Brenda mureve të gurta të kështjellës së shekullit të 13-të, aktorë shqiptarë e rusë po përpiqen të rigjallërojnë për ekranin e madh një kapitull pak të njohur, por fort trazues të historisë së tyre të përbashkët.
E bashkëshkruar nga shkrimtari i vlerësuar i Shqipërisë Ismail Kadare, kjo dramë historike është prodhimi i parë i përbashkët mes dy vendeve në thuajse 70 vjet. Titulli i vënë për këtë rrëfim dashurie është “Gjirokastra”, qyteti jugor shqiptar ku edhe shpaloset rrëfimi. Do të jetë filmi i parë që qëmton fatin tragjik të çifteve të përziera të persekutuara nga regjimi komunist në Tiranë.
Telashet filluan pasi Tirana ndërpreu lidhjet me Moskën më 1961, një shkëputje diplomatike që, brenda natës, i ktheu të rinjtë shqiptarë me femra sovjetike në tradhtarë.
“Personazhet për të cilat jam i interesuar janë viktima të harruara ose fare pak të njohura të komunizmit: të huaj të mbajtur në Shqipëri dhe të persekutuar egërsisht nga regjimi”, ka thënë Kadare për AFP-në.
Derisa ky është debutimi i tij si skenarist, shkrimtari dhe poeti ka fituar një varg çmimesh letrare dhe rregullisht shqyrtohet si kandidat për nderet e “Nobelit”.
“Kaq shumë fate individuale janë shkërmoqur nga historia”, ka thënë Kadare, i cili ka bashkëshkruar skenarin me regjisorin dhe skenaristin rus Yuri Arabov.
Në vitet ’50 shumë meshkuj shqiptarë studionin në Bashkimin Sovjetik, disa prej të cilëve u kthyen në vendlindje me partnere ruse, polake, hungareze apo bullgare. Filmi përvijon rrëfimin e një çifti të tillë.
Për vite Shqipëria dhe Bashkimi Sovjetik ishin aleatë të ngushtë, dhe diktatori komunist i Tiranës, Enver Hoxha, ishte një adhurues i Joseph Stalinit. Por pasi pasardhësi i liderit sovjetik Nikita Khrushchev filloi një varg reformash destalinizuese, dikatori shqiptar u shkëput nga Moska “revizioniste” dhe nga shtetet e saj satelite më 1961.
Grave të huaja që jetonin brenda Shqipërisë, kufijtë e së cilës u mbyllën nën Hoxhën, iu dha një mundësi: të ktheheshin në vendet e tyre, apo të qëndronin me burrat dhe rrezikun e persekutimit.
Nuk ka të dhëna se sa shumë çifte u bënë pjesë e dhjetëra mijëra kundërshtarëve të shpallur nga regjimi, që u burgosën apo dënuan me punë të detyruar gjatë dyzet vjetëve të komunizmit në Shqipëri.
Rreth 5500 burra dhe 450 gra u ekzekutuan nga regjimi. Sidoqoftë, një nga të mbijetuarat është Irina Sallaku, një 88-vjeçare që tani jeton në Tiranë.
E lindur në Rusinë sovjetike, Sallaku u martua me një shqiptar që po studionte inxhinierinë në Leningrad. Çifti u kthye në Tiranë më 1955 me binjakë. Jeta e tyre u përmbys dy dekada më vonë, kur burri i saj u ekzekutua nga regjimi shqiptar nën akuzat e “sabotazhit”.
Sallaku ishte dërguar me dy bijat e saj në një kamp pune. Ato nuk u liruan gjerë më 1988.
“Shumë të huaja që bënë një akt të qëndresës me zemër duke zgjedhur të jetonin në Shqipëri kanë pasur fat tragjik”, ka thënë Sallaku për AFP-në.
Si shumë të tjerë, ajo ende nuk e di se ku gjendet vendi i prehjes së burrit të saj, një burim i çdoditshëm i dhembjes.
Por ajo mirëpret bërjen e një filmi që do të rrëfejë diçka të ngjashme me përjetimin e saj.
“Ky është një episod tragjik në rrëfim (të Shqipërisë) që ka nevojë të thuhet me qëllim që të kuptohet përmasa e krimit”, ka thënë ajo duke folur me një zë të qetë.
Filmi, të cilin Kadare nisi ta shkruante më 2010, përvijon rrëfimin e studentes ruse Katia, që takon burrin e saj të ardhshëm shqiptar, Arjanin, në Moskë.
Disa vjet pasi kishin kaluar një jetë bashkërisht në Shqipëri, burri arrestohet për “spiunazh” dhe ekzekutohet.
Katia, e akuzuar gjithashtu për spiunazh, përfundon e burgosur në Kështjellën e Gjirokastrës, që asokohe përdorej si burg.
Derisa pjesa më e madhe e xhirimeve është bërë në Gjirokastër, vendlindja e Hoxhës dhe Kadaresë, disa skena janë xhiruar edhe në vilën e diktatorit të ndjerë në qendër të Tiranës.
Dy aktorë shqiptarë e interpretojnë Hoxhën, i cili vdiq më 1985, dhe të shoqen e tij, Nexhmijen, ende gjallë në moshën 99-vjeçare.
Regjisori Arabov e përshkruan filmin si “homazh për të gjitha viktimat e pafajshme të regjimeve totalitare”.
Me xhirimet e përfunduara, montazhi do të fillojë nga fundi i muajit. Dhe kjo punë tashmë ka sjellë një rrëfim të ri dashurie – mes Polina Grishinas, aktores ruse që luan Katian, dhe Besmir Bitrakut, aktorit shqiptar që luan të shoqin e saj.
“Ne jemi historia jonë”, ka thënë me buzëqeshje Bitraku, aktor i njohur në Shqipëri.
Loreta Mokini, bashkëproducentja shqiptare e filmit, ka shtuar: “Dashuria është e verbër, ajo nuk mëson nga historia”/AFP / KultPlus.com