku edhe vetë këngëtarja u shpreh se do të kishe dëshirë të përsëriste lloje të performancave të tilla por shpreson për një audiencë më të madhe.

“Nëse sot do të performoja, do të kisha pasur dëshirë që secila ulëse të ishte e mbushur dhe të eksperimentoja edhe një herë po njëlloj”, thotë Shporta.

Po ashtu, për eksperiencën e tij gjatë xhirimeve, foli edhe vetë regjisori i cili tha se për herë të parë po përjetonte një gjë të tillë sepse ishte inspiruar shumë nga vetë performuesit, dhe e la veten që ata të drejtonin atë gjatë xhirimit të filmit sepse për të më shumë ishte një koncert sesa një film.

“Unë përdora natyrën e Agonës për të shprehur melankoliken në film ndërsa për editimin u inspirova nga mënyra se si Visari interpreton muzikën, prandaj edhe shikuesi ndonjëherë mund të jetë konfuz sepse Visari ka luajtur shumë instrumente në të njëjtën kohë dhe jo domosdo publiku ka dëgjuar atë se çka është xhiruar në atë moment”, shprehet Rama.

Në skenën e Kino Armata nuk munguan as edhe fjalët e vetë mjeshtrit të koncertit, Visar Kuçit i cili tregoi se dje e ka parë për herë të parë filmin dhe ishte çuditur me atë çka ka parë sepse nuk i mbante mend gjysmën e asaj se çfarë ka ndodhur.

“Ka pasur shumë momente ku nuk përshtatet ajo së çfarë dëgjohet me atë se çfarë shikohet sepse një instrument i incizuar ka qenë duke luajtur kurse në moment është shfaqur një instrument tjetër. Pra keni parë shumë skena që nuk keni mundur të dëgjoni atë se çka në të vërtetë po luhej. Prandaj mendoj se sonte është nata e Leartit”, përfundon Kuçi.

Kurse tutje për idenë e realizimit të këtij filmi, Noka tregon se burimi i inspirimit kishte rrënjë nga një eksperiment, të cilin vetëm Learti mund ta dokumentonte në formën e tij më të mirë.

“Në vitin 2009, në kohën kur krejt tentonin të mbushnin sallat, është formuar një eksperiment për të krijuar një performancë përballë një personi, kur atëherë ishte kritikuar mjaft shumë sepse ishte e pakuptimtë. Prandaj në pandemi na është kujtuar ky moment i një kompozitori”, shpalos Noka.

Premiera e filmit e xhiruar në kuadër të edicionit të 15-të të Festivalit “DAM”, ku së pari u shfaq në DokuKino në Prizren, tanimë u shfaq edhe në Prishtinë me një frymë ndryshe por për shkak të masave parandaluese të Covid-19, numri i pjesëmarrësve ishte i kufizuar. Pas shfaqjes së filmit, të pranishmit patën mundësi të ishin pjesë e diskutimit me protagonistët, regjisorin dhe producentët. / KultPlus.com