Era Berisha
I bazuar në një ngjarje të vërtetë, filmi “Nanë” me regji të Valbona Jasharit është i vendosur në vitet 1950 në Shqipëri, ku një djalosh i ri me emrin Leka përpiqet të shpëtojë nënën e tij që po vdes. Është një realitet i ashpër i jetës me të cilin ai ballafaqohet në një moment dhe pafajësia e tij si fëmijë është ajo që të rrëmben pas ekranit e të bënë të ndjesh dashurinë, zhgënjimin, vështirësitë dhe të gjitha emocionet që portretizohen përbrenda njëzet minutave, me rastin e premierës së filmit në kuadër të edicionit të 14-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë, ‘PriFest‘, shkruan KultPlus.
Është një përvojë emocionale që ka prekur të gjithë të pranishmit mbrëmë në ditën e katërt të festivalit “Pri Fest”. Salla e mbushur në Kino Armatë ka përjetuar një histori sa prekëse e të dhimbshme, aq edhe të bukur e përrallore.
Skena e parë është ajo me të cilën nis gjithçka dhe qysh në fillim regjisorja Jashari ka vendosur të shpalos dashurinë e nënës ndaj fëmijëve dhe anasjelltas. Është një melankoli e mahnitshme që shpërfaqej në tërë hapësirën teksa nëna e Lekës i këndonte fëmijëve me aq ëmbëlsi. Ndërsa, Leka si një djalosh i urtë, i cili punon në pazar ngaqë babai i tij, Gania, gjendet në burgun e Goli Otokut për arsye të mbrojtjes së vatanit, detyrohet të punojë e të kujdeset për nënën dhe tre vëllezërit e tij.
Në anën tjetër, ishin kuadrot e mahnitshme që i ngjasonin fotografive të vjetra të kulturës së hershme shqiptare, ato që thjesht të detyronin që sytë të nguleshin tek ekrani. Bukuria e Parkut Kombëtar të Valbonës në Shqipëri, fshatit Kukaj në Kosovë, fshatit Dardhë në qytetin e Korçës, të linin pa frymë e pa fjalë.
“Nanë” është një version i rritur i një përralle që me vendndodhjet, kostumet dhe dizajnin e prodhimit ka kaluar pritshmëritë e gjithsecilit. Çdo aspekt i filmit ka arritur të arrijë përsosmërinë dhe kjo vërehej qysh në minutat e parë.
Nëna e Lekës qe personazhi që vuante më së shumti. Ishte diçka që nuk e kuptonte as ajo vetë. Teksa lante këmishën me gjak, djersët i shkonin rrëke dhe ishte vetë djali i saj, Leka që ishte i pranishëm në ato momente. Siç shprehej ajo vetë se shpirti i saj po kallej, teksa mushkëritë e saj po nxeheshin, ajo i kërkon Lekës të shkojë e të gjejë tezën Minire, por që fatkeqësisht ajo nuk ishte prezente në shtëpinë e saj. Ndërmjet fjalëve, ajo kërkonte borën: “Ta kisha pas do borë”, dhe kjo ishte tashmë një paralajmërim për atë se çka do të pasonte.
Leka, entuziast në personalitet e naiv në sjellje, vihet në kërkim të borës me shokun e tij më të ngushtë të fshatit. Por, kalon një kohë e gjatë derisa të dytë arrijnë në bjeshkë dhe e mbledhin atë me dy parë duar të vockla. Të gjitha emocionet që lidheshin drejtpërdrejt me personazhet, vinin akoma më me intensitet atëherë kur meloditë e këngëve si “Baresha” dhe “Këngë me fyell” hynin si një rrjedhë e pastër mallëngjimi, me ç’rast e zgjuan nga gjumi të gjithë mëshirën e mbledhur përbrenda secilit të pranishëm në sallë.
Me të kthyer në shtëpi, Leka e gjen nënën e tij të shtrirë në dyshek, ia vendos borën e pakët mu në vendin ku ajo kishte dhimbje, ia puth duart e fytyrën, e i lutet Zotit për ta shpëtuar. Ndërsa, qiriri i dhomës digjej ngadalë në një kënd, edhe shpirti i Lekës nga pak fillonte të digjej.
Një lloj i dëlirë i dashurisë mes nënës dhe fëmijës dhe pafajësia e fëmijërisë janë temat të cilat u shtjelluan në filmin “Nanë”.
Pas shfaqjes së filmit, ishin duartrokitjet dhe brohoritjet e shumta e të gjata ato të cilat zunë vendin e duhur në publik. Ndërsa, para shfaqjes së filmit, për një fjalë rasti në skenë doli regjisorja Valbona Jashari.
“Faleminderit shumë të gjithëve që keni ardhur sonte, e në veçanti familjes time dhe miqve të mi. Ky film është shumë personal për mua dhe ka të bëjë me ngjarjen se si e ka humbur gjyshi im, nënën e vetë. Si të gjithë filmat e tjerë, edhe ky film është bërë me shumë dashuri e përkushtim. Shpresoj shumë që të ju pëlqej”, ka thënë Jashari. / KultPlus.com