Balerina shqiptare realizon ëndrrën, bëhet protagoniste e filmit ‘Reverse’

Balerina shqiptare Klaudia Pepa, e cila vitet e fundit po jeton në Itali, aty edhe ku ka krijuar një karrierë, ka dhënë lajmin se së shpejti do ta shohim edhe si aktore.

Përmes disa postimeve në rrjete sociale, ajo thotë se është tepër e emocionuar dhe e lumtur për pjesëmarrjen e saj në një film. ”Dua të ndaj me ju një lajm të bukur. Më në fund, ëndrra ime u bë realitet”.

Ky film është projekti më i fundit nga Giuseppe Lepore për Bielle Re dhe skenari flet për një vrasës serial.

Xhirimet e filmit do të nisin sot me të gjitha masat e sigurisë për shkak të pandemisë, shkruan Revista Who.

Filmi flet për një vrasës serial të sëmurë, i cili realizon çdo krim duke përdorur një thikë blu. Një inspektor policie, i bindur se e gjithë çmenduria e tij është një trillim, do ta marrë në pyetje duke e bërë të rrëfehet. / KultPlus.com

Vijnë netët e filmit italian në Reja

Mbrëmjet në kryeqytet ofrojnë një larmishëri aktivitetesh social-kulturore. Krahas koncerteve të shumtë të organizuar në sheshin Skënderbej, një numër i konsiderueshëm shfaqjesh po jepen pranë Parkut të Liqenit apo sheshpushimeve të ndryshme të Tiranës.

Tek Reja, ka nisur rrugëtimin “Netët e Kinemasë Italiane, që organizohet për të dytin vit radhazi në kryeqytet.

Kinemaja italiane si nëpër Re, në kuadër të “Kino, Edu dhe Netë në Re”, do të vijojë rrugëtimin e saj të pasuar me filma të rinj çdo të martë deri më datë 31 korrik 2018, prej orës 21:00.

Ndërkohë, sot në mbrëmje, qytetarët e Tiranës do të mund të shohin tek Reja, filmin “Segreti”. Ngjarjet ndodhin në Venecia, kur Laura, një terroriste, vret një shok në momentin kur ai plagoset gjatë një sulmi ndaj një gjyqtari, shkruan ora news./ KultPlus.com