Nga protestat në Kosovë, në kërkim të ‘Diellit’

Alberina Haxhijaj

Përveç programeve tradicionale filmike të PriFest-it, edicioni i dhjetë ka sjellë edhe dy programe të reja duke përfshirë këtu Programin Garues të filmave Studentorë.

Pjesë e kësaj kategori është edhe filmi “Dielli”, premiera e të cilit u dha mbrëmë në kuadër të festivalit, shkruan KultPlus.

Filmi “Dielli” me regji të Mjellma Istrefit, studente e Filmit dhe Mediave Dixhitale në Universitetin Amerikan në Romë, është një projekt studentor i cili përshkruan një situatë të caktuar politike në Kosovë, parë nga këndvështrimi i regjisores.

Profesori i tregon studentëve të tij për mitin, dielli djegë gjithçka që prek, megjithatë qyteti jonë është i mbuluar nga retë, pra qytetarët ende jetojnë. Një studente është mjaft e guximshme, ja shpjegon profesorit se kjo teori nuk është e vërtetë, pasi që ajo ka parë diellin dhe është prekur nga rrezet e tij.

Profesori bindet që ajo ka të drejtë dhe vendosë t’i bashkohet për të dëshmuar se bota e ka gabim. Mirëpo kur ajo konsiderohet e çmendur dhe izolohet, a do vazhdojë ta përkrah profesori këtë kauzë?

“Ideja e filmit ka ardhur prej gjendjes në Kosovë ku ka pasur shumë protesta gjatë asaj kohe dhe askush nuk diskutonte me askënd. Ka qenë mënyra sesi unë e kam pa këtë situatë pasi që nuk merrem shumë me politikë. Pra ka qenë sesi unë e kam pa situatën, apo unë në vend të një njeriut që nuk po kupton shumë se çfarë po ndodh, mirëpo që po e dinë që po shkojmë herë në një anë e herë në tjetrën po nuk po shohim dritë në asnjërën anë”, u shpreh regjisorja.

Në film rolin e studentes e luan aktorja Trina Ukmata ndërsa profesorin aktori Shkumbin Istrefi. Regjisorja pas shfaqjes së premierës, falënderoi të dy aktorët por edhe gjithë ekipin për punën e bërë.

“E gjithë kjo punë është realizuar falë ekipit i cili ka punuar shumë dhe i jam shumë falënderues. Sigurisht një falënderim shumë i madh shkon për Shkumbin Istrefin pasi që ky skenar është shkruar dhe rishkruar 100 herë me të vetmen arsye, e kam dashur atë si aktorë në këtë film. Mirëpo, kur e ka lexuar herën e parë ai ka thonë që unë nuk aktroj në këtë film kështu që unë është dashtë ta shkruaj e rishkruaj derisa kemi arritur në këtë që e patë edhe ju sonte”, përfundoi regjisorja e re Mjellma Istrefi.

Edicioni i 10-të i PriFilm Fest po vazhdon akoma. Të gjithë të interesuarit mund të klikojnë këtu për të mësuar më shumë se cilët filma do të shfaqen sonte në kuadër të festivalit./KultPlus.com
http://prifest.org/program-2018/