Jennifer Hudson me interpretim të mahnitshëm në filmin biografik “Respect”

Regjisori i filmit biografik të ikonës së muzikës Aretha Franklin, “Respect”, dhe aktorja protagoniste e këtij projekti, janë shprehur të entuziazmuar që koha e lansimit të filmit nëpër kinema është afruar, pas shtyrjes së datave disa herë si pasojë e pandemisë.

Në filmin “Respect”, aktorja dhe këngëtarja e njohur amerikane, Jennifer Hudson, vjen në rolin e mbretëreshës së ndjerë të muzikës ‘soul’. Regjinë e filmit e ka bërë Liesl Tommy, ndërsa skenari është shkruar nga, Tracey Scott Wilson.

Së fundmi është publikuar edhe trajleri i ri i filmit, i cili ia ofron botës pamjet e para të Hudsonit duke i performuar këngët klasike të Mbretëreshës së muzikës ‘soul’, si “Respect” dhe “(You Make Me Feel Like A) Natural Woman”.

Filmi e shtjellon historinë e fillimit të karrierës muzikore të Aretha Franklinit, e cila si fëmijë këndonte në korin e kishës së babait të saj, e deri tek arritja e majave të suksesit mbarëbotëror.

Krahas Hudsonit në film luajnë edhe aktorët, Forest Whitaker, Marlon Wayans, Mary J. Blige, Marc Maron, Titus Burgess dhe Tate Donovan.

Franklin, e cila vdiq më 2018-n nga kanceri në pankreas, në moshën 76-vjeçare, ishte pjesë e realizimit të filmit deri në momentet e fundit të jetës së saj. Ajo madje e kishte kërkuar angazhimin e Hudsonit për ta portretizuar atë në film.

Gjatë karrierës së saj të gjatë muzikore, Franklin i kishte fituar 18 shpërblime Grammy, si dhe ishte nominuar gjithsej 44 herë për këtë çmim.

“Respect” do të lansohet nëpër kinema nga 13 gushti i këtij viti. / KultPlus.com

Naomi Ackie, aktorja që do të luajë Whitney Houston në filmin e ri biografik

Aktorja britanike Naomi Ackie do të luajë Whitney Houston në një film të ri për jetën e këngëtares të ndjerë.

Ackie, 28, nga Londra lindore fitoi një Çmim TV Bafta në fillim të këtij viti për performancën e saj në serinë e Kanalit 4.

Ajo gjithashtu është shfaqur në Doctor Who, Yardie dhe ka luajtur Jannah në filmin 2019 Star Wars: The Rise of Skywalker.

Në një deklaratë për Variety dhe Hollywood Reporter, regjisorja Stella Meghie tha: “Ne kemi kaluar pjesën më të mirë të vitit të kaluar në një kërkim shterues për një aktore që mund të mishërojë Whitney Houston.

“Naomi Ackie na bëri përshtypje në çdo fazë të procesit. Unë u preka nga aftësia e saj për të kapur prezencën skenike të një ikone globale duke sjellë njerëzimin në jetën e saj të brendshme’. / KultPlus.com