Filmi i ri biografik “Michael” së shpejti do të sjellë në jetë performancat më ikonike të Jacksonit

Një film i ri biografik për Michael Jacksonin është në realizim e sipër, me ç’rast producenti i filmit të shumëshpërblyer “Bohemian Rhapsody”, Graham King, është angazhuar si producent i projektit.

Sipas portalit “Variety”, filmi i ardhshëm i titulluar “Michael”, por realizohet me miratimin e familjes së mbretit të ndjerë të muzikës pop. Skenari po shkruhet nga John Logan, i njohur për filma të tillë si “Gladiator” dhe “Skyfall”.

Familjarët të cilët e menaxhojnë pasurinë e këngëtarit të famshëm, po ashtu shërbejnë si producent të projektit krahas Graham Kingut. Ndërsa distribuimin e filmit anembanë globit do ta bëjë kompania gjigante “Lionsgate”.

“Jam i nderuar që do ta sjellë trashëgiminë e familjes Jackson në ekran të madh. Mbajë mend që po qëndroja i ulur në stadiumin ‘Dodger’ duke e shikuar turneun muzikor ‘Victory Tour’, dhe atëkohë nuk mund as ta imagjinoja që gati 38 vjet më vonë do të kisha privilegjin të isha pjesë e këtij filmi. Projekti me titull ‘Michael’ do t’i japë audiencës një portret të thellë të njeriut të ndërlikuar që u shndërrua në mbret të muzikës pop. Ai do të sjellë në jetë performancat më ikonike të Jacksonit, pasi jep një pasqyrë të informuar mbi procesin artistik dhe jetën personale të artistit”, deklaroi King përmes një komunikate për media.

Kurse nëna e këngëtarit të ndjerë, Katherine Jackson, ka deklaruar: “Prej se Michael ishte vetëm fëmijë, si pjesëtarë i grupit ‘The Jackson 5’, ai e dashuronte magjinë e kinemasë. Si familje, jemi të nderuar që historia e jetës sonë do të jetësohet në ekran të madh”.

Përfshirja e familjes Jackson në projekt sugjeron që filmi nuk do të trajtojë akuzat për abuzim seksual të fëmijëve, që u ngritën kundër këngëtarit gjatë karrierës së tij dhe pas vdekjes në vitin 2009./ KultPlus.com